Sakrifica dhe mrekullia në vendin e Muhamedit.
Rrëfimi i Kadri Tresës: Si shkuam për haxhillëk në Mekë. Vizita te varri i
Muhamedit (alejhim selam). Organizmi i përsosur për miliona pelegrinë nga
gjithë bota. Ja ritet fetare për të cilat sakrifikohej.
nga
Leonard Veizi
Teksa
avioni ulej në pistën pambarim të Xhidas, pelegrinët shqiptarë besuan se më në
fund, ëndrra e tyre e kahershme u bë realitet. Gjithçka përreth ishte e
magjishme. Jo shumë larg prej portës hyrëse të shtetit arab, vinte parajsa e
tokës, vendi i shenjtë për myslimanet e kësaj bote, dhe jo vetëm për ta…
…Pasditen
e 28 marsit ‘98 kontingjenti prej 300 pelegrinësh shqiptarë, të ndarë në dy
avionë, u nisën në udhëtimin dyorësh për në Arabinë Saudite ku do të qëndronin
të paktën 15 ditë. Niste haxhillëku. Kadri Tresa, njëri prej pelegrinëve
shqiptar të atij kontingjenti, 19 vite më pas sjell me ngjyra të gjalla për
lexuesit, ditët e jashtëzakonshme të një veprimtarie, të cilët jo shumë njerëz
kanë shansin ta shijojnë, dhe kur mundësia më e madhe është ta kesh vetëm një herë
në jetë. Besimtar i thjeshtë, por me titull “Haxhi” ai kujton nga ajo ditë se,
sapo avioni u ngrit nga pista e Rinasit, myslimanët shqiptarë, të cilët ishin
nisur për haxh, filluan të këndonin njëzëri sure për haxhillëkun. Të gjitha
gratë, që në Rinas kishin vënë nga një shami në kokë. Ndërsa kur u njoftuan se
avioni po hynte në territorin ajror të Arabisë Saudite, meshkujt zhveshën
rrobat e trupit për t’u pajisur me ihramin, një veshje e paqepur, tip peshqir,
me të cilën mbulohej trupi duke lënë jashtë vetëm shpatullën e djathtë.
Si ishte
kontakti i parë me Arabinë Saudite?
U
mahnitëm kur pamë aeroportin gjigant të Xhidas, i cili është i dytë në botë për
nga madhësia, pas atij amerikan, “Xhon Kenedi”. Në aeroport na u bë një
kontroll i imët, ku masat merreshin si për ndalimin e lëndëve narkotike ashtu
dhe për hyrjen e mundshme të terroristëve. Në fund firmosëm një letër ku thuhej
se për sa kohë do të qëndronin më Arabinë Saudite do t’u përshtateshim ligjeve të
vendit. Pasaportat tona i mbajti drejtuesi i grupit.
Mund
të them pa frikë se kishim të bënim me një organizim të përsosur. Atë vit morën
pjesë në haxh më shumë se 2 milionë pelegrinë. Sapo zbritëm në Xhida zuri një
shi. Ata që punonin në aeroport na u drejtuan: “Ju shqiptarët erdhët me këmbë
të mbarë, pasi kishte më shumë se dy vjet që s’binte shi te ne”. Teksa po
prisnim autobusët që do të na çonin drejt Mekës, bëmë faljen e radhës, Namazin,
që ishte e para që kryem në Arabinë Saudite. Gjatë kësaj kohe avionë të tjerë
zbrisnin në aeroport, duke sjellë pambarim pelegrinë nga e gjithë bota; nga
Amerika, Kanadaja, Australia etj. Pastaj na vendosën nga një shirit, ku ishte
shkruar shtetësia jonë dhe hoteli ku do strehoheshim. Kjo kishte efekt për ata
persona që mund të humbnin rrugën. Po t’i drejtoheshe policisë, të gjenin
menjëherë dhe të bashkonin me grupin. Rastet të tilla ndodhnin plot. Madje unë
vetë u ngatërrova dhe humba grupin tim, por e gjeta shpejt. Pjesë e organizimit
ishte dhe vaksinimi që na bënë në aeroport e që vlente për të na mbrojtur nga
temperaturat e larta.
Çfarë
temperaturash kishte në Arabi gjatë asaj kohe?
Në
Arabi Saudite u përballëm me një temperaturë të larë, me të cilën nuk ishim
mësuar. Gjatë ditës kjo temperaturë arrinte në 42 gradë, ndërsa natën zbriste
në 39 gradë. Fillimisht mezi merrnin frymë. U desh dy-tri ditë që të
ambientoheshim disi. Shumë nga pelegrinët shqiptarë u sëmurën. Megjithatë ishte
organizuar që, nga një hotel me kondicionerë, të hipnim në një autobus me ajër
të kondicionuar. Në këtë mënyrë udhëtimi bëhej më i lehtë.
Cili ishte riti
fetar për të cilën sakrifikuat?
Në
mesnatë arritëm në një hotel mjaft komod. Si pushuam pak u nisëm për në xhaminë
madhështore të Mekës. Fillimisht bëmë shtatë rrotullime mes dy shkëmbinjve të
mëdhenj që kishin një distancë të madhe mes njëri-tjetrit. Ky rit quhej “Umra”.
Të dy shkëmbinjtë ishin brenda territorit të xhamisë. Ky rit vazhdoi për tri
orë me radhë nën një vapë të madhe. Por njëkohësisht kishte dhe një dyndje të
madhe pelegrinësh.
Çfarë ndodhi pas
shtatë herë rrotullimi?
Atëherë
pimë ujë Zemeni. Midis dy shkëmbinjve kishte burime me ujë, të cilin Muhamedi
a.s. e kishte cilësuar si “Ujë Zemeni”. Ai përdorej për të lagur buzët e
besimtarëve. Pasi mbaruam me “Umra-n” shkuam te Guri i Shenjtë, i cili njihet
dhe si Guri i Mekës dhe bëmë “Tauaf-in”. Edhe këtu bëmë shtatë rrotullime rreth
Gurit të Mekës. Që të arrije të prekje Gurin e Mekës ishte një gjë shumë e
mirë, por ishte jashtëzakonisht e vështirë, për shkak të dyndjes së njerëzve,
të cilët kërkonin të gjithë që ta preknin atë. Pranë Gurit të Mekës ishte dhe
varri i Ismailit, ku pamë dhe gjurmët e dashit, i cili u bë kurban.
A vizituat dhe
vende të tjera?
Para
ditës së “Kurban Bajramit” na çuan një ditë të vetme në Arafat. Atje kishte
qëndruar dhe Muhamedi a.s. Ishte një fushë e madhe e asfaltuar ku ishin
vendosur çadra në të cilat na strehuan. Iu falëm Zotit deri në perëndim të
diellit. Pas perëndimit na çuan në Muzdelife. Atje, pasi falëm Namazin natën,
morëm gurë të vegjël me të cilët do të qëllonim shejtanin. Për të kryer këtë
rit shkuam në Mina. Riti për hedhjen e gurëve te vendi ku qëndronte shejtani
bëhej në një kohë të caktuar, para lindjes së diellit.
Si do të
vazhdonte më pas ceremoniali?
Shtatë
ditë pas mbërritjes në Arabinë Saudite, erdhi dita e Kurban Bajramit. Pas
faljes u therën deshët. Riti e kërkonte që kush kishte mundësi të falte diçka
në të holla. Me këto bliheshin deshët, thereshin dhe u jepeshin të varfërve.
Atë ditë më kujtohet se një sheik dha një pritje për besimtarët në një xhami të
madhe. Në një sallë mjaft të gjerë ishte shtruar një drekë madhështore, ku nuk
mungonte as çorba dhe groshët dhe as mishi i thëllëzave. Më pas na çuan në
Medina. Aty ndodhet dhe varri i Muhamedit a.s. Nga Meka në Medina ishte një
distancë prej rreth 400 kilometrash. Udhëtimi kaloi në mënyrë komode, dhe pse
gjatë gjithë rrugës nuk pamë asnjë pemë, por vetëm shkretëtirë. Për të kryer
ritet fetare ndaluam, pasi buzë rrugës ishin ndërtuar xhami të shumta. Në
Medina, pasi vizituam varrin e Muhamedit a.s, të cilin nuk të lejonin ta
prekje, shkuam në një xhami tepër të madhe. Ishte një kryevepër arkitekturore,
ku ndodheshin 480 tonë ar, dhe ku mund të faleshin 1 milion besimtarë
njëkohësisht. Tavani i xhamisë ishte portativ. Gjatë ditës mbyllej dhe
përdoreshin kondicionerët, ndërsa gjatë natës hapej.
Kur do të
ktheheshit në Shqipëri?
Ditën
e 14 prillit 1998 kontingjenti i pelegrinëve shqiptarë mori rrugën e kthimit
për në atdhe. Kur mbërritëm në aeroportin “Nënë Tereza”, binte një shi i
ftohtë.
***
AKSIDENTI ME 280
BESIMTARË, SI SHPALLESHIN “SHEITËT” PASI VDISNIN NË HAXHILLËK
Duke
shprehur mbresat e tij për udhëtimin e paharruar në Mekë, Kadri Tresa thotë se
gjatë procesit të “goditjes së shejtanit me gurë” ndodhnin aksidente: “Ne hymë
në disa tunele të mëdha, të cilat ishin pajisur me aspirator dhe ndriçim shumë
të mirë. Për shkak të orës së kufizuar, kishte dyndje për të arritur te vendi
ku hidheshin gurët për të qëlluar shejtanin. Unë vetë nuk arrita dot, edhe pse
bërja e një riti të tillë ishte një gjë shumë e mirë për çdo besimtar. Bëra
çmos. Ndërsa dyndja ishte e tillë që të shtypte, nëse një njeri ulej të merrte
pantoflat, të cilat i dilnin nga këmbët. Pas përfundimit të ritit mund të gjeje
me mijëra pantofla. Në kohën kur ishim ne, gjetën vdekjen rreth 280 besimtarë
të komunitetit malejzian”, rrëfen Kadri Tresa. Ai thotë se një i vdekur në
kohën e Haxhillëkut shpallej “Sheit”. Ai futej në morg, edhe sikur të vdiste të
hënën. Ndërsa nxirrej nga morgu vetëm ditën e premte. Pas faljes së të premtes,
katër zezakë të mëdhenj merrnin kufomën dhe e rreth rrotullonin te Guri i Mekës.
Më pas varrosej. Kur lihej amanet, i vdekuri varrosej në vendin që kishte
kërkuar. Por midis miliona besimtarësh që shkonin në Mekë, kishte prej tyre që
nguteshin të vdisnin gjatë procesit të Haxhillëkut me qëllim që të merrnin
titullin e “Sheitit”. “Pas hedhjes së gurëve, riti kërkonte që burrat të
qetheshin. Arabët u qethën krejt zero, ndërsa në të tjerët normalisht. Ky rit
cilësohej si sevap. Pastaj u rikthyem në Mekë”, rrëfen Kadri Tresa mbresat nga
udhëtimi i paharrueshëm.
MEKA
Një
nga dy kryeqendrat e Arabisë Saudite. Përveçse Meka është vendlindja e
Muhamedit, ky qytet është qendër shpirtërore e islamizmit, vendi për ku bëhet
pelegrinazhi.
MEDINA
Qytet
në Arabinë Saudite perëndimore, vendi i monumentit të varrit të Muhamedit. Po
ashtu, Medina është qyteti i dytë më i shenjtë i islamizmit, që ndryshe quhet
Al Madinah.
ISLAMIZMI
Është
më e reja nga të tri fetë e mëdha monoteiste botërore. Myslimanët shohin në të
përmbushjen e feve më të vjetra, asaj çifute e krishtere. Bota islame ka
formulën e saj të besimit: “Unë dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe
dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Tij”.
PELEGRINAZHI,
MEKA, VENDI QË JEP TITULLIN “HAXHI”
Në
kryeqytetin shqiptar, Tiranë, funksionon prej vitesh Drejtoria e Përgjithshme e
Mekës, e cila merret me organizimin e pelegrinëve që kërkojnë të njihen nga
afër me Gurin e Mekës, varrin e Muhamedit (alejhim selam) dhe xhamitë e
qëndisura me ar. Pelegrinazhi i haxhillëkut nga besimtarët konsiderohet si një
sakrificë dhe jo si një shëtitje turistike. Në këtë udhëtim nuk mund të shkojnë
njerëz, të cilët kanë probleme me shëndetin dhe sidomos me zemrën apo
tensionin. Nëse një haxhi vdes gjatë procesit të haxhillëkut, ai shpallet
“Sheit”. Haxhi fillon një javë përpara ditës së Kurban Bajramit. Ndërsa titulli
“Haxhi” merret pasi ke përfunduar ritet e haxhit në Mekë. Çdo njeri që shkon
një herë të vetme në Mekë, konsiderohet “Haxhi”.
No comments:
Post a Comment