Saturday, October 13, 2018

Behar Gjoka: Kronikë e një vrasje të (pa)paralajmëruar





Shënime për romanin "Rrënimi" të Leonard Veizit, botim i shtëpisë botuese “Buzuku”, Prishtinë


 Nga  Behar GJOKA

Behar GJOKA
Romani “Rrënimi” titullohet libri më i ri i autorit Leonard Veizi.  Ky tekst pason librat e tij në prozëshkrim, ku vihet re se bëhen gjithsej gjashtë romane, si dhe katër libra me tregime dhe novela. Duke parë librat e botuar në këto vite të autorit, pra si lëvrues i prozës së shkurtër dhe të gjatë, vetvetiu më erdhi në mend ajo që pati pohuar dikur Julio Cortazar, ku mes të tjerash, theksonte: “Tregimi është gjithmonë veli i artë, ndërsa romani është historia e kërkimit të velit të artë.” Në këtë rast, pra të një autori që i ka lëvruar zhanret e prozës, natyrshëm vjen pyetja, në cilin prej zhanreve të prozës ka prurje më të spikatura letrare? Një çështje me vete, që mbetet e hapur për ta parë në ndonjë rast tjetër, si një mënyrë e verifikimit të shkrimit të prozës. Ndërkaq nuk duhet harruar se me shkrimin e prozës, është një proces i hapur, që jo rrallë ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare, për librat e botuar. Megjithatë, në këtë paraqitje të librit më të ri të autorit, si tipar kryesor mbetet fakti se jemi në shkrimin e prozës, që në linjat më kryesore, shpërfaq një përvojë të realizimit të saj.
                               
Konkretja si realitet letrar
Kamera, futet në vorbullën e kohës, madje të fokusimit të momentit të hidhur kur po jetojmë, mbase edhe si një marrëdhënie e autorit, me këtë realitet, si gazetar. Jemi pikërisht në rrethanën e pazakontë, kur realiteti konkret është më absurd dhe më surreal se sa vetë arti dhe letërsia. Teksa lexon, me vëmendje dhe ankth, faqet e librit, gjithnjë pushtuar nga makthi i ndodhive makabër, ke ndjesinë e fortë se më tepër je në jetën reale, në realitetin e vrazhdë ku tashmë dukshëm janë përmbysur vlerat humane dhe njeriu është më vetmitar dhe i zbuluar para mbrapshtive të politikës dhe krimit të organizuar. Teksti dhe struktura romanore, krejt natyrshëm, krijojnë atmosferën e gjallë të tablosë së përditshmërisë, ku ndërkohë në secilën ditë rrëzohet në humnerën ekzistenciale, individi dhe shoqëria shqiptare. Pamjet konkrete, të krimit të organizuar, të korrupsionit në nivelet më të larta të administratës shtetërore dhe të biznesit privat, e sidomos të kapjes së shtetit nga mafia, që ofron teksti i romanit “Rrënimi”, ndonëse në tekst shpesh feksin hije fotografizmi, të një natyralizmi të ngrirë, që jo rrallë të fanit reagimin mediatik, megjithëse nuk ka rënë përfundimisht në shtjellat informuese, të bind më në fund se realiteti letrar, është ngritur mbi konkreten e ditëve të sotme. Jeta tepër e vështirë e njeriut, në aspektin shoqëror dhe politik, ka çaste kur e tejkalon letërsinë dhe artin. Mesazhet që lëshohen në faqet e romanit, krejt të hapura, teksa përcillet shëmtimi i demokracisë, së brishtë dhe jofunksionale, të ndërmendin atë që pohonte më herët Rousseau-i: “Njeriu ka lindur i lirë dhe kudo është i lidhur me zinxhir.” Hedhja e vështrimit në fatin e qenies, në hemisferat e jetës individuale dhe shoqërore, sidomos në marrëdhëniet e ndërlikuara me kohën, me shtetin e korruptuar gjer në palcë, gjë që në fakt përbën shtratin ligjërimor, përfaqëson atmosferën e plotë të tekstit, që hedh dritë në terrin e ndritçëm dhe tejet të errët në të cilin gjellojmë. Përditshmëria e lodhshme, gjer në rraskapitje, fiksuar në qendër të veprës, kuptimësohet nëpërmjet shumështresëzimeve semantike dhe shprehëse. Libri, në një masë të caktuar, ngërthen tiparet e romanit policesk-pa qenë mirëfilli i tillë, po kaq të romanit shoqëror dhe psikologjik (si klimë shoqëruese e tekstologjisë), duke formësuar kështu një tip romani me shumë rrafshe dhe anë, të cilat shpalosen përmes realizimit pa cak, që enkas zbulon gjithçka të kësaj kohe, në gjithë lakuriqësinë e vetë, përpara lexuesit. Përvoja e gjatë e gazetarit, për ta gjurmuar të vërtetën, pavarësisht se ku fshihet ajo, e bashkëshoqëruar me përkujdesni e shkrimtarit, që jeta reale tashmë të futet në kornizat e kumteve letrare, shënjojnë dy shinat e zbulimit të universit shkrimor të romanit. Fundi tragjik i gazetarit, që vjen si furtunë në gotë, pra larg "haapy end"-it, që e ndeshim shpesh në prozën shqipe, vjen e treguar si një befasi, që vë në vështirësi kompromiset e pranishme të medias me politikën dhe me krimin. Vendosja në qendër të romanit, pikërisht e momentit të tanishëm, si një kredhje qëllimore në ndodhitë e kohës, të cilat janë më surreale se vetë letërsia, është gjetje, por edhe risk, për të rënë në vështrim analitik, që buron nga makthi i realitetit konkret.

Formësimi kompozicional dhe strukturor
Teksti “Rrënimi”, me një hapësirë tekstologjike romanore, pra të gjerë, të pasur në linja dhe problematika, në shtjellimin e kohës reale, e fiksuar si kohë artistike, e rrafsheve të shumëfishta kuptimore dhe artistike, në pikëpamje të sendërgjimit të plotë të shenjëzimit artistik, veçmas tjerash, zbulohet në dy nivele, që janë realizuar si të ndërthurura dhe evidentohen  në marrëdhënie të ndërsjellë:
               
A – Niveli klasik i strukturimit, ose makrostruktura e librit, që përbën thelbin e shkrimit të zhanrit, ku bie në sy fare thjesht, i cili përmblidhet dhe shpalohet në njëmbëdhjetë krerë. Episodet e konceptuara si krerë të librit, relativisht janë të gjatë dhe organizojnë dhe shpalosin ndodhitë e shumta të romanit, skicojnë fabulën tërësore, si dhe konfigurojnë morinë e personazheve të librit, një pasuri e përveçme e prozëshkrimit të autorit, që lëvrijnë në hapësirën e tekstit, e cila madje përbën bazamentin e ngrehinës së romanit.
                
B – Nivelin dinamik të botëperceptimit strukturor, ose mikrostruktura e kësaj proze, gjithnjë brenda strukturës së parë, që e pasuron dhe zgjeron frymimin e saj. Vihet re, se në hapësirat e secilit prej krerëve të librit, që përkon me lëvrimin e zhanrit të romanit, po ashtu ato paraqiten të ndara në gjashtë episode, ku madje shpesh herë ngjet largimi i beftë, me dhe pa shkak, i personazhit të pranishëm, që madje ngjet me një shpejtësi rrufe, si dhe hyrja e një protagonisti tjetër në skenë, gjë që në fakt shënon pauzë të ngjarjeve dhe vonesën narrative, që e rrëshqet natyrshëm shkrimin e prozës në shtjella bashkëkohore.
Gërshetimi i të dy niveleve, të një kompozimi të beftë, pra klasik dhe dinamik, u ka dhënë ngjarjeve dhe vetë fabulës së pranishme, e cila ngërthen në vetvete një mori ngjarjesh nga më të çuditshmet, si dhe kumteve të tekstit një temporitmikë tjetër, ku megjithatë ngjyresa klasike përfaqëson fondamentin e sendërtimit romanor, e po kaq të tonaliteteve realiste, të skalitura në vatrën e realitetit konkret, aq i vrazhdë e telendisës, për ekzistencën e qenies shqiptare, në këto çaste.
               
Parakalimi i personazheve
Personazhet e shumtë të romanit, pavarësisht hapësirës që ata zënë në këtë tekst, në dhënien e tipareve fizike dhe morale, konfigurohen dhe portretizohen si të individualizuar, në tërësinë e vetë. Nga njëra anë, ke përshtypjen se më tepër janë personazhe të marra në rrjedhën e kohës, pra të realitetit të aktualitetit, gjë që ju jep atyre një pamje konkrete dhe të besueshme. Nga ana tjetër, vetë larmia e figurimit të narratorit, përshkrimi i detajuar i mjediseve, ku luhen ngjarjet, replikat e shumta, madje shpesh të ashpra, që shkëmbejnë në tekst, bëjnë të mundur mishërimin e tyre, si personazhe letrare të këtij romani. Në hapësirat e tekstit, pra të librit të dhjetë të autorit, parakalojnë dhe lënë gjurmët e tyre, shumë protagonistë, që kanë peshë të ndryshme, kryesore ose dytësore, në ndodhitë e romanit, veçmas në shënjimin letrar të atmosferës që përcillet. Themi parakalojnë sepse personazhet e romanit, ashtu siç ngjet në jetë, ndalen vrulltas e me po kaq me shpejtësi, mandej rishfaqen përsëri aty, për të rrëfyer atë që nisën në episodet e tjera. Një ikje dhe ardhje e rrufeshme, megjithatë e organizuar, i bënë ato pjesë e konturimit të kohës. Kurba e lëvizjes së tyre, e paraqitur në qarkun e hapësirës romanore, ndërkaq dukshëm krijon rrethanën e kundrimit të tyre, edhe në përqasje të ndërmjetme, madje ndonjëherë edhe në pranvënie të befta, të natyrës së tyre karakteriale. Aq më tepër, që linjat intime dhe shoqërore, më tepër vijnë e plasohen të ndërthurura ndërmjetshëm, dhe të japin dorë për të zbuluar dritëhijet e personazheve. Në mesin e personazheve, në syrin tim, si më i ploti dhe më kompleksi, me gjasë edhe si epiqendra e realitetit letrar, veçohet Martini, arkitekti i hotelit, që në fund të librit hidhet në erë, si një fat që paralajmërohet gjatë tregimit të ngjarjeve. Martini është figura qendrore e romanit, ku madje edhe pikëtakohen fatet e personazheve të tjerë, e linjave të ndryshme, e përplasjes së linjave intime dhe shoqërore. Po kaq, nëpër shtjellat ligjërimore të jetës së inxhinierit, që nuk merret vesh është një ëndërr e shfaqur apo zhgjëndërr e përjetuar, e plakut që i shfaqet në momentet e ankthit personazhit kryesor të romanit. Plaku, figura më interesante dhe enigmatike e këtij teksti, e gdhendur deri në skalitje, një mister që çapon hapat e qenies, e cila më tepër buron nga nënvetëdija e arkitektit, me shumë gjasa shqipton praninë e Tjetrit, një gjendje që e përmend Ernesto Sabato, përsëdytësit të njeriut, që ka shumë raste që fle, si në fashitje, në subkoshiencën e njeriut. Përballë arkitektit qëndrojnë të tjerët, Ingridi, gruaja e bukur “sygjarpër”, drejtori ekzekutiv, Aleksi, miku i hershëm, e sidomos Gregu, që e gjurmon arkitektin për ta qëlluar me plumba. Po ashtu, për tipat që përfaqësojnë, për rolin që kanë në rrjedhën e ngjarjeve, të mbeten në mendjen figura të tilla si: koloneli, gjenerali, gazetari kurajoz, Nik Morina, si pjesë e sfondit makabër ku edhe ka rrëshqitur jeta e qenies shqiptare, në motet e rrumpallës, kinse demokratike.

Teknika e vonesës narrative
Sendërgjimi i prozës, pra edhe i tekstit të romanit të radhës, lidhet ngushtësisht me rolin dhe mënyrën e shpalimit të narratives, si mjeti unik i materializmit të prozës letrare. Teksti i romanit “Rrënimi” në formësimin e vetë narratologjik, ecën në dy vatra ligjërimi:

Së pari: Rrëfimtari-autor, që zbulon universin letrar, si marrëdhënie e gjithdijes. Rrëfimtari, pra epiqendër e realitetit tekstologjik, që skicon vendet, paraqet ngjarjet dhe portretizon personazhet e romanit, ka peshën kryesore në mishërimin e realitetit letrar.

Së dyti: Vonesa narrative, një teknikë e shtrirë në hapësirat e librit, si një element që sublimon dhe sendërgjon fytyrën e kohës. Kuptohet se teknika e vonesës, pauzat e pranishme në tekst, të cilat megjithatë mbajnë të ndezur kërshërinë e leximit, porse në shtjellën e përsëritur në secilin prej kapitujve dhe nëndarjeve, ndonëse përcjellin një sfond monotoninë, luan rol për të materializuar atmosferën. Fakti që tipologjia e vonesës rrëfimore, është e përhapur në gjithë krerët e librit, ka krijuar rrethanën e përveçme letrare, që ndodhitë dhe personazhet, pavarësisht një tisi mediatik, të fitojnë status të veçantë. Pohimi i dikurshëm i T. Todorov: …çdo rrëfim ka diçka të tepërt, një tepricë, një shtesë që mbetet jashtë formës së mbyllur, të përftuar nga zhvillimi i intrigës. (2000: 37), e ndriçon terrin që e krijon letërsia, e sidomos zhanri i gjatë i prozës, romani. Ngjarjet në libër vijnë si ndalim i rrjedhës së realitetit, kundruar tashmë si një hapësirë vetëmse letrare. Personazhet nëpërmjet vonesës narrative, organikisht u krijohen gjasat që të zbulohen si karaktere, me gjithë hijedritat që bart jeta konkrete, e plazmuar në konturet e prozës së gjatë. Pranëvënia e ndërliqshme e rrëfimtarit-autor, si ngjyresë gjithdije, e zgjeruar me teknikën e vonesës narrative, ka mundësuar që hapësira e tekstit, pavarësisht strukturës klasike, të anësohet nga lëvrimi i prozës bashkëkohore.
               
Kolazh filmik i ndodhive
Vendosja e ngjarjeve në Shqipëri, në zona apo qytete të ndryshme të saj, si dhe marrja e personazheve nga vetë realiteti konkret, natyrshëm i jep tekstit tiparet realiste, me gjasë të një neorealizmi krejt pa cak, që i zbulon të vërtetat e kohës, në të gjitha përmasat e veta. Kuptohet se shenjat e realizmit të këtillë, vetvetiu kanë formësuar edhe një tip të një proze imazhi, të një realiteti letrar tejet dinamik, që lëviz në sytë e lexuesit si në një kolazh filmik. Ndërkaq, narrativa e vonesës dhe ndërprerjet e vazhdueshme në të gjithë krerët dhe nëndarjet e hapësirës tekstologjike, pavarësisht se personazhet dhe rrëfimtarët, i mbajnë të ndërlidhura hallkat subjektive, figurimin e fatit të qenies, ka endur shenjat e prozës së fragmentuar, madje të grimcuar nëpër episode, të domosdoshme dhe rastësore, që lehtësisht i kuptimëson prania e personazheve. Në lidhje me interpretimin e letërsisë në përgjithësi, pra edhe të romanit, ka vlerë pohimi i Ernesto Sabatos, kur shprehet: Çdo përpjekje për ta shpjeguar fenomenin letrar nga pikëpamja thjesht estetike ose thjesht sociale është, si rrjedhim, e dënuar të dështojë.”(2015: 52), krijon një hapësirë reale për ta parë tekstin në marrëdhënie më të ndërlikuar, dhe jo për të kundruar si një realitet skematik. Struktura, e përndarë në krerë, kryesisht e tipologjisë klasike, ndonëse vjen e zgjeruar, si hapësirë komunikimi, me përndarje të brendshme, në dhjetëra episode, ndërfutur brenda krerëve, ku ndërlikimi i kahjeve ligjërimore, sjellë në skenë protagonistë të ndryshëm të romanit, që ndikon në zbulimin e tipareve karakteriale. Sfumatura imazhiniste, si vende dhe hapësirë, fjala si rrëfim dhe dialogim, sekuencat ligjërimore, që përftojnë gjurmët e stilit të autorit, si dhe plazmimi i personazheve, e ka përtheksuar fragmentaritetin e prozës. Në krijimtarinë e Leonard Veizit, si lëvrues i prozës, ky roman shënon një moment të veçantë, në kuptimin e shenjimit të realitetit letrar, ndonëse marrëdhënia me konkreten është tepër e rrokshme, ajo vjen përmes ombrellës artistike, që zbulohet në lexim.

Thursday, September 20, 2018

Noli, nga diploma e Harvardit tek rrugica me plehrat e Golemit

Leonard Veizi
Vera nuk ka mbaruar ende, jo vetëm se ekuinoksi i vjeshtës sipas astronomisë daton në 22 shtator, por edhe sepse shtatori po vazhdon të mbajë aq nxehtë sa të gjithë ata që kanë vendosur të shëllehen në diell se nuk u ka mjaftuar korriku dhe gushti, me siguri do ta thekin me detaj ngjyrën e bronxit safi.
Zakonisht plazhin e bëj andej nga Golemi, edhe në pranverën e hershme, edhe në verën e vonë. Jam mësuar me situatën kërkesë-ofertë, por dhe se fshatarët e zonës shesin gjithfarë lloje frutash me çmime që shtyhen e nuk ta nxjerrin astarin e xhepave. Shkurt nuk mbetesh me duar bosh si do Zoti ca miqtë e mij që pësuan andej nga Jugu, e pasi i lanë të gjitha paratë e thata që kishin marrë me vete, u munduan të fusnin në funksion kartat e kreditit që të ktheheshin në Tiranë.

Por plazhi i Golemit, si tepër popullor që është, ka dhe bëma pa fund. Fjala vjen, kjo makinë e transportit të rëndë, kish mbetur në breg të detit e s’kishte burrë që e nxirrte andej. Ç’them dhe unë; u bënë 10-të burra bashkë, me kazma e lopata e sërish nuk e nxorën. Ishte piku i verës, i sezonit, i turistëve dhe njerëzia nuk e kishte mendjen me të motorët e ujit por te kamioni që nuk dilte nga rëra.
Po në skutat e këtij plazhi, gjeje dhe ndonjë fadromë që mundohej të bënte ndonjë punë, kur nuk dihej se çfarë pune kishte.
Por ajo që i vendosi qershinë mbi tortë për këtë sezon ishte pamja me të cilën u ndesha në një nga rruginat që lidh plazhin me rrugën dytësore dhe autostradën. E pa asfaltuar dhe në ditë të hallit, kjo rrugë e shtrembët qëndronte e lagur dhe e ngopur nga pellgjet e ujit dhe kur temperatura i kalonte 40 gradë celsius. Por si kjo rrugë ka plot në Golem. Ajo që e bënte të veçantë e që të bënte ta ktheje kokën ishte dy tabela në të cilat shkruhej emërtimi i rrugës. Në njërën nuk shquheshin fort germat. Por pak metra më tutje tabela e dytë të informonte se po ecje bash mbi rrugën: Fan Noli.
Mbeta pa tekst.
Fan Noli, me emrin e babait Stilian, me siguri do të kishte qeshur po të ngrihej nga varri e të shihte se ku kishte përfunduar. Se ai qeshte e bënte ironi edhe me flautin e tij që e quante “fyell”. E jo më me fyejt që i kishin vënë emrin tek rruga më e shtrembët dhe e baltosur e plazhit të Golemit.
Padyshim Fan Noli, mbetet një nga figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar. Me diplomë të Harvardit, poet, shqipërues, peshkop deputet e kryeministër, emrin e të cilit më mos Akademia e Shkencave duhet ta mbante Universiteti i Tiranës. Ç’është e vërteta në Korçë e kanë vlerësuar Nolin, emrin ia kanë vënë universitetit lokal, mirëpo në Tiranë janë mjaftuar ta përmendin tek një shkollë 9-vjeçare, ndërsa në Golem ka përfunduar tek kjo rrugë 200 metroshe ku më së shumti të zë syri kazanë mbeturinash.
Dhe kaq, se nuk ka nevojë për më shumë koment.



Botuar në
http://www.gazetadita.al/noli-nga-diploma-e-harvardit-tek-rrugica-me-kazanet-e-plehrave-te-golemit








Saturday, September 8, 2018

Vitrina e Librit: “Rrënimi” i Leonard Veizit, një metaforë e realitetit shqiptar, ku tragjedia s’mund të jetë veç epilogu i fateve njerëzore

 Vitrina e Librit në Top Channel, nga Beti Njuma: 
Leonard Veizi me romanin triller “Rrënimi” 


Aty ku rrënohet individi është e destinuar të rrënohet një shoqëri e tërë, në damarët e së cilës gëlon krimi dhe korrupsioni. Rrënimi, trilleri i ri i Leonard Veizit është një metaforë e realitetit shqiptar, ku tragjedia s’mund të jetë veç epilogu i fateve njerëzore.
Një gazetar që vritet në mënyrë mëkabre pas fakteve që zbulon, një kolonel që vetvritet në zyrën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes pasi është marrë me trafik armësh dhe një sasi eksplozivi që zhduk gjurmët e një ngrehine të përdorur për demontim dhe trafik armësh.

“Është një shoqëri kaq shumë tranzitive, në një tranzicion kaq të gjatë sa vazhdimisht më është dukur, sidomos në vitet e fundit, se nuk po shoh dritë në fund të tunelit. Kështu që mora përsipër të ngrej një ngrehinë dhe ta rrënoj atë për të thënë që: shteti është i tillë, po aq sa është një ngrehinë e madhe dhe e rëndë në vetvete po aq dhe thërrmohet”.

Leonard Veizi
“Rrënimi” - roman
Çmimi 6 euro
Botimet “Buzuku”







Tuesday, August 28, 2018

''Rrënimi'' i Leonard Veizit, metafora e një realiteti

Në bregdetin e Jugut, një resort gjigant është gati të shembet.  Nga Tirana vijnë me urgjencë një grup ekspertësh. Investitorët pretendojnë se ka pasur rrëshqitje dheu. Por e vërteta është krejt ndryshe. Këtë e kupton kryearkitekti i veprës. Një gazetar që ka nisur hetimin e një piste për trafik armësh mbërrij gjithashtu në rrethinat e resortit. Situata komplikohet.
Tre vjet pas suksesit të romanit “Lora”, këtë herë Leonard Veizi vjen me një roman të ri të quajtur “Rrënimi”.

Unë do të thosha se është vetë titulli i romanit që tregon se si rrënohet ngrehina e një shteti. Romani në plan të parë duket si një triller policesk, por në fakt ka një shtrirje të gjerë sociale. Në 320 faqet e tij ka shumë linja, janë nëntë të tilla, të cilat konvergojnë në një pikë, pra bashkohen për të shkuar drejt fundit. Gjithashtu edhe personazhe ka shumë. Për herë të parë kam punuar me kaq shumë personazhe. Janë rreth 80 të tillë, nga të cilët 40 aktivë, pra personazhe që mbajnë peshë të konsiderueshme dhe 40 të tjerë më në hije, por që gjithsesi rëndojnë mbi roman. Baza e romanit është realiste, e për më tej është detyrë e kritikës të vlerësojë se në çfarë kategorie bën pjesë.

Ju kujtohet ngacmimi i parë që bëri më pas të frymëzoheshit për të shkruar këtë roman?
Kam marrë një tregim timin, të dikurshëm e të lënë në harresë që më pëlqente shumë por që nuk e ktheja dot në roman. Nga ai tregim ka mbetur vërtet një bazë e mirë, por është transformuar tërësisht. Megjithatë nuk është se kam pasur një ngacmim. Herë pas here kam pasur ngacmime të ndryshme, kam futur elementë të ndryshëm, deri sa është arritur kompromisi për atë çka duhet të përcillte romani në të vërtetë.
Ky është një roman që nuk ka pasur një pikësynim se si do të ecte, por ka ecur rrjedhshëm rrugës. Kam shkruar romane që e kam ditur se ku do të mbërrinte ngjarja, madje në një rast kam shkruar si fillim kapitullin e fundit. Por në këtë roman nuk e kam ditur se çfarë do të ndodhte. Gjatë rrugës gjithçka është transformuar. Nuk është se kam pasur një indice kryesore. Prandaj ka pasur edhe shumë linja. Sepse nuk kënaqesha me një linjë dhe fusja një linjë të re, pastaj një të tretë, një të katërt një të pestë... derisa u bënë nëntë linja që plotësuan egon time, të paktën për të tejkaluar romanin tim paraardhës “Lora”, i cili gjithashtu kishte shumë linja e personazhe por jo kaq shumë sa “Rrënimi”.

Duke pasur parasysh të gjithë këto linja, mendoni se lexuesi do ta gjejë veten në njërën prej tyre? Ka detaje nga përditshmëria jonë?
Do të thosha që ky roman trajton njeriun në tranzicion, apo thënë më qartë, njeriun shqiptar në tranzicionin shqiptar. Pa diskutim që shumëkush mund ta gjejë veten, sepse në këtë roman ka personazhe në udhëkryq, personazhe me probleme shoqërore, me probleme psikike. Sepse padyshim po të jesh në një udhëkryq je në një dilemë të madhe dhe gjithçka rrëndon mbi psikikën në radhë të parë. Kushdo mund ta gjejë veten tek “Rrënimi: e gjen tek një arkitekt, tek një gazetar, tek një agjent bankar, te një ushtarak madhor, apo ç’tjetër mund të kem të 80 personazhet e mi.
Padyshim që ky është një rrëfim shqiptar, për Shqipërinë e sotme, për Shqipërinë në tranzicion, në një tranzicion të tmerrshëm, në një tranzicion të gjatë, ku për të thënë të vërtetën unë nuk shoh dritë në fund të tunelit.

Në faqen e fundi të librit lexuesi do të gjejë një përgjigje? Do ndihet  më i lehtësuar? Çfarë e pret atje?
Kam përshtypjen se lexuesi do të zhgënjehet nga ajo çfarë unë kam dhenë në faqen e fundit. Sepse në 10 faqet e fundit të romanit është rrënimi i ngrehinës, rrënimi i ngrehinës shtetërore. Unë kështu do ta përkufizoja pavarësisht se në fakt është rrënimi i një ngrehine fizike në plan të parë. Pra është një hotel në ndërtim i cili është përdorur për punë jo të ligjshme. Ky hotel hidhet në nga vetë keqbërësit, pra rrënohet. Por që do të thotë se e gjithë ngrehina e shtetit është e tillë.

Në kaosin ku jetojmë, në atë kaos që sjell dhe vetë libri, ku e gjen frymëzimin?
Për shansin tim të mirë mua frymëzimin nuk më mungon. Nuk kam probleme me të. Nuk më duhet të dal as në breg të detit as të ngjitem në majë të malit për të gjetur frymëzim. Mjafton të kem lap-topin, pra një faqe të bardhë unë ndihem i frymëzuar. Thënë më shkurt kam energji për të shkruar. Problemi im i vetëm është se ndërsa libri futet në procesin e botimit më kap një ngërç dhe nuk mund të punoj dot pa dalë ai në dritë. Më pas çlirohem dhe fillon puna për tjetrin. Edhe me “Rrënimi”-n kështu ndodhi. Tani besoj, nga shtatori apo tetori bëhem gati për të shkruar diçka të re.

Rrënimi e ka çuar kufij të rinj letërsinë tuaj?
Besoj se po. Ai është pasrendës i romanit “Lora”, për të cilin mund të them se ka një farë ngashërie në mënyrën si është trajtuar. Por padyshim që “Rrënimi” është shumë më dinamik. Sepse dhe vetë dendësia e personazheve apo e linjave e bën më intensiv gjithë rrëfimin.

Përshtypjet që keni marrë deri tani nga ata që e kanë lexuar.
Kanë qenë jashtëzakonisht të mira. Por besoj se së shpejti edhe kritika do të flasë për “Rrënimi”-n, pasi kam pasur kontakte dhe më është paralajmëruar diçka e tillë.

Zgjodhe një botues në Prishtinë. E qëllimshme?
E qëllimshme. E ka pasur ëndërr prej kohësh. Nuk është diçka e kohëve të vona. Tani vetëm se u realizua. Doja ta sillja letërsinë time nga Prishtina në drejtim të Tiranës. Sepse kemi dy kryeqytete shqiptarësh: Tiranën dhe Prishtinën. Unë në një farë mënyre e kam marrë nga Tirana atë që duhej të merrja apo atë që prisja të merrja. Por i ardhur nga një kryeqytet tjetër shqiptarësh më dukej më trendy. Kjo lloj mode është futur tanimë dhe po funksionon. Ka plot shkrimtarë që janë të Prishtinës, botohen në Tiranë dhe kur shkojnë sërish në Prishtinë kanë një sukses të dyfishtë. Edhe anasjelltas. Tregu i Kosovës për të thënë të drejtën mua më mungonte edhe pse romani “Lora” i botuar tre vite më parë çau në këtë treg dhe e hapi rrugën. Megjithatë doja të botohesha Prishtinë për t’u ndjerë po aq kosovar sa dhe një shkrimtar i Pejës, Ferizajt apo Gjakovës. Në këtë mënyrë vendosa marrëdhënie me z. Abdullah Zeleli që drejton shtëpinë e madhe botuese “Buzuku”. Ai më mirëpriti dhe e pëlqeu shumë romanin dhe përderisa e botoi do të thotë se u kaluan të gjitha hallkat e mundshme. Tanimë jam shumë i kënaqur që këtë herë libri drejt Tiranës erdhi nga Prishtina.

Në botimin e radhës revolta e kësaj natyre do të vazhdojë?
Ende nuk e di pasi nuk kam një projekt të saktë e konkret, por mendoj se është një temë e jashtëzakonshme të vazhdosh të mbetesh i revoltuar në këtë kaos ku jetojmë. Padyshim që as letërsia nuk rregullon dot bilancin negativ të këtij kaosi, sepse ajo tanimë është e fundit në rresht, për të gjitha llojet e shkaqeve që nuk ia vlen t’i përmendim në këtë intervistë, Gjithsesi është një apel që mbetet. Dhe besoj se edhe ky apel do të mbetet gjatë në vëmendje.

Një histori që na përket të gjithëve. Nën trillin letrar dhe penën e autorit Leonard Veizi.


Intervista është realizuar nga Saimira Dako në emisionin “Parfume” TV SCAN

Friday, August 3, 2018

“Rrënimi” i Leonard Veizit prezantohet në librarinë “Art’s”

Prezantimi i romanit “Rrënimi” në librarinë “Art’s”


Paraditen e 3 gushtit 2018, mes një atmosfere miqsh e dashamirës së librit, romani “Rrënimi” u prezantua në mënyrë zyrtare, por krejt i lirë e pa protokoll. Prej këtij çasti “Rrënimi” ka trajektoren e vetë orbitale, i pavarur nga autori.
Dhe meqenëse librit i takon të jetojë mes librave, ky prezantim u bë e munduar në ambientet e librarisë “Art’s”, - dhe dashamirësisë së zonjës Arta Zeneli, - librari e cila është çelur vetëm pak kohë më parë në Tiranë. Prezantimi u moderua nga shkrimtari dhe studiuesi i njohur Behar Gjoka, por pjesë e debatit u bënë gjithashtu dhe shkrimtarët po aq të njohur Agim Baçi eKliton Nesturi, të cilët e kishin lexuar veprën paraprakisht.

Prezantimi i romanit “Rrënimi” në librarinë “Art’s”
Romani “Rrënimi” është një botim i shtëpisë prestigjioze “Buzuku” me qendër në Prishtinë e me president z. Abdullah Zeneli


“Personazhe të një shoqërie në tranzicion. Ngarendje drejt parasë, karrierës, ëndrrave e realitetit jo gjithnjë nga ç’ofron zhvillimi i hovshëm. Një gjuhë përmasash epike.” Kështu do ta përkufizojë romanin “Rrëfimi”, që në kopertinën e tij, Abdullah Zeneli, presidenti i  shtëpisë botuese prestigjioze “Buzuku” me zyrë në Prishtinë.


Leonard Veizi, Arta Zeneli dhe Behar Gjoka

Leonard Veizi e Orjona Tresa



“Personazhe të një shoqërie në tranzicion. Ngarendje drejt parasë, karrierës, ëndrrave e realitetit jo gjithnjë nga ç’ofron zhvillimi i hovshëm. Një gjuhë përmasash epike.” Kështu do ta përkufizojë romanin “Rrëfimi”, që në kopertinën e tij, Abdullah Zeneli, presidenti i  shtëpisë botuese prestigjioze “Buzuku” me zyrë në Prishtinë.
Leonard Veizi e Agim Baçi


Leonard Veizi, 3 vjet pas suksesit të romanit “Lora” këtë herë vjen me një roman të ri prej 320 faqesh, të quajtur “Rrënimi”.

Leonard Veizi e Kliton Nesturi
Leonard Veizi e Rezarta Reçi

Leonard Veizi e Geverina Muzhaqi




Monday, July 23, 2018

“Rrënimi”, një tornado letrare nga Leonard Veizi

Leonard Veizi dhe Abdullah Zeneli
Mund të konsiderohet dhe si një tornado letrare. Shkrimtari i njohur Leonard Veizi, 3 vjet pas suksesit të romanit “Lora” këtë herë vjen me një roman të ri prej 320 faqesh, të quajtur “Rrënimi”.
Ngrehina e një shteti që gërryhet çdo ditë nga korrupsioni, trafiqet e paligjshme dhe politikat e mbrapshta. Kjo është në themelin e këtij romani të cilën shtëpia botuese “Buzuku” sapo e ka hedhur në qarkullim. Karaktere të gdhendura deri në imtësi, egoistë të shfrenuar, prapaskena dhe porosi për ekzekutime mafioze. Këto, dhe të tjera më shumë se kaq, na vijnë në faqet e romanit “Rrënimi”, në formën e një reviste, ku gjatë shfletimit mund të shohësh si në fotografi të stampuara, të gjithë tranzicionin e shëmtuar që shqiptarët përjetojnë prej vitesh.
Dhe nëse një ushtarak përpëlitet në zyrën e tij të Ministrisë së Mbrojtjes, pasi ka firmosur marrëveshje të dyshimta që kanë të bëjnë me demontimin e armëve dhe shitjen e tyre, një oficer i shërbimit sekret bën lojë të dyfishtë, dhe një gazetar mundohet të bëjë detyrën duke shpërthyer në faqen e parë skandalin e radhës, kemi dhe një ekzekutor me pagesë që është i gatshëm të ndërhyjë kudo për të mbyllur gojën e atij që tenton ta hapi. Nga ana tjetër, pa kërcënime dhe pa armë dhe, një punonjës banke që pas ordinatorit të tij, qarkullon në mënyrë të paligjshme miliona dollarë, duke qenë në këtë mënyrë po aq kriminel sa dhe ekzekutori me pagesë. Dhe në gjithë këtë ferr mardhëniesh ku sundon paraja e pistë, kemi dhe disa histori dashurish, flirte e tradhti imagjinare që e bëjnë romanin në vetvete më atraktiv e të lexueshëm.
Romani përfundon tragjikisht me hedhjen në erë të një ndërtese gjigante ku kriminelët që nuk pyesin për askënd, veç parave të tyre, kërkojnë të mbulojnë gjurmët e një tregtie të madhe armësh. Nga kjo situatë mbeten të vdekur dhe dy persona të tjerë në dy vende të ndryshme. Por për më shumë se kaq duhet lexuar “Rrënimi”.
“Personazhe të një shoqërie në tranzicion. Ngarendje drejt parasë, karrierës, ëndrrave e realitetit jo gjithnjë nga ç’ofron zhvillimi i hovshëm. Një gjuhë përmasash epike.” Kështu do ta përkufizojë romanin “Rrëfimi”, që në kopertinën e tij, Abdullah Zeneli, presidenti i  shtëpisë botuese prestigjioze “Buzuku” me zyrë në Prishtinë.
Ngjarjet në roman janë të mprehta. Ato janë vendosur gjerësisht në territorin shqiptar. Që në fillim autori paralajmëron me frazën e tij se: Çdo ngjashmëri me personazhe, vende dhe ngjarje reale është rastësi. Ndërkohë që të gjitha fenomenet e shkruara në faqet e këtij romani janë produkt i një shoqërie në tranzicion, tipike e shoqërisë shqiptare.
“Rrënimi” është një roman me një mori personazhesh, numri i të cilëve shkon në gati 80. Gjithashtu romani përmban 9 linja, të cilat duket se zhvillohen në mënyrë të pavarura nga njëra-tjetra, por që pak nga pak lidhen, për t’i çuar ngjarjet drejt një pike të vetme. 

Friday, July 13, 2018

Djema, shkoni e bëni ushtrinë…

nga Leonard Veizi

Në një emision fort me emër të ekraneve shqiptare, që nuk kam dëshirë ta evidentoj se merret me mend vet, ishte shtruar për zgjidhje një çështje problematike dhe e shumëpërfolur. Për më tepër pulti më mbeti në dorë pa lëvizur, kur dëgjova se me një çështje të tillë ishte marrë seriozisht edhe Hollivudi i largët, ku kishte angazhuar aktorë nga më të famshmit që silleshin vërdallë nga ato anë. Dhe po u fut në lojë Hollivudi e Mel Gibson, çështja e merr rrugën e zgjidhjes, të paktën.
Flitej për një temë madhore dhe jashtë mase të prekshme, e përfshirje të gjerë target-grupesh ku ideja kryesore mbartte këtë peshë: “Pse meshkujt nuk i kuptojnë femrat”.
Çfarë thua ore?! Hajde çështje e shtruar për zgjidhje, hajde. Me shumë të panjohura. Edhe Ajnshtaji do ngecte te rreshti i dytë ma merr mendja. Se edhe ai deri te Teoria e Relativitetit e pati vuxhutin.
U futa në të thella. Vërtet meshkujt nuk i kuptojnë femrat??? Të jemi kaq të trashë vallë. Jo se nuk është çudi.
Hall i madh.
Por nuk ishte e nevojshme të futesha unë në të thella. Më thellë akoma ishin futur të ftuarit në studio. Paneli, i papamë, me femra e meshkuj që kuptohej lehtësisht se ishin të arsimuar te filo-qyli. Se mos ma merrni për keq. Se kështu e njohim në zhargonin e përditshëm. Dhe për djall, ata që mbarojnë këtë fakultet, meshkujt sidomos (çfarë rëndësia ka specifikimi i degës: letërsi, psikologji apo punë sociale), i bën që të fillojnë të thellohen në mendime për t’i shkuar çështjes deri në fund me deduksione logjike. Domethënë mundohen shumë të shkretët të të mbushin mendjen me një tollovi fjalësh. Tir e tir fjalë e asgjëkund nuk merrja vesh se ku duhet të dilnin. Nga dera e pasme, a nga dritarja. Edhe Mel Gibson sikur nuk e kishte kaq të vështirë. Në fund të gjithë performancës së fjalëve kuptova thellësisht se kishin bërë as më pak as më shumë por… nga një vërë në ujë.
Epo ka të drejtë ai i Gjati kur thotë “kazan”. Tenxhere fare, nga ato të ushtrisë, ku bëhet gjellë pa yndyrë…
…Dale se m’u kujtua.
Këta kanë bërë shkollën e lartë o të keqen, por nuk kanë bërë ushtrinë. Se në diktaturë ata që bënin shkollën e lartë ditën ishin të privilegjuar boll, nuk i merrnin ushtar, e bënin vetëm 3 muaj zborr në Mamuras, nga ku dilnin komandantë toge, por që si zor ta kryenin detyrën për të hedhur në luftë 30 veta. Në demokraci, asnjë lloj robi nuk bën ushtrinë, përveç rrogëtarëve që nuk kanë asnjë zanat.
Bela e madhe për besë. Djemve që nuk bënin ushtrinë nuk u jepnin as nuse një herë e një kohë. Mendonin se ishin budallenj. Se vetëm të metët nuk i merrnin ushtarë, pasi u kishin bërë ekzaminimin te spitali 5 dhe u kishin dhënë nga një mandatë me vete që e paraqisnin në Degën Ushtarake. Ndërsa sot nuk i kupton dot, cilët janë budallenj e cilët jo të tillë. Të gjithë kanë një prerje: shejtan budallenj.
Duke dëgjuar me gojën hapur mendimet elokuentë të panelistëve që çfarë nuk sajonin rreth temës, nëse i kuptonin femrat apo jo, thashë me vete: S’keni faj djema që merreni me llogje kavaje, nuk e keni bërë ushtrinë. Madje nuk keni bërë as zborrin. Se në ushtri, thoshin dikur, rinia piqet. Ndërsa ju jeni bërë burra e keni mbetur hunj.
Djema, shkoni bëni ushtrinë. Mësoni si mbushet pushka. Bëni qitje natën. Bëni dhe 5-mijë metra vrap me kundragaz. Pa duhet të bëni dhe shërbim të pandëruar; dy orë roje dy orë gjumë. Se ushtria ka yçkëla shumë. Se duhet të hash atëhere kur nuk të hahet dhe flesh kur nuk të flihet. Të bësh tranazh për gjithçka ku spikat rregullimi i krevatit si kuti shkrepse. Dhe si t’i keni bërë të gjitha këto për dy vjet me radhë të jeni të bindur se do t’i kuptoni më thjeshtësisht se çfarë mendojnë femrat. Përse bëjnë naze për shampon, çfarë marke e duan parfumin dhe pse duan nga një qiri në një darkë romantike me një të rënë violine në sfond.
Se femrat nuk filozofojnë aq sa mendohet. Dhe ka burra që ua gjejnë telat aq shpejt sa s'ta merr mendja. Ndaj u them:

Monday, July 9, 2018

Libri i fundit i Kliton Nesturit, tetë tregime ose një leksion therës mbi jetën dhe vdekjen

 Nga Leonard Veizi

Çfarë është jeta? Po vdekja? Po ndeshja e përhershme e tyre çfarë përfaqëson në perceptimin e afërt apo dhe në projeksionin e largët e të pakapshëm? Mund të duhet të marrësh një leksion 90 minutësh në auditor për të ngopur kureshtinë tënde, ose të tërheqësh nga biblioteka një material letrar me detaje krejt jetësore. Kuptohet, nëse këtë material letrar e ke në bibliotekën tënde. Në të kundërt do të duhet t'i drejtohesh librarisë.
Dhe mundi nuk do të të shkojë kot.
Një titull i ri sapo është vendosur në raftin me etiketimin: “Letërsi shqipe”. Në kopertinë dominon e bardha, por në brendësi kemi një gri të thellë, ku hera-herës shpërthejnë dhe plot ngjyra të ngrohta.
Është një sfidë e madhe, ndonjëherë dhe krejt absurde, t’i kushtohesh letërsisë dhe rrëfimeve fiksionale, në të njëjtën kohë kur informacioni i shkurtuar e gjysmak, i shpejtë dhe i vrazhdë që merret nëpërmjet një celulari apo kompjuteri portativ, të zë pjesën më të çmuar të kohës. Ndërsa ai vjen sërish me një vëllim tjetër me tregime, duke konfirmuar edhe një herë se po lundron i sigurt në oqeanin e thellë të prozës.
“Në katin e tretë nuk troket askush”, është një libër me 8 tregime, shkruar nga Kliton Nesturi e botuar në vijimësi nga prestigjiozja “Omsca-1” . Në korpusin e tij letrar prej 8 titujsh, Nesturi ka të shkruara një vëllim poetik, një ese monografike, një dramë, një roman dhe katër vëllime, në përbërje të të cilave janë 36 fabula të ndryshme. Parë në këtë këndvështrim, krijimtaria e tij është fort e larmishme. Dhe siç ndodh në përgjithësi, që vëllimi pasardhës është më i mirë se ai paraardhës, mund të dalim në përfundimin e shpejtë se “Në katin e tretë nuk troket askush”, ka kapur kulmin e krijimtarisë letrare të deritanishme të autorit në fjalë.
Tregimi i parë i vëllimit: “E diel. Ora 5 pasdite” fillon me togfjalëshin ekstrem “Riku vdiq”. I largohemi disi vdekjes në dy tregimet pasardhëse “Pianoja” dhe “Manastiri”, për t’u rikthyer sërish tek një tjetër vdekje e trishtueshme. “Krisula” është tregimi i katërt i vëllimit, shkruar me një dashuri të veçantë, ku personazhi kryesor edhe pse mbulohet nga mirësia shkon drejt një fundi fatal. “Kjo është jeta”! Kjo është edhe sentenca me të cilën kemi rënë dakord, të pafuqishëm për të ndryshuar diçka nga një fat i parathënë apo i paracaktuar.
Në tregimin pasardhës “Në katin e tretë nuk troket askush”, edhe pse personazhi kryesor, Lorana, nuk arrin të vdesë deri në fjalinë e fundit të narracionit, sërish e paralajmëron vdekjen e saj të afërt. Ai pasohet nga “Njeriu me dy varre” një sagë sa letrare aq dhe historike, e cila një pjesë të mesazhit e jep nëpërmjet titullit. Vëllimi mbyllet me tregimet “Syujku” dhe “Tregim për Ana Belën”, ku edhe pse nuk zë vend vdekja si proces fizik, trishtimi dhe aludimet rreth saj janë po aq të pranishme sa dhe në tregimet paraardhëse.
Në tregimet e tij autori kërkon të përçojë me ngulm tek lexuesi, fuqinë e dashurisë. A e arrin ai një gjë të tillë? Mendoj se po. Dhe dashuria, si një proces më shumë platonik se sa fizik, është një çelës që ashtu siç hap dyer të panumërta, ngecet pa lëvizur në shumë të tjera. Sepse, sipas autorit dhe asaj çka ai lë të shkruar, gjithçka vjen nëpërmjet një dyzimi të madh e të pazakontë, që e mundon narratorin për të dalë nga rrethi vicioz, ku herë futet me dashjen e vetë dhe herë e fusin vetë personazhet e ndërtuara prej tij. Dhe këtu kemi të bëjmë me një kurth letrar, ku herë e ngre çarkun autori për të kapur personazhet, por ndodh dhe e kundërta, që personazhet bëhen aq të fuqishëm sa janë në gjendje të ngrenë një kurth për të kapur autorin dhe për ta drejtuar atë t'u japë një zgjidhje siç e kërkojnë ata. Por, duket se për autorin nuk ka rëndësi se si dashuria vjen në faqet e tregimeve të tij, butësisht dhe e pafajshme apo nëpërmjet një intrige që krijon dhe një pështjellim të vazhdueshëm ndjenjash gjatë komunikimit që vendos lexuesi me personazhet e veprës. Në logjikën e tij të ftohtë, por dhe në nënndërgjegje me siguri, autori kërkon të vendosë në mënyrë të vazhdueshme jo vetëm përballjen e jetës me vdekjen, por dhe përplasjen mes dy dashurive, asaj të ligjëruar dhe një tjetre informale që në gjuhën e përditshme e përdorim me termin: tradhti. Dhe kush triumfon në këtë ndeshje të përjetshme... 
Për më tepër se kaq, duhet të lexoni “Në katin e tretë nuk troket askush”. Janë vetëm 8 tregime, në 200 faqe, për të parë deri në fund magjinë e letërsisë së një shkrimtari shqiptar.


Botuar në:
http://www.mapo.al/libri-i-fundit-i-kliton-nesturit-tete-tregime-ose-nje-leksion-theres-mbi-jeten-dhe-vdekjen