Wednesday, January 11, 2017

Tortura e ujit - fragment nga ditari i një pacienti të spitalit psikiatrik


nga Leonard Veizi



Nuk e mbaj mend se kur më ka ndodhur kjo, as se si më ka ndodhur. Vetëm më kujtohet se kisha shumë... shumë etje. Kisha një etje aq të madhe, saqë askush s’mund ta përfytyrojë dot. Kam provuar të rri pa ujë për disa orë nën zhegun e diellit, natyrisht kur kam qenë në plazh. Kam pasur etje vërtet. Por si atëherë, jo. Më dukej sikur kisha një kohë shumë të gjatë pa pirë ujë. Por sa mund të kisha, vallë?! Koha nuk konceptohej më tek unë, ashtu siç nuk konceptohej as dëshira për të pirë ujë, sasia e tij ose ndjesia për të qenë brenda në një kazan të madh, ku lagështia të depërtonte në të gjitha poret e lëkurës, për të më dhënë sërish gjallërinë e mëparshme. Sytë më mjegulloheshin. Trupi më ishte tharë i tëri. Buzët po më plasariteshin. Çfarë torture!

Nuk ishte torturë, por një autotorturë, domethënë torturë e vetes. Nisa të luaja me fjalën: vetëtorturë ose makinë-torturë. Oh sa e tmerrshme të merreshe me artikulimin e fjalës. Fjala vjen: auto-tort(ë)-urë. Dilnin tri fjalë të ndryshme, që për nga kuptimi, më vete, nuk kishin lidhje me njëra-tjetrën. Por ama të tria bashkë…

Nuk di pse ia bëja vetes këtë gjë, e lodhja dhe e stërmundoja, por gjithsesi ujë nuk pija. Shpretka, mëlçia, stomaku, mushkëritë, venat, gjithçka punonte me një ritëm të ngadaltë, për të pushuar së jetuari pak nga pak. Qenia dhe mosqenia ishin aty pranë meje për ta bërë më të afërt idenë e një absurdi të ri.

Askujt s’i kishte shkuar ndër mend kjo. Askush s’do ta kishte marrë një guxim të tillë. Ndoshta edhe mund ta kishin menduar, por nuk mund ta realizonin dot. Kurse unë po. Isha i sigurt se do t’i shkoja deri në fund. Do ta duroja etjen, duke bërë kështu dhe sfidën time më të madhe.

Më vonë, sikur m’u fanitën disa mirazhe, të cilat as tani nuk mund të arrij t’i konceptoj dot. Dukeshin ngjyra dhe nuanca, me zbërthimin e tyre deri në imtësi. Duhej të kishte shumë nuanca, aq sa u mërzita duke u munduar që të përcaktoja dallimin ndërmjet  tyre. Ishte një lojë për të harruar etjen. Në fakt, duhet ta kisha harruar vërtet, pasi nuk e kisha ndier për shumë kohë. Isha duke u marrë me shifra, mbledhje dhe zbritje. Shumëzimin dhe pjesëtimin nuk i përdorja dot, pasi ishte një ngarkesë tepër e madhe për ato çaste. Më vonë, figura, hije dhe imazhe tepër të papërcaktuara silleshin përqark meje, duke më treguar diçka të largët, që në të vërtetë nuk kishte lidhje aspak me mua. Por unë po i ndiqja me shumë vëmendje, edhe pse në fakt nuk kuptoja asgjë.

Por mirazhet u zhdukën dhe vështrimi m’u kthjellua papritur. Ndjeva se më pihej tmerrësisht ujë. Doja ujë. Doja të ma sillnin në një gotë, të ftohtë, pasi vetë nuk isha në gjendje ta merrja dot. Durimi kishte marrë fund. Mjaft më me këtë marrëzi të marrësh!

Me shumë mundime, duke u zvarritur deri në stërmundim, arrita te lajtorja. Nuk shikoja mirë, por intuita edhe në këtë rast nuk më gaboi. Rubineti ishte aty. Zgjata dorën dhe e kapa. Ndjesia e një prekjeje të ftohtë më bëri që të gulçoja. “Shpëtova”, - thashë me vete. Ishte një çast i shkurtër, teksa përfytyroja ujin duke më rrjedhur nëpër duar, krahë, fytyrë. Duke më lagur buzët e përzhitura. Duke më rrëshqitur në gjoks e duke më njomur këmbët.

Por ujë s’kishte. Asnjë pikë. Nga tubi i hekurt doli veç një zhurmë vakumi dhe, megjithëse e godita disa herë me forcën që më kishte mbetur, nuk rrodhi asnjë pikë. Ç’torturë e tmerrshme! Edhe atëherë kur autotortura kishte marrë fund, ishte dikush tjetër që vazhdonte të të torturonte, që vazhdonte të të ndëshkonte, pasi kishte ndëshkuar veten. Metali i çezmës ishte krejtësisht i tharë dhe mua m’u shtua etja dyfish. Trefish. Një mijë fish. Mijëra f… Po çmendesha! Përfytyrimi im kishte të bënte vetëm me masive uji, me lumenj, ujëvara, liqene, dete e oqeane. Por ujë s’kishte. Asnjë pikë. Asnjë gjurmë. Çdo gjë, e thatë. Deri në marrëzi. “O Zot! - thirra. - Pak ujë. Vetëm një pikë ujë, se do të vdes me të vërtetë!”

No comments:

Post a Comment