nga Leonard VEIZI
“Gjithkush e ka
një çmim”. Fraza është thënë e stërthënë në gjithfarë versionesh, madje duket
aq e konsumuar e bajate sa nuk ia vlen as ta përsëritësh duke marrë dhe të
drejtat e autorit. E megjithatë është një shprehje që të vjen në kujtesë rëndom,
pasi jo rrallë ndeshesh me fenomenet ku dashur padashur të kalon nëpër mend si
meteor. Dhe ai që më sjell më së shpejti në mend frazën krejt të pahijshme, por
krejt të saktë, është një episod i filmit hollivudian “Indecent Proposal”.
“Gjithkush e ka
një çmim”.
Kjo frazë m’u
kujtua sërish në këto ditë kur flitet shumë për prishjen e godinës së Teatrit
Kombëtar e ndërtimin e një të riu. Kur në kauzën e mbrojtjes së godinës së vjetër,
herë në tryeza bisedimesh e herë në një podium të improvizuar, hyjnë e dalin
aktorë me emër.
Në ditë të vështira,
Diana e filmit apo Demi Moore si aktore, e lëshon veten në krahët e një burri tjetër
për një milion dollarë. Tha se nuk mund të blihej. Por në fakt kaq ishte çmimi
i saj. Dhe duhet të themi se ishte vërtet një çmim i lartë. Shumë të tjera do
ta kishin bërë për shumë më pak para.
Diana naive mendonte
se ndjenjat nuk mund të bliheshin, por miliarderi Xhon, luajtur nga Robert
Redford, vërtetoi të kundërtën. Pas një propozimi vërtet të paturpshëm nga ana
e tij, ai arriti ta blejë Dianën e patundshme, madje në kundërpeshë edhe bashkëshortin
e saj, duke paguar, as më pak dhe as më shumë, por një milion dollarë.
“Gjithkush e ka
një çmim”.
Kështu më duket tani
se po përfundon dhe lufta në mbrojtjen e godinës së teatrit. Ishin shumë më tepër
aktorë në fillim. Por rrugës nisën të fironin pak nga pak. Kush e merrte çmimin
e vet, dilte nga skena. Kanë mbetur në podiumin e luftës veteranët. Duken stoikë
në mbrojtje të kauzës, por askush nuk e di se çfarë do të ndodhë kur t’u ofrohet
çmimi, ashtu si Dianës së filmit nga miliarderi Xhon. Jam i bindur se sapo t’u
afrohet ai çmimi edhe ata do ta lënë podiumin. Atëherë nuk do të ketë më nevojë
për ruspa e buldozerë, që të mund të rrëzojnë godinën e Teatrit Kombëtar. Ajo
ka për të rënë vetë, me një të shtyrë.
No comments:
Post a Comment