Thursday, April 15, 2021

“Valsi i Titanikut” për deputetët pa merita


Nga Leonard Veizi

Xha Siprakja u zgjodh deputet pasi kandidoi me Partinë Liberale. Shpërthyen fishekzjarrët dhe iu bë një foto familjare. Sepse në çdo rast, një njeri publik duhet të jetë po aq familjar në sytë e botës.
Ky është epilogu i komedisë së njohur të autorit rumun Tudor Mushatesku, e që nga Teatri Kombëtar është ngjitur në skenë bazuar mbi titullin origjinal “Valsi i Titanikut”, e ku aktori i mirënjohur, Roland Trebicka interpreton rolin më emblematik të tij.
Po ta lëmë mënjanë veprimtarinë regjisoriale e të flasim për thelbin e veprës, atë që përcillet përmes dialogut skenik.
I shkreti xha Spirake, tërë jetën kishte qenë një nëpunës administrate, i thjeshtë e pa pretendime. Por, meqenëse trashëgoi pasurinë e të vëllait, i cili u mbyt aksidentalisht si pasagjer në një anije rrangallë, duhej doemos të ishte dhe dikushi në shoqëri. Sepse me sa duket ka një proporcion të zhdrejtë midis të pasurit para dhe të qenit dikush në jetë, por pa para. E në këto raste pozicioni duhet blerë.
Këtë na e shpjegon dhe shkrimtari britanik Tomas Hardi, ku në romanin e tij të famshëm “Tesi i d'Erbervilëve” flet për stemën e d’Erbervilëve, të cilën një familje që po pasurohej ia kishte blerë një familjeje të vjetër kalorësiake, e cila e kishte humbur fisnikërinë e dikurshme.
Pra shit-blerje.
Ndaj të shoqes edhe së vjehrrës së xha Spirakes, u lindi ideja që të hidhnin ca para nga ato që u ra qyl për hise, me qëllim që Spiridon Gaqe Neçulesku të fillonte një karrierë politike. Mirëpo një gjë të tillë, ai, si njeri i ndershëm që ishte, nuk e kishte pëlqyer, madje e kishte urryer gjithmonë.
Por njeriu shpesh gjendet nën presion dhe presioni familjar është një prej tyre, ku ti, i vënë me shpatulla për muri, me arsyetimin e rregullimit të imazhit të gruas dhe jetën e fëmijëve, dorëzohesh dhe pranon të merresh me politikë, edhe nuk ia ke haberin fare asaj.
Mirëpo Xha Spirakja ynë, veç haberit që i mungonte, kishte dhe një të metë tjetër. Ai ishte frikacak. Domethënë, kur them frikacak, nuk është se e thirrën “nën armë” e dhjeu në brekë. Ai thjesht kishte frikë të kandidonte për deputet. Dhe këtë qëndrim, si rrallëherë natyrës së tij të përkulshme, e shprehte me forcë e indinjatë. Ishte ky nerv i një njeriu të butë, arsyeja që e bënte qesharak në sytë e familjarëve të cilët i kërkonin llogari në vazhdimësi. Sidomos vjehrra:
-Ore Spirake, ti thua që ke frikë që të zgjidhesh. Ja na trego ne të gjithëve. Pse ke frikë të zgjidhesh deputet ti?
Dhe xha Spirakja e kishte një mendim të kristalizuar me veten, paçka se nuk donte të trumbetonte. Por këtu përmblidhet dhe i kthehet vjehrrës së tij posesive:
-Po s’mund të gënjejë njeriu moj vjehërr e dashur. Se që të bësh politikë sot duhet të mashtrosh të tjerët duke qenë i ndërgjegjshëm që po i mashtron. Të bësh politikë sot duhet t’u kërkosh votën njerëzve, për të cilën edhe duhet t’u japësh diçka. Çfarë t’u japë Spirakja... - dhe tregon xhepat bosh.
Kjo është një sentencë, koncentrim përvoje, që tregon se jo sot si fillim mijëvjeçarit, por dhe më herët, politika është zhvilluar në të njëjtat kushte: premto, mashtro, fito!
Mjerë politikanët thuaj, se me tërë këto dallavere që u veshin si qyrk as që do të ishte bërë njeri i tillë. Por jo. Të bërit politikë është një profesion shumë i kërkuar dje dhe sot... dhe në të ardhmen nëse mund të parashikojmë.
Dhe koncentrimi i përvojës vazhdon sërish me dialogun që pason nga vjehrra...
-S’ka nevojë të japësh, as të kërkosh. Se zgjedhjet do të jenë të lira. Do votohet për atë që do, por ama nga kutia e votimit do të dalë ai që duhet.
Proverbiale.
Ja kjo është e gjithë e vërteta. Domethënë që, puna nuk do as mend, as kalem. Bëjmë një indietro, e vazhdojmë me slow motion: “votohet për atë që do, por ama nga kutia e votimit do të dalë ai që duhet”.
Bukuri!
Por kjo është edhe ajo që nuk do Spirakja i pakorruptuar, i cili e vazhdon përballjen e tij me vjehrrën.
-Pikërisht për këtë kam frikë, se zgjidhem deputet pa pasur asnjë meritë. Pa bërë asgjë në jetën time që të justifikonte sadopak ngritjen në një post kaq të rëndësishëm.
O Zot, - them me vete sa herë më jepet rasti ta shoh "Valsin e Titanikut", - ky Tudor Mushatesku, mos vallë e ka shkruar komedinë e tij për këtë parlamentin tonë? Se dhe fjalimi i Spirakes në majë të ballkonit ditën e zgjedhjeve dukej si në një mejhane shqiptarësh.
-Ju lutem të mos votoni për mua! Sepse unë s’kam bërë asgjë për ju. Po si t’u gënjej, t’u shqep në pallavra?!
Kot e ke xha Spirake, nuk të dëgjon njeri. Sepse edhe aty ku është vendosur ngjarja, njerëzit bëjnë të kundërtën e asaj që u thonë. Dhe ashtu pa merita siç u zgjodh Spiridon Gaqe Neçulesku, vetëm se e shoqja pagoi ca para, - që s'i kishte as të vetat - ashtu zgjidhen deputetet dhe sot e kësaj dite... jo në Rumani, por në Shqipëri.
 

No comments:

Post a Comment