Friday, February 16, 2024

Parfumi: Historia me aromë mahnitëse e një vrasësi vajzash


Nga Leonard Veizi
 
Ai kërkonte përsosmërinë. Të krijonte një parfum të papërballueshëm nga askush. Diçka që ta kalonte të zakonshmen e të kishte efekt të mbinatyrshëm. Dhe ia arriti. 12 erëra të veçanta marrë nga lëkura e 12 vajzave të ndryshme, për të prodhuar një miks. Dhe gjithçka arriti përsosmërinë kur viktimë e tij bëhet vajza e 13-të, flokëkuqja me emrin Lora Riçis. Kjo do të sillte një mrekulli aromë tunduese deri në marrëzi. Dhe çuditërisht aromat kanë një fuqi bindjeje më të fortë se vetë fjala. Vetëm një pikë parfumi e shpërndarë në eter përmes një shamie do të sillte një dehje kolektive, një orgji masive dhe një çorientim psikologjik aq sa vetë vrasësi i tmerrshëm i vajzave, nga përbindësh do të quhej: engjëll...
 
...Spektatorët u tronditën kur panë filmin “Parfumi: Historia e një vrasësi”. Ata që e kishin lexuar librin më parë se kaq edhe pse e njihnin subjektin por gjithashtu do të ngrinin përpara imazheve filmike. Pamjet tregonin një histori ekstravagante të një njeriu që zotëronte një nuhatje magjike dhe një obsesion të çuditshëm shkatërrues.
Filmi nis me dënimin e një vrasësi famëkeq të quajtur Zhan-Baptiste Gronuill. Ai lindi korrikun e vitit 1738 në një treg ushqimor të Parisit, ngritur mbi “Cimetiere des Innocents”. Një grua shtatzënë që punonte në tezgën e peshkut, lindi fëmijën dhe e hodhi atë në mes të mbeturinave me qëllim që të vdiste. Por klithmat e foshnjës tërhoqën vëmendjen e klientëve aty pranë që e çuan beben në një jetimore ndërsa nënën e tij e dorëzuan tek autoritetet të cilët pa e bërë të gjatë e varën në litar me motivin: tentativë vrasjeje.
Çuditërisht trupi i foshnjes nuk binte erë, dhe si i tillë u cilësua që në fillim "fëmijë i djallit". Por ndërkohë ai kishte dhuntinë për të nuhatur gjithçka. Zhan-Baptiste Gronuill e zbuloi herët talentin e tij të madh, ekuivalentin nuhatës të zërit të përsosur, të kombinuar me kujtesën absolute të nuhatjes. Në rrugën e tij të jetës, foshnja i rritur tashmë, mësoi të krijon parfume. Por puna e tij merr një kthesë vdekjeprurëse, kur në kërkim të parfumit perfekt nis të vrasë vajza të reja dhe t’u marrë aromën e trupit.
Në skenën klimatike të romanit, pikërisht kur Gronuill është gati të ekzekutohet, ai përdor si armë shpëtimi parfumin që kishte krijuar. Urrejtja e banorëve të qytetit, - të cilët kishin shkuar për të parë ekzekutimin, - papritur u kthye në dashuri.
Dhe si shpëton nga ekzekutimi në gijotinë, Zhan Baptist shkon në një lagje të varfër të Parisit, spërkatë veten me pjesën tjetër të parfumit. Kjo do të sjellë kanibalizimin e tij nga një grup endacakësh e kriminelësh. Sipas kritikës, me këtë zgjidhje dhe mbyllje të veprës autori kërkon të japë një lloj vetëvrasjeje me prokurë.
Nga kritika “Parfumi: Historia e një vrasësi” është  cilësuar si një rrëfim jashtëzakonisht i fuqishme i vrasjeve dhe shthurjes sensuale.
 
Libri
“Perfume: The Story of a Murderer”, në fakt është një roman i botuar në vitin 1985, fillimisht në gjermanisht si “Das Parfum” nga shkrimtari gjerman Suskind Patrik. Sipas një kritike të botuar në gazetën “Dia” të Madritit, kjo ishte një vepër që la të mahnitur kritikët si nga Berlini po aq dhe nga Roma, Parisi e Londra. “Kjo është përgjigjja e Europës drejtuar realizmit magjik latinoamerikan", do të shkruante kritika.
Historia sjell Zhan-Baptiste Gronuill, një jetim në Francën e shekullit XVIII, i cili ka lindur me një sens të jashtëzakonshëm nuhatjeje, i aftë për të dalluar një gamë të gjerë aromash rreth tij.
Me përkthime në 49 gjuhë dhe më shumë se 20 milionë kopje të shitura në mbarë botën deri më sot, “Parfumi” është një nga romanet gjermanë më të shitur të shekullit të XX. Titulli mbeti në listat e bestsellerëve për rreth 9 vjet dhe mori thuajse njëzëri vlerësim pozitiv nga kritika vendase dhe ndërkombëtare. Ai u përkthye në anglisht nga Xhon E. Uods dhe fitoi çmimin “World Fantasy Award” dhe Çmimin e Përkthimit PEN në vitin 1987. Disa botime të romanit, përfshirë të parin, kanë si kopertinë pikturën e Antuan Uatu, Jupiter dhe Antiope.
Autori i këtij romani u lind në Ambah, në jug të Gjermanisë. Suskind, ka punuar si gazetar dhe ka shkruar për televizionin dhe radion. Monodrama e tij "Kontrabasi" ishte suksesi i parë letrar dhe u pasua nga romani i jashtëzakonshëm "Parfumi".
 
Personazhi
Në lagjet e varfra të Francës së shekullit të XVIII, foshnja Zhan-Baptiste Gronuill lind me një dhuratë të jashtëzakonshme - një shqisë absolute të nuhatjes. Por çështja është se trupi i tij nuk ka fare erë. Mungesa e erës së trupit e kthen atë në një të dëbuar, të mallkuar por dhe të bekuar njëkohësisht. Vetë Gronuill është i përhumbur nga erërat. Ai njeh aromat e gurëve të veçantë madje dhe të llojeve të ujit; ai mund të gjejë edhe parfumin më drithërues nga kilometra larg; mund të ndajë erën më të thjeshtë në elementët e saj të ndryshëm - atë të një qenieje njerëzore.
Ambicia e tij e vetme është të bëhet parfumieri më i madh i të gjitha kohërave. Për të fshehur mungesën e erës së tij, ai kërkon të krijojë një parfum që jo thjesht si një aromë, "por si një qenie njerëzore që lëshon një aromë." Ai jeton për të deshifruar aromat e Parisit dhe praktikohet te një parfumier i shquar, i cili i mëson atij artin e lashtë të përzierjes së vajrave dhe bimëve të çmuara. Por gjenialiteti i Gronuill është i tillë që ai nuk kënaqet të ndalet me kaq dhe bëhet i fiksuar pas kapjes së aromave të gjithkujt objekti. Pastaj ai tërhiqet nga një aromë që do ta shtyjë atë në një kërkim gjithnjë e më të tmerrshëm për të krijuar "parfumin përfundimtar" - aromën e një virgjëreshe, të re e të bukur. Përshkrimet e përvojave të nuhatjes së Gronuill janë të harlisur. Ai nuhat gjithçka, nga era mbytëse e Parisit të mbipopulluar me varrezat e tejmbushura, tregjet e peshkut, lëkurët e përpunuara në fabrikë si dhe aroma e ëmbël të të gjitha luleve. Pastaj ai zhduket në shkretëtirë për shtatë vjet, në një rajon pa erë, ku fuqia e tij personale duket se rritet shumë. Por pas kthimit të tij në qytetërim ai rifillon karrierën e tij fatale. Gronuill mëson si të distilojë parfumet dhe të nxjerrë aromat. Por më vonë ai magjepset kur njeh një vajzë të re flokëkuqe me një aromë të mrekullueshme e të patejkalueshme, një aromë që nuk mund ta shpërfillte. Ai nuk dinte si të reagonte ndaj saj, nuk donte që era të prishej, pasi e kapi dhe e mbyti, duke mos e kuptuar plotësisht se çfarë po ndodhte. Ajo u bë dhe viktima e parë e tij. Ndërsa parimi i aromës së saj urdhëronte gjithë botën e tij të brendshme nuhatëse.
Grenouille është një personazh i çuditshëm. Autori e ka trajtuar atë të margjinalizuar nga ana sociale dhe psikologjike. Ai është çuditshëm si në pamjen fizike ashtu edhe në temperament. I përmbajtur, i shkëputur nga bota që e rrethon e me sa duket pa asnjë ndjenjë të përshtatshmërisë sociale apo ndërgjegjes, ai bëhet gjithnjë e më i fiksuar pas dhuntisë së tij.
Dhe në fund obsesioni i tij arrin lartësinë e kërkuar, pas një serie vrasjesh, ku kërkon të zotërojë aromë vajzash. Kjo përhap frikë dhe tmerr në të gjithë popullatën, që vihen në gjetjen e vrasësit.
 
Filmi
“Parfumi: Historia e një vrasësi” është një film thriller psikologjik i prodhuar në vitin 2006 me regji të Tom Tykvar, i cili shkroi skenarin me Endriu Birkin dhe Bernd Aishinger, bazuar në romanin e Patrik Süskind. Në film luajnë Ben Uinshu, Alen Rikmën, Reiçëll Hërd-Uod dhe Dastin Hofmën. Producenti Aishinger bleu të drejtat e filmit për romanin e Süskind në vitin 2000 dhe filloi të shkruante skenarin së bashku me Birkin. Tykvr u zgjodh si regjisor dhe iu bashkua të dyve në zhvillimin e skenarit në 2003. Xhirimet nisën më 12 korrik 2005 dhe përfunduan më 16 tetor 2005; dhe u zhvilluan në Spanjë, Gjermani dhe Francë. Filmi u realizua me një buxhet prej 50 milionë eurosh ose 60 milionë dollarë, duke e bërë atë një nga filmat më të shtrenjtë gjermanë. Bashkëprodhimi i Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Shteteve të Bashkuara, u publikua më 14 shtator 2006 në Gjermani, nga “Constantin Film”, 26 dhjetor 2006 në Mbretërinë e Bashkuar, nga “Pathé Distribution” dhe 27 dhjetor 2006 në Shtetet e Bashkuara, nga “Paramount Pictures”. Ai fitoi mbi 135 milionë dollarë në mbarë botën, nga të cilat mbi 53 milionë dollarë u arkëtuan vetëm në Gjermani.

No comments:

Post a Comment