Monday, June 29, 2020

Besim Zekthi, shqipja e valleve tona

Besim Zekthi ishte solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ku do të jepte kontributin e tij për më shumë se 50 vjet me radhë. Ai shkëlqeu në të gjitha vallet ku ishte protagonist, duke qenë në shumë raste dhe koreograf i tyre. Në repertorin e tij do të numëronte mbi 200 valle të interpretuara

Nga Leonard Veizi

Nën gjëmimin e fortë të daulleve, që dukej sikur do të plasnin nga çasti në çast, dhe ritmit të fizarmonikës, klarinetës, llautave  e violinave, ai nuk ndalej. Lodhjen nuk mund ta ndiente, sepse lodhje nuk kishte. Dhe pas valles së parë vinte e dyta, e treta e me radhë. Shputat dhe majat e këmbëve vetëm sa preknin skenën, por nuk arrinin të rëndonin mbi të. Dhe ai ishte i lehtë. E ndërsa në sytë e spektatorëve dukej mahnitës, me veten e tij ai ishte njeriu që nuk mund të kënaqej kurrë. Sepse çdo herë dhe në çdo dalje në skenë, diçka të re kërkonte, diçka që të mund ta çonte në një vend të skajshëm. Dhe këtë mund ta bënte veç një zog fluturues, ndoshta një feniks që ringrihej nga hiri i tij, a ndoshta një shqiponjë që jetonte aq shumë, sa nuk dinte të vdiste. Dhe ai kërkoi ndihmën e kësaj të fundit...

...Tek ngrihej lart me krahët e shqiponjës, ai jo vetëm i jepte gjithë kompozimit koreografik të valles “Kreshnikët e lirisë”, por dukej sikur fuste brenda krahëve të tij gjithë trupën e valltarëve. Dukej shumë madhështor për të menduar se do të qëndronte në tokë apo nën të, ndaj imazhi i tij është i fiksuar thellësisht se si qëndronte mbi të tjerët, një bojë njeriu sipër. Ndërsa aleatja e tij e përhershme, ky shpend krenar dhe simboli i flamurit kombëtar, ishte ajo që e karakterizoi aq shumë në vallet e udhëhequra prej tij, qoftë dhe në vështrimin e mprehtë si prej luftëtari a kaçaku me pushkë e pisqolla brezit…

                                                                                             ***
Bota e të vdekurve po zgjerohet çdo ditë e më shumë. Dhe Besim Zekthi sot i përket një bote tjetër. I kishte mbushur 84-vjeç kur mbylli sytë. Në njoftimin e zakonshëm thuhej se ai u largua nga jeta pasditen e të dielës së 28 qershorit 2020, në shtëpinë e tij, diku në rrugën “Mihal Grameno”, në Tiranë. Ndërsa ishte lindur më 5 shkurt të vitit 1936, po në Tiranë.
Bota e artit është në zi sot. Dhe kohët e fundit ajo ka marrë goditje të herëpashershme. Janë larguar nga kjo jetë korifenjtë, njerëz që i kanë dhënë aq shumë botës shqiptare të gjërave të bukura. Të tjerë kanë ikur prej kohësh. Në panteon shtohen yjet dhe imazhet e shenjtëruara. Vendet e mbetura bosh kërkojnë të zihen me shpejtësi. Konkurrenca duket e fortë. Por jo në të gjitha rastet bilanci është i njëjtë. Sepse ka vende që mbeten vakante për një kohë të gjatë, dhe konkurrenca nuk hyn fare këtu. Vendin e Besim Zekthit vështirë ta marrë njeri, as sot dhe as për vitet në vazhdim. Brezat kanë nisur të ndërrohen. Më të rinjtë ende nuk e njohin të shkuarën. Por ata që e bënë epokën e tyre tashmë nuk mund të harrohen. Dhe nëse duam t’i harrojmë, sërish nuk mundemi. Ata janë aty, të gjallë, madje të rinj e vitalë. Sepse ka një mekanizëm që i bën të pavdekshëm. Dhe kjo është më e rëndësishme se fletëlavdërimet në letër, çmimet që kanë marrë, apo dhe një pension kacidhesh, akorduar nga shteti për punën e tyre madhore.
Besim Zekthi do të mungojë në botën e të gjallëve. Nuk do të jetë i pranishëm për një kafe, për një bisedë shoqërore, për të dhënë një mendim të çmuar e profesional a qoftë dhe për të bërë një dorë tavëll a letrash brixh, nëse luante diçka të tillë. Por imazhi i tij aspak. Ai ndodhet nëpër bobina me shirita magnetikë të Televizionit Shqiptar, në ato të filmit që ruhen me fanatizëm tek Arkiva e ish-Kinostudios. Ato vazhdimisht transmetohen. Sepse repertori i tij është i shumëllojshëm për një valltar që s’ka ditur të ndalej. Pa dyshim brezat e rinj, ata që kërcejnë nën ritmet dehëse të hip-hopit apo dhe rock and rroll-it nëse ekziston akoma, duhet të dinë se mbi gjithçka ka qenë dhe është tabani kombëtar. Dhe këtë më shumë se kushdo na i tregojnë vallet e Ansamblit, ato që janë interpretuar prej Besim Zekthit, Liljana Cingut, Enver Birkos, Rexhep Çelikut, Besim Jazexhiut, dhe shumë e shumë të tjerëve.
Besim Zekthi
Por Besim Zekthi ishte solist i pakrahasueshëm i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ai shkëlqeu në të gjitha vallet ku ishte protagonist. U bë pjesë e këtij Ansambli që në vitin 1957, kur u krijua nën drejtimin e “Artisti i Popullit”, Çesk Zadeja. Më herët, në vitin 1952, ai ishte prezantuar te Filarmonia e Shtetit, në një konkurs ku kishte fituar pikët maksimale, dhe vetëm në këtë mënyrë pati mundësinë të fillonte karrierën si valltar. Dhe do të jepte kontributin e tij artistik për më shumë se 50 vjet me radhë. Ato që mbahen mend më shumë nga repertori i tij i çmuar janë “Vallja e shqipeve”, “Kreshnikët e lirisë”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, por dhe “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të Drenicës” etj. Në repertorin e tij Besim Zekthi numëron mbi 200 valle të interpretuara si solist, dhe do të përfaqësohej në kërcim me kërcime nga të gjitha trevat shqiptare, të Tiranës, valle nga të Devollit, të Dropullit, por dhe kërcime mirditore, kuksiane e dibrane.
Ndërkohë Besim Zekthi ishte po aq dhe koreograf. Dhe ishte ai qa ka ideuar vallet: “Dasma e Rugovës”, “Valle me motive të Mirditës”, “Valle me motive të Drenicës”, “Për flamur, për atdhe”, “Motivet e Librazhdit”.
Duke qenë një kërcimtar i jashtëzakonshëm, mjeshtër i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi u bë dhe ndër protagonistët kur në vitin 1970 Shqipërisë iu dha “Gjerdani i Artë”, në festivalin e Dizhonit, në Francë. Pas kësaj Zekthi e çoi vallen shqiptare në shumë vende të botës, Në Evropë, Azi e Afrikë, dhe pa dyshim  për këtë ndihej shumë krenar.
Për gjithë kontributin e tij të madh në kulturën shqiptare, Besim Zekthi mbante titujt “Mjeshtër i madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Sot vendi i Besim Zekthit është bosh, dhe po aq bosh ka mbetur dhe vendi i Rexhep Çelikut apo Enver Birkos. Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore nuk është në ditët e tij më të mira. Për të mos thënë që ditë të mira ka kohë që nuk ka pasur dhe Shqipëria nuk ka qenë mjaftueshëm e përfaqësuar në evenimente ndërkombëtare. Sepse ka qenë ky Ansambël dhe këta emra të mëdhenj të valles popullore shqiptare që kanë ngritur në këmbë publikun e Algjerisë, Marokut, Kinës, Turqisë, Francës, Vietnamit, Rumanisë, Suedisë, Norvegjisë, Greqisë, Italisë, Austrisë, Tunizisë, Gjermanisë, Egjiptit, Zvicrës, Finlandës, Danimarkës, Australisë, Maqedonisë, Libisë, Kroacisë, Belgjikës, Kanadasë, Spanjës, e Portugalisë.


No comments:

Post a Comment