Tuesday, January 10, 2023

Austro-Hungaria, si ndikoi në Pavarësinë e Shqipërisë

Çfarë thonë dokumentet e Austrisë, Hungarisë, Italisë, Francës e Anglisë.
 


Sipas historianëve Arben Puto, Eleni Kocaqi e Apostol Kotani
 
Leonard Veizi
 
Në Londrën e ftohtë shqiptarët mbërritën me entuziazëm të përmbajtur, një delegacion zyrtar i përbërë prej katër përfaqësuesish, licencuar nga kryeministri Ismail Qemali dhe dy intelektualë të nisur nga shoqata “Vatra” e Amerikës. Më 28 nëntor 1912 në Vlorë, 40 burra kishin firmosur për ndarjen përfundimtare të Shqipërisë etnike nga Perandoria Osmane, e cila kishte sunduar për të paktën 500 vjet në Ballkan. E megjithëse lajmi ishte dhënë nga të gjitha agjencitë e Evropës, asgjë s’merrte fund këtu. Lufta sapo kishte nisur. Ajo diplomatike ishte edhe më e ashpër se fronti në kufi...
 
...Të paktën 20 ditë pas shpalljes së mëvetësisë shqiptare nga Porta e Lartë, më 17 dhjetor 1912 në Londër u mblodhën Fuqitë e Mëdha të kohës në të ashtuquajturën “Konferenca e Ambasadorëve”. Problemet në Ballkan do të ishin në rendin e ditës, por dhe njohja juridike e pavarësisë si dhe kufijtë etnikë të Shqipërisë gjithashtu ishin një çështje në diskutim. Do të kalonin 8 muaj që më 29 korrik 1913 të merrej vendimi: “Shqipëria të shpallej principatë autonome, sovrane e trashëgueshme nën garancinë e Fuqive të Mëdha”. Ndërsa kufijtë, pas shumë debatesh u caktuan por duke lënë jashtë shtetit Shqiptar gjysmën e territorit etnik.
Ky edicion “dossier” ka në përmbajtje dhe fragmente nga intervistat e dhëna në kohë për autorin nga historianët: Arben Puto, Eleni Kocaqi e Apostol Kotani
 
Kongresi i Berlinit
Padyshim u desh jo pak kohë të konsolidoheshin 28 mijë kilometrat katrorë që iu lanë në dispozicion principatës shqiptare prej vullnetit të fuqive të mëdha. Jo vetëm Kosova e Çamëria, si treva të mëdha, kishin mbetur jashtë territorit por dhe ca vise të tjera. E megjithatë e keqja për shqiptarët nuk nisi e mbaroi në vitin e mbrapshtë 1913. Ajo kishte filluar që kohë më parë dhe pikërisht më 1878 me Kongresin e Berlinit. Lufta Ruse-Turke e viteve 1877-1878, i kishte cenuar rëndë zotërimet osmane në Gadishullin Ballkanik. Shqipëria ishte në shënjestrën e fqinjëve. Copëtimi i parë i trojeve shqiptare u realizua pas vendimeve të Kongresit të Berlinit. Me këto toka u kompensuan Mali i Zi e Serbia. Për t'i bërë ballë aneksimit u krijua Lidhja e Prizrenit, e cila kundërshtoi me armë copëtimit të trojeve shqiptare.
 
“Antanta” dhe “Blloku Qendror”
Situata politike në Evropën e fillimit të shekulli të XX, kur Perandoria Osmane po lëshonte territor, bëri që të formoheshin dy blloqe politike ushtarake, njëri ishte “Antanta” e përbërë prej Anglisë, Francës dhe Rusisë dhe tjetri ishte “Blloku Qendror” me Gjermaninë, Austro-Hungarinë dhe Italinë. Antanta përkrahte sllavët në Ballkan ndërsa Blloku Qendror me insistimin e Austro-Hungarisë përkrahte shqiptarët. Në rrethana të reja, Shqipëria merrte rëndësi të veçantë në politikën ballkanike: për Austro-Hungarinë, si një gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në Gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik; ndërsa për Italinë, si një bazë për depërtimin e mëtejshëm drejt Lindjes. Nga të gjashta Fuqitë e Mëdha vetëm Austro-Hungaria, për arsye gjeo-strategjike, historike dhe kulturore ishte e interesuar drejtpërdrejt për krijimin e një shteti shqiptar.
 
Kërkesat e shqiptarëve
Për të mbrojtur të drejtat shqiptare në arenën ndërkombëtare, qeveria e Vlorës caktoi katër delegatë për në Konferencën e Ambasadoreve, ku do diskutohej çështja e ish-zotërimeve turke në Ballkan. Delegacioni kryesohej nga Rasih Dino e pjesëtarët e tjerë ishin Mehmet Konca, Filip Nogas e Sotir Kolea. Ndërkohë para delegacionit zyrtar në Londër kishin mbërritur prej Amerike dhe dy intelektualë të shquar Fan Noli e Faik Konica të cilët gjithashtu lobuan fort për çështjen shqiptare. Historiani Apostol Kotani thotë se: “Qeveria shqiptare parashtroi kërkesën: Njohjen e pavarësisë, vendosjen e një regjimi monarkik me një mbështetje evropiane e caktimin e një komisioni ndërkombëtar për çështjen e kufijve. Por këto kërkesa legjitime nuk u morën parasysh, sepse fuqitë e mëdha nuk ishin për pavarësinë, por për një autonomi nën vartësinë e Sulltanit, dhe të kontrolluar nga Fuqitë e Mëdha. Rusia dhe Franca përkrahën kërkesat e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Kurse Austro-Hungaria dhe Italia ishin për largimin e serbeve nga trojet shqiptare, dhe të grekëve nga bregdeti shqiptar”. Me gjithë këtë qëndrim, qeveria dhe populli shqiptar nuk u tërhoqën përpara vendimeve të padrejta të Konferencës së Ambasadorëve dhe vazhduan përpjekjet. Këto kundërshtime të vendosura bënë që, pas disa muajsh, në mbledhjen e 29 korrikut, Konferenca e Ambasadorëve të anulojë vendimin e mëparshëm për sovranitetin e Sulltanit dhe ta zëvendësojë me kontrollin e fuqive të mëdha.
 
Politika Austro-Hungareze
Po çfarë do ndikonte më shumë në shtetformimin shqiptar, rezistenca e vetë shqiptarëve, apo ndikimi i politikave të huaja? Historiania Elena Kocaqi thotë se: “Në këto kushte, mundësitë që shqiptarët të krijonin një shtet pa miratimin e fuqive të mëdha ishin zero, pasi ishin vetëm gjashtë Fuqitë e Mëdha që vendosnin për ndryshimin e statusit territorial të një vendi”. Pra dhe nëse shqiptarët të ishin të bashkuar dhe të kishin ushtrinë e tyre, sërish nuk do të mund t’u impononin dot Fuqive të Mëdha një shtet shqiptar aq lehtë nëse nuk do të kishin ndonjë nga shtet të fuqishëm që t’i mbështeste ata. Sipas Kocaqit: “Pavarësia shqiptare ishte vepër e politikës Austro-Hungareze të kohës e cila arriti të përdorë të gjitha mjetet, si diplomatike, ushtarake për t’u imponuar fuqive të tjera krijimin e një shteti shqiptar dhe kjo tregohet nga të gjitha dokumentet diplomatike të arkivave Evropiane”.
Austro-Hungaria kishte interesa në Ballkan dhe ajo shikonte në copëtimin e Shqipërisë, një kërcënim të sigurisë së saj në gadishull pasi trojet e saj shtriheshin deri në Bosnje. Problem i madh ishte edhe çështja e Adriatikut ku Austro-Hungaria dilte në det në Trieste dhe rajonet kroate, sllovene dhe ajo, nuk mund të lejonte që në bregun shqiptar të Adriatikut të vendosej një Serbi armike dhe një Itali rivale potenciale për armike, e cila mund t’i bllokonte asaj kanalin e Otrantos nëse merrte Vlorën. Kështu Austria mori fjalën e Rusisë dhe Italisë rreth 30-40 vjet më para se të shpallej pavarësia. Ishte shpërthimi i konfliktit ballkanik që e detyroi atë të bëhej agresive derisa dhe të mobilizonte ushtrinë për të imponuar një Shqipëri të Pavarur. Ishte pikërisht ajo që prej tetorit të vitit 1912 u kërkoi shqiptarëve shpalljen e Pavarësisë dhe jo autonomisë.
Duke i mëshuar fort idesë së saj, historiania Eleni Kocaqi thotë: “Janë faktet historike nga arkivat e Austrisë, dokumentet diplomatike Italiane, Franceze, Angleze të cilat japin qartë faktin se merita për krijimin e shteti shqiptar i takon shtetit Austro-Hungarez dhe se shqiptarët kanë shumë pak ose aspak peshë në këtë çështje”.
 
Rënia e pretendimit Austro-Hungarez
Ndërkohë historiani Arben Puto ndan një tjetër mendim kur thotë: “Theksoj që përfaqësuesit e Fuqive, konsujt, gjatë muajve të qeverisë së parë shqiptare kanë qenë të gjithë në Vlorë dhe për çdo çështje që dilte, mbanin kontakte personalisht me Ismail Qemalin. Këtë unë e kam interpretuar si një njohje të përkohshme, “de fakto”, që i bënë Fuqitë e Mëdha qeverisë së Vlorës. Kjo shpjegohet dhe me qëndrimin e Austro-Hungarisë që ishte për një shtet shqiptarë me kufij më të zgjeruar, dhe që e përkrahte Qeverinë e Vlorës duke e cilësuar si një bërthamë për organizimin e shtetit shqiptar. Por së fundi as Austro-Hungaria nuk e njohu shtetin Shqiptar, megjithëse konsujt qëndruan shumë kohë pranë qeverisë së Vlorës duke bërë lloj-lloj raportesh. Gjithsesi në fund u tërhoq. Dhe më pas vjen protokolli i vitit 1913, ku Shqipëria e Pavarur u njoh si principatë”.
 
Projekti serbo-grek për ndarjen e Shqipërisë
Megjithatë dokumentet Austro-Hungareze flasin qartë dhe për qëndrimin e Serbisë dhe Greqisë ndaj Aktit shqiptar të Shpalljes së Pavarësisë. Eleni Kocaqi thotë:Serbia e Greqia as që donin të njihnin një shtet shqiptar pasi ato kishin marrëveshje ta ndanin Shqipërinë midis tyre. Serbia donte pothuajse pjesën me të madhe të Shqipërisë me një dalje të gjerë në bregdet dhe Greqia donte Epirin deri në gjirin e Vlorës. Serbia pati një konflikt të madh me Austro-Hungarinë në nëntor 1912 kur ushtria serbe u fut në Durrës. Ndërsa sipas arkivit austriak në 30 dhjetor 1912, qeveria greke ka njohur qeverinë e Vlorës, por jo pavarësinë e Shqipërisë, pasi ajo bazohej në marrëveshjen që kishte me Ismail Qemalin, që të njihte qeverinë tij me koncesion territorial në favor të Greqisë. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar 5 vjet më parë dhe Epiri i kalonte i gjithi Greqisë. Në 1912 ajo vazhdoi të funksionojë, pasi sipas dokumenteve, Ismail Qemali ishte dakord që Greqisë t’i kalonte Janina e Çamëria. Si shkëmbim, ajo njihte qeverinë e Vlorës”.
Sipas shtojcës së fshehtë të Traktatit të Aleancës midis Greqisë dhe Serbisë, të nënshkruar më 19 maj 1913, këto dy shtete aleate historike, ndanë sferat e interesit dhe programuan copëtimin midis tyre të Shqipërisë. Harta e copëtimit përcaktonte se territori që kufizohej në veri të grykës së lumit Seman në det, pastaj buzë këtij lumi deri në grykën e Devollit dhe buzë Devollit e deri në malin e Kamjes - hynte në sferën serbe të ndikimit dhe interesave, që në një rast oportun do të shërbente edhe si kufi ndarës. Ndërsa pjesa jugore e Shqipërisë, prej kësaj vije, hynte në sferën greke të ndikimit dhe copëtimit eventual. Plani parashikonte gjithashtu që, në rast trazirash në Shqipëri, të dy shtetet duhej të merreshin vesh e të bashkëpunonin për qëndrimin që do të mbanin.
 
Epilogu i Konferencës
Konferenca e Ambasadorëve i vazhdoi punimet e saj mbi statutin e organizimit të Shqipërisë. Më 7 prill 1913, ministri i jashtëm britanik Edward Grey, në raportin e tij të para dhomës së komunave, ndër të tjera tha: “Marrëveshja e Fuqive për të respektuar kufijtë e Shqipërisë u arrit pas përpjekjesh të gjata dhe të lodhshme diplomatike. U vendos që brigjet e liqenit të Shkodrës t’i takojnë Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni dhe Dibra, si dhe pas shumë përpjekjesh dhe negocimesh, edhe Gjakova të lihej jashtë Shqipërisë. Kjo marrëveshje ishte thelbësore për paqen në Evropë, dhe është arritur pikërisht për të ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha”.
Në 15 qershor 1913, Austro-Hungaria dhe Italia paraqitën përsëri një propozim mbi organizimin e Shqipërisë. Vetëm pas shumë diskutimesh, gjatë të cilave Franca dhe Rusia kundërshtuan vazhdimisht, fuqitë ranë dakord që Shqipëria më 29 korrik 1913 të shpallej principatë ku një Komision Internacional Kontrolli i përbërë prej delegatëve të gjashtë Fuqive të Mëdha do të mbikëqyrte administratën dhe financat e Shqipërisë dhe një Princ do të caktohej brenda 6 muajve. Pra, Shqipëria merrte formën e Protektoratit. Kjo njohje gjysmake e një pjese të Shqipërisë, nuk kënaqi aspiratat e popullit shqiptar.

No comments:

Post a Comment