Friday, March 29, 2024

I lumtur deri në... budallallëk

Nga 
Leonard Veizi
 
Të lumtur në jetë të jetëve...
Epo kjo është sentencë krejt folklorike. Sepse realiteti nuk do shumë mund për t’u kuptuar se është më shumë i trishtë. Dhe njerëzit në mungesë të lumturisë reale, kanë shpikur përrallën. Aty dhe vetëm aty njeriu mund të arrijë gjëra që s'i arrin dot në realitet. Dhe vetëm aty mund të jetë i lumtur në jetë të jetëve.
Për të qenë të sinqertë deri në fund, duket krejt utopi të gjesh a të mendosh se ka njerëz që u shkëlqen fytyra nga lumturia. Nga dhjami po, gjen sa të duash. Por nga lumturia...? Edhe nëse gjen, duket të jetë një jonormalitet. Përderisa akrepat e orës i kanë mbetur në tre pa një çerek.
U motivova të shkruaja mbi një temë të tillë, kur mësova se 20 marsi na qenkësh ditë feste. Mendova se do ishin gabuar ata që ma thanë, dhe se në të vërtetë festa kishte të bënte me datën 22 mars që është dhe Sulltan Novruzi i Bektashinjve. Por jo, gabimi ishte imi.
Gjithsesi bëra një kërkim, nisur nga fakti se 20 marsi na qenkësh Dita e Lumturisë. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, - e cila mendon vazhdimisht për ne, - ka shpallur një rezolutë në korrikun e vitit 2012, sipas të cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit pikërisht më 20 mars.
Epo kësaj i thonë të ngopesh me tasin bosh, e me lugën e zbrazët.
Po ç'kuptim ka fjala “lumturi”?
Hap fjalorin. Ai më sqaron: Të qenët i lumtur, gjendja e atij që gëzon të gjitha të mirat; ndjenja dhe gjendja e kënaqësisë së thellë dhe e gëzimit të madh që kemi kur na plotësohet një dëshirë e zjarrtë, kur ia arrijmë një qëllimi të lartë, kur gjithçka na vete mbarë.
Oho... u bë deti kos më duket.
E si ta kuptojmë këtë?
Demek është në gjendje deliri, fjala vjen, ai që kap tre shtata, që i bie bingo ose xhekpoti... Një nga këto duhet të jetë ma merr mendja, sipas asaj që na shpjegon fjalori. Ndryshe nuk ka si shpjegohet “kënaqësia e thellë”.
Kënaqësia lidhet edhe me ushqimin, fjala vjen të hash një pjatë të preferuar. Por a është kjo “e thellë”? Ca si zor.
Ah po, nëse ke rënë në dashuri të pamundur dhe papritur e papandyer, ëndrra realizohet. Kjo po, mund të sjellë lumturinë. Ndoshta në jetë të jetëve, ose deri sa “vdekja të na ndajë”.... ose, ose deri sa të na ndajë... gjykata.
Këta të Kombeve të Bashkuara e kanë të terezi o vëlla. S’kanë lënë ditë të vitit pa i bërë nga një bisht. Dhe kjo e Lumturisë është si qershia mbi tortë.
Duket qartazi se nuk mund të ketë lumturi “të përjetshme”. Aq më tepër për çështjet dashurore, kur mbaron një fazë e nis një tjetër. Dhe dashuria më e madhe për njeriun, ajo që e bën realisht të lumtur, me sa duket janë paratë. Sa mirë do ishte të punonim të gjithë nëpër banka, e të shihnim aq para sa të na ngopej syri. Mbase do kishim një sens lumturie më të zgjatur në kohë.
Ikën ndjenjat. Mbeti ana materiale. Imagjinoni kur të na fusin dhe atë çipin që na kanë premtuar. Atëherë “lumturi” nuk do të ekzistojë as si fjalë.
Thonë, se lumturia është një gjendje emocionale e ndjesive të kënaqësisë dhe gëzimit të skajshëm. Njerëzit e përjetojnë atë kur ndjehen të kënaqur, të realizuar dhe të plotësuar me jetën e tyre. Por thonë se lumturia ndryshon nga një person në tjetrin dhe mund të vijë nga suksesi personal, marrëdhëniet e mira, realizimi i qëllimeve dhe shumë faktorë tjerë.
Kush thotë, do pyesni ju? Teoricienët, e kush tjetër.
Jo mo, po kaq teorike sa e bën literatura, bie në dëshpërim të thellë që në paragrafin e parë jo më të vazhdosh më tej.
Është vështirë që në një botë si kjo që po jetojmë të gjesh prototipin e njeriut të lumtur. Mund të gjesh prototipin e njeriut të pasur, të ngopur dhe të dehur, por jo të lumtur. Mund të shohësh pafund njerëz të depresuar edhe pse Depresioni i Madh ka kaluar në SHBA dhe BE të paktën 95 vite më parë.
E për çfarë na duhet Dita e Lumturisë?
Platoni mendonte se vetëm njerëzit që ndjekin parimet e moralit mund të jenë të lumtur.
Aristoteli thoshte se “lumturia varet nga vetja jonë” dhe besonte se lumturia ishte qëllimi përfundimtar i ekzistencës njerëzore.
Në filozofinë e Shopenhauerit lumturia shpreh aktet egoiste të cilat janë të drejtuara nga interesi vetjak, ku vetëm dhembshuria është diçka morale.
Niçja besonte se lumturia ishte një lloj fuqie që njerëzit mund të ushtronin mbi botën përreth tyre.
Frojdi kishte një tjetër qasje për lumturinë. Ai sugjeronte që instinktet biologjike kanë frenat e drejtimit të jetës, ndaj sipas tij dhe lumturia arrihet atëherë kur këto instinkte plotësohen.
Eh, ç'na gjeti!
Domethënë, lumturia është një lloj orgazme, që sado e gjatë të jetë, përsëri është e shkurtër. Dhe njeriu bie përsëri me këmbë në tokë. E nis të mendojë për hallet që i kanë hipur në kurriz njëra mbi tjetrën. Ky këndvështrim është si ta shikosh gotën gjysmë bosh... por si e ke parë ca më parë gjysmë plot.
Ç'është e vërteta, të shohësh një njeri të lumtur mes mijëra të dëshpëruarish, me siguri do të duket asocial, për të mos thënë fare budalla.
A duhet të kemi frikë nga lumturia?
Përgjithësisht njerëzit i tremben asaj edhe pse e kanë ëndërruar pafund. Sepse në stereotipin njerëzor, pas një lumturie të madhe me siguri vjen një fatkeqësi. Kerofobia është termi psikologjik që tregon frikën nga lumturia.
Megjithatë e themeluar që në vitin 2006, Dita Ndërkombëtare e Lumturisë festohet në mbarë botën në 20 Mars. Dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, e ka cilësuar lumturinë si një qëllim themelor për t’u ndjekur nga të gjithë njerëzit.
Epo ta gëzojmë festën!


No comments:

Post a Comment