Sunday, May 31, 2020

Rita Petro: Libri, miku më i mirë i njeriut në këto kohë pandemie



Nga Leonard Veizi

Ajo e tronditi opinionin kur në tregun e madh të librit, mbushur me romane shumëfaqëshe e bestseller-ë botërorë, hodhi një vëllim të brishtë poetik, por me një titull domethënës e tepër provokues. Ndërsa në libraritë e ngjeshura me vëllime stok të poetëve anonimë, për të cilat thuhej se nuk ia varte kush e s’kish nge të merrej njeri me to, vargjet e saj rrëshqitën ngjalshëm për të dalë mbi sipërfaqe, çuditërisht. Nuk ishte fjala vetëm për titullin e saj të çuditshëm dhe fare të paturpshëm “Vrima”, por dhe për lëndën që shoqëronte vargjet të cilat ishin shumë më keq sesa vetë titulli. Në ekstremin pervers, lexuesit e thjeshtë me kokë të rruar zero dhe ata me mustaqe e namuz, nisën të shfrynin pakënaqësinë e të thoshin me patos agresiv se ishte ende shpejt për thyerje tabush e skemash të socrealizmit. Tabutë ishin thyer me kohë në perëndimin e Evropës dhe ca më larg saj, por në Shqipërinë gjysmotomane, e ca të ngurosur prej moralit proletar, opinioni ndihej i shpenguar të lexonte gjithfarë vargjesh të shkruara nga ndonjë poete daneze, ndonjë argjentinase apo ndonjë tjetër e importuar prej Lindjes së Largme, por nuk mund të gëlltiste vargje plot epsh e kërleshje trupash të lëngshëm nga një poete shqiptare, ku himnizoheshin e ngriheshin në kult blasfemi heretikësh.
Sot askush nuk ndihet më për këto vargje, dhe ndoshta njerëzit janë mësuar të bashkëjetojnë me to, duke e cilësuar në heshtje si të tejkaluar tashmë tabunë e thyer. Ndërsa ajo vazhdon të shkruajë në vazhdimësinë e saj poetike me po të njëjtin ritëm dhe pa u ndikuar nga statuset në facebook dhe komentet cenuese poshtë tyre. Larg thashethemeve për kolonën e saj nudiste, Rita Petro apo Rita Filipi, siç njihet gjithashtu, është po aq dhe një botuese shumë e njohur, e cila duhet ta ndajë mirë kohën e saj mes halucinacioneve ekstreme kozmike dhe një pragmatizmi tokësor e ku nëpunësit me të cilët ndan punët e zyrës kërkojnë të hedhin firmën në bordero. Duke folur për vështirësitë e kohëve të fundit, jetës në karantinë dhe lirinë pas saj, për lexuesit e gazetës “Fjala” poetesha e njohur thotë:

Edhe pse është në përfundim e sipër, gjithsesi ishin dy muaj karantinë. Si i kaluat këto ditë?
Përveç ditëve të para që vërtet ishin shokuese, mendoj se kjo situatë, ashtu sikurse të gjithë, më ka vënë në sprovën se si mund ta përballoj izolimin fizik. I kam kushtuar më tepër kohë vetes, pasi e kam pasur me shumicë, ndryshe nga koha kur 90% të ditës ma merrte puna si botuese. Kështu, kam dëgjuar me shumë qetësi muzikë të mirë, kam lexuar për qejf dhe jo për detyrim pune, kam bërë shumë ushtrime fizike për trupin, meqë tani na vjen dhe vera ha-ha-ha... Kam gatuar receta të reja, kam bërë më shumë punë shtëpie.
Ndërkohë iu futa një projekti që ka lidhje me profesionin tim, si specialiste didakte për lëndën e letërsisë në shkollë. Dhe, normalisht, kemi vazhduar punën me ekipin e redaksisë në lidhjet online.
Po kështu, duke qenë pjesë e jurisë për "Librin e karantinës" ngritur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, pranë Ministrisë së Kulturës, kam lexuar mjaft dorëshkrime.

A ka qenë frymëzuese një situatë e tillë?
Provokuese për të gjithë artistët mendoj se ka qenë e gjithë situata e kufizimit fizik dhe se si mund të përballohej, duke i kundërvënë lirinë mendore dhe atë shpirtërore.
Unë kisha nisur një roman dhe po vazhdoj të shkruaj, dhe... më pëlqen ajo që po bëj. Se kur do të mbarojë, nuk e di. Rëndësi ka që po vazhdoj.

A mund të përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë) një motiv në të ardhmen për të pasur prozë dhe vargje rreth saj?
Edhe mundet. Ndodh gjithmonë. Për vete mendoj se gjërat e bëra aty për aty mbeten sipërfaqësore, pasi ndikohen fuqishëm nga faktorë të jashtëm. Mendoj se letërsia e mirë është një përpunim i thellë i dukurive të brendshme me ato të jashtme. Por në art s'ka asnjëherë gjëra të prera me thikë. Nga gjithë ajo mori shkrimesh në botë, por edhe te ne, jam e bindur se brezave të ardhshëm do t'u mbeten libra të mirë dhe 2-3 ose 1 kryevepër.

Cili kanë qenë primar në ditët e izolimit, leximi apo krijimtaria?
Aty-aty... edhe leximi përmes videove ose online më ka dhënë shumë kënaqësi.
Unë i jam bashkuar nismës së Qendrës së Librit për Fëmijë me drejtuese zj. Anisa Ymerin, e cila është mjaft aktive dhe e pasionuar për t’i nxitur fëmijët që të lexojnë. I jam bashkuar me qejf kësaj nisme, duke qenë se ne kemi botime aq të shumta dhe aq gjithëpërfshirëse për fëmijët. Po kështu, i jam bashkuar edhe nismës për lexim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit me drejtuese zj. Alda Bardhylin, e cila po bën një punë të madhe në promovime vlerash kombëtare dhe botërore të njerëzve të letrave. Leximi i librave është mirëpritur si nga fëmijët, ashtu edhe të rriturit. Po ajo çka është më interesante, lidhet me poezinë. Poetët përherë kanë dashur t’i lexojnë vetë poezitë e tyre. Histori e njohur kjo. Për mua ka qenë një kënaqësi e madhe reagimi pozitiv i miqve apo i lexuesve të poezisë sime. Kur lexon, transmeton një energji tjetër të ngrohtë, intime, përmes zërit, syve, mimikës te lexuesi. Është bukur. Dhe më është shtuar kënaqësia për ta vazhduar edhe pas pandemisë. Deri sa jemi gjallë ne shkrimtarët, nuk kemi pse të mos komunikojmë drejtpërdrejt me lexuesit apo ndjekësit tanë.

Si botuese, a mendon se kjo situatë izolimi do të sjellë vështirësi në lidhje me industrinë e librit?
Sigurisht që po. Mendoj se të gjithë botuesit janë në situatë të vështirë, sikurse dhe shumica e bizneseve të tjera. Rënia e ekonomisë na vë të gjithëve në vështirësi; shumë aktivitete librash u anuluan… ja së fundi Panairi Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë në Bolonjë, ku do të bënim disa marrëveshje për blerjet e të drejtave të disa librave, Panairi i Librit në Prishtinë etj. Ndihet një rënie e madhe e shitjeve, duke bërë krahasimet me situatën para pandemisë. Por më e rëndësishme për ne si kompani botimi është të ruajmë të paprekur të gjithë stafin që e kemi shumë të kualifikuar. Dhe kur shoh se sa mik i mirë për njerëzit ka qenë libri në këtë situatë të vështirë, jam e bindur se do të durojmë dhe do të vazhdojmë të sjellim tituj të mirë dhe cilësorë edhe këtë vit, që si zakonisht do t’i i prezantojmë në Panairin e Librit të Tiranës, në nëntor.

No comments:

Post a Comment