Wednesday, April 3, 2024

Mes Erzenit dhe Funarës, bukuritë mahnitëse të Shqipërisë së Mesme

 Shënime Udhëtimi



Nga Leonard Veizi
 
Konsiderohet si një perlë e pashfrytëzuar e turizmit. E projektuar për të vaditur fushat përreth, katër rezervuarët e Funarës, tanimë po shihen gjithmonë e më shumë si një atraksion turistik, që edhe pse pak atraktiv, në të ardhmen e afërt do të ketë më shumë mundësi aksesimi...
 
...Në kërkim të destinacioneve të reja turistike, u drejtova për në Funarë. Nga të thënat aty-këtu dija vetëm që ishte pak larg. Por në mendjen time gjithashtu cilësohej si një destinacion i afërt. Për më tepër që në një mënyrë futuriste, në mendje më ish ngulitur që Funara si zonë është në kapërcyellin e kufirit mes Tiranës dhe Elbasanit, por që përfshihet në tokat e qarkut të Elbasanit. Dhe kaq. Në tentativën për të kaluar kufirin mes dy qyteteve të mëdha të Shqipërisë së Mesme, fillimisht u ula të pija një kafe buzë Erzenit, si për të mbledhur veten. Se pastaj fillonte e përpjeta.
 
Erzeni
Të dhënat enciklopedike thonë se lumi i Erzenit është i gjatë 108 km dhe me prurje rreth 102 litër në sekondë. Ai buron nga Mali me Gropa, në një lartësi 1200 m mbi nivelin e detit, 25 km në lindje të Tiranës, pranë Shëngjergjit dhe derdhet në Gjirin e Lalzit, në veri të Durrësit. Në zonën e sipërme të rrjedhës së tij, Erzeni ka gërryer një shtrat të ngushtë në shkëmb, dhe më pas deri në afërsi të Tiranës ka një shtrat me zhavorr, që i lë vendin një shtrati më të ngushtë e më baltor pasi i afrohet Durrësit.
Padyshim Erzeni është më i bukur e piktoresk kur shihet me sy sesa kur lexohet mes rreshtash. Në këtë atmosferë natyrale në segmente të caktuara Erzeni bëhet vërtet turistik dhe pejzashi rreth tij joshës.
 
Të dhënat paraprake
Google Maps-i të informon se për të shkuar në një resort ku të shijosh dhe pamjen e Erzenit, nga qendra e Tiranës për në Ibë të Poshtme, do të të duhen 26 minuta për të ecur në18 kilometra.
Epo trafik hesapi.
Ndërsa për në Funarë prej qendrës së Tiranës do të të duhen 1 orë e 10 minuta nëpër një rrugë që është 55 kilometra. Por nga Tirana deri në rrethrrotullimin e Bradasheshit janë të paktën 33 kilometra. Të cilat mesatarisht përshkohen për rreth 30 minuta. Dhe pjesa e mbetur prej më shumë në 20 kilometrash do të të duhet të paktën 40 minuta të tjerë që të mbërrish të destinacionin turistik.
Ç'është e vërteta, për të shkuar deri në Funarë, do ca adrenalinë më tepër, se sa të shkosh thjesht në... Elbasan. Ke lënë autostradën ku të lejohet të ecësh herë me 90 kilometra në orë e herë me 110. Dhe ke hyrë në zonën e Bradasheshit. 30 kilometrat e autostradës janë një luks udhëtimi, sepse për të shkuar në destinacionin përfundimtar të vendosur që në nisje, do të të duhet të kalosh në ca peripeci të vogla, por argëtuese gjithsesi. Sepse do të të duhet të ngjitesh malit përpjetë. Dhe kjo ndodh kur moti është i qëndrueshëm, sepse në ditë me reshje a me borë, duhet të matesh mirë që të ngjitesh për në Funarë. Për një shofer ndërqytetës ku problemin më të madh ka kryqëzimin e 21 dhjetorit apo rrethrrotullimin e Zogut të Zi, rruga e Funarit, qoftë dhe ajo e Gjinarit apo e Dajtit, duken si sfidë marramendëse. Ndërkohë që njerëzit që jetojnë në zonë, e bëjnë gati përditë një udhëtim të tillë, e nuk qahen hiç.
 
Rruga
Si ke mbërritur tek rrotullimi i Bradasheshit, do të të duhet që të mos e marrësh rrugën e drejtë e cila të çon në unazën e Elbasanit, por të futesh në rrugën dytësore, që është dhe rruga e vjetër. Diku nga mesi i saj do të të duhet të kthehesh majtas për të vazhduar rrugën për në destinacion. Nuk mund të thuash që rruga është e vijëzuar dhe me tabela, por gjithsesi i dilet. Qoftë dhe duke pyetur ndonjë kalimtar të rastit.
Një pjesë e rrugës është normale, por kur nis ngjitja, rruga ngushtohet. Në disa segmente ajo është shtruar. Por gjithsesi mbetet e ngushtë. Rrugës ndeshesh me shtylla çeliku dhe kavo të ndryshkura, nëpër të cilët dikur lëviznin vagonë të mbushur me gurë, të cilët nëpërmjet transportierit në formë teleferiku zbrisnin për në Kombinatin Metalurgjik një lëndë e parë siç ishin gurët gëlqeror.
 
Tuneli
Dhe nuk mjafton me kaq. Në një pjesë të rrugës, e cila kalon rrëzë një mali, është çarë një tunel. Por nëse për panoramën të gënjen mendja e të duket sikur je në alpet zvicerane, tuneli ku mezi kalon një makinë e me poça të kursyer që ndriçojnë ambientin, të duket sikur po shkon në luftë. Nuk duhet shumë për të kuptuar që tuneli shkëmbor, nuk është i përforcuar nga traversat e betonin. Vetëm metrat e parë hyrës dhe ata dalës në tunel janë betonuar. Dhe kjo të krijon idenë se je futur në një rrugë qorre a ndonjë shpellë karstike. Ajo që të bën të besosh se je ende në qytetërim, është rruga e shtruar me asfalt të ri, dhe për çudi e vijëzuar në të dy krahët e saj. Padyshim në këtë segment të errët shkëmbinjtë duhet të jenë shumë solidë përderisa nuk ka pasur ndonjë shembje a bllokim rruge, por gjithsesi...
 
Ngjitja vazhdon
Të duket sikur zona është e shkretë edhe pse e gjelbëruar. Por jo, edhe në thellësi të maleve ka jetë. Ka fshatra të organizuar dhe ka shkolla e ambulanca. Madje ka të ndërtuara vila dykatëshe që për nga fasada duken më të mira se ato të Tiranës. Fshatarët e zonës janë të gjithë në punë, dhe çdo tokë e mundshme është e punuar.
 
“Funari Turistik”
Funara është njësia administrative që ndan Elbasanin me Tiranën. Dy nga liqenet janë bërë në vitin 1967 dhe dy të tjerët rreth vitit 1985. Në këto liqene rritet krapi e ballëgjeri, ndaj është dhe një vend i mirë për të pasionuarit ndaj peshkimit.
Faqja zyrtare e Bashkisë së Elbasanit të informon se Funari ka nën administrimin e tij 17 fshatra dhe rrethohet nga 7 male dhe përshkohet nga tre përrenj, Zaranika, Kusha dhe Zalli i Korrës. Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.
E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.
Kjo zonë është bërë tepër e vizitueshme. Ishte një iniciativë për t’i dhënë zonës atë që me të vërtetë meritonte, emrin “Funari Turistik”, duke shpallur edhe datën 26 mars ditë feste për promovimin e turizmit në këtë zonë, si edhe kthimin e kësaj feste në traditë.
 
Liqenet
Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.
Pamja e liqeneve është vërtet mbresëlënëse. Në fund të fundit, ku ka ujë ka dhe jetë. Dhe Funara mund të kthehet në një vend ku të shpërthejnë investimet e ku të mos e gjesh një tavolinë të lirë, por ta prenotosh që në ditë përpara nga Tirana. Por për momentin, rreth e rrotull liqenit do të gjesh lokale të vogla fshati, pa ndonjë komoditet.
Ashtu siç lajmërojnë dhe tabelat e vendosura buzë liqenit, ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit  IPA II të bashkëpunimit ndërkufitar, ku pjesë e projektit janë: “Shtegu i liqenit”, “Maja e Korrës” dhe “Shpella e Mbytjes”.
 
Zbritja
Si e ke bërë shëtitjen e menduar në digën që ndan dy liqenet, duke besuar se e ke bërë hajkingun që të takon, i hipën makinë të bësh rrugën e kthimit.  Sepse për të shpenzuar më shumë kohë në Funarë, do të duhet të ishe pajisur me grepa e fildispanjë nga Tirana, që të mund të rrije buzë liqenit dhe të bëje një fotografi sikur po peshkoje.
Kthimi, në të gjitha rastet është më i lehtë sigurisht. Për më tepër zbritja.
Nga sipër dallohet qyteti i Elbasanit, dhe gjithë fusha e Dumresë. Pamja me sy të lirë është mjaft mbresëlënëse. Por kur do të marrësh ndonjë pamje, e kupton që tymi i mbledhur poshtë në fushë, ta zbeh ca ekranin e celularit. Dhe këto ditë të tmerrshme ishin të mbushura me rërën afrikane pluhurin dhe rërën nga shkretëtirat e Afrikës veriore të cilat u ngjitën deri në Evropën Perëndimore dhe Qendrore.
Gjatë rrugës, në ngjitje e në zbritje, të bie në sy një fabrikë gjigante me mekanizmin e transportit të vagonëve në formë teleferiku, ku dikur transportoheshin gurë gëlqerorë nga mali i Letanit në drejtim të Kombinatit Metalurgjik, duke shfrytëzuar energjinë e metalurgjisë për të furnizuar furrat e prodhimit të gëlqere.
Akoma më poshtë të bie në sy Fabrika e Çimentos e inauguruar ne vitin 1967 por që është ende aktive. Fabrika e Çimentos është ndërtuar me ndihmën e specialistëve kinezë, dhe punës së krahut të rreth 300 të burgosur politikë të kohës.
Dhe pak më poshtë akoma ke mbërritur përsëri tek rrethrrotullimi i Bradasheshit, ku në të djathtë të tij nis autostrada për në Tiranë.


No comments:

Post a Comment