Thursday, August 13, 2020

Mësimi online, sistemi me nxënës gjysmë robot


Nga Leonard Veizi

Unë e mbaj mend mësuesen time të klasës së parë, quhej Marjeta. Po gjashtëvjeçarët që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës për vitin akademik 2020-2021, si do të prezantohen me mësuesen e tyre?

Sepse sipas një vendimi të bërë publik nga Ministria e Arsimit, këtë vit mësimet nuk do të merren në klasa dhe auditorë, por nëpërmjet ekraneve të smartfonave apo të kompjuterave portativë. Domethënë do vazhdojmë me avazin e vjetër, me atë që nevoja na detyroi t’ia nisnim që prej marsit të këtij viti. Tani, edhe aq i vjetër nuk është vërtet, sespe avazi nuk vjetërohet me tre muaj, por për ta pasur më mirë parasysh duhet të mësohemi me idenë se që prej shtatorit, kur të marrë xhiron e dytë, merr të drejtën absolute të cilësohet si “traditë”. Dhe me siguri që nga shtatori i vitit 2022 nëse ndokush do të marrë përsipër të kthejë nxënësit në banka e klasa shkolle, do të quhet si një revolucion regresiv, për t’u dhënë të rinjve modernë e të apdejtuar, një modë të tejkaluar dhe krejt të mërzitshme.

Por jemi ende në fillim të gjësë.

Dhe e nisim sërish nga fillimi. Pra, si do të ndihen këtë shtator nxënësit e tjerë që kalojnë nga fillorja në ciklin e lartë, të cilët me shumë gjasa nuk do t’i njohin nga afër mësuesit e tyre? Po nxënësit e vitit të parë të shkollës së mesme, si do t’ia bëjnë, ku do prezantohen me mësuesin e tyre kujdestar? Dilemë e madhe. Le pastaj të mendosh për jetën e tyre sociale brenda të njëjtit komunitet dhe mundësinë e ëndërrimit për shkak të talenteve që nxjerrin në pah! Me mundësitë aktuale, nuk do të kemi njerëz që do të shkojnë nëpër universitete, por gjysmërobotë me ndjesi të kufizuara.

Një nxënës “online” padyshim ka hipur mbi një barkë shpëtimi, dhe kjo ka të bëjë me gjysmën e së keqes. Por jo detyrimisht kjo është mënyra e duhur, sidomos për nxënësit që kanë pak apo aspak përvojë me sistemin “klasë – bankë - dërrasë e zezë”.

Njoftimit të ministrisë se edhe ky vit akademik do të jetë “online” i janë gëzuar plot fëmijë e më të rritur se kaq. Përgjithësisht janë ata që nuk e kanë me qejf ngritjen herët në mëngjes, ashtu si Miri “Në shtëpinë tonë”, përqendrimin në mësim, si Tili te “Shoku ynë...” përballjen me të drejtat dhe detyrat si Goni “Me hapin e shokëve” dhe që më shumë se kaq kanë qejf të lënë ca orë mësimi për të pirë ndonjë “kafe” andej nga Blloku, si në rastin e Besimit, djalit të birësuar të Ahmetit tek “Dora e ngrohtë”.

Besoj jemi të qartë deri këtu.

Vitin që shkoi, nxënësit e arsimit të mesëm dhe 9-vjeçar qëndruan në bankat e shkollës për rreth pesë muaj. Mësimi u ndërpre për nja dy javë në nëntor 2019 për shkak të tërmeteve të njëpasnjëshëm që ranë në atë kohë. Sapo nisi shkolla u fut sezoni i pushimeve dimërore, që nis më Krishtlindjen, por që shyqyr Zotit nuk përfundon më me Festën e Republikës Popullore, por ca ditë më parë se “11 janari”. Pra, edhe dy javë të tjera pushim. Shkollë i thënçin. Më shumë pushime se sa mësim. Ç’kusur kishin brezat tanë që edhe të shtunën e bënim mësimin me 6 orë edhe të dielën që në pikë të sabahut dilnim për punë vullnetare, o për të shkoqitur misrin, o për të prashitur e vaditur ullinjtë në taraca.

Sot, brezi i këtyre viteve të fundit, uikendin e kalon në majë të celularit, se informohet gjerësisht për numrin e gjoksit të një këngëtareje ekstravagande që dhe në dasma këndon me superpozim. Është kjo kategori që kur del me të përbrendshme në instagram të bën të thuash me vete: Rrofsh o celular, që ia arrita kësaj dite.

Por të vijmë përsëri te shkolla, dhe te arsimimi padyshim.

Janari dhe shkurti i 2020-tës ishin të plota lavdi Zotit. Por ditët e para të marsit u dha alarmi për mbërritjen e “Sars Cov-2” në Shqipëri. Shkollat u mbyllën, nisi procesi online i mësimit. Kalamajtë u gëzuan se thanë: kush rri e çan dërrasat me mësuesit. Këtë e kam thënë dhe unë në kohën time. Domethënë nuk është se në këtë drejtim kemi ndonjë evolucion të madh. Për nxënësit që kishin marrë një kuotë formimi kjo nuk përbën ndonjë problem të madh. Problemi qëndronte me nxënësit e klasave të para si dhe maturantët. Për studentët nuk para bëhet fjalë në këto kushte se ata janë të rritur dhe i dalin vetes zot.

Jemi në prag të fillimit të vitit të ri mësimor. Ky është viti i parë kur nxënësit e të gjitha niveleve, përfshi dhe studentët e universiteteve, do të nisin një proces mësimi online, e ku pjesa më e madhe e tyre nuk do të njohin mësuesin e lëndës, apo pedagogun përkatës.

Përvoja e parë që u kalua, tregoi se të rinjtë iu përshtatën shpejt sistemit online. E ardhmja mund të tregojë se njerëzit as që duhet të takohen dhe as të preken me njëri-tjetrin. Nejse ky është tjetër pazar, nuk ka të bëjë thellësisht me temën që po trajtojmë sot.

Gjithsesi të marrësh mësime online, do të thotë të marrësh një arsim të cunguar. Sepse një tablet nuk e zëvendëson një dërrasë të zëzë, dhe të shkruarit me “tach” nuk e zëvendëson dot të shkruarit me shkumës në dërrasën e zezë. Kërkesa e llogarisë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo “sy më sy” nuk është e njëjtë me atë që vjen nëpërmjet recepsionit. “Ç’është ky zë që të vjen si i mizës”, do t’i thoshte Belul Gjonomadhi me gunën hedhur krahëve, gruas së tij që e merrte në telefon nga Tirana. E mbani mend Belulin besoj, atë që i kishte zët radiot dhe radarët. Madje Belul Gjonomadhi, që kasollen do ta kishte andej nga Kanina apo Babica, nuk do të pranonte të hidhej në sulm edhe nëse përmes telefonit komandanti i batalionit do ta urdhëronte të hidhej në sulm për të mbrojtur Atdheun. “Nuk bëhet luftë me telefona more djem, zaten ai është çpikur për dashuri”, do të vazhdonte të thoshte Belul Gjonomadhi, për më tepër po të jetonte në epokën e internetit dhe të telefonave celular. Sepse Beluli ishte njeri praktik, dhe donte që urdhrat t’i jepeshin drejt e në sy, e jo duke u fshehur pas kabllit të telefonit.

Natyrisht, gjithçka fizike ka shumë më tepër vlerë se një marrëdhënie virtuale. Sepse një marrëdhënie virtuale është një proces i shpejtë e ndihmues, por shumë më pak përvetësues.

Sa e sa studentëve u duhet që praktikat t'i zëvendësojnë me leksione online, ndërsa objektet që i kanë për mësim, sipas degës, duhet prekur me dorë për t'i zbuluar vlerën?

Por ta zëmë se e gjithë kjo procedurë është e terezitur. Por a mundet që çdo nxënës e student i Shqipërisë së varfër, të ketë mundësinë e një patllakeje, celular me ekran të madh, me procesor të fuqishëm, me një vlerë monetare mesatarisht sa rrogat e të dy prindërve nëse i ka në punë shteti? Se mund t’i ketë edhe me ndihmë sociale dhe nuk e di që në këtë botë ka celular, por dëshirë për të shkuar në shkollë, padyshim që ka. Se ne arrijmë të shohim vetëm jetën rreth unazës së Tiranës, por nuk e dimë se ca më tej se kaq, shumë njerëz të tjerë janë në mbiekzistencë, dhe nuk ia kanë fort ngenë e një tangërllëku siç është telefoni ku oferta me minuta, sms e internet është më shtrenjë se rrobat e trupit.

Dhe vijmë sërish tek efikasiteti i mësimit online.

Të gjithë lexojmë në ekranin e celularit, por pak gjëra mbajmë mend nga kjo. Përgjithësisht, në bisedat tona të përditshme u referohemi librave, sepse marrëdhënia fizike me letrën na bën të kemi një përqendrim shumë më të madh dhe të përthithim më shumë nga teksti i shkruar.

Kjo situatë padyshim që një ditë do të shpërfaqet me të gjithë dimensionin e saj. Defektet e kontigjentit të nxënësve që po trajnohen tashmë të mësojnë online, me siguri do të ndihen më vonë. Ashtu siç po ndihen në vitet që jetojmë e gjitha problematika që ndodhi me sistemin shkollor në vitet 1997-1998 por edhe në vitet në vazhdim. Dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Deri rreth viteve 2000 ende nuk kishim analfabetë dhe të gjithë ata që kishin bërë qoftë dhe 8-vjeçaren e dikurshme, dinin të shkruanin shqip sipas rregullave. Sot, një i ri me universitet, - baçelor e master, - handikapin e parë e shfaq me të shkruarin e gjuhës së vet. Dhe këtu nuk po flasim më për kulturën e përgjithshme, se ajo dihet tashmë, shkon nga zogu i Tunës deri tek brekët e Noizit. Po flasim thjesht për gjërat e së përditshmes që bien menjëherë në sy. Dhe në vend që brezat të modifikohen mbi njëri-tjetrin, ato po deformohen. Dhe sistemi online do të arrijë ta thellojë këtë gjë. Sepse shumë shpejt nëpër zyra e dikastere do të kemi njerëz me diploma të cilët nuk dinë asgjë...

Do Zoti e nuk zgjat shumë kjo pandemi, se veç shëndetit fizik dhe atij mendor, po merr në qafë brezat e të rinjve, por padyshim do na marrë në qafe dhe ne më të vjetërve, që pas ca kohësh do të na duhet një shpatull ku të mbështetemi.

No comments:

Post a Comment