Thursday, November 3, 2016

Impresion/ Kliton Nesturi sjell 10 tregime për të na rrëfyer dy epoka

 nga Leonard Veizi 

Pas “I huaj në shtëpi” dhe “Histori tangjente”, Kliton Nesturi vjen me një tjetër vëllim të ri me tregime: “Spaletat”. 

Kur një epokë zëvendëson një tjetër, zakonisht ndodh që ngjarjet ta humbasin ekuilibrin dhe rivendosja e tyre arrihet me një tjetër standard. Dhe të duash të flasësh për ngjarje që ndodhin në një demokraci tranzite, por që zanafillën e kanë prej një diktature traumatike, këtu çështja bëhet fort e komplikuar. Sepse dy epokat që i ndan një fill i hollë si “Muri i Berlinit”, ndajnë dhe psikologji krejt të ndryshme. Por edhe pse duken aq të largëta, ato janë në vazhdimësi të pandërprerë. Këtu çështja duket sikur thjeshtësohet ca. Prandaj ndodh që edhe nga disa tema tregimesh, që mbajnë një titull të vetëm mbi libër, mund të njohësh një epokë amalgamë, psikologjinë njerëzore dhe fate që rrokullisen në një humbellë të thellë.
Kliton Nesturi, një shkrimtar me 6 a 7 botime letrare e një karrierë të gjatë si realizues dokumentaresh; pra një vëzhgues i hollë ngjarjesh që di t’i materializojë në mënyrë krejt artistike, kërkon të na vërë në provë duke na dhënë një titull, për të “shitur” të gjithë vëllimin. “Spaletat” edhe pse një fjalë e vetme është po aq intriguese sa dhe një togfjalësh ritmik. Dhe padyshim, duke qenë se autori nuk e ka kostumin e tregtarit, e në pamje të parë të jep përshtypjen e një shitësi pa përvojë, opinioni i tij i pashprehur duket se adoptohet thjeshtësisht me shprehjen statike: “o të gjitha o asnjërën”. Thënë shkurt: duhet lexuar i gjithë libri për të dalë në të njëjtin përfundim. Ose thënë ndryshe: nëse i ke lexuar të dhjetë tregimet, me siguri ke marrë dhe shijen e një romani.Vëllimi në fjalë ka përkujdesjen Shtëpisë Botuese “Omsca-1”, ndërsa për redaktor mban emrin e një mjeshtri të gjuhës shqipe siç është Loredan Bubani. Kjo na jep garanci, apo bën të besojmë që ende pa e prekur librin fizikisht, se kemi të bëjmë me një letërsi serioze dhe të kualifikuar.
“Spaletat” është vetëm një tregim i Nesturit, por duke mbajtur mbi supe peshën e të gjithë vëllimit që përfaqëson, qoftë dhe simbolikisht, të dhjetë tregimet që përmban vëllimi janë përfshirë nën të njëjtën logo. Në këtë mënyrë duke i vendosur titujt si në një “pazëll” arrijmë të formojmë një mozaik ngjarjesh e të njihemi me plot personazhe që kanë identitet të shformuar, ku mund të ndjekësh si në një kaleidoskop klasik realitete të trishta jetësore.
Për shumëkënd “Bulevardi Stalin” është një term i panjohur, ose i harruar prej kohës, por Nesturi e risjell në vëmendje për të rrëfyer një dramë, e cila ndodh pikërisht në këtë segment që mban për emër ndoshta figurën më problematike të epokës së komunizmit. Dhe nëse personazhi kryesor që ka apartamentin në një nga pallatet buzë këtij bulevardi, internohet për motive politike, edhe vetë simbolika e titullit të jep të kuptosh më shumë se kaq.
Ndërsa tek “Curiculum Vitae” kemi të bëjmë me atë që unë do ta cilësoja si “ndeshje qytetërimesh”. Një femër me një jetëshkrim krejt intelektual, ku bie në sy vendlindja në një kryeqytet evropian, i duhet të përballet në zyrat e shtetit me një drejtor të ardhur nga fshati, i cili ka meritë vetëm ulërimat për partinë në fushatë elektorale, dhe që si njësi matëse për të rekrutuar personelin njeh vetëm një kandar: instinktin seksual që kërkon ta përdorë dhe si një revansh për kohën e humbur në baltë.
Kliton Nesturi dhe Leonard Veizi
Më tej, një bukiniste, (nëse do ta quajmë kështu) po shet, jo pa dhimbje, të vetmen pasuri që i ka mbetur në shtëpi; një bibliotekë. I duhet të mbijetojë në një botë nuk ka asnjë rregull, dhe që e ka shndërruar nga një juriste në një shitëse librash.
Dhe tregimet vazhdojnë me radhë...
“Por kaq sa për të cytur kureshtjen e lexuesit, - do të shkruante dikur Virgjil Muçi. - Për më tej lypset ta ngrini vetë perden e një bote, në skenën e së cilës, siç na kumton Nesturi me prozat e veta, jemi aktorë dhe autorë njëkohësisht”.
Për Kliton Nesturin, si një shkrimtar në përvojë në prozë e poezi, duket se tregimi mbetet gjinia e tij më e preferuar, përderisa me “Spaletat” e rrit në tre numrin e botimeve në këtë gjini letrare. 

Botuar në: http://www.tiranaobserver.al/impresion-kliton-nesturi-sjell-10-tregime-per-te-na-rrefyer-dy-epoka/
  



No comments:

Post a Comment