Tuesday, March 5, 2024

Xhon Belushi, vdekja e dyshimtë e aktorit me famë

5 Mars 1982



 
Nga Leonard Veizi
 
Si një shqiptar i pastër – meqenëse dhe të dy prindërit i kishte shqiptarë, - ai u njoh gjerësisht në Shqipërinë e postkomunizmit me filmin emblematik “The Blues Brothers”, apo thënë në shqip “Vëllezërit Bluz”. E ndërsa fama e tij u shpërnda nëpër Shqipëri dhe për ata që nuk kishin dëgjuar kur më parë për të, ai vet kishte të paktën dhjetë vjet që ishte ndarë nga jeta. Por kjo nuk do të thoshte asgjë, sepse në pelikul jetonte për të gjithë ata që donin ta shikonin...
 
...Vdekja e tij, po aq sa e çdo artisti me famë, u shoqërua me dyshime të mëdha. Pavarësisht se vdekja i shkaktua nga një mbidozë në dukje, kishte ende shumë mister rreth rrethanave të sakta të vdekjes së Xhon Belushit. E padyshim u ngritën dhe teori konspirative. Një talent në fushën e aktrimit komik vdes papritur në moshën 33 vjeçare. Ishte po aq sa Krishti 2000 vite më parë...
 
Zhurma mediatike
Në mediat më të mëdha botërore dhe ato amerikane sigurish, kur vjen puna për vdekjen e Xhon Belushit, do të gjesh të njëjtin lajm që ka qarkulluar rëndom në faqet e tyre. Dhe gjithçka ka të bëjë me deklaratën e një këngëtareje të dështuar e cila më shumë se me muzikë merrej me shpërndarje droge në rrethet e artistëve, dhe që duke folur për një tabloid amerikan, ku autorë të shkrimit ishin Toni Brena dhe Lari Heili, u shpreh: "Unë vrava John Belushin. Nuk doja, por jam përgjegjës”. Dhe kaq duhej për t’i vënë kapakun historisë për më tepër që gruaja në fjalë pas një procesi gjyqësor, - edhe pse pati 13 akuza, - kreu dhe një dënim 15 mujor për vrasje të shkallës së dytë, dënim që e kreu në Institutin e Kalifornisë për Gratë.
 
Në botën e drogës
Mëngjesin e datës 5 mars 1982, Xhon Belushi ishte në pavetëdije edhe në agoni, por diçka afër drekës, ai u shpall i vdekur në dhomën e tij në një hotel në Kaliforni.
Hetimi fillestar nxori se ai vdiq nga një mbidozë droge pasi kishte marrë  një kombinim vdekjeprurës kokaine dhe heroine të njohur si "speedball".
Gjashtë ditë më parë, më 28 shkurt 1982, Belushi ishte regjistruar në apartamentin 3 në “Chateau Marmont”, një hotel luksoz me pamje nga Sunset Strip. Ai po punonte për një skenar rreth projektit filmik “Noble Rot”.
Dihet pak për lëvizjet e tij për ditët e mëparshme, por mbrëmjen e vdekjes, u vërtetua se në dhomë u vizitua veç e veç nga miqtë e tij, aktorët Robin Uilliams dhe Robert De Niro. Secili u largua duke e lënë Belushin në shoqërinë e këngëtares Kathrin Ivelen Smith që njihej dhe si shpërndarëse droge.
Në një shkrim të botuar prej tij: “Si vdiq Gjon Belushi? Historia e vërtetë e vdekjes së tij tragjike” Samiel Uard thotë: Kathrin Smith më vonë raportoi se, e alarmuar nga zhurma e frymëmarrjes së tij, ajo e zgjoi Belushin rreth orës 9:30 të mëngjesit dhe e pyeti nëse ai ishte mirë. "Vetëm mos më lini vetëm," u përgjigj ai. Në vend të kësaj, ajo u largua pak pas orës 10 të mëngjesit për të kryer disa detyra. Rreth mesditës, trajneri personal i Belushit, Bill Uolles, mbërriti në hotel dhe u fut me çelësin e tij. Duke e gjetur Belushin të papërgjegjshëm, Uolles u përpoq ta përmendte, por më kot. Pak minuta më vonë mbërritën urgjenca mjekësore dhe Belushi u shpall i vdekur në vendngjarje”.
Vdekja e tij u hetua nga mjeku Rajen Norris, ndërsa nga provat e gjetura u konstatua se ajo kishte ndodhur për shkak të një incident të lidhur me drogën.
Dr. Ronald Kornblum, mjek ligjor i kontesë së Los Anxhelosit, ia atribuoi shkakun e vdekjes së John Belushit helmimit akut me kokainë dhe heroinë. Dr. Majkëll Baden, ish-kryeekzaminuesi mjekësor i qytetit të Nju Jorkut, më vonë dëshmoi se nëse Belushi nuk do të kishte marrë drogë, ai nuk do të kishte vdekur.
Më 9 mars 1982, Belushi u varros pranë shtëpisë së tij në Martha's Vineyard.
 
Fama e një aktori
Edhe pse vdekja e Xhohn Belushit shënoi fundin e papritur të karrierës së tij si aktor, humorist dhe muzikant, nuk ishte befasi për ata që e njihnin më mirë. Përdorimi i drogës i Belushit u rrit bashkë me famën e tij.
Fama pati një çmim dhe Belushi nisi të abuzonte me kokainën dhe drogat e tjera për të përballuar pasiguritë e tij dhe orët e gjata që vinin nga puna në film dhe televizion. Varësia e tij e madhe nga droga u përkeqësua gjatë xhirimeve të “The Blues Brothers”.
Në shtypin që u morr gjerësisht me vdekjen e aktorit të famshëm, thuhej se muajt e fundit të jetës së Belushit u kaluan duke ecur nëpër rrugët e Los Anxhelosit si nëpër një mjegull droge. Dhe kishte raportime se Belushi, në muajt e fundit të jetës së tij shpenzonte rreth 2500 dollarë në javë për zakonin e tij të drogës.
 
Deklarata e fajësisë
Këngëtarja kanadez Katherin Smith apo Keti Smith, konsiderohej si një këngëtare rezervë, qoftë dhe e rastësishme. Dy muaj më vonë, ajo deklaroi në një intervistë për “National Enquirer”, se kishte qenë me Belushin natën e vdekjes së tij, dhe se ia kishte dhënë ajo dozën vdekjeprurëse. Pas shfaqjes së artikullit: “Unë e vrava Belushin!”, në numrin e datës 29 qershor 1982, çështja u rihap. Smith u arrestua në Toronto, u ekstradua në SHBA dhe u akuzua për vrasje të shkallës së parë. Një marrëveshje me gjykatën, e ndryshoi akuzën në vrasje të pavullnetshme, dhe përfudimisht ajo kreu vetëm 15 muaj burg.
Por a fshehu diçka Katherin Smith? Edhe nëse po, ajo e mori me vete në varr pasi ka vdekur në 16 gusht të vitit 2000 në moshën 73 vjeçare
Pak para vdekjes së tij, Belushi luajti në serialin komik “Skuadra e Policisë”. Belushi dhe miku i tij Dan Akroid, - që luan vëllain tjetër Bluz, - do të duhej të paraqiteshin për të tërhequr çmimin Academy Awards për efektet më të mira vizuale, një ngjarje që u mbajt më pak se 4 javë pas vdekjes së tij.
 
“Vëllezërit Bluz”
Xhon Adam Belushi ishte aktor dhe muzikant amerikan me origjinë shqiptare, i njohur më së miri si një nga anëtarët e kastit origjinal të shfaqjes së komedisë së NBC-së, “Saturday Night Live” dhe për rolet e tij në filmat “National Lampoon's” “Animal House” dhe “The Blues Brothers”.
I njohur për personazhet e tij legjendare në “Saturday Night Live”, Xhon Belushi i mbushi performancat e tij brilante me një energji të pashtershme e të zhurmshme gjë që nuk e ka parë kurrë më parë se ai të vintë në ekran.
Belushi lindi në Çikago, Illinois, 24 janar 1949. Ishte i biri i Agnes Demetri Belushit, një shqiptaro-amerikane e gjeneratës së parë që erdhi nga Bilishti i Devollit, dhe e Adam Belushit, një emigrant shqiptar dhe pronar restoranti, i cili u largua nga fshati i tij i lindjes, Qytezë e Kolonjës, në vitin 1934 në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Emri i familjes në kohën e emigrimit ishte Velousi, më vonë u përshtat në Belushi.
Xhon Belushi u rrit në kishën ortodokse shqiptare në Wheaton me vëllanë Xhimi, pesë vjet e gjysmë më të vogël. Ai ndoqi shkollën e mesme Wheaton Central, ku u njoh gruan e tij të ardhshme, Xhudi Xhaklin.
Shpërthimi i parë i madh i Belushit si komedian ndodhi në vitin 1971, kur ai iu bashkua trupës së komedisë "The Second City" në Çikago. Ai mori pjesë në “National Lampoon's Lemmings”, një parodi e “Woodstock”, e cila luajti “Off-Broadway” në 1972.
Ai vazhdoi të luajë me Akroid në “The Blues Brothers” në 1980. Dyshja, e veshur me kostume të lira, kapele të tipit “fedora” dhe syze dielli të errëta, nisin "një mision nga Zoti" për të shpëtuar jetimoren në të cilën u rritën. Filmi përmban linjë muzikore R&B dhe xhaz nga Areta Franklin, Xhejms Broun, Rei Çalls, Kab Kaloej dhe Xhon Li Hoker. Filmi “The Blues Brothers” fitoi më shumë se 115 milionë dollarë në kinematë në mbarë botën dhe është bërë një klasik kulti në vitet që pas publikimit të tij.
 
Epilogu
Ndërkohë që Belushi ka më shumë se 30 vjet që është larguar nga jeta tokësore, personazhet që ai krijoi dhe performancat që dha në ekran janë ende të gjalla dhe shijohen nga fansat e tij. Në vitin 1989 nga revista “People” ai u cilësua një nga 25 yjet më të mirë të televizionit.
 

No comments:

Post a Comment