Thursday, September 22, 2016

Intervista/ Visar Zhiti: Libri im i parë m’u konfiskua, me librin e fundit u bëj homazh intelektualëve martirë

Revista FENIKS
nga Leonard Veizi

I duhej vetëm pak letër të gjente dhe ca vargje do të hidhte aty, sigurisht. E vetëm për kaq, ajo merrte vlerë të pakrahasueshme. Nuk duhej fletë formati A4 dhe as fletore me vija drejtshkrimi, por ndoshta veç letra paketash cigareje, njëra anë prej të cilës ishte me varak dhe pjesa tjetër mbushej me germa të vogla latine si hieroglife të pazbërthyeshme. Misioni dukej i pamundur; të kapërcente gardhin e telave me gjemba, vetë rojet me uniforma ushtarake e automatik AK-47 në duar dhe të vraponte drejt lirisë. Por dukej se misioni ishte më i lehtë se kaq. Ato “hieroglife” të pazbërthyeshme ishin vetë liria, e askush s’i ndalte dot, telat me gjemba, automatiku "Kallashnikov" dhe as mitralozi 12,7 mm që qëndronte mbi fortesë në një gatishmëri të ethshme për të qëlluar këdo, dhe frymën e padukshme. Por kjo ka ndodhur vite më parë, atëherë kur të qenit shkrimtar ishte një komoditet i rrallë dhe shumë trishtues njëkohësisht...

...Visar Zhiti, poet e prozator i njohur, vjen me një rrëfim të gjatë ku bën të njohur shumë detaje nga jeta e tij. Ai flet për karrierën si shkrimtar, vargjet e para, si u motivua dënimi politik i poetit dhe jeta letrare në demokraci. Ndërkohë që pak ditë më parë “UET Press” nxori në qarkullim librin e tij të fundit “Antologjia e të vrarëve, lajmëtarë të Europës”.

Çfarë keni përfshirë në këtë libër?
Përzgjodha 28 emra, prej të cilëve katër nga Kosova dhe një nga shqiptarët e Maqedonisë, të gjithë të vrarë si disidentë, kundërshtarë të regjimit komunist, deri edhe martirë, me gjyqe dhe pa gjyqe, por sipas doktrinës. Bëhet fjalë për vrasje intelektualësh të lartë, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe të lirive të njeriut, për krijues, poetë, mendimtarë, gazetarë, etj., të cilin kishin studiuar në metropolet e Evropës. Ishin copa të kulturës Evropiane, të cilët donin që Shqipëria të ishte atje ku duam të jetë, gjë për të cilën po punohet me shumë mund nga e gjithë shoqëria. Antologjia është një përpjekje jona, e dëshiruar dhe nga të tjerë, që e ëndërronin këtë vepër duke besuar se po plotësojmë një mungesë, se po krijonim një si tempull të fjalës për ata krijues që iu ndërpre jeta pa mëshirë dhe padrejtësisht. Fakti që ky libër del pas asaj që e quajtëm “letërsi e nëndheshme”, do të thotë se është ndjerë mungesa dhe dobia e tij. Ndërkaq, letërsia dokumentare është shumë e parapëlqyer sot në botë. Dhe njerëzimi gjithmonë ka lexuar me dëshirë letërsinë e vuajtjeve dhe tmerreve qysh herët, që kur filloi letërsia.
Në fundvitin 2012 ju morët çmimin e madh të letërsisë. A ndiheni i vlerësuar që vëmendja u kthye nga Ju?
Natyrisht që më vjen mirë për vëmendjen dhe vlerësimin dhe u jam mirënjohës atyre që menduan ashtu, por dhe ata që kanë pasur mendim tjetër duhet t’i kuptojmë dhe çmojmë se gjithkush ka vendin e vet dhe vlerat e dikujt nuk dëmtojnë vlerat e të tjerëve, përkundrazi i bashkohen, si të thuash, mozaikut që është i të gjithëve. Po aq shumë më gëzon fakti se kështu po pranohet edhe institucionalisht gjithë ajo letërsi që erdhi pas rënies së diktaturës duke sjellë një realitet tjetër. Kur them institucionalisht e kam fjalën dhe për kritikën, tekstet përkatëse dhe median, që krijon opinione, etj., pra për institucionin e qytetarisë. Tashmë është e dukshme se ka ardhur një letërsi, që, edhe nëse mbart errësirë, bën që të shquhen më mirë yjet, tregon vuajtjen si themel të lumturisë, të vërtetën për të qenë të drejtë. Është letërsi që duke sjellë vetveten, pasuron letërsinë tonë në përgjithësi.
Të kthehemi pak në kohë. Kur do ta kuptonit se letërsia do të ishte pjesë e rrugëtimit tuaj?
Besoj se letërsia duhet të jetë pjesë e rrugëtimit të kujtdo, për disa si krijues të saj dhe për të gjithë si lexues. Ne jemi të shtrënguar të jetojmë vetëm një jetë, letërsia na jep dhe jetë të tjera, të shumta dhe gjithfarëlloj, të largëta, të afërta, të atyre që s’janë më, pra shpik një lloj përjetësie. Nuk e di kur e kam kuptuar këtë, por e kam ndjerë herët.
Cilat janë botimet e para në faqet e gazetave dhe si i pritët ato emocionalisht?
Janë poezi, më kanë gëzuar edhe hutuar, pastaj jam dënuar prej tyre, edhe unë kam dënuar me to. Lidhja ime me poezinë mund të them se është dramatike dhe magjepsëse.
Kur do ta botonit librin e parë?
Libri im i parë ka humbur. M’u konfiskua dikur dhe nuk e gjeta më ashtu të plotë. Pas rënies së diktaturës, 40 vjeçar, botova librin tim të parë me poezi “Kujtesa e ajrit”. Dhe ai u vlerësua atëherë me çmimin e parë vjetor.
Babai juaj, Hekuran Zhiti, gjithashtu ka qenë dramaturg. Mendoni se keni përftuar nga ai, apo rruga juaj ka qenë krejt e pavarur?
Po, patjetër dhe shumë kam përfituar nga im atë. Dashurinë për letërsinë e kam trashëguar nga ai. Por dhe dashurinë, për ata që e krijojnë letërsinë. Janë dy subjekte të ndryshme  besoj. Ka që e duan letërsinë, duke qenë mënjanës ndaj shkrimtarëve, shpesh edhe duke mos i dashur. Nuk mund të isha i pavarur. Prej tim ati trashëgova dhe dënimin, siç u bë dhe ai prej meje baba i një të burgosuri politik. Këto detyrimisht ngjizen dhe në krijimtari.
Cili botim u bë shkak që pas Plenumit IV të KQ, ju të dënoheshit me 10 vite burg dhe heqjen e të drejtës së botimit përgjithmonë?
Një libër që s’është botuar dot, poezi, “Rapsodia e jetës së trëndafilave” titullohej. Përgjithmonë nuk do të thotë përgjithmonë. Sistemet shoqërore ndërrojnë, poezia jo, edhe kur ndryshojnë sistemet politike.
Si ishte jeta në burg për një shkrimtar?
Nuk ishte jetë për askënd. S’lejohej të ishe njeri.
A kishit mundësi të krijonit letërsi gjatë kësaj periudhe dhe, nëse po, si shpëtuan ato?
Në burg të futnin për të mos bërë më letërsi, kjo nuk duhet harruar. Dhe kishte nga ata që bënë të pamundurën. Mundësi s’kishte, gjendja ishte fatale, por ja, që kishte të çmendur që shkruanin poezi, tregime edhe romane fshehurazi, pas punës së rëndë prej skllavi në minierë dhe i fshihnin ku të mundnin, në kashtën e dyshekut, në thasët e burgut, në opinga, nën tokë, në kujtesë. Kur ua kapnin, pasi ridënoheshin autorët, shkrimet ua fusnin nëpër dosje, një pjesë e madhe e të cilave ka humbur, a i kanë djegur, janë kalbur nën dhè. Së pari kjo lloj letërsie ka vlera si akt. Është akt madhështor, sakrificë e tejme. Unë bashkohem me ata që mendojnë se letërsia që doli nga burgjet dhe erdhi nga internimet ka dhe vlera të mirëfillta letrare, është letërsi. Unë pata fat, nxora shumë poezi të miat nga burgu, para se të lirohesha vetë. Arrita t’ua jepja fshehurazi familjarëve të mi, në takimet që lejoheshin një herë në muaj. U specializova në kontrabandën e poezive të mia. Frika ishte e hatashme. Është një odise e tërë, që e kam treguar hollësisht në librat e mi. S’di ç’të them, unë i shpëtova ato, apo ato më shpëtuan mua…
Si do të ishte jeta juaj letrare në demokraci?
Si e të shumtëve. Mund të them se jam arritje e kësaj kohe, demokracia na nxori, u pranuam prej saj. Nuk është retorikë, por ajo zhvarrosi shumë shkrimtarë që i bëjnë nder kulturës tonë, identitetit njerëzor. Risolli Gjergj Fishtën e madh, Konicën, Koliqin, zbuloi shkrimtarë si Astrit Delvina, Mihal Hanxhari, poetë si Xhagjika, Blloshmi, Zorba, përmenda dy-tre nga të vdekurit për të qenë më i sigurt për kë nuk beson, se të gjallët janë në punë e sipër. Kanë ardhur memuaristë të shkëlqyer. Ja, mes këtyre është jeta ime. Kur them demokracia, duhet të kuptojmë kohën që sollëm së bashku dhe ajo mbart të gjitha vlerat tona dhe të gjitha të këqijat, guximin gjithsesi.
Sa rol luan autocensura te ju si shkrimtar?
Nuk e njoh. Kur ishte censura, unë nuk isha shkrimtar. Nuk u fut brenda meje. Kufizimit si të gjithë.
Ku ndiheni më mirë në poezi apo në prozë?
Në atë që shkruaj. Poezia mund të them që më ka ndjekur më shumë, kurse prozën e kam ndjekur më shumë. Më duken si të shkruara në lëkurën e njeriut si në pergamenë, por poezia nga brenda kësaj lëkure dhe proza nga jashtë saj. Kështu e kam shpjeguar diku, siç e ndjej. Vetëm se proza sot ka shumë poezi dhe poezia ka marrë mjaft elementë nga proza. Ndoshta kështu ka qenë gjithmonë, “Iliada” është edhe roman, madje dhe “Don Kishoti” është poemë. Tek tragjeditë antike, te Shekspiri janë të dyja bashkë, duket, të shkrira mrekullisht.
Ju keni marrë dhe çmime të tjera, ndërkombëtare. Cilin nga çmimet e deritanishme vlerësoni më shumë?
Çmimet në vendin tënd kanë forcën e truallit tënd dhe ajrin e gjuhës amtare, në vendin tjetër duan të përcjellin këtë imazh, besoj, duke bërë dhe rolin e urës. Çmimi që vlerësoj është ai që ta japin lexuesit, qoftë edhe një lexues i vetëm, por i mirë, në fund të fundit janë vlerat e asaj që shkruan, kumti i thellë njerëzor dhe artistik njëherësh që mund të përcjellësh, emocioni dhe estetika, që ngjall.
Ç’do të donit të thoshit për veprën tuaj madhore, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, për të cilat nxorët dhe termin “burgologji”. Ç’është ajo dhe pse?
Nga që flitet për burgun, thashë t’i quaj ashtu. Desha të ishin romane, por kisha merakun se mos lexuesi do t’i mendonte trillim, kur aty ngjarjet dhe personazhet janë të vërtetë, me emra realë. Mendova se s’kishte pse të shpikja, por natyrisht që nuk janë thjesht kujtime, kisha përzgjedhur të tregoja për të tjerët, pa bërë kronikanin. Jeta jonë kishte krijuar një roman të rëndë të vetin, thashë ta hedh ashtu siç m’u dha, me kokëfortësinë e së vërtetës. Një si lloj shpage, hakmarrja ime, kujtesë për ferrin e gjallë. Dhe pse jo, dy romane më shumë…
Çmimi i madh në 2012 ju dha për krijimtarinë tuaj në tërësi, pra ishte çmim karriere që merret një herë. Do desha t’ju pyes se ç’përmban vepra juaj, mesazhet e saj?
Po edhe të lehtë nuk e kam. Lejomëni të them se kam pasur rast të marr dhe një tjetër çmim karriere, por në Romë. Deri tani kam botuar disa libra me poezi, që përfshijnë tre kohë të miat, nëse do të ma pranonit këtë ndarje, poezi të hershme, të rinisë së parë, nga të para burgut, poezi të burgut dhe poezi të pas burgut. Duhet të thosha të lirisë, por poezia gjithmonë është e lirisë, e asaj të brendshme, prandaj shkruhet. Poezi të miat janë botuar dhe në gjuhë të tjera. Kam dhe tregime, një përmbledhje ka dalë dhe në Itali. Kam botuar disa romane, janë pritur mirë nga kritika jonë dhe nga lexuesi, ndonjëri prej tyre ka pasur fat është përkthyer. “Funerali i pa fundmë” është lexuar në Rumani ashtu siç do të dëshiroja, madje ka pasur jehonë. Ndërkaq kam botuar dhe ese, intervista e kritikë letrare. Për mesazhin e punës time s’di ç’të them, nuk është një, besoj, i përfytyroj si rrathët kur hedhim një gur në ujë. Prandaj shkruhet libri tjetër, për të shtuar dhe gjithmonë mbetet diçka e pathënë. Mbase kam dashur të tregoj që vuajtja njerëzore mund të shndërrohet në virtyte, në prajshmëri pse jo, edhe në lumturi, në kuptimin e saj të thellë. Pashë vuajtjen dhe u bëra njeri, thoshte Çehovi. Duhet të bëhemi më njerëz, patjetër.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me botuesin?
Të mira, korrekte me të gjithë botuesit. Shkrimtari nuk është vetëm libri i tij, por dhe përditshmëria e tij, hallet, miqësitë, detyrimet, mbështetja dhe botuesi nuk është vetëm ai që sendërton librin dhe e shpërndan atë si mall, edhe ai ka strategjinë e vet, vështirësitë, etj., që i duhen kuptuar. Në marrëdhëniet me një botues, në fund të fundit mbetet akti i shenjtë i të lexuarit, fat kur ajo arrihet.
Tanimë libri është jo vetëm në letër. Dy format e reja të botimeve letrare, libri elektronik dhe ai në Audio-CD janë dhe konkurrentët e rinj. Çfarë mendoni lidhur me këtë?
Nëse janë trembur atëherë kur libri nga qeramika nisi të shkruhej mbi pergamenë? Unë kam punuar në fabrikë tullash e tjegullash dhe e marr me mend se sa vagonë të mbushur me to do të duhej për një libër me poezi. Le më pastaj për një roman, sa për një pallat e do të duhej leje nga bashkia, mund të merrej vendimi për ta shembur, do të prisheshin lagje të tëra të personazheve, dritare epitetesh, shkallë metaforash, etj, etj. Pastaj, kur libri kaloi në lëkurë, janë therur kope të tëra delesh për një bibël. Ka libra dhe me lëkurë njeriu, është në një muze, por libri gjithsesi i lëkurës së njeriut është, sikur thamë diçka dhe pak më parë. Erdhi epoka e letrës, masakra e pemëve, kur shumë e shumë herë pema është më e mirë se libri. Ne jemi mësuar me të, është krijuar tashmë dhe aroma e veçantë e librit, e duam, por do të mësohemi dhe me e-books e me audio-CD, kanë lehtësirat e tyre. Mbetet e përjetshme, më e rëndësishmja se si do të jetë libri brenda, prurja e tij.
Cili është libri juaj i radhës, një vëllim poetik apo një roman?
E kam më të lehtë të tregoj se çfarë kam hequr nga duart se sa çfarë kam ndër duar. S’e di cila do të jetë vepra e radhës, por sigurisht një libër i shkruar mbi lëkurën time.

Botuar në revistën FENIKS me 26/01/2013
Postuar në ResPublica më 7 Nëntor, 2014
Visar Zhiti dhe Leonard Veizi



Thursday, September 15, 2016

PORTRET/ Teodor Laço, të mbijetoje si shkrimtar në diktaturë

Teodor Laço - foto: Soela Zani
Leonard Veizi

Sot, në moshën 79 vjeçare me një kompromis fjale krejt pa vend mund ta quajmë se ka dalë në pension. Por kjo nuk është diçka që i shkon fare. Ai nuk shtyn kohën me tavëll a letra spathie deri sa t’i vijë dita që të marrë paratë në sportel. Është shkrimtar, dhe si i tillë, i duhet të prodhojë edhe pse pensionin e merr për shkak të marrëveshjes që ka si qytetar korrekt me shtetin e tij. Por si njeri me jetë të gjatë në politikë hyn tek ata administratorë që ka ditur të tërhiqet në kohën e duhur. Tek e fundit gjithçka ka limitet e saj.
Ai u lind në Dardhë të Korçës, në 27 shtator 1936. Quhet Teodor Laço. Me një diplomë në bujqësi në vitin 1958 punon si agronom e zv/kryeagronom në Seksionin e Bujqësisë të Komitetit Ekzekutiv, Korçë. Por ky ishte vetëm një segment jete. Për më tej do ta udhëhiqnin letrat. Mes viteve 70-‘74 punon në Sektorin e Letërsisë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Nuk besoj se ka njeri që nuk ia ka dëgjuar emrin, t’i ketë lexuar një libër a të ketë parë një film me skenar të tij.
Sot mund ta konsideroj mik të vjetër. Intervistën e parë ia kam bërë kur ishte ministër kulture, të fundit kur folëm për revoltën e vitit 1990 në Kinostudio, gjë që i solli jo pak kokëçarje Komitetit Qendror e të dërguarit të tij Foto Çami. Në atë kohë Laço drejtonte sektorin e filmit artistik. Ishin ditë të nxehta kur ai, i thirrur nga instinkti i lirisë e la mënjanë penën, për t’ju përkushtuar një veprimtarie më madhore. Fuqia e fjalës së shkruar dhe e imazhit në film e kishte humbur fuqinë. Duhej veprimi konkret, përndryshe...
E lemë mënjanë këtë çështje, e kemi trajtuar gjerë e gjatë. Gjendet pa vështirësi në internet, në gjithfarë portalesh.
Teodor Laço, apo më shkurt Todi, siç e thërrasin shokët e gjimnazit, ka dëshirë t’i presë miqtë në një kafe të këndshme te rruga “Don Bosko”. Aty ndihet krejt i shpenguar, si në shtëpinë e tij. Bashkëshortja Miriam, një nga emblemat e teatrit të Korçës, por dhe e kinemasë shqiptare,  i rri pranë. Diku në të hyrë të asaj rruge që dikur na çonte te Uzina “Partizani”, ata kanë dhe apartamentin ku banojnë prej vitesh. Megjithatë, kryeqyteti nuk është dashuria më e madhe e Teodorit. Ai është mësuar ta ndajë jetën e tij mes Tiranës dhe Dardhës. Verën e nxehtë e kalon në male, dimrit zbret në qytetin e zhurmshëm, por me klimën e zbutur mesdhetare.
Në fushën e letërsisë ai do t’i bëhej i njohur për publikun që me romanin e tij të parë në vitin 1970 “Tokë e ashpër”. Më pas do të vazhdonin “Portat e dashurisë”, “Korbat mbi mermer”, "Një ditë dhe një jetë”, “Zemërimi i një njeriu të urtë”, etj. Të shumta do ishin pjesët që ai do shkruante për kinematografinë e teatrin bashkë, ku mund të përmendim skenarët e filmave, “Streha e re”, “Përballimi”, “Shtëpia jonë e përbashkët”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në kabinën time” etj., ndërsa në teatër kujtojmë komedinë “Shi në plazh”, dramën “Kambanat e muzgut”...
Më tregon se asokohe raportet e shkrimtarëve me regjimin ishin fort delikate. Thotë se shkrimtari ishte gjithmonë njeriu i survejuar për shkak të letërsisë që bënte dhe pikëpamjeve që mund të shprehte. “Në atë kohë mund të shkoje si ‘qeni në vresht’ për një gabim fëmijëror, ose një tekë të shkrimtarit. Për shembull: Në vitin 1972 disa letrarë të rinj tiranas, mes të cilëve ata që u bënë shkrimtarë ishin Roland Gjoza dhe Bedri Myftari, dilnin nga kodrat e Liqenit Artificial, shkëmbenin dhe lexonin krijimtarinë e njëri-tjetrit, madje jepnin dhe çmimin ‘Nobel’. Vetëm një gjë e tillë bëri që ata të kapen dhe të dënohen të gjithë. Kjo diktaturë te shkrimtari ndikonte që të krijonte dhe autocensurën”.
Më gërryen kureshtja të di se si vepronin shkrimtarët në një regjim të ashpër për të ruajtur veprat e tyre të mirëfillta? Teodori më thotë se në të gjithë krijimtarinë e tyre shumica e shkrimtarëve shqiptarë vërtiteshin në një lloj dualizmi. “Kanë botuar vepra politikisht në shërbim të asaj kohe dhe vepra, të cilat i kanë shpëtuar realizmit socialist, që në rastin më të mirë mund të quhen vepra realiste dhe me sens kritik për realitetin e asaj kohe. Këtu e kam fjalën për prozën, sepse poezia është një kapitull më vete, ku dhe mëkatet i ka më të mëdha. Mund të them se ka pasur goxha shkrimtarë që i kanë shërbyer sistemit madje me bindje. Por kishte dhe shumë të tjerë, të cilët në subkoshiencën e tyre ishte liria që mungonte dhe që shoqëria, e cila po ndërtohej në Shqipëri ishte e padrejtë. Megjithatë duke parë që ishte e vështirë të luftohej drejtpërdrejtë, bënin kompromise”.
Kompromise!? Epo natyrisht, - them me vete, - edhe sot bëhen kompromise. Madje shumë. Kompromise të cilit lloj? - e pyes me kast. “Bënin vepra që priteshin të përgjoheshin e të goditeshin, por realizonin dhe vepra, të cilat i përmbushnin të pesë kushtet themelore të realizmit socialist. Një gjë të tillë e ka shpjeguar dhe Ismail Kadare, kur thotë që në këtë mënyrë shkrimtari bën kompromis me vetveten. Pra bëheshin vepra që shërbenin si pasaportë për të botuar dhe vepra të çliruara”.
Në nënndërgjegjen e tij prej shkrimtari, çdo gjë është e dyzuar dhe e dyshimtë padyshim që është. E kundërta as që do kish kuptim. Prandaj, atje ku askush nuk mund të hyjë veç qenies së tij të padukshme, nuk ka manual rregullash dhe në trafikun marramendës, ku gjithçka përplaset me dëshirë, lindin ide të reja. Ai nuk ngurron ta hedhë synopsusin e porsalindur me laps plumbi mbi një fragment letre, ku një djall e di pse në faqet ballore me germa të ngjeshura kompjuteri me siguri ishte shkruar fjalimi politik i vlefshëm për  seancën e radhës të Parlamentit, a një notë verbale për Ministrinë e Jashtme. Por kjo duket se nuk ka fare rëndësi. Ajo që është bërë nuk mund të zhbëhet dhe sigurisht, ajo që është zhbërë nuk mund të ngrihet më. Në raportin pa balancë, ku gjithçka duket se merr trajtën e një pragmatizmi pozitiv, ajo që mund të fitosh pa frikë është… vetvetja.
E pyes se cila ishte krijimtaria e tij e kompromisit dhe jo e saj? Jam i drejtpërdrejtë. Pyetjes nuk ke nga t’i shpëtosh. Por Teodor Laço nuk është nga ata që përdor truke të shpejta për t’ia hedhur. Ai njihet për temperamentin e tij liberal dhe aspak tendencioz. Më thotë se në vitin 1971 boton romanin “Tokë e ashpër”, i cili ka si subjekt formimin e një kooperative bujqësore në zonat malore. “Ky është një roman që nuk ka lajthitje për kohën, - bën ai një parantesë e më pas vazhdon: - Por në vitin 1973 botoj vëllimin me tregime ‘Ajri i ftohtë i mesnatës’, ku një pjesë e tregimeve lirike kishin sens kritik. U cilësua si libër i gabuar dhe u hoq nga qarkullimi. U tha se në të nxihej realiteti. Një shkrim për këtë novelë u botua në gazetën ‘Drita’ në formë redaksionale me titull ‘Nuk ka për të ndodhur kështu’, ku mund të them se në fakt ishte një pretencë. Një vit më pas, në vitin 1974 doli novela ‘Ditë dhe net që mund të vijnë’. Ky libër u botua në fillim të vitit 1974 dhe fillimisht nuk solli asnjë shqetësim. Por në tetor të po këtij viti, kur doli grupi ‘puçist’ në ushtri, kundër librit dhe meje u dërguan shumë letra në Komitetin Qendror nga disa shkrimtarë ushtarakë. Ky libër u akuzua se i bënte jehonë ‘Teorisë së rrëshqitjes’, për të cilën u dënua grupi i ushtarakëve të lartë, sepse bënte fjalë për një stërvitje ku trupat tërhiqeshin dhe sulmonin për të rimarrë sërish pozicionet. Libri jo vetëm që u hoq nga qarkullimi, por edhe unë e pagova duke qëndruar 7 vjet larg Tiranës”.
Ishin vitet kur mezi futeshe në Tiranë, të të hiqnin prej saj ishte padiskutim një lloj internimi. Ku të degëdisën? - e pyes. “Lidhja e Shkrimtarëve më dërgoi si mësues në Libofshë. Por më pas më tërhoqën në Fier. Në atë kohë në Fier ishte emëruar Sekretar i Parë i rrethit Pipi Mitrojorgji. Duke dashur t’i japë një hov jetës artistike në qytet, ai na mblodhi të gjithëve dhe bëri një bërthamë shumë të mirë. Dhe vërtet që jeta artistike në Fier pati një hop cilësor. Aty nuk isha vetëm unë, por edhe Neritan Ceka e Myzafer Korkuti, arkeologë; Vilson Kilica, piktor; Paskal Milo e Myslym Islami, historianë; Pëllumb Kulla, skenarist e Fatos Sela, aktor. Të gjithë të ardhur nga Tirana”.
Rroftë Tirana... I mblidhte të gjithë, i shpërndante gjithashtu.
Ca kohë më parë ai botoi një tjetër vëllim me tregime kuptimplotë, por pena e tij e mbushur me bojë e me majë metalike krejt të re, nuk ka ndërmend të reshtë asnjë çast. Kujtimet të fragmentarizuara për ngjarje fort të diskutuara, të cilat do të qepen hollë nga dora e mjeshtrit, presin të na vijnë së shpejti si një informacion i plotë e solid, për të zbardhur më tej terrin që sundon atje, ku drita është e pafuqishme. Teodor Laço, shkrimtar e skenarist filmi, e për më tepër politikan jetëgjatë e diplomat me karrierë të shkurtuar, vazhdon rrëfimin e tij pa asnjë çast të dyshimtë, në duhet të flasë për krijimtarinë letrare apo aktivitetin politik, për të dyja bashkë, apo për asnjërën prej tyre. E nëse ka pasur vërtet një dyshim të tillë, ai duhet të ketë zgjatur vetëm një sekondë ose më pak se aq, ndërsa kompromisi duket se nuk ishte aspak i vështirë: të flasë për gjithçka, pa kompleksin se diku, një gjë krejt e papritur e dashakeqe do të mund t’i prishë imazhin e lartuar.
Si do ta rregullonit biografinë me pushtetin? Ha, ha... mund të qeshte pak. Të thoshte se biografia tanimë ishte e prishur. Ai ishte në frontin e kundërt me pushtetin, në një luftë për jetë a vdekje... Por jo. Ka një kompromis gjithsesi, me të tjerët apo thjesht me veten. Teodor Laço nuk i bën bisht pyetjes: “Pas këtyre dy librave, që për të thënë të vërtetën prisja të përfundoja edhe në burg, po në fund të vitit 1975 u botua romani ‘Përballimi’. Ajo u pëlqye si vepër, e cila figurën e Sekretarit të Parë të një rrethi e nxirrte njerëzore dhe jo skematike siç kishte ndodhur deri në atë kohë. Kështu që u zbut masa e dënimit. Ndërsa në vitin 1978 u botua romani ‘Lëndina e lotëve’. Kjo është dhe vepra më e mirë e imja e para viteve ‘90, e cila ishte gjithashtu dhe krejtësisht e papolitizuar. Në vitin 1982 u ktheva nga Fieri dhe fillova punë në Lidhjen e Shkrimtarëve, ku merresha me talentet e reja”.
Në vitin 1986 Teodor Laço do të merrte postin e përgjegjësit të filmit artistik pranë Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku do të punonte deri në vitin 1990. Në periudhën 1991-1992 do të emërohej edhe drejtor i saj.
Mendohem pak, pyetja më duket provokative, por gjithsesi dua ta bëj: Keni menduar ndonjëherë që për konjukturë duhet të militonit në radhët e Partisë së Punës? Laço është i qetë. As që i shkon në mendje të triblojë për të marrë ndonjë pikë të pavlerë. “Nëse do të më afrohej një gjë e tillë me siguri do ta bëja, - më përgjigjet, - por unë kam pasur babain emigrant ekonomik në Amerikë dhe gjithsesi nuk shihesha si pjesë e kontigjentit të partisë. Gjithashtu, një i afërmi im ishte në burg politik, çka e bënte dhe më të vështirë situatën”.
Teodor Laço dhe Leonard Veizi
Në fushën politike Teodor Laçon do ta gjejmë që me fillimet e demokracisë. Ai është një nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate duke qenë edhe nënkryetar i saj deri në vitin 1994. Do të bëhej deputet në zgjedhjet e para të lira në vend. Prej vitit 1994 deri në 1997 do të mbante postin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në vitin 1995 krijoi një parti të re “Bashkimi Social Demokrat”. Për dy vjet shërbeu në Moskë si Ambasador Fuqiplotë. Ndërsa për veprat e tij letrare, Teodor Laço është nderuar me 3 Çmime të Republikës dhe Çmimin “Migjeni” gjithashtu.

Postuar në 20 Shtator, 2015 ResPublica





Intervista me shkrimtarin Pandeli Koçi: Pleniumi IV, ja fati tragjik i Faik Ballancës

Faik Ballanca
Leonard Veizi

Ndoshta deri në çastin e fundit nuk ka qenë krejt i bindur në ia vlente ta bënte atë veprim që e kishte cekur shkarazi, apo i duhej të hiqte dorë një herë e përgjithmonë prej tij për të mos e menduar kurrë më. Ishte një çast nervor i paqëndrueshëm, ku jeta merrte fare pak kuptim, për të mos thënë se ajo nuk vlente më. Sapo ishte kthyer nga ca ditë pushimesh të qeta ku kishte pasur mundësi të shtjellonte gjithçka në mendjen e tij, deri në imtësinë më të vogël. Natën e fundit çdo gjë dukej e qetë. Telefonatës së mikut të tij më të mirë i është përgjigjur pozitivisht: në mëngjes për një kafe. Pak orë më vonë një ditë marsi agoi. Por ai nuk ka preferuar ta pijë kafenë, dhe as të debatojë për më të rejat, por ka përfituar nga çasti kur bashkëshortja është nisur për në punë, dhe ende me veshjen e shtratit ka shpejtuar të marrë armën e gjuetisë që mbante me leje në një cep të fshehtë të shtëpisë. Është ulur në po të njëjtin vend nga u ngrit më parë, ka vendosur ballin mbi tytën e ftohtë të armës, dhe me gishtin e madh të këmbës ka tërhequr këmbëzën. Metali i nxehtë nën krismën e thatë do t’i përshkonte tejpërtej ato pak centimetra, për të dëmtuar në mënyrë të plotë e të pariparueshme trurin e tij brilant... 
...Ishte vetëm 31 vjeç, shans a ters, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Humbja ishte e madhe, dhe jo vetëm për familjen. Ekspertët kriminalistë detajuan mbi procesverbal aktin e vetëvrasjes, por motivi mungonte. Tjetërkush do të vendoste për të. Viktimë e talentit të tij. Nuk kishte dyshim që vetëm kështu shpjegohej gjithçka. I zhgënjyer dhe i trysnuar nga një mjedis që nuk e linte të merrte frymë ai e pa të udhës të ikte nga kjo botë. Dhe iku... 
Pandeli Koçi, me një krijimtari të gjatë në jetën e tij prej shkrimtari, me dhimbje edhe sot pas 35 vjetësh, rrëfen jo vetëm orët e fundit të mikut të tij të ngushtë para se ai ta linte jetën e të gjallit, por dhe heshtjen trishtuese që e mbuloi pas vdekjes:
Viti 1973, si do të ishte për shkrimtarët?
Problemet filluan që para plenumit IV të KQ për letërsinë dhe artet ku theksi ra: “Kundër ndikimeve borgjezo­revizionste në letërsi dhe në art”. Ishte koha kur Festivali 11 ishte dërmuar dhe Mihal Luarasit e Minush Jeros u ishin vënë prangat. Enver Hoxha gjatë fjalimit të tij të ashpër në plenum, mes të tjerash tha: “Lidhja e Shkrimtarëve dhe shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’ janë institucione me shfaqe të huaja”. Që nga ky çast do të fillonte gjuetia e shtrigave.
Si do të përcillej në Lidhjen e Shkrimtarëve ky fjalim?
Fillimisht u shkarkua nga detyra për liberalizëm ish kryetari i Lidhjes, Dhimitër Shuteriqi. Erdhi Dritëro Agolli si dorë e fortë. Pati kritika të shumta. Unë vetë jam kritikuar ashpër në Lidhje pas këtij plenumi. Gjithashtu do ta pësonte dhe miku im i ngushtë Faik Ballanca, një shkrimtar shumë i talentuar i cili deri në atë kohë kishte botuar disa vëllime në prozë.
Në fakt ku zinte fill miqësia juaj?
Ne vazhduam së bashku fakultetin Histori­-Filologji. Ai ishte në degën e gazetarisë dhe pas përfundimit punoi në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në revistën “Nëntori”. Kemi pasur një jetë të përbashkët, si gazetarë, si gjuetarë e si alpinist. Megjithëse ishte i një brezi me Koço Kostën, Nasi Lerën, Zija Çelën etj., ai kishte botuar romane kur këta të fundit sapo kishin filluar të botonin tregimet e para. Tregimet e tij nisën të botoheshin që në vitin 1962. Ndërkohë nevoja për të lexuar edhe literaturë jashtë kornizave të realizmit socialist, e shtynë të mësonte disa gjuhë të huaja. Përktheu nga gjermanishtja, frëngjishtja dhe italishtja. Vitet e fundit po rrekej të mësonte edhe anglisht. Me krijimet e tij, Faik Ballanca arriti të krijonte personalitet të veçantë si shkrimtar, në saje të kulturës së gjerë, intuitës së hollë artistike dhe skrupulozitetit të tij krijues.
Çfarë mase do të merrej për Faik Ballancën?
Pas kritikave të shumta që iu bënë, atë do ta çonin për riedukim në qytetin e Krujës dhe i thanë të punonte në gazetën lokale, “Kastrioti”. Mirëpo ishte një vendim që nuk u zbatua. Vetë Faiku protestoi fort dhe iu ktheu vendimi. Megjithatë Faiku u trondit së tepërmi.
Çfarë do ta dëmtonte më shumë një shkrimtar në shkëlqim e sipër?
Pa dyshim që goditja e parë i erdhi nga Pleniumi IV. Por më pas do të kishte dhe andralla të tjera. Ndërsa romani i tij i parë “Nomeja e largët” iu kthye nga shtëpia botuese me vërejtje të rënda ideologjike. Në atë kohë ai ia dha këtë roman Ismail Kadaresë. Pasi e lexoi Kadareja dha këtë mendim: “Asnjë nga akuzat që bën redaksia nuk qëndron. Ky është romani i tij i pari dhe çudi se si ka mundur të realizojë një strukturë kompozicionale të tillë, sa të vështirë aq edhe moderne”.
Për çfarë kritikohej Ballanca në këtë vepër?
Kritikat u adresuan pikërisht për strukturën si dhe për personazhin kryesor. Personazhi ishte një njeri që kishte humbur kujtesën. Mirëpo realizmi socialist nuk pranonte që struktura kompozicionale të dilte nga shtrati dhe për më tepër u cilësua si një vepër me pikëpamje borgjezo-revizioniste pasi vetëm kjo literaturë vendoste si personazh kryesor njerëz të çmenduar apo me kujtesë të humbur. Ky roman Faik Ballancës iu kthye tre herë.
Kur do të fillonin t’i shfaqeshin traumat psikike?
Më kujtohet që një ditë i shkova në shtëpi, por nuk e gjeta. Më thanë se ishte shtruar në spital, tek pavijoni i neurologjisë. Shpejtova për ta shkuar atje. E kam vizituar çdo ditë. Hynin e dilnin dhe shkrimtarët e tjerë. Kur doli nga spitali, teksa punonim në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare, më thotë: “Më ka prerë krahët ky roman”. Ishte fjala për “Nomeja e largët” me të cilën ai punonte çdo ditë duke riparuar pjesët sipas vërejtjeve të bëra. I thashë me optimizëm se do t’ia dilte. Më pas ai shkoi për ca ditë në kampin e pushimit në Korçë.
Cila ishte gjendja e tij pas pushimeve?
Pandeli Koçi dhe Leonard Veizi
Sapo u kthye e mora në telefon. Ishte darkë. Më tha se ishte kënaqur në Korçë, madje i kishte rënë edhe kitarës. E lamë që të nesërmen të takoheshim. Do pinim kafe e do flisnim për punët e përditshme. Në mëngjes dal nga shtëpia dhe drejtohem për nga shtypshkronja Mihal Duri, të cilën e kisha fare pranë. Te portiku takova Adem Litën, redaktorin e vjetër, i cili më tha: “E more vesh, ka vrarë veten Faik Ballanca!”. Ishte krejt e pabesueshme. Sikur m’u shemb gjithçka mbi kokë. U ktheva menjëherë në shtëpi dhe këtë lajm ia dhashë nënës time. Ajo vuri kujën, sepse Faikun e konsideronte si djalin e shtëpisë. Mora rrugën për tek shtëpia e tij që e kishte diku pranë Medresesë. Vetëm kur pashë njerëz në oborr e kuptova që më e keqja kishte ndodhur vërtet. Deri në atë çast gjithçka më dukej një ëndërr. Ishte 5 marsi i vitit 1977.
Si do të zhvillohej funerali i Faik Ballancës, cilët morën pjesë dhe cilët e braktisin atë?
Në ato vite vetëvrasja ishte një veprim që dënohej politikisht. Nga Lidhja e Shkrimtarëve, Dritëro Agolli erdhi për ngushëllim para varrimit, por në varrimin e tij nuk mori pjesë as ai e asnjë nga kryesia. Madje as kurora nuk iu vunë. E vetmja kurorë ishte e një mikut të tij, një veteran lufte me emrin Stefan, i cili për shkak se kishte marrë tre plagë dhe e kishte parë vdekjen me sy, nuk donte t’ia dinte për rregullat e Partisë. Për vdekjen e Faik Ballancën nuk u shkrua asnjë resht në gazetën Drita. Ajo kaloi në heshtje të plotë.

Botuar në gazetën SHEKULLI më 27 prill 2013



Wednesday, July 20, 2016

"Martin Iden", ja përse duhet lexuar ky roman i shkruar nga Xhek London

Xhek London mbase nuk është shkrimtari tipik i parapëlqyer nga unë, por gjithsesi ai i ka dhënë botës letrare një vepër universale si romani “Martin Iden”. Kjo vepër është një gur kilometri, i cili duhet lexuar nga kushdo që pretendon se kërkon të ketë një formim letrar. Martin Iden, personazhi kryesor i romanit është një njeri krejt i rëndomtë, me një arsim të përgjysmuar e fjalor të kufizuar, që e siguron jetën nëpërmjet punës së lodhshme në det. Ai bie në dashuri dhe fejohet me Ruthin, një vajzë të shtresës së pasur. Një lidhje e tillë nuk shihet me sy të mirë nga askush. I vënë përballë një presioni të tillë, Martin Iden, me një vullnet të jashtëzakonshëm, jo vetëm përmirëson performancën e tij të sjelljes dhe të të folurit, por zbulon se brenda vetes ka dhuntinë e një shkrimtari. Me qëllim që të ngjitet në pozicione më të larta shoqërore,  dhe të jetë i denjë pranë të fejuarës së tij, ai braktis punët e thjeshta dhe i përkushtohet krijimtarisë letrare. Një gjë e tillë e fut dhe në një kolaps ekonomik. Mbas disa vitesh të dëshpëruara përpjekjesh, në përballje me gjithfarë sfidash e situatash, Iden humbet dhe motivin e jetës së tij, dashurinë e Ruthit. Pas kësaj goditjeje vijnë ditë të mbara. Krijimtaria e tij merret përsipër nga shtëpitë më të njohura botuese. Ai bëhet një shkrimtar i famshëm, gjë që i solli dhe shumë pasuri. Por e gjithë kjo përpjekje titanike e tij u shndërrua në një flluskë sapuni. Martin Iden i zhgënjyer nga gjithçka i jep fund jetës së vet. 
Ky libër më ka mbetur në kujtesë sepse e kam lexuar në një moshë kritike, jo më shumë se 14 vjeç, dhe në njëfarë mënyre u bë një busull orientuese.  Për mua nuk merr rëndësi fundi i romanit, zhgënjimi dhe vetëvrasja e personazhit kryesor. Mesazhet që unë kam marrë ishin ato të ambicjes dhe të vullnetit të jashtëzakonshëm të një njeriu, i cili nga asgjëja u ngjit në majat më të larta të shoqërisë. Ky besoj duhet të jetë një motiv për cilindo. Prandaj duhet lexuar “Martin Iden”.

Botuar në revistën GRAZIA - korrik 2015

Monday, June 27, 2016

Dy intervista me shkrimtarin Albatros Rexhaj

Albatros Rexhaj e Leonard Veizi
Albatros Rexhaj shpërthen në një manifest: Duhet të rebelohemi!

Leonard Veizi

...a mundet një letër dhe një laps të bëjë çudinë që e prisni dhe s’e dinim nga do vinte? Në një bllok me kapak të zi e faqe lisho, të shkruhen hapur mendime të guximshme, ato që shpesh thuhen pa zë me shpresën se askush s’do t’i dëgjojë. E pas kësaj të vijë një tjetër herezi a mëkat i paparë, botimi i një libri në kopertinën e të cilit pasthirma e një femre duket sikur të fton të futesh brenda saj. A mundet që ky libër, pak faqe të tij apo thjesht një paragraf i qëlluar mirë, të na shkundë nga letargjia kolektive dhe adrenalinën të na e çojë aty ku nuk mban më? E pas kësaj të vijë një rebelim i ethshëm. Nëse ndodh kjo, duhet të përgatitemi për më të “keqen”. Një kryengritje a revolucion ka ardhur te pragu i derës. Pa armë nukleare, sigurisht, pa ushtarë komando dhe detashment zbulimi. Për më tepër, pa ndonjë ngjyrim të shpëlarë dhe pa ndonjë reflektim ekzotik. Është thjesht një ngritje krye, i vetë mendimit tonë, deri tani pasiv e ndoshta disi... autik...

...Albatros Rexhaj këtë herë na vjen me një manifest. Një sprovë kulturore, sociale por dhe politike, as që diskutohet. Gjithsesi, është një thirrje politike e shprehur me një stil artistik. Padyshim, sot ka ikur koha e monopoleve, dhe Karli jo e jo, por as Fridrihu nuk ka ndonjë të drejtë autori. Ndërsa ne të tjetër nuk duhet të trembemi nga përdorimi i termit. E që të mos ngatërrohemi me fjalët, se mendja na kthehet pas në kohë e pezmatohemi shpejt, mund të thuhet se shkrimtari këtë herë ka publikuar një letër të hapur ku thotë ca gjëra të drejtpërdrejta, ca të çuditshme dhe ca të tmerrshme. “Jemi të pamotivuar, e duke qëndruar në pritje dhe në frikë, jeta na ikën nga duart”. Nuk duhet të lexosh veç kaq për të kuptuar se kemi rënë në grackën që na e kanë ngritur “të afërmit” tanë, ca politikanë e administratorë shteti, ca zengjinë me miliona dollarë në xhepa dhe ca të tjerë si punë akademikësh. Ndërsa vetë autori shkon më tej kur shkruan se janë pikërisht elitat tona që na duan të përgjumur dhe të mbërthyer në një gjendje autizmi kolektiv. Ndaj për t’i ikur mendësisë së përgjumjes ku na duhet të rizbulojmë dashurinë brenda vetes, autori na fton pareshtur në një kryengritje pa armë: Duhet të rebelohemi...

A është libri i ri një kontravers në këndvështrimin tuaj dhe i mënyrës së të shkruarit, kemi të bëjmë me letërsi apo me një manifest social-politik?
“Rebelimi i Lúlus” është një libër krejtësisht ndryshe nga ato që kam shkruar deri tani dhe të jem krejtësisht i sinqertë nuk di si ta klasifikoj si zhanër. Konteksti narrativ është imagjinar, pasi që narratori, tërë kohën, i shkruan Lúlus, ndërkaq gjërat dhe situatat, të cilave narratori u referohet, janë konkrete dhe shumë të prekshme për realitetin shqiptar. Ka elementë të një manifesti kulturor, social dhe politik, por sidoqoftë i tëri është i shprehur në një stil dhe frymë artistike. Personalisht unë e përjetoj si një letër të gjatë drejtuar lexuesit tim, por në radhë të parë vetes sime.

Si u motivuat për ta shkruar këtë libër?
Ideja për këtë libër më ka ardhur para shumë kohësh, në çastet e para të mëngjesit, atëherë kur e shihja veten në pasqyrë dhe brenda mendjes sime dialogoja me veten për çdo gjë që më ngulfaste. Këtë temë ka edhe libri, pasi përpiqet të japë përgjigje në pyetjen, çfarë nuk është në rregull me ne? Personalisht besoj se nuk kemi ndonjë defekt, por thjesht jemi të pamotivuar, ndërkaq, në të njëjtën kohë, udhëhiqemi nga një kastë njerëzish (nuk e kam fjalën vetëm për pushtetin) të cilët nuk duan që ne të ndihemi të motivuar për ndonjë gjë. Elitat tona na duan të përgjumur dhe të mbërthyer në një gjendje autizmi kolektiv. Këtu është thelbi i të gjithë librit: duhet të rebelohemi ndaj kësaj mendësie të përgjumjes dhe ta rizbulojmë dashurinë brenda vetes.

Dua të bëj një pyetje, por që të sqarojë tre çështje: Kush është Lúlu, përse duhet të rebelohet dhe kundër kujt?
Lúlu është një metaforë për dy potenciale të mëdha që fshihen brenda secilit prej nesh: të jemi arketip i fisnikërisë më të lartë apo të jemi sylesh, trashanik dhe lolo. Zgjedhja është e jona dhe është krejtësisht individuale. Lúlu ka shumë arsye për t’u rebeluar, por arsyeja më e madhe është se, duke qëndruar në pritje dhe në frikë, jeta i ikën nga duart. Për mua, nuk ka arsye më të madhe se kjo për t’u rebeluar, sepse sot koha e kërkon që të angazhohemi për të drejtën tonë që të ndihemi të përmbushur, të ndihemi vërtet të gjallë dhe jo se vetëm frymojmë. Lúlu, në radhë të parë, duhet të rebelohet ndaj vetes së vet, mënyrës se si jeton dhe autizmit dhe përgjumjes kolektive që i imponohet si model jete. Vetëm pas këtij rebelimi individual mund të flasim për forma të tjera të rebelimit, sepse unë besoj fuqishëm në atë se shqiptarët duhet të heqin dorë nga idetë kolektive (faji kolektiv, morali kolektiv, ankthi kolektiv...) që i kemi trashëguar nga e kaluara, por duhet t’i japim rast individit për ta dëshmuar veten. Vetëm një individ i përmbushur mund të ketë diçka për t’i dhënë kolektivit, përndryshe është vetëm barrë: ky është një nga mesazhet e rebelimit të Lúlus.

Në këndvështrimin tuaj, cili është mentaliteti i shqiptarit në koncept dhe mënyrën e të jetuarit, a ka ai më shumë qasje ndaj botës së hapur?
Këndvështrimin tim për këtë çështje e kam shprehur, me anë të metaforave shumë të thjeshta në libër. Konsideroj se shqiptarët janë shumë kreativë dhe kanë prirje për të përqafuar modele vërtet liberale të të jetuarit, atë që cilësohet si shoqëri e hapur, por ne asnjëherë nuk kemi pasur rast që ta shijojmë dhe ta jetojmë këtë mundësi. Elitat tona, në vend që të na inkurajojnë, bëjnë çmos të na bindin se në këtë vend asgjë nuk funksionon dhe se askush dhe asgjë nuk vlen. Kjo bindje e gabuar vetvetiu e instalon logjikën e ligjit të xhunglës, diçka që e ndiejmë çdo ditë dhe prej të cilës trembemi e jetojmë në ankth.

Elita intelektuale dhe ajo politike në Shqipëri, çfarë i bashkon dhe i ndan ato?
Ky detaj është një pjesë e trajtimit në libër, për shkak se ne, si shoqëri, jemi aq shumë të politizuar saqë politika na imponohet në çdo hap. Lúlu vjen në përfundimin se elitat tona intelektuale dhe politike janë në një raport cambera obscura d.m.th pasqyrojnë tërësisht njëra-tjetrën dhe po ashtu e mbështesin njëra-tjetrën. Dhe në këtë simbiozë të çuditshme pëson kultura, pëson arti, pëson edhe sporti, pëson mënyra jonë normale e të jetuarit, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të asaj se sot në Shqipëri bashkëjetohet me ankthe dhe strese të vazhdueshme.

Cilës kategori i drejtohet libri juaj, kam parasysh që ju jetoni në Prishtinë, por duket sikur libri është shkruar duke jetuar në Tiranë. Ka të bëjë kjo me shkrirjen e kufirit sa real aq dhe imagjinar mes dy Shqipërive?
Jetoj në Prishtinë, por shpirtërisht tashmë jam bërë pjesë e Tiranës. Libri im, në radhë të parë, i drejtohet lexuesit dhe publikut në Tiranë dhe Shqipëri, për shkak se besoj që tashmë kemi hyrë në një fazë ku modeli që kultivohet në Tiranë ka fuqi të klonohet me të shpejtë në të gjithë hapësirën shqiptare dhe të krijojë standard të sjelljes dhe të të menduarit. Në një kohë ku hapësira mediatike dhe ajo kulturore tashmë është shkrirë në një të vetme (vetvetiu, si proces i pavarur nga politika) është vetëm çështje kohe kur modelet e komunikimit, artikulimit dhe ndërtimit të shoqërisë po ashtu do të shkrihen në një të vetme. Si artist, por mbi të gjitha si shqiptar, besoj në atë se sot Tirana, si metropol dhe si kryeqytet politik e kulturor, njëjtë si Lúlu, është para dilemës: të jetë arketip i fisnikërisë më të lartë apo një model që kultivon syleshë, trashanikë dhe lolo. Jam i bindur në atë se modeli kulturor dhe shoqëror që (pavarësisht së ku jetojnë) do të udhëheqë të gjithë shqiptarët në mileniumin e ri, sot po farkëtohet në Tiranë. Të gjithë ne duhet të angazhohemi që ky model të jetë një model i ri, një model frymëzues dhe jo një kopje e zbehtë e së shkuarës. Ne si shoqëri duhet të lirohemi nga kthetrat e pushtetit të heshtur të politikës ditore dhe të krijojmë standarde të reja, mbi të gjitha standardin që do të na krijonte mundësinë të ndihemi të përmbushur në vendin tonë.  

Postuar në ResPublica më 29 Tetor, 2015

__________________________________________   


INTERVISTA/ Albatros Rexhaj: Ballo e Fevziut me futi në debat me Muç Nanon. Krijuesit nuk duhet t’u tremben ndryshimeve dhe të refuzojnë çdo gjë që është ndryshe

Leonard Veizi

Nën zë dhe publikisht, madje pa e çarë fort kokën se çfarë mendojë një palë e dytë apo më tej se kaq, Albatros Rexhaj thotë se është një shkrimtar me moshë relativisht të re, pra nën të 40-tave. Dhe kjo është më e përdorshmja e mundshme prej tij, sepse ka edhe të tjera thagma që të bëjnë të qeshësh fort apo të mendohesh thellë. Sa për stilin e veshjes nuk e njeh gravatën dhe mbath një palë xhinsa, tek xhaketë e bluza me stampa ku shkruhen emra bandash metali. “Kjo puna e të 40-tave është punë djalli, - i them, - unë ka ca vite që e kam kaluar traun e doganës”. Jemi në një bar pranë Rezidencës Qeveritare, apo “vilës së Enverit”, siç njihet ndryshe. Albatrosi është krejt i qetë, ose ndoshta thjesht tregohet si i tillë. Megjithëse... Heq dorë nga paragjykimet.  “Mos u shqetëso, - më thotë, - Një ditë do të kthehemi dhe ne në relike. E ka thënë Alfred Jary” . Në fakt unë e kam pranuar se kam hyrë thellësisht në moshën e mesme, se ç’thotë Alfredi, tanimë pak më intereson, por... ndoshta më lehtëson. Hahahha... qesh me zë. Albatrosi është i qeshur ndërkohë, energjik, e duket sikur asnjë grimasë trishtimi nuk e vë nën vete. Pimë kafe. “E çfarë thotë Fredi?”, e pyes duke tentuar të bëj një gjysmë shakaje me fare pak kripë. Ai e ka në mend sentencën e nuk ka nevojë të mendohet. “Unë jam rebeluar ndaj gardës së vjetër, por do të vijë një ditë kur disa të rinj të së ardhmes do të shohin mua si një relikt i së shkuarës”. Burrë i mençur Alfredi. Mund t’ia ‘huazosh’ fjalinë, me ca ndryshime, por do të thonë se është plagjiaturë. Mendohem ca. E pyes me pak tendencë:  “Pse u përplase me Muç Nanon për Ballon e Fevziut?” E ke gabim, - më thotë - Muçi është një nga simbolet e shpirtit urban të Tiranës, por kjo nuk do të thotë të mos ndajmë mendime të kundërta”. Unë ndez një cigare, Albatrosi më thotë se nuk e pi, por nuk ma prish dhe e tymos një për të më shoqëruar. “Të themi që janë xhelozira rivalësh, dhe mungese e një ftese për të qenë në Ballo?” e pyes me kast. “Mos e fol, - ma kthen. – Shyqyr që nuk më ftoi Fevziu. Do të më duhet t’i jap një kafe për këtë. Ndryshe do të më duhej të prishja një dorë me para të paparashikuara, për t’u veshur shik, kostum... këpucë... Duhej gjetur ndonjë firmë e mirë... Bela e madhe. Shpëtova”. Nuk kam ndër mend të pres të më thotë më shumë. “Sikur të të bëj një intervistë, - i propozoj. - Të themi ca gjëra të pathëna”. “Si të duash or plak, - ma kthen Albatrosi nga Prishtina me një gjuhë që rëndom përdoret nga ‘çunat e Tironës’ – po ca si vështirë të themi gjëra të reja”. Nuk ia vë shumë veshin, ndez ‘voice rekorder’-in. Shpëtim i madh ky celulari. Shyqyr që nuk e kisha harruar në shtëpi. “Gjithmonë ka gjëra të reja, - ia kthej, - ose të paktën të tentojmë të duken si të tilla”. Albatrosi shuan cigaren në tavëll. Ndodhemi në ambient të hapur. Kamerierët janë të terrorizuar nga frika e gjobave. Jemi në Bllok o vëlla, të shohin 100 sy. Përqendrohem tek Albatrosi. Nuk e kam më mik..., as shok..., as koleg. Tanimë është thjesht një personazh. Më duhet ta kryqëzoj. Ec e ta kryqëzosh Albatrosin, mendoj për një sekondë. Në konceptin e tij të hershëm por dhe atë të sofistikuar rrugës me mirëkuptim e menaxhim alla perëndimor, Albatros Rexhaj ka tendencën e një konceptim më universal për sa i përket të shkruarit, të krijuarit, apo dhe vetë jetës së një njeriu të letrave që jo domosdoshmërish është shkrimtar fiksional. “Them ta nisim nga ky këndvështrim”, - i them. “Ti ke të drejtë të pyesësh, unë të përgjigjem”, - më thotë ai. Dhe kaq...

Ju jeni i prirë nga ideja e mospasjes më kufij mes shkrimtarit, gazetarit, filozofi apo historianit dhe mbi të gjitha kundër të konceptit në formë pyetje “Pse”. Deri ku shkon kjo praktikë e juaja?
Në një botë ku informacioni shkëmbehet pa kurrfarë barrierash, është iluzion të mendohet se mund të ketë kufij në mes të shkrimtarit, gazetarit, filozofit, historianit dhe kujtdo tjetër që mendimet e veta i shpreh në të shkruar. Shembulli më i bukur i kësaj është libri "Një histori e shkurtër e kohës", shkruar nga fizikani Stephen Hawking, ku problemet më të thella të origjinës dhe fundit të universit nuk shpjegohen me gjuhën komplekse të praktikës akademike, por rrëfehen me thjeshtësinë më të madhe të mundshme. Pakkush nga ne merr vesh në formula të fizikës kuantike, por kushdo që ka lexuar librin e Hawkingut kupton thelbin e problemeve të lindjes dhe fundit të universit. Ky shembull dhe shumë të tjerë tregojnë se kufijtë kreativ janë shlyer. Kjo do të thotë se në komunikim me publikun e gjerë, sot flitet nga pozita e rrëfimtarit dhe jo e profesorit më të rreptë të shkollës. Mendoj se kjo është një nga pikat më revolucionare të zhvillimit të mendimit njerëzor, sepse publiku i gjerë refuzon idenë se informacioni i caktuar është privilegj i një pakice të caktuar. Unë jam ithtar i artit i të shkruarit, si koncept që i përmbledh të gjitha. Në kohën që po jetojmë, arti i të shkruarit nuk identifikohet më vetëm me shkrimtarin dhe letërsinë. Koncepti i ri të shkruarit është i ashtuquajturi shkrimi kreativ, ku kreativiteti përkufizohet si një fushë e pafund jo vetëm e imagjinatës, por edhe e guximit intelektual. Si rrjedhojë, të shkruarit sot ndahet vetëm në dy gjini themelore: FICTION dhe NONFICTION. Nëse analizojmë tregun botëror të botimeve shohim se kjo formë e re të shkruarit ka marr hov, madje librat e zhanrit CREATIVE NONFICTION dominojnë toplistat. Te ne, pak si rrjedhojë e mosnjohjes dhe pak si dëshirë për zhvlerësim, ky zhanër quhet publicistikë - diçka që lidhet me publikimin e rregullt apo periodik në media të shkruara. Mendoj se nuk duhet të mbyllim sytë para ndryshimit të mendësive që po ndodh kudo në botë dhe nuk duhet të kapemi me ngulm për konceptet e vjetra, pasi që kështu do të dukemi komik. Madje bëhemi shumë komik kur dikujt i shtrojmë pyetjen "Pse". Nuk pyetet dikush pse e shkroi një vepër të caktuar, pse e pati një qasje të caktuar, pse mendon kështu apo ashtu? Shqiptarët duhet të kuptojnë se kohërat kanë ndryshuar dhe se transparenca e frymës së revolucionit kulturor kinez ishte një eksperiment i dështuar. Pyetja "pse" është diçka e shëmtuar, sepse paraqet ndërhyrje në thelbin e lirisë kreative dhe intelektuale të individit. "Pse" mund të përdoret vetëm para përgjegjësisë penale në gjyq, por, madje edhe aty, i pandehuri ka të drejt të mos përgjigjet. Jam i vetëdijshëm se, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, shumëkush e sfidon mënyrën time të menduarit, por unë jam i bindur se jam rreshtuar në anën e duhur të rrjedhave të kohës.

Ju thoni se piramida e lajmeve në mediat shqiptare që domosdo fillon me politikën dhe përfundon me kulturën dhe sportin, është relikt i Luftës së Ftohtë. Jemi ne që vazhdojmë përjetojmë në kokën tonë ende Luftën e Ftohtë, apo një pjesë e shoqërisë e ka kapërcyer këtë dhe kërkon gjëra të reja?
Karakteristikë bosht e luftës së ftohtë ishte filtri politik që i vihej çdo segmenti të jetës, përfshirë edhe mediat dhe kulturën. Këtë e bënte edhe perëndimi, ku arti, kultura por edhe media e lirë u vunë në funksion të luftës kundër komunizmit. Në këtë logjikë, në themel të piramidës së lajmeve ishte politika, ndërkaq informacioni për çdo gjë tjetër mbindërtohej mbi politikën. Kjo tani ka ndryshuar dhe tendenca është që në themel të piramidës së lajmeve të vendoset njeriu dhe jeta e tij. Ky ndryshim i qasjes ka nxitur edhe transformimin e medias botërore dhe profilizimin e saj. Fatkeqësisht, ne jemi prapa këtij trendi dhe median ende e konceptojmë me filtrat relikte të luftës së ftohtë. Këtu e kam fjalën për elitat, sepse publiku i gjerë ka kohë që kërkon gjëra të reja. Ata që dyshojnë në këtë që unë them le të pyesin pse brezi i mesëm dhe brezi i ri nuk i ndjek edicionet informative të lajmeve. Është gabim të mendohet se atyre nuk ju interesojnë lajmet: thjesht ata duan një tip tjetër të edicionit informativ, diçka që korrespondon me mënyrën e tyre të të menduarit.

Dashur apo pa dashur ju futeni në polemikë me gazetarin Mustafa Nano dhe rrihni mendime të ndryshme rreth konceptit të promovimit të librit “Ahmet Zogu, presidenti që u bë Mbret” shkruar nga Blendi Fevziu...?
Për mua Mustafa Nano paraqet një nga simbolet e shpirtit urban të Tiranës, por në këtë polemikë, e pata përshtypjen, se u rreshtua në krahun e atyre që i tremben ndryshimeve dhe refuzojnë çdo gjë që është ndryshe, përfshirë edhe gjithsecilin që vjen nga jashtë grupimeve të caktuara qoftë të interesit apo të shoqërive të caktuara. Cak i shkrimit tim ishin këta element të shoqërisë sonë, të zhytur në intriga, thashetheme dhe xhelozi që rrejshëm e prezantojnë vetën si një elitë intelektuale e të gjithëdijshme. Secili që ka parë pak botën e di se kjo elitë e vetëshpallur nuk është gjë tjetër pos një koleksion vanitetesh.

Në shkrimet tuaja gjatë kësaj polemike, ju jeni shprehur kështu: “Ballo në Pallatin e Brigadave”. Përse keni përdorur këtë term?
Ballot organizohen me qëllim të shënimit të një feste të caktuar, për të përmbyllur një cikël aktivitetesh apo për t'i vënë kupën një suksesi të caktuar. Libri "Ahmet Zogu - Presidenti që u bë mbret" ka pasur një sukses të padiskutueshëm në shitje dhe kam përshtypjen se Fevziu ka dashur që sipër këtij suksesi të vë edhe një kupë, ndoshta edhe si reaksion ndaj zhurmës së nëndheshme të elitës së vetëshpallur që ka ndjekur me xhelozi suksesin e librit. Deklarimi si "promovim i librit" mbase mund të ketë qenë sebep i mbledhjes së gjithë atyre njerëzve, por gjithçka tjetër i ngjante një balloje solemne. Kjo vërehet nga qasja e organizatorit, spektri i të ftuarve, vendi që u zgjodh për këtë ngjarje, por edhe nga vetë qasja e të ftuarve, të veshur thuajse i kishte ftuar vetë Mbreti Zog. Nuk e di nëse kjo vërtet ishte ideja e organizatorëve, por kjo ishte përshtypja ime. Personalisht, mua kjo mund edhe të mos më pëlqejë - si natyrë jam i prirë pas gjërave më modeste - por si ithtar i lirisë kreative nuk mund të bëhem pjesë e atyre që kritikojnë pse u zgjodh pikërisht ky format.

Sa dakord dhe kundër jeni rreth shprehjes së përdorur prej Mustafa Nano kur thotë shqip dhe shqeto: “Fevziut i pifsha dollinë dhe i qifsha promovimin e librave”?
Përsëri duhet të pozicionohem prapa mbështetjes pa rezervë për lirinë kreative të secilit, që do të thotë se Mustafa Nano ka të drejtë në përzgjedhjen e mënyrës si ai dëshiron të shprehet. Megjithatë, në këtë rrafsh të të menduarit, edhe Mustafa Nano duhet të pranojë legjitimitetin e përzgjedhjes kreative të Fevziut dhe botuesit të tij rreth mënyrës se si duan të promovojnë librin. Ka kaluar koha kur kemi mundur t'i bëjmë censurë njëri-tjetrit.

Ju i keni reaguar Mustafa Nanos për tërheqjen e paraleles me figura të showbizit si Bleona Qerreti e të tjerë...?
Korrektesa është ana tjetër e medaljes në këtë debat. Mund të mos na pëlqejë kjo gjë, por, Bleona dhe personazhe të tjera të showbizit, kanë të drejtë në përzgjedhjen e tyre kreative rreth mënyrës si duan të promovojnë veten. Megjithatë, nuk kuptoj si mund të tërhiqet paralele mes njëra tjetrës: nuk mund të thuash "promovim faraonik i librit të Fevziut" dhe përballë kësaj të përdorësh nocionin "Bleonaqerretizëm", sepse nuk shkojnë njëra me tjetrën, pos nëse ke për qëllim përuljen e tjetrit. Pastaj më ka habitur se si, nga një pjesë e komunitetit medial në Tiranë dhe në Prishtinë, ky krahasim u pranua si i mirëqenë dhe ju dha statusi i faktit. Kam përshtypjen se njerëzit e jetës publike konceptet "rivalitet" dhe "kolegialitet" i shohin si dy nocione të kundërta. Kjo është shumë gabim dhe për keqardhje, pasi që rivaliteti lind vetëm në mes të kolegëve, pjesëtarëve të një komuniteti apo prirjeje të caktuar, dhe nuk duhet ngatërruar me konceptin e armiqësisë. Kolegët polemizojnë dhe aty vjen në shprehje rivaliteti i tyre intelektual, së paku kështu do të duhej të ishte. Fatkeqësisht, te ne, polemikën nuk e kuptojnë si një shkëmbim mendimesh të kundërta por si një duel pështymash. Sidoqoftë, unë e kam parë me kërshëri këtë zhvillim dhe më ka dhënë një element frymëzues që do ta përdorë në librin tim të radhës.

Një promovim libri spektakolar është domosdoshmërish jo zhgënjyes për përmbajtjen dhe stilin dhe atë çka përcjell libri në vetvete?
Promovimi është demonstrim i fuqisë dhe jo domosdoshmërish ka lidhje me përmbajtjen. Rrallëherë ndodh që promovimet të mbledhin lexuesit e vërtetë. Promovimet i kuptoj si një eksperiment social dhe një lloj mekanizmi i matjes së ndikimit që X apo Y ka në shoqëri. Në rastin konkret, të ballos solemne në Pallatin e Brigadave, ka pasur kritika për praninë e krerëve të shtetit dhe të politikës shqiptare. Si komunitet i njerëzve të letrave, tërë kohën ankohemi për një injorim të vazhdueshëm nga politika dhe kur ndodh diçka, si kjo me rastin e librit të Fevziut, paradoksalisht reagojmë me të keq. Ka shumë elemente pozitive në atë që ka ndodhur gjatë ballos së Fevziut, që i kam përmendur edhe në polemikën e zhvilluar, por tani do të shtoja diçka tjetër, mbase edhe shumë më të rëndësishme. Kam përshtypjen se politika, krahu i majtë dhe i djathtë, takimin ne Pallatin e Brigadave e kanë parë si mundësi për të filluar përmbylljen e procesit të pajtimit kombëtar. Për mua, udhëheqësit e të majtës shqiptarë, më shumë se për Fevziun shkuan për të treguar një gjest korrektësie ndaj ithtarëve të Mbretit Zogu. E di se shumëkush tani do të ngrijë vetullat e dyshimit, por me vetë faktin se kemi dy festa të ndara të çlirimit, 28 dhe 29 nëntor, është tregues se procesi i pajtimit kombëtar është ndërprerë që në fillim të viteve të 90-ta. Edhe pse po trokasim në vitin 2015, për dikë Mbreti Zog është burrështetasi më i mirë që ka pasur Shqipëria, për dikë tjetër është tradhtar dhe e njëjta vlen për Enver Hoxhën, nga disa ende shihet me admirim ndërsa disa të tjerë e shohin si diktator të egër. Ne nuk mund t'i themi askujt pse mendon kështu apo ashtu për Mbretin Zog apo për Enver Hoxhën, por megjithatë duhet gjetur një normë të pranueshme për të gjithë, mbi të cilën mund të tejkalohen barrierat ideologjike dhe të përmbyllet procesi i pajtimit kombëtar. Për mua, shkëmbimi i këtyre sinjaleve gjatë një balloje, të organizuar me shkasin e një libri, është një gjë shumë e shëndetshme për shoqërinë shqiptare.

Nëse do të kishit një ftesë nga Blendi Fevziu për Ballon tek Pallati i Brigadave do ta merrnit rrugën nga Prishtina?
Unë ia di shumë për nder Fevziut që nuk më ka ftuar. Si natyrë jam një tip ndryshe, pak më i tërhequr dhe gjatë paraqitjeve publike problemin më të madh e kam veshjen. Unë jam ithtar i veshjes CASUAL, mundësisht edhe para Presidentit të  Republikës. Sikur të kisha marr ftesën atëherë do të detyrohesha të harxhoja më së paku 1000 euro vetëm për veshje, sepse në takime të tilla njerëzit nuk të vlerësojnë për atë çfarë ke veshur, në kuptimin si shije, por sa ka kushtuar ajo që e ke veshur, thuajse vlera e kostumeve po ia rritka vlerën edhe njeriut. Thënë të vërtetën, si shumë shqiptarë të tjerë, kohëve të fundit edhe mua më ka kapluar kriza ekonomike dhe prania ime aty nuk do ta arsyetonte investimin që do të duhej të bëja. Pos kësaj - po e them si humor por gjithsesi në çdo humor ka pak dromca vërtetësie - unë jam natyrë që nuk mund të qëndroj indiferent ndaj të bukurës. Në mesin e gjithë atyre bukurosheve të veshura me modën e fundit, kam frikë se do të më çrregullohej tërësisht sistemi i frymëzimit kreativ.

Postuar në ResPublica më  21 Dhjetor, 2014 15:48




Thursday, June 23, 2016

Humori që buron nga markata e statuseve mbarëpopullore

nga Leonard Veizi

Jemi popull me humor. Në ditë të mira e në ditë zie. Buron humori këtu te ne e s’ke ç’thua. Dhe me siguri, duhet ta kemi nga dielli me tepricë. Madje humorin më të madh e kemi kur fillojmë të reagojmë, ca me naivitet agresiv e ca me një hipokrizi që e kapërcen vetë hipokrizinë. E për çdo rast e kemi një emblemë ku kapemi me thonj e dhëmbë, Zoti. Të vdesësh gazit nga humori. As në Estradën e dikurshme të Shtetit nuk e gjeje këtë frymë, as në Parlamentin e sotëm. E gjen në një reagim mbarë popullor, gjë që si zor se ka bërë vaki më parë. Tanimë duket sikur rrimë në përgjim, të na ndodhi një gjë e keqe që të kemi mundësi të shfryjmë mllefin që na ka pushtuar. Por për djall kur nuk je mësuar të reagosh, dukesh aq qesharak sa është pak të të zënë me shqelma e të të përçmojnë.
Parantezë, në vazhdim të këtij argumenti:
Nuk ka gjë më qesharake të thuash se, njeriu e beson Zotin, e adhuron atë dhe i bindet. Asnjë nga këto të tria nuk vlen. Nuk ka vlejtur asnjëherë në fakt. Për më tepër që, një gjë e tillë ka të bëjë me ndërgjegjen. Pra me diçka krejt të padukshme e të paprekshme. Duket se njeriu te Zoti ka parë gjithmonë atë qenien e mbinatyrshme, shpirtmadh, që ia duron të gjitha marrëzitë deri në ekstrem, por që e fal në çastin e fundit vetëm se ai tregon një sekondë pendes. E meqenëse na qenka gjetur një rrugë shpëtimi - të përfitojmë nga rasti, të rrëmbejmë ç’të mundemi. Ka kohë për pendesë. Të gjithë do shkojmë në Parajsë, e sigurt. Nisur nga të gjitha këto ka një përfundim jo shumë të cekët, por të thjeshtësuar gjithsesi: Njeriu jo vetëm që nuk e beson Zotin, por përçudnon në emër të tij. Mashtron, vret e pret, dhe pastaj bën të pabërën, shkon në një objekt kulti llum i papastër dhe mendon se prej andej do të dalë siç e ka bërë nëna. Të gjitha do harrohen. Në fakt nuk është kështu. Asgjë nuk harrohet. Gjithçka mbetet në kujtesë. Por me sa duket, jemi mësuar ta përdorim një objekt kulti si të ishte një lavatriçe ku futemi të pisët e dalim të hekurosur. Ndërkohë, duhet të ndodhë e kundërta: duhet të futemi të pastër e të dalim qelibar.
Argumenti nis sërish nga fillimi:
Ndodh rëndom që sa herë në portalet online qarkullon ndonjë video - ku një burrë rreh gruan sa i ha dora, ku një grua shkarkon mbi trupin e burrit një karikator me fishekë e i duket pak, apo një idiote dhunon një fëmijë se aq i thotë truri, - nis fill dhe një fushatë e nxehtë statusesh. O “Zot...” njëri e “o Zot...” tjetri. Të gjithë Zotit i drejtohen. Jo se u vjen kaq keq, por se më së shumti e shohin veten po aq protagonist sa ai që rreh e vret. Pra, si të thuash, me këtë rast bëjnë dhe një si punë katarsisi. Por gjithsesi, çfarë nuk gjen në markatën e reagimeve online. Ka statuse njerëzish që dinë të thurin ca fjalë dhe të tjerë që kërkojnë ndihmë se s’kanë mësuar ende shqip. Shumë rendin të publikojnë statuse me katër fjali e tre mallkime. Ca të tjerë për përmirësimin e situatës se vanë 25 vite demokraci e kemi mbetur në vend numëro. Domethënë, vazhdojmë të jemi si në vitet ’90. E për t’u dukur si më elokuent e të lexuar, ca huazojnë shprehje nga Bibla e të tjerë nga Kur’ani. Ca përmendin engjëjt e ca të tjerë satanain. Ca mundohen ta rrisin piacën kur kërkojnë të zhgërryhen në labirintin e reformave, të dekriminalizimit apo të borxhit të jashtëm dhe prodhimit të përgjithshëm bruto. Ca të tjerë e kanë pazarin më të ulët, e anashkalojnë analizën globale që shkon deri te kandidimi i Trampit dhe kalkulojnë formacionin e De Biazit me kombëtaren. Por në shfrim e sipër vijnë dhe nja tetë a nëntë pikëpyetje me radhë: “Ku është shteti? Ku është Presidenti? Po Kryeministri? Po Policia, Ministria e Punës Çështjeve Sociale Shanseve të Barabarta, e Rinisë, Sporteve… ajo e Bujqësisë edhe e Ushqimit mor amani se desh harruam. O po ku janë fshehur këta se nuk po e marrim vesh?”
Vazhdon lumi i statuseve. Ca me fotografitë e tyre e të tjerë më profile false. Por tek e fundit, duhet ta themi fjalën tonë, ndryshe nuk quhet. Se ja, kanë folur këta “peco-grosot”. Le po janë hedhur në sulm edhe “plebejtë”. Si të mos e lëshojmë dhe ne ndonjë status. Katër fjali janë të shkretat. I futim një të sharë për qejf tonë, përmendim dhe Zotin që të jemi në rregull dhe shohim sa like do marrim.
Në vend të epilogut:
Nuk e kam me reagimin, se shyqyr që kemi mësuar të reagojmë së fundi. Por nuk di pse duken kaq false e mjerane shumica e tyre, se duan të thonë diçka e s’thonë asgjë. Por dhe në këtë rast e kanë një të mirë: i japin material sa të duash, Estradës së Shtetit apo show-t të kabareve.

Postuar në 23 qershor 2016