Wednesday, June 22, 2016

Nuk dua të votoj

Leonard Veizi

Nuk dua të mendoj për zgjedhjet. As për fletën dhe as për kutinë e votimit. Madje as për kandidatin jo e jo. Shkurt... nuk më plas fare për zgjedhjet. Fiton “filani” apo “fisteku” nuk është në interesin tim. Të fitojë ai që do të marrë votën e duhur dhe kaq. Dhe sa për dijeni, ajo çka po them hyn te të drejtat e njeriut, të mos mendojë kush për të kundërtën.
E gjitha kjo ka të bëjë as më pak dhe as më shumë, por me një garë militantësh frenetike. Voto... voto... voto. Slogane sa të nakatoset. Mesazhe në celular. Propagandë idiote. Ore po nuk dua të votoj... “Voto për të ardhmen tënde, gjej 5 minuta kohë”!
E tmerrshme!
Kohë kam sa të duash. Thjesht nuk dua të votoj. Nuk dua të më dhunojë njeri. “Është e drejtë qytetare të votosh”. Po cila nuk na qenka e drejtë qytetare? E drejta qytetare është edhe të mos votosh, të qëndrosh mënjanës, apo të jesh përbuzës ndaj gjithçkaje. Tek e fundit “kush je ti që unë duhet të të votoj”: trim me fletë, i dëshiruari apo i... dërguari i Zotit? Cili është borxhi im ndaj teje? Ku qëndroj joqytetaria ime përballë qytetarisë së gjithkujt tjetër që fshihet nën petkun se hodhi një votë e pas kësaj ka të drejtë edhe të kërkojë llogari?! Gjithkush në këtë botë ka të drejtë të hedhë një votë në mënyrë krejt të pakuptimtë e më pas të shëllehet në bregun e lumit me kallam në dorë me qëllim që të kapi ndonjë peshk. Unë thjesht dhe shkurt nuk dua të bëhem palë e asnjërës anë. Nuk jam indiferent... Jam me veten time. Dhe kjo është më shumë se sa të jem me “Ty”.
Nuk dua të di kush je ti.
Mllefi im i motivuar apo nëse nuk duket i tillë, vjen edhe prej faktit se disa nga televizionet u futën në garë që në pikë të mëngjesit. Votoi njëri... votoi tjetri... kryeministri, shefi i opozitës, shefi i...
Votimi është një proces normal, përse duhet përcjellë me aq bujë, dhe në kohë reale madje. Mjafton edicioni i lajmeve. Vetëm 5 minuta dhe jo më shumë. Se ka dhe aspekte të tjera jeta për të cilat duhet të informohesh.
Tani... për të thënë të vërtetën, nuk është se unë s’kam besim te kandidatët. Padyshim që mendoj se në 4-vjeçarin e ardhshëm, njëri prej tyre, ai që do të ketë fatin të qeverisë, do ta bëjë Tiranën lule, gati njëlloj me Parisin, ose të paktën me Budapestin. Por meqenëse jam gazetar e më lind e drejta të dyshoj ca më shumë, them se më e sakta do të jetë fakti se kryeqytetasit para se të mendojnë për qytetarët do të mbushin mirë xhepat e tyre dhe të atyre që i sollën në pushtet. Të tjerët do të jenë veç njerëz "të lirë", që do të vazhdojnë të qëndrojnë njëri pas tjetrit për të marrë certifikatën e radhës.

Postuar në ResPublica më 21 Qershor, 2015


No comments:

Post a Comment