Friday, September 12, 2025

FDNY 55-8087, zjarrfiksja që u bë simbol i guximit më 11 Shtator 2001

Një vizitë ndryshe në Nju Jork
 

Nga Leonard Veizi
 
Çfarë mund të bësh në Nju Jork nëse je për vizitë turistike dhe nuk të duhet as të ngjitesh e të zbresësh shkallët e metrosë për të kapur trenin, as të respektosh oraret e ngjeshura të punëve? Pasi ke parë pikat më të njohura të qytetit – ato që i vendos menjëherë në rrjetet sociale me lokacionin “Times Square” apo “Brooklyn Bridge” e “Manhattan Bridge” – vjen çasti kur dëshiron të gjesh diçka më të pazakontë, diçka që ta justifikojë udhëtimin tënd nga Tirana ballkanike drejt metropolit më të madh të botës.
Një nga këto vende është Fort Totten.
 
Fort Totten – kujtesa e një qyteti
Fort Totten është një ish-instalim ushtarak i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, i vendosur në lagjen Queens, buzë Long Island Sound. Në krye të Gjirit “Little Neck”, aty ku lumi “East River” zgjerohet, kjo fortesë ka qenë për dekada pjesë e strukturave mbrojtëse të Nju Jorkut.
Sot, ndërsa një pjesë e territorit administrohet nga qyteti, aty ndodhen edhe objekte të Rezervës së Ushtrisë Amerikane. Një ndër më të veçantat është Klubi i Oficerëve, i quajtur “Kështjella”, ku Shoqëria Historike e Bayside organizon evente dhe ekspozita. Prej vitit 1986, Fort Totten është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Vendeve Historike.
Por Fort Totten nuk është vetëm një monument i historisë ushtarake. Aty gjendet edhe një dëshmi e gjallë e 11 Shtatorit 2001: kamioni FDNY 55-8087.
 
Kamioni që mbart kujtesën
Ka çaste kur një automjet nuk është më thjesht një mjet shërbimi, por shndërrohet në dëshmi të gjallë të historisë. Ky është rasti i kamionit zjarrfikës FDNY 55-8087.
Ndaj vizita ime në në Fort Totten të Nju Jorkut dhe fotografia pranë kamionit FDNY 55-8087 më bëri të ndjej më afër 11 shtatorin e vitit 2001, ditën që ndryshoi botën.
Ky kamion, i njohur ndryshe si “Ladder 343”, mori pjesë në operacionet e shpëtimit në Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Ai mbeti i përdredhur dhe i shkatërruar nën rrënojat e asaj dite, duke bartur përjetësisht gjurmët e tragjedisë.
Për një kohë të gjatë, automjeti u ekspozua në Muzeun Përkujtimor të 11 Shtatorit në Ground Zero. Sot, ai ndodhet në Qendrën e Rezervistëve të Ushtrisë në Fort Totten, pranë një shtatoreje bronzi përkujtimore që nderon viktimat dhe heronjtë e asaj dite.
 
Njësia e Shkallëve 3 dhe Kapiteni Patrik Braun
Njësia e Shkallëve 3, me stacion në East Village, Manhattan, ishte ndër të parat që iu përgjigjën sulmit terrorist. Kapiteni Patrik “Padi” Braun, një veteran i marinës dhe figurë e respektuar në FDNY, udhëhoqi skuadrën drejt Kullës Veriore.
Mes tymit dhe flakëve, ai organizoi evakuimin e civilëve dhe koordinimin e skuadrës së tij. Në një nga radiomesazhet e fundit, ai tha:
“Kemi mjaft të plagosur. Po përpiqemi të evakuojmë sa më shumë që të mundemi.”
Këto fjalë mbeten dëshmi e vendosmërisë dhe humanizmit të një skuadre që hyri pa hezitim në ferrin e Kullës Veriore për të shpëtuar jetë.
 
Orët e fundit
Rreth orës 10:28, Kulla Veriore u shemb. Bashkë me të, u shkatërrua edhe kamioni FDNY 55-8087 dhe humbën jetën 11 zjarrfikës të Njësisë së Shkallëve 3, përfshirë Kapitenin Braun.
Kamioni mbeti aty, mes rrënojave, si një dëshmi e dhunës së përjetuar dhe e sakrificës së atyre që ranë duke shpëtuar të tjerët.
 
Nga memoriali i përkohshëm te Muzeu 9/11
Pas tragjedisë, kamioni u vendos fillimisht në hangarët e FDNY, ku u kthye në një memorial të përkohshëm. Familjarë, kolegë dhe vizitorë linin lule, fotografi dhe mesazhe pranë tij. Emrat e 11 zjarrfikësve të Njësisë së Shkallëve 3 që humbën jetën u vendosën aty si kujtesë e shenjtë.
Më pas, ai u ekspozua në Muzeun Përkujtimor të 11 Shtatorit në Ground Zero, ku mijëra vizitorë u përballën me simbolin e guximit dhe sakrificës së zjarrfikësve.
 
Epilogu i një dëshmie
Sot, kamioni FDNY 55-8087 ndodhet në Fort Totten. I njohur edhe si “Shkallët 343”, ai është një testament i gjallë i sakrificës së 343 zjarrfikësve të FDNY që humbën jetën më 11 Shtator.
Nuk është thjesht një relike. Çdo gërvishtje dhe çdo pjesë e përdredhur e tij rrëfen një histori heroizmi dhe përkushtimi. Në ditën më të errët të Nju Jorkut, Njësia e Shkallëve 3 tregoi se kishte burra që hynin pa hezitim në flakë dhe rrënoja, vetëm për të shpëtuar të tjerët.
Ky kamion mbetet simbol i një sakrifice që nuk do të harrohet kurrë.

No comments:

Post a Comment