Tuesday, March 11, 2025

Europa në udhëkryq?


Leonard Veizi
 
Europa ka mbetur në udhëkryq tashmë. Ose duket sikur ka mbetur. Nuk dihet nëse do të marrë majtas, djathtas, do të kthehet mbrapa apo do të çajë përpara. Nga sot çadra amerikane nuk do të jetë më sipër kontinentit, për ta mbrojtur atë si nga stuhitë kozmike dhe rënia e meteorëve.
Megjitahtë Evropa mbetet po aty, si kontinenti plakë e i plakur, por ende shumë i fortë.
Historia ka treguar se ky kontinent është i paparashikueshëm dhe shpeshherë burim i luftrave dhe trazirave më të mëdha botërore.
Europa ka qënë djepi i luftrave dhe konflikteve më të tmerrshme që ka njohur historia moderne. Prej Perandorisë Romake e deri te Luftërat Botërore, ky kontinent ka kaluar nga dominimi, revoltat, pushtimet dhe copëtimet.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Europa u bë skena e një eksperimentimi të ri gjeopolitik në të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës luajtën rolin e kujdestarit, arbitrit dhe garancës për sigurinë. Dhe Evropa nisi të përkëdhelej nga kjo kujdesje. Madje nuk e ccau më kokën për të përgatitur ushtarë lufte por nisi të majmej në bollëk.
Një Gjermani e ndarë dhe e nënshtruar u mbajt brenda kornizave të NATO-s, duke u siguruar që të mos rikthehej si një fuqi destabilizuese. Anglia, nga ana e saj, mbeti një vasale e bindur e Amerikës, duke vepruar si ura lidhëse midis dy kontinenteve. Franca dhe Italia ndërtuan modelet e tyre, shpeshherë në kundërpesha ndaj anglo-amerikanëve, por gjithnjë brenda orbitës së Perëndimit.
Por sot, bota po ndryshon. Amerika, me tërheqjen e saj graduale nga Europa dhe përqendrimin në Indo-Paqësor, po le rrethin europian të vetëm. Ndaj është ngritur një pyetje thelbësore: A do të mbijetojë Europa pa Amerikën? A do të bëhet më e fortë apo më e dobët?
Analistë të anshëm e të paanshëm mendojnë se një Europë pa Amerikën do të duhet së pari të përballojë faktorin rus.
Pse, çfarë do t’i bëjë Rusia Evropës?
Rusia historikisht ka treguar forcë në mbrojtje por jo aq në sulm. Në të kaluarën, përpjekjet e saj për zgjerim kanë hasur shpesh në pengesa strategjike, nga luftërat napoleonike tek Lufta e Ftohtë. Megjithatë, duhet theksuar se Rusia nuk do të ishte ngritur si fuqi botërore me krijimin e Bashkimit Sovjetik nëse nuk do të ishte për ndërhyrjen amerikane në Normandi gjatë D-Day, që ndihmoi në mposhtjen e Gjermanisë naziste. Pa këtë ndërhyrje, Gjermania ndoshta do ta kishte futur nën kthetrat e saj "ariun polar", duke ndaluar aspiratat sovjetike për zgjerim. Dimri rus, që mposhti ushtrinë e Rajhut, duket se është një legjendë. Sepse në të vërtetë atë e mposhti aviacioni aleat.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u ringrit shpejt. Për më tepër që shpenzimet ushtarake ishin ulur ndjeshëm. Kështu që ajo u kthye si lokomotiva ekonomike e Europës, duke ndihmuar në rindërtimin e kontinentit. Megjithatë, pyetja tani është: Sa e aftë do të jetë ajo të vazhdojë të tërheqë trenin europian nëse NATO pezullohet? A do të riarmatoset Gjermania për të mbrojtur veten dhe aleancën e BE-së? Kjo do të përfaqësonte një ndryshim të madh historik, pasi për dekada Gjermania ka ruajtur një qasje të kujdesshme ndaj militarizmit.
Duhet përmendur fakti që me nisjen e luftaës në Ukrainë, Gjermania planifikojë një fond prej 100 miliardë eurosh në buxhetin e vitit 2022 për modernizimin e forcave të armatosura.
A duhet mbajtur nën vëzhgim armatimi i Gjermanisë?
Kjo është një pyetje që mbetet e hapur. Gjermanët, që dikur shkatërruan Perandorinë Romake, formuan Perandorinë e Shenjtë dhe iniciuan dy Luftëra Botërore, kanë treguar një histori ambicieje të pakufishme. Nëse historia na mëson diçka, është se oreksi i Gjermanisë ka qënë gjithmonë i madh dhe zgjerues.
Sipas disa analizave, bota duhet të ketë frikë jo nga Rusia, por nga Gjermania. Rusia ka treguar se hegjemonia e saj mund të shkojë deri te republikat balltike, por nuk ka një histori ekspansioni global. Gjermania, nga ana tjetër, kur ka pasur mundësi, ka synuar dominimin europian dhe më gjerë. Nëse riarmatimi i Gjermanisë nuk kontrollohet, mund të rikthehemi në një skenar ku Europa del jashtë kontrollit. Atëherë Amerikës i duhet të bëjë llogari të tjera.
Europa është e rrezikshme. Europa, që tani ka hapur dyert për miliona refugjatë nga Azia, Afrika dhe Arabia, ka treguar se prej saj kanë nisur dhjetë kryqëzata. Historia na mëson se kur Europa mbetet pa kontroll, ajo mund të kthehet në një fuqi agresive dhe destabilizuese. Duhet mbajtur nën vëzhgim, sepse po ia hoqe kapistallin, është si hamshori i patredhur, që nuk dihet ku e mban vrapin. Dhe zakonisht krizat që i shfaqen qoftë në horizont Evropa i mbulon duke hapur një vatër lufte qoftë dhe në mesin e saj.
Nëse Europa del jashtë kontrollit, atëherë Amerikës i duhet të bëjë llogari të tjera. Do të rikthehet për të vendosur rregullin? Apo e gjitha kjo do të çojë ujë drejt Rendit të Ri Botëror, me të cilin mund të jenë dakord të gjithë? A do të gjejë Europa forcat për të mbijetuar? Apo pa Amerikën do të rrënohet si një konstruksion politik i paplotë?
Kjo mbetet pyetja thelbësore e shekullit të ri.
 
 

“Masakra e Teksasit”, kanibalët që shokuan Amerikën, në një film horror



Nga Leonard Veizi
 
Në vitin 1974, në kinema u shfaq një tmerr intimisht shqetësues, por e cilësuar më pasi si një kryevepër gonzo-makabre. Filmi ishte frymëzuar nga historia e vërtetë e vrasësit serial Ed Gein, i cili u arrestua në vitin 1957 për mizori të tmerrshme në Uiskonsin e largët.  “The Texas Chainsaw Massacre” është shumë më tepër se një film horror klasik. Ai është një përvojë kinematografike që përmban një kritikë të fuqishme sociale dhe një estetikë unike të terrorit. Në thelb, filmi eksploron instinktet më të errëta të njeriut dhe se si ato mund të shfaqen në formën më brutale të mundshme...
 
...Në ekranet shqiptare ai ka ardhur si “Masakra e Teksasit”. Unskonsi u zëvendësua me Teksasin për një përshtatje më të mirë filmike. Është një nga filmat më të famshëm të zhanrit horror dhe ka pasur disa versione dhe vazhdime. Versioni origjinal është ai i vitit 1974 me regji nga Tobe Hooper, skenar të shkruar nga Tob Huper dhe Kim Henkëll. Ndërsa kasti i interpretuesve përbëhet nga aktorët kryesorë: Marilin Bërns, Gunar Hansen, Pol A. Partin
Filmi është pjesërisht i frymëzuar nga vrasësi i vërtetë Ed Gain, i cili përdorte lëkurat e viktimave për të bërë maska dhe objekte shtëpiake. Eduard Gein ishte një vrasës amerikan i njohur gjithashtu si "Kasapi i Plainfield" ose "Goul Plainfield". Ai paraqitet në film si Ledërfeis
Por Ledërfeis, si imazh filmik është një njeri pa identitet të qartë. Ai vesh maska të ndryshme prej lëkure njerëzore, duke sugjeruar mungesën e një identiteti të vërtetë. Ndryshe nga vrasësit serialë klasikë, Letërfeis nuk është një vrasës i vetëm. Ai është një produkt i familjes së tij dhe i kushteve ekstreme në të cilat jeton. Një përbindësh tragjik: Ndonëse është një figurë e frikshme, ai shfaq edhe momente ankthi dhe paniku, sidomos kur nuk e di si të reagojë ndaj të huajve që hyjnë në territorin e tij.
 
Ngjarja
Një grup të rinjsh udhëtojnë në një zonë rurale të Teksasit dhe përfundojnë viktima të një familjeje kanibale, përfshirë Letërfeis, i cili përdor një sharrë elektrike për të vrarë viktimat e tij.
Filmi fillon me një paralajmërim për mënyrën se si therjet e kafshëve bëhen në thertore.
Ledërfeis dhe familja e tij i trajtojnë viktimat e tyre njësoj si kafshë në thertore, duke përdorur çekiçin dhe sharrën elektrike për t'i copëtuar. Ky paralelizëm e bën filmin një metaforë të fuqishme për mënyrën se si shoqëria dehumanizon individët.
Familja Sojar (Ledërfeis dhe të afërmit e tij) është një simbol i një shoqërie të shkatërruar. Ata përfaqësojnë një version të shthurur të modelit tradicional të familjes amerikane, duke jetuar në një izolim total dhe duke mbijetuar përmes kanibalizmit.
 
Ribërjet
“The Texas Chainsaë Massacre 2” i vitit 1986 – Një vazhdim me tone më groteske dhe humor të zi.
The Texas Chainsaë Massacre i vitit 2003 – Një ribërje me stil më modern, ku interpreton Jessica Biel.
Texas Chainsaë 3D i vitit 2013 – Një vazhdim i drejtpërdrejtë i filmit të parë.
Leatherface i vitit  2017 – Një film që eksploron origjinën e Leatherface.
Texas Chainsaë Massacre i vitit 2022 – Një vazhdim tjetër i drejtpërdrejtë i filmit të vitit 1974.
 
Analiza
Filmi “The Texas Chainsaë Massacre” ose i ardhur në shqip si “Masakra me sharrë elektrike në Teksas” nuk është vetëm një nga filmat më të rëndësishëm të zhanrit horror, por edhe një vepër që përfaqëson një ccast kritik në historinë e kinemasë amerikane. Ky film sfidoi pritshmëritë e audiencës dhe krijoi një model për horrorin modern.
Në vitet 1970, Amerika po kalonte një krizë të thellë sociale dhe politike:
-Lufta e Vietnamit, me imazhe brutale që vinin drejtpërdrejt në televizion
-Skandali Uatëgejt
-Shpërbërja e ëndrrës amerikane dhe dekonstruktimi i mitit të "familjes ideale"
Filmi pasqyron këtë atmosferë, duke paraqitur një Amerikë të shkatërruar, ku të rinjtë hasin jo vetëm dhunë, por një model familjeje të sëmurë dhe dekadente.
“Masakra e Teksasit” krijoi një arketip të ri të slasher-it, një zhanër që u zhvillua më vonë me filma si Hallouin  në vitit 1978 dhe “Friday the 13th” në vitin 1980. Ai hoqi dorë nga estetika gotike e horrorëve të mëparshëm dhe solli një realizëm të ftohtë dhe mizor. Ishte një nga filmat e parë që përdori konceptin e "final girl" ose “vajza që mbijeton deri në fund”, i cili u bë standard në horrorët e mëvonshëm.
 
Teknika
Filmi është i xhiruar në një stil realist dhe brutalisht intensiv, duke krijuar një ndjenjë ankthi dhe terrori. Buxheti ishte shumë i ulët, por filmi pati sukses të madh dhe u bë një klasik i horrorit.
Filmi nuk përdor efekte speciale të ekzagjeruara, por krijon frikën përmes montazhit dhe tingujve të tmerrshëm (ulërimat, zhurma e sharrës elektrike). Dhuna është e ftohtë dhe e papritur, duke krijuar një ndjenjë paniku më të thellë tek shikuesi. Kamera përdor një stil dokumentaristik, duke i dhënë filmit një ndjenjë realiteti. Disa skena përdorin afrim ekstrem tek fytyrat e viktimave, për të treguar terrorin e pastër. Banda zanore është minimaliste dhe e përbërë nga tinguj të çuditshëm dhe industrialë, duke krijuar një ambient të papërballueshëm psikologjikisht. Sharra elektrike nuk është vetëm një armë, por edhe një simbol i terrorit që mbizotëron gjatë gjithë filmit.
 
Ndikimi
Filmi është ndaluar në disa vende për shkak të natyrës së tij të dhunshme dhe të papërmbajtur.
Ai mbetet një nga filmat më të studiuar në kinemanë e horrorit, duke u analizuar përmes këndvështrimeve të ndryshme (socio-politik, feminist, kritik ndaj industrializmit).
Me gjithë ribërjet dhe vazhdimet, asnjë film nuk ka arritur të rikrijojë ndjesinë e tmerrit të pastër që ofron versioni i vitit 1974.
 

Terrori në Madrid, 10 bomba shkatërruan 4 trena me njerëz

 
11 Mars 2004
 



Nga Leonard Veizi
 
Pamjet ishin të tmerrshme. Gjak ngado, trupa të copëtuar dhe këpucë e copa veshjesh të hedhura mbi shina e në platformë. Dhe vagonë metalikë të çarë e të deformuar nga fuqia e shpërthimit të tritolit. Dukej sikur ngjarja nuk kishte ndodhur në mes të Europës, në ditët e paqes, në një fillim shekullin e ri, por si e ardhur nga një luftë gati imagjinare ku përdoreshin pa mëshirë topat e kalibrit të rëndë për të shfarrosur njerëz...
 
...Më 11 mars 2004, Spanja u trondit nga një prej akteve më të tmerrshme terroriste në historinë e saj. 10 bomba në katër trena. Informacionet e kohës flasin për një seri shpërthimesh në trenat e pasagjerëve. Dhe ky akt terrorist shkaktoi të paktën 193 viktima.  Edhe të plagosurit ishin të shumtë: mbi 2,000 persona morrën plagë. Vetëm pak më vonë u bë e qartë se ishin një seri bombash të koordinuara, pothuajse të njëkohshme kundër sistemit të trenave të udhëtarëve Cercanías të Madridit. “Cercanías Madrid” është shërbimi hekurudhor i udhëtarëve që i shërben Madridit, kryeqytetit të Spanjës dhe zonës së tij metropolitane. Gjatësia totale e saj është 370 km.Ai operohet nga “Cercanías Renfe”, divizioni hekurudhor i udhëtarëve të Renfe, ish monopoli i shërbimeve hekurudhore në Spanjë.
 
Ngjarja
Në mëngjesin e 11 marsit 2004, katër trena të mbushur me udhëtarë që po vinin drejt Madridit u goditën nga 10 shpërthime të koordinuara. Bombat, të vendosura në çanta shpine dhe të aktivizuara me telefona celularë, shpërthyen në orën 07:37 deri në 07:40, në stacionet Atocha, El Pozo, Santa Eugenia dhe pranë rrugës Téllez. Sulmet u kryen në orarin e pikut të mëngjesit, duke shkaktuar një masakër të pashembullt në historinë moderne të Spanjës.
Sulmet ndodhën tre ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Spanjë. Këto sulme u kryen nga një grup ekstremistësh islamikë të lidhur me Al-Kaedën dhe u konsideruan si një hakmarrje për përfshirjen e Spanjës në luftën e Irakut. Valët e tronditjes u ndjenë në mbarë botën, por askund më shumë se në Evropë.
 
Reagimi
Fillimisht, qeveria spanjolle e drejtuar nga kryeministri José María Aznar e drejtoi gishtin nga organizata separatiste baske ETA, duke ndjekur një linjë që mbeti e debatuar për disa ditë. Ángel Acebes, ministri i brendshëm i vendit, pohoi, "Nuk ka dyshim që ETA është përgjegjëse". ETA, ishte një organizatë separatiste baske, fushata e dhunës e së cilës për më shumë se 30 vjet kishte marrë jetën e të paktën 800 njerëzve.
Megjithatë, së shpejti dolën prova që tregonin një tjetër skenar: një grup islamik, i frymëzuar nga Al-Kaeda, ishte pas sulmeve.
Policia spanjolle gjeti një furgon në Alcalá de Henares me detonatorë dhe kaseta që përmbanin tekste kuranore. Përgjegjësinë për sulmin e mori një grup islamist, përmes një video-mesazhi të publikuar pas sulmit.
 
Qëllimi
Qëllimi i sulmeve të 11 marsit 2004 ishte të ndëshkonin Spanjën për pjesëmarrjen e saj në luftën e Irakut, si dhe të ndikonin në zgjedhjet e përgjithshme spanjolle që po afroheshin. Al-Kaeda dhe grupet e lidhura me të e kishin paralajmëruar Spanjën për pasojat e mbështetjes së saj ndaj SHBA-së dhe koalicionit ndërkombëtar në Irak.
Ky akt terrorizmi synonte të krijonte frikë, të destabilizonte politikën dhe të ndikonte në vendimet strategjike të Spanjës në arenën ndërkombëtare.
 
Pasojat
Sulmet ndodhën vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në Spanjë. Debati rreth përgjegjësisë për sulmet dhe përfshirja e Spanjës në luftën e Irakut ndikuan ndjeshëm në opinionin publik. Partia Popullore (PP) e Aznarit pësoi humbje të papritur, dhe socialistët (PSOE), të drejtuar nga José Luis Rodríguez Zapatero, fituan zgjedhjet. Zapatero më pas tërhoqi trupat spanjolle nga Iraku, një vendim që u konsiderua si një reflektim i reagimit të publikut ndaj sulmeve.
 
Gjyqi
Hetimet çuan në arrestimin e dhjetëra të dyshuarve, kryesisht marokenë dhe algjerianë me lidhje me grupet xhihadiste. Më 3 prill 2004, shtatë nga të dyshuarit kryesorë u vetëvranë duke shpërthyer eksplozivë në një apartament në Leganés, kur policia rrethoi ndërtesën.
Në vitin 2007, gjykata spanjolle dënoi 21 persona për përfshirjen në sulme, ndërsa disa të tjerë u liruan për mungesë provash. Sulmet e Madridit mbetën një nga goditjet më të mëdha terroriste në Evropë dhe ndryshuan përjetësisht politikat spanjolle të sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.
 
Kujtesa
Për të nderuar viktimat, në Madrid u ndërtua "Monumenti i Viktimave të 11 Marsit", ndërsa çdo vit mbahet një ceremoni përkujtimore. Sulmet e 11 marsit 2004 shënuan një çast kritik në historinë e Evropës, duke treguar rrezikun e terrorizmit global dhe ndikimin e tij në politikën ndërkombëtare.

Sunday, March 2, 2025

Tragjedia e Turkish Airlines, rrëzimi i fluturimit 981 që shkaktoi 346 të vdekur

 
3 Mars 1974
 

Nga Leonard Veizi
 
Ndërsa avioni lundronte në lartësinë e tij të përshtatshme për fluturimet kontinentale, një ndjesi qetësie përshkoi kabinën. Pasagjerët, tashmë të rehatuar në vendet e tyre, hoqën rripat e sigurimit. Disa hapën gazetat ose libra të mundshëm, duke u zhytur në lexim, të tjerë vendosën kufjet dhe mbyllën sytë të relaksuar në tingujt e muzikës që mbulonte zhurmën e lehtë të motorëve. Asgjë nuk dukej jashtë normales. Një fluturim i zakonshëm, një rrugëtim si shumë të tjerë. Por brenda pak minutash, qetësia do të shndërrohej në panik të papërshkrueshëm.Një përplasje e beftë. Një krismë që tronditi trupin e avionit. Për një çast, gjithçka u pezull – sikur koha të ndalonte mes ajrit të hollë. Sytë e pasagjerëve, të ngrirë nga hutimi, u kthyen drejt njëri-tjetrit, si për të kërkuar një shpjegim që askush nuk mund ta jepte. Pastaj, një rënie e beftë. Kush kish ku kapeshe kund, nuk kisha ku mund të mbaheshe. Një gravitet që tërhiqte trupat pa mëshirë, ndërsa brenda kabinës përhapej një ndjenjë makthi që kapërcente çdo frikë të imagjinueshme...
 
...Edhe pse udhëtimet me avion janë ndër më të sigurta në botë, tragjeditë ajrore kanë mbetur të pashmangshme, si kujtime të hidhura që dëshmojnë sa e brishtë është jeta, edhe në duart e teknologjisë më të avancuar. Kështu ka ndodhur dhe me avion “McDonnell Douglas DC-10”, pikërisht më 3 mars të vitit 1974.
 
Fluturimi 981
Avioni i linjës “Turkish Airlines”, kishte një fluturim të planifikuar nga Aeroporti “Yeşilköy” i Stambollit për në Aeroportin “Heathrow” të Londrës, me një ndalesë të ndërmjetme në Aeroportin “Orly” në Paris.
Sipas të gjitha të dhënave marrë më së shumti nga shtypi i kohës që e pasqyroi ngjarjen gjerësisht. - avioni kishte 12 ulëse të klasit të parë dhe 333 ulëse ekonomike, për një total prej 345 vendesh pasagjerësh. Në çastin e aksidentit, dy persona ishin ulur në klasën e parë, ndërsa klasa ekonomike ishte plotësisht e zënë. Ekuipazhi i kabinës ishte turk. Kapiteni i Fluturimit 981 ishte Nejat Berköz, 44 vjeç, me 7000 orë fluturimi.
Fluturimi 981 u nis nga Stambolli në orën 07:57 me kohën lokale dhe u ul në aeroportin ndërkombëtar Orly të Parisit në orën 11:02 të mëngjesit me orën lokale, pas një fluturimi prej pak më shumë se katër orësh. Avioni mbante 167 pasagjerë dhe 11 anëtarë të ekuipazhit në bord, dhe 50 nga këta pasagjerë zbarkuan në Paris. Pjesa e dytë e fluturimit, nga Parisi në Aeroportin Heathrow të Londrës, ishte normalisht e rezervuar më pak; megjithatë, për shkak të një greve të punonjësve të British European Airways dhe rezultatit të pavendosur të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura në Britani në fillim të asaj jave, shumë udhëtarë të nisur për në Londër, të cilët kishin mbetur të bllokuar në Orly, u rezervuan për në Fluturimin 981, duke vonuar nisjen e fluturimit me 30 minuta.
 
Tragjedia
Avioni u largua nga Aeroporti Orly në orën 12:32, për në Aeroportin “Heathrow” dhe u ngrit në drejtim të lindjes, përpara se të kthehej në veri. Menjëherë pas ngritjes, Fluturimi 981 u ngrit ne  7,000 metra dhe filloi të kthehej në perëndim drejt Londrës. Menjëherë pasi avioni kaloi mbi qytetin e Meaux, dera e pasme e majtë e ngarkesës u shpërtheu dhe diferenca e papritur në presionin e ajrit midis zonës së ngarkesave dhe kabinës së pasagjerëve bëri që një pjesë e dyshemesë së kabinës mbi kapakun e hapur të ndahej dhe të mbetej e hapur
Fluturimi 981 i Turkish Airlines, u rrëzua në pyllin Ermenonvile 37.76 kilometra larg Parisit, duke shkaktuar vdekjen e të 346 personave në bord nga të cilët 335 ishin pasagjerë dhe 11 anëtarë të ekuipazhit. Ky ishte aksidenti më vdekjeprurës ajror në atë kohë dhe mbetet një nga më tragjikët në historinë e aviacionit.
Ishte aksidenti i parë i aviacionit që tejkaloi 200 dhe 300 viktima. Përplasja u njoh gjithashtu si “fatkeqësia ajrore e Ermenonville”.  Në atë kohë, ishte aksidenti më vdekjeprurës në historinë e aviacionit. Por ende sot ku aksident tragjik njihet si i katërti më vdekjeprurës në historinë e aviacionit.
 
Shkaqet
Hetimet zbuluan se shkaku kryesor i aksidentit ishte një defekt në dizajnin e derës së bagazheve së avionit. Gjatë fluturimit, dera e bagazheve u hap për shkak të një mbylljeje të pasigurt, duke shkaktuar dekompresion të menjëhershëm që dëmtuan sistemet e kontrollit të avionit dhe çuan në humbjen e kontrollit nga pilotët.
Ky aksident tragjik nxiti ndryshime të rëndësishme në rregulloret e sigurisë ajrore, përfshirë ridizajnimin e dyerve të bagazheve dhe inspektime më të rrepta të sigurisë për avionët komercialë. Fluturimi 981 i Turkish Airlines mbetet një kujtesë e rëndësisë së sigurisë dhe mirëmbajtjes rigoroze në industrinë e aviacionit.
 
 
 
 

“Salo, ose 120 ditët e Sodomës”, tmerri neveritës i një libri që u kthye në film

 

Nga Leonard Veizi
 
Provokuese dhe tronditës. I vështirë për t'u parë dhe i pamundur për t'u harruar. I fundit film i regjisorit Pier Paolo Pasolini, “Salo, ose 120 ditët e Sodomës” është cilësuar nauzues, tronditës, i shthurur, pornografik. Ndonëse është famëkeq është cilësuar gjithashtu dhe si një kryevepër. Nuk është një film horror në kuptimin klasik, por një vepër filozofike dhe politike që sfidon kufijtë e etikës dhe artit. Për disa, është një vepër e guximshme kundër totalitarizmit; për të tjerët, një film i tepruar dhe i papranueshëm. Pasolini njihej si një kineast kontrovers. Me testamentin e tij “Salo...” ai transferon të gjallë opusin e torturës dhe degradimin e shoqërisë së lartë në botën seksuale, nga shekulli XVIII në Italinë Fashiste të vitit 1944. Filmi nuk është thjesht një riprodhim i veprës së Marquis de Sade, por një kritikë e ashpër mbi fashizmin, abuzimin me pushtetin, dehumanizimin dhe kapitalizmin ekstrem. Pasolini përdor skena të skajshme për të treguar sesi pushteti absolut çon në objektifikimin e plotë të qenieve njerëzore. Ndaj “Salo” mbetet një nga filmat më të debatuar i të gjitha kohërave...
 
... “Salò o le 120 giornate di Sodoma” ose “Salò, or the 120 Days of Sodom” është një film italian i vitit 1975 i bazuar në romanin “The 120 Days of Sodom” të Marki de Sade.
 
Filmi
Filmi vendoset në periudhën e Republikës së Salos mes viteve 1943-1945, një shtet kukull i kontrolluar nga nazistët në Italinë Veriore. Katër figura të pushtetshme – një Dukë, një President, një Peshkop dhe një Gjyqtar – rrëmbejnë një grup të rinjsh dhe i çojnë në një vilë të izoluar, ku i nënshtrojnë torturave fizike dhe psikologjike. Historia është e ndarë në tre pjesë, të frymëzuara nga Dante Alighieri dhe “Ferri” i tij:
Rrethi i Manisë – Të rinjtë detyrohen të ndjekin rregulla të rrepta dhe të poshtërohen.
Rrethi i Bajgës – Viktimat detyrohen të kryejnë akte të neveritshme dhe degraduese.
Rrethi i Gjakut – Arrin kulmin me tortura të tmerrshme dhe vrasje brutale.
Filmi përmban skena të rënda të torturës, përdhunimit, kanibalizmit dhe poshtërimit ekstrem. Ai u ndalua në shumë vende dhe ende mbetet një nga filmat më të ndaluar në histori. Ndërkohë, Pasolini u vra brutalisht pak para premierës së filmit, duke ngritur teori mbi motivet pas vrasjes së tij.
Vrasja e Pier Paolo Pasolinit mbetet një nga misteret më të errëta në historinë e kinemasë italiane. Më 2 nëntor 1975, trupi i tij u gjet i masakruar në Ostia, një periferi pranë Romës. Ai ishte rrahur brutalisht dhe më pas i ishte kaluar disa herë sipër me makinë. Fillimisht, një i ri 17-vjeçar, Giuseppe Pelosi, u arrestua dhe pranoi fajësinë, duke deklaruar se e kishte vrarë Pasolinin pas një sherri të lidhur me një marrëdhënie seksuale. Megjithatë, versioni i tij u kundërshtua nga provat dhe nga ata që besonin se Pasolini ishte vrarë për arsye politike.
Në vitin 2005, Giuseppe Pelosi tërhoqi rrëfimin e tij, duke thënë se ai ishte detyruar të marrë fajin dhe se disa burra "me theks jugor" e kishin vrarë Pasolinin. Kjo deklaratë e ringjalli hetimin, por e vërteta e plotë mbetet ende e panjohur.
Pasolini ishte një kritik i ashpër i pushtetit, kapitalizmit dhe korrupsionit në Itali. Ai kishte paralajmëruar për një konspiracion të rrezikshëm të mafies dhe politikës, dhe disa besojnë se vrasja e tij ishte një akt hakmarrjeje.
Ndërkohë Pasolini kishte marrë kërcënime nga grupet fashiste për shkak të qëndrimeve të tij të majta. Disa teori sugjerojnë se vrasja u organizua nga elementë të ekstremit të djathtë.
 
Libri
Marki de Sade është një nga shkrimtarët e paktë që i dha botës një mbiemër: sadist.
Dhe ja pse.
“Les 120 Journées de Sodome ou l'école du libertinage” vjen në shqip si “120 Ditët e Sodomës, ose Shkolla e Lirisë”. Ai është një roman i papërfunduar nga shkrimtari fisnik francez me emrin orgjinal Donatien Alphonse François, Marquis de Sade. Libri përshkruan aktivitetet e katër francezëve të pasur, të cilët kalojnë katër muaj duke kërkuar kënaqësinë përfundimtare seksuale përmes orgjive, duke u ngujuar në një kështjellë në zemër të Pyllit të Zi me 12 bashkëpunëtorë, 20 viktima të caktuara dhe 10 shërbëtorë. Katër prostituta të moshuara tregojnë histori të klientëve të tyre më të paharrueshëm, praktikat seksuale të të cilëve përfshinin 600 "pasione" duke përfshirë koprofilinë, nekrofilinë, zoofilinë, inçestin, përdhunimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve. Historitë frymëzojnë akte të dhunës në rritje që çojnë në torturimin dhe vrasjen e viktimave të tyre, shumica e të cilave janë adoleshente dhe gra të reja.
Sade e shkroi atë në fshehtësi ndërsa ishte i burgosur në Bastille. Në kohën e Revolucionit Francez në 1789, De Sade u dënua me 11 vjet burg, fillimisht në Vënsen dhe më pas në Bastijë. Ai u arrestua fillimisht me akuzën e helmimit dhe sodomisë. Ai nuk u gjykua deri në vitin 1790. I burgosur pa gjyq, kaloi kohën mes fantazive seksuale dhe shkroi "120 ditët e Sodomës". Për t'u shpëtuar kontrolleve të gardianëve, ai shkruante mbrëmjeve në copa të vogla letre, të cilat më pas i fshihte në të çarat e murit të qelisë. Romani mbijetoi vetëm në formë drafti. Kur kalaja u sulmua nga revolucionarët më 14 korrik 1789, Sade besonte se dorëshkrimi kishte humbur.
Në një shkrim të Will McMorran botuar në “Guardian” shkruhet se “Më 3 korrik 1789, në mes të natës, Markezi de Sade u tërhoq zvarrë nga qelia e tij në kullën e quajtur “Liberty” në Bastijë. Më herët atë ditë ai ishte kapur duke i bërtitur turmës së mbledhur jashtë mureve të burgut se të burgosurve po pritej fyti. Ai u transferua në një azil jashtë Parisit dhe u detyrua të linte shumë nga pasuritë e tij më të çmuara, duke përfshirë një cilindër bakri të mbajtur të fshehur në një të çarë në mur. Kur gruaja e tij u nis për në Bastille për të marrë gjërat e tij më 14 korrik, tashmë ishte tepër vonë: Revolucioni e kishte goditur atë dhe asaj iu desh të kthehej duarbosh. Sade qau me "lot gjaku" për humbjen. Por më pas u gjet një cilindër 12 metra i gjatë dhe 11 centimetra i gjerë, e mbuluar me dorëshkrim të vogël: dorëshkrimi i romanit të papërfunduar të quajtur “120 ditët e Sodomës, ose Shkolla e Lirisë”.
Megjithatë, drafti ishte gjetur dhe ruajtur pa dijeninë e tij dhe përfundimisht u botua në një tirazh të kufizuar në vitin 1904 për interesin e tij shkencor për seksologët. Romani u ndalua si pornografik në Francë dhe vendet anglishtfolëse përpara se të bëhej më i disponueshëm në botimet komerciale në vitet 1960. Ai u botua në edicionin prestigjioz francez “Pléiade” në 1990 dhe një përkthim i ri në anglisht u botua si “Penguin Classic” në 2016.
Mendimi kritik, megjithatë, mbetet i ndarë. Kritiku Nil Shifer e quan atë "një nga romanet më radikale, dhe më të rëndësishme të shkruara ndonjëherë", ndërsa për Lorenc Lui Bonzhi ai është "një baltë e pafund me shthurje të ndryshueshme".

Thursday, February 27, 2025

Elizabet Tejlor, lindja e Yllit të përjetshëm të kinemasë

 
 

Nga 
Leonard Veizi
 
Përpara viteve 90, emri i Elisabet Tejlorit - apo Lis Tejlorit siç njihej për më shkurt, - ishte gati një herezi në Shqipërinë Komuniste. Ajo dhe Merlin Monro aq që mund të mendoheshin të shfaqeshin në ekranin e televizionit shtetëror. Por pas rrëzimit të Murit të Berlinit shqiptar, Televizioni me siglën “Tirana” nisi të trasmetojë filmat e saj. Dhe telespektatori u mahnit kur pa Lis Tejlorin të portretizonte mbretëreshën egjiptiane të dashuruar me gjeneralin romak Mark Antonin tek filmi “Kleopatra”. Ky ishte dhe një nga filmat më spektakolarë të karrierës së saj, Ndaj dhe sot, ajo vazhdon të jetë një figurë ikonike për dashamirësit e kinemasë në Shqipëri...
 
...Elizabet Tejlor nuk ishte thjesht një aktore hollivudiane; ajo ishte një ikonë e pavdekshme, një grua me një prani të rrallë artistike dhe një jetë plot pasion, sfida dhe humanizëm. Me sytë e saj të purpurt magjepsës dhe talentin e jashtëzakonshëm, Tejlor e shndërroi çdo rol në një vepër arti dhe çdo skenë në një moment të paharrueshëm të historisë së kinemasë.
 
Nisja
E lindur më 27 shkurt 1932 në Londër, Elizabet Rosemond Tejlor u shpërngul në Shtetet e Bashkuara bashkë me familjen e saj në prag të Luftës së Dytë Botërore. Babai i saj ishte një tregtar arti dhe biznesi i tij e solli atë në kontakt me anëtarët e elitës së Hollivudit. Ndonëse nëna e saj, një ish-aktore e skenës, fillimisht kundërshtoi lejimin e Tejlor-it të ri të hynte në industrinë e filmit, një prezantim me kryetarin e “Universal Pictures” përmes një prej klientëve të babait të saj çoi në një test ekrani.
 
Karriera
Karriera e saj nisi që në fëmijëri. Në vitin 1942, Taylor realizoi filmin e saj të parë, “There's One Born Every Minute”. Por në vitin 1944 u angazhua me filmin “National Velvet”, ku spikati si një yll premtues. Ishte vetëm fillimi i një rrugëtimi artistik që do ta bënte një nga aktoret më të vlerësuara të të gjitha kohërave. Në vitet ’50 dhe ’60, ajo u bë një figurë e pashmangshme në kinematografi me role të paharrueshme në filma si “A Place in the Sun”, në vitin 1951, “Cat on a Hot Tin Roof në vitin 1958 dhe “Cleopatra” në vitin 1963. Për rolin e saj në “Butterfield 8” në vitin 1960 dhe “Who’s Afraid of Virginia Woolf?” në vitin 1966, ajo fitoi dy çmime Oscar për aktoren më të mirë. Interpretimi i saj në këto filma nuk ishte vetëm një demonstrim i talentit të saj, por edhe një pasqyrë e emocioneve të fuqishme dhe kompleksitetit të karaktereve që portretizonte. Karriera e Taylor filloi të binte në fund të viteve 1960, megjithëse ajo vazhdoi të luante në filma deri në mesin e viteve 1970
 
Jeta
Elizabeth Taylor nuk ishte vetëm një aktore e jashtëzakonshme, por edhe një figurë e njohur për jetën e saj personale, e cila shpesh bëhej titull kryesor në media. Martesat e saj – tetë në total, përfshirë dy herë me Riçard Bërton – e bënë atë një simbol të dashurisë së madhe, pasionit të zjarrtë dhe dramës romantike. Ajo dhe Burton, përveçse ishin një çift ikonë, ndanë gjithashtu një dashuri të përbashkët për artin, poezinë dhe jetën luksoze. Të quajtur nga mediat si “Liz and Dick”, ata luajtën së bashku në 11 filma.
Pavarësisht nga skandalet dhe thashethemet që e rrethonin, Tejlor e mbajti gjithmonë dinjitetin dhe forcën e saj, duke u bërë një figurë e admiruar për vendosmërinë dhe sinqeritetin e saj.
 
Bamirësja
Përtej botës së filmit dhe bukurisë, Elizabet Tejlor ishte një grua me një shpirt bamirësie dhe guximi. Ajo ishte një nga figurat e para publike që u angazhua fuqishëm në luftën kundër HIV/AIDS në një kohë kur stigma ndaj sëmundjes ishte e lartë. Themeli i saj, “Elizabeth Taylor AIDS Foundation”, vazhdon të ndihmojë pacientët edhe sot. Humanizmi i saj, së bashku me vendosmërinë për të ndihmuar ata që ishin në nevojë, e bënë atë jo vetëm një legjendë kinematografike, por edhe një simbol të dhembshurisë dhe guximit.
 
Trashëgimia
Elizabet Tejlor iku nga kjo botë më 23 mars 2011, por trashëgimia e saj mbetet e paprekshme. Filmat e saj vazhdojnë të frymëzojnë gjenerata të tëra, ndërsa kontributi i saj në humanizëm dhe bukuria e saj e përjetshme e bëjnë atë një figurë të paharrueshme.
Në vitin 1999, Instituti Amerikan i Filmit e quajti atë legjendën e shtatë më të madhe të ekranit nga aktoret femra.
Në një epokë ku yjet lindin dhe shuhen shpejt, Elizabet Tejlor mbetet një simbol i pavdekshëm i artit, elegancës dhe forcës njerëzore. Një yll që nuk do të shuhet më.
 
 

“Për hir të dashurisë”, gratë ruse u poshtëruan në Shqipëri

 Ditët e Kujtesës

Nga Leonard Veizi
 
Zë fill që në periudhën e largët të antikitetit, kur Helena u dashurua me Paridin dhe “Për hir të dashurisë” u vranë mijëra burra dhe u shkretua e gjithë Troja. “Për hir të dashurisë”, gjithmonë ka sjellë viktima, deri tek Zhuljeta dhe Romeo në Veronën latine. Dhe dashuria e për hir të saj sakrifikoi Tanush Topinë dhe bashkëshorten Helena, që ishte pinjolle e derës së famshme të dinastisë franceze të Anzhuinëve dhe vajza e vetë Robert të Anzhusë, që aso kohe ishte dhe mbret i Napolit. Por nuk u mjaftua me kaq, sepse “Për hir të dashurisë” përveç ngjarjes së shekullit XIV solli mjaft viktima dhe në shekullin XX kur Shqipëria që tërhiqej nga Partia e Punës për tu bërë Socialiste bënte pjesë në Kampin Lindor. Flitet për gratë ruse që burrat shqiptarë me dashuri të madhe i morën në udhën e gjatë nëpër det... për të zezën e tyre të pafat.
 
...Burra shqiptarë, djem fare të rinj dhe të tjerë më në moshë, lanë pushkët trofe të Luftës dhe zbarkuan në botën e madhe të stepave, territori të cilës aso kohe quhej Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike. Moska ishte madhështore, me kupola kishash, portikë e kampanil, për më tepër po ta krahasoje me Tiranën. Dhe vetë jeta në metropolin lindor ishte shumë më e lirë dhe e gëzueshme se sa në vendin ku ndikimi oriental i Azisë së Vogël i mbante gratë pas portave me dryna ndërsa burrat pinin duhan dhe raki kazani nëpër akshihane. Herë me anijen “Irgis”, herë me atë që quhej “Krimea” por dhe me anijen “Transilvania” që bënte rregullisht linjën Odesa-Durrës, djemtë nga Shqipëria kalonin nga Adriatiku e Joni, nëpër Bosfor për të lunduar në Detin e Zi e për të ankoruar në portin e Sevastopolit. Krejt të parahur me jetën moderne por me instikte të forta mbijetese si shqiptarë safi, ish partizanët me yllin e kuq e këpucë angleze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare u kthyen në nxënës shkollash ushtarake parësore dhe u ulën në bankat e akademive superiore “Vorollishov”  a “Frunze” për t’u bërë më pas drejtues  të lartë ushtarakë.
Dhe shkuan të vetëm në Rusinë e largët, pa e ditur se në kthim do t’i çudisnin punëtorët durrsak të portit kur nga anijet e transportit "Krimea" a "Irgis" do të zbrisnin shkallët me valixhe dërrase në dorë dhe vajza flokëverdha përkrahu. Ishin vajza plot hire ruse, që kishin braktisur familjet dhe vendin me klimën acar të ftohtë për të mbërritur milje larg në Shqipërinë e huaj, krejt të zhveshur por shumë të ngrohtë nga rezet e diellit dhe po aq miqësore në frymën njerëzore.
Ky ishte vetëm prologu i miqësisë 15 vjeçare mes shqiptarëve dhe rusëve në tërësinë e tyre, sepse prologu do të ishte i errët e me humbella të thella.
Duke sjellë në vëmendje dashurinë e shqiptarëve me gratë ruse dhe armiqësinë qeveritare ndaj tyre dhe burrave që i kishin marrë, flet dhe dokumentari “Për hir të dashurisë” i cili u promovua në ditët e fundit të shkurtit 2025 pikërisht në “Ditët e Kujtesës”.
Me skenarin e Blerina Gjokës dhe regjinë e Rezart Shehut, ky projekt përçoi në vëmendje një plagë të harruar të historisë, duke e sjellë atë përmes gojës dhe syve të atyre që e përjetuan në mënyrën më të dhimbshme. Një produksion i “Kujto.al”, me ndihmën e fondacionit “Kornad Adenauer Stiftung Albania” ky film shërben si një memorial për kujtesën historike dhe thirrje për drejtësi.
Historia e këtyre grave është një tragjedi në vetvete. Ato erdhën në Shqipëri të nxitura nga dashuria, por shumë shpejt u gjendën të ngujuara në një vend që nuk u dha as të drejtën për të jetuar të lira. Për regjimin, ato ishin "armike të popullit", një lidhje e rrezikshme me botën e jashtme, dhe për këtë u ndëshkuan rëndë.
Si skenariste e dokumentarit, gazetarja Blerina Gjoka, kishte mundur të gjente dëshmitare të gjalla të kohës, gra ruse që flisnin shqip, po aq sa mund ta flasë çdo rus këtë gjuhë të vështirë dhe të përveçme me rrënjë indoeuropiane.
Dhe ato folën, treguan se si u dashuruan me shqiptarët dhe Shqipërinë, dhe si u ndanë plot dhimbje familjet e tyre, pas divorcit spektakolar të Enver Hoxhës me Nikita Hrushovin.
-Do ta kërkojmë Vlorën admiral...
Dhe ishte fort e trishtë tortura 30 vjeçare e familjeve dy kombëshe ku “Për hir të dashurisë” shumë syresh do të përfundonin pas hekurave të qelive, të tjerë do të punonin në fermat e të internuarve, dhe po aq do të jetonin të ndarë, ca në Korçë e Tiranë e ca në Moskë e Leningrad.
Po pse gjithë ky mllef?
Ka raste kur për hir të politikës gjërat rregullohen. Por jo rrallë, shkatërrohen. Atëherë në sipërfaqe dalin inatet e vjetra, mëritë e pa treguara dhe armiqtë që penguan mbarëvajtjen. Ndaj mund të jesh ti aty, për rastisi, në orën e gabuar dhe vendin e gabuar... e të digjesh.
Në historinë e Shqipërisë, ka një kapitull të errët që mbart mbi vete dhimbjen e shumë grave ruse, të cilat u dashuruan, u martuan dhe ndanë jetën me burra shqiptarë, por më pas u ndanë me forcë nga familjet e tyre, u burgosën apo u persekutuan nën regjimin e hekurt të Enver Hoxhës. “Për hir të dashurisë” në këtë "Memory Days" apo Ditët e Kujtesës, është më shumë se një rrëfim artistik. Është një homazh për këto gra, të cilat u bënë viktima të një regjimi që nuk njohu mëshirë për dashurinë e tyre.
“Për hir të dashurisë” nuk është thjesht një film. Është një përpjekje për të mos lejuar që këto histori të fshihen nga kujtesa kolektive. Është një përkujtimore për gratë që u flijuan në një sistem që nuk pati mëshirë për to. Është një zë që ngrihet për të kujtuar dhe për të mos lejuar që historia të përsëritet.
Dhe ashtu siç thonë protagonistët dhe ideatorët e këtij dokumentari ky projekt na bën të reflektojmë mbi çmimin e dashurisë në kohë diktature dhe mbi dhimbjen e heshtur të mijëra grave, historitë e të cilave ende nuk janë thënë plotësisht. Ai është një dëshmi se kujtesa nuk mund të shlyhet dhe se, për sa kohë që të ketë zëra që tregojnë, e vërteta nuk do të shuhet kurrë.
Dhe për së fundi: a e dini sa studentë shqiptarë u shkolluan dhe u diplomuan në akademitë dhe universitetet Sovjetike? Spiro Mëhilli, kunsulent i dokumentarit në fjalë, gjatë intervistës dhënë po aty thotë se kanë qenë të paktën 5200 studentë shqiptarë në shkolla dhe akademitë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik, në të gjitha degët e mundshme. Dhe të paktën 1200 të tjerë kanë studiuar për degë të tjera civile ku futen dhe artet, dhe mjekësia, dhe inxhinieritë e ndryshme.
Dhe sa gra ruse mbërritën në Shqipëri përmes këtyre martesave, duke përfshirë një periudhë kohe vetëm prej 9 vjetësh pasi deri në vitin 1951, qeveria sovjetike nuk ishte gjithmonë e gatshme të lejonte martesat me shtetas të huaj, përfshirë shqiptarët?
Këtu vështirë të të përgjigjet kush. Sepse nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e tyre. Madje kjo shifër nuk gjendet as në filmin e titulluar "Gratë ruse", me skenar të Juri Arabov, që trajton historinë e këtyre grave dhe fatin e tyre tragjik në Shqipërinë e asaj periudhe.

Wednesday, February 26, 2025

Xhorxhina Kavendesh apo Diana Spencer, një histori britanike për dy gra të fuqishme

 Dukesha e Devonshajerit



 Nga Leonard Veizi
 
Dukesha Xhorxhinë dhe Princesha Diana. Këto dy gra, të ndara nga shekujt, kanë pasur jetë të ngjashme, të mbushura me kufizime, pritshmëri të rrepta shoqërore dhe tragjedi personale.
Dukesha është Xhorxhina, një bukuroshe 17-vjeçare e kontraktuar nga nëna e saj, Ledi Spencer për t'u martuar me aristokratin më të fuqishëm të Anglisë, Dukën e Devonshajerit. Fshehurazi, marrëveshja i jep të drejtë Xhorxhinës një shpërblim të madh financiar pasi ajo të ketë lindur një trashëgimtar mashkull për dukën.
Kur Xhorxhiana dëgjon lajmet për të ardhmen e saj, fytyra i merr një përzierje kënaqësie dhe frike. Megjithatë, ajo qesh dhe pyet: A më do ai mua?
Pjesa tjetër e filmit shqyrton dashurinë dhe pasojat e saj brutale për dukeshën duke e kthyer në mjerim rezidencës së saj martesore vetëm për të dëgjuar zhurmat e seksit që burojnë nga dhoma e bashkëshortit të saj...
 
...Filmi “The Duchess” apo e njohur në shqip si  "Dukesha e Devonshajerit", është një dramë historike britanike e vitit 2008, me regji të Soul Dib dhe me aktorët Keira Najtli dhe Ralf Fienes në rolet kryesore. Filmi është bazuar në jetën e Xhorxhiana Kavendesh, Dukeshës së Davenshajerit, dhe merr frymëzim nga biografia e saj e shkruar nga Amanda Foreman
Historia zhvillohet në Anglinë e shekullit të XVIII dhe përqendrohet në jetën e Xhorxhiana Kavendesh që interpretohet nga  Keira Najtli, e cila martohet me Dukën e Devonshajerit që interpretohet nga Ralf Fienes, në një martesë politike. Pavarësisht bukurisë dhe karizmës së saj, martesa është e ftohtë dhe plot zhgënjime. Duka ka marrëdhënie jashtëmartesore, dhe Xhorxhina, e izoluar dhe e mposhtur nga presioni shoqëror, fillon një lidhje dashurie me politikologun Çarls Grei që interpretohet Dominik Kuper.
Filmi trajton temat e shtypjes gjinore, tradhtisë dhe dilemave morale në një epokë kur gratë ishin kryesisht të privuara nga pavarësia personale dhe shoqërore.
 
Historia e Dukeshës Xhorxhina
Xhorxhinës, një aristokrate e bukur, inteligjente dhe me ndikim, iu desh të martohej që në moshë të re me Duken e Devonshajerit, një burrë i ftohtë dhe indiferent, i cili kërkonte vetëm një trashëgimtar mashkull. Megjithëse ishte një grua e dashur nga populli dhe një ikonë e modës dhe politikës, martesa e saj ishte e mbushur me dhimbje dhe tradhti. Burri i saj kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me mikeshën e saj më të afërt, ndërsa asaj iu mohua dashuria e vërtetë.
 
Ngjashmëritë me Princeshën Diana
Ashtu si Xhorxhina, edhe Diana Spencer, Princesha e Uellsit, u martua me një burrë që nuk e donte vërtet – Princi Çarls, i cili ishte i lidhur me një tjetër grua, Kamila Parker Bouls. Diana, një grua e bukur dhe me një zemër të madhe, u bë e dashur nga populli për humanizmin dhe karizmën e saj, por prapa dyerve të pallatit ajo vuante nga një martesë e ftohtë dhe nga kontrolli i rreptë i familjes mbretërore.
 
Libri
Libri që frymëzoi filmin "Dukesha e Devonshajerit" është biografia me titullin "Georgiana, Duchess of Devonshire" nga Amanda Foreman, botuar në vitin 1998. Ky libër ka marrë shumë vlerësime për mënyrën se si paraqet jetën e Xhorxhiana Kavendesh - e cila ka jetuar mes viteve 1757-1806, - një nga figurat më të famshme dhe komplekse të shekullit të 18-të.
Libri përshkruan ngritjen e saj si një yll i shoqërisë londineze, martesën e trazuar me Uilliam Kavendesh, Dukën e Devonshajerit, dhe ndikimin e saj në politikë, modë dhe kulturë.
Xhorxhina ishte një figurë kyçe në Partinë “Whig” dhe përdorte popullaritetin e saj për të ndikuar te votuesit dhe politikanët.
Libri thekson betejat e saj me borxhet, varësinë nga bixhozi dhe pasionet e saj romantike, përfshirë marrëdhënien me Çarls Grei.
Amanda Foreman tërheq vëmendjen te ngjashmëritë midis jetës së Xhorxhina-s dhe figurave moderne si Princesha Diana, duke trajtuar sfidat që gratë me profil të lartë përballojnë në jetë publike. Autorja ka bërë një hulumtim të thellë, por stili i saj i të shkruarit është i gjallë dhe i lexueshëm.
Libri ofron një pamje të detajuar të shoqërisë britanike në shekullin e 18-të, përfshirë jetën aristokratike, politikën dhe rolin e grave.
Ky libër fitoi çmimin “Whitbread Prize “për Biografinë, një dëshmi e cilësisë së tij.
 
Filmi
Jeta e Xhorxhina Spenser shpesh krahasohet me atë të Princeshës Diana, pasi të dyja ishin pjesë e familjes Spencer dhe përballeshin me presione të ngjashme publike dhe personale.
Filmi fitoi çmimin Oscar për kostumet më të mira dhe është vlerësuar për rikrijimin e atmosferës së shekullit të 18-të. Najntli dhe Fienes janë vlerësuar për interpretimet e tyre të fuqishme dhe emocionale.
Filmi është mirëpritur për ndjeshmërinë dhe realizmin me të cilin portretizohet historia, megjithëse disa kritikë kanë vënë në dukje një rrjedhshmëri të ngadaltë të ngjarjeve. Në përgjithësi, ai mbetet një portret i fuqishëm i jetës aristokratike dhe sfidave të saj.
 
Epilogu
Të dyja gratë ndanë të njëjtin fat: një jetë të ndërlikuar mes luksit dhe vuajtjeve personale. Historia e Xhorxhinës, ashtu si ajo e Dianës, është një tregim i fuqishëm për gratë që sfiduan normat shoqërore, por u ndëshkuan nga rrethanat. Tema si shtypja e grave, sakrificat për familjen dhe kërkimi i dashurisë dhe lirisë janë të pranishme si në librin "The Duchess", ashtu edhe në filmin e bazuar në të.
Diana dhe Xhorxhina Spencer ishin gra të fuqishme, të cilat, pavarësisht dhimbjes dhe kufizimeve të vendosura nga rrethi i tyre, arritën të linin gjurmë në histori. Filmi "The Duchess" nuk është thjesht një dramë historike, por edhe një reflektim i fateve tragjike të grave që jetuan për popullin, por jo për veten e tyre. Ngjashmëritë mes tyre tregojnë se historia shpesh përsëritet, dhe se fati i grave në shoqëritë patriarkale mbetet një temë aktuale edhe sot.

Monday, February 24, 2025

Mes Kërtis Jarvin dhe Aleksandër Dugin, dy filozofët e prerjes radikale


Nga 
 
Në prurjet e mëdha dhe shpeshherë të pakuptueshme të mendimit filozofik, ndodh që herë të duket sikur nuk njeh asnjë prej rrymave, e më pas kupton se shumica e tyre janë kopje të njëra-tjetrës. Në këtë kaos, është e vështirë të evidentosh detajin që bën dallimin.
Të paktën që prej filozofëve të parë në Greqinë e Lashtë, për aq sa njohim, gjithçka që thonë filozofët është një grumbull fjalësh, të cilat ndryshojnë renditjen si në një makineri që luan me sintaksën. Sepse, në 6000 vjet civilizim – nga të cilat rreth 3500 janë më të dokumentuara – tollovia e fjalëve është mbështjellë si një lëmsh me fije leshi dhe është shmbështjellë dhjetëra mijëra herë.
Kështu mbërritëm në mijëvjeçarin e tretë.
Por nëse gërmon pak më thellë, apo të rekomandon dikush, sheh se ka ende gjëra për t’u thënë, edhe pse më së shumti duken si diçka që e ke dëgjuar dhe më parë, thjesht në një formë tjetër – ose më të thjeshtë, ose më arkaike. Tani gjithçka është thjesht koklavitur dhe modernizuar.
Ajo që më ka rënë në sy më së shumti, mes mendimtarëve apo filozofëve të viteve të fundit – pra atyre që janë kryesisht prodhim i fundit të mijëvjeçarit të kaluar dhe fillimit të këtij mijëvjeçari – janë dy autorë: Aleksandër Dugini, rus, dhe Kërtis Jarvin, amerikan.
Për të parin – Aleksandër Duginin, i lindur më 1962 – thuhet se teoritë e tij qëndrojnë ose mbi tryezën e Putinit, ose në mendjen e tij, po aq sa, 100 vite më parë, Niçja qëndronte mbi tavolinën e Adolf Hitlerit.
Kërtis Jarvin është i njohur, së bashku me filozofin Nik Land, për themelimin e lëvizjes filozofike anti-barazi dhe antidemokratike, të njohur si Lëvizja e Iluminizmit të Errët ose neo-reaksionarizmi.
Edhe ky i dyti, – Kërtis Jarvin, i lindur më 1973 – thuhet se ka simpatinë e Trampit, ndaj dhe ai e ka ftuar me ceremoninë e inaugurimit si president.
Në vija të përgjithshme, këta dy mendimtarë e filozofë bashkëkohorë bien dakord se demokracia liberale është e dështuar, por kanë vizione të ndryshme për sistemin që duhet ta zëvendësojë: njëri promovon një autoritarizëm euroaziatik dhe spiritualist, ndërsa tjetri propozon një monarki teknokratike dhe kapitaliste, ku shteti drejtohet si një kompani.
Ndoshta hegjemonia dhe rivaliteti mes dy superfuqive vazhdojnë të prodhojnë jo vetëm testata bërthamore, por edhe mendim filozofik, mbi të cilin mbështeten platforma partish apo platforma individësh me pushtet.
 
Aleksandër Dugin
Ai është një filozof, politolog dhe ideolog rus i njohur për teoritë e tij mbi gjeopolitikën. Mendimi i tij filozofik është kompleks dhe shpesh polemik, duke ndikuar në qarqe politike dhe intelektuale, veçanërisht në Rusi.
Dugini promovon një ideologji të quajtur "Eurasianizëm", e cila kundërshton hegjemoninë perëndimore dhe sidomos liberalizmin perëndimor. Ai beson se Rusia dhe vendet e tjera euroaziatike duhet të bashkohen në një bllok kundër ndikimit të SHBA-së dhe NATO-s. Në këtë kontekst, ai përqafon një botë multipolare, ku nuk dominon vetëm një fuqi globale, por disa civilizime të mëdha.
Dugini është ndikuar nga filozofë tradicionalistë si Rene Genon dhe Julius Evola, të cilët theksojnë një kthim te vlerat tradicionale dhe shpirtërore kundër modernizmit dhe materializmit. Ai argumenton se civilizimi perëndimor është në dekadencë për shkak të laicizmit dhe individualizmit ekstrem. Për këtë arsye, ai propozon një qasje mistike dhe konservatore, që mbështetet në identitetin kombëtar dhe fetar.
Në librin e tij më të njohur, "The Fourth Political Theory" apo i ardhur në shqip: “Teoria e Katërt Politike”, Dugini argumenton se tri ideologjitë kryesore të shekullit XX – liberalizmi, komunizmi dhe fashizmi – kanë dështuar. Ai propozon një teori të re politike që synon të kapërcejë këto ideologji duke përzier elemente të ndryshme nga traditat kombëtare dhe religjioze.
Dugini e sheh Rusinë si qendrën e një civilizimi të veçantë euroaziatik, i cili duhet të sfidojë dominimin e Perëndimit. Ai mbështet një shtet të fuqishëm, autoritar dhe të udhëhequr nga një elitë shpirtërore, duke e cilësuar demokracinë liberale si një sistem të korruptuar dhe dekadent.
Aleksandër Dugini është një filozof i cili sfidon paradigmat perëndimore dhe promovon një qasje alternative, të bazuar në konservatorizëm kulturor, misticizëm dhe gjeopolitikë euroaziatike. Pavarësisht se është një figurë kundërthënëse, ai mbetet një nga mendimtarët më me ndikim në Rusi dhe në disa qarqe të tjera anti-liberale në botë.
Mendimet e Duginit kanë ndikuar në qarqet politike në Rusi, dhe ai shpesh përshkruhet si një nga ideologët që frymëzuan politikat ekspansioniste të Moskës, veçanërisht në Ukrainë. Megjithatë, ai është një figurë e debatueshme, dhe shumë kritikë e akuzojnë për ekstremizëm dhe për promovimin e një ideologjie neo-imperialiste.
 
Kërtis Jarvin
Me pseudonimin "Mencius Moldbug", është i njohur për themelimin e lëvizjes filozofike anti-egalitariane dhe anti-demokratike të njohur si "Ndriçimi i Errët" ose lëvizja neo-reaksionare.
Jarvin argumenton se fuqia reale politike në Shtetet e Bashkuara qëndron në atë që ai e quan "Katedralja", një bashkim joformal i universiteteve dhe medias kryesore, të cilat bashkëpunojnë për të ndikuar opinionin publik. Sipas tij, një klasë sociale që ai e quan "Brahmin" dominon shoqërinë amerikane, duke predikuar vlera progresive për masat. Yarvin dhe lëvizja e Ndriçimit të Errët pretendojnë se përkushtimi i "Katedrales" ndaj barazisë dhe drejtësisë gërryen rendin shoqëror.
Duke u mbështetur në metafora kompjuterike, Jarvin sugjeron se shoqëria ka nevojë për një "rivendosje të fortë" ose një "rinisje", në vend të reformave graduale politike. Ai propozon një filozofi "neo-kameraliste", bazuar në kameralizmin e Frederikut të Madh të Prusisë. Në këtë model, qeveritë demokratike të paefektshme dhe të shpërdoruara duhet të zëvendësohen me korporata sovrane me aksione, ku "aksionarët" (pronaret e mëdhenj) zgjedhin një ekzekutiv me fuqi të plotë, por që duhet të shërbejë sipas dëshirës së tyre. Ky ekzekutiv, i pakufizuar nga procedurat liberale-demokratike, mund të qeverisë në mënyrë efikase, ashtu si një CEO-monark.
Jarvin mbështet autoritarizmin nga një këndvështrim të djathtë-libertarian, duke argumentuar se ndarja e sovranitetit politik zgjeron fushën e shtetit, ndërsa qeveritë e forta me hierarki të qarta mbeten minimale dhe të fokusuara ngushtë. Ai ka shprehur mbështetje për martesat e të njëjtit seks, lirinë e fesë dhe përdorimin privat të drogës, dhe ka shkruar kundër ligjeve diskriminuese bazuar në racë ose gjini.
Idetë e Jarvin kanë ndikuar disa investitorë të shquar në Silicon Valley dhe politikanë republikanë. Strategu politik Steve Bannon ka lexuar dhe admiruar punën e tij, dhe zëvendës-presidenti JD Vance ka përmendur Yarvin si një ndikim. Në janar 2025, Yarvin mori pjesë në një gala inaugurale të Trump në Uashington, ku u raportua se ishte "një i ftuar joformal nderi" për shkak të ndikimit të tij të madh mbi të djathtën trumpiane.
 
Epilogu
Kërtis Jarvin dhe Aleksandër Dugini janë dy mendimtarë bashkëkohorë të ndryshëm, me ndikim në sferën e filozofisë politike por kanë disa pika të përbashkëta në kritikën e tyre ndaj liberalizmit dhe rendit aktual global. Të dy autorët besojnë se demokracia liberale perëndimore është një sistem i dështuar që nuk i shërben popullit, por elitave të fshehura.
Pavarësisht dallimeve, të dy janë ndër zërat më kritikë ndaj rendit global aktual dhe ofrojnë alternativa radikale për të ardhmen e politikës.