Monday, April 1, 2024

Dita e gënjeshtrave, kur na gënjejnë më shumë nga sa kemi gënjyer



Nga Leonard Veizi
 
Jemi në ditën e gënjeshtrave.
Nuk e di në konsiderohet sot si ditë feste, por në fëmijërinë tonë ishte gati e tillë. Vetëm që nuk bëhej pushim djalli e marrtë! Dhe të gjithë gënjenim nga pak, me qëllim që t’i bënim më të mëdhenjtë të qeshnin me naivitetin tonë. Se aq dinim dhe të gënjenim, jo për gjë. Por kishte dhe fëmijë nga ata që e trashnin zullumin e bënin shaka të rënda që nuk mbante kandari.
Hajd mo, lojë gënjeshtrash tek e fundit.
Tani jemi rritur dhe nuk na ka hije të gënjejmë: Jo po të ra shamia në tokë, jo po të janë bërë pantallonat pis... e të tjera si këto.
Sot, po të jesh burrë, duhet të gënjesh vënçe. Të gënjesh rëndshëm. Të gënjesh e të mos të të dridhet syri. Sepse në fund të fundit nuk gënjen burri për pesë lekë. O ngjyeje tamam dorën, ose je,...
Lërë aman.
Ka gënjeshtarë e gënjeshtarë. Ka dhe mashtruesa që ta çojnë thikën në kockë e nuk u vjen hiç keq nga pallma jote që ngrihet në qiell. Sepse ata mendojnë vetëm si të përfitojnë prej teje. Dhe për këtë të gënjejnë e të mashtrojnë sa ty të dalin sytë si topa e nuk u beson më veshëve.... Se sytë ikën e ikën për lesh.
Ne jetojmë në një botë të gënjeshtër. Por për ta përkujtuar këtë, organet kompetente kanë zgjedhur vetëm një ditë, 1 prillin.
Gënjeni sa t'u dojë xhani se s'u thotë gjë njeri! Imagjino kur gënjejnë dhe ata të televizioneve. E hapin edicionin informativ me një gënjeshtër që për ata të cilët janë me zemër të dobët nuk është çudi që të përfundojnë duke vënë unaza, ose të bëjnë ndonjë bay-pass, ose për ata që u ndin fati... në kokë e në gropë. Dhe mbyllet menjëherë muhabeti. Sa të kujtohesh ti se: sikur s'e kemi parë këto ditë Filanin të dalë për kafe... atij i janë bërë të 7-tat.
Nëpër enciklopedira gjithëfarllojesh thuhet se: Dita e Gënjeshtrave e 1 Prillit është një festë popullore laike e festuar në shumë vende të botës. Për këtë ditë thuhet se ka disa legjenda. Por duhet, legjendat legjenda janë, s’para dalin të vërteta. Kështu që e vërteta nuk dihet, por gënjeshtra po, sepse mbeti më një prill. Dhe tanimë ne duhet në mos ta festojmë, të paktën ta përkujtojmë. Me nga një gënjeshtër kuptohet.
-E di t’i ç'do na bëjnë apo jo? Do na vënë ditë e natë para mikrofonave. Që të përgënjeshtrojmë ato fjalë që kemi thënë deri tani. Me një fjalë do flasim e do flasim derisa të pëlcasim, si gjinkalla.
-Mbylle t’u thaftë ajo gjuhë, mbylle!
-M’u thaftë që ç'ke me të! Zaten gjuhë nepërkë jemi të gjithë. Kështu na tha ai. S’ka, ditë e natë para mikrofonave. Do lexojmë lajmet e vjetra dhe pas çdo lajmi do themi dhe nga një gënjeshtër. Dhe tani të dashur dëgjues po japim një program me gënjeshtra. Me gënjeshtra. Me gënjeshtra.
-Plaç në vend!
Ne gënjejmë tërë ditën e ditës. Nuk jemi të sinqertë me të tjerët por nuk jemi të sinqertë as me veten. Por më shumë se gënjejmë, ne të tjerët jemi të gënjyer. Fillimisht jemi të gënjyer nga klasa politike e cila na thotë: ne për ju mendojmë. Hajde gënjeshtër hajde, pa bisht fare. Balonë tauke kjo.
Na gënjejnë dhe kur na thonë: do u rrisim rrogat... kjo është gënjeshtër më e modifikuar se rrogat i rrisin vërtet nja 10 përqind, por pasi kanë rritur çmimet 20 përqind. Dhe ti je më i varfër se më parë.
Epo kjo e meriton të jetë balonë tabake.
Gënjeshtrat vazhdojnë me buxhetet për ngritjen e veprave të mëdha por sidomos me afatin e përfundimit të tyre. Se ka ca rrugë në Shqipëri që janë bërë si Kalaja e Rozafës: nuk mbarojnë asnjëherë.
Ka dhe gënjeshtra të bardha: u vonova se kishte trafik. U ç’na the! Po kujt po i plas ore. Ne çfarë t’u bëjmë këtyre të tjerëve që thonë në televizor: do t’u rimbursojmë. Dhe të rimbursojnë sigurisht... duke të rritur tarifën.
Hajde botë jallane, ngrysesh piperkë e ngrihesh patëllxhanë.
Ne gënjejmë tërë ditën se duam t’i bëjmë bisht punës. Dhe pastaj duam dhe pagë të mirë.
Ne gënjejmë tërë ditën tjetër dhe në fund gënjejmë dhe veten. Se na është bërë ves. Jo për gjë. Ndaj na duhet 1 prilli, që të festojmë e ta kujtojmë. Dhe ta kemi vath në vesh, se pa një çikë gënjeshtër nuk bëhet kjo punë.
E për të gjitha këto kemi nxjerrë dhe një ditë që ka marrë emrin zyrtar: Dita e Gënjeshtrave. Se nuk na mjaftojnë 364 ditë të tjera. Meqë ra fjala: a e kemi ditën e sinqeritetit?
Pu, pu, pu, pu, pu... A po ti s'je në rregull a derëbardhë. Ku të shkon mendja. Nuk kemi or nuk kemi, mos të të mbetet merak.
Më mirë që s'kemi. Se do të behej nami.
Ja ky është një ngushëllim progresiv.
Ne jetojmë në një botë të gënjeshtër. Domethënë, nuk është se po u kundërvihem konspiracionistëve që thonë se bota nuk ekziston dhe ne jemi asgjë që vërtitemi në galaksi. Kjo nuk hyn më te gënjeshtra. Por them se me kaq shumë gënjeshtra sa shëtisin vetë bota është kthyer si një lëmsh i gënjeshtër. Dhe ka marrë tatëpjetën në errësirën kozmike. Ja kaq e thjeshtë ishte. Pastaj që të Toka është e sheshtë, që Dielli vërtitet rreth nesh dhe se Hëna është veç një hologram... këto t’i marrë përsipër kush të dojë, se unë kaq këllqe kam.
Dhe ne mendojmë se do bëjmë prokopi. Ja edhe kjo është një gënjeshtër që ia themi përditë vetes dhe jemi mësuar aq shumë me të sa na duket krejt e vërtetë.
Kështu, 1 prilli është dita kur gënjejmë sa mundemi e na gënjejnë të gjithë. Dhe kjo është një ditë kur gjithçka është e legjitimuar. Se është ditë feste tek e fundit.

No comments:

Post a Comment