Sunday, May 27, 2018

Mbresa të shkëlyera nga një fundjavë plazhi në fillim të sezonit veror


Një rrëfim në vend të një reportazhi

nga Leonard Veizi

Histori  e paparë e një dite vere, aq sa edhe pse e ndesh çdo ditë, sërish kur e lexon nuk të besohet…

...Nuk është hera e parë që shkruaj për plazhin dhe do të vazhdoj ta trajtoj ngahera këtë temë, të paktën në formën e një reportazhi, edhe pse në fakt aty gjen aq materiale sa të mbushësh faqe për një roman satirik që kur ta lexosh me nge të shkulësh barkun nga të qeshurat.
Fund maji.
Sinoptikania e “Top Channel-it” thotë se dielli do shkëlqejë sa të na marrë mendjen. Ajo e TVSH-së siguron se nuk do t’i gjejë gjë ata që do të zgjedhin bregun e detit për vakancë. Unë bëj propozimin e radhës:
- U mykëm në Tiranë. A nisemi për në Golem këtë fundjavë, bëjmë dhe plazhin sefte?
Propozimi pritet me ovacione nga tre anëtarët e tjerë të familjes, gruaja, vajza dhe djali. Bëhen gati 4 valixhe ku fusim gjithfarë gjërash deri te bluzat me mëngë të gjata.
- U ngarkuam shumë, - i them gruas. – 45 kilometra larg jemi. Pastaj shi nuk do bjerë. Edhe temperaturat do jenë mbi 30 gradë celsius.
- Në atë krah fli ti, - ma kthen ajo. – Ku i zihet besë kohës. Pastaj ç’ke, makina do t’i mbajë.
Të shtunën sa zbardhi, rrasëm valixhet në bagazh dhe u nisëm.
- Më pëlqen ta pi kafen buzë detit, - i them gruas.
- Ëhë, - ma kthen ajo dhe ndez radion.
Muzika buçet. Autostrada rrëshqet. Këtyre u them pushime unë. Deri te kthesa e Rinasit gjithçka mirë. Pastaj fillojnë gropat. Gjende mirë, ritmi i muzikës sinkronizohet me kërcimin brenda kabinës. Aheng i detyruar. Po prapë shtyhet. Nuk ka shumë trafik të paktën.
Mbërrijmë në Golem. Marr një dhomë tek i njëjti hotel ku shkoj prej vitesh. Me pronarin jemi bërë miq.
- Po të jap dhomën më të mirë, - më thotë ai.
Në fakt më jep me të keqen. Metodë e vjetër. Më të mirat i mban për rast rreziku. Ja vjen ndonjë turist nga Prishtina. Se ne të Tiranës jemi bërë si të shtëpisë o lum miku: hyr e dil e tund peshqirë.
- Rrofsh, - ia kthej duke e bërë të besojë që e besova. Fundja një natë do rrimë. - Këtë rrugën meazallah se e rregulluat.
- Përton bashkia, - ma kthen ai, si ta kishte përgjigjen në majë të gjuhës. – Por vitin tjetër ma do mendja është gati.

Ka nja tre vjet që më thotë të njëjtat fjalë.
Hedh sytë përreth. Në fakt dhe situata është e njëjtë, këtu e 15 vjet më parë, kur mbërrita në bregun e Kavajës. Atëherë me dhimbje braktisa "Breshkën" e Durrësit dhe në fakt gjeta zhabat e Golemit. Një kanal fekalesh që mezi e futën nëpër tuba. Punimet vazhdojnë akoma. Me ritmin e breshkës sigurisht. Aty këtu ca fadroma ngrohen në diell. Ngado hedh sytë do ndeshem o me objekte të prishura o gjysmë të ndërtuara.
Kujë e zezë.
Me hap të shpejtë dalim nga hoteli dhe marrim rrugën për te kafeja. Pamja madhështore. Tavolinat plot. Qindra shezllonet bosh. Deti vaj.
- Mrekulli, - i them gruas.
Ajo gjerb me kënaqësi kafenë. Fëmijët rrufisin nga një filxhan të madh me kakao.
- Po ky kanali këtu?
Bo, bo... Dhjetë për qind nga qejfi i madh u zhbë. Një kanal gjigant që rridhte ujë, pastronte gropat septike të zonës. Në fakt jemi mësuar me situatën. Por një vit më parë ishte i mbyllur. Tani në fillim të sezonit kishte hapur kanatat. Megjithatë ne shquhemi për imunitet. E shtyjmë si e shtyjmë. Por them se dhe turistët e huaj zor se e gjejnë një panoramim të tillë, në tërë globin të kërkojnë. Jemi vend ekzotik jo shaka. Ofrojmë të paofrushmen.
- Po marrim një çadër, - i them administratorit të shezllonëve.
- Fëmijët qenkan të rritur, merr dy e të rrini rehat, - më sugjeron ai.
Prishur mos qoftë. Ne lekët në dorë, ai na jep një kupon tatimor. Hajde shtet hajde. Hallall.
Sa shtrijmë peshqirët e rehatohemi mbërrin mysafiri i parë. Një lypës nja 12 vjeç.
- Ke ndonjë lek të vogël? - më pyet ime shoqe.
Lypësi ka shtrirë dorën e nuk thotë asnjë fjalë.
- Jam me rrobe banje, - ia kthej.
Ajo ngrihet hap çantën e madhe, merr kuletën e vogël dhe nxjerr ca qindarka.
Lypsi ikën pa falënderuar.
- Është muaji i Ramazanit... - më le të nënkuptoj gruaja.
- Po moj, - ia kthej unë, - duhet me i ndihmu shtresat në nevojë.
Fëmijët kanë vënë kufjet në vesh e s'duan t'ia dinë fare.
Shtrihem në shezllon të marr ca rreze.
- Hajde fara, kikirik, letra bixhozi, domino...
Filluan ofertat, mendoj. Thirrja e largët fillon e dëgjohet më fort.
- Do ndonjë pako letra? Apo do të bësh një dorë domino? Kalon kohën jo për gjë.
Shitësi ambulant më kishte zënë diellin ndërkohë.
- Ç’i dua, - ia kthej, - kam celularin sa për 100.
- Pse bosh do më lesh ti mua. Merr ndonjë gjë o burrë.
- Ja po të marrim një pako fara, - ndërhyn gruaja.
Ambulanti ikën i kënaqur. Gruaja më buzëqesh. Situata u zgjidh.
- Edhe kjo në kuadër të muajit të Ramazanit, - i them.
- Epo edhe ai për të shitur ato dy gjëra ka dalë.
U shtriva në shezllon dhe vendosa kapelën mbi fytyrë.
- Erdhi banania...
Ulërima çau ajrin. "Ç’ke ore që bërtet" doja t’i kthehesha gjithë nerv.
- Marrim nga një banane për mëngjes, - dëgjova zërin e gruas.
U kujtova që isha pa ngrënë.
- Sikur të merrnim dhe ndonjë byrek, - i them duke shtrënguar stomakun.
Gruaja merr bananet, unë sulem te dyqani më i afërt për të marrë katër byreqe me shije të ndryshme sipas kërkesave: gjizë, spinaq, proshutë, qepë e domate.
Hëngrëm sa u shqepëm.
- Epo na bëftë mirë, - thashë dhe vendosa kapelën mbi sy.
Të merrnim ca rreze më në fund.
-A do një palë syze?
Heq kapelën. Mbi kokë një ambulant tjetër mbante varur mbi gjoks një kuti ambalazhi me nja 40 palë skelete me ngjyra të ndryshme.
- Po ti e sheh që unë i kam një palë syze, - ia kthej.
- Po këto i ke optike, merr një palë të zeza se të vret sytë dielli.
- Ja merr këto se të shkojnë, - më sugjeron gruaja.
I vendos syzet e diellit mbi ato optike. Pamja u errësua.
- Relaks ëëëëë... Thashë unë. T’i gëzosh.
Inshallah me kaq, mendova. Syzexhiu u largua, unë vendosa kapelën mbi të dy palët e syzeve.
- Gazeta, revista, fjalëkryqe....
Pash nderin më lini rehat, doja të bërtisja dhe vura duart mbi kokë.
- Epo një “Panorama” do ta marrim, të njihemi me të rejat e ditës, - dëgjoj zërin e gruas.
- Merre, - i them duke zbutur inatin. - Mbase ka thënë Babalja ndonjë llaf me mend.
- Po u marr dhe kalamajve nga një akullore. Apo do dhe një ti?
Tunda kokën me gjithë kapelë. Pas tre minutash situata ishte krejt ndryshe. Unë e fëmijët lëpinim akulloret, gruaja nisi të shfletonte gazetën nga faqja e fundit.
-Paska dhe fjalëkryq. Po ç’e do, nuk kam një stilolaps.
Akullorja më shkoi shtrembët. Fillova të kollitesha. Sytë po më lotonin. Djali u hodh vrik të më ndihmonte me ca grushte të lehtë mbi kurriz. Emergjenca kaloi. U ngrita të merrja një stilolaps tek një tjetër ambulant që mbante gjithfarë kinkalerish brenda një kutie dërrasash.
- Këto qenkan njëlloj, përse këta të kuqtë janë më të shtrenjtë, - pyes.
- Epo kanë stemën e Shqipërisë. Jemi apo s’jemi patriotë.
- Po marr këtë “kuq e zinë”, se nuk dua të më cilësojnë si filo sllav, filo turk a filo grek.
- Po merr dy copë atëherë.
- Nuk do filloj shkollën, - ia kthej. - Një fjalëkryq do zgjidh.
- Po mirë mos u nxeh, t’i jap me ulje ndaj të thashë.
Demek treg shumice.
Shkoj te gruaja me dy stilolapsa në dorë. Në fund të fundit do t’u jepja nga një vajzës dhe djalit.
-Ku janë fëmijët, - e pyes?
-Kanë shkuar të marrin kasata, - thotë ajo duke më treguar furgonin mbi të cilin shkruhet “Akullore-Kasata”. Pak më tutje një ambulant tjetër përgatiste petulla të nxehta.
- Akullorja nuk u pëlqeu dhe shkuan të rregullojnë shijen.
- Vetëm  petulla të mos blejnë, - them i shqetësuar. - Kjo era e vajit të djegur, më duket si era e vajit të kamios së makinës.
Fëmijët vijnë me kasata në duar, ne dalim një shëtitje buzë detit. Porosis fëmijët të hapin sytë se mos na vjedhin gjë.
- Nuk vjedh njeri këtu o ba, - ma kthen vajza.
- O po këtu të vjedhin çadrën me gjithë shezllon, por kujdes, - i tërheq vëmendjen.
Kishim bërë fare pak metra buzë detit kur ndeshemi me një grup fallxhoresh. Të gjitha u sulën të kapnin nga një myshteri.
- Të të hedh një fall, - më tha njëra prej tyre, duke u munduar të më kapte prej dore.
Djall o punë. Refuzoj dhe eci gjithë duf. Gruaja më ndjek gjithashtu duke refuzuar parjen e vizave të dorës. Vazhdojmë përpara.
- Do bëni ndonjë tatu? Janë të përkohshme, pas dy muajsh prishen. 
Nuk ia vëmë veshin. S’kam pasur kurrë tatuazhe në trup, as të përhershëm e as të përkohshëm. Gruaja jo e jo.
Vazhduam shëtitjen. Na bëri përshtypje një kompleks i ri që po vazhdonte të ndërtohej. M’u duk vetja si në resortet e Turqisë. Por bregu i detit vazhdonte të kishte plot mbetje leshterikësh e gjithfarë gurësh që sillte batica.
- Hajde fara, kikirikë, letra bixhozi, domino...
Prapë ky. E tmerrshme. Kthehemi rreth kohës së drekës. Fëmijët i gjejmë duke ngrënë qershi. Na thanë se nuk ia dolën dot me një fshatar që u rrasi qesen e qershive në dorë.
- Po ai i fiqve, kaloi? – pyeti gruaja gjithë merak.
- Ohu, mos u bëj merak se vjen prapë, - u përgjigj djali gjithë indiferencë.
-Po misrat moj, se na u bë syri bakër, - i them gruas.
Ajo mbledh supet.
-Nuk e kanë kohën tani. Më duket se dalin nga korriku.
Kush pret deri në korrik.
Dita kaloi si kaloi. Në darkë gjetëm një lokal që na ftonte me muzikë live.
- Këtu do qëndrojmë, - vendos veton unë. – Dëgjojmë dhe dy këngë për të qenë. 
Vura dhe një birrë të madhe përpara. Orkestra filloi. Nja 30 minuta më pas, filluan të më merreshin mend.
- Më duket se jam dehur, - i them gruas.
- Po ku u dehe aman. Ti as gjysmën e birrës nuk ke pirë. Me siguri e ke nga muzika.
- Muzika???
Në fakt kisha dëgjuar që muzika të dehte.
- Po pra, deri tani është përmendur nja 18 herë fjala raki.
I vë mend tekstit të këngës... “Kush pi verën dhe rakinë do të vdesë mbi trëndelinë/ kush se pi rakinë dhe verën pos e paftë me sy pranverën”. Më futen të dridhurat. Mallkim jo shaka. Nga frika e ktheva me fund gotën e birrës.
- Epo po u bënë 22 duhet të më çojnë kamerierët në hotel se do jem bërë dru, - them unë.
Të nesërmen rituali vazhdoi i njëjtë. Vazhdimisht më dukej vetja si i dehur. Këtë herë na u shtua një tjetër aksesor.
- Të paska zënë dielli.
Ishte një grua që flokët i kishte mbledhur me shami. Uli çantën që mbante krahëve e hapi dhe duke nxjerrë ca tubete filloi të shpjegonte: - Ja, ky kremi këtu është me faktor mbrojtës 30. E sheh? Ti je ca bardhosh. Duhet të marrësh këtë më faktor 50. Pastaj i fut një karrotë e bëhesh bronz.
- Me gjithë mend e ke, - ia kthej.
- Ka të drejtë, - ndërhyn gruaja dhe blen njëkohësisht kremin mbrojtës e atë nxirës.
- Di gjë sa na ka shkuar fatura, - e pyes. - Se sikur e kemi liruar shumë dorën.
- Në shtëpi, - ma kthen ajo, - aty i mbyllim llogaritë.
Dhe si për t’i vënë qershinë tortës vjen një ahengxhi, me një box që e tërhiqte pas ngado. Këngë me porosi. Tallava safi. Boxi të shurdhonte veshët. Ai nuk lëvizte vendit. Si qëndroi nja 15 minuta e nuk ia vari kush iku. Ua zuri derën pushuesve nja dy blloqe më poshtë. Veshët na ranë rehat. Hajde pushime hajde, thashë me vete. Terror fare. Mezi po prisja të mbaronte wekeendi.
Pasdite vonë mbërrijmë në shtëpi. Jemi të katërt të me sy të kuq nga kripa e detit e të djegur nga dielli.
- Tani po, mund t’i rakordojmë faturat e të mbyllim llogaritë, - më thotë gruaja.
Unë mblodha buzët. Koka më dhimbte.
- Më mirë të mos e di, - i them. - Do të më zërë koka më keq se kaq.
Gruaja mbyll kuletën.
- Ashtu them dhe unë.
Nuk kishte nevojë për shifra. Me siguri fatura duhej të ishte më e kripur se ujët e detit dhe më e rëndë se era e gropave septike. Isha në një përgjumje të mundimshme. Nga larg më vinte një zë si oshtimë.
- Hajde fara, kikirikë, letra bixhozi, domino...
Isha i lodhur e s’po duroja dot. Doja të harroja gjithçka. U shtriva në shtrat dhe rashë në një gjumë të thellë.


Wednesday, May 2, 2018

"Hieronymi, Arbëreshi i Italisë", pak fjalë pas prezantimit të një dokumentari



nga Leonard Veizi


Jeronimi nuk jetoi në epokën e kibernetikës, dhe as në atë të “internetit pa kufij” përndryshe me siguri do të kishte zënë faqet e para të mediave sociale, të cilat do të ishin marrë gjatë me jetën e tij sentimentale. Fjala vjen, një debat i mundshëm do kishte të bënte me “Këngët e Milosaos”. Përse e shkroi, në çfarë kushtesh depresivo-emotive dhe kujt ia kushtoi?
Por në fakt, Jeronim De Rada u lind më shumë se 200 vite më parë, në një fshat arbëresh të quajtur Maki, për të cilin thuhet se origjinën e kanë nga Mati, por që flisnin një dialekt të vjetër toskë. Dhe për më tepër, Jeronimi në familjen e tij ishte edukuar me një frymë fetare e konservatore, sa që dhe jeta e shfrenuar në Napolin e atyre viteve nuk e tunduan dot. Kështu që mundësia që ai të ishte në një qendër thashethemesh, sigurisht do të ishte “0”.
Jetues mes dy kulturave, dy kombeve e për më tepër mes dy gjuhëve, shqip dhe italisht, atij iu renditën aq ide brilante në kokë, sa dhe jeta e gjatë prej 89 vitesh nuk do mund t’ia shteronin dot. Ishin ide të mëdha për moshën e tij ende të re.
Shëndetlig, por me një fuqi të madhe, ai kërkoi t’i shkonte deri në fund projektit të tij madhor: zhvillimin e gjuhës, që do të çonte më pas në formimin e një shteti të qëndrueshëm shqiptar. Në të vërtetë, edhe pse i cilësuar si njëri prej ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë, Jeronim De Rada nuk e njihte vendin e tij të origjinës, madje nuk e pa kurrë atë në 89 vitet e jetës së tij. E megjithatë, kjo nuk ia lëkundi besimin se projekti për të cilin ai kishte filluar të punonte çdo ditë do të mund ta zhvillonte vetëdijen dhe krijimin e një populli kulturor si kusht për krijimin e vetë shtetit.
Të gjitha këto dhe shumë më tepër se kaq, bëhen akoma më tërheqëse nëse përmblidhen në një seancë të vetme të quajtur: dokumentar.
Pikërisht "Hieronymi, Arbëreshi i Italisë", është një dokumentar që i kushtohet Jeronim De Radës, me autore gazetaren e mirënjohur Beti Njuma. Ai u shfaq premierë në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar e ku si pjesëmarrës ishin të ftuar edhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare "Jeronim De Rada" në Tiranë. Sipas autores së dokumentarit, kjo mënyrë prezantimi kishte të bënte me dëshirën e saj që "Hieronymi, Arbëreshi i Italisë" fillimisht të shfaqej për një brez të ri më pak të rrahur nga imazhi i figurave të tilla, se sa për qarqet letrare apo akademike të cilët e njohin prej kohësh veprimtarinë e këtij mendimtari të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare.
Dr. Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, në fjalën e tij të përshëndetjes para se dokumentari të shfaqej për të pranishmit, do të vlerësonte autoren Beti Njuma, si një studiuese që i ka dhuruar historiografisë shqiptare 15-20 realizime cilësore, e ku shumica e tyre kishte të bënte me shtetformimin. Për sa i përket figurës së Jeronim De Radës, Dr. Dorian Koçi do të shtonte se: Letërsia para Rilindjes Kombëtare në pjesën më të madhe të saj ishte një letërsi me tematikë fetare ndërsa De Rada është shkrimtari i parë që në mënyrën të dukshme e të vetëdijshme, me veprat e tij artistike shkëputet prej saj.
Vetë autorja Beti Njuma do të shprehej se, synimi i dokumentarit nuk ishte vetëm vepra e De Radës me të cilën nis dhe letërsia moderne shqiptare, por të shpërfaqej dhe jeta e tij në çdo dimension njerëzor.
Dokumentari "Hieronymi, Arbëreshi i Italisë" erdhi për publikun me pamje ekskluzive të operatorit Vladimir Grori, regjistruar në vendlindjen e poetit, fshatin e vogël Maki i Kozencës, fare pranë me Shën Mitër Korona. Pjesë e dokumentarit, që vinin me trajtimin e jetës dhe veprës së themeluesit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ishin dhe zëra të njohur të kulturës sonë si studiuesit: Matteo Mandala, Klara Kodra, Moikom Zeqo, Lili Sula, Francesco Altimari e Shaban Sinani.
Nëpërmjet tyre dhe të vetë narratores Beti Njuma, brenda një kufiri kohor prej 60 minutash, u transmetua e plotë gjithçka mund të thuhej e të mbetej në kujtesë për një figurë të ndritur si ajo e Jeronim De Radës. E ndërkaq një kolonë muzikore me këngë arbëreshe shoqëronin sfondin me imazhet e Shën Mitrit e Maqit dy fshatrave të njohura arbëreshe të Jugut të Italisë, si dhe të vetë shtëpisë së vjetër e të plasaritur të Jeronim De Radës.
Ka qenë mjaft e gjerë krijimtaria poetike e De Radës. Biografia e tij liston deri në 43 vepra, të gjitha të ndryshme nga njëra-tjetra për nga gjinia. Ai nisi të botojë që herët, por krijimi që i solli famën si poet me talent të shquar, është poema lirike-epike “Këngët e Milosaos”, e cilësuar si e vepra e parë e letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike. Më pas ai do të vazhdonte me botimet: "Një pasqyrë e jetës njerëzore", "Serafina Topia", "Skënderbeu i pafan", etj.
Por Jeronim De Rada kaloi një jetë të vështirë. U përball me fatkeqësi të rënda familjare ku shënohet si më tragjikja, vdekja e gruas dhe e djemve. Por duket se as këto fatkeqësi nuk e mposhtën poetin, i cili vazhdoi deri në fund të jetës me projektin e tij madhor të zhvillimit gjuhësor të shqipes. E megjithatë po kaq tragjike ishte edhe vdekja e tij, në varfëri e vetmi të plotë.
Të gjitha këto, dokumentari "Hieronymi, Arbëreshi i Italisë", realizuar nga Beti Njuma, do t’i sillte të zbërthyera më së miri, duke ngritur edhe një herë Jeronim De Radën në piedestalin e ideatorëve më të mëdhenj letrarë e kombëtarë të Rilindjes Shqiptare.



Botuar në:


Sunday, April 22, 2018

Gjovalin Paci: Nënë Tereza më bekoi dorën e djathtë, me të bëra Skënderbeun

Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci
LPortret i “pa autorizuar” për Gjovalinin, piktorin shkodran me rrënjë nga Pacët e Firences





nga Leonard Veizi


Me pak mustaqe, mjekër të shkurtër, flokë të rrallë, e krejt i shpenguar. Tipik shqiptar në pamje të parë. Gdhë e i paturpshëm njëkohësisht. 
A thua të jetë ky...?
Gjykim idiot.
Por nëse të thotë se në dejet e tij rrjedh një gjak i përzierë, italian i pleksur me malësorët e Shkodrës, por gjithsesi ADN-ja vjen nga gadishulli Apenin, nuk të duket më aq ballkanas. Fillon e dyshon në linjën e tij. Hollë-hollë, nuk të duket as gdhë, e as i paturpshëm. Madje është fort i zgjuar. Filozof në të artikuluar dhe i ndrojtur me raste.
Tipik intelektual.
Vështirë se ky lloj të jetë nga ata shqiptarët e vërtetë, pak kaçak me thikë e kobure në brez që pi duhan Taraboshi. Po t’i vendosësh një shall rreth qafës, vete-ç’vete, të ngjan po aq italian sa dhe piktorët e tjerë që shkarravisin në rrugët e qyteteve të mëdha të perëndimit.
Por nëse në delir e sipër, atij i ikën truri, e i shkrepet të thotë se origjina e tij është franceze, sërish do ndryshosh mendim. Do të të duket po aq elegant sa një parisien dhe asgjë më pak se kaq edhe nëse do ta trashte lojën e të të thoshte së në të vërtetë ishte nga Londra.
A është kjo një lojë nervash...?
...apo çështje perceptimi?
Mjafton të dish kujt race i përket. Se nuk është çudi që po të të thotë se është nga Labëria, shallin e qafës do të mund t’ia zëvendësosh me gunën prej leshi dhe penelin me një kërrabë bariu. Dhe vetëm kështu do të të duket safi lab.
Me Gjovalin Pacin njihem prej vitesh, ndoshta që në fillim të mbërritjes së tij në Tiranë. Fillimisht ka lënë pas Razmën, megjithë natyrën e saj piktoreske. Pastaj është larguar nga Shkodra e papame. Dhe tanimë nuk është çudi që të lërë Tiranën e zhurmshme për t’u kthyer atje ku kanë jetuar të parët e tij, në Firence, ndoshta në Milano, por pse jo dhe në Romë.
Ç’rëndësi ka.
Ore.., vërtet italian të jetë ky apo bën snobin?
Jo, se unë për vete kam pirë raki Boboshtice me të, kemi ngrënë dhe kërnacka Korçe. Ç’ne ky nga Firence. Ndonjë iluzion optik apo... mendor.
Me siguri!
Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci
Në rrugëtimin e tij të pazakontë, mes telajosh, bojërash, dhe një trekëndëshi të vetëm që quhej kavaletë, Gjovalin Paci më ka befasuar gjithmonë. Ai vazhdimisht ka sjellë një atmosferë pikture thuajse të pangjashme. Ka dhe një filozofi interesante në atë çka thotë, e cila padyshim është përcjellë dhe në tablotë e tij herë abstrakte e herë krejt absurde. Me të njëjtën filozofi ai ka bërë shkëputjet e tij të mëdha. Nga Shkodra erdhi në Tiranë me rrobat e trupit. Nuk e mori mundimin të thërriste një kamion taksi, ku do të paketonte kostumet, këmishët dhe kravatat, të paloste dhomën e gjumit, të çmontonte portmontonë e korridorit dhe për më tepër, të zbriste shkallëve kolltukët e rëndë të dhomës së ndenjës.
“Ma vaffanc...”
 “Të nxjerrësh dhjam nga pleshti”, i thonë kësaj. Gjovalini nuk e njeh këtë lloj kategorie.  Ai është nga ata që vazhdimisht kërkojnë diçka të re. Për të nuk kanë pasur asnjëherë rëndësi dërrasat e mobilieve, as gardëroba ku çorapet kalkulohen të ndërthuren me ngjyrën e kopsave të këmishës. Për të rëndësi kanë pasur telajot e përfunduara, bojërat, penelat dhe mjetet e tjetra të punës. Vetëm kaq i duhej që kryeqytetin e egër ta mbërthente për gryke.
Dhe ia doli.
Vite më pas ai ishte ndër të paktët piktorë, për të mos thënë i vetmi, që mbante familjen vetëm duke shitur piktura. Koleksionistët gjuanin së largu ekspozitat e tij. Dhe kështu ai vazhdimisht shiste. Pastaj blinte komplete të reja bojërash, kanavacë, shkollonte fëmijët dhe... padyshim i mbesnin para edhe për bukë me djathë. Por ai refuzoi të bënte dhe një punë tjetër, shofer taksie, apo një hierark në zyrat e shtetit. Ai, thjesht ishte një piktor. Një tjetër kolege e tij, që rastisi një paradite të ndodhej mes nesh, shpjegoi me plot pasion se veç 8 viteve të Liceut Artistik dhe Akademisë së Arteve për pikturë, kishte bërë dhe një kurs parukerie, dhe se falë kësaj kishte mundur të merrte një ambient me qira ku do mund të bënte manikyr e pedikyr për nuset që do martoheshin. Gjovalini i hodhi një vështrim zhvleftësues dhe foli: Të paktën mos thuaj më që je piktore. E turpëruar ajo kërkoi mbështetjen time, se në fund të fundit për shkak të artit nuk mund të sakrifikohej stomaku, e për pasojë as zorra e trashë që bën të mundur daljen e tepricave në WC. “Nuk marr vesh nga zanati, - ia ktheva për të shpëtuar nga situata, - unë vete jam teknik lavatriçeje, maksimumi mund të shtrëngoj vidat”.
-Si është kjo puna e origjinës? - e pyeta një herë. - Kam dëshirë ta shkruaj në gazetë.
Për të nuk kishte rëndësi në shkruaja në gazetë apo e doja për konsum personal. Unë e kisha të nevojshme të dija historinë e familjes, ndërsa ai të domosdoshme ta rrëfente. Nuk kishte më sekrete.
- “Historia është e gjatë, e duket e pabesueshme, por ajo ka ndodhur, - rrëfeu thjeshtësish Gjovalini. -  Mbiemri ynë origjinal është Pacaj, që në italisht merr kuptimin “të marrët”. Pacajt ishin familje e madhe në mesjetën fiorentinase, ishin bankierë. Por kishte një rivalitet me familjen akoma më të madhe, Mediçët. Kjo u shfrytëzua nga papati dhe Pacajt bënë një vrasje nën bekimin e Papës. U vra i madhi i Mediçëve. Por mëkati më i madh është se vrasja u bë në ambientet e një kishe. Mediçët u organizuan dhe iu kundërvunë Pacëve, i vranë e i përndoqën, aq sa meshkujt e pakët që mbetën nga familja morën rrugën e mërgimit. Për rreth 60-70 vjet nuk dihej vendndodhja e tyre. Por diku mes viteve 1720-1730 nëpërmjet rrugëve që kontrollonte Venediku ata u futën si tregtarë në Shkodër. Në Razmën e atëhershme me 5-6 mijë banorë, si dhe kishën e Shën Premtes që ishte ndërtuar rreth vitit 1200, Pacajt blenë truall në pjesën e pabanuar të vendit. Ishin të huaj, por thuhej se kishin sjellë shumë pasuri me vete. Ndërtuan një shtëpi me gurë e dërrasa, me një teknologji të lartë, të panjohur nga vendasit. Ajo shtëpi ekziston dhe sot. Në derën kryesore vendosën një gur që e kishin sjellë nga Firence. Ai gur, që tregon origjinën e tyre, ka të gdhendur me daltë një kryq, të vendosur horizontalisht dhe koka e kryqit është e drejtuar nga perëndimi. Pak kohë më pas ata janë dekonspiruar dhe Mediçët që ishin vigjilentë, dërguan mercenarë. Pacajt u zunë në pusi. U qëllua mbi shtatë meshkujt e mbetur gjallë nga familja. U vranë 6 prej tyre, por për fat i fundit mbijetoi i plagosur. Në kushtet e reja ai u kthyet të bëjë jetën e një shqiptari dhe u martua me një shqiptare. Mbiemri ynë u transformua në Paci dhe pasardhësit u pagëzuan me emra katolikë, por të shqiptarizuar. Në Razëm një lagje ende quhet “Gil Pacaj”. Them se vrasja e bërë në një institucion si kisha mori nga pas dhe mallkimin e vetë institucionit. Pacajt e kanë vuajtur një gjë të tillë për breza me radhë. Të paktën për 250 vjet vetëm një nga Pacët meshkuj jetonte. Tjetri, më i vjetri, vdiste nga shkaqe të ndryshme. Vonë Pacajt filluan të shumohen”.
Mbeta pa frymë.
Histori brilante. Horror fare. Për gazetë, roman, e subjekt filmi. Ja të hedh ca reshta se si dihet asnjëherë: Ata morën rrugën për të ikur larg, shumë larg, aty ku shpata s’i arrinte dot, por as plumbi s’mund t’i gjente. Armiqtë ishin aty pranë. Nuk mbanin xhubletë e as kësulë mbi kokë, madje nuk ishin as malësorë të krisur, por pinjollë të një prej dyerve më të mëdha të veriut italian. Pacët gjendeshin në gjak me Mediçët. Historia, në plan të parë kaq e madhe, ishte shndërruar në një hakmarrje mesjetare. Ishin vitet 1500 dhe Evropa ende nuk kishte kufij. Në Apenine e Iberik latinët vazhdonin të ishin zot në tokat e tyre, por Ballkani sundohej nga jeniçerët e Portës së Lartë. E megjithatë Shqipëria dukej një vend ideal nga ku mund t’i shpëtoje çdo lloj represioni. Tanimë edhe pse kanë thuajse qindra vjet që janë shkëputur nga rrënjët e Firences, gjurmët e të parëve i ndjekin edhe sot. Është ajo pemë gjenealogjike që ka përvijuar në dejet e të gjithë brezave të familjes Paci, përmes gjakut që vlonte nga sakrificat, vështirësitë dhe shpërfilljen për shkak të historisë që mbarte vetë trungu. Janë copëza jete të cilat s’mund të harrohen lehtë. Përkundrazi, pinjollët e kësaj familje të madhe janë përndjekur për shkak të vijës së origjinës së paraardhësve të tyre, aq sa dhe sot duket se fati i tyre ka qenë shkruar i tillë.
Këto dhe ca të tjera i botova para do kohësh në gazetën “Shekulli”. Me siguri ka ende për të eksploruar.
-Ore, të vërtetë e ke gjithë këtë histori?
Besoj, po aq sa jam skeptik.
-Po nuk besove eja të shkojmë në Razëm, - më bën një ofertë Gjovalini. - Shohim shtëpinë. Kam dhe ca dokumente të tjera që do të të bindin.
-Çfarë thua o Gjovalin, - ia kthej unë. - Të na nxjerrësh ndonjë rrugë fiorentinase vij me vrap. Razmën ua kemi lënë të huajve për verim.
Gjovalini qesh shpenguar. Ai është artist në të gjithë dimensionin e tij. Megjithëse thotë se nuk është e lehtë të marrësh një titull të tillë. Dhe shton:
Leonard Veizi dhe Gjovalin Paci
-“Unë them se jam me fat që kam lindur në Razëm, në zonën e Shkrelit. Vij prej një vendi që është shumë i bukur, ku kam kaluar një pjesë të jetës. Atje kushdo që të shkojë, e që merret me art, ka se çfarë të krijojë. Në Razëm kam përjetuar të gjitha gojëdhënat, fantazitë, peripecitë e familjes. Jam ngarkuar me ato pjesë negative dhe pozitive që më vonë kanë ndikuar për mirë tek unë. Kam pasur një gjyshe që vdiq shumë e vjetër dhe ajo tregonte histori nga më të çuditshmet për familjen, njerëzit, për vendin ku jetonim, për kuçedra, përbindësha, gjarpërinj me dy koka. Kjo tek unë ka ndikuar edhe në pikturë, tek jeta apo vazhdimësia e formimit tim personal. Këto detaje janë përfshirë në pikturat e mia, herë si simbol, herë si elemente përbërës. Janë ato simbole që i kam dëgjuar, i kam perceptuar dhe vazhdoj t’i perceptoj. Vetë piktura ka një strukturë të tillë ku gjendet mes tokës dhe qiellit. Formohen tre dimensione iluzive. Nuk ekziston figura as në tokë dhe as në qiell, por diku mes të dyjave. Është imagjinata që ka mbetur brenda meje si strukturë e pa ndërtuar. Ajo qëndron e ftohtë në një zonë ku është e vështirë ta prekësh”.
Ai ka hapur ekspozita të çuditshme. Ka sjellë krijime në të gjitha gjinitë e pikturës, kompozim e portret. Punon në disa lloj teknikash si akrilik, vaj, tempra, guashe dhe teknika të tjera grafike, bardh e zi. Paci është i pari dhe i vetmi piktor shqiptar, që ka arritur të ekspozojë veprat e tij në Galerinë e Komisionit Evropian në Bruksel, ku është prezantuar me punime të realizuara me teknikën e akrilikut të pjekur. Gjithashtu ai është ndalur në disa kryeqytete evropiane, mes te cilave edhe në Frankfurt, duke ekspozuar në galerinë gjermane, "Arti në shtëpinë blu".
Së fundmi Gjovalin Paci vjen me një ekspozitë të titulluar “Skënderbeu” “Heroi ynë kombëtar është dhe një nga njerëzit tanë më të mëdhenj, strateg ushtarak, por edhe diplomat klasi, kalorësi i lirisë dhe simbol i bashkimit. Por ai është dhe një figurë komplekse. Ndaj jam munduar ta sjell si një njeri në tokë”, - thotë piktori.
Më parë se kaq, me rastin e 100-vjetorit të Nënë Terezës, Gjovalin Paci gjithashtu ndërtoi një ekspozitë enkas për këtë rast.
“Nënë Terezën e kam parë në ëndërr, - më thotë. - Mund të duket disi qesharake, por kjo është e vërtetë. Ëndrra ishte e tillë: M’u duk sikur Nënë Tereza ishte e varrosur dhe më thotë: Më jep dorën. Dhe unë i jap dorën e djathtë. Atëherë ajo më flet sërish: E ke të bekuar këtë dorë. Kjo ishte një ëndërr që nuk do më shuhet asnjëherë nga kujtesa. Pastaj kisha dhe mbresa të jashtëzakonshme nga vizita e saj kur erdhi në Shkodër. Atëherë pash një grua të imët, me një veshje të bardhë e shirita të kaltër, që nuk ecte, por fluturonte. Çudia ishte kaq e madhe sa thosha me vete: Ku qëndron forca e këtij njeriu? Ajo ishte një grua në moshë, jo më e bukur, por ishte si një engjëll. Ajo ishte vërtet një nënë, me duar me rrudha, me fraktura. Por ajo që më bënte përshtypje ishte se ajo dukej sikur nuk takonte me tokën kur ecte. Pastaj kam lexuar shumë libra mbi jetën e saj dhe korrespodencën, por kam studiuar karakterin dhe nëpërmjet shumë fotografive. Ky është i gjithë inspirimi. Më pas krijova një seri portretesh të saj që mbajnë firmën time”.
-A mund të të bëj dhe unë një portret “të paautorizuar”, - i them duke qeshur.
-Përnjëmend e ke, - ma kthen Gjovalini. – Ti autorizimin e ke gjithmonë në xhep. Bëj ç’të duash. Portret a intervistë. Arti është i lirë. Mendimi gjithashtu.
Orjona Tresa, Gjovalin Paci, Gjyliana Paci dhe Leonard Veizi

Botuar në



Sunday, April 1, 2018

Fundjava ndryshe; një udhëtim turistik në aksin kuptimplotë “afër mbretit - afër detit”

REPORTAZH


nga Leonard Veizi


Ç’i do fjalët. Sa del dielli e duket se na kap vapa, ne të Tiranës e kemi zakon t’ia mbathim me vrap andej nga plazhi. Dhe më afër se Durrësi nuk ka. Kështu, në ditët pranverore të fund marsit, për të hequr ca lagështirën e shiut të po këtij muaji, edhe unë e mendova si antistres vajtjen në Durrës. Fundjavë ndryshe, - thashë me vete. Ja ku është Durrësi, 35 kilometra larg, ose sipas një shprehjeje popullore: “një vrap pele”.
Por në fakt rezulton se antistresi të kthehet në një stres të vërtetë.
Sa del nga tmerri i rrethrrotullimit të shqiponjës, autostrada të duket birinxhi. Deri te kthesa e Rinasit nuk e ndan këmbën nga gazi. Makina rrëshqet si mbi gjalpë. Pikërisht aty mbaron performanca mbresëlënëse e futemi në një situatë që për nga lloji i peripecive duket e pashpresë. Paralelizmi se kjo autostradë e lodhur tërësisht të duket si Mali me Gropa, mund të mos jetë në përputhje të plotë, por duket si mundësia e vetme krahasimi.“Ec mo, - i jap kurajë vetes, - zëre se mbërrite në Durrës, as 20 kilometra nuk janë”.
Dhe ne të Tiranës e kemi mirë, se jemi afër mbretit, por dhe afër detit. Kështu duhet të ndihen dhe durrsakët ma do mendja, vetëm se anasjelltas. Shkurt, na ka rënë bixha.
Në krah të pasagjerit kam bashkëshorten që e ndjek me vëmendje udhëtimin. Nga pas fëmijët as që duan t’ia dinë për problemet e tua. Kanë vënë kufjet në kokë dhe secili dëgjon muzikë për qejf të vet.
-Kujdes gropat, - me tërheq vëmendjen gruaja.
-Nga t’ia mbaj, - ia kthej.
Makina për djall nuk fluturon. Por dhe bashkëshortja e ka një të drejtë. Makinën sa e kisha nxjerrë nga servisi e me gjasa ka mundësi ta fus sërish aty. Fatura e fundjavës gjithmonë duhet marrë në konsideratë se mund të tre-katërfishohet vetëm për 80 kilometra udhëtim me ndërprerje.
Në majë të mbikalimit në hyrje të Durrësit isha në mëdyshje. Edhe herën e fundit kisha preferuar Currilat.
-Po shkojmë këtej nga plazhi, - i them gruas. – Ta ndryshojmë menynë.
-Si të duash, - nuk ma prish ajo.
Në 20 vitet e fundit, në rrugën e plazhit tradicional, aty ku kemi kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën, mund të kem kaluar 3-4 herë jo më shumë. Zona është krejt e paeksploruar prej meje, gjë e pafalshme për mua që nuk lija rast pa i hipur trenit për të bërë një ditë plazh.
Megjithatë e kam më se të qartë se ka ikur koha e “Breshkës”, pistës “Iliria” dhe “Adriatikut” të vjetër. Prej vitesh jam shtyrë poshtë e më poshtë në pretendimin për të gjetur pak më shumë qetësi, e pak më shumë pastërti.
Ndalojmë te këmbët e urës së Dajlanit. Marr kthesën e parë. Stacioni “Teuta”. Në mendje më vijnë imazhe të vjetra, ndaj tentoj të bëjmë një xhiro buzë detit. Zhgënjim total. Nuk kam ndër mend ta përshkruaj se ca kohë më parë jam marrë gjatë me detaje të tilla. Nuk di as ta shpjegoj se çfarë metamorfoze ka ndodhur në këtë segment të plazhit të vjetër. Deti ka ardhur në afër ndërtesave, platformat e betonit janë shtuar pa kuptim dhe ndotja ta heq shijen e plazhit menjëherë. Aty këtu ndesheshe dhe me kolektorë shkarkimesh që nuk arrinin të shtriheshin deri në det por përfundonin aty, në mes të rërës ku nesër do ngrihen çadrat e pushuesve. Fëmijët mbledhin buzët. Bashkëshortja gjithashtu. Nuk kemi as nga kalojmë.
Në Durrësin tradicional, sezoni turistik kishte marrë fund ende pa filluar. Vetëm nëse “Zana” me shkopin magjik bën ndonjë çudi.
-Kthehemi se nuk kemi nga shkojmë, - i them gruas.
-Kthehemi, - miraton ajo, me një neveri të brendshme.
Çajmë tutje. Rruga e dikurshme me dy korsi e ndarje në mes, ishte transformuar. Më saktë ishte ngushtuar. Në pikun e sezonit nuk di si mund t’ia dalësh në një rrugë të tillë. Por natyrisht as që e marr mundimin të kaloj andej. Kam vite që s’e kam bërë atë punë. Kalojmë sektorin “Apolonia”, për të mbërritur tek “Hekurudha”, “Iliria”. Dhe përfundojmë në “Plepa”. Futem në rrugën dytësore te Shkëmbi i Kavajës. Gjëkundi se gjej qetësi për të ndaluar. Sezoni cilësohet i hapur në 15 maj. Vetëm 45 ditë na ndajnë nga kjo datë. Rruga ishte dëmtuar rëndshëm. Segmentet e tjera lidhëse janë ende të pashtruara. Ca me çakull, ca me baltë.  Asgjë nuk të bën ta shijosh udhëtimin.
-Siç e ke nisur do na çosh në Vlorë, - ironizon gruaja.
Unë nuk përgjigjem. E ç’t’i them. Fëmijët gjithashtu kanë sërish kufjet dhe nuk duan t’ia dinë për destinacionin.
Nja katër vjet më parë, në mesin e sezonit turistik, atëherë kur më takuan ca ditë nga leja vjetore, i skandalizuar nga ajo që gjeta andej nga vendi i quajtur “Mali i Robit”, shkrova një reportazh me titull “Turizmi mjeran në bregdetin shqiptar”, i cili u bë viral e u botua nga shumë media. Prej atëherë nuk kisha ndër mend t’i rikthehesha këtij diskutimi. Por situata në terren më diktoi ndryshe.
Çdo vit më ka gënjyer mendja se do të gjej një gjë të ndërtuar mirë dhe gjej një gjë të prishur keq. Dhe asnjëherë nuk e kam kuptuar pse jemi kaq të aftë për të ecur në kahun e kundërt të asaj që duhet.
Shfryj i nervozuar dhe eci përpara. Një vit më parë andej nga Golemi kishin filluar ca investime.  Mendova se do ishin mbyllur. Futem tek stacioni i quajtur “Miami Beach” e dal në Golem. Asgjë e re.
-Ku po na çon, më pyet gruaja kur sheh që marr të kthej timonin 180 gradë.
-Në Tiranë, - i them, - në shtëpi.
-Të paktën të pimë një kafe, - ma kthen, - se na i bëre kokën daulle nëpër gropa.
Ndalova makinën te bari i parë që më doli përpara.