Friday, March 22, 2024

Po vijnë shqiptarët


Nga 
Leonard Veizi
 
Po vijnë shqiptarët.
Ky togfjalësh të kujton një shprehje më të lashtë: Po vijnë barbarët. Por jo se janë të barasvlershëm. Madje jo se fjala barbar ka një kuptim kaq negativ, sepse nga historia kemi mësuar së grekët dhe romakët e vjetër quanin barbarë të huajt, që nuk flisnin gjuhën e tyre dhe që i mbanin si më pak të pazhvilluar. E meqë kaluam në botën antike, togfjalëshi i mësipërm po aq vjen si përshtatje edhe përmes titullit të një prodhimi filmik italian i vitit 1962 “Arrivano i titani” që në shqip vjen si: “Arritën titanët”.
Po vijnë shqiptarët...
Një lajm i atashuar së fundmi bën me dije se: shqiptarët po vijojnë të ikin nga vendi i tyre i origjinës me ritme që janë ndër më të lartat në botë, në raport me popullsinë, duke u drejtuar në shtetet e Bashkimit Evropian për të kërkuar azil.
Sa për kuriozitet, sipas Eurostat, në 2023 kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Evropian, ose 331 aplikime për 100 mijë banorë, nga 17 aplikime për 100 mijë banorë, që është mesatarja e të gjithë aplikimeve në BE.
Në raport me popullsinë këto shifra tregojnë se Shqipëria është e treta në botë për aplikimet e larta për azil në raport me popullsinë, pas Sirisë që është në vend të parë dhe pas vendit të dytë që e mban Gjeorgjia.
Po vijnë shqiptarët...
Në fakt shqiptarët kanë shkuar gjithmonë nëpër Evropë, edhe 100 vite më parë, dhe ka plot vende ku ata kanë ngritur komunitetet e tyre. E çfarë pune i prishi Evropës kjo? Shqiptarët kanë kërkuar punë dhe kanë punuar. Tjetër gjë që vitet e fundit kanë bërë dhe ndonjë dallavere. Ndoshta kjo në njëfarë mënyre e rikthen në vëmendje shprehjen e vjetër tashmë: Po vijnë shqiptarët.
Sepse ishin shqiptarët ata që shkuan me anije drejt një vendi Evropian si Italia, ku brenda 24 orësh zbarkuan në portet e Brindisit të paktën 25 mijë prej tyre. Ca kohë më vonë vetëm transoqeaniku 12 mijë tonësh “Vlora” zbarkoi në Bari të paktën 20 mijë shqiptarë që kërkonin portat e perëndimit. Për të mos thënë që disa mijëra të tjerë kaluan kufirin tokësor në këmbë. Kjo padyshim e shokoi botën perëndimore që kishte vite që jetonte në mirëqenie, dhe që prurjet e pakta nga bota e tretë i shihte si njerëz që do t’u pastronin rrugët dhe kanalet.
Por gjithsesi shqiptarët nuk janë më ata të parët. Nuk janë më njerëzit e ndrydhur nga diktatura më e egër e ish-kampit socialist. Edhe pse vazhdojnë të kërkojnë rrugë të reja për të rritur mirëqenien e tyre që është e dukshme që nuk e realizojnë dot në trevat ku kanë lindur.
Po vijnë shqiptarët...
Duke iu referuar mediave të huaja shtypi vendas shkruan se aplikimet e shqiptarëve për në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian janë kryesisht për arsye ekonomike. Të dhënat e Eurostat tregojnë se Franca vijon të jetë vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, Gjermania renditet e dyta.
Po vijnë shqiptarët...
Ky togfjalësh nuk tremb më njeri, duke parë se shqiptarët jo vetëm nuk janë gogolë, por madje janë integruar thellë e kanë marrë në dorë çelsa të rëndësishëm portash në vendet ku jetojnë. Kështu që shqiptarët në perëndim nuk janë më kërcënim, ashtu si vikingët e Ragnar Lothbrok-ut të cilët gjatë shekullit IX kryenin bastisje të shpeshta kundër Britanisë ishullore por dhe ndaj Francës në kontinent.
Një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara, që mat cilësinë e jetesës përmes indeksit të lumturisë parashtroi se Shqipëria mbetet ndër shtetet më të palumtura në Evropë, duke lënë pas vetëm Turqinë.
Ndërkohë, si për ironi të fatit, sapo kaluam dhe Ditën e Lumturisë. Sepse që në korrikun e vitit 2012, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, ka shpallur një rezolutë, sipas së cilës Dita Ndërkombëtare e Lumturisë do të shënohet çdo vit më 20 mars.
Po vijnë shqiptarët...
Sepse shqiptarët vazhdojnë të ikin nga atdheu. Ai nuk ua përmbush dot dëshirat.
Tani ç'është e vërteta, kur shkojnë në emigrim, edhe punojnë më shumë edhe sillen më mirë. Por kur kthehen në vendlindje, punojnë më keq, sillën edhe më keq. Pastaj ankohen se Shqipëria është një vend që nuk bëhet dhe përsëri hedhin torbën krahut, për të shkuar në “tokën e premtuar”.
Është ca e koklavitur marrëdhënia e shqiptarëve me vendin e tyre. Në tryeza kafenesh, ku kalojmë kohë me shumicë, s’lëmë gjë pa e sharë Atdheun tonë. Ndaj shumica e kanë mendjen për të shkuar në Evropë, e ca të tjerë për të kaptuar oqeanin e për ta gjetur veten, o në Kanada, o në Amerikë, o në Zelandë të Re e Australi.
A ka më tej se kaq? 
Gjithsesi shqiptarët, në shumicën dërmuese të tyre pëlqejnë të strehohen në vendet evropiane dhe të jenë shtetas besnikë të një federate si Bashkimi Evropian. Në mënyrë krejt instinktive ata po luajnë një kartë paneuropiane, duke e bërë të dukshme që kufiri i tyre është deri në Lisbonë nga perëndimi, me një shtrirje deri në Sofje apo Bukuresht nga Lindja. Shumë më të pakët janë shqiptarët që preferojnë të kapërcejnë Bosforin për të shkuar në tokat e ish-perandorisë, ku deri dje kemi shirë, kemi bërë të parin e vendit duke lënë dhe një komunitet 5 milionësh. Prandaj dhe kur na i do puna, e quajmë njëri-tjetrin vëllezër, apo “erkek kardeş” siç thonë vetë turqit e sotëm.
E që të mos largohemi nga tema...
Revista “Monitor” duke iu referuar fakteve të fundit bërë publike nga Eurostat, shkruan se: gjallërimi i emigracionit vitet e fundit po shkakton deformime të mëdha në ekonominë e vendit, që nga disponueshmëria e fuqisë punëtore...
Por kjo pak i intereson njeriut shqiptar, i cili kujdeset vetëm për veten, apo dhe për familjen e tij. Kjo ka të bëjë me shtetin dhe politikat e tij. Dhe rregulli do të jetë kthyer në invers vetëm kur ne të arrijmë të themi për veten: Po vijnë shqiptarët...
 
 

No comments:

Post a Comment