Monday, July 10, 2017

Misioni “UNOMIG”/ Ushtarakët shqiptarë me "Beretat e Gjelbra", paqeruajtës në Gjeorgji

Major Kasem Saliasi, rrëfen për 10 vitet e misionit paqeruajtës në Gjeorgji. Si e përqafuan ushtarakët shqiptarë kodin e “Beretave të Gjelbra”. Monitorimi i shtetit me probleme të luftës etnike. Përse ushtarakët shumëkombësh patrullojnë të paarmatosur dhe çfarë përfaqësojnë oficerët shqiptarë.


Leonard VEIZI


Me mbarimin e Luftës së Ftohtë në Evropë, por sidomos në vendet e ish-kampit socialist, pati ndryshime të mëdha. Në pjesën socialiste të Evropës, ndryshimet më radikale u zhvilluan në ish-Bashkimi Sovjetik. Federatat e mbledhura nën ombrellën e konfederatës së madhe ishin shpërbërë me shpejtësi. Republikat njëra pas tjetrës kishin fituar pavarësinë. Ishin mëvetësuar pa shumë dhimbje Letonia, Estonia apo Bjellorusia, duke bërë që çizmja e ushtarit rus të mos shkelte më mbi pavarësinë e tyre. Por asgjë nuk do të mbyllej kaq lehtë. Konfliktet midis etnive do të thelloheshin dhe më tej. Jo vetëm Çeçenia rebele, por edhe brenda republikës gjeorgjiane problemet nuk po merrnin zgjidhje.

Në Republikën e Gjeorgjisë
Me statusin e “Republikës”, Gjeorgjia përbëhej nga disa kombësi brenda të njëjtit shtet. Një prej këtyre kombësive ishte dhe Apkazia. Territori i saj shtrihet në kufijtë midis Rusisë dhe Gjeorgjisë. Por Apkazia nuk dëshironte të ishte nën përbërjen e protektoratit gjeorgjian. Kërkesa e saj e dukshme që në fillim të shpërbërjes së shtetit të sovjetëve, ishte ribashkimi me Rusinë. E gjitha kjo nuk kishte të bënte vetëm me ndërhyrjet nga qarqet e caktuara ruse për të rimarë një pjesë të territoreve të humbura, por sepse vetë apkazët e ndjenin veten shumë më pranë shtetit “mëmë”, si nga traditat, zakonet, ashtu edhe nga gjuha. Gjithsesi asgjë nuk mund të zgjidhej me anë të bisedimeve. E si në të gjitha rastet, në prag konfliktesh, diplomacia nuk ka qenë në rolin e duhur. Dhe incidentet brenda republikës gjeorgjiane filluan të rëndoheshin së tepërmi. Lufta civile kishte filluar… Nga ana e tjetër autoritetet e shtetit gjeorgjian nuk mund të lëshonin një territor si Apkazia, e cila padyshim ishte më e mira e gjithë republikës. Në bazë të të gjithë treguesve, Apkazia njihet si një vend me pjellori të madhe, pyje e lugina që sigurojnë lëndë të parë me shumicë dhe me një nëntokë të pasur. Nëse Gjeorgjia mbeste pa këtë pjesë të sajën, atëherë dhe ekonomia vendase do të kishte probleme të mëdha.

Marrëveshja e Moskës
Pas më shumë se një vit luftimesh, të cilat u zhvilluan në harkun kohor 1992-1993, organizata të ndryshme ndërkombëtare u mblodhën në Moskë, për të vendosur rreth fatit të mëtejshëm të republikës së vogël. Nga kjo mbledhje doli një marrëveshje, e cila më pas u quajt thjesht si “marrëveshja e Moskës”. Pikërisht nga kjo marrëveshje me 12 pika u vendos që një mision i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të vëzhgonte zbatimin e 12 pikave të miratuara në Moskë, ku më së shumti flitej për probleme të vetëvendosjes dhe vetadministrimit të Apkazisë. Në këtë mënyrë Apkazia mori një lloj pavarësie ku, midis të tjerave, i dukej të krijonte dhe strukturat e saj organizative për të administruar jetën e brendshme.

Paqeruajtësit shqiptarë
Në përbërje të misionit vëzhgues të OKB-së u rreshtua dhe Shqipëria. Misioni filloi punën e tij në vitin 1994 me komandën qendrore në thellësi të Apkazisë, në një territor i cili ishte më larg sulmeve të një rebelimi ekstrem. Për tetë vite me radhë Shqipëria është paraqitur në mision me një oficer vëzhgues të cilin e zëvendësonte një herë në gjashtë muaj. Ndërsa në dy vitet e fundit, me ardhjen në krye të ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pandeli Majkos, kjo metodë ka pësuar një ndryshim të madh. Tashmë në misionin e OKB-së shërbejnë tre oficerë shqiptarë, të cilët zëvendësohen një herë në vit. Ky mision paqeruajtës ndërkombëtar u kodua nën emrin “UNOMIG”.

Kasem Saliasi
Dëshmitari i largët
Major Kasëm Saliasi është një nga tre oficerët vëzhgues që aktualisht po shërben në Apkazinë gjeorgjiane gjatë vitit 2004. Gjatë një ndalimi tranzit në Tiranë, me një lejë të shkurtër vetëm disaditore, ushtaraku i lartë shqiptar tregohet i gatshëm të sqarojë ekskluzivisht për gazetën “Dita” gjithçka ndodh me ndërkombëtarët dhe ekipin shqiptar të misionit. Megjithëse një i ri 37-vjeçar, Kasëm Saliasi mban një gradë madhore të ushtrisë shqiptare, ndërsa mbi shpatulla i rëndojnë 15 vite punë. Ndërsa përveç shkollimit dhe kurseve specializuese si oficer aktiv, ai ka realizuar edhe disa trajnime në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe median.

Fjalët e mira
Gjëja e parë që thotë major Saliasi është se shqiptarët kanë lënë një shije shumë të mirë mes ushtarakëve të tjerë të misionit, por dhe kontaktet me popullsinë në terren. Madje, jo vetëm për shkak të misionit, oficerët shqiptarë janë paraqitur krejt të barabartë me të gjithë përfaqësuesit e vendeve të NATO-s apo jashtë saj. “Ata kanë kryer të gjithë detyrat tepër të rëndësishme që përmban ky mision. Unë që jam i fundit, deri tani, mund të them pa frikë se kam mbledhur shumë opinione qytetarësh, të cilët flasin me respekt për ushtarakët shqiptarë, paraardhësit e mij, të cilët kanë shërbyer në këtë mision të OKB-së. Në rrethana të tilla, për më tepër kur je larg atdheut, edhe emocioni është më i madh”, shprehet për gazetën “Dita”, major Kasëm Saliasi. Sipas tij, në misione të tilla një ushtarak ndjen një përgjegjësi të dyfishtë. “Së pari, sepse duhet të mbash me nder dhe të ndjesh përgjegjësi për dinjitetin e uniformës që mban emrin e Shqipërisë: Së dyti, sepse kjo përgjegjësi vlen dhe për vetveten, personalitetin dhe karakterin tënd”, sqaron major Saliasi.

Politika ndryshe
Vite më parë, kur luftërat në Gjeorgji sapo kishin reshtur për shkak të marrëveshjes, edhe incidentet mes dy kombësive brenda të njëjtit shtet ishin më të mëdha. Rreziku padyshim ishte më i madh. Por vitet e fundit këto incidente janë rralluar. Major Kasëm Saliasi thotë se misioni ka kaluar përmes vështirësive të shumta. Por ai shton se pas përmbysjes së ish- peridentit Shevernaxe edhe politika gjeorgjiane ka ndryshuar dukshëm në favor të paqes. Presidenti i ri Shakashvil duket se po ndjek një politikë më të zbutur, gjë që ka bërë që të fitojë dhe dashamirësinë e të dy palëve. Në bazë të kësaj politike Shakashvil ka gjetur dhe një përkrahje më të madhe nga organizmat ndërkombëtarë si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Dy anët e lumit
Lumi Ingori njihet dhe si kufiri natyral i Gjeorgjisë me Apkazinë. Në të dyja anët e lumit funksionojnë nga një sektor të misionit, pra gjithsej dy sektorë. Sektori, i cili mban nën vëzhgim pjesën apkaziane, ka në përbërjen e tij 50 oficerë, ndërsa ai që vrojton pjesën gjeorgjiane ka 37 oficerë. Pjesa tjetër e oficerëve qëndrojnë në Komandën Qendrore të misionit. I gjithë misioni ka në përbërje 120 oficerë, por po të marrësh edhe pjesën e kuadrit civil, ai përbëhet nga rreth 400 pjesëtarë. Të gjithë punojnë për të njëjtin qëllim: Monitorimin e paqes dhe i 12 pikave të nënshkruara mes palëve në konflikt. 

Patrullimi monitorues
Major Kasëm Saliasi thotë se detyra monitoruese dhe patrullimi kryhet çdo ditë. Si rregull udhëtojnë dy makina me nga dy oficerë secila, si dhe një përkthyes. Gjatë patrullimit, oficerët ndërmarrin takime me autoritetet vendase, por në pjesën më të madhe ata respektojnë kontaktet me popullin e thjeshtë, pasi pikërisht aty problemet dalin dhe më drejtpërdrejtë. Në këtë mënyrë i gjithë informacioni përpunohet dhe dërgohet në Komandën Qendrore të misionit. Komanda Qendrore ka për detyrë, që nëpërmjet një relacioni të detajuar, të informojë zyrën e OKB-së në Nju Jork. Për shkak të rreziqeve që paraqiten herë pas here, të gjithë oficerët që mbërrijnë në mision, i nënshtrohen një kursi trajnimi njëjavor, ku u mësohen shumë gjëra. Kështu oficerët trajnohen se si duhet të sillen me vendasit për të kryer detyrën. Në këtë mënyrë atyre u kujtohet edhe një herë se duhet të jenë të qetë, të kulturuar, të mos provokojnë, apo mos bien pre e provokimeve.

Misionarët e vdekur
“Ka pasur raste kur misionarët janë marrë rob nga rebelë vendas. Kjo ka ndodhur disa herë. Por OKB-ja kishte paralajmëruar që në fillim, që në asnjë rast për shkëmbimin e tyre, nuk duheshin premtuar para. Pas disa tentativave të pasuksesshme, misionarët janë lënë të lirë dhe të paprekur”, tregon për gazetën, major Kasëm Saliasi. Por, sipas tij, rasti më ekstrem me pjesëtarë të misionit ka ndodhur disa kohë më parë, diku në kufi të Gjeorgjisë me Çeçeninë. Ishin pikërisht ato forca, të cilat nuk e donin praninë e OKB-së dhe as monitorimin ndërkombëtar. Pikërisht atëherë të rebeluarit qëlluan një helikopter patrullimi me oficerë dhe civilë të misionit. Rrëzimi i helikopterit mori dhe jetën e pjesëtarëve të të gjithë bordit, në të cilin ndodheshin 16 persona.

Ushtarakët e paarmatosur
Major Kasëm Saliasi thotë se misioni ka si kusht kryesor, kryerjen e patrullimit pa armë. Në këtë mënyrë oficerët shumëkombësh, kanë të drejtë të mbajnë vetëm një radiomarrëse në dorë, por asnjë mjet që përbën “armë zjarri” apo “armë të ftohtë”. Për çdo incident të mundshëm, lajmërohet me radio dhe menjëherë vjen ekipi i shpëtimit me helikopter. “Gjithsesi, patrullimi kryhet nën masa të larta sigurie, pasi i gjithë terreni gjeorgjian me Apkazinë, konsiderohet si një arenë lufte”, shprehet major Saliasi.


PAS KUINTAVE
Jeta civile e ushtarakut në mision
Makinat e “UNOMIG”, janë fuoristrada të reja, tip TOYOTA, të cilat gjithashtu janë në ngjyrë të bardhë për të simbolizuar paqen. Në paretet anësore është shkruar kodi i misionit. OKB ka misione të tilla dhe në Kosovë, Siera Leona e Kamboxhia. Ndërsa kriteret për t’u pranuar si anëtar i misionit janë: gjuha angleze, njohuritë në kompjuter dhe patenta e makinës. Të gjithë oficerët e këtij misioni paguhen nga fondi i OKB-së me një pagë të barabartë prej 70 dollarësh në ditë. Por misioni nuk siguron mjetet e jetesës, duke lënë që gjithkush të bëjë zgjedhjen e tij, sipas dëshirës, dhe duke mos i detyruar të bëjnë jetën e kazermës. Në këtë mënyrë oficerë apo civilë kanë marrë apartamente me qira, ndërsa mund të drekojnë apo darkojnë në restorantet e ndryshme të qytetit. Në të gjitha rastet, ata janë të lirë që ta administrojnë si të duan jetën e tyre private, nëse këtë e përballojnë me rrogën që marrin si pjesëtarë të misionit. Major Kasëm Saliasi thotë se megjithatë në mision punët shkojnë shumë mirë. “Të bën përshtypje harmonia dhe ndjenja humanitare që kanë ushtarakët e të gjithë kombësive për njëri-tjetrin. Nëse shprehet se ke një problem, të gjithë janë të gatshëm të japin ndihmën e tyre”, shprehet Major Saliasi. Për sa i përket uniformës, çdo oficer i misionit mban uniformën e ushtrisë së shtetit që përfaqëson.


MISIONI
Si u krijua misioni për paqen gjeorgjiane
Misioni “Beretat e Gjelbra” ka ende kuptim, jo vetëm në terminologjinë gjuhësore, por dhe në veprimtarinë që merr përsipër një mision i tillë delikat. Jo vetëm “Beretat e Gjelbra”, por dhe “Kaskat Blu”, kanë të njëjtin qëllim: të monitorojnë zbatimin e marrëveshjeve që nënshkruhen në prani të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këto marrëveshje, zakonisht funksionojnë mes vendeve që kanë probleme etnike apo të luftës civile. Edhe Shqipërisë, mbas futjes së ushtrisë së saj në paktin e “Partneritetit për Paqe” (pakt i dalë nga marrëveshja e Dejtonit në Shtetet e Bashkuara), krijoi strukturat e veta paqeruajtëse. Në këtë kuadër, midis shumë misioneve të përbashkëta me OKB-së, ku ushtria shqiptare ka marrë pjesë, është dhe misioni që shërben në Gjeorgji. Aktualisht Gjeorgjia konsiderohet si një vend me një rrezikshmëri të lartë, ku problemet etnike mund të shkaktojnë të njëjtin kaos që krijuan dhe 12 vite më parë. Por prej 10 vjetësh, misioni ndërkombëtar “Beretat e Gjelbra” mban nën mbikëqyrje të rreptë gjithçka ndodh jashtë kuadrit të një rezolute, ndërmjetëse e së cilës është OKB-ja. Në këtë mision, Shqipëria, ashtu si dhe 22 shtete të tjera, ka statusin e vëzhguesit. Ky mision ushtarak përbëhet nga 120 oficerë që përfaqësojnë 23 vende të ndryshme të botës, ku përveç vendeve të fuqishme perëndimore si Anglia, Franca apo Shtete e Bashkuara, marrin pjesë me ushtarakët e tyre vëzhgues edhe ekipe nga Pakistani apo Bangladeshi. Ndërsa Ballkani në këtë mision përfaqësohet me ekip nga Shqipëria, Greqia dhe Turqia. E veçanta tjetër e këtij misioni është se Italia ka tërhequr përfaqësuesit e saj, pas një incidenti të ndodhur, ku nota e protestës e qeverisë italiane nuk mori përgjigje.

Botuar në gazetën DITA më 13 korrik 2004

No comments:

Post a Comment