Monday, May 30, 2022

Enea Zheku, rebeli i përjetshëm që iu bind veç vdekjes


Nga Leonard Veizi
 
Duheshin edhe 41 ditë të tjera që të mbushte 58 vjeç. Sepse kishte lindur 9 korrikun e vitit 1964. Por u nda nga jeta mëngjesin e 29 majit të vitit 2022...
 
...Ishte i pabindur e rebel. Ishte kokëkrisur dhe i pakompromis. Ata që ia njihnin huqet, e dinin se ishte problematik. Kjo krenari e pakufizuar do ta penalizionte aktorin potencial. Dhe kjo u bë shkak të përjashtohej nga shkolla e mesme, por gjithsesi ta vazhdonte atë e të diplomohej me vështirësi. Por edhe studimet e larta do t’i ndërpriste për të mos i vazhduar dot më. E vite më pas do të shprehej se nga pengjet e tij më të mëdha ishte fakti që nuk u diplomua dot në Institutin e Lartë të Arteve, dega aktrim.
Por ai qe lindur si aktor. Dhe në një shumicë rastesh të pabesueshme, aktorëve nuk u duhet një diplomë për aktrim. Ashtu si dhe një këngëtari nuk ka pse i duhet një diplomë për të kënduar, nëse është i lindur si i tillë.
Ndaj në rrugën e karrierës së tij të shkurtër ai do t’u jepte jetë disa personazheve shumë interesantë. Ishte Lelo, Çomja e Zigur Gruda, por mbi të gjithë ishte Tomka. Ky emër i dytë do ta “përndiqte”, do të ishte nofka e tij me të cilin do të personifikohej aq shpesh. Sepse për shumëkënd që nuk kishin marrëdhënie me të por thjesht e ndeshnin në rrugë a kafe, në mendje më shpejt se emri Enea i certifikatës së Gjendjes Civile, vinte ai i Tomkës, që tek e fundit ishte dhe komandanti i një çete fëmijësh në një qytet të jugut të Shqipërisë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Aktor potencial, që nga mosha 12 vjeç kur në kastin e aktorëve të vegjël e rekrutoi një mjeshtër zanati siç ishte Dhimitër Anagnosti për t’i dhënë rolin e Lelos tek filmi “Lulëkuqe mbi mure”, prodhim i Kinostudios së vitit 1976.
- Për shpirt të nënës vetëm unë e kam lëpirë... Për shpirt të nënës ai është spiun.
Këto ishin dhe batutat lapidar të këtij filmi për të vazhduar më pas:
– Luixhi, Luixhi, po sot i hëngre nja dy të mira.
-Apo s’kishte një dorë të rëndë ai surrat patatja. Mos u mërzit se do ta gjejë edhe ai.
Një vit më pas fizionomia dhe talenti i aktorit të vogël me një rol dytësor, nuk do t’i shpëtonte syrit të një tjetër mjeshtri të regjisurës siç ishte Viktor Gjika, i cili në vitin 1977 tek filmi “Njeriu me top” i besoi rolin e Zigurit, djalit të Mato Grudës, që ishte një rol përkrah të famshmit Timo Flloko.
-Baba, thuaj italianit të më bëjë një pushkë.
-Ç'e do, apo të vrasësh gala?
-Galat vraji ti me top. Unë e dua për gjermanin...
Po në vitin 1977 regjisorja e mirënjohur Xhanfize Keko e cila kishte marrë përsipër të xhironte filmin “Tomka dhe shokët e tij” e përzgjodhi në rolin kryesor, atë të Tomkës. Ky rol do t’i jepte Enea Zhekut famën maksimale si një fëmijë aktor. Dhe nuk ishte më shumë se 13 vjeç.
Por duket se fama shpeshherë ndikon negativisht tek një fëmijë ende i paformuar. Dhe Enea padyshim, hynte tek rastet ku ai vetë do të ishte pengu i famës së tij.
Pas një heshtjeje 9-vjeçare, regjisori po aq i mirënjohur i Kinostudios, Gëzim Erebara, e ofron në kastin e aktorëve pjesëmarrës në filmin “Një jetë më shumë”. Në rolin e Çomes, Enea Zheku do të na jepte një version tjetër të një personazhi që ngjasonte sa me Gavroshin e Hygoit aq me personazhet e Dikensit tek Oliver Tuist. Por në rastin më të mirë, Enea Zheku do të luante vetveten. Një njeri bohem që vërtitej rrugëve të kryeqytetit i cili sapo kishte dalë nga lufta.
Karrierën si aktor do ta mbyllte në rolin e Pilos tek filmi "Milenium" i regjisorit Besnik Bisha, një realizim i vitit 2014. Emigrant në Greqi e Itali, Enea Zheku do të kthehej në Tiranë si një sipërmarrës tashmë, por shumë më larg filmit dhe jetës skenike. Ndërsa regjisori Bisha me largpamësinë e tij do t’i ofronte një rol të rëndësishëm, pa kinoprovë, duke e vënë në krah të madhit Ndriçim Xhepa.
Askush nuk e mendonte se ky do të ishte dhe roli i fundit i Enea Zhekut. Ishin 28 vite në mes midis dy roleve të tij. Nga Çomja tek Piloja. Dhe të gjithë këtë boshllëk Enea Zheku do ta kalonte me sukses të plotë, duke na dhënë një personazh mbresëlënës siç ishte Piloja, njeriu që e fshehu hakmarrjen e tij për shumë vite, por që në fund shpërtheu me gjithë egërsinë e mbledhur në kohë.
Dhe kishte nga ata që mezi prisnin ta shihnin sërish në pelikulën e filmit. Por jo... Tanimë Enea Zheku është i larguar edhe prej jetës tokësore. Dhe ndoshta vetëm pas këtij çasti të trishtë, ai më shumë se sa si Tomka, këtej e tutje do të kujtohet si Enea.

No comments:

Post a Comment