Tuesday, February 20, 2024

Gjergj Vlashi/ Shuhet fisniku i Durrësit

 Në intervistën e tij të dhënë para se të mbushte 90 vjeç, dhe i pyetur se çfarë do të bënte pasi kjo datë të kishte kaluar, ai do të përgjigjej thjeshtë dhe pa ekuivoke: “Asgjë të veçantë. Do të vijoj jetën e zakonshme që më ka caktuar Ai atje lart! 

Nga 
Leonard Veizi
 
Ata që e njihnin mirë thoshin se ai është “babai i humorit”. Padyshim ky vlerësim urban mund të mos gjejë një alternativë të dytë, përderisa trupa e estradës ku ai ishte themelues qe pararojë, qoftë në prodhimtarinë e humorit qytetar po ashtu dhe për cilësinë e përcjelljes së tij. Dhe kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Por ai njihet gjithashtu dhe si një letrar me kuota të latra lexueshmërie.
Autori i dhjetra tregimeve si dhe i 16 romaneve do të renditej ndër shkrimtarët më në zë të epokës së re. Ndërkohë, në karrierën tij të gjatë si regjisor trupe, numërohet të ketë ngjitur në skenë të paktën 100 shfaqje të ndryshme. Dhe nuk duhet më shumë se kaq, për ta fituar termin urban “i madh”, sepse në terminologjinë zyrtare artistike ky term është i rrëzuar me kohë.
Sepse sipas kritikës nuk ka shkrimtarë të mëdhenj, por ka vetëm shkrimtarë, ashtu siç nuk ka as regjisorë të mëdhenj, por vetëm regjisorë. Sepse në tentativën e mundimshme për të qenë diçka në jetë, je ose nuk je i tillë, ndaj prapashtesa nuk merr vlerë…
 
…Në intervistën e tij të dhënë para se të mbushte 90 vjeç, dhe i pyetur se çfarë do të bënte pasi kjo datë të kishte kaluar, ai do të përgjigjej thjeshtë dhe pa ekuivoke: “Asgjë të veçantë. Do të vijoj jetën e zakonshme që më ka caktuar Ai atje lart!”
Dhe firma e Zotit vlejti deri në 4 tetor 2020. Prej 80 ditësh e kishte kaluar 92 vjetorin, ndërsa në 5 tetor nuk do të mund të përgjigjet më në apel.
“Gjergji i madh i Durrësit”, do ta vlerësonte ekipi i Teatrit “Aleksandër Moisiu,” në njoftimin e rastit për humbjen e regjisorit.
Me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës” Gjergj Vlashi mbetet ikonë e qytetit të lashtë bregdetar, me portin e madh dhe Kullën Veneciane. Sepse Gjergj Vlashi ishte një nga personazhet me karizmatike të jetës kulturore të qytetit, krijues me shumë kontribute!
Prej vitesh ai jetonte mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Spanjës dhe Durrësit, atje ku kishte pjesë të familjes. Udhëtonte shpesh e nuk lodhej dhe kjo padyshim i ka dhënë dimensione të reja krijimtarisë së tij. Një ritëm i tillë gjithashtu e bëri që gjatë gjithë kohës të ishte duke krijuar diçka të re. Sepse s’mund të bënte dot ndryshe.
 
Nisja
Gjergj Vlashi u lind në Durrës më 13 korrik të vitit 1928. Në jetëshkrimin zyrtar të tij thuhet se shkollën fillore dhe të mesme e kreu në qytetin e lindjes. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje si “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë”, etj. Pas shërbimit ushtarak punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës.
Njihet si themelues i Varietesë dhe regjisor i Estradës së këtij qyteti. Në vitin 1960, së bashku me aktorët Spiro Strati, Ramazan Njala, Enver Likmeta, Aishe Stari e të tjerë krijoi Teatrin e Estradës profesioniste të qytetit të Durrësit. Për 30 vjet me këtë trupë ai krijoi humor dhe një galeri tipash e prototipash, që ende vazhdojnë të ekzistojnë si personazhe me batutat e tyre. Detyrën e regjisorit të trupës e mbajti deri në vitin 1990, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit, etj.
 
Regjisori i skenës
Në jetëshkrimin e tij thuhet gjithashtu se ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para. Me dhjetëra shfaqje të trupës së estradës së Durrësit mbajnë vulën e tij. Aktorë si Ramazan Njala, Enver Likmeta, Fadil Hasa, Spiro Strati, Aishe Stari, Lumturi Dashi etj rritën performancën e tyre artistike nën drejtimin e regjisorit Vlashi.
Por ai është dhe autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin. Ndaj nuk mund të thgemi se ishte thjesht një regjisor i mirë, por dhe një studjues i skenës.
 
Krijimtaria letrare
Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes. Ndërsa ka botuar më shumë se 45 vepra jo vetëm tregime, novela e romane, por dhe komedi si dhe një sërë përkthimesh. Librat e tij tanimë gjenden të botuara jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, madje dhe në Itali.
Njohës i disa gjuhëve të huaja Gjergj Vlashi ka sjellë në gjuhën shqipe një varg botimesh me përkthime nga autorë të njohur si Franz Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe hispanoamerikanë të shekullit XX, etj. Madje ai njihet si përkthyes i parë i Kafkës, me librat “Metamorfoza” dhe “Proçesi”.
Në kujtimet e tij ai thotë se për shkak të udhëtimeve që ka bërë në kontinentin tonë e përtej oqeanit, ka pasur fatin të takojë kolosët e letërsisë botërore: Hose Saramago, Paulo Coelho e Hose Camilo Sela.
 
Ikja
“Iku Fisniku i Kulturës Shqiptare!”, do të shprehej regjisori Mevlan Shanaj në një shënim të tijin. “I paharrueshem Gjergj Vlashi! Do të kujtohet me veprat dhe punën e tij!”, do të shtonte Zamira Kita. E pak më tutje Arben Derhemi shkruante: “Vërtetë një njeri me vlera të mëdha artistike por mbi të gjitha, qeshja dhe fisnikeria e tij do t’i mungojë komunitetit tonë”. E ndërkaq, Aksinja Xhoja, vajza e aktorit Nikolin Xhoja shkruan: “Durrësi dhe Shqiperia humbën një kolos të Kulturës”. E bashkë me ta do të bashkoheshin në ngushëllimet për artistin e madh dhe Robert Radoja, Suela Konjari, Namik Dokle, Violeta Banushi, Ben Apolloni, Alfred Trebicka, Shegushe Bebeti, Ermir Nika, etj.

No comments:

Post a Comment