Saturday, August 6, 2022

Libri po zhduket nga ditët e pushimit, shenja e injorancës tonë


Nga 
Leonard Veizi

Në realitetin shqiptar, libri po humbet përditë e më shumë nga qarkullimi. Më pak libra ka tashmë në librari dhe kontigjentet e reja, hedhur në treg nga shtëpitë botuese, janë edhe më të pakta. Prodhimi i librit ka rënë ndjeshëm dhe industria e tij që vlonte ethshëm nën ritmet e konkurrencës, tanimë nuk mund të cilësohet më si e tillë. Dhe kjo është një tjetër tragjedi që po i ndodh njerëzimit: bashkë me pandeminë, ngrohjen globale dhe pakësimin e rezervave të ujit të pijshëm. Sepse kjo ka të bëjë me elementin kryesor të ushqimit shpirtëror: atë të thellimit të trurit, po aq e rëndësishme sa dhe një tryezë e shtruar me gjithfarë prodhimesh që ngopin stomakun, ku nuk mungon as alkooli për dehje dytësore.
Prej kohësh libri si produkt fizik ka nisur rënien. Por ndoshta viti 2022 është treguesi më i ulët i kurbës. Më poshtë se kaq do të thotë së ai nuk do të ekzistojë fare.
Në një vend si Shqipëria, ku shumica dërmuese e njerëzve mendojnë si të shtyjnë muajin me të ardhurat që kanë, elementi libër padyshim është një luks. Është më tepër se luksi për të shkuar në Teatër, ku bileta kushton 500 lekë, më tepër se në kinema ku bileta varion nga 600 deri në 800 lekë, sepse një libër sot kap vlerën e mbi 1000 lekëve të reja.
Padyshim që në këtë industri të ushqimit shpirtëror, - që shpesh padrejtësisht cilësohet dhe si industri luksi po aq sa dhe kozmetika, - libri është më i rrezikuari. Kjo dhe për një faktor tjetër që deri tashmë është anashkaluar. Nëse një regjisor të sjell “llokum në gojë”, një pjesë të mirë teatrale apo një etyd kinematografik, një libër, për t’u lexuar do vëmendje e përqendrim. Pra është një lodhje, risk të cilin jo çdokush e merr përsipër. Ndaj dhe në raste të një “fast-food-i”, ajo që mënjanohet më shpejt është të bërit të gjellës me shumë elementë. Në rastin konkret është libri.
Në mënyrën e zakonshme të jetesës, ndodh që librat artistikë janë lexuar në kohë pushimesh. Ose gjatë fundjavave, ose nën një çadër plazhi. Madje pamja e njerëzve me nga një libër në dorë duke bërë njëkohësisht edhe banjë dielli, ka qenë një nga gjërat që e ndeshje rëndom në ditët e sezonit veror. Gjithkush, kur nisej me pushime, veç rrobave të preferuara merrte në çantën e tij personale edhe disa libra, pavarësisht se koha e pushimeve mund të mos i dilte për të lexuar qoftë edhe njërin prej tyre. Dhe libri në pushime është tregues kryesor mbi masën e leximit. Në këtë rast nuk na hyjnë në punë statistikat. Sepse statistikat thonë që lexueshmëria mund të ulet në korrik-gusht por rritet në tetor-nëntor, në muajt e letërsisë dhe të panairit. Dhe kështu me globalin jemi kënaqshëm si shoqëri.
Nga përvoja personale, e palidhur aspak me statistika shoqatash joqeveritare, më rezulton se libri artistik është në pikën më të ulët të kurbës rënëse. Dhe për këtë po i referohem një episodi në dukje të ngushtë që ka të bëjë me 5 ditët e para të muajit gusht në plazhin e Durrës-Golemit.
Vija bregdetare është e gjatë për t’u pasur zili. Në një shëtitje prej të paktën 12 kilometrash të ndarë në dy pjesë të ditës, të cilat në 5 ditët e kulmit të sezonit përkthehen në të paktën 60 kilometra, nuk arrita të bëja qoftë dhe një foto të një plazhisti me libër në dorë. Një gjë të tillë e kam bërë çdo vit. Dhe fiksimi për të gjetur një lexues libri në letër u kthye në makth, për të gjetur qoftë dhe një prej tyre që ta quaja misionin e kryer dhe kjo të më krijonte një ide ndoshta dhe të gabuar, se ka një përqindje të vogël njerëzish që vazhdojnë ende të lexojnë në letër, dhe se libri nuk është braktisur përfundimisht.
Por kjo nuk ndodhi.
Kjo do të thotë se libri fizik është braktisur përfundimisht, dhe duhet ta themi se nuk na vret njeri. Në këtë mes nuk dua të përfshij atë grup të vogël njerëzish që vazhdojnë t’u drejtohen librarive, sepse ata janë aq pak sa nuk ngrejnë kandar.
Tanimë jam vërtet i trishtuar, sepse mungesa e librit në ditë pushimesh, tregon se njeriu i ditëve të sotme nuk ka më nevojë për këtë lloj ushqimi shpirtëror, dhe ai po e braktis përditë atë siç ka braktisur dhe sallat e teatrit apo të kinemave. Dhe në ditët e plazhit, ashtu si dhe në ditët e tjera të vitit, ndeshesh gjithnjë e më tepër me shprehjen, që e meriton të shkruhet me gërma të arta: “Do të të tregoj një vend ku hahet mirë”.
Mirëpo Molieri, që ishte ca më i mençur se ne, tek komedia e tij e famshme “Kopraci”, në mënyrë groteske na shtroi parimin: “Hamë që të rrojmë dhe nuk rrojmë që të hamë”, të cilat njeriu i kohëve moderne, të cilit nuk i mungon më ushqimi, e ka kthyer në: Rrojmë që të hamë... dhe pikë.
Kthehemi tek libri.
Varavingot e mia me celular të ngrehur se mos gjeja dikë me libër në dorë, më shkuan kot. Nuk gjeta një njeri për besë. Me celular po. 99 përqind e njerëzve lexonin në internet gjithfarë idiotësirash, të cilat sot postohen pa ISBN dhe pa certifikatë matrikulimi. Domethënë mall rifuxho.
A është kjo shenjë e injorancës tonë, e cila po thellohet përditë e më shumë?!

Degradimi moral i shoqërisë shqiptare dhe dorëzimi para fatit “të thënë”


Nga 
Leonard Veizi
 
Jemi në ditë pushimesh. Mbrëmja pushtohet nga muzika “live” e restoranteve. Orkestrat luajnë muzikë të gëzueshme e njerëzit kërcejnë të shpenguar. Janë lodhur në një vit pune dhe mezi i kanë pritur këto pushime. Ndaj gëzimin e tyre nuk mund ta prishë halli i një tjetri.
Disa orë më parë se kaq, portalet dhe rrjetet sociale në internet ishin marrë gjerësisht me një lajm të zi. Një vajzë e vogël tek luante në breg të detit përplaset nga një motoskaf. Dhe... vdes.
Tragjedi.
Kishte ardhur për pushime familjare nga shumë larg dhe rrugën e kthimit nuk e bëri më në ndenjëset e avionit komod të linjës, por me një arkëmort. Rrjetet sociale u përgjakën po aq sa deti nga gjaku i vogëlushes. Dielli shkëlqen, por dita dukej e zezë.
Kjo ishte gjëma.
Ne si shqiptarë të thjeshtë, që plazhin e bëjmë disa dhjetra, në mos disa qindra kilometra larg vendit ku ndodhi tragjedia, na vjen keq, - dikush edhe përlotet -  dhe hedhim ndonjë status në Facebook. Dhe e quajmë të kryer detyrimin tonë. Tek e fundit nuk heshtëm. Tek e fundit, e kryem reagimin tonë prej qytetari. Tek e fundit, u munduam t’ia lehtësonim sadopak barrën e dhimbjes familjarëve.
Solidariteti vlejti një gjysmë dite. Pastaj qielli nisi të hapej dalëngadalë dhe të gjithë plazhistët vunë re se dielli shkëlqente për mrekulli. Kishim shkuar për pushime, apo jo?
Nëpër plazhe jeta vijoi normalisht. Njerëzit u lanë sërish në det, hipën nëpër varka plastike që remohen me këmbë dhe kërkuan shëtitje me motoskaf, po si ai që përplasi pa mëshirë vajzën e vogël, që me një gëzim të ligjshëm fëmijëror, luante në breg të detit.
Dielli shkëlqente. Qielli ishte blu. Dhe deti po aq. Gjurmët e gjakut ishin zhdukur. Dhe jeta na ftonte të hidhnim tutje gjithçka të keqe dhe të shijonim çastin që ikte pas e nuk kthehej më. Dhe ashtu bëmë të gjithë.
Ishte e njëjta kohë kur vogëlushja pa jetë qëndronte në një dhomë ambulatore duke u përgatitur për një udhëtim të gjatë. Udhëtimin e fundit të jetës. Udhëtimin që nuk do ta sillte më në brigjet e bukura të Jonit, ato brigje që njerëzit e ndyjnë më shumë se sa anijet që shkarkojnë gjithfarë mbeturinash.
Por ne si njerëz të thjeshtë, - plazhistë apo punonjës zyrash që kanë kohë mjaftueshëm të merren me argëtimet në internet, - e kishim kryer misionin tonë. Fati i keq ishte i familjarëve të viktimës. Ata duhet të qanin e t’i binin kokës me grushte. Ata duhet të hanin veten me dhëmbë dhe të mbyteshin në lotët e tyre. Sepse fati i keq ishte për ta. Ndërsa ne të tjerët... duhet të argëtoheshim nëpër pista kërcimesh me muzikë “live”.
Jemi në ditë plazhi. Restorantet ftojnë pushuesit me këngëtarë që mbajnë nga një mikrofon në dorë: diku ndihet buzuku grek, diku një kanconetë italiane e diku më tutje tallava kosove.
Jeta vazhdon...
Ne jemi të qetë të vazhdojmë ta shijojmë çastin tonë. Sepse ne e bëmë atë çfarë kishim për të bërë. Nuk qëndruam duarkryq. E thamë fjalën që na kish munduar në shpirt. E hoqëm barrën të na rëndonte. Dhe kaq.
Fill pas kësaj nisën sërish postimet e selfieve buzë detit. Po atij deti që më parë se kaq kishte marrë ngjyrën e gjakut të vogëlushes. Dhe ca video paksekondëshe nga jeta e shfrenuar në “shkuma-party”.
Harrojmë shpejt...?
Nuk është vetëm kjo. Gjithçka është tregues i një realiteti të trishtë. Degradimi moral i shoqërisë. Dhe kësaj i shtohet degradimi i strukturave të shtetit, të cilat përditë e më shumë lëshohen.
Prej kohësh shoqëria shqiptare është në një krizë morale. Dhe shkak nuk është domosdoshmërisht postpandemia që po nxjerr në shesh goditjet e marra në ditët e izolimit dhe të panikut. Ajo mund t’i ketë dhënë një shqelm të fundit. Por problemi ka ekzistuar prej kohësh.
Është e pamundur që ne si shoqëri jemi sa e krekosur e imponuese, e sertë dhe hakmarrëse aq dhe e squllët e amorfe deri në pranimin e sakrificës në emër të “fatit të keq”, “fatit të shkruar” apo “fatit të thënë”. Ndërkohë që nuk kemi fuqi të ndryshojmë realitetet tona. Ndaj ulim kokën dhe vetëm pranojmë.
Ky është disfatizëm.
Në reagojmë në mënyrë masive vetëm nëpërmjet celularëve tanë. Kemi gjetur mënyrën më idiote për t’u shfrehur: në Facebook. Dhe i kemi larë duart. Edhe burrat e shtetit të ngushëllojnë sot në Facebook... me statuse qesharake. Ndërsa portalet nxitojnë të mbledhin pikët e mbetura rrugëve: “Si e komentoni tragjedinë e ndodhur në Himarë?”. Vuuu... shkarkesa. Sharje, emoji me lot në sy dhe faqe të skuqura nga inati, dhe plot banalitete të tjera. Po, po, ne e kryejmë detyrimin tonë si qytetarë të denjë të Republikës. Jemi të ashpër e vetmohues në qëndrimin tonë... pas celularit, me një emër anonim. Por burra që dalin të përballen me të keqen janë të paktë.
Jemi në sezon pushimesh. Dhe vetëm pak ditë më parë ka qenë një tjetër ngjarje e tmerrshme në det. Kur vëllai shpëtoi vëllanë dhe shokun e tij, por humbi jetën e vet. Dhe të dyja tragjeditë ishin lehtësisht të shmangshme, nëse shteti do të njihte kufijtë e tij pa u futur në sinorët e tjetrit. Sepse në të dyja rastet flitet për çmontimin e mendjes të punonjësve që marrin rrogën nga shteti për të shpëtuar jetët njerëzore dhe jo për të mbledhur kufomat e tyre.
Ndërsa shoqëria nuk reagon ndaj shtetit as kur një punonjës i saj nuk ndodhet të bëjë detyrën e të shpëtojë atë që është në vështirësi e as kur një tjetër punonjës i saj i merr jetën një vogëlusheje, qoftë dhe në mënyrë aksidentale por krejtësisht të papërgjegjshme.
Shoqëria jonë është në një dekadencë morale të paparë: sapo mbaron ceremonia mortore sulet te restoranti me këngëtarin “live” të mbysë hidhërimin me raki e të dëgjojë ca muzikë tallava që të qetësojë shpirtin. Se është fort i dërrmuar e ka nevojë për pak përkrahje.
Ndërkohë shteti vetë është me pushime. Pushime masive. Dhe me justifikimin në majë të gjuhës...
-Për ju po punojmë.
-Për kë?... në fakt.
Ndaj nuk është rastësi që një oficer ushtrie kapet duke kultivuar lëndë narkotike, se nuk i dilte rroga, e një oficer policie nxjerr turistë nëpër det se nuk i del rroga. Bëjnë punë të dyta dhe nuk bëjnë asnjërën të saktë. Ose i bëjnë keq të dyja, duke menduar se ia hodhën.
Edhe mua si gazetar në fakt nuk më del rroga. Madje, nuk ka shqiptar që bën punë të ndershme, qoftë duke shitur krahun apo mendjen e tij, - që t’i dalë rroga e të ngryset e të gdhihet pa e vrarë mendjen për të nesërmen. Por kjo deri më tani nuk më ka shtyrë ta bëj keq një punë të dytë, por ta fus një lek në xhep gjithsesi. Sepse me siguri që një ditë do ta vjell.

 


Thursday, August 4, 2022

Në Nju Jorkun me pallate 100 kate e rrugë të prishura ku bashkëjetojnë të gjitha kombësitë dhe gjuhët

Shënime udhëtimi
 



Nga Leonard Veizi

 
Nëse ka një vend ku ndihesh si në shtëpinë tënde, ambientohesh menjëherë me rrugët e pallatet dhe nuk e mban shpinës racizmin mbi origjinën tënde, ai është Nju Jorku. Nuk ka rëndësi kush je, në cilin fshat ke lindur dhe sa klasë shkollë ke bërë. Ti je një qytetar i lirë dhe për jetën tënde askush nuk të kërkon asnjë gram llogarie. A...po... nëse ngre një kauzë, ku flitet për të drejta e jetës njerëzore, njujorkezët janë gati të bashkohen me ty, ta djegin qytetin dhe të vriten për kauzën e ngritur. Sepse ata besojnë që liria është mbi gjithçka, e më pas vijnë të tjerat.
Kjo sa për fillim, - për të kuptuar se liria dhe dinjiteti njerëzor është më i shtrenjtë se i gjithë arsenali i kullave që ngrihen deri në re, - pasi më tej, në një mënyrë të thjeshtëzuar me fjalë e krejt amatorë në figurë, - do mund të sjellë vetëm disa aspekte të shkëputura nga qenësia e një qyteti magjik e plot jetë siç është ai i Nju Jorkut buzë Atlantikut.

 
***
Në qytetin e Nju Jorkut banojnë të paktën 9 milion banorë, e ndoshta po kaq hyjnë e dalin si vizitorë. Por nuk është kjo ajo që e bën kryeqytet botëror. Sepse bota ka qytete edhe më të mëdha që s’u gjendet fundi. Por në Nju Jork janë mbërthyer të gjitha kulturat ku padyshim në themel qëndron ajo anglo-saksone që ka ndihmuar thellësisht në strukturën e vendit. Principet demokratike, kjo është ajo që e kthen Nju Jorkun nga një qytet amerikan në një kryeqendër botërore. Dhe Nju Jorku vazhdon dhe sot të jetë porta hyrëse e emigracionit e të pranojë pa fund gjithkënd. Të gjithë e synojnë. Të gjithë bashkëjetojnë me atë që nuk ia ka marrë mendja deri dje. Të gjithë kërkojnë të jetojnë me punën e tyre e krejtësisht të pavarur nga çdo lloj paragjykimi. Këtë ua jep Nju Jorku. E nëse merr statusin: “amerikan”, gjithçka është e tejkaluar.

 
***
Ka një postulat që nuk është legjendë urbane: Në Nju Jork askush s’di anglisht dhe të gjithë merren vesh. Dhe kjo është e vërtetë. Sepse gjithkush flet gjuhën e tij dhe vetëm kur nuk ka nga ia mban, është i detyruar të flasë anglisht për aq sa di, ku në punë hyjnë shumë dhe gishtat e gjestikulacionet. Amerikanët nuk pinë kafe për kafe, ashtu si shqiptarët. Në kulturën e tyre është që ulen në lokal për të konsumuar një ushqim çfarëdo qoftë. Shumica e njerëzve në rrugë mbajnë në dorë një gotë me kafe, një pije me gaz apo lëng frutash. Në njëfarë mënyre ata nuk ushqehen shëndetshëm, si një evropian që jetën ia mban peng peshorja e farmacisë dhe dieta dobësuese. Prandaj dhe quhen: amerikanë. Vishen thjeshtë si t’ua marrë mendja dhe vajzat i nxjerrin në pah defektet e trupit bashkë me celulitin. Por kjo nuk i bën përshtypje kërkujt. Në jo në pak raste në ditët e nxehta do të gjesh djem me pantallona të shkurtra, lakuriq në pjesën e sipërme dhe një çantë hedhur mbi shpinë. Dhe pas kësaj njihesh me postulatin tjetër: Në Amerikë nuk hekuros kush. Domethënë; laj, thaj, vish.
 

***
Ecën nëpër Nju Jork pa e kuptuar se ku po të çojnë këmbët. Edhe me tram mund të ecësh për orë të tëra dhe kur del në sipërfaqe përsëri je në Nju Jork. Por kudo të shkosh, do gjesh dhe një shqiptar. E çuditshme. Në njëfarë mënyre duket sikur në Nju Jork dominojnë amerikano-latinët apo aziatikët. Por po të dëgjosh me vëmendje gjuhën e folur me gjasa shqiptarë do të gjesh më shumë. Flitet për emigracionin e ri pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, sepse ai i vjetri, i para Luftës së Dytë Botërore, është përqendruar në Boston ku dhe Fan Noli ngriti kishën e tij.
Por në rrugët e Nju Jorkut gjen po aq lokale me emra shqip. “Albania”, “Tirana”, por dhe “Ballkan Girl” që gjithsesi na përfaqëson. Dhe në markata përveç uiskit habitshëm sheh se ka dhe konjak “Skënderbeu”...

 
***
Dy herë në javë, të hënën dhe të enjten, Nju Jorku bëhet një qytet fort i ndotur. Mbushet me qeset e mbeturinave. Male me plehra ngrihen në anë të rrugës edhe në Manhatenin e famshëm. Por në mëngjes nuk gjen asnjë prej tyre. Mirëpo në edicionet e lajmeve nuk ngrihen tema të tilla sociale dhe as kamera televizionesh nuk sheh të filmojnë problematikat që nisin me mirëmbajtjen e rrugëve, të cilat janë për ibret. E megjithatë, faqet e para të gazetave jo rrallë flasin për krimin.

 
***
Por në Nju Jork ka dhe raste të tilla, kur dikush ikën pa paguar dhe në shtylla rrugësh gjendet fytyra me mbishkrimin “Wanted” si në filmat “uestern” të  Klint Istvud. E megjithëse në rastin konkret një hamburger i ngrënë me shpejtësi kushtonte vetëm 10 dollarë, i zoti i lokalit kishte vënë për kokën e personit 500 dollarë në dispozicion. Vetëm që ta diskretitonte. Vetëm ky dispozicion qytetar dhe ligji e policia, mund ta mbajnë rendin në një qytet si Nju Jorku, ku kanë zbarkuar njerëz nga e gjithë bota, që mundohen të rregullojnë jetën e tyre duke prishur me raste atë të tjetrit.
-Në Nju Jork nuk gjen qen rrugaçë. Edhe pse njerëz të pastrehë, më keq se qentë rrugaçë, mund të flenë në ndonjë stol apo në metro. Nëse shihet një qen i tillë, ata kapen dhe çohen në qendrat përkatëse të cilat kujdesen për birësimin e tyre. Por në Nju Jork askush nuk guxon ta mbajë qenin e tij të palidhur. Në një rast të tillë policia të gjobit pa më të voglën mëdyshje.
-Nju Jorku është një qytet, i cili u godit fort nga pandemia Covid, por tanimë është duke u rikuperuar dhe po aq nuk gjen qetësi, as në tokë me lëvizjen e makinave, as në lumë e oqean me lëvizjen e gjithfarë anijesh dhe as në qiell me korridoret ajrorë ku kalonin avionët e panumërt dhe plot helikopterë.
-Në Nju Jork mund të pish një birrë në pab "Cooper" ku janë luajtur episode nga seriali "The King of Queens" dhe po aq të shëtisësh në Central Park që është skena e shumë filmave mes tyre dhe i famshmi "Home Alone".
-Nju Jorku ka shumë vende për të vizituar, janë ura e Bruklinit, Madison Square Garden, rreth 500 galeri arti, 150 muzeume, mbi 100 teatro. Me famë botërore janë gjithashtu edhe muzeumet Guggenheim, Muzeu Metropolitan i Artit dhe Muzeu i Artit Modern.
-Dhe po aq sa ka varreza të thjeshta pranë qendrave të banuara, po aq gjen edhe varre të çuditshëm prej guri si muzeole, ku padyshim prehen trupat e njerëzve me peshën financiare si rasti i një Rothçailldi.

 
Kronikë arkivale
Nju Jorku është qyteti më i populluar në Shtetet e Bashkuara dhe një nga aglomeratet urbanë më të populluar në botë. Ky qytet ushtron një ndikim të rëndësishëm në tregti, financë, media, art, modë, kërkime shkencore, teknologji, arsim dhe argëtim. Enciklopedia na informon se sipërfaqja e tij është 790 km². Përbëhet nga 5 rajone administrative që janë: Bruklin, Kuins, Manhaten, Bronks, dhe Stejtën Ajllend.
-Queens-i është rajoni më i madh ku banojnë rreth 2.500.000 banorë. Aty gjenden dhe dy aeroportet, La Guardia dhe JFK.
-Brooklyn-i,  pjesa më e populluar e Nju Jorkut me 2.400.000 banorë.
-Manhattan-i ka rreth 1.600.000 banorë dhe një sipërfaqe rreth 59 km². Kjo zonë përbëhet nga 4 ishuj, Manhattan-i si më i madhi, Roosevelt Island, Ward’s Island dhe Governors Island.
-Bronx-i ka afërsisht 1.300.000 banorë.
-Staten Island-i ka rreth 500.000 banorë.
Në enciklopedi bëhet e ditur se për shkak të emigracionit në Nju Jork fliten rreth 800 gjuhë.
 
Subway
Në këmbë nuk ecën dot, për shkak të largësive, por dhe makinë nuk ke. E megjithatë, Nju Jorku është lehtësisht i aksesueshëm me metro. Po të jesh i orientuar, treni që kalon herë nën tokë e herë mbi pallate, të çon ku të duash. Dhe nuk ke frikë se s’di ku të parkosh makinën. Në garazhet e Manhatenit do të të duhen 25 dollarë ora për të parkuar makinën tënde, nëse nuk ke mundësi që ta parkosh në rrugë me 10 dollarë ora.
Metroja e Nju Jorkut me më shumë se 472stacione dhe me 399 km rrugë, është një sistem tranziti i shpejtë, nga më të vjetrat në botë dhe nga më të përdorurat. Në metro mund të ndërrosh trenat por mund të dëgjosh dhe muzikë të mirë nëse ke kohë mjaftueshëm...
Por në Nju Jork mund të lëvizësh lehtësisht me autobus si edhe me anijet e vogla që luajnë rolin e transportit urban nga njëra anë e lumit në tjetrën, po me të njëjtën kosto, sa dhe ajo e metrosë.
 
Manhattan
Emri i Manhatenit është i pandashëm me atë të Nju Jorkut dhe ndoshta vetë Nju Jorku nuk do të kishte aq vlerë nëse nuk do të kishte si pjesë përbërëse Manhatenin. Manhattan është një ishull i gjatë, me shumë porte natyrore, i kufizuar në perëndim nga lumi Hudson apo “Hudson River, nga lumi Lindor apo “East River”. Themelet e Manhattan-it janë mbi tokë shkëmbore, gjë që ka mundësuar ndërtimin e godinave të larta.
Manhaten përbëhet nga: Lower Manhattan: Midtown Manhattan: Upper Manhattan: Harlem: Washington Heights:
Në Manhaten gjendet edhe vendi më i rëndësishëm financiar i planetit i njohur “Wall Street”.
Gjithashtu në Manhaten e ka selinë Organizata e Kombeve të Bashkuara, që e ka kthyer Nju Jorkun dhe si një qendër të rëndësishme për diplomacinë ndërkombëtare.
Atraksionet kryesore në Manhaten janë dhe disa ndërtesa: e pashoqja“Empire State”, befasuesja“Chrysler”, madhështorja “Rockefeller Center”, etj.
 
Wall Street
Wall Street është një rrugë me tetë blloqe të gjatë në Distriktin Financiar të Lower Manhattan. Ai kalon midis Broadway në perëndim në South Street dhe East River në lindje. Termi "Wall Street" është bërë një metonim për tregjet financiare të Shteteve të Bashkuara në tërësi, industrinë e shërbimeve financiare amerikane, interesat financiare me bazë në Nju Jork, ose vetë Distriktin Financiar. Për shkak të Wall Street, Nju Jorku është përshkruar si qendra kryesore financiare në botë.
Në Woll Strit, veç të tjerash do të ndeshësh edhe me “The Trump Building”.
 
Ura e Bruklinit
Nju Jorku njihet për urat e shumta. Disa prej tyre janë: “Brooklyn Bridge”, “Manhattan Bridge”, “Williamsburg Bridge”, “Quens Midtown Bridge”, “Quensbooro Bridge”, “Verrazano-Narrows Bridge”.
Ura e Bruklinit, ky tipar ikonik e madhështor në horizontin e qytetit, lidh dy lagje Manhatenin dhe Bruklinin duke kaluar mbi “East River”. Ura “Brooklyn”është një nga urat më të vjetra të varura në Amerikë. Aty mund të ecësh me makinë por mund të shëtisësh dhe në këmbë.
Ndërtimi i saj zgjati 14 vjet. Ka një gjatësi prej 1825 metrash dhe gjerësia 26 metra. Që nga viti 1883, kullat prej graniti dhe kabllot prej çeliku kanë ofruar një kalim të sigurt dhe piktoresk për miliona udhëtarë, karroca dhe makina, trena dhe biçikleta. Të paktën dy duzina njerëz vdiqën gjatë ndërtimit të saj, duke përfshirë projektuesin John Augustus Roebling. Pak para se të fillonte ndërtimi në 1869, Roebling u plagos për vdekje në një aksident ndërsa po inspektonte punimet. Djali i tij 32-vjeçar, Washington Roebling mori detyrën si kryeinxhinier.
 
Sheshi Times
“Times Square” është një kryqëzim i madh tregtar, destinacion turistik dhe qendër argëtimi në Midtown Manhattan. Ai është formuar nga kryqëzimi i Broadway, Seventh Avenue dhe 42 Street. Ka një shkëlqim verbues prej tabelave dhe reklamave të shumta, ndaj dhe quhet "Kryqëzimi i Botës", apo "Qendra e Universit". Times Square është një nga atraksionet turistike më të vizituara në botë, duke tërhequr rreth 50 milionë vizitorë çdo vit.
I njohur më parë si Sheshi Longacre, Times Square u riemërua në vitin 1904 pasi gazeta “New York Times” e zhvendosi selinë e saj në ndërtesën e sapo ngritur atëherë “Times”, tani “One Times Square”.
 
Statuja e Lirisë
Padyshim simboli i Nju Jorkut është Statuja e Lirisë, që në 1886 u vendos në ishullin e Lirisë apo “Liberty” në jug të Manhatenit, si dhuratë e Republikës Franceze. Krijuesi i tij ishte skulptori Frederik Bartoldi por i ndihmuar dhe nga Gustav Eifel.
Përveçse mund ta vizitosh nga afër, Statuja e Lirisë është afërsisht e dukshme nëse lundron me anije nga Manhaten për në Staten Island.
 
Ground Zero
“Ground Zero” është memoriali që përkujton viktimat e sulmeve terroriste të vitit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë. Zona ku ndodhi episodi u bë një krater i madh i quajtur Ground Zero. Gjithsej 2983 persona humbën jetën në sulmet e 11 shtatorit në Word Trade Center. Të gjithë emrat e tyre janë gdhendur në bronz, rreth dy pishinave të mëdha përkujtimore që formojnë zemrën e memorialit. Pas prishjes së Kullave Binjake dhe ndërtesave ngjitur me të, i gjithë vendi duhej të rikompozohej. Mes ndërtimeve të ndryshme, ia vlen të shihet Qendra Botërore e Tregtisë, një rrokaqiell i shkëlqyer dhe mahnitës i inauguruar në vitin 2014, i cili është kthyer në një nga simbolet kryesore të Nju Jorkut.
 
Observatori
Qendra Botërore e Tregtisë, e njohur gjithashtu si “One World Trade”, është ndërtesa kryesore e kompleksit të rindërtuar të Qendrës Botërore të Tregtisë në Lower Manhattan. Ajo është ndërtesa më e lartë në Shtetet e Bashkuara dhe e shtata më e larta në botë. Struktura super e lartë ka të njëjtin emër si Kulla Veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë.
Teksa ngjitesh me ashensorin Sky Pod, në të katër anët e tij të shfaqen pamjet të qytetit gjë që të bën të përjetosh njëkohësisht historinë e evolucionit 500-vjeçar të Nju Jorkut në më pak se 60 sekonda. Kjo e kthen distancën e ngjitjes së 100 kateve në një kohë të shkurtër e të papërfillshme.
Nga pika më e lartë qyteti i Nju Jorkut duket sikur është nën këmbët e tua. Në katin 102, në një ekran gjigant, mund të shohësh horizontin virtual të qytetit të transformuar përgjatë shekujve të historisë.
 
"Grand Central Terminal"
Grand Central Terminal është hapësira publike më e jashtëzakonshme në qytetin e Nju Jorkut. I hapur për publikun në vitin 1913, ky terminal historik i trenave është një pikë referimi me famë botërore në Midtown. Historia e saj është një histori e pasur e inxhinierisë. Grand Central mbetet një nga stacionet më të ngarkuara të trenave në botë, me rreth 750,000 vizitorë çdo ditë.
 
Broadway
Distrikti i Teatrit është një tjetër atraksion fort i njohur turistik në qytetin e Nju Jorkut. Shumica e shfaqjeve në Broadway janë muzikore. Broadway përbëhet nga 41 teatro profesionistë, secila me 500 ose më shumë vende, të vendosura në Distriktin e Teatrit, në Midtown Manhattan. “Broadway” dhe “West End” i Londrës së bashku përfaqësojnë nivelin më të lartë komercial të teatrit në botën anglishtfolëse.
 
Policia dhe emergjencat
Thuhet se në Nju Jork zhurma më e zakonshme është ajo e sirenave të emergjencës. Mjafton të ngresh telefonin e të thuash fjalën “help” dhe si lokalizohet vendndodhja drejt teje vijnë tre ekipe, policia, ambulanca dhe zjarrfikësja.
Policët në Nju Jork janë miqësorë dhe nëse kërkon ndihmë të vihen menjëherë në dispozicion. Edhe pse të ndodhura kudo me patrullat e tyre, askush nuk të ndalon për atë që në Shqipëri quhet si “kontroll rutinë”. Nëse policia të ndalon, patjetër që problemi je ti, qoftë dhe se ke kaluar shpejtësinë e lejuar të qarkullimit. Dhe gjëja e parë që të thonë kur mbërrin në Nju Jork është se me policinë e qytetit nuk bëhet shaka. Por ajo e shtetit është edhe më e rreptë.
Dhe nuk duhet harruar se një qytet që mban mbi vete qindra kombësi e mentalitete të ndryshme, padyshim ka pasur dhe një numër të madh të kriminalitetit që është pasqyruar edhe me vrasjen e shumë policëve. Ndaj nëse policia të ndalon, ajo që duhet të bësh është të qëndrosh pa lëvizur dhe të marrësh vetëm komandat që të jep oficeri. Përndryshe...
Dhe rastis të shoh epilogun e një aksioni policie që përfundon me prangosjen e një personi...
 
Muzeu detar
Aeroplanmbajtësja “Intrepid” e përdorur në Luftën e Dytë Botërore dhe në Luftën e Vietnamit prej vitesh është kthyer në një muze historik të marinës ushtarake amerikane, në bordin e së cilës janë strehuar një koleksion i avionëve luftarakë. Muzeu “Intrepid Sea, Air & Space” i themeluar në vitin 1982, ndodhet në Pier 86 në 46 Street, përgjatë lumit Hudson, në anën perëndimore të Manhatenit.
 
Central Park
Nju Jorku është një qytet mjaft i gjelbëruar, dhe ndotja nuk ndihej aspak edhe pse në rrugët e tij qarkullojnë një mizëri makinash. “Central Park” si një mushkri e qytetit, është parku urban më i vizituar në Shtetet e Bashkuara, me rreth 42 milionë vizitorë në vit, dhe lokacioni më i filmuar në botë. Aktivitetet përfshijnë turne me karroca dhe biçikleta, çiklizëm, objekte sportive dhe koncerte. Në Central Park do të gjesh në çdo kohë show nga artistët e rrugës si dhe këngëtarë e instrumentistë të cilët i japin një atmosferë të gëzueshme çdo këndi.
 
Epilogu
A është Nju Jorku një “El Dorado”? Me siguri. Nëse i futesh punës vençe e gjen thesarin e kërkuar. Kur je turist, gjithashtu. Vetëm kur largohesh nga ky qytet magjik e kupton se çfarë ke lënë pas, apo çfarë ke humbur. Dhe pas kësaj nis e vlon sërish dëshira për rikthim në “tokën e premtuar”.

Friday, July 29, 2022

Të presësh vdekjen mes lajmeve të rreme


Nga Leonard Veizi
 
Jemi në një valë informacioni dhe disinformimi. Në rastin konkret, nuk ka gjë më të vështirë të ndash atë që në gjuhën popullore quhet ndarja e “shapit nga sheqeri” por që në terminologjinë moderne vjen: ndarja e informacionit nga disinformacioni.
Shoqëria e sotme është e mbytur në disinformacion. Edhe media, e ashtuquajtur e pavarur, nuk ka mundësi ta ndihmojë dot, në mos është pikërisht ajo që shpërndan më së shumti lajme të rreme.
Dezinformimi përshkruhet si “mesazhe të motivuara politikisht të krijuara në mënyrë eksplicite për të shkaktuar cinizëm publik, pasiguri, apati, mosbesim dhe paranojë, të cilat dekurajojnë angazhimin dhe mobilizimin e qytetarëve për ndryshime sociale ose politike”.
Pra dizinformacioni e ka një vlerë. Shumë të madhe madje kur vihet në shërbim të konjukturave të veçanta.
Aktualisht bota është përfshirë nga lajme të çuditshme të cilat po çuditshëm alternohen me njëra-tjetrën. Konspiracionistët thonë se e gjitha është një lojë me algoritmin e saj. Por konspiracionistët nuk është se kanë gjithmonë të drejtë. Sepse ata gjithçka e shohin me dyshim dhe sipas tyre nuk ka asgjë rastësore në këtë botë por çdo gjë është e dirigjuar.
Nga Zoti vallë? Apo nga njeriu i pabindur dhe i panginjur?
A mund të jetë e vërtetë kjo?
Jovan Bregu i “Pallatit 176” thoshte: Pse gënjeshtrat nuk u thënkan sipas teje? Atëherë nga e dimë ne që në botë paska edhe të vërteta edhe gënjeshtra? Po e dimë ngaqë kur është nevoja edhe gënjejmë, por edhe na gënjejnë. Në rastin konkret ne po gënjejmë për mirë...
Kjo do të thotë që gënjeshtra, - në rastin edhe më konkret, - të shërben ty që je pakicë, dhe që mashtron shumicën. Ndaj shumica ka qenë gjithmonë e mashtruar. Edhe gjatë kryengritjes së Spartakut, edhe në revolucionin francez, por sidomos në atë bolshevik...
Ca si me spec kjo punë.
Të vijmë në aktualitet. Vetë rritja e çmimeve e cila u shpall përpara se të kishte një moto reale për të startuar, ishte një gjë e planifikuar. Sot askush nuk e ndal dot. Çmimet rriten për qejf, dhe pakkush është në gjendje të thotë se në xhepat e kujt shkojnë paratë që mblidhen me shumicë, por që në rang global bëjnë miliarda e miliarda? Sepse pakkush e di se si funksionon mekanizmi i cili tanimë na ka sjellë këtë realitet të ri.
Në verën e vitit 2022, - jo si dy verat e mëparshme të paktën, - shpërtheu vala e shtatë e kovidit. Shifrat janë të frikshme. Megjithatë masat mbrojtëse në botë janë ulur krejt. Askush nuk të kërkon më tampon dhe as të mbash maskë. Pra bota është e ekspozuar masivisht ndaj një virusi për të cilën u dha alarmi i kuq deri në “lockdown” që paralizoi jetën ekonomike, publike, politike e artistike të krejt globit. Eksperiment i paparë për të mbajtur disa miliardë njerëz të ngujuar në shtëpi nga frika e një virusi që në njëfarë mënyre kishte qenë mes nesh prej shumë e shumë kohësh, po aktiv.
Ndërkohë, kërcënimi i ri tanimë po vjen dhe nga një tjetër virus i quajtur “lia e majmunit” i cili po merr zgjerim nga dita në ditë. Përhapja e lisë së majmunëve është shpallur emergjencë globale shëndetësore nga OBSH-ja dhe Organizata e Shëndetit po jep përditë shifra, për infektime e vdekje të mundshme. Sepse, në një koncept të përgjithshëm e human, ajo kërkon të shpëtojë racën njerëzore nga shfarosja. Ndaj dhe të paralajmëron: erdhi kovidi, bëj vaksinën. Erdhi lija e majmunit, bëj vaksinën.
Shyqyr që e kemi. Edhe OBSH nga taksat globale mbahet. Dhe mbahet mirë madje.
OBSH na thotë se lija e majmunit mund të bëhet endemike në më shumë vende. Dhe nuk është çudi që nga fillimi i vjeshtës të shpalli pandeminë. Kjo teori, - e vërtetë apo e gënjeshtër, - ka që në pranverë që përflitet. Pra po punohet me plane afatgjata. Dhe duhet të bëhemi gati për këtë gjë, sepse nëse thotë OBSH, lia e majmunit është te dera dhe brenda ditës pushton globin. Nuk është më e nevojshme të shkosh me trupa këmbësore të armatosur për të pushtuar një vend. Mjafton një spërkatje me avion. Dhe lufta bakteriologjike është një term që njihet prej Luftës së Parë Botërore, e jo më tani. Ndërsa dizinformacioni mediatik duhet të bëjë pjesën e vet. Mjafton që në lajmet e ditës të azhornohet një shifër e frikshme inkurajuese, mbi shpejtësinë e përhapjen dhe përqindjen e vdekshmërisë dhe bota bie në kolaps. Kështu nuk na u besua edhe në marsin e vitit 2020, por pandemia plasi e nuk gjenim maska për t’u mbrojtur. As alkool për dizinfektim duarsh. Magazinat hoqën të gjita mallrat stoqe. Se në rast rreziku nuk pyet njeri në është e mirë apo e keqe. Shkurt: gjej e bli.
Se mos harroni pa bërë vaksinat ore...!
Dezinformimi, si koncept e veprim i njohur që në lashtësi, është përkufizuar si "informacion i rremë me qëllim për të mashtruar opinionin publik". Në vitet 1930, u fol për “Shërbimin e Dezinformimit” gjerman, i përfshirë në prodhimin e planeve të rreme ushtarake. Edhe pse nazistët u akuzuan për përdorimin e dezinformatave, emri dhe praktika më e shpeshtë lidhet me KGB-në Sovjetike. Në librin “Propaganda dhe Bindja”, autorët Garth Jowett dhe Victoria O'Donnell e karakterizuan dezinformimin si një origjinë nga “dezinformatsiya”, dhe u zhvillua me të njëjtin emër që i ishte dhënë një departamenti të propagandës së zezë të KGB-së. Sipas “Oxford Dictionaries”, fjala angleze ‘disinformation’, e përkthyer nga rusishtja ‘disinformatsiya’, filloi të përdorej në vitet 1950.
Sot, në vitin 2022, kur Vermahti e KGB-ja nuk ekzistojnë më, a kemi të bëjmë me informacion apo dizinformacion?
Lija e majmunit, përkundër virusit Sars Cov-2 që përhapej me anë të frymëmarrjes, paska një veçori: U transmetoka nga marrëdhëniet burrë me burrë.
Nëse u kujtohet shumë vite më parë plasi SIDA. Virus është edhe ai. Dhe përcillet më së shumti nga marrëdhëniet burrë me burrë ose homoseksuale siç trajtohet në terminologji. Të moçmit thoshin se është hakmarrja e Zotit për zullumet që bëheshin në tokë. Por për SIDA-n sot nuk ka ndonjë alarm në rritje. As për vdekje masive dhe për rritjen e kapaciteteve të krematoriumeve për shkak të vdekjeve prej saj.
Ta mbyllim këtë temë, të vijmë tek tjetra.
Temperatura të larta kanë përfshirë botën, që do të thotë se një gjë e tillë ka lidhje të drejtpërdrejtë me ngrohjen globale. Anglia që njihet për ditët e saj të ftohta e me shi, këtë verë ka pësuar temperatura ekstreme deri në 46 gradë. Nam i zi.
Në botë kanë shpërthyer zjarre. Në Francë, Angli, Greqi, Itali madje dhe në Kinë. Lajmet thonë: “Po digjet Globi”. Domethënë nga sot e tutje sistemi ynë diellor do të ketë dy yje që digjen: Dielli dhe Toka.
Kjo ka të bëjë dhe me ngrohjen globale, emetimin e gazeve, efektin serë dhe hollimin e shtresës së ozonit. Shkurt jemi në prag katastrofe të cilës që nga shkurti i vitit 2022 iu shtua dhe lufta në Ukrainë, ku lajmi që i mbante më shumë varur njerëzit ishte ai: në do ta shtypte Putini butonin e armëve atomike apo jo. Por ai nuk e ka shtypur deri më sot. Dhe tanimë Lufta në Ukrainë nuk është as në faqet e para të mediave, por ka zbritur andej nga fundi.
Ku jemi me informacionet? Se nuk po i shohim gjëkundi?!

Friday, July 22, 2022

Në tryezën e përbashkët me 22 ambasadorët amerikanë të Shqipëris

 Roland Qafoku me librin e tij të ri “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri", një botim i prestigjiozes “Onufri”
 

Nga 
Leonard Veizi
 
Nëse do të mbledhësh në të njëjtën tryezë diplomatë karriere dhe ish të tillë, - që kanë shërbyer për interesat të ndërsjellat mes dy vendesh për 100 vite me radhë, - duhet ta bësh në mend fort mirë. Sepse dëshira dhe mundësitë janë dy gjëra krejt të ndryshme. Por që nëse bashkohen, – për rastësi jo hyjnore, - krijojnë atë që në gjuhën teknike cilësohet: sinergji. Dhe jo se do të të mundojë dizenjimi i tryezës, në duhet një klasike me dru arre, moderne prej xhami, apo akoma më thjeshtë dhe krejt e kohës... virtuale. Kjo mund të të vendosi në vështirësi të paparë. Dhe nëse me marrëveshje fjalë do të pranojmë një tryezë të digjitalizuar, po aq nëpër karriget rreth saj do të gjejmë holograma njerëzish që nuk ekzistojnë më. Sepse në 100 vite jetë diplomatike, jetojnë dokumentet, shkresat zyrtare e të protokolluara, por më pak gjasa ka që qenësia prej mish e kockash të udhëtojë në kohë për të ardhur nga viti 1922 në vitin 2022. Periudha është e gjatë, udhëtimi gjithashtu.
Roland Qafoku e ka marrë përsipër këtë risk. Diku më parë ai e ka tentuar me sukses të na sjellë në të njëjtën sofër 33 kryeministra shqiptarë. Të bindur e të urtë, - e aspak kryeneçë e të sertë, - ata janë ulur përreth saj këmbëkryq, për të na treguar si e bënë dhe e zhbënë shtetin shqiptar në 100 vite që nga lindja e tij.
I disiplinuar, për t’i shkuar gjithçkaje deri në fund, Roland Qafoku ka gërmuar në gjithfarë skutash arkivale, për të na sjellë këtë herë në një tryezë me dimensione të tjera, 22 ambasadorët e Amerikës, që fuqia me e madhe e botës i ka atashuar pranë kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Dhe Qafoku, si gazetar me eksperiencë e studiues në fushën e historisë, në mënyrë praktike na ka vënë përpara një fakti të kryer. Tryezën virtuale e ka zëvendësuar me letër të shtypur dhe në vend të hologramave ka preferuar të printojë fotografi. Gjithçka e ardhur në formën e një libri klasik, gjë për të cilën e ka dhënë një ndihmë të çmuar dhe Bujar Hudhri i shtëpisë Botuese “Onufri”.
"Ambasadorët amerikanë në Shqipëri" është libri më i fundit që studiuesi-gazetar sjell për publikun. Për atë publik që ende i ka rezistuar hordhisë virtuale e lexon libra në letër si në kohët e vjetra të Gutenbergut. Dhe autori në fjalë nuk është se na surprizon këtë herë, sepse e gjithë krijimtaria e tij prej pesë volumesh deri më tani, merr në trajtesë fakte historike dhe aspak fiksionale.
Qafoku është futur thellë në jetën e ambasadorëve. Ka mundur të gjejë materiale “komprometuese” për jetën e tyre, dhe t’ia bëjë të njohur publikut me sqimë. Se dhe publiku i kultivuar kërkon ushqimin e tij për ca thashetheme më shumë. Janë 22 ambasadorë, disa prej tyre me atributin: “i jashtëzakonshëm e fuqiplotë”. Të gjithë kanë lënë një gjurmë gjatë misionit të tyre, sepse Shqipëria, vendi i vogël ku mund të mendohej se vihej për verim, krijonte aq shumë përmbytje, sa nuk kish kryeplak vendas dhe diplomat të huaj që të mund ta fuste përsëri në shtrat.
Kemi qenë ca të çartur, për djall. Dhe vazhdojmë të jemi po të tillë, për dreq.
Qafoku ka skanuar jetën diplomatike të 22 misionarëve ardhur me ferman të posaçëm nga Uashington. Sepse Shqipëria edhe pse vend i vogël, mesa duket e kishte një vlerë të madhe, përderisa Presidentët e Shteteve të Bashkuara kanë dërguar diplomatë plot finesë e me një karriere të regjur. Përndryshe, çorapi i koklavitur, që përmendi Edi Rama në fjalën e tij, nuk kish gjasa të shtrihej as me hekur 212 gradë farhrenheit.
Nga Maksuell Bllejk që ngriti siparin te Juri Kim ende në detyrë, për herë të parë ata janë bërë bashkë në të njëjtën “tryezë”, tek një libër i prezantuar në një sallë me ajër të kondicionuar të hotel “Tirana” e me prezencë shtetare që në ngjitej ndalej tek kreu i Kuvendit dhe ai i Qeverisë. Dhe nuk do të mungonte gjithashtu në këtë ceremoni, ambasadorja Juri Kim, të cilën si rrallëherë mund ta shihnim në dy dimensione, reale teksa mbante një fjalë përshëndetëse - ku veç kontributit për librin vlerësoi dhe miqësinë me shqiptarët, - po aq dhe virtuale, si e fundit me fotografi në rreshtin e 22 diplomatëve, por kjo rastësi jo për nga rëndësia.
Libri në fjalë merr vlera të veçanta, jo pse ka një parathënie nga Artan Fuga si Profesor Doktor dhe as pse u përshëndet në mënyrë eksibicioniste nga Edi Rama si Kryeministër, por sepse ky kontribut biblioteke ka të bëjë më së shumti me fondin e kujtesës. Dhe ne nuk duhet të harrojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në ekzistencën tonë. Ndaj amerikanët, - që nuk harruan të na përshëndesnin për hapjen e negociatave me Evropën, - kanë qenë përsëri këtu për të na ndihmuar e dhënë një dorë në malore pasi janë larguar dy herë: një herë për shkak të Luftës së Dytë Botërore dhe një herë tjetër për shkak të refuzimit nga Regjimi Komunist i Enver Hoxhës. Me siguri kjo na bën ne si popull aq thellësisht proamerikanë, dhe jo vetëm se kemi gjetur veten në tokën përtej Atlantikut. Dhe po aq shumë duam ta përqafojmë Evropën si Bashkim pas së cilës jemi shtrënguar me thonj e dhëmbë derisa të na pranojnë në sallonin e madh e të përbashkët.


Pushimet në Shqipëri, emigrantët shpërthejnë në ankesa dhe diarre


Nga 
Leonard Veizi
 
Emigrantët shqiptarë nëpër botë po mësyjnë Shqipërinë. Refreni i përvitshëm. “Toka e premtuar” nuk qenka andej, qenka këtej. Vijnë të bëjnë pushime në vatrat e tyre, të takojnë të afërmit dhe me shumë gjasa të bëjnë pushime me kosto më të lirë.
Hajde ç'vete, hajde! Janë rritur çmimet dhe këtej, po e keni marrë vesh. Ka vajtur rripi te vrima e fundit.
-Qyqja. Më mirë kishim shku në Bora-Bora.
Një mik i vjetër nga treva e Shqipërisë së Mesme, që ka dhe shumë humor njëkohësisht, duke iu referuar rasteve të tilla më përmend një shprehje popullore kuptimplotë nxjerrë nga thellësia e përvojës: Vijnë knej e gjëmojnë kokrrën e ullinit, e nga ana tjetër u ikën barra e vojit.
-Hë mo, se legjenda urbane janë.
Unë nuk e mbështes fort, duke qenë se gjysma e të afërmve të mi janë shpërndarë sa në Europë e në Amerikë. Më duket dhe në Australi kohët e fundit. Edhe duam t’i takojmë e të çmallemi, por nuk i shikojmë fare me sy. Se sa vijnë, ikin.
Pa, pa, pa, si shkasin ditët. Domosdo. Po ta kesh agjendën e ngjeshur po aq sa të kryeministrit që gdhihet në Bruksel e ngryset në Dyseldorf.
Emigrantët vijnë me plane të mëdha që duan t’i mbarojnë brenda dy javëve. Mbërrijnë me një çantë mbushur me bluza të stampuara për dhurata gjithfarësh e ikin me trasta të ngarkuara ku ngjeshin sa mundin shishet e rakisë, ca gjizë baxhoje, turshi fshati, e ndonjë dorë trahanaje. Me të drejtë. Se andej mbetën me pica e hot-dog në dorë. Nuk u zë dora një lugë.
Po si pak ditë janë o xhan i vëllait: 14 ditë pushim, dy ditë janë rrugë... e ç'të mbetet?!
Koha është e shkurtër por intensive.
Fillimisht duan të bëjnë dhëmbët dhe kanë lënë një takim me stomatologun që nga përtej detit, me qëllim që të mos ketë rrjedhje kohe. Se ankohen që andej nga janë nuk kanë shanse ta takojnë dentistin, se u duhet të marrin kredi në bankë për të përballuar shpenzimet. Mirëpo dentisti i shkretë kërkon një muaj kohë për dhëmbët që janë katandisur... si mos o Zot.
-I paske si shkollë nate. 5-sa duhet hequr, 6-ta duhet mbushur... të duhet dhe një urë që lidh... bregun francez me atë të Britanisë së Madhe. Investim gjigant.
Pastaj duan të bëjnë një kontroll sysh bashkë me syzet në paketë, se padyshim nga këto anë ca gjëra janë më të lira se në perëndim. Prenotim edhe tek okulisti.
Vetëm tek analizat e gjakut nuk kanë besim: I bëjmë andej, se dalin sagllam fare. Na i heq vendi i punës.
Epo shëndenë!
Duan të bëjnë pushime në bregdet, mundësisht në rivierën e Jugut ku të relaksohen që kur të kthehen t’i futen punës vençe. Se duan të shesin dhe pak mend duke i treguar botës se s’ka si Shqipëria. Vend i begatë. Deti kristal. Tarracat plot me mollë e agrume. Kemi dhe një lungomare për syrin e keq.
Dhe së fundi nuk refuzojnë të hanë dreka e darka kudo që i ftojnë, se fisi e farefisi mezi i pret. Dhe kërcet mishi i qengjit me dhjamë në 40 gradë celsius.
Mirëpo problemet nisin që ditën e dytë me shëndetin. Fillimisht problematika nis me pjesën abdominale të trupit. Më pas ngrihet temperatura.
-Mos të ka kap kovidi or çun?
-Jo vëlla, më ka zënë purtha, mbeta në hale. Sa herë që vij ditën e dytë, e shumta të tretën, më trazohet stomaku. Çfarë hani ju o byrazer?
Ama muhabet gjete të bësh. Si o çfarë hamë? Atë që gjejmë. Atë që na jep tregu. Foragjere për shembull. Të paska bërë keq perëndimi amigo. Ta ka dobësu stomakun. Se ne si shqiptarë nuk tutemi nga kaq pak gjë. Jemi mësuar me të keq. Nuk bo burri kështu.
Do thoni ju: gjëra të pakontrolluara. Po si kanë bërë të parët tanë kur nuk ka pasur laboratorë analizash dhe as Check Up. Asgjë s’i ka gjetur. Vërtet mosha mesatare ishte 40 vjeç, por jetonin shëndetshëm dhe ishin të fortë si guri. Merrte tjetri dyfekun e nisej për luftë e s’ia bënte syri tërrt. Sot shqiptarët i zeka barku me një gotë ujë Boville, e ta fluturojnë pushkën në lumë e me vrap zënë ndonjë ferrë... për çlirim. Pastaj nisin e shajnë.
-Nuk bëhet ky vend or jo. Nuk është më për të ardhur më.
-Mos hajde! S’të solli njeri me zor!
Mirëpo viti kalon shpejt. Emigrantët i ke përsëri në traget. Kur vijnë janë të përmalluar, me thënë të drejtën. Se sado mirë që janë andej-përtej, thonë se si vendi yt nuk ka.
-Na prit Shqipëri se po vijmë ne, bijtë e tu!
Pirdhni, pirdhni!
Po të paktën mos u ankoni!

Tuesday, July 19, 2022

Lufta e plazheve në një sezon të vakët veror


Nga Leonard Veizi
 
Nuk më durohet ndaj që në fillim dua të jap përfundimin se: sezoni i plazhit për vitin 2022 është... i vakët. Dhe kësaj nuk i bënte derman as muzika e lartë tallava që dilte nga bokset e mëdhenj, mjet me të cilën pronarët e lokaleve ftonin plazhistët të pinin ndonjë kafe a ndonjë gastare ujë me akull.
Dhe këtu nuk flas me statistika.
Nëse do t’u referoheshim statistikave, padyshim ky sezon është i suksesshëm, sa s'ka ku të vejë më, sepse matematikisht do të kalkulohej sa turistë futen në kufi, sa përfitohet nga tatim taksat, sa gjoba vihen këtej e andej, për automjetet që nuk respektojnë rregullat, por që përmirësojnë performancën e buxhetit... e kështu me radhë. Me të tilla statistika, të vitit 1989, Shqipëria shkoi gjithë gëzim deri në Meksikë dhe mori çmimin për ushqim, në kohën kur s’kishim bukë të hanim. Sepse në statistika thuhej që ne jo vetëm hanim aq shumë sa ishim kthyer në obezë, por ato që na mbeteshin ua jepnim të tjerëve që të mos vinin dëm. Dhe Meksika na akordoi një goxha medalje... bakri besoj.
Kohët rrjedhin, por me sa duket nuk ndryshojnë.
Sot kemi vërtet për të ngrënë më shumë se sa 33 vite më parë, por kur vjen puna për të bërë një palë pushime për të qenë... vështirë.
Ajo që më bën më shumë përshtypje, në fundjavën e gjysmës së dytë të korrikut, kur mendohet se është futur piku i sezonit turistik – është fakti se nga ora 8 e mëngjesit kur mbërrij në plazhin e Golemit nga Tirana, territori duket aq i zbrazët sa fillon dhe beson se ky vit e ka sezonin edhe më të keq se sa në kulmin e pandemisë në vitin 2020.
Çfarë sheh me sy të lirë, pa kalkulime matematikore të nivelit të lartë, të jep një tjetër përshtypje, që është më afër realitetit dhe më larg majës së lapsit që për shkak se shton një zero gabimisht – sepse zeroja nuk ka asnjë vlerë në fakt, - tregon për rritje të papara ekonomike.
Ora 07.00 e mëngjesit më zë në superstradën rrangullinë, ku dhe po të duash, ke frikë të ecësh mbi shpejtësinë e lejuar se mund të dalësh nga rruga e të përfundosh në ndonjë kanal apo në ndonjë livadh, në rastin më të mirë. Trafik ka, por jo dhe aq, duke menduar se në ditë të tilla, kur piku i sezonit bashkohet dhe me një fundjavë pushimi, që të shmangësh trafikun duhet të dalësh nga shtëpia që në 05.30. Gjithsesi ngarkesa vlen deri tek kthesa që të çon tek Gjiri i Lalëzit, sepse aty një pjesë e vozitësve marrin veriun e Durrësit, dhe ata që preferojnë pjesën jugore të plazheve, -  duke futur këtu dhe poshtë Kavajës deri në Vlorë, Dhërmi e Sarandë, - përgjysmohen. Në lokalitetin ku preferoj të pushoj prej vitesh, parkoj lehtësisht dhe përsëri kam një mëdyshje: Një mungesë të tillë njerëzish e makinash nuk e kisha hasur as në fundjavat e dimrit, e jo më në mesin e korrikut.
Nis të besoj se çmimet kanë pësuar një kolpo marramendëse, aq sa i ka frikësuar njerëzit sa ta braktisin edhe këtë plazh, i cili për hir të së vërtetës nuk shquhet për çmime të shtrenjta, as të kripura dhe as të çmendura, siç ndodh andej nga bregdeti i Vlorës apo Himarës.
Në lokalin e zakonshëm, me pamje nga deti sigurisht, kafen e pi me 70 lekë të vjetra. Kjo e zbuti një pjesë të dyshimit, se kriza e çmimeve do të më bënte ta braktisja këtë vend që e dua shumë aq sa kam krijuar dhe rutinën time. Në markatë mund të blesh gjithfarë asortimentesh me 10 apo 20 lek më shtrenjtë se në Tiranë. Por ky ka qenë një trend i zakonshëm për njësitë e plazhit dhe po aq jemi mësuar ta përballojmë. Një tabelë të paralajmëron se një shezlong me dy krevate portativë ka çmimin e 500 lekëve në ditë. Deri një vit më parë, në fundjava, kjo zonë kishte çmimin 400 lekë. Në këtë rast kemi të bëjmë me një rritje prej 20 përqind të çmimit. Sërish e përballueshme, duke pasur parasysh se në vende të tjera do të të duhet të paguash dyfishin e çmimit si edhe parkingun. Por në këtë zonë të Golemit, përveç plazheve publike, ku mund të shtrihesh në çarçafin e marrë nga shtëpia, gjen edhe shezlong me 300 lekë dita. Dhe kjo është një surprizë e vërtetë.
Në restorantin ku drekoj, çmimet janë po aq sa dhe në pranverë kur u bë e dukshme rritja e çmimeve në të gjitha fushat e jetës, por sidomos në atë të hidrokarbureve. Një pjesë e menysë kishte rritje deri në 100 lekë të reja, pjesa tjetër ishte po aq sa ka qenë dhe më parë.
Pra, braktisje plazhi për arsye çmimesh nuk mund të kishte. E megjithatë një ditë meskorriku m’u duk shumë e vakët, duke pasur parasysh se 15 korrik-20 gusht, - pra vetëm 35 ditë, - është dhe kulmi i zbarkimit të turizmit në plazh, që të bën të mos gjesh dot as vend parkimi, as shezlong bosh dhe në restorant do të duhet të mbash radhë derisa dikush të ngrihet nga tavolina që të mund të ulesh ti.
E megjithatë njerzit janë trembur. Nuk mund të shpenzojnë qoftë dhe ca qindarka më shumë. Sepse të ardhmes nuk i dihet asnjëherë.
Pyetësorit, me miq e të njohur, nuk iu përgjigj kush, por si përgjigje mora veç një rrudhje buzësh. Kjo donte të thoshte se pak apo shumë, çmimet janë rritur dhe tek banesat, e nëse doje të bëjë dy javë pushime, do ta rrudhësh në një. Ose në rastin tjetër, sa të shpenzosh para në bregdetin shqiptar, mund të marrësh një paketë turistike “all inclusive” për në plazhet turke të Antalias, dhe je po aty-aty. Por në rastin konkret do shohësh dhe botë me sy. Se portin e Durrësit, atë të Vlorës dhe Sazanin përballë e shohim çdo ditë të vitit.
Fundjava e mesit të korrikut, nuk më la përshtypjen e një sezoni të frekuentuar, përveçse më thelloi bindjen se ne si shqiptarë, herë kryeneçë e herë të pabindur, nuk respektojnë as në këtë rast këshillat mjekësore që tani janë bërë aq bajate ngaqë i dëgjojmë mëngjes, drekë dhe darkë: Pas orës 11.00 deri në orën 17.00 për shkak të rrezeve të fuqishme ultravioletë, të cilat të dëmtojnë lëkurën e jo në pak raste të shkakton dhe kancer, - nuk duhet t’i frekuentosh banjat e diellit. Madje rrezet e forta të diellit dhe rëra e nxehtë bëjnë keq dhe për fertilitetin mashkullor.
Po ku pyesim ne o burrë. Ne s'na ka gjetur gjë nga kolera e malarja, e jo më nga rëra e nxehtë.
Policia patrullon gjatë bregut. Roja bregdetare ka nxjerrë flamurin jeshil mbi kullën e vrojtimit.
Pikërisht mes orës 10.00-11.00 kohë kur njerëzit duhet të largohen nga çadrat, vija bregdetare papritur filloi të popullohej, me njerëz që kërkonin të laheshin në det. E megjithatë, në një kulminacion të tillë, sërish kapaciteti i plazhit ishte në 70-80 përqind të kufijve.
Poshtë hijes së çadrës apo në ajrin e kondicionuar të bar-kafesë, teksa hap celularin për të marrë informacionet e fundit, veç lajmeve për vrasje, plagosje e aksidente, njihem gjerësisht dhe me faturat e makaronave linguini, rizotos me fruta deti e picave me proshutë e sallam, të cilat pushuesit e relievit të Jugut i hedhin në shenjë proteste. Një herë mendova të hidhja dhe unë një faturë, atë të kafes 70-lekëshe, e të bëja thirrje që të pakënaqurit të vinin drejt e në Golem. - Por së fundi ktheva mendje. Duket sikur jemi në një luftë plazhesh. Pastaj secili i di vetë punët e tij. Edhe shpenzimi i parave ka të bëjë me një adrenalinë të brendshme, ndonjëherë të pakuptueshme. Prandaj o vëllezër shqiptarë, prishini paratë tuaja si tua marrë mendja. Por mos na prishni menunë e pushimeve me qaravitjet tuaja. Fundja, po s'të doli të hash një rizoto me fruta deti, futi një pilaf tek tenxherja me presion, dhe të të marrë të keqen me këtë rast edhe linguini me karkaleca e kallamar, që të serviret me aq delikatesë në një pjatë të madhe e të thellë, por që nuk ta mbush dot barkun.


Friday, July 15, 2022

Rikthehet dashuria për Azinë, pas Kinës shqiptarët në krevat me Bangladeshasit


Nga Leonard Veizi

 
Në Bangladesh ka nisur festa. Qejfi i madh. Do nisen për në Evropë. Jo me armë, sigurisht. Por me çekiç e mistri. Shqipëria po kërkon fuqi punëtore. Bum i madh ekonomik. Nuk i dalin të vetët dhe po ka lëshuar “sos” për ndihmë konkrete.
-Ndihmë, po më shpëton kavoja... Shpejt djema...
Aplikimet kanë nisur gjithashtu. Në internet. Se iku koha e letrave të bakallit.
Mediat shqiptare raportojnë se tani për tani në Tiranë bizneset kanë punësuar punonjës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Sezon vere. Duhet punë jo shaka.
-Llaç, shpejt llaç.
-Shoku Ropi, lërini fjalët! Po pengoni punë...
Në të gjitha lokalet ke nga një pusullë të ngjitur mbi xham: Kërkojmë banakierë, bufetierë, ndihmëskuzhinierë, pjatalarës,...
Ja kësaj i thonë që punë ka sa të duash, por ku m'i gjen profesionistët. Se të lash pjatat është art më vete. Duhet shkollë, e jo pak.
-Po sa shkollë ke ti xhaxhi Vaso?
-Po të mesmen përveç nja tre kurseve. Pse pak shoferë ka si unë sot.
Pjatat nuk ti beson njeri, po qe se në CV je vetëm me 9-vjeçare. Kështu që na duhet ndihmë nga jashtë.
Priten Bangladeshasit. Edhe pse ata deri tani e kanë përdorur Shqipërisë si trampolinë. Por gjithsesi ku vend në kufi me Indinë, ka shumë banorë. Do vijnë, do ikin e do mbeten këtu. Se do t’i mbajmë ne me zor.
Duam fuqi punëtore. Nuk ka kush na pastron haletë. As rrugët. Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët e kanë kapur aq shumë veten sa të mos bëjnë punë hamallëku e të rinë këmbëkryq në kafene. Por ne në kafene kemi qëndruara këmba mbi këmbë dhe kur punët na kanë ecur morth e jo më tani.
Për çudi, ne si shqiptarë na ka ngjitur gjithmonë miqësia me aziatikët. Ca kohë u dashuruam fort pas osmanëve aziatikë që e futën dhe këmbën në Evropë. Kohë më vonë lidhëm miqësi të pandarë me Rusinë gjysmë aziatike e gjysmë evropiane. Pastaj u shtymë më në thellësi dhe patëm vëllazërimin me Kinën motër të Mao Ce Dunit. Por marrëdhënie të shkëlqyera kemi pasur dhe me Vietnamin e Ho Shi Minit. Tani jemi shtyrë më larg në lindje, po i shtrijmë dorën Bangladeshasve. Edhe krevatin sigurisht. Se po i dhe dorën do ti japësh dhe...
Ore po si nuk pamë një surrat japonezi nga këto anë, apo nga ata të Koresë së Jugut, po vetëm nga këta të botës së tretë dhe të katërt. E Mao Ce Duni bëri një gabim, e ndau botën në tre kategori. Superfuqitë, vendet e zhvilluara dhe ato të prapambetura ku fuste dhe Kinën. Edhe Shqipëria kështu e ka ditur veten, që ka qenë pjesë e botës së tretë. Mirëpo ka dhe një botë të katërt që kërkon punë të bota e tretë. Kësaj ç't'i thuash.
Bangladeshasit po nxjerrin certifikatat. Po i ngjisin dhe nga një fotografi. Dhe janë gati për marrshim. Nis pyetësori:
-Çfarë di të bësh?
-Ç'të duash ti.
-Kamerier për shembull?
-Posi ore, mbaj tabakanë me 16 gota uji sipër. Le që të thaj piten në aritmetikë, nuk më shpëton hesapi.
-Po marangoz?
-Shkollën për marangoz e kam bërë.
-Hidraulik?
-Kam një përvojë punë dy vjeçare në këtë zanat.
-Epo qoftë e bërë. Qenke i kompletuar... deri në detaj.
Këtë të kujtojnë emigrantët shqiptarë në Greqi që i bënin të gjitha, madje dhe presorin e vizatimit teknik me kohë të pjesshme, pasi kishin lyer me gëlqere fasadën e jashtme të vilës së afendikoit.
Shqipëria po kërkon fuqi punëtore. Është në ditë të hallit. Punë ka sa të duash. Mungojnë profesionistët. Dhe kur nuk ke nga të tutë, do kërkosh se s'bën ndihmë nga jashtë. Ashtu siç kërkohen para borxh nga bankat. Paçka se ajo ta zë kokën me derë.
Thuhet se nuk ka më kush të punojë. Të gjithë ia kanë mbathur t’i japin një dorë në malore vendeve të zhvilluara dhe Amerikës si superfuqi. Në Shqipëri vijnë bangladeshasit. Në fillim si me turp, pastaj do nisin kërkesat për rroga më të larta dhe për... nuse. Do shkartiset raca e do bëhemi njësh. Thonë se e ruajtëm veten nga hordhitë osmane në Azisë së Vogël, me ndonjë përjashtim sporadik. Por këta të marrin mbarë. Se janë 140 milionë. Si hordhitë e Xhingis Khanit. Apo si dyndjet sllave të uraleve që u shtruan këmbëkryq në zemër të Evropës.
Dhe ca më vonë me një konventë kombëtare mund ta ndërrojmë emrin e shtetit dhe flamurin. Se mund të mos jetë përfaqësues. Do kenë dhe ata të drejtat e tyre. Jemi apo s'jemi vend demokratik që respektojmë të drejtat e komuniteteve?
Banglandeshasit po bëhen gati të dynden në Shqipëri. Shqiptarët po ia mbathin në Amerikë e Gjermani.
Punë ka sa të duash, profesionistë nuk gjen për qamet.