Thursday, December 27, 2018

Kur ulesh në tepsinë e qeverisë dhe trazon mbi kazanin mediatik


Nga Leonard Veizi

Dashamirësit e tij thonë se ai është orator i lindur dhe ku nuk i shkon mendja për të nxjerrë një batutë të re, të padëgjuar e fort të qëlluar. Kundërshtarët gjithashtu e aprovojnë pa zë një gjë të tillë. Përjashtohen vetëm asnjanësit, ose ata që abstenojnë. Por ne jemi popull politik dhe nuk lëmë rast pa e dhënë një mendim, jo vetëm për kreun e shtëpisë tonë, por dhe për burrat e botës. Si përfundim mund të themi me gojën plot se ai është alamet djali, ose më saktë është nga ata çuna që di të të mbajë me muhabet, sa mund të shtysh rehat një natë të gjatë dimri me gallatë.
Në hulumtimet e herëpashershme brenda fjalorëve të gjuhës shqipe te këta të rinjtë me nga 40 mijë fjalë dhe ata të vjetrit me më pak se kaq, gjetja e tij e radhës ishte fjala “kazan”.
Eureka!
Përdoret rëndom kjo fjalë kur flitet për kazanin me groshë të ushtarëve apo kazanët që zienin të linjtat e pista. Por kryeministri ynë e përdor me marifet këtë fjalë, por më së shumti tullë fare, edhe për të simbolizuar gjithçka ka të bëjë me median, gazetarët, redaksitë e punën e tyre që ose transmetohet në letër ose në ekranet e televizorëve: pra sipas tij kemi të bëjmë me një “kazan mediatik”.
Edhe qëndron. Duhen bërë analiza për këtë çështje. Por analistët i kemi lënë në panel të merren me probleme pak më të rëndësishme se kjo.
“Kazan mediatik”
Tani ç'është e vërteta, fjalën “kazan” mund ta marrësh dhe për fyerje. Fjala vjen, ata që kanë qejf alkoolin ndihen akoma më të fyer, sepse ballin e kazanit të rakisë e duan për konsum me opingë. Ndërsa kryeministri e fut në hulli të tjera, ua deformon.
Kur kjo batutë u hodh fillimisht, ç’është e vërteta u mor ca me sportivitet, pak me humor, dhe jo në pak raste duke i dhënë të drejtë “atij të gjatit”. Se duhet gjetur gjithmonë një tabelë për qitje, ndryshe nuk dihet nga të shkojnë fishekët. Media i ka fajet. Ore, troç fare, gazetarët, se ata gënjejnë mëngjes, drekë, darkë. Ose meqë ra fjala: Çfarë bëjmë ne mëngjes, drekë, darkë...?
Do kalojë dhe kjo, menduam. Dhe hapëm veshët për të dëgjuar batutën që do të mund ta varroste çështjen e kazanit.
Por jo... kryeministri e bëri ca si të rrugës. “Kazan” këtu e “kazan atje”. S’kishte të ndaluar çështja mbi kazanin, nuk shteronte për qamet. Jep e merr e “kazani mediatik” në mes. Refren gati i përditshëm. “Kazani mediatik”, ai e ka fajin për dështimet në qeveri, për protestën e studentëve, për rrëmujat e Astirit, për dokumentet e Unazës së Re, madje dhe për Vettingun.  
Kryeministri është duke i ra fort “kazanit”, me shpresën e pashuar që do të ndihet o nga “tepsia” o nga “tenxherja”. Se në inventarin e enëve të kuzhinës ka dhe disa instrumente të tjerë që ende nuk na kanë dalë në skenë.
Po pse e ka kapur kryeministri me institucionin mediatik?
Ca e ca thonë që Rama është pikërisht produkt “kazani”, pra produkt mediatik. Ka shkruar dikur komente e fejtone, dhe thonë se reçensat i bënte mirë. Po diku iu fut politikës dhe pasioni i mbeti në mes i pashprehur.
Tanimë është kryeministër. Ka në dorë buxhetin e shtetit. Por kjo është një gjë e pavlerë. Tek e fundit, ekonomia nuk është pasioni i tij.
Çështja qëndron tek ata të lajmeve. Dhe zakonisht lufta brenda llojit është ajo që e ka marrë në qafë njerëzimin.
Rama Kryeministër, edhe pse i pari i fshatit, duket se vazhdon ta shikojë me zili kazanin dhe punëtorët që trazojnë dynjanë, ata që sipas tij e mbushin kazanin rrafsh ose me fasule pllaqi, ose me ndërresa të pëgëra.
E me sa duket edhe pse ka më shumë se 5 vite në krye të qeverisë, në fund të fundit Rama ende nuk po e ndan dot veten si njeri politik, nga punëtori mediatik. 
Vite më parë, kur u përplas me Nanon, thërriti gazetarët që në atë kohë ende nuk ishin bërë pjesë e setit të kuzhinës, dhe u tha atyre se Tosi ishte bërë si Robert Çamçakizi që vinte vërdallë nëpër kantier pa zënë punë me dorë. Dhe media e papërtuar e transmetoi batutën e tij të radhës, që këtë herë çuditërisht nuk ishte më për Doktorin por për Profesorin, shefin e Partisë ku Rama ende nuk aderonte.
Sot Rama thërret mediat për të shpërndarë batutat e tij, dhe si gjithmonë në fund u kujton se edhe pse punëtorë të devotshëm, sërish mbeten pjesë e sistemit të “kazanit”.
Mjerë gazetarët.
Se gazetarët u dashkan kur do të hedhësh romuze, kur kërkon t’i biesh defit te orkestra filarmonike, kur do t’ia marrësh në kthesë propagandistit më të mirë të fshatit e të dukesh burrë i zgjuar. Se mund të flasësh edhe me veten, apo para pasqyrës, por s’të dëgjon kush. Ndaj duhet kazani, që të përçojë “fjalën dhe mendimin e lirë”. Pra “kazani” mund të përdoret edhe si portovoç kur ta do puna.  Po përsëri “kazan” mbetet.
Lëmsh muhabeti.
Pakënaqësi e madhe ndaj pushtetit të katërt.
Se pushtetet janë pushtete, por kur je në fund të rreshtit mund të dalësh dhe tepër... Sidomos kur i bën bllok demagogjisë.
Atëherë fillon avazi.
E si padashur kryeministri bën dhe kryeredaktorin, duke orientuar se ku është lajmi dhe çfarë është e vlefshme për t’u transmetuar.
Habi e madhe.
Ky të jep dhe mend...
Por sikur t’i japim dhe ne një këshillë. Them “ne” duke konsideruar se kam dhe ca të tjerë pas vetes që mendojnë tëpkë si unë...
Rama bën mirë të lejë “kazanin” mediatik të bëjë punën, ndërsa ai vetë të merret me tepsinë e qeverisë, të kësaj të resë dhe të asaj të vjetrës që i preu triskat, se me sa duket lugët nuk kanë më vlerë, dhe po përdoren duart për të marrë ç’të munden. Këtë nuk e them unë, e thotë “kazani”. E thonë dhe kazanët e tjerë, me të cilët na ndan kufiri, domethënë “kazanët ndërkombëtarë”.
Dhe pasi ta këtë përfunduar me nder ciklin si administrator i shtetit, ish-kryeministri, mund të aplikojë për një vend pune si kryeredaktor, a drejtor nëse e mban më lart pazarin, e të shprehi deri në fund pasionin e tij të pashteruar në artin e të shkruarit.

Botuar në:
http://www.gazetadita.al/kur-ulesh-ne-tepsine-e-qeverise-dhe-trazon-mbi-kazanin-mediatik/



No comments:

Post a Comment