Friday, February 16, 2024

Kur Shqipëria tronditet nga vizitat e amerikanëve


Nga 
Leonard Veizi
 
-Për dy kasnecë të Mbretit Blu u trondit mbretëria, - do të shkruante në dramën e tij Fadil Kraja, që teatri “Migjeni” i Shkodrës e ngjiti në skenë nën titullin “Gjaku i arbërit”.
Sot do t’i jepja një kuptim satirik kësaj shprehjeje. Sepse vetëm humor mund të sjellë përdorimi në kushtet e sotme një shprehje që ka qenë ideuar si fort dramatike 40 vjet më parë. Dhe kjo metamorfozë ndodhi sepse në datën 15 shkurt të vitit 2024, Shqipërinë e vizitoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken.
Birinxhi.
Por mbretëria shqiptare tronditet sa herë vjen ndonjë personalitet amerikan.
Epo...
Ne si shqiptarë jemi fort të dhënë emocionalisht. Dimë ta presim mikun, sipas zakonit. Ia bëjmë të gjitha terbjetet. Dhe për mikun dimë të qesim pushkë.
Por për t’i bërë nderet deri në fund një personaliteti si Blinken, ishim gati të digjnim dhe jorganin. Ndaj dhe për t’i siguruar partnerët strategjikë përtej oqeanit që vazhdojmë të jemi vendi më proamerikan në Evropë, tek godina e Korpusit të Politeknikut, - të cilën italianët e ndërtuan si Pallatin e Fashos,-  vendosëm një poster madhështor me mbishkrimin “Welcome Mr. Blinken” që në shqip, shkurt e saktë do të thotë: “O mirë se na erdhët”!
33 vite më parë i pari Sekretar Shteti që erdhi në Shqipëri ishte Xhejms Bejker. E kështu me radhë dhe katër të tjerë pas tij, për të mbërritur tek i gjashti. Gjithmonë janë marrë masa dragoniane në favor të qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve. Sepse, në fund të fundit me amerikanët nuk bëhet shaka.
Të bëjnë hatanë ata..
Tani kjo shprehje është një legjendë urbane, se sado të rëndësishëm të jemi ne si vend, sërish 28 mijë kilometra katrorë truall kemi mbetur, ku jetojnë nja dy milion vendalinj. Pra as ngremë e as ulim kandar.
Gjithsesi ne e bëjmë tonën.
Që në krye të herës, përveç axhendës së ngjeshur të Sekretarit Amerikan, Policia e Shtetit na bëri me dije dhe një plan masash. Për sigurinë e zotit Blinken u paralizua jeta e Kryeqytetit. Për orë të tëra, akset më kryesore ishin të paaksesueshme. Policia na bëri me dije plot krenari se ata që kanë punë në Rinas, t’i bien nga Kina,... domethënë: “Unaza lindore - Farmacia 10 - Stacioni i Trenit - Bulevardi i Ri – Paskuqan - Kamëz – Valias - Aeroporti i Rinasit, dhe kthimi në të njëjtin itenerar”. Domethënë jo nga Kina, por nga... Kina.
-Telefon nga qendra e tokës... Zhyl Verni.
-Nga Valiasi?
-Epo Valiasi nuk është postë që pret.
Demek Valiasi, është jashtë pritshmërive tona. Që do të thotë, që veshin e djathtë duhet me e kap me dorën e majtë.
Hajd me shëndet!
Deri dje na u tha se ky aeroport po bën namin me zbarkim turistësh. Tani na u dashka që turistët të presin në diell sa të lirohen rrugët e Tiranës, dhe avioni i Blinkenit të ngrihet në qiell aq sa të mos duket me sy. Të paktën shyqyr që kemi diell e turistët mund të ngrohen pa para aty te lulishtja ku i presin taksitë.
Një pikë tjetër e fortë e masave të Policisë së Shtetit ishte dhe ajo që kishte të bënte me urgjencat spitalore. Këtu duket se Policia e kishte shkrirë talentin kur na udhëzonte: “Për emergjencat mjekësore që mund të afektohen në oraret e bllokimet, të ndiqen rrugët dytësore dhe të tjera, në drejtim të spitaleve përkatëse, të ndryshme nga ato që do të përshkohen nga delegacioni amerikan.
Do ishte më mirë që policia në këtë pikë të kishte marrë masa më të nevojshme dhe të drejtpërdrejta si p.sh: Në qoftë se je keq me shëndetin vëlla, më mirë vdis se kemi halle më të mëdha”. Dhe i vë vulën muhabetit.
Ore tjetrit i duhet thënë troç. Ç’i bie rrotull muhabetit?
Tirana u paralizua ditën e 15 shkurtit. Por të paktën nuk u lanë shkollat pushim. Se dhe nxënësit kishin ngritur veshët, se meqenëse nuk e bënë pushim  datën 14 të shkurtit, që përkon me ditën e të dashuruarve, menduan se do bënin datën 15.
-E bëjmë Vitin e Ri dhe me një ditë vonesë, - i thosh Ganiu, fillrojtësit Ded që kish mbetur i ngrirë në majë të shtyllës, pikërisht në natën e ndërrimit të viteve.
Se ç’rëndësi në janë të aksesushme rrugët në Pukë dhe Rrëshen, në Ersekë dhe Leskovik kur qeveria me ndihmën e Policisë bllokon qendrën më të madhe të lëvizjes së Shqiptarëve, Tiranën.
E në këtë kakofoni gjërash do doja të jepja një këshillë. Një ide..., merre si ta marrësh: Shqipëria është një vend ku nuk mungojnë investimet. Sidomos në beton. E çfarë të keqe ka që të bëhet një platformë betoni për helikopterë, me gërmën “H” të lyer me bojë vaji, qoftë mbi çatinë e Presidencës, në atë të Këshillit të Ministrave, apo tek selia e... Komitetit Qendror. Përse duhet paralizuar jeta e kryeqendrës së shqiptarëve, kur një personalitet që zbret nga avioni, e ngjit në helikopter dhe për 3-4 minuta e sjell në qendër të Tiranës. Se vizita personalitetesh të rëndësishme këtu te ne, ka pasur në të kaluarën e do të ketë dhe në të ardhmen. Vërtet tavarish Nikitën nuk e ngritëm me helikopter MI-4 dhe shokun Çu e morëm me limuzinë të hapur, por kohë të vjetra ato. Sot jemi në epokën e teknologjisë së lartë. E ta detyrosh Blinkenin të bëjë xhiro nëpër rrugët rurale të Shqipërisë, nuk na nderon më.
E di që shumëkush do të thotë: "Mbaj vendin tat e mos jep shumë mend! Qeveria i di vet punët e veta”! Ashtu është, na vret Zoti. Pastaj Qeveria edhe lepurin e kap me qerre.
Po fundja një ide ishte, që në të ardhmen të mos na prishet dyzeni ne shqiptarëve të shkretë që jemi mësuar në kaosin e trafikut plot gaz e pluhur, e na duket Tirana si jetime kur e shohim pa makina.
 

No comments:

Post a Comment