Thursday, May 5, 2016

Turizmi mjeran në bregdetin shqiptar

nga Leonard Veizi

A sot që flitet me të madhe, por as për shumë vite të tjera, turizmi bregdetar shqiptar nuk do mund të renditet si elitar, por dhe për një turizëm të kënaqshëm do të dyshoja seriozisht. Ai ka gjasa të mbetet mjeran.
Fatin më të keq nga të gjithë e ka pjesa jugore e plazhit të Durrësit bashkë me Golemin. Sipas të dhënave operative, plazhi i Durrësit përshkohet nga një vijë bregdetare rreth 68 km, por i shfrytëzueshëm deri tani janë thuajse 33 km. Një segment i vijës bregdetare kalon nga stacioni “Teuta” në daljen jugore të Durrësit për të vazhduar me Plepat, Shkëmbin e Kavajës, Golemin, Malin e Robit, Spillenë e deri në Qerretin e Kavajës. Duke hequr dy stacionet e fundit mund të thuhet se tanimë e gjithë zona quhet e ndërtuar. Nuk ke ku të ngresh më as edhe një pallat më shumë dhe sikur ta vendosësh me dorë. Por nuk është vetëm kjo, vetë pronarët e ndërtimeve të sigurojnë se ritmi i blerjes së apartamenteve ka rënë ndjeshëm, në mos po ka ngecur fare. Pra ndërtime të reja nuk do të ketë më. Ndërkohë që dhe shumë të tjera që kanë qenë në ndërtim e sipër kanë mbetur si gërmadha. Nuk gjenerohen më para aq sa mund të përfundojnë punimet.
Në përgjithësi, e gjithë kjo vijë bredetare, por edhe më tej në Jug të vendit, Vlorë, Sarandë e Ksamil, nuk gjen resorte siç ofron një turizëm modern, i ndërtuar në Greqi, Kroaci, Turqi apo Malin e Zi. Në brendësinë e tyre, në masën më të madhe, hotelet shqiptare lënë shumë për të dëshiruar, krahasuar me ato të rajonit, qoftë nga shërbimi, por qoftë dhe nga komoditeti i brendshëm.
Por të vazhdojmë më tej.
Gati çdo vit që kam shkuar në plazhet e kësaj zone, jam përballur për së pari me ndryshimin e sistemit imunitar të fëmijëve, gjë që nuk ka ndodhur kur kam pasur mundësi që disa ditë pushimi t´i kaloj në një nga vendet e afërta kufitare. E njëjta gjë ndodhi edhe këtë vit. Farmacisti ku kërkuam të merrnim disa doza me “permaganat kaliumi” që përdoren për t’u mbrojtur nga infeksionet, na tha se në farmacinë e tij paraqiteshin të paktën 50 raste që kërkonin diçka të përafërt për të kuruar infeksionin e marrë më së shumti nga rëra, meqenëse sipas tij, “permaganati” ishte zhdukur nga qarkullimi e nuk kishte më furnizim. Një gjë e tillë padyshim përshtatet me shprehjen popullore: “vdis pa të ngjallesh”. Pak më tutje, mjeku i një klinike private të thotë gjithashtu se për shkak të ndotjes, kanaleve me ujëra të zeza dhe insekteve, shumë fëmijë paraqiteshin me temperaturë të lartë, të vjella e diare. Nuk marr përsipër se sa farmaci e klinika ka e gjithë vija bregdetare, sepse kjo statistikë mund të vlejë vetëm për teknokratët e Ministrisë së Shëndetësisë, por jam i sigurtë se për këto qendra ambulatore ka punë më shumë se sa tek baret e restorantet.
Në hotelin ku u strehova, që ditën e parë një bujtës doli me urgjencë për të çuar fëmijën në spitalin e Kavajës sepse i duhej të bënte një serum, e meqenëse ishte prej Kosove dhe nuk e njihte rrugën, kërkoi një udhërrëfyes. Pronari urdhëroi një nga kamarierët të hipte në makinë me të.  “Ndodh shpesh”, m’u drejtua pronari, duke ngritur supet me pafajësi.
Po çfarë vazhdojmë të trashëgojmë me fanatizëm?!
Në rërën e këtyre plazheve, në atë që është publike por dhe në atë që administrohtet nga privati, që në mëngjes do të gjesh me dhjetëra bishta cigaresh. Nuk është puna se administratorët nuk ia bëjnë yzmetin. Tjetërkund çalon këtë herë. Të gjithë ata që e pijnë duhanin, bishtat i hedhin në rërë. Fqinji im me të shoqen dhe fëmijët nuk e patën problem të merrnin një qese të madhe me fara dhe pas 30 minutash përtypjeje të pafjala të linin mbi rërë një grumbull mbeturinazh të zeza. Dhe kjo ka të bëjë me edukatën qytetare. Të gjithë fëmijët që hanë patatina, ambalazhin plastik të tyre e hedhin në det dhe po kështu ndodh me lëkurat e babaneve dhe koçanët e misrave. Përveç këtyre nuk i mungonin në detaj edhe pecetat higjinike të femrave. Mu në mes të detit, pamja të linte pa fjalë. Rrjedhimisht bregu i detit është i ndotur. Nuk po llogaris këtu derdhjet e kanaleve të ujrave të zeza, se kjo temë është bërë bozë tashmë. E vetmja kohë kur mund të lahesh në një ujë të pastër është ora 06-08 e mëngjesit, pasi natën është kryer vetëpastrimi.
Këtu, natyrisht nuk mund t’ua hedhim fajin pronarëve, që demek kërkojnë të fitojnë pa marrë parasysh asgjë. Kjo ka të bëjë me qytetarinë e çdonjërit prej nesh, që si individ apo grup shoqëror e kemi më të thjeshtë të shajmë të tjerët nga poshtë çadrës, në vend që të ndërmarrim veprime sensibilizuese.
Çfarë më bëri tjetër përshtypje këtë vit?!
Në plazhet shqiptare u ndesha me disa italianë. E kam fjalën për italianë puro, të pangatërruar në martesa me emigrantët tanë, që nuk di se si e kishin gjetur rrugën për në Golem dhe kishin zënë një hotel me dhoma që shihnin nga deti. Nuk më gënjeu shumë mendja e të besoja te deklatarat e qeveritarëve për dyndje të turitëve të huaj në rivierën e bekuar shqiptare! U desh fare pak për të kuptuar nga sjelljet alarmante e tyre, ku në ca drejtime na e merrnin në kthesë dhe ne shqiptarëve, se ata italianë të këputur e kishin më të thjeshtë të përballonin çmimet e Shqipërisë me gjithë llumin e saj, se sa ato që u ofron një plazh popullor si ai i Riminit, pa folur për plazhet e Linjanos apo dhe më tej. Gjithsesi ajo që të ofronte bregdeti këtë herë ishte që pranë italianëve laheshin në det dhe ca gra shqiptare të veshura kokë e këmbë. Por meqenëse kjo e fundit hyn te të drejtat e njeriut nuk po e ngasim më tej.
Të vijmë në një pikë tjetër.
Meqenëse, sipas meje, pallatet me apartamente banimi, hotelet e gjithçka tjetër në të gjithë këtë zonë e kanë përfunduar misionin në shumicën e rasteve pa koncept e pa arkitekt, ajo që mbetet për t’u bërë dhe që vazhdon të jetë në dorë të shtetit, është rregullimi i infrastrukturës. Që do të thotë, rregullimi  i të gjitha akseve të brendshme të plazheve, të cilat në të të shumtën e rasteve nuk e di pse notojnë në një ujë të pisët, apo qëndrojnë të lagura edhe pse gjithçka përreth është e tharë nën diellin përvëlues.
E ç’tu them më shumë për plazhin e sivjetëm.
Asgjë s’ka ndryshuar në mentalitet, sado që rrekemi të themi se “vitin tjetër do të bëhet më mirë”. Pronarët shqiptarë, të etur, që veç hoteleve të kenë të paktën dhe nga një pistë në det, kanë ndarë territorin me gurë masivë të hedhur në thellësi. Por meqenëse nuk u kanë dalë paratë, i kanë lënë ashtu, të papërfunduara, krejt pa estetikë, që nuk vlejnë as për ata që kanë dëshirë të bëjnë fotografi vend e pa vend. Edhe në këtë sezon turistik, shëtitja e mëngjesit ku merret dhe pak jod si ilaç, shoqërohet më së shumti bashkë me tymin e mbeturinave që digjen aty për aty meqenëse siç të thonë, makina e plehrave nuk e merr mundimin të shkojë e t’i mbledhë. Dreka shtyhet disi, një herë në restorant, e një herë “bukë me vete”. Por mbrëmja për hir të së vërtetës bëhet diçka më argëtuese. Shpërthen muzika e “Dj”-ve dhe këngëtarë “live” ku herë pas here të bie rasti që në një atmosferë “relax-i” të dëgjosh dhe këngët patriotike të tipit “Xhamadani vija-vija”. Kjo e fundit nuk është se ka vlerën për të treguar vllazërimin mes shqiptarëve, por se orkestrat e kapin rëndom këtë marsh me shpresën se ndonjë kosovar që ka luftuar me UÇK-në do të zbërthejë kuletën e do t’u hedhë ndonjë euro orkestrantëve dhe solistëve që këndojnë me zë të përmalluar.
Dhe së fundi qershia mbi tortë.
Çfarë ka bërë qeveria kohët e fundit? Ajo që më ra në sy është se në bregun e detit nuk kalonin më furgonët e akulloreve dhe fshatarët me gomerë që shisnin frutat e stinës. Megjithatë nga ky spastrim kishin mbetur vetëm pjekësit e misrave që i gjeje pa vështirësi çdo 200 metra larg njëri-tjetrit dhe shitësit e bananeve. Dhe në gjithë këtë zallamahi plazhi të binin në sy policët me uniformë verore e biçikleta “mountainbike” që ruanin rendin si dhe ndonjë kullë vrojtimi me gjithë “baywatch”-ët brenda tyre.


Postuar në ResPublica 26 Korrik, 2015



Wednesday, May 4, 2016

Çfarë kërkon Shqiptari i Ri?


Leonard Veizi
 
Shqiptari i Ri nuk është si ai i vjetri. Është mendjehapur. Është më bashkëkohor dhe më qytetar padyshim. Kërkon më shumë nga vetja dhe nga të tjerët. Por më shumë fare kërkon nga Zoti. Problemi është se Shqiptari i Ri duket ca i çorganizuar në kërkesa. Nga shqiptari i vjetër, si një atavizëm i pashmangshëm ka huazuar ndonjë gjë, që e nxjerr padashje nga nënvetëdija, si p.sh. parrullën “urdhri i dytë anulon të parin”, e ka modifikuar në “kërkesa e parë rrëzohet nga e dyta”. Ndoshta kjo është dhe arsyeja që në vendin tonë sërish asgjë nuk ecën aq mirë sa mund të thuhet se tani jemi në rrugë të mbarë.
Është e frikshme të lexosh komentet pafund të anonimëve në faqet online të gazetave, por dhe në rrjetet sociale. Për shkak të pikëpamjeve të mia, - që personalisht i cilësoj si liberale edhe pse mund të mos jenë të tilla, - kam qenë gjithmonë i mendimit se njerëzve u duhet lëshuar kapistalli për të folur e për të thënë mendimin e tyre. Në të kundërt mendimet e këqija akumulohen e bëhen si një fuçi me tritol C4 që kur i vjen çasti për të shpërthyer shkakton pasoja më të mëdha dhe se një bateri topash obuz. I këtij mendimi jam akoma, nuk kam ndryshuar. Vetëm se nuk arrij të kuptoj në asnjë rast se çfarë kërkon në të vërtetë Shqiptari i Ri. Se, që është në kërkim të diçkaje kjo duket sheshit, dhe mirë bën. Por që është thjesht në kërkim të një “jete më të mirë”, për këtë zor se më mbushet mendja. Dhe jo vetëm mua. Vetë kaosi i asaj që kërkohet, të bën të dalësh në një përfundim të tillë. Shqiptari i Ri kur është pa punë është në hall vërtet, por më në hall është kur e gjen një punë. Është i pakënaqur që ditën e parë dhe do shajë e do ankohet tërë ditën për shefin, që demek e ngarkon me gjëra që nuk i takojnë dhe për kolegun që si pelivan i shpëton detyrimeve, ndërsa ai vazhdimisht e “ha” duke bërë dhe punën e të tjerëve. Po mor po. A ka shqiptar, i ri a i vjetër qoftë, që e beson këtë. Asnjëri prej nesh nuk bën punën që na takon e jo më të bëjmë dhe punën e të tjerëve. Këtu jemi ustallarë të vërtetë, nuk na e merr njeri. Mirëpo kjo është panorama më e zakonshme e mundshme që na shfaqet në çdo tavolinë ku pihet kafe e bëhen thashetheme pune.
Dhe kështu helmi i mbledhur përgjatë ditës nuk ka kohë më të akumulohet, ai thjesht çlirohet çdo pasdite kur Shqiptari i Ri sapo futet në shtëpi, pa ngrënë drekë, pa u çlodhur e pa pyetur fëmijët se si kanë shkuar me mësime, ndez kompjuterin për të hedhur një status “të fortë” apo për të gjetur ndonjë lajm ku mund të shfryjë mllefet. Fillimisht shahet qeveria, se ajo mban më shumë, po dhe opozita që shan qeverinë. Se kjo është ca e vështirë për t’u kuptuar, por s’prish punë. “Kështu e do ky popull”, thotë në fund Shqiptari i Ri dhe ngrihet nga kompjuteri që të njihet me të rejat e ditës edhe nga televizori. Në fakt, kjo është shprehja më e zakonshme që dëgjohet kudo. Ai vetë është pjesë e këtij populli, se s’ma do mendja që ka “kapërcyer ylberin” e është bërë tjetër.
Po pse na e dashka kështu ky popull? Pse kjo marrëzi për të hedhur më të keqen te ai popull pjesë përbërëse e së cilës je vetë. Kur shtrëngohet rripi: “Kështu e do ky popull”. Kur lirohet: “Kështu e do ky popull, se nuk dëgjoi atë të parin”. Kur kombëtarja rrihet në fushën e saj, Shqiptari i Ri në emër të patriotizmit e shan ekipin e tij se nuk ishte në gjendje të na fuste në “Evropian”. Por kur Kombëtarja e kaloi pragun, tendenca bëhet më negative: “E për çfarë na duhet evropiani, ne s’kemi bukë të hamë”.
U përmbyt gjysma e Shqipërisë. Hall i madh vërtet. Të shohësh fakirët, të gjithë qahen te opozita se qeveria nuk po i ndihmon. Para ca vitesh gjysma tjetër e Shqipërisë u përmbyt, mbahet mend. Se në çdo kohë Shqipëria është përmbytur, edhe në kohën e Enver Hoxhës nuk ka shpëtuar nga qameti. E çfarë ndodhi...? E njëjta gjë, Shqiptari i Ri qahej te opozita, - e cila që tani është në pushtet, - se nuk po i ndihmonte qeveria.
Shqiptari i Ri ankohet se populli nuk ka grintën për t’u ngritur në revoltë e për të kërkuar të drejtat e tij. Por kur e fton të demostrojë përballë kryeministrisë bën sikur nuk të dëgjon dhe mbush makinën me karburantin e shtrenjtë që të shkojë për pak relaks andej nga bregdeti.
Shqiptari i Ri ka një problem të madh me shtetin. Kur ai është i dobët dhe ia lëshon frerët ankohet se “ky nuk është shtet”. E kur forcohet dhe i kërkon detyrimet, thotë se shteti po i merr shpirtin e po shkohet drejt diktaturës.
Si i bëhet hallit???
Se ajo që kuptoj më së shumti është fare e thjeshtë: Shqiptari i Ri është në një kundërshtim të  vazhdueshëm me vetveten.
Herë-herë i fus një mendje të lehtë. Kam përshtypjen se ky është një teatër i madh, grotesk e tragjik bashkë. Herë-herë acarohem sa s’bën kur lexoj nga njerëz anonim, që fshihen pas kompjuterit me pseudonime qesharake, të nxjerrin gjithë vrerin çdo ditë, për gjithçka ndodh në Shqipëri. Natyrisht, - “po të mos kesh punë do tundësh derën”,  - thotë populli. Dhe këtu, derën e tundin ca si shumë, pa punë a të punësuar në zyra komode e me rroga të mira, me 7-vjeçare apo me dy diploma universiteti, njerëz me dy pare mend në kokë dhe debila nga natyra bashkë me ta. 
 
Postuar në ResPublica 13 Tetor, 2015

Libri elektronik... sfida që na mundon

nga Leonard Veizi

Tanimë jam i gatshëm të vë bast me të gjithë skeptikët e mundshëm, se të paktën dy dekada më pas, libri si produkt fizik do të jetë krejt jashtë mode. 20 vjeçarëve të vitit 2030 Biblioteka Kombëtare ka gjasa t’u duket po aq antike sa për brezin tonë biblioteka e Aleksandrisë. Nuk e teproj kur shprehem kështu... Është libri elektronik ai që po futet me shpejtësi si produkt në të gjitha familjet tona, apo atje ku shihet e nevojshme si literaturë, për t’i bërë të rinjtë e sotëm të konsumojnë me pak letrën e printuar. Në Evropë raportet mes librit në letër dhe atij elektronik ka filluar të ndryshojë. Më i ndjeshëm ky raport është në Amerikë. Nëse në udhëtime me tren a tram, vite më parë shihje njerëz që lexonin libra, ditët e sotme 8 në 10 udhëtarë që vazhdojnë të praktikojnë këtë ritual leximi përdorin “iPad” apo “iPhone” duke lundruar në internet apo duke ndërruar faqet e librave të shkarkuar në versionin “Adobe Reader”. Duket se një gjë e tillë u leverdis jo vetëm konsumatorëve ku në harddisck mbajnë 200-300 libra të ndryshëm të blerë me një çmim më të lirë, por dhe vetë shkrimtarëve e botuesve, të cilët shesin dhe arkëtojnë brenda ditës, pa qenë e nevojshme të merren  me prodhimin dhe shpërndarjen fizike të një libri, kostoja e të cilit padyshim rritet edhe më. Pesë vite më parë teksa isha i ftuar në një debat të gjerë ku flitej për raportet e së ardhmes mes dy librave, atij fizik dhe atij elektronik, isha krejt radikal me performancën time teksa mbroja librin në letër. E në këtë e sipër, një miku im, shkrimtar i njohur e me përvojë por 25 vjet më i madh se unë në moshë, duke u treguar të pranishmëve një USB të thjeshtë, tha: “Do të dëshiroja që bibliotekën time ta kisha këtu dhe jo më në faqen e murit”. Në këtë mënyrë ky shkrimtar, jo më i ri në moshë, u bë palë kështu me brezin e ri, ithtarë të zhvillimit teknologjik edhe në këtë drejtim. Që nga ky çast u desh të bëj një pakt me veten. Në fund të fundit askush nuk mund ta ndalojë zhvillimin, sidomos atë elektronik e informatikë, dhe në kushtet e reja ajo që vlen më shumë është përshtatja. Pesë vite më pas,  jam diçka më afër këtij mentaliteti të ri dhe hapin e parë e hodha para pak kohësh. Fillimisht vendosa të mos e shtoj segmentin e ri të bibliotekës në sallonin e apartamentit tim, madje të bëja dhe më të keqen që s’kisha guxuar as ta mendoja vite më parë. Bëra një spastrim të vogël duke hedhur në koshin e mbeturinave revista e periodikë të cilat m’u duk se më zinin vendin kot. Padyshim, në Google gjen informacion më të shpejtë dhe më të freskët se sa ai që konservoja prej vitesh në bibliotekë. Tanimë kam vendosur të bëj çmendurinë e dytë, dua të spastroj nga biblioteka të gjithë librat artistikë skematikë, duke i lehtësuar edhe më shumë raftet prej druri. Është ende herët për ta vënë në veprim këtë ndërmarrje të dytë, sepse gjithsesi unë jam edukuar fort me idenë që libri sido që të jetë, e ka një vlerë…

Botuar në “Shekulli” - 10 Gusht 2012



Destinacionet e transformuara të Tiranës

nga Leonard Veizi


Kur u dha lajmi se Ministria e Kulturës u bë me zyra të reja, u gëzova pa masë, përveç faktit që nga qendra, institucioni në fjalë u zhvendos në periferi, apo thënë ndryshe, nga një godinë e arkitekturës italiane shkoi pranë një ndërtese të stilit sovjetik. Çuditërisht një gjë e tillë ndodhi dhe pak më poshtë, me Ministrinë e Mbrojtjes, e cila gjithashtu u vendos me zyra në territorin e ish-Akademisë Ushtarake. Ndërkohë, Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore ishte kthyer në selinë e Partisë Demokratike.
Ky mund të jetë një trend. Asgjë të keqe nuk ka.
Duke menduar këto, dhe ca të tjera, bëra një bilanc të vogël me vete dhe më rezultoi se në 25 vitet e fundit Ministria e Kulturës e kishte ndërruar katër herë vendndodhjen e saj; nga Rruga e Durrësit ku ishte bashkë me Ministrinë e Arsimit, në një fragment të katit të fundit të ish-Komitetit Qendror, te godina e ish-Lidhjes së Shkrimtarëve për të shkuar së fundi në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”. Bo, bo, sa shumë “ish”-e.
Parë në këtë mënyrë, duket se Tirana vazhdimisht përjeton një sindromë të çuditshme, atë të ndryshimit të emërtimeve, të vendeve, por sidomos të destinacionit të godinave, që në njëfarë mënyre kanë qenë pika referimi pikante e që përbënin njëkohësisht edhe një formë adresari për “tironsit e vjetër” dhe jabanxhinjtë.
E të themi se tanimë kemi një kaos të rregulluar në kryeqytet. Mund të mos jetë ndonjë vlerësim për t’u marrë në konsideratë, por gjithsesi të bëjmë një panoramikë gjysmake të asaj çka ka ndodhur në vite.
Kjo ide, për herë të parë më lindi prej çastit kur një koleg i ardhur vonë në Tiranë më dha mua të lindurit në Tiranë, një koordinatë krejt të pazakontë për kujtesën time, emrin modern të një lokali demode të cilin nuk e dija nga binte. E për ta vënë me “shpatulla për muri” i thashë se do t’i jepja një darkë shembullore nëse më çonte te restorant “Donika”. Ky restorant nuk ekziston prej më shumë se 30 vitesh. As restorant “Durrësi” që më erdhi në mend në ato çaste. Madje as Hotel “Vjosa” me tavernën e famshme që deheshe nga avujt e alkoolit sapo futeshe brenda. Shpëtova nga basti. Bëmë dhe pak humor inatçor me njëri-tjetrin dhe e lamë me kaq.
E bëra këtë parantezë të shkurtër për nostalgjikët, e për të treguar se Tirana nuk është më ajo që ka qenë, jo nga ndërtimet e vrullshme, por dhe nga tjetërsimi i emërtimeve, të cilat kanë rënë njëra pas tjetrës.
Unë jam rritur pranë vendit që për t’i orientuar u thosha atyre që më pyesnin se banoja prapa “Hotel Pezës”, apo pranë Kinema “17 Nëntori”. Tanimë kinemaja nuk ekziston. Hotel “Peza” është kthyer në qendër biznesi. Natyrisht nuk po marr përsipër të shtyhem tutje në kohë sepse nuk do të më duhej një studim i tërë. “Varri i Bamit” apo “Zogu i Zi”, gjithësi i kanë mbijetuar rrymave që kanë sjellë vazhdimisht ndryshim. Por të vazhdojmë me këto që na bien ndërmend shpejt e shpejt. Për më tej, çdo ditë më duhej të merrja rrugën për në shkollë nga bulevardi “Stalin” e të kaloja para hotel “Tiranës”. Mirëpo hotel “Tirana” një ditë u kthye në Hotel “Arbëria” pasi emri iu dha ngrehinës më të lartë që u ndërtua në kryeqytetin të viteve ‘80, pesëmbëdhjetëkatëshit. Pavarësisht se më pas edhe bulevardi “Stalin” u kthye në “Zogu i Parë”, pasi segmenti që mbante këtë emër dikur ishte zëvendësuar me “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë edhe hotel “Arbëria”, pikë referimi sidomos për të zbriturit nga stacioni i trenit, ndërroi destinacion për t’u kthyer në Ministri të Drejtësisë.  Por për ironi të fatit dhe stacioni i trenit e ka humbur territorin për t’u kthyer në “ish”.
Ndërtesa hijerëndë e ish-Komitetit Qendror e projektuar nga italianët si Pallati i Rinisë Fashiste, por e përfunduar nga rusët u kthye në Kryesi të Kuvendit dhe ca “satelitë” të tjerë që gjetën mjedise po aty, si Gjykata Kushtetuese e KLSH. Pallati i Fashos, të cilën dhe pushtimi gjerman e ktheu në komandaturën naziste, pas çlirimit më së shumti u njoh si korpusi qendror i Universitetit e tanimë thjesht si Universiteti Politeknik.
Një pikë tjetër referimi e Tiranës ishte dhe hotel “Arbana” që një ditë u kthye në zyra për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Hotel “Dajti” tani për tani është një gërmadhë pa emër. Hotel-restorant “Vollga”, për shumë vite u njoh dhe me emrin “Drini”, ndërsa tanimë është një godinë pa identitet. Në të gjithë rrugën e Durrësit pika më e njohur e referimit ishte “Ambasada Jugosllave”, godina e së cilës gjithashtu nuk ka të njëjtin funksion. Por metamorfozë të çuditshme pati dhe ish-Shtëpia e Ushtarakëve që më pas u kthye në Lindjen e Shkrimtarëve e në Ministri Kulture. Tanimë godina e ndërtuar nga italianët pret të marrë një emërtim të ri.
Dhe po e lë me kaq, pasi kështu mund të vazhdojmë pa mbarim. Veç sot në Tiranë më i sigurt je të marrësh një hartë, sepse po të referosh si pikëtakimi uzinën “Enver”, aty do të gjesh zyrat e Bashkisë.


Botuar në ResPublica 05 Janar, 2015




Intimitet i vëzhguar


Leonard Veizi

Jemi të monitoruar ngado, aq sa dhe gjumin e kemi të vështirë ta bëjmë të qetë e krejt me vete. Në vitet ’60, revolucioni kulturor i Kinës komuniste gjatë tentativës për të krijuar njeriun e ri, kërkoi ta zhvishte atë nga intimiteti. Me këtë rast, mes të tjerash u orjentua heqja e perdeve nga dritaret, mbajtja e dyerve pa çelës, e një seri gjërash të tilla krejt absurde. Njeriu i ri duhej të ishte transparent. Nuk kishte çfarë t’i fshihte vetes, as të tjerëve dhe as Partisë sigurisht. Ai ishte thjesht një punëtor i dalë nga revolucioni, larg rehatisë mikroborgjeze.
Kanë kaluar 50 vjet prej asaj kohe, e cila la jo pak gjurmë dhe në ndërgjegjen e shqiptarëve.
Tanimë besoj se duhet ta quajmë veten me fat që kemi arritur të kapim epokën e kibernetikës dhe t’i marrim të mirat që na lehtësojnë pafund. Më pak mundësi duhet të ketë pasur dy apo tre shekuj më parë. Ose të paktën kështu na pëlqen të besojmë. Atëherë gjuetia mbi kalë, me shigjeta e kama thuhej se ishte gjëja më e çmuar. Për plazh e banja dielli me bikini apo krejt nudo as që bëhej fjalë.
Tanimë bota vërtitet rreth një qarku të integruar. Vajzat toples nuk kanë më arsye të penalizohen. Më i shpejtë është bërë komunikimi dhe më e lehtë është të gjesh këdo që kërkon të turmën marramendëse të anonimëve. Çdo kush e ka një smartfon e gjithkush klikon në internet. Kaq duhet për të lënë gjurmë. Nuk ka nevojë më për sinjale me ura zjarri dhe alfabeti mors ka dalë nga loja prej kohësh. Sot, një celular i sistemit android të mjafton për gjithçka. Me një lap-top apo tablet gjithashtu je në treg. Deri këtu gjithçka është përfekt.
Por, e gjitha kjo a mos duket pak si e rrezikshme për natyrën diskrete të vetë njeriut?
Pyetja është me vend. Sidomos nëse je njeri urban, apo si të thuash, social, dhe puna të lidh në zyrën më ajër të kondicionuar e një kompjuter para hundës. Falë teknologjisë sot shumë institucione, qendrore qoftë periferike, nuk ka dallime më, janë të pajisura me kamera dixhitale. Këmbë hajduti nuk shkel në to. Kush guxon, fytyra i mbetet në harddisk, e ekspertët e policisë e identifikojnë tak-fak. Të vënë dhe celularin në përgjim. Nga hajdutët nuk ka pse të kemi frikë më. Edhe mesazhe anonime kërcënuese duhet të jesh goxha trim apo idiot krejt e t’ia dërgosh dikujt. Duhet veç një denoncim dhe sektori i Hetimit të Krimit Kibernetik të gjen sa hap e mbyll sytë.
Por gjithsesi, çdo e mirë e ka një bisht nga pas. Populli nuk i nxjerr kot fjalët e urta. Vitet e fundit më ka ndodhur që, sa herë kam ndërruar zyrë të ngre sytë nga tavani e të kuptoj se nga e ka syrin “big brotheri”. A thua po më kthehet në sindrom... Jo, jo, se besoj. Është thjesht një masë që marr ndaj vetes.
Në një prej zyrave ku punoja ca kohë më parë isha ndeshur fillimisht me një kamera të maskuar. Vendi ishte fort publik, 30 vetë punonim në të njëjtën sallë. Nuk flitej për intimitet. Por s'di pse ajo mini-kamera ma prishte gjithmonë idilin tim të meditimit abstrakt. Sepse kuptoja që gjithmonë ishte dikush që më mbante nën vrojtim për sa kohë isha aty. Jo vetëm mua, sigurisht. E ndërsa këtë shqetësim timin ia shpreha një kolegu, u habita edhe më kur ai ma ktheu: Po të tregohesh më i vëmendshëm do zbulosh edhe sy të tjerë. E mbajta vath në vesh atë çfarë më tha kolegu. Në kontaktin e radhës me zyrën-stallë hodha sytë ngado. Numërova dhe pesë kamera të tjera. 6 gjithsej. Goxha investim për t’i mbajtur njerëzit “nën monitorim”. Dhe qesha me vete. Hidhur. Gjëja e parë që më ra ndër mend atë çast ishte filmi hollivudian “Silver” i vitit 1993, me Sharon Stone e Uilliam Balduin, që bëri namin në shikues e prerje biletash. Kur ai u bë publik, të gjithë që e shihnim, e komentonim si një ngjarje të sajuar e ndoshta pa shumë perspektivë, përderisa në qendër të skenarit ishte pronari i një ndërtese që kishte montuar kamera të fshehta ngado dhe përgjonte të gjithë banorët e pallatit, në dhomat e gjumit e duke u larë në vaska. Nëse 23 vjet më parë, kohë kur u realizua ky film, kjo gjë shihej me mosbesim, sot është një trendi, pra është në modë. Nuk ka më tabu. Je i vrojtuar ngado. Kolegë gazetarë më kanë thënë se në disa “institucione” janë montuar kamera sigurie edhe në tualete. “E ç’duan të shohin”, e pyeta gjithë ironi kolegun që më dha lajmin i pari. Ai ngriti supet. “Ndoshta punonjësit që tentojnë të bëjnë seks në banja”, - më tha.
Edhe mund të kisha qeshur me këtë batutë. Por jo... 
Jemi të monitoruar në çdo çast. Intimiteti humbet çdo ditë. Nëse Kina komuniste do ta kishte vonuar ca revolucionin kulturor, nuk do të kishte arsye t’i detyronte nënshtetasit e saj të ishin transparent përmes dritareve pa perde. Sot vish çfarë të duash për të mbuluar lakuriqësinë tënde. Në fakt je krejt nudo në databazen ku intimiteti yt është në dorën e dikujt tjetri.

Saturday, April 30, 2016

I mbarë, viti i trishtë i shqiptarëve


Leonard Veizi

Viti i Ri nuk është se filloi aq i mbarë për shqiptarët. Dhe kjo nuk është hera e parë. Trokitjes së gotave në kapërcyellin e viteve iu përgjigjën lajmet e zeza sitë një buletini lufte. Gjithsesi: “fillimi i mbarë, gjysma e punës” nuk është një shprehje domosdoshmërisht me besueshmëri të lartë.
Orët e para të 1 janarit, dhe më pas ditët e para të krejt vitit, u shoqëruan me tension. Shpërthimet e fishekzjarreve u përzjenë me krismat e plumbave. Bilanci, bazuar në titrat e lajmeve të ekraneve informative, kishte të bënte jo vetëm me aksidente, por dhe vrasje me armë e grabitje. Për shumë familje në nevojë, ardhja e Vitit të Ri nuk ishte një ogur i bardhë. Ftohtë, shi, përmbytje, borë, ngrica, aksidente, atentate, të vrarë, varfëri, mjerim, papunësi. Kështu u përcoll në edicionet informative fillimviti.
E nëse këtu mbaron seriali gri me lajmet nga vendi, nisin axhanset nga bota. Viti i Ri u festua në Evropë, pornën masa të forta sigurie. Pasiguri ndaj akteve të mundshme terroriste. Qytete të mëdha e plot jetë, për së largu ngjanin më shumë si garnizone të rrethuar me “tela me gjemba” ku ndoshta mungonin vetëm tabelat e verdha: “Ndal. Zonë ushtarake”.
Shërbimet sekrete japin vazhdimisht sinjale për njerëz të çmendur që mund të shpërthejnë eksploziv në sheshe me përqendrim të madh njerëzish, metro apo supermarkata. Shqipëria gjithashtu nuk është e imunizuar nga ky kërcënim masiv.
Viti që lamë pas e shmangu katastrofën e një Lufte të Tretë Botërore. Viti që sa u fut… mund ta ketë në axhendë për shqyrtim. Duhet vetëm një shkak i vogël, sa rrëzimi i një avioni luftarak dhe, sherri nis. Paqja është aq shumë e brishtë.
E pra situata nuk është aq rozë sa mund tëtransmetojë atmosfera e një fillimviti që nis me ditë pushimi e relaksi, për të tretur yndyrnat, sheqerin dhe alkolin e konsumuar pa mëshirë.
Ama festë.
Megjithatë, varet si e sheh gjysmën e gotës.  Herë bosh, herë plot. Nuk ka vend për pesimizëm.
Ne priremi ta nisim me buzëqeshje çdo Vit të Ri, me pritshmëri që i kemi paracaktuar vetes prej kohësh. Kërkojmë një motiv të ri, një arsye më shumë për të çuar jetën përpara, t’ia ngrejmë vlerat asaj, edhe nëse rastësitë e këqija na e presin udhën. Një shfaqe teatri a kinemaje, një lexim libri apo një ekspozitë pikture, janë një arsye më shumë për ta parë jetën në një kënd tjetër. Dhe jo vetëm kaq.
Ndaj nuk do të thotë gjë që, meqenëse një fillim viti që nis me ngjarje të zeza të jetë i tillë deri në fund. Viti 2016 mund të jetë një vit i mirë për shqiptarët. Por gjithsesi, që të vërtetohet kjo duhet pritur deri në 31 dhjetor.

Postuar më: 06 Janar 2016 16:50



Ditët e urisë dhe një pjatë në vit


nga Leonard Veizi

Një spektakël i zi qarkullon këto ditët e fundit të vitit, ashtu si në çdo fundvit tjetër. Është e njëjta situatë, aktorët ndryshojnë. Përvit ky teatër absurd përbën “lajm”. Dhe lajmi është mbreti, një “as-maç”. Ai duhet të shkojë në çdo shtëpi dhe të bëhet i njohur.
Papritur duket sikur janë kthyer në ditët e urisë. Kudo shfaqen pjata me ushqim. Presidenti shtron tavolina për klerikët, Kryeministri mbledh për darkë gazetarët, Kryetari i bashkisë “ulet këmbëkryq” me të moshuarit. Të gjithë me nga një pjatë përpara. Ditët festive duken si ditë zije. Kombi ka nevojë për ushqim. Krizë. Janë sulur të hanë. Duket se i përshtaten një slogani të vjetër e patetik: “Ta mbyllim vitin të ngrënë se si dihet çfarë na pret vitin tjetër”.
Vërtet jemi në ditë kaq të këqija, apo është vetëm një mirazh që të pushton kokën në këto ditë me diell e pa rreshje…?
Padyshim, të moshuarit, jetimët dhe jo vetëm këta, janë shtresa në nevojë. Por nuk duan vetëm një pjatë të thyejnë urinë me rastin e festave. Kur duhen 3 pjata të tilla në ditë, ose përndryshe 1095 pjata në vit. Në të vërtetë, ata duan pak më shumë se kaq, të jetojnë më me dinjitet.
Por nuk ka para mjaftueshëm, as për shpërblimin qesharak të pensionistëve që vihen në rradhë si dikur për tallonin. Duket sikur kemi të njëjtën situatë, dikur dhe sot. Asgjë nuk ndryshon. Veç thellohet ndarja e klasave.
Të pasurit bëhen më të pasur, të varfrit edhe më të varfër. Shtohen përditë njerëzit që presin pjatën festive dhe në këmbin të një pjate u kërkohet një votë.
Interes i ndërsjelltë. Kompromis me stomakun.
Por tanimë edhe të varfrit kanë ca më shumë informacion. Dinë dhe ca gjëra që do të do të ishte e mira të mos i dinin fare. Dhe jo vetëm për këtë arsye spektakli qeveritar nuk merr asnjë vlerë.
Uria shtohet.
Nuk e di kush mund të gënjehet sot me një pjatë në vit?!



“Ditë kafenesh”



Leonard Veizi

2015-ta ishte një vit i mbarë për shqiptarët e administratës. Tym fare. Dhe kjo mbarësi filloi që prej datës 1 janar që në kalendar shënohet me ngjyrë të kuqe. Pra pushim. Është njëlloj si të futesh me këmbën e djathtë në shtëpinë e re që të të eci mbarë. Lere pastaj kur dita e parë e pushimit shoqërohet edhe me ditën pasadhëse.
Se pas kësaj vijnë beneficet e tjera pa kursim: 14 ditë festash pushim, nja 20 ditë pune që merren si “leje e zakonshme” dhe 104 ditë fundjava. Këtu po kursej të numëroj dhe ca bishta, si në rastin e dëmshpërblimit shtetëror që sakrifikon ditën e hënë nëse një festë qëllon të bjerë në ditën e pushimit zyrtar, por edhe festat e 7-8 marsit që  bëhen “de facto” pushim edhe pse nuk janë shënuar me të kuqe në kalendarin zyrtar.
Pra me një llogari të thjeshtë ndër 365 ditët kalendarike të vitit, nja 145 prej tyre kalohen në relaks të plotë, apo duke shëtitur kafe më kafe, për t’u çlodhur e marrë veten.
Nejse, kur t’i jep qeveria ditët e pushimin s’ke pse të mos ia marrësh më gjumë. Veç ne je idiot e të bësh të kundërtën. Apo më keq akoma, si dikur, të ngrihesh në mbledhjen e kolektivit për të rritur normat. Deri këtu nuk mund t’i hash haku njeriu se “të vret Zoti”. Por nëse guxon të thuash me zë të lartë se kjo është disi e tepruar, pasi ka dhe sektorë të tjerë të jetës publike në vend që nuk e kanë një privilegj të tillë, të kthehen plot mllef për të shpjeguar me detaje se, vite më parë, kaq shumë janë lodhur e kanë djersitur duke punuar për të ndërtuar socializmin në vend, me të “diela vullnetare” e “ditët e Enverit”, dhe nuk doli kërkund ndonjë gjë e hajrit, sa tani e kanë hak që më shumë se një të tretën e vitit ta bëjnë pushim e të mos u lëvizë qerpiku.
Për këtë arsye, dhe jo për punë lekësh e rrogash, se administrata nuk dallohet për norma të larta pagash, shumë nënshtetas të kësaj Republike bëjnë çmos të marrin një pozicion në administratën publike. Përpos kësaj ideja se në zyrat e shtetit mund të punosh sa ta shohësh të arsyeshme e mund të qëndrosh në kafe sa të të dojë qefi është kthyer në një “legjendë urbane” dhe shihet me zili nga pjesa tjetër. Ndërkohë, në raportin “ditë pushimesh – orë pune”, administrata shqiptare ia kalon edhe disa vendeve të zhvilluara perëndimore edhe pse në statistika për nga ecuria ekonomike është e fundit në listë.
Viti 2016 ka po të njëjtin trend, dhe nuk ndryshon aspak nga të mëparshmit, me përjashtim të faktit që këtë herë do të sakrifikohen katër të hëna, meneqëse ca nga festat e zyrtarizuara bien në fundjaven e pushimin. Lum si punonjësit e administratës, se me sektorët e tjerë të punës në vend as që mendohet se mund të ndodhi kështu.
Shkurt ajo që pëlqejnë shqiptarët sot dhe jo vetëm, është: sa më pak kohëqëndrimi në punë dhe ca më shumë se kaq në kafe. Ndaj rradha për të hyrë në një punë shtetërore do jë jetë gjithmonë e gjatë, ndërsa makinacioni për t’u përshtatur si militant i një force politike do të sofistikohet edhe më shumë.

Postuar në Mapo 05 Dhjetor 2015



Pronari im…


nga Leonard Veizi

Ndonjëherë habitem me veten, me vetëdijen a nënvetëdijen, s’di ta them. Jetojmë në vitin 2015 apo 1000 vjet prapa!? Nuk ka të bëjë me kthim a fluturim në kohë. Se nuk është e nevojshme të sforcohesh për të bërë një udhëtim aq të gjatë dhe që s’ia vlen as bara qiranë. Ka të tjerë që ta sjellin te hunda sa të hapësh e të mbyllësh sytë. Janë njerëz që i takojmë çdo ditë, në bilardo, qebaptore apo te “15 katëshi”. Pra jemi ne me njëri-tjetrin, që ndonjëherë na mbulon idiotizmi i theksuar e ndonjëherë servilizmi i tepruar.
Nuk ka gjë më qesharake kur gjatë një bashkëbisedimi hyn si pykë shprehja “pronari im”, apo më keq akoma “pronari yt”. Mirë me veten, po me mua pse…? Jemi në mijëvjeçarin e tretë që nga koha kur përfundoi numërimi mbrapsht. Dhe prej kohësh as “pronari im” nuk ka ndonjë të drejtë mbi mua, ashtu si dhe unë s’di që të kem ndonjë të drejtë mbi “pronarin tim”. Por kjo nuk do të thotë që të mos ketë dhe ca të tjerë, të cilëve u pëlqen tutela e “pronarit” dhe e kanë me qejf, se tek e fundit janë te “padroni” që u tregon rrugën e u mban frerët.
Unë e pranoj që ka njerëz të cilëve u pëlqen të kenë nga një pronar mbi vete, por ka shumë të tjerë që nuk e pranojnë këtë vartësi. “Ç’thotë ai pronari yt?”, – të pyet tjetri dhe buzët i shkojnë vesh më vesh a thua se të ka pyetur për shëndetin e rrobve të shtëpisë. “Pronari im…???” Të ndizet gjaku sa bëhesh gati t’i futesh sherrit vënçe. Ai është pronar i vetes, domethënë i biznesit të tij, i klubit, i mejhanes, magazinës, fabrikës, kompanisë, e ç’t’i dojë qejfi kur bie fjala për hekura, tavolina e karrige… por jo pronari im. Se unë vetëm një pronar kam: vetveten.
Epo hajde se për kompromis po e mbyllim një sy për pronarin, pasi te e fundit të jep rrogën nga paratë e vete, por thika të shkon deri në kockë kur në skenë del drejtori. "Ky është drejtori im". Çfarë thua more, pse qenke bërë me drejtor? Habi e madhe sa s'ka ku të vejë. Se qëllon që drejtori të jetë i institucionit, po i punonjësve. Por me sa duket qenka dhe e kundërta. Po ky çdo o byrazer, ky rri në shtepi me qera e ka marë kredi që e shlyen çdo fund muaji, përse ma prezanton si Mesian. Apo vetëm pse firmos që paratë e shtetit të kalojnë në llogarinë private?
Sa për njohuri fillestare, koha e skllavo-pronarëve ka shekuj që ka perënduar. Janë bërë luftra e është derdhur gjaku lumë të paktën që kur u revoltua Spartaku. Por edhe epoka e bujkrobërve e ka mbyllur ciklin, madje për këtë punë janë sakrifikuar edhe koka mbretërish. Pa u bënë revolucione, u shkruan manifeste e konventa. Dhe ja tani kemi “njeriun e ri”, të pa shtypur të pashfrytëzuar, me 40 orë pune në javë, të shtunë e të djelë pushim, e mbi të gjitha të mbrojtur nga një tufë kode e nenesh ligjorë,  sa duhet të ngjeshësh libra në të dy sqetullat e jarebi t’ia dalësh dot e t’i mbash.
Por me ç’duket, “njeriu i ri” pa fre qenka si puna e atij kalit të harbuar, si dihet ku e mban yryshin. Ndaj i duhet një tjetër që ta administrojë, një pronar e kam fjalën. Dhe kur sheh se nuk e zë njeri me dorë ofrohet vetë, me zell të madh madje.
“Ky është pronari im”, e nis tjetri prezantimin e radhës gjithë entuziasëm. “Pronari” fodull të zgjat dorën. Prangat kanë dalë nga moda. Ai ka mbushur gishtat dhe kyçin me unaza e byzylykë floriri. Epo pronar hesapi. Mban dhe sejmenë që si shqiten asnjë çast për t’i ruajtur “fasadën e pasme”. Vetëm se kohët kanë ndryshuar vërtet. Skllevërit modernë, nuk punojnë më për një “çapë buke” apo për ca metilike në fundin e ditës, por marrin rroga të mira një herë në muaj, o me zarf në dorë ose paratë u kalojnë drejt e në llogari bankare. Dhe ec e mos thuaj pastaj: Pronari im.
Gjene mirë, “po të kërkosh, do ta gjesh”, thotë populli. Se, përderisa ti ofrohesh si një “skllav”, patjetër që do të të duhet edhe një “pronar”. Dhe sigurisht që do ta gjesh një të tillë.

Postuar në  Mapo 26 Nëntor 2015




Shqiptari politik, njeriu larg kulturës


Leonard Veizi

Jemi popull politik. Nuk do as mend as kalem për ta kuptuar.
Në periudhën e mbretërimit të Zogut vështirë se shqiptari ishte njeri politik. Ishte ca rural po, edhe blegtor, edhe nallban, d.m.th zejtar. Por pak ishin ata që e vërtisnin fjalën rreth politikës. Ai që formoi bindshëm njeriun politik ishte regjimi i Hoxhës, në fshat apo qytet po të jetoje. Kishte lexim shtypi të organizuar, tabelë emulacioni, konspekte mbi veprat e udhëheqësit dhe diskutime në masë të gjerë për vendimet e Kongresit të Partisë. Ja kështu u formua njeriu i ri, ai që sipas ideologjisë së asaj kohe fillimisht duhet të ishte politik më shumë se sa profesionist në zanat.
Kjo na ka shoqëruar edhe gjatë këtyre 25 viteve të fundit, ose më saktë edhe në kapërcyellin e mijëvjeçarit të ri, kur menduam se shumë gjëra i lamë pas. Por jo, avazi vazhdon. Në Shqipërinë e vogël, çuditërisht prodhohet shumë politikë dhe komentohet shumë mbi të. Imagjino ç’mund të ndodhte në Shqipërinë e madhe...
Politika fillon në mëngjes, lexohen titujt e gazetave në TV, pastaj hapet linja telefonike për të pakënaqurit. Mbaron pjesa e parë e informimit publik. Unë bëj gati një çantë të vogël që e marr me vete kudo dhe zbres pa ashensor. Në kafen poshtë pallatit shoh qamet sa herë që futem, por ja që ndonjëherë më duhet ta pi kafen edhe aty. “Ja të pyesim dhe Nardin, meqenëse është gazetar”. Unë ngre veshët përpjetë, porosis një kafe dhe tërheq një gazetë nga banaku. “Si thua ti, do ‘divorcohen’ Rama dhe Meta?”. Unë dua t’i shpëtoj debatit, në tërësinë time nuk jam njeri politik. Madje dhe për të votuar nuk votoj. “Pse kur na qenkan martuar?”. Ata qeshin me zor. “Lëri shakatë, si mendon ti?”. “Nuk mbuloj politikën” – u them. “Po mirë ti aty je, në redaksi i merr vesh të gjitha. Si thua do përçahen prapë këta?”. “Nisur nga historiku, them se e majta është solide, do t’ia hedhë dhe këtë herë”. “Të lumtë goja” – më uron njëri. Shpëtova. Unë fillova të pi i qetë kafenë, ata vazhdojnë debatin e divorcit. Hap gazetën nga faqja e fundit. Kam më shumë se 20 vjet që e bëj një gjë të tillë. E filloj me sportin, pastaj me kulturën... Ja te faqet e kulturës flitet për sezonin e ri teatror “Zbutja e kryeneçes” rivjen në skenë nga regjisorja Elma Dorezi. Nuk do mungoj ta shoh. Mezi kam gjetur biletë kur regjisori Fatos Haxhiraj e vuri në skenë në vitin 1990, për të parë një kryeneçe si Eva Alikaj. Sot të shikosh një teatër nuk ka nevojë të zësh radhë. Gjen vende sa të duash.
Vazhdoj me leximin e gazetës. “Duke menduar Medean” një projekt teatral mes Shqipërisë dhe Zvicrës, ndërsa në Teatrin e Operës...
“Ka ndonjë gjë të re për CEZ-in?”- më pyesin nën zë. “Po lexoj rubrikën e kulturës”, - ua kthej qetësisht. “Lëre kulturën se nuk të jep bukë ajo”. Keni të drejtë, them me vete, kultura nuk të jep bukë. Ngrihem të iki. Si shqiptar i vërtetë që jam, e kam marrë me nge dhe dua të pi një kafe të dytë. Vetëm. Për dhjetë minuta mbërrij në Bllok. Epo Bllok jo shaka. Ulem në një kafe “hight class”. Rrëzëllen çdo gjë. Porosis kafe por nuk marr gazetë. Përqendrohem te celulari për t’u njohur me të rejat e fundit. Teknologji e lartë, por humbet printi. Nuk përqendrohem dot. Zërat e disa grave më gumëzhijnë në vesh. Janë të përditshme në atë kafe. Jemi bërë fytyra të para tashmë. Tema e ditës ishte zbërthim teksti i telenovelës “Bidai”. S’ke nga ia mban. Për djall kisha harruar dhe kufjet. I nënshtrohem fatit: Dëgjoj të rejat mbi bashkëjetesën e Sadnës dhe Alekut. Pastaj një heshtje e lehtë dhe... befas, si rrufe në qiell të pastër vjen një pyetje që nuk di kujt i drejtohet: Dini gjë çfarë u bë më atë Priftin...?  Jo, jo. Nuk marr përsipër të ngatërrohem kaq thellë. Dy prej grave më kishin ngulur vështrimet. Çuditërisht, për rastësi apo si me magji, celulari më kishte mbetur në dorë tek një gazetë politike me një foto erotike. Sapo kisha lexuar dhe diçiturën dhe isha i informuar taze. “Në kishë do jetë me siguri”, - flas unë meqë jam më afër tyre edhe pse pyetja nuk më ka shigjetuar drejtpërdrejt. Gratë e marrin lehtë, qeshin të gjitha. “Mëkatar i madh”, kuturis njëra prej tyre.
Për shans kjo situatë nuk vazhdon gjatë. Më bëjnë një telefon dhe më thërrasin për kafe në një tjetër lokal, afër Televizionit Shqiptar. Sërish për kafe. Po, po... Kafeja është ritual te ne, është dhe punë... është gjithçka. Një nga kolegët ka gati një libër të ri dhe kërkon ta prezantojë në Panairin e Tiranës. Do t’i japim ndonjë mendim, demek ta ndihmojmë që të dalë faqebardhë. Ne duam t’i bëjmë shumë pyetje rreth librit që shpreson ta nxjerrë nga dita në ditë, por s’të lë njeri... “Ja pyesim këta gazetarët”, - na ndërpret dikush, që me siguri njeh ndonjë nga ne. Shyqyr që ishim tre gazetarë e nuk më binte vetëm përgjegjësia. “Si thoni do ketë zgjedhje të reja?”. Ne ngremë supet. “Ç’na pyet ne a derëbardhë, - i them, - shiko ‘Opinionin’ e Fevziut dhe e ke të zgjidhur hallin”. Por ai ngul këmbë të marrë përgjigje nga ne edhe pse i sheh të gjitha me radhë ‘Opinionin’, ‘Top Show-n’ e çfarë t’i dilte përpara. “Besoj se po” - thotë shkurt kolegu tjetër, si për mbyllur debatin që kërkonte të na përfshinte dhe ne. “Të lumtë goja – e uroi tjetri. - Të vijë dhe një herë Berisha në pushtet pa në djall të vejë”. Mua nuk m’u durua: “Basha, - ndërhyj pa shumë takt. - Kryetari i partisë bëhet kryeministër”. “Çfarë Bashe mor burrë, - ma kthen tjetri me indiferencë, -  Berisha o Berisha, ai u vjen hakut”.
Ngrihemi të ikim. “Sqarohemi në telefon” u them miqve të mi. Kam bërë një ofertë ku mund të flas tërë ditën dhe minutat nuk kanë të sosur. Natyrisht, shumë punë zgjidhen edhe me celular. Në lokale zor se gjen vend ku mund të thuash dy fjalë për librin, teatrin a pikturën; flitet vetëm për politikë.



Postuar në ResPublica 30 Shtator, 2015