Thursday, March 14, 2024

Në Elbasanin e “Ditës së Verës” dhe Tiranën e “Ditës së Pushimit”


Nga 
Leonard Veizi
 
Sado të mundohet Tirana me fuqinë e kryeqytetit, nuk ia merr dot peshën e rëndësisë së Ditës së Verës Elbasanin, trevës ku vazhdon të në festohet si një herë motit. Për komunitetin heterogjen të Tiranës, - ku se merr vesh i pari të dytin e për më tepër nuk bëhet fjalë, - ku një pjesë e të cilëve 14 marsin e ngatërrojnë me 14 shtatorin, Dita e Verës është thjesht një ditë pushimi.
-Të na rrojë Qeveria more shokë.
Për ata që e kanë xhepin plot, kjo do të thotë dhe më shumë. Se ia therrin malit me makinë e zënë ndonjë tavolinë restoranti, ku hanë e pinë sa për tri ditë bashkë.
-Epo Ditë Vere vëlla, e shporrëm dimrin më në fundi.
Por, gjithësesi kjo festë mesmuaji e ka bishtin prapa, se andej nga fundi i muajit janë “plakat” që të kujtojnë edhe një herë ditët e shkurtit, të ftohta por dhe me borë ndonjëherë.
Për Tiranën, që i përket bashkësisë së rretheve të Shqipërisë së Mesme, 14 marsi është një festë demokracie. Sepse para viteve ’90 të shekullit të kaluar, 14 marsi as që konsiderohej si ditë feste, pararësisht se njihej për procedurë. Dhe një tirons që donte të festonte, merrte turravrap rrugën e Kërrabës për të mbërritur në Elbasan.
Aty ahengu është aheng. Çok Gjyzel...

...Për Ditën e Verës në Elbasan terbjetet e një feste që cilësohet pagane janë ruajtur me fanatizëm. Më krahina të ndryshme të Shqipërisë Dita e Verës festohet në ditë të ndryshme. Por asnjëra prej tyre nuk krahasohet me 14 marsin e Elbasanit. Dhe hijeshia e festës mbulon krejt qytetin, por dhe zonën përreth, të cilën Sami Frashëri e pat cilësuar si “kërthiza e Shqipërisë”.
Gjithsesi, në Elbasan, Dita e Verës ka një ritual të veçantë. Madje as nata e ndërrimit të viteve, që jemi mësuar ta quajmë “Viti i Ri”, nuk e ka peshën e kësaj ngjarjeje.
-Ditë Verë or bab.
 
Festa dhe Gostia
Mëngjesi i Ditës së Verës, - në rastet më të larta të propabilitetit, - gdhin vërtet si ditë vere. Elbasanasit sajdisen enkas për këtë festë, dhe një pjesë e atyre që bëjnë xhiro poshtë e lart mureve të kalasë, dalin me mëngë zhapone, si për ta bërë fakt të kryer që dimrin e kemi lënë pas tashmë, dhe ditët e ngrohta na presin.
Në Elbasan festa fillon që mbrëmjen e 13 marsit. Me një darkë festive në shtëpi. Se terminologjinë vendase kjo është një “gosti”. Shtrohet tryeza më se e plotë. Nuk mungojnë aty gjeli i detit, qulli me ara, tava me pestil, tava e kosit, palat e fikut, për të vazhduar tek vera e rakia me bollëk.
-Janë hapur magazinat e italianit.
Natyrisht, në përmbyllje të të gjitha të ngrënave nuk mungon ballakumja e revania, të cilat amvisat i kanë gatuar që më parë. Dhe po të ngrihesh nga tavolina pas një darke a dreke të tillë, me siguri do të kesh shtuar 5 kile njëherazi, tensioni do të ketë shkuar, sa për spital, sheqeri mund të ketë shkuar në majë aq sa të të bjerë damllaja.
-Hajd se do shtrëngojmë rripin deri për Bajram.
 
Sekreti i ballakumeve
Për ditë vere tanimë është bërë zakon që ballakume gjen në çdo markatë e dyqan lagjeje. Por po t’i krahasosh ato me atë që prodhojnë elbasanasit e vjetër, do të të duken si biskota 5-lekëshe, nga ato që prodhonte kombinati.
-Eh, sa do zanati!
Sepse ballakumet e Elbasanit mund t’i prodhojnë vetëm elbasanllinjtë. Dhe kjo punë, përveç elegancës, ka disa sekrete.
Të jemi të qartë: sekretet nuk janë nga ato të kyçurat në arkiva e katakombe. Ato janë të hapura për çdo amvisë. “Sekreti” i vërtetë është tek përbërësit, tek koha e punimit dhe tek enët, tek të cilat kryhet i gjithë procesi. Dhe ka nga ato që ta japin formulën, duke e ditur mirë që sado të përpiqesh, përsëri nuk do të mund të bësh një ballakume, fjala vlen në Laçin e veriut apo në Patosin e jugut, të njëjtë me atë të Elbasanit.
Fillimisht merren enë bakri. Dhe flitet për enë të cilat janë të ruajtura në familje brez pas brezi. Pastaj do të merret miell misri i situr ose siç quhet ndryshe maja e miellit të misrit. Sheqeri duhet pluhur, dhe nëse ai është pak më i ashpër, gratë e punojnë fort me një nga enët e bakrit, për ta bërë sa më të imët. Preferohet gjalpi i freskët lope, i cili në fillim tretet në zjarr, – cilësia e tij ndihet nga aroma karakteristike që mbush ambientin, – dhe rrihet me sheqerin për të paktën nja dy orë të mira. Shumë nga praktikantët heqin përparëset se nuk ia dalin dot me këtë praktikë gjimnastikore. Por elbasanasit ia kanë marrë dorën. Meqenëse procesi është i gjatë e i lodhshëm, ena e madhe e bakrit kalon dorë pas dore te gratë e shtëpisë, të cilat e rrahin për nga 20 minuta secila. Vezët, të verdhat e të bardhat bashkë hidhen një e nga një në enën e bakrit, duke u përzierë me sheqerin pluhur e gjalpin e tretur më parë. Mbi to, së fundi, hidhet maja e miellit të misrit. Nuk rrihet me forcë, por trazohet derisa lidhet dhe bëhet homogjene, gjithmonë në enën e bakrit. Me një lugë të madhe druri, përbërësi ndahet në forma topi dhe piqen me zjarr të ngadaltë.
-Hej shyqyr që ia dolëm!
Ky është i gjithë procesi i bërjes së ballakumes. Duket i thjeshtë në sqarimin me shkrim, por fakti është që askush nuk e arrin dot magjinë e një elbasanaseje të vjetër e me shumë përvojë në këtë drejtim. Edhe revanija, si ëmbëlsira tjetër e barasvlefshme e Ditës së Verës, pak a shumë ka të njëjtën praktikë pune. Por në këtë gatim special përdoret edhe finja, që del nga hiri i drurit të djegur mirë që hidhet në ujë e më pas kullohet. Ajo që percepiton nga kjo formulë përdoret për ëmbëlsirën e revanisë.
 
Rituali dhe zakonet
Festa ka zakonet e vjetra, një pjesë e të cilave janë trashëguar brez pas brezi, dhe ca të tjera janë produkt i epokës moderne që po jetojmë. Që ta festosh Ditën e Verës duket pak a shumë të ndjekësh këtë itinerar: Në mëngjes çohesh pa zbardhur dita. Dhe vishesh me rroba të reja. Hapet dera e rrugës për të hyrë e mira e për të dalë së andejmi e keqja. Pas kësaj vihen për t’u zjerë vezë fshati, - jo nga këto industrialet e qytetit, kuptohet, - për të gjithë personat e familjes. Me ujin e tyre shpëlahet fytyra. Është ky një veprim që bëhet për të uruar fat, mirësi e shëndet, i cili duhet të jetë i bardhë si lëvozhga e vezës.
Ky është prologu i ritualit.
Pastaj këputet një fije që vendoset tek guri i zallit pranë derës, e që nënkupton mbarësi dhe gjelbërim në oborrin e shtëpisë. Itinerari vazhdon me vendosjen e veroreve në kyçin e njërës dorë. Veroret janë fije pambuku dyngjyrëshe, e kuqe dhe e bardhë, që do të thotë dashuri dhe paqe. Ndërsa fëmijët e vegjël bëjnë ‘kam” ose këmbë, tek të afërmit e tyre në shenjë mbarësie. Sepse ata konsiderohen si engjëj. Dhe është më e vlerësuar nëse këtë hap të parë e bën një fëmijë i gjinisë mashkullore. Për këtë veprim mbarësie fëmijëve u dhurohen pako me ëmbëlsirat tradicionale. Pastaj nis xhiroja në bulevardin kryesor të qytetit, i cili mban emrin “Qemal Stafa” një segment i së cilit kalon përbri mureve të kalasë mesjetare të  qytetit dhe që është vendi më atraktiv në pjesë urbane, pasi aty pranë janë gjetur dhe gjurmë të një qytetërimi të vjetër mbi 2000-vjeçar, pjesë e qytetit të vjetër, i cili quhej Skampa. Në orën 10 tradicionalisht mbahen karnavalet, me numra të ndryshëm argëtues. Por hapet dhe një një panair me produkte artizanale, që vitet e fundit është kthyer në një trend. Dhe pasi je lodhur duke bërë disa kilometra xhiro, ke pirë kafe dhe ndonjë gotë rakie, je i uritur për të nisur drekën. Dreka në këtë eveniment është një veprimtari e cila bëhet në shtëpi vetëm në rast të një kohe me shi. Sepse riti thotë së ajo duhet konsumuar me familjarët, për të ndarë sa më shumë gëzim mes njëri-tjetrit, në një ambient të hapur.
Para viteve ’90 të shekullit të kaluar, askush nuk drekonte në shtëpi por festohej në Parkun Rinia dhe në kodrat e Krastës. Sot kanë ndryshuar kohët, paguan lekët dhe prenoton një lokal, ku ke në dispozicion këngëtar live, apo një dixhej, e ku këndohet kënga “Më mirë në pyll se në qytet”.
 
Post festa
Ç’është e vërteta, sipas shkencës, cikli pranveror nis të paktën në 22 mars. Kjo pasi në hemisferën e veriut, baraznata e marsit, që ndodh më 20 apo 21 të muajit, është baraznata e pranverës dhe quhet: ekuinoksi pranveror.
-U mbytëm me terma shkencorë. Thjeshtohe ca mër daj.
Pikërisht në 21, data, dita dhe nata janë të barabarta, secila nga 12 orë.
-Ja u kuptuam më në fund.
Por 14 marsi nuk ka punë me shkencën pasi është një rit i ardhur nga qindra vite më parë. Ndoshta mijëra. Me hamendje e kemi. Por meqë thuhet se është pagane, duhet të jetë të paktën 2000-vjeçare. Por nuk është fare çudi që të jetë një përshtatje e turqinizmave mesjetare me atë të epokës së akullnajave.
 
*E përditësuar. Shkrimi fillestar i botuar në “Fjala” më 15/03/2022
 
 

No comments:

Post a Comment