Saturday, January 30, 2016

Leonard Veizi: “Lexuesi është më i rëndësishëm se çmimet” - Altin Sinani - "Tirana Observer"

Leonard Veizi: “Lexuesi është më i rëndësishëm se çmimet”

I konsideruar si një ndër emrat më përfaqësues të letërsisë shqiptare të pas viteve ‘90, shkrimtari Leonard Veizi kërkon të na befasojë sërish me një roman të ri, për të cilin thotë se tashmë e ka përfunduar. Me një titull që mbetet ende sekret dhe një histori surprizë, romani i ri i Veizit pritet të dalë gjatë muajve të parë të vitit 2015. E vetmja që ai zbulon nga puna e tij e sapopërfunduar është fakti se këtë herë kemi të bëjmë me një roman policor, një gjini krejt e parrahur në letërsinë e post-socrealizmit.
-Zoti Veizi, si ndiheni pas botimit të “Orgjisë…”?
Botimi i një libri gjithmonë shoqërohet me dilemën se si do të pritet nga lexuesi. Asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt për suksesin. Romani, “Orgji në famullinë e at Ludovikut”, në njëfarë mënyrë i tejkaloi parashikimet e mia. Jo vetëm fabula por dhe vetë titulli intriguan aq te lexuesi sa mund ta cilësoj me plot të drejtë si një sprovë të suksesshme. Por kjo është njëra ana e medaljes. Pasi je ngopur me kënaqësinë që të sjell suksesi vjen menjëherë zbrazëtia. Të duhet të përgatitesh për “betejën” e ardhshme. Jam i mendimit se nuk ka pushim për shkrimtarin. Unë vetë futem tek ajo kategori që nuk i merr punët me nge. Dhe kështu motivohesh të vazhdosh sprovën. Bashkë me fillimin e sprovës së re ka dhe dy mundësi zgjedhjeje: e para të shkruash atë që ti ke dëshirë pa u ndikuar as nga tregu dhe as nga ndonjë faktor tjetër letrar, ose ta mendosh krijimtarinë si një garë, ku dihet cilët janë kampionët, por njeh gjithashtu dhe standardin që ke vendosur me veprën paraardhëse. Dëshira ime është që të shkruaj për qejfin tim, por njëkohësisht duke garuar. Pas “Orgjisë…” ndihem i karikuar për të nxjerrë nga duart një vepër të re e cila fillimisht do të garojë me mua pastaj dhe me të tjerët. Kjo garë e vazhdueshme, që nuk e di kur e ka fundin, më mban në një tonus të përhershëm duke e bërë gjithçka dhe më emocionuese.
-Ç’do të thotë që një autor shqiptar të botojë një roman dhe të çajë tregun në Shqipëri?
Këtu sërish përballemi me dy probleme: e para, e drejta e kujtdo për të botuar dhe e dyta, seleksionimi. Në një treg të lirë botimesh, të nxjerrësh një produkt për të cilën ke investuar mund dhe kohë, nuk ka ndonjë vështirësi. Në rastin e parë, autori që nuk ka parametrat e nevojshëm i duhet të paguajë shpenzimet për botim dhe zakonisht me botime të tilla merren shtëpi botuese të nivelit të dytë. Kjo ndodh kudo, jo vetëm në Shqipëri. Në rastin e dytë shtëpia botuese, padiskutim e kategorisë së parë, të boton dhe promovon. Të çash tregun ka vështirësi, sidomos në 10-vjeçarin e fundit kur një shkrimtar shqiptar përballet me ajkën e letërsisë botërore në të njëjtin treg, dhe kur lexuesi potencial po kalon në një stad të ri, atë të leximit elektronik, një botë ku libri shqip nuk funksionon.
-Kemi të bëjmë me krijimin e miteve të rreme, pra të një shkrimtar me emër të madh por i palexuar?
Zakonisht kjo ndodh kur shkrimtari më shumë se sa penën e tij ka të fortë lobin që e mbështet dhe atë që tanimë quhet “public relation”. Kjo duket qartë dhe në ndarjen e çmimeve letrare. Zakonisht këto çmime janë të paralajmëruara. Dhe rrallë qëllon që vepra dhe autori i paracaktuar të jenë atë vit më të mirët në tregun e letrave shqip. Zakonisht ndodh e kundërta. Dhe për këtë shkak ka pasur gjithmonë reagime.
-Si e shpjegoni handikapin që ndodh midis botimeve të autorëve shqiptar dhe atyre të huaj në tregun e librit shqip?
Është një handikap që vështirë të ketë zgjidhje, për shkakun e thjeshtë se letërsia e përkthyer është shumë më tepër se ajo që prodhohet në vend. Ndërkohë botuesit gjëmojnë të kenë të përkthyer vepra shumë të mira, me autor që kanë marrë çmime ndërkombëtare, apo veprat e tyre janë të shpallura “bestseller”. Pra cilësisht është gjithashtu letërsi e një niveli të lartë. Dhe kjo e gjitha ndikon që lexuesi potencial që futet në librari t’i drejtohet stendës me letërsi të huaj.
-Pse është e vështirë të pranohesh nga shqiptarët si autor shqiptar?
Gjithmonë kam qenë i prirë të besoj që pasi u dendëm me letërsinë ku mbizotëronte skematizmi i realizmit socialist me heroin pozitiv në krye, pas viteve ‘90 letërsia shqiptare ra në një vakum, ku u prodhuan hibride që lanë shije të keqe të lexuesi. Ajo që ndodhi për 10-12 vjet me radhë është vështirë të rikuperohej për 10-12 vite pasardhëse. Shija e keqe që la letërsia e kësaj periudhë bëri që lexuesi të ishte më pak i vëmendshëm ndaj autorit shqiptar dhe të kërkojë që këtë vakum ta mbushte me autorë të huaj. Për fat gjatë kësaj periudhe erdhën në shqip shumë vepra të munguara të letërsisë klasike si dhe autorë bashkëkohorë e nobelistë. Kjo ishte ajo që vulosi dhe fatin e shkrimtarit shqiptar i cili edhe në këto kohë vazhdon të mbetet në prapavijë.
-Ndërkohë disa shkrimtarë shqiptarë pretendojnë se janë shitur në disa dhjetëra-mijë kopje?
Nuk është në këtë rast dua të bëj gazetarin investigativ, por gjithsesi nga gjithçka kam mundur të marr si informacion mbi këtë çështje, me rezulton se “X” apo “Y” autor, për të cilin është deklaruar se ka të shitura disa mijëra kopje është një spekulim.
-Sa ndikon në tregun botëror të librit të qenit e shqipes gjuhë e vogël?
Na u desh vite që të kuptonim se shqipja është gjuhë e një vendi të vogël, përballë oqeanit të anglishtes, frëngjishtes, spanjishtes apo dhe gjermanishtes dhe rusishtes. Shtëpitë botuese në perëndim i hedhin pak sytë nga gjuhët vogla. Ose këto vende, ku hyn dhe Shqipëria, kanë mekanizmin e “pompimit” të një autori që pretendohet se ka vlera. Për këtë shkak autorë shqiptarë të përkthyer në gjuhët e mëdha janë të paktë.

-Me gjithë këto vështirësi që ndikojnë në jetën shqiptare pse shkruani?
Të shkruarit letërsi tanimë për mua është mënyrë jetese. Kam menduar për letërsinë që në fëmijërinë time dhe nuk mendoj se është koha ta braktis edhe pse nuk janë ditët më të mira të saj.
-Kur mendoni se do të dominojnë shkrimtarët shqiptarë tek lexuesi shqiptar?
Duket sikur koha kur letërsia dominante tanimë ka kaluar. Vitet ‘70-‘80 ishin më të mira për shkrimtarët shqiptarë për tre arsye; e para shteti investonte fort për ta me qëllim forcimin e propagandës, e dyta autorët e përkthyer ishin me pikatore dhe e treta zhvillimi teknologjik nuk kishte stadet e sotme. Megjithatë numri i njerëzve që rreken të shkruajnë është i madh.
-Ku mendoni të arrini ju?
Nuk hyj tek ata megalomanë që mendojnë se do të marrin “Nobelin” në letërsi. Megjithatë edhe unë kam vendosur disa piketa të mia, për të cilat punoj vazhdimisht, ia arrij apo nuk ia arrij këtij qëllimi. Fillimisht dua që letërsia ime të përhapet sa më shumë te lexuesi shqiptar kudo që është ai. Pas kësaj vjen radha e përkthimit.

No comments:

Post a Comment