Tuesday, June 2, 2015

Mendime rreth romanit LORA



Botuesi Luan Pengili duke prezantuar romanin LORA


Leonard Olli si moderator, gjatë prezantimit të romanit LORA

Mexhit Prençi – kritik, studiues
Me Mexhit Prençin
E kam ndjekur me vëmendje krijimtarinë tregimtare dhe romanore të Leonard Veizit. Që në tregimet e para vlerësoj talentin dhe prirjen psikologjike për të zhbiruar botën komplekse të personazhit çka është veçori e personales artistike të tij. Këtë qasje e ka aplikuar me sukses edhe në romanin “Lora”. Romani është shkruar në mënyrë të tillë që lexuesi hyn natyrshëm në marrëdhënie me tekstin, pa ndonjë imponim apo trysni të autorit, siç ndodh në prozën e angazhuar, përkundrazi sipas shijeve, dijeve dhe nivelit të leximit e kulturës së tij, gjykon me liri të plotë dhe merr atë që ai shikon, percepton dhe përjeton. Theksoj kryeherës se romani “Lora” është reflektim i realitetit historik dhe aktual real, më i përsosur se ai i jetës, siç do ta analizoj në vazhdim të kësaj optike kritike. Është roman shumëdimensional si në rrafshin e formës ashtu edhe të përmbajtjes, madje edhe shumëkuptimorë e shumëmesazhorë. Ndryshe nga krijuesit që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur strukturimit të veprës, Veizi e ka vlerësuar maksimalisht si komponent substancial i romanit.

Rezarta Reçi - gazetare

Me Rezarta Reçin
Lora, një roman shume tërheqës! I strukturuar bukur, qartë dhe ku spikat vetëdija shkrimtarore. Karaktere të skalitura, ngjarje e pasazhe jetë me një gjeografi të admirueshme, marrëdhënie sociale dhe dashurore, lidhje seksuale dhe pasionante, njerëz që shfaqen e shpërfaqen duke u transformuar bindshëm sipas rrethanave. Krim dhe suspancë, befasi dhe surpriza të mirëmenaxhuara në çdo faqe libri, fate njerëzore të skalitura që të përfshijnë në vorbullën e tyre. A e kemi ne në dorë fatin tonë? Apo fati na merr për dore e na shndërron, duke na bërë çfarë nuk duam të jemi? LORA të mban mbërthyer edhe për stilin e zhdërvjellët të të rrëfyerit, dialogun konciz e të bukur, pasazhet e meditimit dhe analizës së vetveteve.., gjuhë e pastër! Një copëz realiteti shqiptar dhe jo vetëm, i një shoqërie në transformim të pas 90-tës është në roman, Jemi ne, në përpjekjen e fortë për të mbetur njerëz, në realitetin që na shket poshtë këmbëve... Urime Leonard Veizi! LORA jote duhet lexuar për shumë e shumë arsye!

Kliton Nesturi - shkrimtar

Me Kliton Nesturin
Romani “Lora” i Leonard Veizit dhe botuar nga Omsca-1, botuar ditët e fundit, ka ngjallur mjaft kureshtje dhe debate. Ka prej atyre, miqve dhe lexuesve, të cilët e quajnë këtë vepër një “triller i mirëfilltë”. Personalisht, pa dashur që të vë në pikëpyetje shijet dhe mendimet e askujt, qofshin këta miq të mi, kolegë, apo edhe lexues të thjeshtë e të panjohur, “Lora” është një roman social. Në të nuk ka “ngjarje për ngjarje”, nuk ndodh as shpërthim fishekzjarrësh që shuhet e humb vetvetiu, si produkt komercial, por është realiteti i jetës sociale shqiptare. Shkrimtari e vendos dorën mbi plagën, e cila është edhe e tij; ai është i miri por edhe i keqi, aspak hero, por njerëzor, viktimë dhe përçues i periudhës në të cilën jeton. Nëpërmjet një gjuhe të mprehtë, gjetjeve dhe thyerjeve, Leonard Veizi na befason me grintën e një shkrimtari të vërtet e modern, të rrallë për nga soji ndër shqiptarë. Pa qenë aspak xheloz për këtë arritje të mikut tim, por gjithnjë dashamirës dhe i vëmendshëm, mendoj se “Lora”, është një vepër e bukur që i dhurohet letërsisë dhe lexuesit shqiptar, e kësisoj do të ngjall edhe më shume kureshtje, debate dhe lexues. Proza shqiptare është dinjitoze dhe në nivel të suksesshëm përballë letërsisë botërore. Edhe vet LORA është në këtë nivel, pasi është vepër një shkrimtari shumë të mirë shqiptar.

Mimoza Erebara - shkrimtare

Me Mimoza Erebarën
Proza shqiptare është shumë e gjerë dhe e pasur se sa proza e kulisave mediatike dhe e çmimeve kallpe. Ajo e vërteta e gjen gjuhën e përbashkët me lexuesin në heshtje dhe në ajër i mbledh grimcat e dashurisë që ata i përcjellin. Leonard Veizi është një nga shkrimtaret serioze të prozës shqiptare, që shkallet e suksesit i ka të merituara plotësisht. Gazetar profesionist, për të cilin pikërisht media është treguar tepër e kursyer, për të mos thënë diçka tjetër, sepse Ajo, Media është gjithnjë e zënë me klanet e veta të shkrimtareve. Po ata emra, po ajo letërsi që është bërë bajate, sepse nuk ka më asgjë për të thënë. Dhe po ato shkrime kritike, të ashtuquajtura që na zbulojnë në çdo presje gjenialitete të gjenive të gjinisë... Urime Veizi për romanin LORA, urime "Omsca-1".

Ben Andoni - gazetar, përkthyes

Me Ben Andonin
Historia e librit, që tregohet nga Leonard Veizi, ka paralel jetën e Lorës, përpjekjet për gjetjen e vrasësit të saj dhe një fluturim me avion të mikut të saj, që e përjeton vrasjen në një fluturim transoqeanik. Dinamika e bën romanin ta lexosh menjëherë. Autori njeh mirë kompozicionin. Romani mundohet të përcjellë një botë të errët dhe shumë të zakonshme të kriminelëve shqiptarë dhe ata të huaj, një botë të hidhët të krimit, që për hir të së vërtetës është trajtuar në mënyrë shumë të ditur. Ana pozitive është se lexuesin e gjerë ai e lë në tension deri në fund dhe kjo është një nga të mirat e veprës, që duhet thënë se të tërheq edhe prej ndërthurjes me disa rrëfime në kompozicion për të na dhënë gamën e madhe të ngjarjes, por edhe përpjekjen për ta universalizuar. Autori e nënvizojmë duket se punon mirë me strukturën e veprës, por në këtë rast nuk është shtjellë klasike, por e komplikuar që di të respektojë kanonet klasike. Forma është e zhdërvjellët. Autori është në gjininë e vet, pasi ky është romani i tij i pestë dhe kjo e bën të jetë shumë “agresiv” në ambicie si edhe i jep detyrën që në të ardhmen të përballë rrugën e vet në një letërsi që është ende e paçelur mirë.

Agim Baçi – shkrimtar, kritik

Me Agim Baçin
Leonard Veizi ka vendosur t’i marrë disa motivime për të folur për jetën nga kufiri i humbjes së saj dhe ta shohë dashurinë dhe jetën nga mëkati, duke pasur frikë ndëshkimin. Përmes një trilleri policesk ai në fakt loz me zigzaget e jetës së vërtetë, të asaj që na ka rrokur në kohën e “Lirisë për të lëvizur”. Ne e njohim Rron Grabovën sapo nis të fluturojë. Po për ku? Drejt Lorës që e ka dashur? Kur ai lë tokën, ajo tashmë është nisur më shpejt se ai, drejt botës tjetër. Ai ka kohë vetëm sa të kujtojë jetën e tij, si nëpër filma. Lora ka lënë të shkuarën e saj në duart e tij. I gjithë trilli është më shumë brenda së mundshmes. Gjithçka ndodh në mënyrë paralele- një udhëtim i shpejtë dhe një hetim i shpejtë. Duket se s’ka kohë për asgjë, edhe pse Veizi ka tentuar të përshkruajë shumë nga çështjet e botës sonë, e shqiptarit sot përballë shumë dilemave mbi ndërtimin e jetës. Është një vazhdimësi në fakt edhe e romaneve të mëparshme, ku Veizi duket se kalon përmes “së zezës” për të zbardhur disa motive për jetën e për dashurinë.Me një stil që e bën Leonard Veizin zotërues të tekstit dhe përcaktues të asaj që duhet të lëçisim, Lora vjen si një pikë e ngritur e rrëfimit. Por, për aq sa vdekja mbetet një ushqyese e pashtershme e imagjinatës, dhe sidomos e dëshirës për të dashur jetën, Veizi mund të vijojë qetësisht lundrimin e tij artistik.
Gjatë prezantimit të romanit LORA - Kliton Nesturi, Luan Pengili, Loredan Bubani, Leonard Veizi, Leonard Olli
Loredan Bubani - redaktori i romanit LORA







No comments:

Post a Comment