Wednesday, April 10, 2024

Agim Kuri: Si më ngatërruan me Oçalanin në aeroportin e Stambollit

I N T E R V I S T A

Flet Agim Kuri, operatori i mirënjohur i Televizionit Shqiptar: Puna emocionuese me filmin dhe dokumentarët. Viti 1997, në Vlorë më kërcënuan me pistoletë 


Nga 
Leonard Veizi 

Gjithçka në syrin e tij kalon si një çast fotografik. Në dyzet vitet e punës së tij ka regjistruar disa mijëra metra linear, në film, shirit manjetik e harddisk. Për të thonë, se në profesion është një mjeshtër i vërtetë, operator fin, e i papërtuar asnjëherë. Dhe po aq pasion ka dhe në shkrepjen me aparat. Po të shohësh fotot e tij, Shqipëria do të duket më e bukur, dhe se Zvicrën e Tiranën do ta ngatërrosh me Stokholmin. Për më tej Agim Kuri, operatori i mirënjohur i Televizionit Shqiptar na rrëfen për “Fjala.al” detaje nga puna e tij 40-vjeçare.
 
Prej sa vitesh punon në Televizionin Shqiptar?
Punën e kam nisur në muajin mars të vitit 1981. Kam punuar shumë pak kohë në departamentin e informacionit, vetëm një muaj, dhe më pas kësaj kalova si asistent operator me të mirënjohurin Pali Kuke. Shumë shpejt u angazhova me filmin artistik, ku përvoja ime e parë ishte me regjisorin Vladimir Prifti në filmin “Era e ngrohtë e thellësive”.
 
Çfarë eksperience keni me filmin artistik në të gjithë karrierën tuaj?
Kam qenë pjesëmarrës në disa filma, si asistent operator. Për shembull, kam punuar me filmin “Inxhinieri i minierës” së regjisorit Vladimir Kasaj, edhe ky prodhim i vitit 1981. Kam pasur bashkëpunimi me regjisorin Mevlan Shanaj te filmi “Të shoh në sy”. Gjithsej janë rreth 5-6 filma të tjerë ku kam qenë prezent. Me telekomeditë kam pasur më shumë punë, edhe për faktin se janë më variabël për televizionin. Vetë si operator kam realizuar filmin “Shqetësimet e një obezi” të regjisorit Pluton Vasi. Është prodhim i RTSH përpara 12 vjetësh, ku luajnë tre aktorë: Arben Dërhemi, Marjana Kondi dhe Xhevahir Zeneli. Për mua ai mbetet një film me shumë vlera, për mënyrën e trajtimit të temës.
 
Leonard Veizi dhe Agim Kuri
Si do ta vlerësonit sot këtë eksperiencë?
Për mua mbetet eksperiencë shumë e madhe. Them se është fat të punosh në ekip dhe me një staf të mirë. Filmi për mua është shkollë mbi shkollat. Të jep mundësinë të mësosh shumë në drejtim kompozimit, të ndriçimit, etj. Puna me filmin ka në një gjallëri e madhe. Besoj se çdo njeri që ka profesionin e operatorit, regjisorit, montazhierit etj, duhet të ketë një përvojë në realizimin e një filmi artistik.
 
Ku dallon filmi televiziv që transmetohej në televizion dhe filmin artistik që transmetohet në kinema?
Filmi artistik i televizionit nuk është se ndryshonte shumë, vetëm parametrat teknikë ndryshonin pak. Sepse nëse në kinema punonim me film 35 mm, në televizion punonim me 16 mm. Edhe me grupet e xhirimit, nëse Kinostudio kishte staf mbi 40-50 vetë, në televizion punohej me 15 veta. Pra gjithçka ishte më e kufizuar. Por puna ishte pothuajse e njëjtë, në drejtim të mendimit që duhej të trajtohej dhe asaj që realizohej.
 
Po me dokumentarin?
Në përgjithësi do vlerësoj punën që është bërë me dokumentarin. Kam punuar për dokumentarë me Pluton Vasin, me Dhimitër Gjokën, me Kliton Nesturin. Por baza me dokumentarë kanë qenë ato që kam prodhuar me Pluton Vasin.
 
Veç filmit artistike dhe atij dokumentar, ku tjetër ka dhënë kontributi juaj?
Një periudhë kohe, në vitet ‘84 -‘87 kam punuar tek redaksia e fëmijëve ku trajtohej edukimi sidomos për parashkollorët. Por filloi dhe me arsimin 8 vjeçar në shkolla të ndryshme të të gjithë Republikës. Jam marrë pak kohë dhe me emisione rinie. Pastaj kam kaluar te redaksia e kulturës dhe e projekteve social-ekonomike ku kam punuar më gjatë. Nga viti ‘96-’97 përgjithësisht jam marrë me dokumentarët.
 
Flasim për vitet ‘81-’90. Cilat kanë qenë shqetësimet e punës për ato vite?
Kur kam filluar punën, në televizion punohej me film. Përgjithësisht puna me film ka vështirësitë e veta, sepse aparatet nuk janë si sot që peshojnë 3-4 kg. Atëherë duhej të mbaje në sup një Arriflex 15 kg që bashkë me bateri dhe statik, duke marrë edhe valixhen e ndriçimit me vete, që të bënte në fund të ditës të ndiheshe mjaft i lodhur. Por, këto i hante energjia dhe rinia dhe nuk llogaritej. Ajo që të bënte përshtypje ishte se kur shkoje për të xhiruar, të jepnin katër kuti filmi, me nga 11 minuta secila, pra 44 minuta film në total. Dhe me to duhej ndërtuar një emision 25-minutësh. Por si mund t’i dilej me këtë raport, duke pasur parasysh që do të bëje intervista dhe plane mbulimi. Pra, duhet të ishe mjaft i saktë në kuadrimin e figurës, dhe gazetari duhej të ishte i saktë në bisedën që do të bënte me intervistuesin, që të mos bëheshin disa dubla. Më e forta ishte kur xhiroja për sportin. Më jepnin një kuti 11 minuta, për të xhiruar 90 minuta ndeshje. Po si t’ia dal? – i pyesja drejtuesit.  Dhe ata ma kthenin: Kap vetëm golin. Pastaj vinte përgjegjësia:  Pse nuk e kape golin? Dhe doli si batutë kur u thosha: Atë nuk e kapi portieri, pse do e kapja unë!
 
Kjo do të thotë që kërkesa e llogarisë ishte e lartë edhe pse me mundësi të pakta?
Ajo që më pëlqente para viteve ‘90 ishte kjo që, kishim kërkesë llogarie. Ta lëmë jashtë pjesën politike. Te dhomat e kontrollit fillonte: Ç’është kjo ngjyrë, pse ka zhurmë intervista, pse nuk ke ruajtur parametrat teknikë, pse është ky kompozim, pse është ky montazh. Domethënë, duke qenë të pranishëm në dhomën e kontrollit, ti bëheshe profesionist i mirëfilltë vetëm nga kërkesa e llogarisë. Nuk është si sot, që mund të vish nga xhirimi i dasmave, e të bësh emision në televizion. Aty flitej për shkallë kualifikimi. Në qoftë se unë sapo filloja punën, duhej të isha asistent i tretë, të bëje dy vjet punë dhe të bëheshe asistent i dytë, dhe pas pesë vjetësh të bëheshe asistent i parë. Pastaj pas shtatë vjetësh bëheshe operator i tretë, me dhjetë vjet kaloje operator i dytë, e më pas operator i parë. Sot mjafton të marrësh pjesë në mitingun e një partie e mund të bëhesh drejtor fotografie.
 
Kam parasysh që puna e operatorit është një punë e vështirë,  sepse ke një kamera në krah dhe je i ekspozuar. Ku e ke ndjerë veten më ngushtë?
Ngushtësinë nuk e njoh. Mundem edhe falë fizikut dhe qetësisë. Nuk kam pasur probleme në punë. Por duke u marrë me dokumentarin, kujtoj ngjarjen e vitit ‘97 në Vlorë, ku në dy episode më është drejtuar edhe pistoleta. Prapë e kam kaluar me qetësi duke thënë me vete: Kur kanë vajtur të shumtë, pse mos shkoj edhe unë. Ishte bërë gjaku ujë atë kohë dhe nuk llogaritej asgjë.
 
Si ka qenë episodi i parë i kërcënimit?
Ka qenë një çast në orën 7 pa 10 e mëngjesit, fundi i marsit të ‘97 dhe unë xhiroj te shtëpia ku është ngritur flamuri, shtëpia muze në Vlorë, më vinë nja tre veta dhe më thonë: “Nxirr kasetën dhe do e lësh këtu”. U thashë: “Kasetën nuk e jap, por më thoni ku është defekti që të merremi vesh’. Më kërcënuan: “Ti o nxirr kasetën ose shkon aty ku kanë shkuar të shumtët”. Ua kthej: “Të shumtët janë të shumtët, ka më shumë të ikur sesa të ardhur, kështu që nuk di se për kë e ke fjalën. “Paske fjalë shumë”, më tha, “të jap një fishkëllimë që të mbledh të gjithë skelarët”. “Ore mblidh kë të duash e bëj çfarë të duash, kasetën nuk ta jap”, i them. Dhe ai vuri dorën në brez për të nxjerrë pistoletën. Ky ka qenë një çast shumë i vështirë.
 
Po rasti i dytë?
Të nesërmen, po në Vlorë, isha duke xhiruar në spital, por jashtë tij. Vjen një furgon me tre “kapuçonë”. Atë çast erdhi dhe një viktimë të cilin e futën me urgjencë në korridor me një barelë. Unë e xhiroja skenën nga korridori derisa sa u fut në sallë të operacionit. Ai kishte marrë një plumb poshtë zemrës. E kam xhiruar deri sa kirurgu i hoqi plumbin. Pasi dola nga salla, më vjen një nga “kapuçonët” e më thotë: “Çdo ti këlysh i Saliut këtu?”. Ç’lidhje ka? Ku të fyeva apo ku të ngacmova?”, i them. “Ke dhe gojë e më përgjigjesh?”, ma thotë ai. Në atë çast ndërhyri mjeku: Shyqyr që na vijnë këta të medias, që të paktën bëjnë publike që të shohin në çfarë vështirësie punojmë, se ne nuk kemi as mjete dhe as ilaçe”. Këtu u mbyll, por ishte çast i vështirë ku dhe këtu më drejtuan pistoletën.
 
Kam parasysh që keni publikuar disa foto të nxjerra nga filmi dokumentar ku ke pasqyruar shkatërrimet e bazës detare të Pasha Limanit dhe të Sarandës…
Ka qenë një orientim i Ministrisë së Mbrojtjes, e cila donte të pasqyronte të tërë shkatërrimin e bazave të marinës: Sarandë, Pasha Liman, Porto Palermo, Durrës dhe Shëngjin. Na dha një makinë në dispozicion. Isha vetëm unë nga televizioni dhe një ushtarak që na shoqëronte. Madje ka qëlluar që nja dy-tri ditë shkonim në Sarandë dhe vinim në mes të natës në Tiranë, se t’ju them të drejtën ishte 3-4 muaj pas ngjarjeve të ‘97. Dhe, duke qenë vetëm në këto zona, diçka nga shtatori, ktheheshim në mes të natës dhe prapë të nesërmen shkonim në Sarandë ose Vlorë. Ishte një muaj sfilitës, dhe ajo që më bëri përshtypje ishin 5 anije siluruese të marinës në Sarandë, të pesta të zhytura nën ujë. Krejtësisht. Në Pasha Liman çdo gjë ishte e shkatërruar. Në Porto Palermo nuk bëhej fjalë, ishin pothuajse të hedhura në erë. Dhe më vjen keq në një material që xhiroj, ku në dhomat e fjetjes së ushtarëve, kishin futur topat tokësorë dhe tytat dilnin nga dritaret. Se nuk i nxinte dhoma për nga madhësia. Ndërsa baza e Durrësit ishte më ndryshe, por kishte shkatërrime. Edhe baza e Shëngjinit ishte më ndryshe. I kam të dokumentuara edhe me materiale filmike.
 
Televizioni ka edhe përfitime të tjera. Në sa shtete keni udhëtuar për shkak të punës?
Puna në televizion është një marrëdhënie në raport njerëzor, por në kuptimin figurativ edhe turistik. Merr informacion kudo që shkon. Prandaj edhe e vlerësoj. Për këtë jam shumë krenar dhe i mbarsur në vetvete, sepse territorin shqiptar e kam bredhur pëllëmbë për pëllëmbë. Dhe pas ‘90 me kënaqësi e them se territorin ku banojnë shqiptarët përsëri e kam bredhur, pra në diasporë. Flas për zonat që janë etnikë, jo ku ka emigracion. Domethënë, shqiptarët e Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës, arvanitas në Greqi, kalabrezët në Itali. Pastaj guidat dhe emisionet kanë qenë nga më të ndryshmet, sepse kemi realizuar emisione në Gjermani, Zvicër, Holandë, Slloveni, Amerikë, por kam qenë dhe në Arabi Saudite si dhe në Azerbajxhan.
 
Kam dëgjuar për një incident në aeroportin e Stambollit…?
Ka qenë viti 1998 ku në aeroportin e Stambollit, duke bërë kontrollin e pasaportës më pyesin: “Nga je?” “Shqiptar”, iu përgjigja. Punonjësi ngriti kokën dhe po më shihte me dyshim. Nuk e di, mbase tiparet e portretit tim lidheshin me ato të udhëheqësit të lëvizjes kurde. Atëherë, për ta ngacmuar i them me të qeshur: “Oçalan”.  Sa i thashë këtë emër me thirrën e më futën në një dhomë ku më bëjnë një kontroll të imët për 20 minuta. Atëherë thashë me vete: “Po ç’dreqin pate?!” Dhe e vuajtja budallallëkun tim. Në fakt mua, emri i Oçalanit më shpëtoi për humor, sepse të gjithë më thoshin se i ngjaja. Të kemi parasysh se mustaqet nuk ishin të zbardhura siç janë sot, por pisk të zeza, si ato të Abdullah Oçalanit, lideri i lëvizjet kurde, i cili sot ndodhet në burgjet e Turqisë.
 
Përvojë tjetër negative keni pasur nëpër aeroporte?
Edhe në disa kontrolle në Arabi, në Mekë dhe Riad. Edhe pse kishim leje, ishim të shoqëruar me ta, më morën kamerën dhe më fshinë materialin. “Ç’punë ke ti që ke xhiruar këtu?”, më thanë. U tregoj dokumentet. Por ata më fshinë një materialin rreth 3 minua që kisha xhiruar në Mekë. Ra telefoni për fat dhe ata e ndërprenë, por morën kasetën. Ma kthyen të nesërmen. Unë shpreha shqetësim tim. U them: “Ju na thirrët, ishte projekt juaj”. Por përfaqësuesi i Ministrisë së Informacionit më tha: “Nuk ka ndonjë problem, do të dalësh përsëri në terren, do të vëmë në dispozicion helikopterin”. Ndërsa kudo tjetër ku që kam qenë, kam hasur në gatishmëri, përkushtim e mikpritje. Flas për udhëtimet në Holandë, në Austri e Amerikë.

No comments:

Post a Comment