Friday, January 5, 2024

Kush është shefi, ai që flet budallallëqe apo ai që gjuan peshk?


Nga Leonard Veizi
 
Kryeministri Rama na pataksi në fundvit kur na prezantoi me sozinë e tij personale dhe që nuk ishte njeri prej gjaku e mishi por thjesht një AI, - domethënë Inteligjencë Artificiale, -  por që kishte marrë guximin dhe interpretonte në vend të tij, pa sufler. Ndërsa inxhinieri që kishte realizuar projektin na bëri të ditur ne spektatorëve gojëhapur, se në të ardhmen një AI do të shkojë gjithmonë e më shumë drejt perfeksionimit të rolit të një njeriu të vërtetë, aq sa nuk do të kuptohet kush është frymori dhe kush mekanizmi i programuar.
Shkurt, nuk do dimë kujt t’i besojmë.
Ruajna Zot.
Kjo do të thotë që ne asnjëherë nuk do ta marrim vesh me të vërtetë se cili do të jetë ai që  komunikon me ne si popull, - ose me gazetarët në një konferencë për shtypin, - në rastin konkret: Edi Rama si njeri, apo Edi Rama si AI?
Mbase në të ardhmen kjo nuk do të jetë më problem, sepse gjërat do të bëhen rutinë, por sot, edhe pse progresi është i dukshëm, vazhdon të duket si utopi.
Tanimë, - lart e poshtë në faqe gazetash e rrjete sociale, - po thuhet rëndom se AI mund të përdoret në mënyra të shumta për të ndihmuar mes të tjerash edhe në proceset qeverisëse. Një AI fort i zgjuar, mund të analizojë të dhënat për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve komplekse, të prezantojë mundësi të ndryshme zgjidhjesh, të ndihmojë në planifikimin e buxhetit dhe të resurseve, si dhe të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve publike përmes automatizimit të disa proceseve administrative.
Hajde robot hajde.
Po për çfarë ta duam kryeministrin atëherë???
Le që mund të shkrijmë gjithë kabinetin se na mjafton një që t’i dijë të gjitha. Kështu shkurtojmë dhe shpenzimet në buxhet.
Roboti nuk do as të hajë e as të pijë. E mban frymën me një karikues 5-mijë leksh.
Megjithatë, - serish për të ulur disi tonet se teknologjia do të na marrë në qafë, - thuhet se tek e fundit AI-ja nuk mund të zëvendësojë plotësisht një burrë shteti real, pasi procesi i vendimmarrjes ka nevojë për kuptim të thellë të kontekstit politik dhe shoqëror, si dhe për një ndjenjë të gjerë të liderizmit dhe përgjegjësisë njerëzore. Por në një rol mbështetës, AI-ja mund të jetë një mjet shumë i fuqishëm për të ndihmuar në marrjen e vendimeve në bazë të një informacioni më të gjerë.
Domethënë, sërish njeriu në plan të parë... Edhe për ca vite ama. Sepse tani për tani, AI është ende një papagall dhe si i tillë nuk del dot në mexhilis se e tall dynjaja.
Hej bela- bela, çfarë na ka gjetur e çdo na gjejë më tutje.
Nëse një AI zëvendëson një kryeministër në takime, do të duhet të konsiderohen shumë aspekte, përfshirë etikën, sigurinë dhe aftësitë e tij për të menaxhuar çështje komplekse qeveritare. Është një debat i thellë dhe i ndërlikuar në lidhje me përdorimin e teknologjisë në drejtimin e vendimmarrjes shtetërore.
Dhe të gjitha këto duhet me ia besu një mekanizmi të ftohtë e pa jetë, por që duam t’i japim jetë, po aq sa një sozie që përdorej dikur.
E gjithë kjo atmosferë e re më kujton një film spanjoll por që flet për një kohë më të vjetër. Filmi i regjisorit Antonio Mersero me titull “Espérame en el cielo” edhe pse flet rreth 80 vite më parë, është realizuar në vitin 1988.
Por për çfarë bën fjalë filmi?
Ja ta shpjegojmë me pak fjalë:
Historia zhvillohet në fund të viteve 40, në Spanjë... Personazhi Paulino Alonso, - që interpretohet nga një aktor i njohur argjentinas si Pepe Soriano - është një ortoped që ka një ngjashmëri të madhe fizike me gjeneralin Françisko Franko i cili aso kohe drejtonte me Spanjën dorë të hekurt. Nëpërmjet operacionit të pagëzuar “Janus” gjatë një feste private, Paulino rrëmbehet nga agjentë të qeverisë nën komandën e Alberto Sinsoles "kreu i propagandës kombëtare", me qëllim që ta përdorë atë si sozinë e Frankos në paraqitjet e tij të rrezikshme publike; Kështu nis një “stërvitje” në gjestet dhe sjelljet e diktatorit, të cilin Paulino më në fund i përvetëson thuajse në përsosmëri.
Ndërsa Franko zëvendësohet nga Paulino për të qenë i pranishëm në vende të vështira si inaugurimin e rezervuarëve, centraleve elektrike, minierave, por dhe në festimet fetare dhe parada ushtarake. Sozisë i duhet të jetojë në Pallatin "El Pardo" në të cilin ndodhin plot situata ngatërrestare.
Madje në një sekuencë të filmit, marinari i jahti habitet tek dëgjon lajmet në radio se Franko merr pjesë në një ceremoni festive, ndërkohë që kërkon të sigurohet se pikërisht Franko ishte në kiçin e jahtit, - ku shërbente marinari, - dhe nën shoqërinë e bashkëshortes kishte hedhur grepat duke gjuajtur peshk.
Ndërkohë, gruaja e Paulinos dhe miqtë e tij ishin të bindur se ai kishte vdekur, ndaj vendosën të përpiqeshin ta kontaktonin përmes seancave të spiritualizmit, por rezultatet nuk ishin ato që prisnin... Ndërkohë, Paulino Alonso praktikisht u bë i pamundur të dallohej nga gjenerali Franko, nga askush prej atyre që e njihnin mirë, madje as nga gruaja e tij. Absolutisht nga askush. Në fund të filmit, do të zbulohet se Paulino e ka zëvendësuar plotësisht diktatorin, aq sa ishte ai dhe jo Franko që kur vdiq u varros në Luginën e të Rënëve.
“Espérame en el cielo”, apo “Më prit në parajsë” është me skenar të Antonio Mersero, Horacio Valkársel dhe Román Gubern ku interpretojnë Pepe Soriano, Hosé Sazatornil dhe Çus Lampreave. Filmi e ka marrë titullin e tij nga kënga “Espérame en el cielo” e kënduar nga Antonio Maçín.
Dhe kaq me filmin, se mbase e tepruam.
Për t’iu larguar viteve 40 të shekullit të kaluar e për të ardhur në aktualitet: A do të kemi përsëri të njëjtin model, atë të një sozie të drejtuesve të shtetit, ku fjala vjen ashtu si Paulino fliste idiotësira nëpër takimet diplomatike shtetërore, të cilat i kishte mësuar përmendësh nga instruktori i tij, ndërsa Franko relaksohej ujërave të Detit Mesdhe, duke gjuajtur peshk?

 


No comments:

Post a Comment