Tuesday, November 1, 2016

Portret/ Rezarta Reçi: Unë, gazetarja që dua të iki e re nga kjo jetë... në lëvizje

Rezarta Reçi
nga Leonard Veizi

Të vish në këtë botë kur nuk e di se pse je ti, zgjedhja... Të ikësh prej saj e qetë, me një vetëdashje misterioze... Mbase nuk është aq e trishtueshme sa duket. Mbase... “Do ishte mirë të mos kishte vdekje” i them Rezit të “News”-it, siç jam mësuar t’i them vitet e fundit, teksa zbresim ato 4 shkallë të godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa brenda tij ndodhej trupi i pajetë i një artisti, rreth të cilit bëhen homazhet e fundit. “Të gjithë rendim drejt fundit, - ma kthen ajo. - Por unë dua të iki nga kjo jetë më shpejt. Teksa jam në lëvizje. E re”. Mbetem i befasuar. Hutohem pak. Pastaj qetësohem sërish. Nuk dua ta pyes Rezin: Pse?
Në arsyetimin tim herë të cekët e herë më të thelluar e gjej përgjigjen. Mbase, mund të jetë pak më e gëzueshme nga sa mund ta mendosh. E sërish kjo është dilema e përditshme e jetë-vdekjes. Por, nëse i ke mbaruar detyrimet që të kanë marrë pjesën më të madhe të jetës dhe s’të ka mbetur gjë e lënë në mes, mund të kërkosh të ikësh pak më shpejt. Kush djallin e duron plakjen, dhimbjen e shtyllës kurrizore, artritin, aritminë e zemrës... kancerin. Është një kërkesë e natyrshme brenda jo të natyrshmes, sigurisht. Sepse je ti ai që e di se energjia e mbetur do vazhdojë të të lejojë të buzëqeshësh, kur të tjerët e kanë marrë seriozisht atë që do t’u mungojë më pas.
Ti lemë argumentet. ...E gjitha kjo është një shaka sigurisht... 
Është vetëm një togfjalësh, një ide e hedhur në hapësirë. Asgjë më shumë se kaq. Mundohem të shoh ndonjë gjurmë trishtimi tek Rezarta. Asgjë në pamjen e parë. Madje dhe po t’i hidhja një vështrim të imët e kurajoz, sërish asnjë gjurmë trishtimi nuk do të gjeja. Veç një gazi të çlirët, gati të pambrojtur, që tingëllon si një qelq i hollë tek thyhet mbi syprinën e mermertë. E pra, tanimë s’ka asgjë të panjohur për të, për jetën dhe për vdekjen sigurisht. Dhe për pasvdekjen askush s’do mund ta pyesë më...
Është ajo, Rezarta Reçi, tashmë një ikonë e ekranit televiziv, e palodhur, energjike, me një serial pyetjesh në mikrofonin e saj që herë-herë duket sikur nuk duan të mbarojnë. Po ashtu, pyetjeve të mia, ajo i përgjigjet me po të njëjtën shpejtësi, krejt e shpenguar si për të konkurruar ethshëm në drejtimin e kundërt të kahut të saj. Në këtë lëvizje të shpejtë ajo ka fituar, madje edhe kur është tunduar t’i përgjigjet ekstremisht një pyetjeje krejt të tejskajshme...
Shkojmë të pimë një kafe aty pranë. Te “Noeli”. Artisë e gazetarë gjen nëpër shkallë e bar. Unë dua të bëj një intervistë me të. Pastaj ndërroj mendje. Më mirë të gdhend një portret, mendoj. Nëse ia dal, sigurisht. E për çfarë duhen intervistat në fund të fundit: njëri pyet, tjetri përgjigjet... Mos është një kurth ku ne gazetarët biem dhe kur s’duam?
Çështje profesioni.
Je bërë shumë e njohur, i them. Por ka dhe nga ata që nuk të njohin. Rezi qesh. Ajo ka një natyrë të butë. Nuk konfliktohet asnjëherë. Të bëjë sherr as që mendohet. E ka më të lehtë të hapë rrugë, teksa tjetri mund të ketë qejf të mburret në idiotësinë e tij. Emisioni i përjavshëm që transmetohet çdo të shtunë në “News24” prej 10 vitesh, me një titull intrigues “Arratia e Peshkut të Kuq”, tashmë më ka bërë të njohur dhe të vlefshme për një pjesë të komunitetit shqiptar brenda dhe jashtë vendit. “Janë me qindra personazhet e intervistuar nga unë me mikrofon, - më thotë. - Janë të shumta temat e trajtuara dhe karakteret e zbuluar, janë qindra orë transmetimi radiofonik dhe televiziv gjatë të cilave kam përçuar veten time, kulturën dhe formimin tim, kam ngritur ura komunikimi me njerëz të njohur dhe të panjohur, duke përvijuar kështu edhe portretin tim profesional. Me pak fjalë, Rezarta është gazetarja, e diplomuar për shkenca politike, që pas viteve ‘90 nuk iu nda për asnjë çast trajtimit në mënyrë të kulturuar dhe me finesë të problemeve dhe personazheve që kanë lidhje me sferat sociale, kulturore dhe artistike”.
Epo prezantimi u bë, s’na mbetet gjë tjetër veç të futemi drejt e në temë. Ta shohim Rezin më thellë, të bëjmë të njohur diçka që nuk e transmeton dot përmes pamjes në ekran apo zërit të saj. E pyes pse ka zgjedhur të bëjë gazetaren: Çfarë të ka tërhequr? “Komunikimi, - thotë shkurt. Dhe për më gjatë vazhdon: - Më pëlqen të jem vazhdimisht në kontakte të drejtpërdrejta me persona që shndërrohen në personazhe falë komunikimit, të cilët kanë se çfarë të rrëfejnë, kanë kontribuar me jetët e tyre dhe transmetojnë mesazhe. Për të shtuar këtu, që profesioni që unë kam tashmë lidhet dhe me një ëndërr time të fëmijërisë, që fati dhe këmbëngulja ime ma bënë pothuajse të realizueshme”.
A keni menduar ndonjëherë ta braktisni?
Pyetja është e menjëhershme. Përgjigja nuk vonon: “Janë bërë mbi 20 vite qëkurse nga një studio hijerëndë e Radio-Tiranës, përmes një mikrofoni që ende vazhdon të mbetet i shenjtë, iu drejtova një auditori sa imagjinar aq dhe real me ciklin e emisioneve: “Tema dhe Dilema”. Tashmë është e vërtetë që pas kaq vitesh kam edhe unë dilemat e mia për kohëzgjatjen në këtë profesion. Por e di? Sapo takoj personazhin e radhës dhe përfshihem në realizimin e një tjetër emisioni, i harroj dilemat. mbetet vetëm tema”.
E mbaj mend mirë Rezartën në Radio-Tirana. Ajo guxoi të më ftonte në studion e saj. Them guxoi pasi unë sapo kisha nxjerrë librin tim të parë, një vëllim me novela. Asokohe Radio-Tirana ishte e vetmja dhe me një audiencë të plotë. Ishte viti 1997. E regjistrova atë bisedë. E ruaj në një kasetë “HF” 60 minutëshe, model i vjetër. Sot është ndryshe, shkarkohen drejt në hard-disk. Mund ta hedhësh në FB, ose në Youtube.
Ajo ka një zë magjik. Kështu e konsiderojnë të paktën. Shumëkush vazhdon ta ruajë në kujtesë vetëm nga zëri. “Në transmetimet radiofonike arrita të krijojë imazhin e një figure, të cilës mund t’i besoje rrëfimet më të thella, më tronditëse dhe me të fshehta të shpirtrave njerëzorë, - thotë Rezi. - Por edhe ky trishtim, kjo dhimbje e madh që vërshonte gjatë komunikimit radiofonik më bëri të lumturohem dikur kur në një lokal në plazhin e Durrësit arrita të takohem me fansat e mi, me të cilët njiheshim vetëm nga zëri”.
Profesion i bukur gazetaria, të jep vazhdimisht impulse. Por i vështirë. Edhe për një mashkull madje. Kam më shumë se 20 vjet që e bëj vetë një punë të tillë. Nuk ia kam nxjerrë fundin ende. Tek e pyes nëse ndihet e privuar për shkak të profesionit, ajo më thotë: “Nuk e kam ndjerë këtë. Ndofta është shtuar herë pas herë doza e kënaqësisë, kur të komplimentojnë apo të urojnë njerëz të panjohur. Ndërsa gjithçka tjetër rrjedh thjeshtësisht siç është dhe vetë natyra ime, por edhe vetë mënyra ime e të jetuarit”.
Prej një kohe të gjatë ajo vazhdon e merret me personazhe të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare. Si e ndjen veten pranë tyre, e pyes: “Si mes miqsh, - më thotë. - Pothuajse të gjithë ato që kam njohur, takuar dhe që më pas janë bërë personazhe të emisioneve të mia janë shndërruar tashmë në miqtë e mi të mirë, tek të cilët mund të mbështetem realisht në çaste të ndryshme, ndonëse koha na bën të patakueshëm a të largët”.
“Arratia e Peshkut të Kuq” është një format i saji origjinal, i konsoliduar me kalimin e viteve. “Gjithçka është fryt i fantazisë sime dhe i frymës së bashkëpunimit me personazhet që më mbështesin me dashamirësi. Më kanë hapur me bujari shtëpitë e tyre, por jo vetëm kaq. Kanë thënë dhe zbuluar edhe strehëza të veçanta të shpirtrave të tyre dhe nuk janë penduar. Unë i falënderoj me të vërtetë”.
Më shtyn kureshtia ta pyes se çfarë ka ruajtur nga këta personazhe. “Kam një arkiv të mirë me një pjesë të emisioneve të realizuara në radio dhe televizion. Kam shënime-mbresash, kam vlerësime të veçanta nga personazhe të ndryshëm. Kam shumë libra dhe piktura të dhuruara me kënaqësi. Kam dhe një album të mrekullueshëm me foto të përbashkëta, me pothuajse të gjithë personazhet e intervistuara, të cilin sa herë që e shfletoj më bën të eci mbrapsht në rrjedhën e kohës dhe të kujtimeve. Nuk e di se çfarë do të bëhet me to kur të mos jem më, por hë për hë rrugëtojmë së bashku”.
Nuk dua të bëhem i bezdisshëm, por kjo punë kështu e ka. E pyes se si ndihet për personazhet që ikin nga kjo jetë? “Ndjej dhimbje për miqtë e mi- personazhe, të cilët kanë ikur nga jeta për të mbetur në arkivin tim të kujtesës, të fotove, të emisioneve të realizuara dhe një pjese të tyre ende nuk arrij t’i heq as emrin, as numrin e regjistruar në celular”.
I ndjek çdo të shtunë personazhet e Rezit. Janë biseda të këndshme. Ndonjëherë të dielave në ritransmetim. Sa janë bërë? “Nuk jam tip i statistikave, - ma kthen ajo. - Por afro 500”. Shumë. Dhe çfarë ke fituar nga eksperienca e tyre? “Riformatimin tim të vazhdueshëm”.
Nuk dua përgjigje më të gjatë. Ç’i do fjalët e tepërta.
E teksa pimë kafenë mendoj se ka ardhur çasti të flasim pak për jetën e saj private. Çdo javë një personazh. Punë e ngjeshur. Keni kohë të lirë? “Kur kam mundohem të ndjek jetën kulturore artistike që na ofron kryeqyteti, ndonjë kafe me shoqërinë, një gotë verë me miqtë dhe fundjavave çlodhem nëse e kaloj pranë detit”.
Ajo lexon vazhdimisht. Më qëllon që sa herë takohemi të flasim për botimet e fundit. E pyes për raportet me librin: “Vazhdoj të jem ende e magjepsur pas tij, - më thotë. - Siç dhe vazhdon dashuria ime e hershme për librin dhe njerëzit e tij, të cilët ndikuan në formimin dhe plotësimin tim. Tashmë jam në një fazë që përzgjedh çfarë lexoj dhe i gëzohem akoma pasurimit të bibliotekës familjare që nuk është e vogël”.
Po familja? Kujtohem sikur kam bërë ndonjë mëkat. Rezarta sërish buzëqesh dhe thotë: “Familja ime është e vogël në numër por e madhe në mbështetjen që më ka dhënë për t'u ndjerë e lirë ne realizimin tim si grua dhe si profesioniste. Nuk ndjehet mungesa ime sepse gjej forma dhe mënyra për të qenë prezent. Me shaka po ju them se një pjesë e mureve dhe e bibliotekës janë të zbukuruara nga fotot e mia dhe... pra: Unë jam”.
Ndërkohë ajo më tregon se është fort e lidhur dhe me vajzën e saj. “Iva, kështu quhet vajza ime, më ngjan në pamje, në karakter ka marrë nga im shoq. Tashmë është një vajzë e rritur, e diplomuar, nuk i pëlqen dhe aq “të shesë mend me mua”, por është e vetëdijshme se tek unë ka miken e thellë që nuk do ta tradhtonte për asnjë lloj arsyeje”.
E pyes për lumturinë. Ç’është e vërteta ndonjëherë më del si koncept disi absurd. Por Rezarta e ka një përgjigje: “Jam ndjerë e lumtur kur arrita t’u dhuroj një buqetë me Margarita të bardha prindërve të mi të dashur në 50 vjetorin e martesës së tyre, së bashku me nderimin tim për një jetë të tillë të gjatë e me sakrifica, me përkushtim dhe me dashuri. E lumtur jam ndjerë në ditën e diplomimit të vajzës tonë Iva. Janë shumë çaste në të cilat unë e kam prekur lumturinë dhe të gjitha së bashku më bëjnë të ndjehem kryesisht një grua me botë të pasur shpirtërore që kërkon gjithnjë lëvizjen dhe intensitetin e të jetuarit”.
Marr frymë thellë. E kishim harruar vdekjen me të cilën nisëm bisedën. Po flisnim për jetën.
Rezarta Reçi dhe Leonard Veizi
Sa herë e takoj ajo është e qeshur. Nuk di si sillesh kur nuk je në humor, i them. “Ose takoj shumë njerëz me të cilët nuk më lidhin gjëra të rëndësishme, ose ec pa mendje me makinë duke dëgjuar muzikë, ose nuk ngrihem fare nga shtrati por kjo është shumë vrastare, ose, ose vishem shumë bukur dhe trukohem shumë mirë. Miqve mundohem tua fsheh trishtimin tim sepse preferoj që me njerëzit që dua të ndaj gjëra të bukura. E thamë që jeta është e shkurtër, nuk kemi shumë kohë për të humbur”.
Mund të flasim edhe më gjatë me Rezin e “News”-it, por dua ta mbyll këtu. Prandaj e pyes: Nuk di si të ta përshkruaj karakterin, pse nuk ma thua ti? Ajo përqendrohet vetëm në dy sekonda... “Paqësore, tolerante, meditative dhe e heshtur, kokëfortë paksa, romantike dhe ëndërrimtare, një peshk që i pëlqen të notojë në ujëra të qeta dhe të paturbulluara, e dashuruar me të bukurën, finesën dhe elegancën, e vetëdijshme për rendjen e shpejtë të kohës që nuk kthehet më”.



Postuar në ResPublica 31 Tetor, 2014


No comments:

Post a Comment