Thursday, June 4, 2015

Mendime rreth krijimtarisë në përgjithësi




1 - Lexuesi do të çmojë në prozën e Leonard Veizit sidomos karakterin e shpenguar të tregimeve, shpërfaqjen e asaj pjese të vetes njerëzore që zakonisht është gjendur nën ndalimin e jashtëm dhe të brendshëm. Në letërsi kjo hyn në shkrimet intensive, përndryshe nga një letërsi tradicionaliste, e mbështetur kryesisht mbi vlera ekstensive: numri i personazheve, i linjave të veprimit, i kulminacioneve etj. Këtu mund të bëhet fjalë vetëm për tensione psikologjike dhe të thellimit të mendimit. Me një term jo dhe aq të përdorur, libri i Leonard Veizit është letërsi e endo-kozmosit.
Shaban Sinani – studiues

2 - Me gjithë karrierën e gjatë si gazetar në shtypin e shkruar, ma do mendja që Leonard Veizi s’kish për të krijuar dot një kuadër me ngjyra kaq të gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç’arrin ta krijojë me prozën e vet fikcionale dhe t’ia përcjellë lexuesit. Kaq sa për të cytur kureshtjen e lexuesit, për më tej lypset ta ngrini vetë perden e një bote, në skenën e së cilës, siç na kumton Veizi me prozat e veta, jemi aktorë dhe autorë njëkohësisht.
Virgjil Muçi – shkrimtar, kritik

3 - Komponent i rëndësishëm në formësimin e individualitetit krijues të Leonard Veizit, është edhe prirja në kahje të një proze neorealiste që është brenda unit krijues natyral të tij, ku elementë të prozës moderne integrohen harmonishëm, çka e ravijëzojnë dhe fuqizojnë origjinalitetin krijues të autorit në plotësimin e vetvetes krijues si synim i përhershëm.
Mexhit Prençi – kritik

4 - Që të lexosh Leonard Veizin duhet të “përgatitesh mirë”. Duke zotëruar aftësinë e të treguarit, ai të mban pezull për të mësuar fatin e personazhit. Përgjithësisht në të gjithë vëllimet e këtij autori ku ka shumë personazhe. Madje këta personazhe të tij janë njerëz mëse të zakonshëm, që fare rastësisht gjenden brenda një ngjarjeje të caktuar dhe kështu marrin rolin e protagonistit.
Mimoza Erebara – shkrimtare

5 - Autori e di se çfarë do të thotë me atë që shkruan dhe këtë e jep në mënyrë të plotë, në formë, stil dhe në përmbajtje. Proza e këtij autori është e thjesht. Ajo të rrëmben dhe duke u shfaqur para teje si imazhe filmike, të rrëmben me magjinë e fjalës, tensionin që krijohet nga situatat, dhe në fund nuk të mbetet të admirosh zgjidhjet tejet origjinale. Kjo e bën atë të dallueshëm në morinë e botimeve shqiptare.
Kliton Nesturi – shkrimtar

6 - Arma më e fortë e Leonard Veizit është dialogu. Ai ngrihet dhe ulet me mjeshtëri, nuk të lë në baltë. Rrëfimin dhe vijueshmërinë e fabulës e lë në duart e dialogut. Proza e tij është racionale, është me këmbë në tokë, është e lexueshme, e ftohtë, ndonjëherë deri në cinizëm. Situatat ndodhin në ambientet ku ne gëlojmë çdo ditë, por ato skicohen shumë lehtë, u ngjasojnë grafikave. Konturet e qarta të ndodhisë krijojnë dimensione hijesh që përplasin mendimin tonë për më shumë se kaq.
Miranda Haxhiaj – shkrimtare

7 - Te proza e Leonard Veizit ndjen se nuk ka më tema tabu, nuk ka fjalë tabu, nuk ka skena tabu, nuk ka copëza jete të mbyllura apo të paprekshme, Në këtë risi të përmbajtjes do të thosha se autori është vazhdimisht në kërkim të letrares, Sepse edhe Borgesi gjithmonë ka qenë në kërkim të letrares e nuk e ka mbyllur me një vepër. Duke prekur prozën e Veizit shohim gjurmë të një prozatori konsekuent. Dua të them që rrëfimi i tij, në mënyrë personale është ashtu i çlirët, i derdhur e jashtë kornizave. Unë do të thosha se ai ka një mënyrë të vetën të rrëfimit, e tërë materia na vjen në mënyrë krejtësisht të veçantë, dhe kjo është në fund fare është një tregues i rëndësishëm
Behar Gjoka – shkrimtar, studiues

8 - Shkrimtari dhe publicisti Leonard Veizi i ka kushtuar një vëmendje jashtëzakonisht të admirueshme strukturës narrative. Dialogu i personazheve është i mrekullueshëm e i mprehtë. Struktura gramatikore, zhargoni gjuhësor, koha e foljeve dhe drejtshkrimi i fjalëve, tregojnë se autori ka njohuri të shkëlqyera e profesionale të gjuhës shqipe, që e bëjnë romanin shumë interesant, me ide dhe mendime të thella e të detajuara, rreth konfliktit shpirtëror, artistik e filozofik, dhe jo vetëm kaq – mesazhi i tyre është mjaft prekës.
Raimonda Moisiu  - shkrimtare, gazetare



No comments:

Post a Comment