Tuesday, March 26, 2024

Sazani, misteret e një ishulli në kohë lufte dhe në kohë paqeje



Nga Leonard Veizi
 
Ne kishim besuar se Sazani, bashkë me Karaburunin, i veshur me çelik e beton, si “vija e parë e frontit” me armikun e mundshëm, ishte një barrikadë e fuqishme për t’i bërë ballë çdo invazioni të supozuar. Sepse kështu ishte shprehur Enver Hoxha në një nga aktivet e Partisë së Punës: “Kyçin e Otrantos e kemi ne shqiptarët. Sazani dhe Karaburuni, pa pasur frikë se them ndonjë sekret, janë shkëmbinj të veshur me hekur e beton, ku s’kalon dot flota ushtarako sovjetike”
Dhe këtu sipas Hoxhës bëhej fjalë për Flotën Sovjetike e cila mund t’i vinte në ndihmë Ushtrisë Jugosllave në rast të një konflikti të hapur me shqiptarët, por nuk përmendej aspak Flota e 6-të amerikane, e cila vinte vërdallë nëpër Mesdhe.
Gjithsesi kjo kishte të bënte me luftën konvencionale të shekullit të kaluar. Në ditët e sotme, më shumë se një ishull lufte, Sazani shihet si një ishull turistik. Dhe nëse në të shkuarën ka ngrënë shumë para për beton e armatim, nuk është çudi që në të ardhmen e afërt të fillojë e të prodhojë para duke u përdorur për plazh e argëtim.
 
Historia luftarake
Ishulli i Sazanit, i cili po përflitet kaq shumë në ditët e sotme, si një vend ku pretendohet të ngrihet një resort luksi, ka një histori mijëvjeçare, ku në vazhdimësi është trajtuar si një pikë dominuese, lufte e mbrojtje. Dhe historia nis që nga përplasjet e Cezarit me Pompein në tokën ilirike, për të vazhduar me të gjithë llojet e ushtrive të mëdha që kanë kaluar mes Lindjes dhe Perëndimit, ku kanali i Otrantos ishte dhe mundësia më e mirë e lidhjes.
Ishulli ka dy pika dominuese një në atë Veriore, që është më e larta, plot 342 metra dhe në atë Jugore, me lartësi 331 metra. Si dhe ka një vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 km, të thyer, me përbërje shkëmbore monolitike.
Duke qenë se ushtarakisht nga Sazani kontrollohet i gjithë bregdeti shqiptar si dhe kanali i Otrantos, gjatë Mesjetës ishulli u vendos në zotërim të Venedikut. Por edhe mbreti Ferdinand i Napolit në vitin 1481 e ka përdorur Sazanin si bazë ushtarake.
Në shekullin e XV-të u pushtua nga osmanët, aq sa dhe limani i njohur i Orikumit mori emërtimin: Pasha Liman.
Por gjatë Luftërave Ballkanike ishulli i Sazanit është pushtuar edhe nga Anglia. Ndërsa gjatë Luftës së Parë Botërore ishulli ra nën zotërimin e Italisë e cila e mbeti nën sundim deri në vitin 1943, kur Shqipëria u pushtua nga trupat e Rajhut gjerman. Më 21 tetor 1944 ishulli u çlirua nga Ushtria Nacional Çlirimtare duke u bërë pjesë e shtetit Shqiptar.
Gjatë periudhës së “Luftës së Ftohtë”, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, u shndërruan në një ndër pikat kyçe të Kampit Socialist në Mesdhe. Në vitin 1954 në ishull, pas ndërtimit të bankinave prej betoni u krijua skuadrilja e parë me 12 katër silurues të modelit Pr.123 bis, prodhim rus.
Në vitin 1959, në bazë të një marrëveshje dypalëshe, sovjetikët sollën në Sazan 12 nëndetëse, - të cilat në kodin e NATO-s njiheshin si “Whiskey”, - 4 prej të cilave - “C-241”, “C-242”, “C-358” dhe “C-360”  - do t’u dorëzoheshin forcave detare shqiptare. Bashkë me to erdhi edhe baza lundruese “Vladimir Nemçinov”.
 
Ndjesi personale
Në ishullin e Sazanit personalisht mund të kem qenë 10 apo 12 herë. Ndoshta dhe më shumë. Por asnjëherë për turizëm. Nuk është se kam mbajtur shënime dhe as kam mundur të bëj fotografi. Jo vetëm sepse nuk mund të pozoje me bluzën me vija të ngushta bardhe e blu pranë një anije luftarake me silura e raketa, por sepse në vitin 1988 ende nuk kishin dalë në përdorim celularët të cilat të japin dorë të bësh selfie pa pasur nevojën e ndihmës së ndonjë amatori.
Pikërisht në vitin 1988 isha rektutuar nga Baza Ushtarako Detare e Vlorës, - që shkurt njihej me emrin BUD, - për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Dhe meqenëse shërbeja në një anije lufte, e destinuar kundër nëndetëseve, si Gjuajtësi Detar, ndalimet në Sazan, qoftë dhe për të marrë frymë e për t’u çlodhur pak, ishin të zakonshme. Padyshim, nuk kam ndërmend të them se ishullin e njoha në pëllëmbë të dorës, por gjithsesi isha i përgatitur më shumë se të tjetër për të kuptuar se si funksiononte jeta ushtarake dhe ajo civile në vend me dhjetë pallate trekatëshe e një klub, por me 162 gryka zjarri dhe një regjiment katrash silurues.
 
Dëshmia e një komandanti
Vite më pas, në një intervistë që kam realizuar me Kolonel Sulejman Abazin, - i cili ka qenë dhe komandanti i Garnizonit të Sazanit, për të paktën 6-të vite me radhë, - kam mësuar edhe më shumë gjëra për ishullin strategjik. Ai ka rrëfyer për lexuesit e gazetës të fshehtat e ishullit, i cili në vitet të socializmit, ishte i disponueshëm me ushqime, karburant e municion, për të përballuar një luftë 6 mujore, të projektuar në hartat e shtabit.
 
Fuqia ushtarake e një ishulli të armatosur
Po çfarë fortifikimi dhe potenciali kishte ishulli? Kësaj pyetje ish komandant Sulejman Abazi gjatë intervistës në fjalë i është përgjigjur: Në ishull, efektivi i kohës së luftës shkonte deri në 2780 vetë, ndërsa për kohë paqe ishte i kompletuar në masën, 45%, një normë e lartë gatishmërie, pa llogaritur këtu forcat e gatshme të Regjimentit i Katër Siluruesve dhe anijeve mbiujëse, të cilat në vitit 1988 u zhvendosën në bazën e Pasha Limanit.
Sipas ish komandantit: Organika e kohës së paqes, në çdo kohë rezultonte e kompletuar 100%. Me mbi 290 oficerë, mbi 100 nënoficerë dhe me 1000 ushtarë aktiv të dy viteve të shërbimit, në një hapësirë aq të ngushtë, detyra në ishull kërkonte përgjegjësi të lartë. Ishulli i Sazanit ishte i vetmi vend në territorin e Shqipërisë, ku lejohej fortifikimi për mbrojtje në rrethim.
Në disa rajone mbrojtje batalionesh, vetëm për mitraloza të rëndë dhe automatikë kishte 2840 qendra zjarri dhe një sistem të gjerë tunelizimi për strehimin e rezervave të municioneve, ushqimeve dhe gjithçka tjetër që nuk duhej të ishte në sipërfaqen e tokës.
Në sqarimin e tij të mëtejshëm kolonel Abazi tha se në sistemin e mbrojtjes rol të veçantë kishte artileria bregdetare, ajo tokësore dhe artileria kundërajrore. Regjimenti Bregdetar i Ishullit ishte me 6 bateri të kalibrit 85, 100 dhe 122 mm top obuz, me një larghedhje nga 11.9 km deri në 24 km.
Artileria tokësore ishte e mbështetur në grupin e mortajave 120 mm, bateritë e topave 76 mm dhe në topat reaktivë 12 grykësh, me një fuqi zjarri të madhe. Në mbrojtjen kundërajrore dominonte kalibri 57, 37 dhe 14.5 mm, Ishulli i Sazanit mbrohej nga mbi 162 gryka zjarri gjithsej dhe me një kryqëzim zjarr me bateritë e artilerisë në Karaburun, Zvërnec dhe bregut të Vlorës.
 
Ishulli ushtarak dhe jeta civile
Duke folur për jetën e ushtarakëve dhe familjet e tyre në një vend të izoluar si Sazani, ish-komandanti është shprehur: “Në Ishullin e Sazanit funksiononte një qendër e banuar, me rreth 148 familje. Në vitet 1972-‘74 në ishull u ndërtuan pallate trekatësh, veç ndërtesave ekzistuese, duke e përmirësuar ndjeshëm jetesën. Për banorët e ishulli, rreth 480 vetë, ishte e lehtë sepse ata gëzonin privilegje nga shteti në trajtimin ushqimor, arsimor, të ndihmës mjekësore, të pajisjes me elektroshtëpiake, furnizime të veçanta, me librari, bibliotekë, kinema falas, kopsht dhe çerdhe për fëmijë, shkollë 8-vjeçare (rreth 80-90 nxënës), të trajtuar 100% me bursa të zgjedhura etj. Por për ta ishte edhe e vështirë, sepse nuk mund të hapnin dyert e shtëpive për njerëzit e tyre, veç babait, nënës, motrës dhe vëllait. Për një rast urgjent, duhej të vihej në dispozicion mjeti i shpejtë i lundrimit për të dalë kohë pa kohë në Vlorë”.
 
Ishulli, një fortesë e papushtueshme
Për të paktën 6 vite me radhë ai ka qenë jo vetëm banor i ishullit, por dhe komandant i krejt garnizonit ushtarak. Por çfarë ishte ishulli i Sazanit në vetvete, për sa i përket efektit të mbrojtjes si një bazë strategjike? Kolonel Sulejman Abazi shpjegon: “Ishulli i Sazanit, si një “objekt i rëndësisë së veçantë” në kuadrin e mbrojtjes bregdetare dhe mbrojtjes së përgjithshme të vendit, ishte një nga pozicionet prej nga ku kontrollohej porta e Adriatikut dhe e Jonianit, si pika më e avancuar në perëndim të vendit. Në një sipërfaqe të kufizuar, 5.8 km katrorë dhe një perimetër 11.3 km, me rreth 2.8 km katrorë në pjesën lindore të pyllëzuara me pishë dhe pjesa tjetër e mbuluar nga shkurre, që shkonin deri në lartësinë 2-2.5 metra, me një terren shkëmbor në 60% të sipërfaqes së tij, me një sistem rrugor jo fort të mirëmbajtur deri në 60 km, me disa kilometër tunelizime, me një sistem ndërlidhje nëntokësore, me një central elektrik me kapacitet të mbante deri në dy lagje të qytetit të Vlorës, me rezerva karburanti dhe uji të mjaftueshme dhe me shumë elementë të tjerë ndihmues logjistik, ishulli i Sazanit, në planizimin luftarak rezultonte të luftonte 6 muaj në rrethim, pa asnjë ndihmë nga jashtë. Në rezervat ushqimore ruheshin mbi 600 ton miell, që freskohej në çdo 3 muaj dhe një mori artikujsh, që plotësonin për çdo racion ditor deri në 3300 kalori për individ. Rezerva farmaceutike dhe veshmbathjet për kohë lufte i shtoheshin kujdesit që çdo element të ishte i mbështetur sipas përllogaritjeve të bërë nga specialistët".
Po sipas kolonel Abazit: "Në çdo sekondë në ishull, afërsisht 360 vetë ishin në shërbim drejtimi, shërbim roje dhe shërbim kufiri. Ky ishte Ishulli i Sazanit, ku toka, njeriu dhe arma ishin bërë një trup i vetëm”.
 
Të tjera
Duhet thënë se një anije e pagëzuar si “Postali”, ishte anija e përhershme që bënte rrugën Vlorë- Sazan.
Veç pallateve të banimit, shkollës dhe kopështit për fëmijë, në sazan kishte dhe, kinema si dhe vatër kulture.
Në ishull, shërbyen qindra e qindra ushtarakë, si ata shumë-armësh, ashtu dhe të Flotës Detare
Duke qene se Sazani ishte një ishull i thatë uji vinte nga Vlora me një anije çisternë.
Sa i përket ndriçimit dhe ndërlidhjes telefonike, gjithashtu kjo bëhej e mundur me kabllot nënujorë po nga Vlora.
 
Ishulli sot dhe nesër
Ne si shqiptarë, në 28 mijë kilometra katrorë ku shtrihet Republika, kemi vetëm Sazanin me sipërfaqe 5.7 kilometra katrorë, të cilin e mbajmë fort, dhe dy tre mini-ishuj që nuk shërbejnë për gjë. Shteti fqinj, Greqia, ka ishuj pafund, një pjesë e mirë të të cilëve janë kthye në atraksione të fuqishme turistike. Personalisht, nuk është me me intereson shumë nëse në Sazan investon dhëndri i Trampit, djali i Trampit, apo vetë Trampi. E rëndësishme është që Sazani nga një ishull i fjetur dhe pa asnjë aktivitet, të kthehet në një industri prodhuese.
 

No comments:

Post a Comment