Friday, March 25, 2022

Të jesh lider, jo ka... stravec


Nga 
Leonard Veizi
 
Bota është bërë kaotike vitet e fundit. Dhe jo se nuk ka qenë e tillë më parë. Por ja që gjithçka riciklohet dhe tani jemi pak a shumë si në vitin 1939 të shekullit të kaluar, kur Gjermania po armatosej deri në dhëmbë dhe rrethet e politikanëve dhe qeveritarëve evropianë bënin sikur nuk e shikonin, duke thënë se lufta ishte shumë larg.
Në fakt ajo plasi.
Edhe Adolf Hitleri me aneksime e filloi. Por në shtator 1939 nuk duroi. I hodhi trupat mbi Poloninë.
Edhe Putini me aneksime e ka filluar. Por loja që do të luhet më tutje nuk dihet. Sepse edhe ai Poloninë mund të ketë në axhendë. Po u hap loja, nuk do të ketë më luftëra lokale të tipit “operacion special” me mitraloza e pushkë me dylbi.
Që të mund të frenohet e gjitha katastrofa, duhet të futen në lojë liderët. Ata të vërtetët.
Jo më kot Zelenski i Ukrainës iu drejtua Presidentit Bajden të Amerikës: “Ti je lideri i i kombit tënd të madh. Të uroj të jesh lider i botës. Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes”.
Administrata e Bajdenit, që dukej sikur ishte në përgjumje e sipër, - se helbete, sheshi i luftës është Evropa, dhe flakët e saj nuk arrijnë dot përtej Atlantikut – u zgjua dhe vetë Presidenti Amerikan nisi një tur takimesh për të marrë nën kontroll situatën.
Kështu është kur të venë përpara përgjegjësisë dhe të varin këmborën e një lideri botëror. Dhe të jesh lider do të thotë të jesh burrë shteti, i përgjegjshëm e që di të marrësh vendimet në kohën e duhur dhe jo të jesh një ka...stravec.
Ç'është e vërteta, liderët asnjëherë nuk kanë dalë nga një sfilatë bukurie dhe as nga audicionet e fshehura. Madje në një sentencë që qarkullon rëndom thuhet: lider lind, nuk bëhesh.
Ndodh që në raste krizash e luftërash në krye të popujve liderët dalin vetvetiu. Marrin përgjegjësitë dhe shquhen për vendimmarrjet.
Sot thuhet se jemi në luftë. Por liderët evropianë nuk po i shohim gjëkund.
Evropës po i mungojnë burrat. Ajo është pa një lider të vërtetë. Edhe një grua si Anxhela Merkel, që ua kalonte dhjetë burrave, tashmë ka dalë nga skena aktive e vendimmarrjes dhe "spektaklin" e ndjek në prapaskenë. Makroni që po tund flamurin e lënë nga kancelarja gjermane, nuk është se të ngjall shpresë si De Gol në vitet e luftës dhe pasluftës së Dytë Botërore. Këmborën e madhe të një lideri të vërtetë nuk po e luajnë dot as pasardhësit e Çërçillit. Le më të flasësh për pasardhësit e Garibaldit!
Po Shqipëria?
Shqipëria ka liderët e saj. Për nga numri i popullsisë mund të mos kemi shumë vlerë, se sa një lagje e Stambollit jemi, por për nga terreni gjeografik kemi vlera të pamasa aq sa mbajmë çelësat e portave të Otrantos. Kjo do të thotë se s’ka burrë nëne dhe as bir kurve që ta kalojë Otranton po mos ia hapëm ne derën. Dhe ky monopol u vendos që atëherë kur Enver Hoxhës iu tek të thoshte në Kongres se meqë kishte të fortifikuar Sazanin dhe Karaburunin kishte futur në xhep “kyçet e Otrantos”. Sot liderët e rinj mendojnë se vazhdojnë ta kenë këtë trashëgimi, ndaj u lind e drejta të marrin nga kasaforta e Enverit çelsat e... kashtës, në fakt.
Pra kemi lider, por sa për vete. Piqemi me dhjamin tonë. Dhe Evropën duam ta ndihmojmë, por me çelsat e kashtës zor se futesh në pazar.
Në skenën evropiane, për shans të tij sot po shfaqet Zelenski, për të cilin thuhet se po bën një mbrojtje heroike përballë një armiku që po e kërcënon edhe me bombën atomike. Por mundet që edhe ai vetë të mos jetë zhveshur tërësisht nga roli i aktorit komik, - si profesion që e  ka pasur dikur, - ndaj vihet ende në dyshim si një lider potencial.
Bota sot po vuan për një lider.
Putini e dogji shansin e tij dhe u kthye në një diktator uzurpues. Si Adolfi dikur. Tani këtë turp të tij nuk e lan dot as ujët e destilës së mullirit të xha Pilos.... o Pinxho kapella.
Në fakt, bota ka qenë prej kohësh në luftë. Ajo nuk plasi tani, me Putinin. Prej shumë vitesh është luftuar në Afganistan, Siri, Libi, Irak. Megjithëse një pjesë e tyre ishin vende naftënxjerrëse, karburanti nuk pati ndonjë luhatje në bursë aq për të vënë duart në kokë.
Vetëm se tani lufta erdhi në Evropë. Dhe më shumë se tymi i luftës ndihet luhatja e çmimeve. Këtë na e bëri Rusia e Putinit. Ndaj doli kriza e furnizimit.
Bota po futet në kolaps.
Lufta, lufta, lufta... në emër të luftës çmimet shkojnë përpjetë në stratosferë. Pastaj vendoset kontrolli mbi to. Domethënë ulen. A mos jemi gjë në një lojë kungulleshkash?
Tani duhen liderat. Të marrin në dorë fatet e kombeve. Ta shpëtojnë Evropën qoftë dhe nga lojërat me zarar të spekulatorëve. Por nuk po shohim dot askënd.
Liderët sot po merren me çmimet e tregut.
Pse punë liderësh është kjo? Lider nuk bëhesh për të vendosur çmimet e miellit, të pijeve me gaz, qoftë dhe të karburanteve.
Kjo është punë xhambazësh.
Madje, lider nuk bëhesh as duke shpërndarë lëmosha për pensionistët. Se dhe kjo nuk është punë lideri: Na një 30-mijë leksh se boll e ke.
Dikur thuhej "Lider lind, nuk bëhesh". Sot organizohen seminare se si mund të bëhesh lider. Duhen të paktën 5 cilësi... për të qenë një lider.... jo... duhen 10 të tilla. Liderët në përgjithësi kanë tipare të ndryshme, por disa më gjithëpërfshirëse janë: vetëdijësimi, vendosmëria, ndjeshmëria, përgjegjësia, vetëbesimi, optimizmi, sinqeriteti…
Ohu…, qenkan shumë. Mjaft se na lodhët!
Por mbase sajohet ndonjë lider edhe nëpërmjet seminareve. Pak i arnuar por gjithsesi...
Puna është të jesh lider, jo ka.. stravec.
Por lider lind, nuk bëhesh.

No comments:

Post a Comment