Friday, December 1, 2017

Babë Lymi rrëfen historinë e familjes së njohur Qefalia nga Shtish Tufina e Tiranës


Myslym Qefalia
EDICIONI "FAMILJET TIRANASE" 

nga Leonard VEIZI

“Si je mik”. Këto janë fjalët e para me të cilën më pret në hyrje të shtëpisë së tij të mëdha, ende pa e ditur qëllimin e vizitës. Nuk është nevoja të ndruhesh për t’u futur brenda dhe as të heqësh këpucët, por mund të shkelësh drejt e në tapetin e butë, pastaj të shtriqesh mbi kanapen e gjerë dhe sigurisht për t’u rehatuar pak nga rruga mund të pish raki fshati ose uiski skocez. Dhe vetëm pasi e ka kuptuar se je çlodhur mjaftueshëm, si i zoti i shtëpisë të pyet se, ç’hall ke? Një gjë të tillë ai e ka bërë me vite. Është takuar me gjithfarë njerëzish, ka dëgjuar gjithfarë hallesh e ka ndihmuar shumë prej tyre. Veç këtë herë nuk ka të bëjë me një kalimtar të rastit që ka mbetur ngushtë dhe as me ndonjë hallexhi që kërkon ndihmën e tij, por me një gazetar, i cili është në gjurmët e familjeve të mëdha, pjesë e edicionin “Familjet Tiranase”, që gazeta “Telegraf” e ka hapur prej shumë kohësh. Pasi është çliruar dhe nga ky ngërç fillestar, të prezanton me pjesëtarët e tjetër të familjes, bashkëshorten Sherife, djemtë e nipërit që ndodhen për rastësi në shtëpinë e tij. Me një gjatësi të mjaftueshme e me një trup fort të ngjeshur, ai nuk të jep aspak të kuptosh se vetëm pak ditë më pas do të festojë 78-vjetorin. Në një ditë si kjo, me siguri familja e tij e madhe do mblidhet rishtaz për t’i uruar edhe një herë: “Gëzuar ditëlindjen”. Ndërsa ai vazhdon të jetë po i njëjti, si 30, 40 apo 50 vite më parë, bujar e mikpritës, njeri që kërkon të marri nga jeta gjithçka të mirë të saj, dhe po gjithçka të mirë që ajo i jep të mos e mbajë për vete, por ta ndajë me këdo të jetë e mundshme.

Nëse doje të pije një kafe “për kokë të kafesë” nuk duhet të uleshe në katin e tretë tek Pallati i Kulturës, as te “Flora” e rrugës së Durrësit, por të udhëtoje ca, të lije pas “Kafen e Remës” tek “Rrapi i Trishit”, për të shkuar pak minuta më larg, në Shtish Tufinë, atje ku mbretëronte gjerësisht emri i Myslymit, ose siç e njohin të gjithë Lym Qefalia. Dhe dyqani i Lymit, nuk ishte vetëm për ata që u binte rruga të kalonin andej, por dhe për ata që niseshin kasten nga Tirana, për të mirë një kafe nga dora e tij. Këtu bënin pjesë dhe të ushtarakët madhorë të Korpusit të Tiranës njësitë e të cilit shtriheshin gjerësisht në këtë pjesë të kryeqytetit. Por jo vetëm kaq, ai është pinjoll i familjes së njohur Qefalia të rrethinave të Tiranës, familje e madhe e me shumë tradita. Gjatë intervistës së tij për “Telegraf”, Myslym Qefelia na jep shumë të dhëna mbi familjen e tij.

Që në cilat kohë njihet mbiemri Qefalia?
Familja jonë është shumë e hershme dhe brez pas brezi ne kemi qenë në këtë pjesë të Tiranës që quhet Shtish Tufinë. Unë vet kam lindur në 8 maj të vitit 1932. Madje meqenëse kam qenë djalë i vetëm me dy motra, babai im, Xhemal Qefalia e gdhendi ditën e lindjes time në oxhakun e shtëpisë. Babai kishte dëshirë të kishte një familje të madhe, dhe po këtë dëshirë kishte edhe për mua. Dhe unë të madhe e bëra shtëpinë, me 5 djem edhe 2 vajza. Kështu fisi Qefalia është zgjeruar mjaft tanimë.
A ka qenë e pasur familja juaj?
Mendohej që familja jonë ishte më e pasura e zonës. Por si për të gjithë edhe ne na u sekuestrua shumë pasuri në vitet e komunizmit. Një pjesë të tokave tona i mori ushtria për nevojat e saj dhe një pjesë tjetër u ndërtuan varrezat e Shtish Tufinës, pasi u prishën ato të “Varrit të Bamit” në Tiranë.
Ju u shpronësuat për arsye politike?
Jo absolutisht. Shpronësimet kishin të bënin me politikën që ndiqte regjimi komunist. Familja jonë ishte e lidhur me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare. Babai im Xhemali, e ktheu shtëpinë në spitalin partizan të krejt zonës. E kush nuk ka ardhur në tek ne: Myslym Peza, Beqir Balluku, Lym Keta etj..
Çfarë pune keni bërë deri në vitet pas Luftës?
Fillimisht jam marrë me bujqësi, por më pas kalova në gurore si normist e magazinier. Pastaj u riktheva në kooperativë ku deri në vitet ‘70 kam pasur detyra të ndryshme si llogaritar, sekretar rinie e kryetar fronti. Por katër herë më radhë, për 16 vjet rresht jam zgjedhur edhe Kryetar i Këshillit Popullor. Gjatë kësaj kohe jam munduar të zgjidh shumë nga problemet që kishin njerëzit e zonës time.
Po mbas viteve ‘70 si do të ecte jeta juaj?
Më pas iu kushtova sektorit të tregtisë. Në një hangar të vjetër në qendër të fshatit, u ndërtua një furrë buke, ndërsa gjysmën tjetër unë e rregullova në një dyqan të thjeshtë. Fillimisht kafenë e piqja në tangar, sepse nuk kishte ekspres, dhe furnizimi çalonte. Por isha optimist dhe u rrija të koka shokëve të drejtorisë së tregtisë. Dhe arrita të bëja një dyqan model.
Shpirti i tregtisë është trashëguar nga fëmijët?
Patjetër. Dy nga djemtë e mi kanë qenë të suksesshëm në bizneset e tyre, madje kanë ngritur një edhe hotel “Dajti Park”.
Ndërkohë njëri nga djemtë tuaj, Xhemali, është në listat e kandidatëve për deputet? Si ju duket fakti që një prej trashëgimtarëve po i kalon politikës?
Unë vetë kam shumë miq politikanë, por asnjëherë nuk kap pëlqyer të jem pjesë e politikës. Ndërsa djemtë kanë rrugën e tyre. Xhemali është jurist i zoti, ka një profesion të mirë. Por mua do të më pëlqente që ai si djalë i kësaj zone të përfaqësonte interesat e njerëzve në Kuvendin e Shqipërisë. Dikur, dhe unë kam zgjidhur shumë halle të popullit si Kryetar i Këshillit. Shpresoj që një gjë të tillë të bëjë dhe im bir. Ne e kemi në traditë familjare mirësinë, bujarinë dhe dëshirën për ta ndihmuar tjetrin.
Cilat janë miqësitë e vjetra të familjes Qefalia?
Ne kemi pasur shumë miq në të gjithë zonën, por mund të përmend miqësitë me familjet e mëdha si Tafai, Topi, Bogdani, Rreli, Maçi, Demneri, Tufina, Sahatçiu, Mulleti, Dashi, Reçi, por dhe me fisin e Dukajve e ata të Shtëpanëve nga Shëngjergji, familjen Kuka që kanë qenë në Zall-Bastar etj, që ndoshta s’po më kujtohet.
Myslym Qefalia me veshje popullore të Tiranës
Si ka evoluar Shish-Tufina në vite. Cilët janë njerëzit që e kanë banuar atë?
Tufina njihet për popullsi autoktone. Tironsa denbabaden. Pas lufte të pakta kanë qenë familjet e ardhura, si familjet e Mexhit Kukës apo të Faik Kullës, por pas viteve ‘90 ka shumë të ardhur, pjesa më e madhe nga veriu i Shqipërisë.
A shkoni mirë me të ardhurit?
Madje shumë mirë. Ne s’kemi pasur as fërkime e as konflikte me ta. I kemi mirëpritur dhe na kanë nderuar.
Ju personalisht morët iniciativën për të rindërtuar xhaminë e fshatit...?
Realisht zona jonë është shumë fetare. Edhe pse nga viti 1967 deri në 1990 u ndalua feja, të gjitha ritet, zakonet e festat fetare mbaheshin nga banorët e Shtish Tufinës. Madje edhe muaji i ramazanit respektohej. Me demokracinë unë isha me kontingjentin e parë të shqiptarëve që shkuam në Arabinë Saudite, në Mekë. Por xhamia e fshatit tonë, ishte kthyer në një magazinë ushtrie dhe ishte amortizuar fare. Atëherë mendova ta rindërtoja nga fillimi. Kisha ca para të bëra me tregti të ndershme dhe mendova kështu do të ishte më e mira, t’i shpenzoja për t’u bërë një dhuratë gjithë njerëzve të zonës, që të kenë ku t’i falen perëndisë.


MIKU I TË GJITHËVE
Si mblidheshin krerët tek “Kafja e Lymit”
Deri atje, merrte rrugën për të shkuar dhe Ndue Marashi, ish kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, Bejto Isufi, ish -Komandanti i Grupimit, Fadil Lami, ish -Sekretari i Parë i Rajonit 4, e shumë të tjerë. Por ishin ndalur e kishin pirë kafe nga dora e tij dhe njerëz të fuqishëm të kohës, Beqir Balluku e Abdyll Këllezi. Megjithatë instalimi i korpusit të Tiranës në Tufinë, e bënë dyqanin e Lymit pikën më nevralgjike në zonë. Dhe në këtë dyqan nuk mungonte asgjë. Por dhe nëse mungonte, Lymi me miqtë e tij të tregtisë Fadil Kurti e Ymer Shtishi e siguronin me të shpejtë. Dhe kështu klientët e Remës nuk nguronin të bënin ca rrugë më tepër për të shkuar tek Lymi, gojëmbël e bujar, nga ku dilnin mjaft të kënaqur.


PENGU
Djali që iku në parajsë
Ka bërë shumë të mira në jetë. Por për drejt jo gjithçka ka shkuar vaj në ditët e tij. Lym Qefalia e ka një peng, plaga e të cilit nuk do t’i mbyllet asnjëherë. Arbeni, ose shkurt Beni siç i ka thirrur familja dhe shokët e fëmijërisë, është sipas radhës fëmija i gjashtë dhe djali i pestë i Lymit. Ishte i zgjuar, i shkathët e me shpirt gazmor. Ju bë krah vëllezërve të tjerë në fushën e biznesit dhe fitoi një shkathtësi për t’u admiruar. Beni ka lindur në Tufinë në konakun e vjetër të Lym Qefalisë më 22 shkurt 1969. Asokohe gjyshi Xhemal ishte gjallë dhe i fortë. U gëzua pa masë kur mori vesh lindjen e nipit të pestë të tij. Ai u bind se dera e madhe e Xhemal Qefalisë asnjëherë nuk do të shuhej. Duke jetuar midis bollëkut, miqësisë e harmonisë familjare, shtëpia e Lymit goditet nga “tërmeti”. Djali i vogël, ai i pleqërisë, sëmuret rëndë dhe pa shpresë, duke kaluar në depresion gjithë familjen. Lymi së bashku me djemtë e tjerë çohen peshë dhe s’lënë vend jashtë pa e çuar për kurim Benin. Ndërsa priste të bëhej baba, Beni i nënshtrohej terapive nga një klinikë në tjetrën. Vëllezërve u tradhtonin sytë. Lymit i dridhej buza. Ata po bënin të pamundurën për ta kthyer në jetë vëllanë e dashur, por nuk ishte e mundur. Beni nuk arriti të gëzojë në krahët e tij, vajzën, e cila tashmë quhet Tea Arben Qefalia.

Botuar në gazetën TELEGRAF
Myslym Qefalia me bashkëshorten

No comments:

Post a Comment