Wednesday, May 20, 2020

Muntaz Dhrami, skulptori që përjetëson në bronz heronjtë e vendit


Muntaz Dhrami: Ju rrëfej Sali Vranishtin, luftëtarin dinamik që do të derdhim në bronz

Nga Leonard Veizi

Sinergjia që përcjell përmes shputash, gishtash dhe mollëzave fort të ndjeshme, ngjesh baltën e pajetë që edhe pse jo e njëtrajtshme, herë amorfe e herë kokëfortë, gjithsesi shkon atje ku ai për së fundi i jep rifiniturën plot delikatesë. Është një sforco të ethshme që shkon deri në stërmundim e që sërish kthehet pas për të ridhënë të njëjtën energji...

...Luftëtari ka marrë jetë. Hipur mbi një shkëmb me mauzer në dorë, kobure në brez, vezmet me fishekë mbi gjoks, mustaqe e mjekër të dendur e flokët e paprerë që gati i bien mbi supe, ai është gati për aksion. “Për mëmëdhenë” mund të jetë një thirrje poetike, por Muntaz Dhrami kërkon që ajo të duket e dalë nga goja e bronztë e një luftëtari të madh e me vështrim burrëror, Sali Vranishtit. Prej gati 8 muajsh Dhrami po punon me këtë projekt, i cili tashmë është tre metra i lartë, ende i pavendosur mbi bazament. Për gazetën “Fjala” ai thotë:

Si u motivuat për të realizuar monumentin e Sali Vranishtit?
Këtë vit është 100-vjetori i Luftës së Vlorës dhe, në këtë kuadër, pas një propozimi të shoqatës “Labëria”, u mendua të ngrihet monumenti i Sali Vranishtit, Muratit, një nga luftëtarët e shquar të kësaj lufte. Ai ka luftuar kundër serbëve, grekëve, ka qenë shok me Çerçiz Topullin dhe të gjithë luftëtarët e e tjetër të Rilindjes. Ishte një luftëtar i shquar për Pavarësinë. Ka mbetur vetëm një fotografi e tij nga vitet e luftës, mbi të cilën jam bazuar. Më vonë ai u inkuadrua në mbrojtje të qeverisë së Vlorës dhe, me propozimin e Ismail Qemalit, u vu në krye të Forcave të Armatosura për të mbrojtur Pavarësinë.

Nga ana artistike, a u jep dorë një figurë e tillë?
Është një figurë historike, e bukur, që të jep dorë për t’u trajtuar. Kjo është në vazhdën e krijimtarisë sime të monumentit të Drashovicës, vazhdimi i monumentit të Pavarësisë në të cilin jam pjesëmarrës. Por nga zhvillimet e ngjarjeve, trupëzimi i kësaj figure duket se do t’i bëjë mirë qytetit të Vlorës, krahas figurave të tjera që mund të ngrihen në monumente për atë ngjarje aq të madhe. Unë kam punuar gati 7-8 muaj me këtë figurë. Kanë ardhur shokët e mi dhe e kanë parë. Kanë bërë vërejtje. Vazhdoj të jem në proces. Puna do të derdhet në allçi, pastaj në bronz dhe do të vendosim se ku do të bëhet bazamenti i tij në Vlorë, pasi ende nuk e kemi piketuar vendin. Janë disa propozime, por do ta shikojmë më vonë këtë punë.

Cilat kanë qenë detajet ku jeni specifikuar më shumë në këtë vepër?
Kryesorja në këtë vepër është ana dinamike e kompozimit. Unë e kam si kriter këtë që skulpturat duhet të kenë siluetë të fuqishme. Edhe këtu Saliu është në çastin e fillimit të një beteje. Çasti kur ai thërret bashkëluftëtarët e tij që t’i bashkohen. Madje, në kondakun e pushkës unë kam gdhendur një shqiponjë dhe fjalët “Për mëmëdhenë”, idealet për të cilat ata luftuan. Shumë ekspresiv është portreti i Saliut. Kemi një bust të realizuar nga Besim Tabaku që është bërë nga ish-studenti im dhe ndodhet në Vranisht. Por është vetëm bust. Ndërsa këtu figura zhvillohet më tepër, duke marrë parasysh që e kemi një figurë komplete në dinamizmin e ngjarjeve dhe në dinamizmin e lëvizjes së atyre viteve.


Vitet e fundit, sidomos në skulpturë, vihet re një tendencë modernizmi kur hiqet dorë pak a shumë nga karakteri dhe dinamizmi, dhe vishet heroi me elemente të tjera spektakolare…
Unë mendoj që në figurat konkrete nuk duhen bërë eksperimente. Çastet për të shprehur lëvizjen e formave, për të shprehur vëllimet abstrakte për t’i dhënë një lloj ekspresiviteti skulpturës, ato mund të jenë eksperimente që mund t’i bëjë çdo artist. Edhe unë kam bërë nga këto gjëra. Por kur vjen puna në trajtimin e figurave konkrete, njerëzit duhet të shohin kush është Saliu, kush është Ismail Qemali. Domethënë, individualizimi i figurës nuk mund të trajtohet me forma abstrakte. Eksperimente me figura konkrete nuk bëhen. Edhe në botë, kur ka ardhur puna për të bërë Uashingtonin apo Pompidunë, është punuar me realizëm, pasi janë figura konkrete. Pjesa tjetër janë interpretime që mund të bëjnë artistët. Pastaj varet se sa e gjejnë vendin këto trajtime në mjediset social-kulturore. Një monument që vendoset në një shesh duhet të krijojë emocione të caktuara, në mënyrë që të bëhet pjesë emocionante e të gjithë spektatorëve që do ta shohin atë. Në qoftë se një spektator shikon ca forma të përçudnuara në monument, ai nuk e gjen figurën që kërkon. Në një rast të tillë ne duhet t’u shkojmë në takim emocioneve dhe atyre ndjenjave që ka spektatori, që ka populli për këtë figurë. Domethënë, këto figura duhen trajtuar në forma realiste. Ekspresioni i formave mund të jetë i ndryshëm; trajtimi i palave, i portretit, mund të jetë ekspresiv, mund të jetë  jo natyralist, jo skolaresk, jo akademik. Në këtë drejtim varet pastaj nga mjeshtëria e artistit se sa është i zoti që të trupëzojë në forma ekspresive një portret të caktuar të një njeriu.

Puna juaj përshkohet fund e krye nga dinamizmi. Është ky dinamizëm ajo çka zbërthen skulpturën?
Ajo zbërthen figurën, se ai nuk ka qenë një njeri i ngurosur në forma akademike, në pozicione statike. Ka qenë njeriu i betejave, njeriu i luftës, dhe si i tillë ai nuk mund të trajtohet në forma të ngurta. Unë jam munduar që figura të ketë një lloj siluete ekspresive nga të gjitha anët. Mendoj që interpretimet e figurave konkrete mund të jenë të ndryshme. Unë e kam trajtuar në këtë formë, një tjetër mundet ndryshe. Edhe unë brenda këtij kompozimi mund të gjeja një kompozim tjetër. Unë e gjeta një tjetër, më të natyrshme, vendosjen në një shkrep mali të kësaj figure, i gatshëm për t’u hedhur në beteja kundër atyre që cenuan pavarësinë e Shqipërisë.

Botuar në FJALA
https://fjala.al/2020/05/20/ju-rrefej-sali-vranishtin-luftetarin-dinamik-qe-do-te-derdhim-ne-bronz/

No comments:

Post a Comment