Friday, August 7, 2020

Leonard Olli: Letërsia mbarëkombëtare duhet integruar si një e vetme

Ajo që u mungon shqiptarëve është mjedisi i nevojshëm për të ndjerë dhe shprehur shpirtin e tyre, pasojë e një ambienti tërësisht të politizuar qëllimisht



 
Nga Leonard Veizi
 
Prej ca kohësh elokuenca e tij e të folurit mungon në ekranin e televizorit. Dhe këtu nuk flas për vitet kur fliste nga foltorja e KQZ-së apo e Ministrisë së Brendëshme si një zëdhënës institucioni, por atëhere kur ishte pjesë e emisioneve kulturore aq të ndjekura nga publiku i gjerë. Edhe kultura është ajo që prin...

 ...Sportiv dhe krejt i shpenguar, aspak politik kur flet për gjëra që nuk akanë të bëjnë me të, ai është po aq komod njëkoheshisht. Njohës shumë i mirë i letërsisë botërore por dhe shumë më teper i asaj franceze, për të cilën dhe është diplomuar, me të mund të flasësh në infinit nëse do të hapet një temë mbi Balzakun, Hygoin, apo Patrik Modiano.  Mendon se shqiptarët janë shumë më tepër artëdashës se sa ndjekës të situatave politike. Për këtë ka bindje të plotë, edhe pse në idenë e përgjithshme por krejt sipërfaqësore shumëkush mendon të kundërtën. Gjatë një interviste për gazetën “Fjala” Leonard Olli, gazetar me përvojë të gjatë, por dhe një kritik fort i vlerësuar, flet për çështjen e kulturës kombëtare, ku është dhe si mund të jetë e ardhmja e saj.

 Prej vitesh jeni shkëputur nga gazetaria dhe analiza kulturore, sa ju kanë munguar këto dhe raporti me publikun?
Termi “shkëputje” është pak i ashpër, por sigurisht që ka një distancim dhe kjo për arsye objektive. Të bësh analizë kulturore, ashtu si në çdo fushë, kërkon në radhë të parë një ndjekje shumë të vëmendshme dhe nga shumë pranë të çdo produkti kulturor. Nëse nuk plotëson këtë kusht, natyrshëm nuk mund të flasësh për një kritikë apo analizë profesionale dhe në rastin më të mirë mund të shprehësh një opinion apo ndjesi në raport me elementë të kufizuar. Pa dyshim që më mungojnë, pasi janë pjesë integrale edhe e formimit universitar, por edhe e pasioneve të hershme. Përpiqem me shumë mund të jem gjithmonë pranë tyre. Ndërsa raporti me publikun, sigurisht që të ndikon shumë fort, kryesisht pasi ke provuar që dëshira e publikut për artin dhe kulturën është shumë herë më e lartë në raport me atë që besohet apo shfaqet. Jam shumë i bindur, për këtë pohim. Ajo që u mungon shqiptarëve është mjedisi i nevojshëm për të ndjerë dhe shprehur shpirtin e tyre, pasojë e një ambienti tërësisht të politizuar qëllimisht.

 Sa e keni ndjekur letërsinë e autorë e shqiptarë të viteve të fundit dhe cili është mendimi juaj për zhvillimet e kësaj letërsie?
Sikundër e theksova, gjithmonë jam përpjekur të jem sa më pranë jo thjesht si lexues, por edhe në një qasje sa më profesionale. Në fakt, në një bindjen time modeste, do të doja ta ndaja nëtre grupime letërsinë e kësaj periudhe: letërsia e autorëve që vijuan krijimtarinë e tyre që nga periudha e diktaturës, krijues që rifilluan të shkruajnë apo të shpalosin vlerat e tyre letrare pas ndëshkimit si të burgosur politikë dhe grupimi i autorëve të rinj që krijimet e tyre i patën në liri, pas rënies së diktaturës. Sa i takon subjektit të krijimtarisë së tyre edhe këtu ndesh si tipare kryesore: ngjarje që trajtojnë periudhën e jetës nën diktaturë dhe një pjesa tjetër që trajtojnë fenomenet e jetës postdiktatoriale dhe problematikat e fenomenet sociale në këtë periudhë kohore. Ka prurje shumë interesante dhe vepra shumë cilësore, si në prozë ashtu edhe në poezi. Besoj se ka një prurje të bollshme, por që situata e vështirë ekonomike, konfliktualiteti politik dhe media e “dashurur” marrëzisht me politikën nuk krijojnë aspak një ambient të natyrshëm që kjo krijimtari të njihet, promovohet realisht apo të përthithet nga opinioni i gjerë publik, përjashto paradën e panaireve ku yjet janë politikanët apo gazetarët e njohur shkrues... më pas gjithçka humbet dhe shuhet si drita e muzgut, duke u shijuar nga ata pak që jetojnë me librin. Ndërkohë që mungesa, thuajse totale, e një kritike profesionale pamundëson kategorizimin apo filtrimin e krijimeve letrare. Ky është një fenomen që ka kapluar për fat të keq të gjitha aspektet e artit, kulturës dhe shkencës në vend.

 
A mund të themi se kemi një letërsi kombëtare?
Absolutisht që kemi një letërsi kombëtare dhe të konsoliduar. Ajo që nuk duhet të harrojmë asnjëherë, pasojë e traumave historike që ka kaluar Shqipëria, është që sot kemi një letërsi “mbarëkombëtare”, e cila duhet integruar si një e vetme në kuadër të njohjes dhe studimit. Do e konsideroja këtë element shumë fatlum në kuadrin letrar. Shqipëria është ndoshta, vendi i vetëm në botë që kufijtë e saj i ndan me bashkëkombës që jetojnë në shtete të tjera. Sigurisht që këtu pjesën e luanit e zë Kosova, por nuk duhen anashkaluar edhe autorë që vijnë nga Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Kjo i jep njëtrajtë shumë origjinale e shumëdimensionale letërsisë shqipe në ditët tona. Sfida e vërtetëështë krijimi i një antologjie të plotë të letrave shqipe, e cila do të mundësonte njohjen e plotë të autorëve shqiptarë, e kryesisht të atyre që diktatura komuniste thuajse i zhduku tërësisht nga historia e letrave shqipe, si në Shqipëri ashtu edhe ndër arbëreshë apo Kosovë. Një anatologjie e cila do të ndante qartazi prozën, poezinë e mbi të gjitha letërsinë gojore, ku veçon Eposi i kreshnikeve apo edhe cikle të tjera rrëfimesh, si një element tejet të rëndësishëm jo vetëm në kuadrin letrar, por edhe atë historik! Për rastin shqiptar kjo ka një rëndësi shumë të madhe në kuadër gjuhësor, pasi kjo letërsi e baladave e gojëdhënave daton që fillimet e shekujve të V-VI, ndërkohë që letërsia e shkruar vjen shumë më vonë. Në këtë kontekst duhet një investim shumë serioz nga strukturat shtetërore, të cilat kanë përgjegjësinë maksimale për të garantuar mbështetjen financiare ndaj studiuesve të fushës, ndërkohë që struktura e studimeve albanologjike duhet të hartojnë plane të qarta pune, të cilat do të përmbushin këtë vakum të madh që kemi në kuadër të studimeve të plota dhe ezauruese të letrave shqip e jo vetëm, në kontekstin historik, socio-kulturor dhe zhvillimeve ndërkombëtare. Duhet një politikë mjaft mirë e rakorduar dhe e unifikuar me Kosovën në këtë aspekt. Dhe meqenëse nuk mund të kemi letra shqip pa gjuhën shqipe jo vetëm ka ardhur koha, por jemi shumë të vonuar në rikonfigurimin e gjuhës letrare, e cila tashmë ndodhet në rënie të lirë. Nuk mund të harrojmë asnjë herë se gjuha është një element që evoluon çdo ditë dhe nevoja e përshtatjes së gjuhës letrare jo vetëm me prurjet e reja, por edhe përfshirja në të e elementëve të gegërishtes, që do të gjykohen nga studiuesit, do të hapte një perspektivë krejt të re.

 Si e vlerësoni raportin e sasisë me cilësinë tek autorët shqiptare?
Nuk mund të thuash që ka një njësi matëse në këtë drejtim. Personalisht i mbetem mendimit që duhen krijuar hapësira të bollshme që të rinjtë të zhvillojnë pasionin e tyre për të shkruar, pasi sa më shumë prurje të ketë aq më shumë rritet mundësia për vepra cilësore.

 A mund të bëhet fjalë për një industri libri në Shqipëri?
Me ulje-ngritjet e veta, por në këto vite mund të themi që është krijuar një“industri” e librit shqip dhe atij të huaj. Sigurisht që edhe kjo industri vuan mungesën e politikave ekonomike dhe stimuluese si çdo fushë tjetër, por është rritur dhe ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në  zhvillimin e letrave shqip apo asaj të përkthyer.

Në Shqipëri çdo botim i huaj paraqitet si një kryevepër. Në fakt si është ky raport?
Nuk duhet të harrojmë që edhe industria e librit, sikundër e thamë më sipër ndjek ligjësitë e tregut global. Madje, do të thosha që në raport me letërsinë e huaj të përkthyer kemi një përparësi, pasi veprat më parë kanë kaluar në filtrin e kritikës globale dhe shtëpitë botuese kanë komoditetin të përzgjedhin. Sigurisht, këtu përfshihen pastaj edhe aftësitë financiare për të blerë të drejtat e autorit dhe përzgjedhja e përkthyesve që janë kosto të mëdha. Në këtë kuadër pa diskutim që ka edhe vepra mediokre, por vepra që qarkullojnë globalisht. Ndërkohë, që në gjykimin tim, e deklaruar edhe publikisht, jo gjithmonë një “best-seller” korrespondon me më cilësorin. Në fund të fundit e thotë fjale vetë: më i shituri...

Për një kohë të gjatë keni punuar si gazetar, madje në sektorin e kulturës. Çfarë i mungon gazetarisë së kulturës sot?
Tregu real i artit dhe kulturës, i cili përcakton edhe nivelet e kritikës dhe gazetarisë. Në një shoqëri, e cila përpiqet të mbijetojë ekonomikisht, në një vend ku varfëria është ulur këmbëkryq dhe nivelet e pagave janë mbi 30% më të ulta edhe se ato të rajonit vështirë të gjesh investitorë që duan të investojnë. Hyj te ata gazetarë fatlumë që pata mbështetjen edhe për një emision të përditshëm dedikuar artit dhe kulturës në TV Klan programi “Tek blloku”, me autorë Albert Dumanin dhe Fatos Riston, por që sot nuk ndesh më asgjë të tillë. Vetëm diçka te TVSH, po shume larg asaj që duhet e kërkohet nga publiku. Rrjedhimisht edhe niveli i gazetarisë në këtë fushë vjen duke u bjerrë...

 A do t’i riktheheni pasionit për publicistikës? 
 Nuk e kam braktisur asnjëherë edhe pse në vitet e fundit ka qenë një publicistikë on-line. Kohët kanë ndryshuar dhe tashmë rrjetet sociale po bëhen përcjellëset më të mira të publicistikës që reagon shpejt në kohë dhe që botohet direkt nga media on-line... Në fakt shtypi i shkruar për vetë kufizimin që ka në aspektin e kohës së botimit apo edhe “përzgjedhjes”që bën nuk arrin të përballojë fluksin e opinioneve. 

Thursday, August 6, 2020

Eqrem Çabej/ Kolosi i shqipes, jeta shkencore në gjashtë vëllime

6 gusht 1908 – 13 gusht 1980

Në të gjitha rastet, kur duhet folur për gjuhën shqipe, referenca e parë merret prej punimeve të tij shkencore, referenca e fundit gjithashtu.


Nga Leonard Veizi

Emri i tij vazhdon të mbetet si një mur i lartë dhe i pakapërcyeshëm, ndërsa vepra e tij e shkruar edhe më e lartë se kaq. Në të gjitha rastet, kur duhet folur për gjuhën shqipe, referenca e parë merret prej punimeve të tij shkencore. Referenca e fundit gjithashtu...

...Eqrem Çabej u lind në Eskisehir të Turqisë së sotme, në 6 gusht të vitit 1908, dhe u nda nga jeta në Romë, në 13 gusht 1980. Në një mënyrë profetike, a rastësore, apo e kalkuluar nga forca e pakonceptueshme që ne e quajmë Perëndi, mund të themi se ishte muaji gusht ai që i dha jetën dhe ia mori 72 vite më pas. Gjuha shqipe mund të kishte nevojë ende për të, por ndoshta ai dha gjithçka kishte pikërisht për gjuhën shqipe.
 
Jetëshkrimi
Në jetëshkrimin e tij të zakonshëm e të kudogjendur thuhet se mësimet e para i mori në Gjirokastër, por për të vazhduar studimet u dërgua në Austri, në qytetin universitar me emrin Grac. Dhe atje shkëlqeu. Ndoqi mësimet e Paul Kretschmer-it, Karl Patsch-it, Nikolai Trubetzkoy-it dhe Norbert Jokl-it. Madje, nën drejtimin e Jokl-it, Çabeji filloi të kishte interes të madh në zhvillimin historik të gjuhës shqipe. Në vitin 1933 ai dorëzoi disertacionin e doktoraturës mbi Italoalbanische Studien, “Studime Italo-Shqiptare”. Dhe ky ishte fillimi. Pas kthimit të tij në Shqipëri ai do të punonte edhe si mësues në shkollat e mesme edhe si pedagog i fonetikës historike. Por në vitin 1972 u bë anëtar themelues i Akademisë së Shkencave.
 
Botimi
Edhe pse jo me një formim akademik në gjuhësi, e ndieja të domosdoshme që përveç një serie veprash që kisha në bibliotekë ku “Fjalori i Gjuhës Shqipe” dhe ai i “Drejtshkrimit” ndodheshin aty prej vitesh, isha i inetresuar të kisha si pjesë të saj dhe veprën e plotë të Eqrem Çabejt. Dhe mendoj se këtë duhet ta ketë çdo shqiptar ose, të paktën, çdo njeri që kërkon të flasë e të shkruajë shqip.
Kur më erdhi vepra e plotë “Studime gjuhësore” e Eqrem Çabejit, veç gëzimit që ndjeva, sepse në bibliotekën familjare po vendosja një gur themeli, ndjeva dhe një trishtim të lehtë e disi të habitshëm tek e fundit. Dhe jo sepse u surprizova. Mund të them vetëm se zhgënjimi ishte thelluar, ngaqë botimi në fjalë ishte realizuar nga “Rilindja” e Kosovës, dhe jo nga “Naim Frashëri” në Tiranë. Dhe kjo nuk është se kishte ndonjë rëndësi të madhe, pasi, tek e fundit, librat flisnin shqip dhe ishin botuar nga shqiptarët, por thjesht antenat nuk më kapnin përgjigjen e një pyetjeje të cilën e kisha vazhdimisht në kokë: Tirana që kishte botuar me kapak kartoni special, veprat e shokut Enver, të shokut Hysni, të shokut Mehmet, madje edhe ato të shokut Gogo Nushi, që kishte porositur të botoheshin në Kinë me letër e kapak special vëllimet e para të librit “Yje të Pashuar”, kishte lënë pas dore, një nga veprat më të mëdha që kanë vlerë për këtë komb, pas “Historia e Shqipërisë”, atë të Eqrem Çabejit, “Studime gjuhësore”. E meqenëse Tirana ishte fort e zënë me botimin e veprave të plota të udhëheqjes politike, dhe përkthimin e tyre në frëngjishte e ca më tej kontinentit, këtë vakuum e plotësoi me shumë kujdes Prishtina, duke dhënë edhe një leksion njëkohësisht.
Ato çaste, tek shfletoja nxitueshëm, a thua se kolana me 6 vëllime do të kthehej andej nga kishte ardhur, dhe pa u menduar thellësisht, e para gjë që më shkoi në mendje ishte arsyetimi: Dega e Albanologjisë në Prishtinë e kishte më të vlerësuar punën e studiuesit Çabej për çështjen e shqipes. Domethënë kur them “e kishte më të vlerësuar”, nuk kam parasys se po botohej për herë të parë në Prishtinë, thjesht Prishtina kishte ndërmarë një nismë për ta pasur të gjithë veprën e tij në të njëjtën kolanë, më të organizuar dhe me një kopertinë luksi që të linte pa mend dhe që ua kalonte librave të shokut Enver, të Hysniut, Mehmetit, e të Gogo Nushit. Ndërsa Instituti i Gjuhësisë në Tiranë, ç’është e vërteta, do ta merrte shumë vite më vonë këtë nismë dhe, gjithsesi, nuk do të arrinte që teknikisht të kishte një botim aq solid sa ai që kishte ardhur nga Kosova, botuar që më 1986.
 
Përmbajtja
Studimet gjuhësore kanë gjashtë vëllime: dy të parat përmbajnë studimet etimologjike në fushë të shqipes të kryera gjatë dyzet vjetëve të punës intensive të prof. Çabejt; vëllimi i tretë ngërthen: Hyrjen në historinë e gjuhës shqipe, Parashtesat dhe prapashtesat dhe Shumësin e singularizuar në gjuhën shqipe; vëllimi i katërt përfshin gjithë ç'u shkrua nga Çabej mbi historinë e brendshme e të jashtme të gjuhës sonë; vëllimi i pestë u rezervohet vëzhgimeve dhe studimeve të kryera prej Çabejt mbi Buzukun dhe gjuhën e tij, ndërsa i gjashti përmbledh shkrimet e Çabejt mbi folklorin, letërsinë, biseda për gjuhën shqipe, fjalë kujtimi për Aleksandër Xhuvanin, Maksimilian Lambercin, për Norbert Jokl-in, Angelo Leotti-n, diskutime rreth kumtesave të kolegëve të tij në kongrese e bashkëtubime të tjera për probleme të gjuhësisë ballkanike, të albanologjisë e të onomastikës.
 




Fjalori Enciklopedik 1985

Çabej u njoh si autoritet shkencor edhe në rrafshin ndërkombëtar
Pesë vjet pas vdekjes së tij, Akademia jonë e Shkencave arriti të botojë Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Faqja me germën “Ç” nis me emrin “Çabej Eqrem”. Dhe më poshtë vijon ky vlerësim:

Eqrem Çabej, figurë e shquar e shkencës, e arsimit dhe e kulturës shqiptare, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe i Presidiumit të saj, Mësues i Popullit. Studimet e larta filologjike i bëri në Austri, duke u specializuar në gjuhësinë krahasuese indoevropiane. Për afro një gjysmë shekulli punoi sistematikisht për shkollën e studimet shqiptare, duke i dhënë ndihmesa të rëndësishme veçanërisht arsimit të lartë dhe gjuhësisë shqiptare. Veprimtaria e tij kërkimore mori përmasa të gjera dhe u ngrit në një shkallë të lartë pas çlirimit. Dha mësim në Institutin Pedagogjik (1946), më pas në Universitetin e Tiranës dhe punoi në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Hartoi tekstet e disa lëndëve kryesore, ishte bashkautor në një varg veprash kolektive. Veprimtaria e tij shkencore u shtjellua kryesisht në gjuhësi, por u shtri edhe jashtë saj, sidomos në folklor, etnografi, histori të letërsisë. Fusha themelore e tij ka qenë historia e gjuhës, e vështruar në aspektet e problemet me të ndryshme të saj. Vendin qendror e zënë studimet etimologjike dhe leksikologjike historike, por mjaft peshë kanë edhe fonetika e gramatika historike e shqipes, historia e përgjithshme e shqipes me problemet e prejardhjes së saj, të marrëdhënieve me gjuhët motra indoevropiane, me gjuhët ballkanike e me gjuhë të tjera, po ashtu edhe gjuha e autorëve të vjetër e botimi filologjik i veprave të tyre. Ndihmesa me rëndësi ka dhënë Eqrem Çabej edhe për dialektologjinë e osmanistikën, si edhe për kodifikimin e gjuhës letrare. Ndër veprat më kryesore të tij janë: Studime etimologjike në fushë të shqipes I, II, III; Hyrje në historinë e gjuhës shqipe (1947, 1958), Fonetika historike e shqipes (1958), botimi kritik i veprës “Meshari i Gjon Buzukut” (1958), bashkë me Aleksandër Xhuvanin hartoi dy trajtesat “Parashtesat” dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1956, 1962). Qe bashkautor i “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954), po ashtu ndër hartuesit e udhëzuesve drejtshkrimorë që u punuan pas Çlirimit deri në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe. (1973). Mori pjesë gjallërisht në përpunimin e terminologjive të shumë degëve të shkencës e të teknikës. Eqrem Çabej argumentoi në mënyre bindëse prejardhjen ilire të gjuhës shqipe e të popullit shqiptar, autoktoninë e këtij në trevat ku banon sot, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare. Si përfaqësues i shquar i gjuhësisë shqiptare, u njoh si autoritet shkencor edhe në rrafshin ndërkombëtar.


Billi Gates, ky “nostradamus” i ri

Add caption
Nga Leonard Veizi

Nostroadamusi i ri është shfaqur në horizont. Ai vazhdimisht po flet për kataklizmat që do t’i ndodhin botës. Dhe tanimë nuk ka nevojë të fshihet pas kodeve si në shekullin XVI, ku parashikimet cilësoheshin herezi. Në shekullin XXI gjërat thuhen troç, pa vargje me nënkuptim, por drejt e në prozë. Pesë vite më parë Billi Gates paralajmëroi për pandeminë që sot ka pllakosur botën. Për këtë mori dhe një faturë goxha të lartë, pasi në qarqet kosnpiracioniste ai u cilësua si njeriu që kishte projektuar “Sars Cov-2” në një laborator dhe e kishte shpërndarë atë për “X” e “Y” qëllime. Tanimë koronavirusi ka marrë udhën e tij dhe ose ka dalë nga kontrolli, ose po e kryen më së miri detyrën e ngarkuar. Dhe, që nga ky çast nuk është më një çështje e parë në rendin e ditës, pasi, për ta mbajtur botën nën presion duhet ngritur një çështje tjetër, e paralajmëruar tashmë, por që do të futet në fuqi në kohën e duhur. Së fundmi Billi Gates ka dalë me një qëndrim të ri. Po aq i frikshëm sa dhe paralajmërimi në vitin 2015 për koronavirusin. Dhe, sipas tij, botës po i afrohet një krizë tjetër: ndryshimi i klimës. “Sado e tmerrshme të jetë kjo pandemi, ndryshimi i klimës mund të jetë më i keq”, ka shprehur ai qëndrimin e tij në një material të postuar. Dhe sipas multimilarderit amerikan, mënyra e vetme për të shmangur rezultatet e këqija të klimës, që pritet të përkeqësohen edhe më shumë, është të shpejtojmë përpjekjet tona në kohën e duhur: pikërisht tani! Me siguri në listën e pritjes duhet të jetë dhe kriza tjetër me të cilën globi pritet të përballet. Ajo është kriza e ujit të pijshëm. Sepse kriza e naftës mes sa duket ka kaluar dhe për shkak se një pjesë e motorëve diezel tanimë po zëvendësohen me bateritë e rikarikueshme. Edhe pse vitet e fundit është folur më pak për krizën e ujit, ajo është në prag. Padyshim, është njeriu ai që po e çon globin drejt katastrofës. Dhe kjo nuk është në fakt ndonjë gjë e re, pasi alarmi për ndotjen është dhënë që në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Dhe këtë herë Billi Gates nuk është se po na surprizon. Bota tani e kthen vëmendjen, vetëm sepse këtë shqetësim të stërpërdorur ai po e rihedh sërish në treg, për t’i bërë parapritë një fenomeni që padyshim do të ndodhë nëse emetimi i gazrave në natyrë do të ketë të njëjtat ritme, ose dhe ca më shumë se ai që çlirohet aktualisht.
Po përse e bën Bill Gates këtë paralajmërim?
Pikëpyetje e hamendësime mund të bësh sa të duash, por kur vjen puna për fakte konkrete, ato janë kokëforta dhe i japin të drejtë zotit Bill. Kështu ndodhi dhe me koronavirusin. Sepse ai e paralajmëroi mbërritjen e tij. Dhe lajmësi nuk fajësohet asnjëherë. Rritja në mënyrë galopante e industrisë së rëndë, e atyre përpunuese dhe asaj kimike, ka shkaktuar e po vazhdon të shkaktojë probleme të mëdha në ajër dhe në ujë. Duket se 75 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, e cila përfundoi me shpërthimin e dy bombave atomike, që sollën jo pak ndotje e rrezatim në atmosferë, bota kishte rënë në qetësi. Njerëzit iu kthyen punëve dhe shumë shpejt gjithçka u kanalizua drejt një jete luksi, që rritej vit pas viti në në të ashtuquajturën “shoqëria e konsumit”. Kjo shoqëri nuk kishte më si parësore arnimin e “plaçkave” të vjetra, por blerjen e të rejave në vazhdimësi, duke krijuar uri të vazhdueshme dhe po aq stoqe në prodhim. Në të gjithë këtë epokë blerja e elektroshtëpiakeve, e makinave me fuqi motorike të mëdha dhe më pas e celularëve gjithëfarëllojesh ka kaluar në shfrenim. Dhe qershia mbi tortë: gjithçka ambalazhohet me elementë plastikë, aspak të riciklueshme. Të gjitha këto kanë ndotur në mënyrë të pandërprerë planetin e kaltër. Çarja e shtresës së ozonit ishte një tregues radikal i të gjithës kësaj. Dhe po aq, në thellësi të oqeaneve gjenden fuçi me lëndë radioaktive, të cilat për shkak të kostos së përpunimit e të bërjes së padëmshme, kanë përfunduar në “varrezat detare” si mënyra më e thjeshtë për t’i hequr nga këmbët. Dhe kjo ka sjellë jo pak probleme në botën nënujore.
20 vitet e fundit, që përkojnë me 20 vitet e para të mijëvjeçarit të tretë, kanë shpejtuar ritmin e ndryshimeve klimatike. 5-vjeçari i fundit cilësohet si më i nxehti në histori. Për pasojë, akullnajat po shkrijnë dhe niveli i detit po rritet. Në një material të sugjeruar nga Organizata Botërore e Meteorologjisë thuhet se oqeanet janë ngrohur dhe janë më acide, ndërkohë që agrobujqësia po vuan. Në një material tjetër, disi më informal, thuhet se aq sa akull po shkrin nga një pjesë e Antarktidës, aq dhe po ngrihet shtresa e akullit në anën tjetër të saj. Pra, në njëfarë mënyre ekuilibri është ruajtur, por boshti i tokës duhet të ketë lëvizur disi.
Masat ndaj Covid-19, gjatë muajve të izolimit planetar, në njëfarë mënyre arritën të pastronin ajrin nga ndotësit. Por Organizata Botërore të Meteorologjisë shton se gjithsesi, kjo përvojë e shkurtër nuk arrin të zëvendësojnë masat ndaj ngrohjes globale.
Por megjithatë, edhe në këtë pikë ka hije dyshimi. Shkencëtarët janë të ndarë dy fronte: një pjesë e tyre flasin për ndotjen dhe rritjen e temperaturës së tokës ndërsa pjesa tjetër i mëshon idesë së rritja e temperaturës, që ka shkaktuar dhe shkrirjen e akujve në Antarktidë, ka të bëjë me ciklin e përhershëm ndëryjor dhe se dora e njeriut ende nuk është aq e fuqishme sa të prishë këtë rregullacion yjësish, ku Toka është veç një planet i papërfillshëm, boshti i së cilës zhvendoset nga forca gravitacionale më të fuqishme.
“Ndonëse bota punon për të ndaluar koronavirusin e ri dhe fillon të shërohet prej tij, ne gjithashtu duhet të veprojmë për të shmangur katastrofën e klimës, duke ndërtuar dhe aplikimin e inovacioneve që do të na lejojnë të eliminojmë emetimet e gazrave serë”, është shprehur në një shkrim të publikuar prej tij Billi Gates. Ashtu si thamë dhe më sipër, një nga njerëzit më të fuqishëm të globit, sa i përket anës financiare, kërkon të shpërqendrojë vëmendjen tanimë nga pandemia, duke e cilësuar atë si në një fazë që po “shërohet” dhe vë alarmin pikërisht te ndryshimet klimaterike.
Me siguri që konspiracionistët nuk do ta marrin deklaratën e tij thjesht si një alarm në të mirë të njerëzimit, por do ta zbërthejnë se çfarë përfitimi do të sjellë kjo situatë e publikuar sot, në xhepin e tij financiar, nesër.
Është ende shpejt për të folur, por ndoshta dhe me këtë kthim të kursit Billi Gates do të marrë një faturë tjetër.
Sa për kujtesë, në samitin për ndryshimet klimatike, mbajtur në Paris tre vite më parë, presidentin amerikan, Donald Trump u kritikua për shkak të vendimit që kishte marrë për t’u tërhequr nga marrëveshja. Një vit më parë Trump nuk mori pjesë në bisedimet për ndryshimet klimatike dhe biodiversitetin e Samitit të G7 në Biaric. Trump ka akuzuar shkencëtarët që merren me ndryshimet klimatike se kanë një “axhendë të madhe politike” ndërsa ka hedhur dyshime nëse njerëzit janë përgjegjës për rritjen temperaturave të tokës. Gjatë një deklarate për emision televiziv në CBS, Trump komentoi: “Nuk e di nëse është e krijuar nga njeriu. Nuk dua të jap triliona dollarë. Dhe nuk dua të humbas miliona e miliona vende pune dhe të vihet një disavantazh”.
Gjatë mandatit të tij presidencial, Trump është sulmuar në vazhdimësi pasi në axhendën e veprimtarisë së tij është shkërmoqja që ai kërkon t’i bëjë establishmentit të vjetër, të cilët janë munduar gjatë gjithë kohës ta nxjerrin jashtë loje, duke i ngritur akuza të njëpasnjëshme. Rasti i “marrëveshjes për ndryshimet klimatike” është njëri prej tyre. Rasti i pandemisë “Covid-19” është një tjetër rast...
Deri tani ai ka rezistuar dhe po përgatitet të hyjë në zgjedhjet e afërta presidenciale ku do përballet me Joe Biden. 
Gjithsesi, duke u besuar parashikimeve të Bill Gates, i cili nuk gaboi as me “pandeminë Covid” njerëzit duhet të jenë të përgatitur se si të përfundojë lufta me koronavirusin e frikshëm, do të futën në një epokë edhe më të frikshme, e cila sipas të gjitha gjasave do të shoqërohet jo vetëm me temperatura të larta, por dhe me mungesën e ujit të pijshëm dhe urinë.

Sunday, July 26, 2020

Refleksion/ Magneti që tërheq shkrimtarët në vorbullën “e krimit”


Leonard Veizi

Në një komponent të përgjithshëm e pa detaje, shkrimtari është konsideruar gjithmonë si një njeri larg të përditshmes meskine dhe akoma më larg një tavoline thashethemesh. Ai është konsideruar si një subjekt që nuk bën pjesë në organizata sociale e bashkime politike, por si një individualist egocentrik, me gjithfarë vesesh që shfaqën së jashtmi nga bota e tij e brendshme. Madje, shkrimtari është parë si një njeri me jetë bohemi, ndonjëherë aventurier e ndonjëherë ca alkoolist, dhe, në rastin më ekstrem, si një asket i përqendruar vetëm te makina e shkrimit. Por ky perceptim “hyjnor” nuk është se ka pasur tërësisht vlera tokësore.
Në këtë mënyrë duket se mes shkrimtarëve dhe njerëzve me profesione të tjera ishte vendosur një filtër hermetik, gjë që i bënte ata të paprekshëm. Kjo ua ka rritur influencën në mënyrë artificiale.
E gjitha kjo ishte vetëm një ëndërr. Thjesht një iluzion për ta që e donin një gjë të tillë. Sepse, në fakt, shkrimtarët ishin dhe janë njerëz krejt të zakonshëm, që fillojnë e bëhen tekanjozë vetëm si shkak i rrethanave të stimuluara.
Shkrimtarë të përbotshëm kanë qenë të implikuar në kauza sociale, në afera politike, në debate financiare e, madje, deri në organizata terroriste.
Por ajo që i zhvlerëson ata më së shumti në sytë e lexuesve të tyre është rekrutimi pranë shërbimeve të inteligjencës, si agjentë të fshehtë, e që në mënyrë eksplicite cilësohen: spiunë.
Shkrimtarët nuk janë engjëj. Gynter Gras në rininë e tij u tërhoq nga rryma hitleriane dhe u bë pjesëtar i forcave “SS”. Ernest Heminguej është akuzuar si agjent i KGB-së sovjetike dhe ka qenë nën survejimin e FBI-së amerikane. Graham Grin njihet si shkrimtari që ka punuar për shumë vite për MI6-ën britanike. Betrol Breht gjithashtu ishte i përzier në punët e STAS-it të Gjermanisë Lindore. Dhe këto nuk janë rastet e vetme.
Po shkrimtarët shqiptarë?
Ca më pak e disa të tjerë më shumë, edhe shkrimtarët shqiptarë janë të përlyer në “aventurat” e tyre me shërbimet sekrete. Do të ishte vërtet hyjnore që qenësia shkrimtar, gjithkush të shihte një njeri të pakorruptueshëm e të parekrutueshëm. Por kjo, me sa duket, ndodh rrallë.
Dosjet e shkrimtarëve kanë filluar të hapen në Shqipëri. Vite më parë kjo ishte një tabu. Ndërsa në media gëlonin idetë për hapjen e tyre, sepse, sipas burimeve “të besuara”, shumë prej tyre e kishin “ngjyer” nga pak. Dhe në media kërkohej që ato të hapeshin e të shiheshin se a ishin të vërteta ato që qarkullonin si thashetheme.
Sot, duket e trishtueshme hapja e dosjeve të shkrimtarëve, ku një pjesë e tyre o akuzohen si informatorë të Shërbimit Sekret Shqiptar, ose Sigurimi i Shtetit i akuzon se janë rekrutuar nga agjencitë e tjera të inteligjencës. Dhe në të gjitha rastet në lojë janë, o CIA amerikane, o UDB-ja jugosllave ose SIM-i i italianëve. Dhe deri tani janë hapur fare pak dosje. Sepse “dikush” na bën të ditur se surprizat nuk kanë fund. Kjo më tremb. Sepse do të thotë që një, dy apo dhjetë shkrimtarë të vlerësuar për krijimtarinë e tyre do të zhvlerësohen, për shkak të implikimit në një organizëm famëkeq, siç ishte Sigurimi i Shtetit.
Për shkak të ngarkesës negative që mban në vetvete të qenët agjent i shërbimeve sekrete, edhe shkrimtarët, ata që tashmë i kanë dosjet e hapura, janë kryqëzuar e nuk u është lënë gjë pa thënë.Kështu, me dosje të hapura nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, deri tani janë Ernest Koliqi, Martin Camaj, Bilal Xhaferi dhe Petro Marko.
Por s’mjaftojnë vetëm dokumentet e mbledhura nga Sigurimi i Shtetit për të nisur akuzat ndaj shkrimtarëve? Padyshim që jo. Sepse për ta vërtetuar katërcipërisht aktivitetin e tyre duhet të kesh në dispozicion edhe atë çfarë thonë shërbimet e huaja sekrete. Sepse nga materialet e sugjeruara duket se kemi të bëjmë me materiale të pretenduara dhe të supozuara. Dhe letra të tilla, të firmosura nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, mund të gjesh plot. Por kjo nuk të siguron që kushdo prej tyre ka pasur vërtet një veprimtari agjenturore.
Për sa u përket rekrutimeve të bëra nga vetë Sigurimi i Shtetit, vetëm një gjë mund të themi me siguri të plotë, ato janë bërë nën një dhunë dhe presion të vazhdueshëm. Dhe një shkrimtar është njeri, vështirë të bëhet hero.
Gjithsesi, të qenët njeri politik, të qenët agjent, të qenët luftëtar me armë në dorë për çështjen e një kauze, nuk është se e zbeh ndikimin e shkrimtarit në jetën social-kulturore. Këto “vese” të tij më së shumti ushqejnë shtypin me fabula që duhen zbërthyer; kujt i shërbeu, për çfarë shërbeu, çfarë informacionesh dekonspiroi, e të tjera si këto.
Gjithsesi, shkrimtarët, ashtu si dhe njerëz të tjerë në profesione të tjera, janë nën vëzhgimin e syrit të shërbimeve sekrete, thjesht për rekrutime të mundshme. Dhe, me siguri, për vendet ish-komuniste, rekturimi i shkrimtarëve kishte të bënte me një tjetër platformë. Nëse ata të Perëndimit përgjithësisht rekrutoheshin për shkak të bindjeve të tyre të majta,shkrimtarët në Lindje ishin disidentët më të besueshëm për shërbimet e inteligjencës.

Friday, July 24, 2020

Një përmendore për Mao Ce Dunin


Nga Leonard Veizi

Nuk dua të besoj që, nëse do të bëhej një referendum për t’u lidhur në një konfederatë me shtetin turk, shtetasit shqiptarë do të votonin për bashkim-vëllazërimin. Në fakt, kanë kaluar më shumë se 100 vjet që kur fituam Pavarësinë dhe Porta e Lartë ka mbetur prapa në histori.
Po pse u nisa të bëj një shkrim të tillë?!
Sepse jo shumë larg në kohë, punë ditësh, në fakt, ca shqiptarë të afeksionuar pas Sulltanatit dhe haremeve, nderuan e vendosën lule në një pllakë përkujtimore të vendosur në kodrat e Liqenit Artificial, ku janë shkruar emrat e ushtarëve të rënë gjatë grushtit të shtetit në Turqi. Birinxhi... Pllakati ka nxitur plot polemika, madje ca kodoshë e thyen njërin cep të tij, por, gjithsesi, ka nja dy vjet që qëndron në po të njëjtin vend, ku hera-herës polici i zonës i hedh nga një sy se mos mungon ndonjë emër në apel nga asllanët që ranë në krye të detyrës për të mbytur grushtin e shtetit që u zhvillua 15 korrik 2016.
“Bir ona, bir sana”.
Pyetja është e thjeshtë. Domethënë... këta u vranë për Turqinë, jo për Shqipërinë.…? Se hakshe-hakshe është njësoj sikur në Stamboll të ngrihet një memorial për dëshmorët e Brigadës VI Sulmuese. Ama çë...
Eh ju gazetarët, se ç’kapeni pas ca vogëlsirave.
Epo ja, Erdogani na ka ndihmuar me ca para për të ndërtuar ndonjë xhami. Punët e Zotit. Po vetëm për xhami ama, se paratë e tjera të Turqisë shkojnë për të rregulluar mirëqenien e popullit serb. Besoj dihet kaq gjë. Kështu ka ndodhur edhe kur ishim bashkë nën një perandori. Ne furnizonin Portën me jeniçerë, ata si shpërblim na bënë nja dy ura. Dakord. Sa pa gjë... 50 përqind e dyshimit bie menjëherë. Tani, që të jemi të sinqertë deri në fund, paratë e Erdoganit janë pesë me hiç përpara ndihmës së Ozalit e Demirelit, apo Tansu Çillerit e Bulet Eçevitit që në vitet e errëta të Millosheviçit ishin gati t’i binin Serbisë me detashmentet e tyre, po të prekej kufiri ynë shtetëror. Këtu i ngre duart përpjetë unë. Por ta lemë mënjanë këtë çështje. Fundja brenda Republikës së Turqisë janë të gjithë. Po e bëjmë dhe një sy qorr.
Aferim. Ja ta gëzojnë memorialin, te kodrat e liqenit...
Mirëpo kjo hap shtegun. Domethënë atyre që na japin nga një dorë në malore u duhet larë nderi, qoftë dhe me një kokë bronzi në ndonjë shesh të kategorisë së tretë.
S’na mbetet gjë tjetër vetëm t’i marrim e radhë. Hapim listën.
Nëpër Tiranë gjen buste e shtatore heronjsh e burra shteti, nis me Ahmet Zogun për të vazhduar me Adem Jasharin, Ded Gjo Lulin, Qemal Stafën, ka një basoreliev për Vojo Kushin, e mbi të gjitha kemi monumentin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Po me këta tanët rregullohemi, se i kemi të shtëpisë e s’u mbetet hatëri hiç. Por kur vjen puna për figurat e huaja, duhet menduar pak, dhe duhet vlerësuar se për çfarë e meritojnë t’u vihet në dispozicion një skulptor e për t’u ngulur nga një bust në çdo lloj cepi të kryeqytetit shqiptar.
Fjala vjen, Uillsoni ka një statujë në një nga kryqëzimet më të njohura të Tiranës, pikërisht në Tiranën e Re. Po pse ndodhet aty statuja e një presidenti amerikan? Sepse Uillsoni mori në mbrojtje çështjen shqiptare dhe nuk lejoi copëtimin e vendit nga fqinjët që sot i kemi partnerë strategjikë, Italisë dhe Greqisë. Këtij i them burrë unë.
Ja ta gëzojë...
Sipas këtij arsyetimi, po deshe që shqiptarët të të bëjnë një kallëp bronzi duhet të kesh dhënë patjetër ndonjë një kontribut, por jo domosdoshmërisht me para.
Po ne kemi edhe nja dy buste të papëve, të Gjon Palit e Franceskut. Po këta çfarë kanë bërë për Shqipërinë?
Ama pyetje. Po e kruan me gjethe fiku më duket. Po kush është ai burrë shteti që bën xhap, pa marrë izën e Papatit. Edhe Trampi që është burrë zamani, s’pyet njeri e po lufton dhëmbë për dhëmbë me establishment-in e vjetër, nuk kruan dot as kokën pa marrë miratimin e Bergolios nga Argjentina. Pastaj të dy papët që i kemi nderuar me buste e kanë shkelur këtë tokë dhe e kanë bekuar. Iku dhe kjo punë.
Ja t’i gëzojnë edhe ata...
Po ne kemi pasur edhe buste e monumente të Stalinit. Do të thoni ju, çfarë kontributi ka dhënë ai për Shqipërinë? Krahasimisht me Leninin, që ka pasur po aq buste e monumente e që me shumë gjasa as që e dinte nga binte Shqipëria, Stalini na dha ca traktorë, ca vinça, ca makina riportabël, ca grurë dhe ca armatime. Ato që i kërkuam tek e fundit. Por na i dha atëherë kur desh po i binim këmbës, pra pas lufte. Pikërisht kur në depot e shtetit nuk kishte as një koçan kallamoq nga ata që hanë bagëtitë e jo më grurë që mund të bëje byrek. Por që e zhgrapi fare na bëri si dhuratë dhe një kombinat tekstili, i cili u montua në periferi të Tiranës, ku u ngrit një qytezë me emrin “Kombinat”, ndërsa vetë kombinati u quajt “Stalin”. Kështu e meritonte që m’u në mes të tij t’i ngrihej një shtatore bronzi diktatorit gjeorgjian të sovjetikëve.
Epo e meriton kaq gjë. Ja ta gëzojë dhe ky...
Prit o prit, se e paske marr përpjetë sot. Stalini ka shkuar për skrap që këtu e yhyyyy..., d.m.th. monumenti. Një shtatore tjetër e tij rri si rojë prapa Galerisë së Arteve. Si i bëhet???
Djall o punë. Sot emrin e tij nuk guxon kush ta zërë me gojë, ashtu si emrin e Uillsonit gjatë viteve të komunizmit në Shqipëri, as mendohej të përmendej dhe jo më t’i ngrihej gjithë ajo shtatore.
Epo mirë, varja Stalinit. Nuk humbëm ndonjë gjë të madhe. Veç 21-shit që na kujton datëlindjen e tij meazallah se ia heqim dot damkën. Kështu që u barazuam.
Epo, ta gëzojë 21-shin...
Kush na mbeti tjetër...? Kush është ai që e meriton ta ketë një statujë prej bronzi në kryeqytetin e shqiptarëve.
U… se desh harruam, është edhe Mao Ce Duni në tavë.
Po ç’ka bërë ky për Shqipërinë?
Pyetje me vend. Se nga mosnjohja bëhen gafa të mëdha. Po ja ta shkoqisim: në kohën e tij të artë, Kina mike i ka dhënë aq ndihma motër Shqipërisë, sa po të mos ishin bërë tanke e bunkerë lufte, apo rrush e kumbulla, siç thotë populli në zhargon, sot do t’i kishte Shqipëria bankat e Zvicrës dhe zviceranët me shumë gjasa do të zinin radhën në konsullatë për një vizë shqiptare. Gjatë kohës së Maos vaporët kinezë shkarkoheshin me mall e gjë në portin e Durrësit. Dhe na vinin nga Lindja e Largme veç orizit me shumicë dhe lapsat me ngjyra, lodrat për fëmijët, biçikletat që kishin një stampë ku reklamohej teoria e tri botëve e deri te bilbilat që policët të rregullonin trafikun e makinave të komunales. Pa u shkarkuan nga vaporët shumëtonësh me torno e freza. Pastaj u shkarkuan një tufë agregatesh për uzina. Dhe se fundi një shqelm bythëve dhe... Shoku Enver i shkroi një letër shokut Mao ku e bënte qepaze, se kishte shkelur parimet dhe doktrinën. Ja këtu të parimet nuk dua të ngatërrohem, se secili e di vetë ku i pikon çatia. Mirëpo ikën ndihmat, filluan triskat.
Hajde qyfyre, hajde.
Domethënë edhe këtij ia paskan shkrirë bustet.
Ç’thua ore. I shkreti Mao Ce Dun nuk ka pasur fare, as statuja e as buste në Shqipëri. Ai vetë po nuk ndihej në botë. Burrë pa naze tjetri. Kinez mo. Pastaj ne shqiptarët 20 vjet me radhë dhe emrin ia kemi thënë së prapthi mor jahu. Po vate kjo punë. Ndërsa për t’i vënë shenjën e barazimit të miliarda dollarëve që i hëngrëm e përjetësuam vetëm në një edicion pullash që i ngjisnin kalamajtë nëpër kartolina. Ja u mbyll me kaq.
Mirë po a e meriton Mao Ce Duni një monument në Shqipërinë tonë?
E meriton që ç’ke me të. Nëse ka ndonjë burrë shteti që e meriton ta ketë një monument në Shqipëri, ai është i timonieri Mao, më të madh si ai i komandant Enverit që ishte 8 metra mbi bazament. Se edhe Maoja e bëri një kërcënim ndërkombëtar, kur foli për ushtrinë kineze që nuk do të pyeste për shtete e kufij, nëse prekej Shqipëria. Dhe ec e t’u bësh karshillëk ushtarëve kinezë, të kam rixha.
Mirëpo çështjen e monumentit të Maos nuk e hedhim dot as për votim në forume. Se shqiptarët e traumatizuar nga dogma, do të qajnë e do të na qeshin. Ndaj e kanë më të lehtë të pranojnë nderet e vogla të Erdoganit dhe ushtarët e tij dëshmorë për çështje kushtetutshmërie, se sa Mao Ce Dunin me gjithë ndihmën e madhe që i dha vendit tonë në ditët aspak rentabël të kooperativizmit. Se me ritmet që kishim parimi “edhe bar do të hamë...” nuk do të ishte intensifikuar në ‘85-sën, por që pas viteve ‘60.
Fundja, mos e vrisni mendjen shumë për çështje monumentesh bronzi e bustesh në allçi. Paratë shkojnë e vijnë... Të kemi shëndetin.





Thursday, July 23, 2020

Në bibliotekën e Dhimitër Shuteriqit, kolosit të letrave

Në përvjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit e studiuesit sqimatar të letrave shqipe, njeriut që lindi dhe vdiq në muajin korrik
Dhimitër Shuteriqi

Nga Leonard Veizi

Me hapin e ngadaltë, i kujdesshëm për të mos prishur asnjë nga rendi që kishte vendosur me veten dhe gjithçka kishte përreth, ai hynte çdo ditë në botën e tij të magjishme, që ishte veç një studio, e mbushur nga të katër anët me libra. Në të gjallë dhe në të vdekurit e tij makina e shkrimit “Oliveti” qëndronte po aty dhe me këmbëngulje. Nuk ishte zëvendësuar nga ndonjë ordinator, me njësi e tastierë elektronike. Ndërsa ajo ishte një nga bibliotekat e rralla në Shqipëri. Dhe nuk ishte pronë e shtetit, as e ndonjë fondacioni kulturor, madje as e ndonjë qyteti të rëndësishëm e me shumë kulturë, me fond të rrallë librash. Ajo ishte biblioteka e një shkrimtari, apo studiuesi, nëse duan shumë të tjerë ta quajnë kështu… por që në fakt ai vetë parapëlqente ta thërrisnin: poet. Dhe vazhdon të mbetet biblioteka e Dhimitër Shuteriqit...

...Ishte impresionuese të vizitoje shtëpinë e Dhimitrit, si një gazetar me mision për të shkruar diçka, e si një turist gjithashtu që kërkon të shohë gjëra të panjohura. Bashkëshortja e tij, Myneveri, së cilës 10 vjet më parë, në korrikun e vitit 2010, i kërkova një intervistë, më priti pikërisht aty, në dhomën muze të tij. Dhimitri kishte vdekur tashmë, por gjithçka e tij vazhdonte të jetonte. Mund të kisha kërkuar të dija e të shihja se në çfarë ambienti jetonte një i shquar letrash, krevatin ku flinte a tryezën ku hante. Por asgjë nga këto nuk më shkoi në mend. Dhe as që më interesoi të shihja çfarë kishin dhomat e tjera të apartamentit, kolltukë të modës së fundit, apo divanë nga ata të “xhaxhit”, në kishte sixhade, perde gjithllojesh, televizor pa ngjyra apo impiant stereofonik me CD-të e Vagnerit. Kujt mund t’i hynin në punë të gjitha këto. Dhimitër Shuteriqi nuk e kishte të lidhur jetën pranë sofrës dhe te gjumi mbi dyshek masazhues. Jeta e tij kishte mbetur peng i librave dhe i pagjumësisë, sepse vazhdimisht e në çdo kohë i duhej të sistemonte gjithçka të shkruar prej tij, një punë voluminoze që dukej se nuk kishte ndër mend të mbaronte kurrë.

Bashkëshortja
Mynever e Dhimitër Shuteriqi 12 prill 1986
“Biblioteka e tij është dhimbja ime”. Kështu më pati thënë që në hyrje të intervistës Mynever Shuteriqi, duke lënë të kuptohej se pikërisht nga studioja e tij plot libra të çmuar, Dhimitër Shuteriqi do të përcillej për në banesën e fundit, në korrikun e vitit 2003. Kështu, prania e trupit dhe shpirtit mes librave të tij ndoshta ishte dhe ndjesia e fundit e pasvdekjes. Ndërsa ajo vazhdonte të ndiqte të njëjtin ritëm, të qëndronte krejt e vetme në studion e madhe, të ndizte një cigare dhe të futej thellë në botën e kujtimeve.
Ishte 14 vjeç kur dëgjoi për herë të parë se qyteti i Elbasanit ishte shtuar me një poet të ri. Ishin njohur kur ajo ishte një normaliste 19-vjeçare dhe ai 28, një mësues te Normalja, pasi ishte diplomuar në Paris. “Më konsideronte shoqe të ngushtë. Nuk shkonte asgjëkundi pa mua. Ne kemi qenë gjithë jetën bashkë”, u shpreh Mynever Shyteriqi, e cila më pas më tregoi se Dhimitri nuk ishte vetëm një shkrimtar e studiues, por dhe një piktor. Në bagazhin e tij Dhimitri ka më shumë se 500 portrete të pikturuara. Ai hidhte në letër çdo portet që i bënte përshtypje, me një shpejtësi të habitshme. Janë disa qindra vizatime, madje dhe piktura me ngjyra, që Dhimitër Shuteriqi ka bërë gjatë në vazhdimësi. Dhe një pjesë të tyre i ka publikuar përmes dy ekspozitave: një në Tiranë dhe një në Prishtinë. E, megjithatë, pjesa me e madhe e punëve të tij janë ende të paekspozuara.
Ndërsa sa për jetën akademike, që prej vitit 1947, kur botoi librin “Metrika shqipe” e deri në botimet e pasvdekjes, është një krijimtari 70-vjeçare dhe rreth 110 libra në fondin personal. Pa dyshim, kjo është një punë kolosale, ku Dhimitër Shuteriqi paraqitet me poezi, tregime, romane e mjaft studime serioze.
Idhuj për të kanë qenë rilindasit, si Naimi, De Rada apo Çajupi. Por kishte shumë për zemër dhe Lasgush Poradecin. Admironte Fishtën, por dhe Migjenin, që e kishte pasur shok. Pëlqente shumë dhe autorë si Verlen, Bodlerin, Hygoin, të cilët i lexonte drejtpërdrejt nga gjuha frënge.
Dhe, natyrisht, ka pasur takime e ka mbajtur kontakte dhe me francezin Pol Elyar, brazilianin Zhorzh Amado, australianen Dymfna Kystak etj. Ndërsa një tjetër takim i veçantë i Dhimitër Shuteriqit ka qenë dhe ai me shkrimtarin rus Ilia Erenburg. Këto takime ai i ka hedhur në ditarin e tij.

Biblioteka
Ah sa për bibliotekën, po, ajo është një vepër arti më vete. Vërtet një bibliotekë universale. I paçmuar është fondi albanologjik. Por në të gjen gjithfarë veprash të gjinive të tjera. Të shumtë janë librat e autorëve botërorë, të shkrimtarëve ballkanikë apo dhe të vendeve të Lindjes evropiane, që ia kanë dhuruar me nënshkrime Shuteriqit. Të shumta janë gjithashtu dhe dedikimet e shkrimtarëve shqiptarë. Gjatë vizitës sime, bashkëshortja Mynever më pati sqaruar se në skedarin e bibliotekës së Shuteriqit ndodhen 30 syze, në të cilat janë strehuar më shumë se 20 mijë skeda. Dhe në këto skeda studiuesi kishte hedhur gjithçka ka pasur në bibliotekë. Dhe vetëm kështu mund të gjente e të citonte në mënyrë të shpejtë atë çfarë i duhej të kërkonte.
Shumë skrupuloz Dhimitri. Ai nuk mund të tallej e të bënte shaka me punën e tij shumë serioze.
Por Dhimitri nuk pati dot kohën e mundshme për t’i shfrytëzuar të gjitha. Rruga ishte e gjatë, pasioni edhe më i madh. Por jeta në të gjitha format e saj, gjithsesi është e shkurtër.
 “Nuk është puna te sasia e madhe e librave që ka, - më tha Moikom Zeqo, vetëm një orë pasi kisha dalë nga studioja e Shuteriqit, dhe i kisha shprehur entuziazmin tim për atë që kisha parë, - puna është si Dhimitri ka një bibliotekë me libra të rrallë e shumë të çmuar, të cilët i ka sjellë nga Franca, dhe që nuk mund të gjenden dot aq lehtë.”

Epilogu
Dhimitër Shuteriqi do të ishte 105 vjeç, nëse do të jetonte akoma. Dhe, pa dyshim, nëse do të ishte në jetë, sërish do ta gjenim në studion e tij. Por në datën 22 korrik të vitit 2003 ai i ndërpreu marrëdhëniet e tij me botën e të gjallëve. Gjithçka është e lidhur me korrikun, vapën përvëluese e flladet e buzëmbrëmjes. Mund të ishte veç një muaj fatlum, por ja që ka sjellë dhe trishtim. Dhe nëse dita e lindjes do të ishte pikërisht një e hënë korriku e vitit 1915, dita e ndarjes nga jeta gjithashtu do të ishte e hëna e një korriku tjetër, veç 88 vjet më pas. Gjatë kësaj hapësire kohore, si me një magji të organizuar nga një dorë e padukshme e misterioze, i njëjti muaj do të ishte sa i ndjeshëm aq dhe kërcënues për jetën e tij të brishtë prej letërshkruesi. Do të ngjitej në “majën e Olimpit” si një i gjallë me mish e kocka dhe do të zbriste nga andej në po të njëjtën vapë acaruese të muajit veror, por vetëm trupi i tij. Sepse shpirti me siguri ka mbetur në eterin e përjetësisë.
Dhimitër Shuteriqi


Friday, July 17, 2020

Depresioni i Madh i 2020-ës




Nga Leonard Veizi

Në statistikat e ardhshme viti 2020 me siguri do të mbahet mend si koha e sëmundjeve mendore apo si “depresioni i madh”. Ashtu si Amerika e viteve ’30 të shekullit të kaluar, me krizën ekonomike e cila u shfaq edhe në shumë vende të tjera për një periudhë gati 10-vjeçare. Në epokën moderne dhe vitet e shpejta të zhvillimit teknologjik, depresionet kanë qenë të herëpashershme, por shpesh të ndara nga njëri shtet në tjetrin. Ndërsa depresionet e mëdha mbahen mend për globalizimin e tyre.
Prej rënies së Murit të Berlinit, në këto tridhjetë vite të gjata të tranzicionit, Shqipëria futet për herë të dytë në një periudhë depresive. Hera e parë ishte ajo e vitit 1997.
Një mjek psikiatër me përvojë, me të cilin mora kontakt ditët e fundit, duke më shpjeguar shkaqet e traumave të mëdha shoqërore, më tha se aktualisht baza e njerëzve që paraqiteshin me simptoma ankthi e paniku, për të marrë ndihmë mjekësore, ishin nga kontingjenti i njerëzve me postrtraumat prej tërmeteve të vjeshtës 2019. Tetëdhjetë për qind e tyre ishin nga rrethi i Durrësit, pikërisht aty ku tërmeti u ndie më i fuqishëm, ku pati viktima e shumë dëme të mëdha materiale. Trauma thellohet edhe më fort kur shpresa për apartamentet e premtuara që do ndërtoheshin shpejt, është zbehur dhe ende asgjë s’po duket në horizont.
Sa për traumat si pasojë e karantinimit tremujor, të cilat erdhën në mundësi të shmangies së infektimit nga virusi “Sars Cov-2”, duket se kanë edhe pak kohë deri në shfaqjen e plotë të simptomave që kanë të bëjnë me ankthin dhe panikun.
Pacientët pritet të zënë radhën për të marrë konsulta ambulatore apo terapi të thelluara spitalore, pas pak kohësh. Ndoshta në fillim të vjeshtës. Pikërisht atëherë kur trumbetohet se Sars Cov-2 do të bëjë revolucionin e dytë shkatërrues brenda vitit. Kjo pa dyshim që do të sjellë pasoja zinxhir.
Pra, kemi të bëjmë me një “depresion kombëtar”.
Në vitin 1997 shqiptarët kaluan gjithashtu një traumë të tillë gjithëpërfshirëse, ku të sëmurët mbushën pavijonet e psikiatrikut, si fillimisht kishin tejmbushur ato të kirurgjisë e reanimacionit me të plagosurit e shumtë nga armët e zjarrit. Humbja e kursimeve në të ashtuquajturat “firma piramidale”, shoqëruar me zbrazje automatikësh e hedhje granatash në një luftë artificiale, ishte po aq traumatike sa një tërmet shkatërrues shoqëruar nga një luftë bakteriologjike e heshtur, e keqja e së cilës nuk dihet asnjëherë se nga të vjen.
Këtë herë nuk do të jetë problem vetëm Infektivi me numrin e kufizuar të shtretërve. Po aq në krizë së shpejti do të jetë dhe “5”-sa e Tiranës, “17 “ e Elbasanit apo psikiatrikët e Vlorës e të Shkodrës. Numri do të rritet ndjeshëm, sepse jo të gjithë janë të gatshëm t’i përballojnë sprovat e jetës me mospërfillje e duke i futur një mendje të lehtë.
Aktualisht, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë po na bombardojnë me statistika të përditësuara mbi të infektuarit me COVID-19. Situata bëhet më e rëndë kur përmendet numri në rritje i të vdekurve. Akoma më e rëndë, kur me kalkulime përqindjesh e veprime matematikore të vështirësisë së lartë na thuhet se për të infektuar, intubuar e viktima po arrijmë Italinë e Spanjën, e po vazhdoi kështu, do t’ia kalojmë dhe Amerikës. Kjo paradë shifrash, si një spektakël triller me skenar e regji të komanduar, e thellon situatën e depresionit e cila në një të ardhme të afërt do të jetë e pandalshme.
Tanimë virusi “Sars Cov-2” që në infektim e sipër ndërron kodin e kthehet në COVID-19, është i pari në Top Liste. Por ne nuk kemi informacion mbi të sëmurët nga kanceri, nga ata që ndërrojnë jetë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, për diabetikët, hemofilikët... Ne kemi të dhëna të përditshme vetëm për Covid-in. Dhe këto shifra duken vërtet të frikshme, nëse ballafaqohen krahasimisht me asgjënë. Ka 5 muaj rresht që Ministria e Shëndetësisë delegon një zyrtare, të hipë mbi një foltore e të na japë një informacion të panevojshëm. Sepse Covid-i nuk është më i keq, më i vështirë apo dhe vdekjeprurës nga gjithfarë sëmundjesh të tjera. Tanimë ai thjesht është kthyer në një gogol me të cilin tremben të rriturit.
Një gjë e tillë shkakton traumë. Dhe njerëzit që janë të prirë të dëgjojnë për ditë zyrtaren e radhës që ngjitet te foltorja e Covid-it, nëse kanë shpëtuar nga infektimi prej virusit, do të bëjnë pjesë në kontingjentin e atyre që së shpejti do të kërkojë një shtrat te Spitali Psikiatrik.
Sot, me këdo që mund të pish një kafe, shok, mik a i njohur i largët, do të të hapet e tregojë pa doreza se sa i stresuar është nga gjithçka ndodh përreth. Dhe nuk duhet shumë për të kuptuar që kjo është një traumë kolektive. Mjafton që kafenë ta pish te një lokal pranë një kryqëzimi me semafor. Dhe doza paranojake do të të shtohet dyfish. Aty do të shohësh se si shqiptarët që nuk i hipin më autobusit, por bredhin me makina prodhuar në vitin 2020, nuk durojnë dot as sekondën, por u bien borive në kor si të çmendur, sherrosen e shajnë brenda kabinave me ajër të kondicionuar, duke shtrënguar çdo sekondë me njërën dorë timonin dhe tjetrën celularin që i apdejton në mënyrë pabesueshmërisht të shpejtë.
A nuk është ky një tregues kolektiv i paqëndrueshmërisë psikike?
Çfarë duhet tjetër për të kuptuar se shoqëria po përjeton traumën dhe depresionin. Nuk është e nevojshme të dëgjosh lajmet për shtimin e numrit të vetëvrasjeve, apo të këshillave që japin psikologët për të mbajtur të presuara simptomat e sapofilluara. Mjaft të përqendrohesh te njerëzit në rrugë, në markata, në vendet e punës, në kafene e aty rreth vendbanimeve. Do të ndeshesh me gjithfarë çudirash të papara, nervozitet të pajustifikuar, me veprime absurde, me fjalor të tmerrshëm banal e konflikte të paqena. Dhe kjo nuk ka të bëjë me temperaturat e larta të stinës. Madje, e gjitha kjo situatë nuk ka të bëjë as me nivelin e kulturës apo edukatës së çdonjërit prej nesh. Thjesht, ka të bëjë me nivelin e mbajtjes nën kontroll të presionit e të stresit. Dhe kur nuk arrin ta menaxhosh dot më, pa dyshim do të japësh një spektakël negativ publik.
Në një studim të lexuar së fundmi, mbi situatën e sëmundjeve mendore në Shqipëri, thuhej se ato ishin në nivele të larta ku 1 në 4 persona të moshuar kishin shenja klinike të depresionit. Fakt tjetër, sipas këtij studimi, është që depresioni te gratë është më i shpeshtë se te burrat, ku pothuajse 1/3 e tyre kanë gjithashtu shenjat e depresionit. Pa dyshim, studimi nuk arrinte të kapte periudhën e tërmeteve apo të Covid-it, sepse një studim i tillë, nëse ka filluar tani, do kohën e vet deri në daljen e përfundimeve.
Dhe së fundi, dua të theksoj se ne flasim e i japim shumë rëndësi vetëm sëmundjeve mendore për të rriturit, por ndërkohë harrojmë se janë dhe fëmijët shtresa më e prekshme në situatat e depresionit gjithëpërfshirës. Duket sikur ata nuk janë aq të vëmendshëm ndaj zhvillimeve problematike, ndërkohë që janë po ata të cilët kanë përthithur të gjithë informacionin e pafiltruar, që përpunohet vazhdimisht në trurin e tyre, deri në shfaqjen e parë të atakut. Periudha të tilla depresive, pa dyshim do të shpërthejnë si simptoma të forta e plot ngarkesa vite më vonë, kur fëmijët e sotëm të jenë rritur mjaftueshëm, të kenë hyrë në jetë dhe të kenë marrë ‘stafetën’.


Tuesday, July 14, 2020

Laura Brahimi: Piktura ime s'ka logjikë, por ndjenjë dhe emocion


“E kam të vështirë të përshkruaj ndjenjën përballë telajos, mirëpo mund të them që para saj ndiej momentin e duhur dhe nevojën e duhur”

Nga Leonard Veizi

Kur merr telajon e bardhë dhe e vendos rrëmbimthi mbi këmbalec, bojërat e shkartisura aty-këtu, gjithfarë ngjyrash aspak të njëtrajtshme dhe një penel ende të pashkriftuar, ajo është e gatshme të kryejë “sakrificën” e radhës. Aty përballë saj diçka e re do të marrë jetë, dhe mund të vdesë po aty, nëse peneli dhe bojërat e patrajtshme nuk do të mund të kenë kiminë e dëshiruar. Një ndjesi marramendëse e mundon teksa vazhdimisht çliron diçka nga e gjithë ngarkesa që nuk arrin ta mbajë më brenda vetes. Pikërisht në ato çaste munduese e me një gëzim që fshihet herë pas here në skutat më të errëta të ndërgjegjes, ajo nuk arrin të mendojë matematikisht apo me një probabilitet të shtirë, se çfarë do të mund të dalë nga e gjithë kjo; një hyjni përtej imagjinatës a një djall i pakonceptueshëm, sidoqoftë. Sepse në të dyja rastet dhe në një të tretë gjithashtu, ajo nuk ka për ta përmbajtur dot veten, që një figurë të padekriptuar e plot mister ta shkodojë e ta kthejë në një realitet të trishtë mediokrish. Sepse e, mbi të gjitha, ajo nuk është një arkitekte e kalkuluar dhe as dizenjatore reklamash mediatike a sloganesh patetike, por një piktore e lirë, e frymëzuar pikërisht nga liria e saj e pakufizuar...

...Laura Brahimi është lindur në Ferizaj. Ka marrë pjesë në gjithfarë ekspozitash vetjake dhe kolektive, nja 25 të tilla, së paku. Në biografinë artistike të saj shkruhet se ka mbaruar Fakultetin e Arteve, “Pikturë Bachelor” dhe “Pikturë Master”, ku është diplomuar me temën “Psikanaliza dhe arti”. Gjithsesi, ajo ka dhe një diplomë tjetër për “Biznes Ndërkombëtar”. Por kjo për momentin nuk na intereson fare. Sepse po flasim për art e ndjenja të holla, dhe jo për blerje aksionesh ndërkombëtare në bursën e Nju-Jorkut. E pyetur në këtë këndvështrim, Laura Brahimi tregohet e gatshme, që me lexuesin e gazetës “Fjala” të ndajë mediatikisht raportin e saj me atë gjë shumë të rëndësishme që bën prej vitesh, pikturën.

Ju dhe piktura, si ndiheni para telajos?
Shumica e njerëzve me pikturën nënkuptojnë, ngjyrën, brushën dhe kohën e lirë. Arti komercial duhet të dallohet nga arti i vërtetë. E kam të vështirë të përshkruaj ndjenjën përballë telajos, mirëpo mund të them që para saj ndiej momentin e duhur dhe nevojën e duhur.


Në çfarë rryme përfaqësoheni?
E kisha të vështirë të kuptoja se çfarë bëja dhe çfarë do të doja të bëja. Mirëpo, duke u nisur nga përvojat e mia emocionale, nga përjetimet e mia, kam kuptuar që arti është hiç më pak se një metaforë, se një sublimim i instinkteve tona dhe është plotësisht i pavetëdijshëm... Një kërkim për një botë tjetër.
Me një ndjenjë melankolie, një dëshpërim në një pamje të bukur, pra pikturat e mia janë psikologjia ime, një rrymë moderne...

Cila është preferenca juaj, të realizoni objekte konkrete apo të punoni me imagjinatë?
Arti është një përpjekje për t’u integruar drejt njerëzve në përgjithësi, një revoltë në kërkim të dijes dhe të panjohurës, mirëpo duke ofruar një pamje sipas imagjinatës sime.
Gjërat konkrete mbeten te shikuesit që ngacmohen përballë artit tim.

Shqiptarët këtej dhe andej kufirit kanë shkolla të ndryshme pikture. Mund të bëni një vlerësim të tyre?
Për ne shqiptarët, në përgjithësi, njoh artistë të mirëfilltë dhe pa dashje, edhe art jo të mirëfilltë, d.m.th. “art kich”... Po ndalem te vlera e mirëfilltë.
Mendoj që në art nuk duhet akademi për të qenë vërtet artist, sot jemi në një kohë pa kohë, sepse nuk dallohet vlera nga antivlera, ndoshta kjo më brengos tek artistët me akademi profesionalisht të shkolluar. E kuptoj personalitetin e veçantë që s’kanë kohë të merren me antivlerë, por duhet një seleksionim që publiku të shijojë artin e mirëfilltë.

A ka pasur ekspozita të përbashkëta mes piktorëve të Tiranës dhe Prishtinës?
Ekspozita kolektive mes piktorëve të Shqipërisë dhe Kosovës ka mjaft, por uroj të bëhen më shumë projekte për t’u realizuar një lëvizje e tillë. Shkaku që ka shumë pakënaqësi të tjera,  mund të jetë pengesë për bashkëpunimin mes tyre.

Ju keni hapur një seri ekspozitash vetjake, në fakt, a jetohet vetëm me pikturë apo mbetet një profesion i dytë?
Mendoj që arti për mua s’mund të jetë profesion, mbase mendoj që është më shumë nevojë sesa një profesion që mund të jetoj prej tij.
Arti për mua s’ka logjikë, ka ndjenjë dhe emocion që anën intelektuale e ndihmon për t’u dhënë zgjidhje kërkimeve drejt një jete më ndryshe.