Nga
Leonard Veizi
Mos prisni që në Kuvendin e Shqipërisë të
dëgjoni gjëra të mençura e me perspektivë shumëvjeçare. Atje nuk zhvillohet
ndonjë mbledhje e Akademisë së Shkencave dhe as ndonjë simpozium shkencor me të
rejat më të fundit nga fusha e Albanologjisë. Në fakt, atje është ringu ku burrat
bëjnë më keq se gratë e provincave, të cilat zihen ose nga maja e ballkonit,
ose përballë portave me sofat, që i ndan një rrugicë kalldrëmi.
Kuvendi i Shqipërisë së sotme nuk ka të
bëjë me Kuvendin e Burrave të djeshëm, ku duhet ta masje bythën mirë e të
nxirrje ndonjë fjalë pa mend nga goja. Se peshën e asaj fjale do ta mbanin mbi
supe edhe brezat pasardhës.
Kuvendi i sotshëm në fakt e ka humbur rëndësinë
e dikurshme dhe është kthyer në... Parlament. Dhe etimologjia e fjalës “parlament”
vjen nga latinishtja “parlamentum” e për
rrjedhojë nga italishtja, ku “parla” do të thotë “fjalë” apo “me fol”. Dhe
italianët, meqenëse janë ca si popull që flasin pa doganë, i shkon për shtat
dhe termi “Parla”ment.
Ndërsa për ne shqiptarët, që jemi
mbajtur për burra pushke e me mustaqe dy pëllëmbë sa që mund t’i lidhje pas
koke, nuk kanë vlerë fjalët e tepërta. Ne kemi qenë popull aksioni dhe në logun
e burrave nuk përmendeshin defektet e të tjerëve, si për shembull: t’i mblidhje
rripat a t'i bëje presion një burri që kishte shtëpinë në majën e kodrës duke i përmendur se na
paskësh zënë një dashnore që jetonte pranë bregut të lumit.
Kjo histori ka të bëjë me të shkuarën,
se sa për të tashmen...
Sot në Parlament të përmenden gjithfarë horrllëqesh;
që ke dashnore, që ke bëre letrat e divorcit me gruan, që ke para të fshehura në
dyshek, që je hajdut me çizme, ashtu si “maçoku” që në një nga nëntë jetët e
tij kishte qenë hajduti më i madh në Santiago De Compostela.
Turli akuzash, fyerjesh e fjalësh pa masë
e peshë thuhen në sallën e sotme të Parlamentit Shqiptar. Dhe burrat e mileniumit
të ri nuk kanë më qylafë në kokë dhe as mustaqe demode, por mbajnë kollare me
ngjyra dhe pasi modelojnë mjekrat në qendra estetike u hedhin një kile parfum
“Victoria Secret’s”. Ata dinë ta përballojnë me dinjitet një fyerje publike,
dhe kur i shajnë nga nëna, nga motra a nga gruaja, nuk janë aq gjaknxehtë e
tendenciozë sa të nxjerrin “10-tëshen” e mbushur plot e përplot, a ndonjë kamë
të fshehur në çorape.
Dhe pastaj na akuzojnë ne shqiptarëve se
marrim zjarr me një fije kashte.
Thënë shkoqur, Parlamenti sot është kthyer
jo në “folezën” e burrave llapazanë, por në stallën e meshkujve llapaqen.
Domethënë kur i jep e i jep gojës më shumë se të mban gurmazi, nuk mund të
quhesh më burrë zamani dhe as burrë llapazan në rastin më të keq por: llapaqen.
Historia e Parlamentit të Shqipërisë është
unik për llojin e metamorfozës së tij. Gjen në seancat e tij; shpërthime
frenetike, gjuajtje me këpucë e çizme, hedhje mielli e vezësh, goditje me grushte
e me bidona uji, sharje me libër shtëpie. Nuk ka problem në parlamentin tonë të
dëgjosh se “X” e ka gruan kurvë, ndërsa “Y” motrën prostitutë. Dhe e gjitha kjo
e bën të trishtueshme historinë parlamentare të 30 viteve të fundit.
Por shumë e shumë e marrin me të qeshur
të enjten e seancave. E kanë braktisur “Portokallinë”, nuk e kthejnë kanalin
nga “Al Pazari” dhe e shohin me përçimin “Duplex"-in.
"Je në vete, kemi parlamentin që të gajas
fare. Dhe jo me humor të stisur, me skenar të shkruar, regji të përcaktuar e
aktorë të sforcuar në role. Ata janë vetvetja, janë origjinalë fare, pa
makijazh e paruke në kokë, dhe të dhjesin gazit".
Kjo duhet të jetë e vërteta e ditëve të sotme, krejt moderne dhe mëse të kuruar, që burrat e shtetit të mos duken aq të pagdhendur në sallën e miratimit të ligjeve, sa të nxjerrin nga thellësia e shekujve Kanunin.
Ata janë të përmbajtur tanimë. E gëlltisin me vetëmohim fyerjen.
Kjo duhet të jetë e vërteta e ditëve të sotme, krejt moderne dhe mëse të kuruar, që burrat e shtetit të mos duken aq të pagdhendur në sallën e miratimit të ligjeve, sa të nxjerrin nga thellësia e shekujve Kanunin.
Ata janë të përmbajtur tanimë. E gëlltisin me vetëmohim fyerjen.
Ndaj, mos prisni që në Kuvendin e Shqipërisë
të dëgjoni gjëra të mençura e me perspektivë. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë
simpozium shkencor. Sepse aty edhe kur flitet për gurin themeltar të shtetit;
Kushtetutën, i bëhet një skanim fjalorit me shprehjet e rralla nga i cili
huazojnë me shpejtësi togfjalësha të tipit: nga “lavire bulevardi” deri tek
“dobiçat” që dalin në dritë pas ekspertizës mjeko-ligjore të ADN-së.
Botuar në
Botuar në
http://lexo.com.al/parlamenti-vendi-i-burrave-llapaqen/
http://www.javanews.al/parlamenti-vendi-i-burrave-llapaqen/
http://vizion.com.al/parlamenti-vendi-i-burrave-llapaqen-nga-leonard-veizi/?fbclid=IwAR1QgStYjuBfBmd8IpmdRKGZUEJ9WtLZqnOf2ccuzxfSaFoC08eHVhzOQ9Yhttps://blog.alpenews.al/leonard-veizi-parlamenti-vendi-i-burrave-llapaqenhttp://www.javanews.al/parlamenti-vendi-i-burrave-llapaqen/
No comments:
Post a Comment