Monday, August 14, 2017

Liliana Cingu: Do të kërcej, derisa këmbët të më lënë




"VEÇ 'GJERDANIT TË ARTË' MORA DHE SHUMË FLETËRRUFE"

Liliana Cingu flet për 45 vitet e saj jetë skenike dhe punën për të kërcyer në 65 vjetorin e lindjes. Viti 1970 kur në Dizhon francezët thërrisnin: “Viva Albania”, në qafën e kërcimtares nga Shqipëria vendoset “Gjerdani i Artë”

nga Leonard Veizi
  
Majat e gishtave të saj dukej sikur nuk donin të rëndonin mbi tabanin e skenës dhe as të preknin në të. Ndërsa shputat e këmbëve uleshin me lehtësi dhe ngriheshin njëherazi si të ishin krejt pa peshë. Askush nuk e ndjente fërkimin e tyre me shtresë plastike e cila ishte shtruar mbi dyshemenë prej dërrase të skenës dhe frymëmarrjen që kontrollohej me ritmin e muzikës, gjithashtu se ndjente kush. Ajo ishte krejt e lehtë...

...Francezët e Dizhon-it, filluan të thërrisnin fort “Viva Albania” kur në gjoksin e kërcimtares së re shqiptare u vendos “Gjerdani i Artë” i Festivalit. Edhe pse trofeu i takonte gjithë Ansamblit, në mënyrë krejt spontane, a ndoshta të përllogaritur që në hapin e parë, kryetari i jurisë, i qetë dhe i pandikuar nga thirrjet frenetike të publikut, u drejtua për nga më e reja e grupit që kishte dalë në skenë me simbolet kuq e zi, valltarja 19 vjeçare, Liljana Cingu...
44 vite pas kësaj ngjarje emocionuese e të pazakontë, ish-balerina e parë e trupës së Ansamblit Kombëtar, e njohur shkurt si Lili, rrëfen jetën e saj në skenë:

Si lindi pasioni për kërcimin. Fillimet tuaja?
Si çdo fëmijë që ka dëshirat e veta për të realizuar një ëndërr në një profesion edhe unë dëshiroja që të ngjitesha në skena e të vallëzoja, megjithëse kisha talent edhe për sport si gjimnaste apo atlete. Po pasioni i vërtetë ishte që të ngjitesha vetëm në skenë. Që e vogël, këtë dëshirë timen e realizoja në pistën  e Shtëpisë së Oficerëve, ku darkoja me prindërit.

Ambicia juaj fillestare ka qenë një kërcimtare e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, apo do të donit të ishit më shumë një balerinë e teatrit klasik?
Fillimisht jam aktivizuar me shkollën, me Pallatin e Pionierit. Por më pas vazhdova një shkollë 4-vjeçare pranë Ansamblit të Valleve dhe në moshën 16-vjeçare, fitova të drejtën për të filluar punë si valltare në Ansambël. Dëshira ime ishte pikërisht në këtë fushë.

Si e kujtoni daljen e parë në skenë?
Ishte vitin 1967. E kisha disi të vështirë përballjen me publikun. Pyesja veten: “A do jem në lartësinë e duhur në kërcim pranë Besim Zekthit?”. Kisha shumë emocione. Por me punë e përkushtim ia arrita qëllimit që të isha një profesioniste në skenë. Kurrë nuk rreshta së thëni vetes: “Do punoj për të qenë e denjë dhe më e mira në kërcim”.

Viti 1970 përkon me marrjen e  “Gjerdanit të artë” në Festivalin e Dizhion-it në Francë. Çfarë kujtoni nga ato ditë?
Në vitit 1970, Ansambli i Këngëve dhe Valleve bëri turne në Festivalin e Dizhon-it në Francë. Ishin 44 shtete në atë festival botëror. Grupi i shqipeve gati fluturonte. Ishin fillimet e mija e një gëzim i papërsëritshëm për mua kur në stadiumin me 20 mijë spektatorë vendoset në qafën time “Gjerdani i Artë”, një meritë për ne artistet e Ansamblit. Janë të pa përshkruara emocionet që ne kishim. Prezantimi dinjitoz e mbresëlënës me vallet, këngët, kostumet, muzikën bënë që francezët të brohorisnin “Viva Albanie”. Ishin vërtet emocione të papërshkrueshme.

Ndërkohë Ansambli ka marrë edhe çmime të tjera ndërkombëtare. Cilat kanë qenë trofetë e radhës?
Gjithmonë Ansambli është vlerësuar me trofe e çmime në çdo vend, si brenda vendit e jashtë. Dhe kjo ka qenë meritë e grupit si dhe e drejtueseve të këtij Ansambli.

Koncertet në Kosovë ishin të tjera aktivitete mbresëlënëse të Ansamblit. Cila ishte atmosfera në vitet ‘70 kur dhe u lejuan shkëmbimet dypalëshe?
Në vitin 1971 kishim një ftesë për një turne në të gjithë Kosovën. Ndjeva shumë emocione, se do prekja tokën e vendlindjes se babait tim. Ndarja e kufijve në ato vite ishte e pabesueshme që të na realizohej të takonim tokën tonë, gjakun tonë, gjuhën e njerëzve, me kulturën dhe artin e përbashkët, por ja që forca e artit u realizua, edhe me sakrifica. Shumë mbresëlënëse ishte kur ne flisnim një gjuhë, atë gjuhë të tokës së përbashkët më me kulturë e art, me shumë tradita njësoj. Njerëz që ju ndriçonte fytyra nga gëzimi duke na shoqëruar pa iu dridhur syri.

Kur dilnit jashtë shtetit, sa ishit të monitoruar nga Sigurimi i Shtetit?
Daljet tona jashtë kufijve kanë qenë gjithmonë të survejuara me punonjës të cilët na shoqëronin, ndoshta që të mos humbnim nga bukuritë e vendeve të tjera. Por ndodhte që ne kërcenim në skena e ata humbnin nga bukuritë e vendeve ku shkonim. Pra, ndodhte e kundërta. Artisti lodhej e djersitej që  të dilte sa më mirë në skenën e vendit të huaj, shoqëruesit tanë mahniteshin, se s’kishin punë tjetër.

Me Ansamblin këndonte edhe një emër si Vaçe Zela. Çfarë kujtimesh ndani me të?
Nuk mund të mos e kujtoj këngëtaren e madhe Vaçe Zela, një emër i madh për ne shqiptarët, një talent që ka bërë publikun të ngrihet në këmbë me zërin e saj. Po unë do të thosha edhe një njeri me zemër të madhe, me një kulturë të vlerësuar dinte të respektonte. Vaçen e dua shumë, respekt për atë artiste.

Mendohej se artistët bënin një jetë më të mirë se pjesa tjetër e popullit. Në fakt sa vlerësoheshit materialisht e moralisht para viteve ‘90?
Ne si artistë, para viteve ‘90 kënaqeshim më pak se thoshim: “Mos kërko më shumë se e gjen vendin tjetër kund”. Lodhja e artistit vlerësohej sa një minator, por vetëm për djersën dhe jo materialisht. Në disa drejtime ndoshta bënin një jetë më të mirë. Gjithmonë ideja bazë ishte se një pjesë e artistëve dhe sportistëve dilnin jashtë shtetit dhe kjo u jepte mundësi të tjera.

Kur jeni larguar si soliste e Ansamblit?
Duke qenë se ato vite artistët dilnin në pension në moshën 45-vjeçare, unë qëndrova edhe dy vjet të tjerë dhe dola në pension në vitin 1997. Më pas kam qenë me kontratë. Për njëfarë kohe kam qenë në Kanada, e ftuar nga ish-nxënësit e mi. Një shoqatë shqiptaro- kanadeze më ftoi për të marrë pjesë për Festën e Flamurit më datë 28 nëntor. Vajta atje dhe u ndjeva e mrekulluar kur flamuri ynë u valëvit në mes të Toronto-s. Në atë kohë kam pasur aktivitete me studentët. Ka shumë shqiptarë që jetojnë atje dhe e duan folklorin.

Ju jeni aktive edhe sot. Cili është plani më afatshkurtër që keni?
Duke qenë se jam gjithmonë në aktivitet, falë Zotit që më ka dhuruar forcë për të mos ndalur nga vallëzimi në skena, me dashamirësinë edhe të artistëve që e vlerësojnë talentin tim, si përkrahja e partnerit Rexhep Çeliku si edhe drejtuesi artistik Sulejman Balteza që më kanë aktivizuar me Ansamblin në ndonjë koncert. Por aktivitetet e mija siç duket nuk do mbarojnë këtu. Vazhdimi do jetë me një recital tjetër, me forcën time, me dashamirës e simpatizantë të artit çdo gjë realizohet dhe arrihet. Duhet punë e djersë... duke qenë se unë “Mjeshtër i Madh” e kam marrë, më duhet ta justifikoj deri sa këmbët të më lënë.


Ëndrra që u bë realitet
Karriera e saj është e mbushur me shumë çaste të bukura, por më e veçanta ka mbetur ajo kur në moshën 19-vjeçare, në qafën e saj u vendos Gjerdani i Artë në festivalin e Dizhon-it në Francë, nga kryetari i Festivalit në mes 20 mijë spektatoreve. Kjo përkonte dhe me fillimin e karrierës së saj. Lili Cingu thotë se: “Duke ardhur në atdhe me medalje, dhe ëndrra m’u bë realitet. Çdo njeri në jetë numëron sfida dhe suksese. Dëshira ime më e madhe në jetë ka qenë suksesi në skenë si valltare dhe kur i drejtohesha Zotit me lutjen, “O Zot ma realizo dëshirën që të kem një emër të nderuar si artiste e madhe”, e ndjeja që isha në rrugën e duhur. Unë jam krenare që ia kam arritur, kjo edhe falë talentit dhe punës time”.


Kur Partia më kritikonte
Liljana Cingu tregon se si do të ndryshonte jeta e saj vetiake dhe artistike pas viteve ’90. “Ndryshimet për mua ishin të shumta. Fillimisht m’u larguan “fletërrufetë” që ishin bërë të modës. Më kujtohen fjalët e sekretarëve të partisë apo sekretarëve të rinisë që kishin si parullën e tyre: ‘Bëj si them unë e mos bëj si bëj unë’. Unë gjithmonë kam dashur ta kërcej vallen, ashtu siç populli ynë e kërcen me mjeshtëri, por kam hasur edhe pengesa nga disa persona në Parti, që nuk dinin çfarë ishte vallja. Një veprim i vogël më shumë në valle shoqërohej me fletë-rrufe ose vërejtje me paralajmërim. Ishin të zakonshme këto për të talentuarit. Dhe i talentuari çuditërisht merrte gjithmonë kritika ose vërejtje. Natyrisht, këto nuk mungonin as për mua. Si një vajzë që më pëlqente e bukura, mundohesha të ndiqja modën dhe kritikohesha. Por ishte puna ime që i përmbyste të gjitha vërejtjet që më bënin... Nejse, ajo kohë iku, ndryshimet erdhën dhe u bëmë njerëz të lirë”.


Përkrah mjeshtrave
Duke folur për partnerët e saj si “balerinë e parë” e Ansamblit, Liljana Cingu thotë: “Fillimet e mia në ansambël kanë qenë duke vallëzuar me partnerë në masë. Por shumë shpejt ëndrra ime u realizua me punën time, djersën e palodhur, ndihmën e koreografëve e mjeshtërve si: profesor Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Besim Zekthi. Ata bënë që talenti im, puna ime, ëndrra ime, të arrinte aty ku unë dëshiroja, soliste me solistët virtuoz: Besim Zekthin e Rexhep  Çeliku. Në atë kohë me dinjitet u formua treshja, siç jemi cilësuar edhe nga mediet... “Zekthi, Cingu, Çeliku”. Kam qenë gjithmonë krenare në karrierën time artistike, që kam kërcyer me më të talentuarit valltarë. Kemi bërë histori në skene, si brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunimi ynë ka qenë gjithmonë me punë, duke e ngritur bukurinë e valles në lartësi, ku ato janë vlerësuar si perla të vendit tonë. Kjo është edhe merita e koreografeve”.


Ansambli dje dhe sot
Ansambli i Këngës dhe Valleve Popullore, sot nuk e ka më shkëlqimin e dikurshëm, edhe pse në kushtet e reja i ka mbijetuar më së miri të gjithë “furtunave”. Duke folur për vijimësinë e tij, Liliana Cingu thotë: “Ansambli ka qenë i shumtë në numër dhe më vjen keq që sot këtë ansambël nuk e bëjnë po aq grupe sa kanë qenë. Edhe tani ansambli punon dhe ka shumë aktivitete. Shumë vite më parë ansambli ka qenë rreth 80 vetë, por sa i takon valles, duke dalë 12 çifte në skenë  ajo mbushet. Gjerdani i Artë në Dizhon të Francës në 1970 ishte një vit i veçantë, ne me vallen dhe këngën tonë u vlerësuam në një aktivitet të tillë, ku merrnin pjesë shumë shtete.  Artistët ishin ambasadorë të kulturës kudo që shkonin. Folklori ynë nuk ka dallim kudo që ne e interpretojmë ai vlerësohet. Dëshira ime për Ansamblin është dhe do të jetë gjithmonë, që ta shoh me sa më shumë valltarë dhe ky Ansambël duhet të na përfaqësojë denjësisht kudo në botë”.



Botuar në Gazeta Shekulli - 27 Janar 2014


No comments:

Post a Comment