Friday, March 15, 2024

Shqipëria e paarmatosur përballë një lufte të gjithëarmatosur


Nga 
Leonard Veizi
 
Bota po armatoset.
Koha e dalldisë së pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore u eliminua dhe rreziku Sovjetik, ka ikur. Ishte periudha, kur njerëzit menduan se nuk do të kishte më luftë dhe se ariu i stepave kishte rënë në letargjinë dimërore. Por dihet se letargjia është e përkohshme dhe ariu që ngrihet nga gjumi është i rrezikshëm për shkak të urisë. Ndaj krisi lufta. Luftë lokale gjithsesi, por për ekspertët e çështjeve ndërkombëtare nuk ka më nuanca. Shumëçka është kthyer në bardh e zi
Bota po armatoset.
Pas skadimit të afatit që u përcaktua pas Luftës së Dytë, në garë është vënë dhe Gjermania. Dhe Gjermania ka treguar se di të armatoset mirë dhe shpejt. Madje nuk duhet harruar se ishin shkencëtarët gjermanë, që i paketuan nga Berlini në avion, ata që i dhanë një hov teknologjisë amerikane menjëherë pas përfundimit të Luftës. Dhe kjo pati kulminacionin e vet me armatosjen bërthamore.
Nëntë shtete në botë posedojnë armët bërthamore me 12,705 mbushje gjithsej. Me kaq mbushje Toka bëhet satelit i Hënës, ose përfundon sa një asteroid pa trajektore.
Në Gjermaninë, - lokomotivë të trenit evropian, - e djathta ekstreme prej kohësh po tregon dhëmbët. Po merr terren. Por përsëri në Evropë hija e luftës nuk ndihet. Po aq sa dhe në vitin e largët 1933 kur Adolfi hipi në pushtet dhe shpalli Rajhun III.
Bota po armatoset.
Forcat Ajrore të SHBA po intensifikojnë një armë të re në kuadër të "Programi Quicksink".
Rusia po zëvendëson bombarduesit e vjetër, Tupolevët 160 me ata të rinj e shumë më modern e të fuqishëm 160M.
Kina kërkon të riformësojnë peizazhin ushtarak me armët e reja të energjisë kinetike. Dhe demonstron forcën para Tajvanit.
Turqia, më në fund, ka prodhuar avionët e saj KAAN. Kjo do të thotë se tanimë ky shtet kyç në kontrollin e Bosforit do të jetë më e pavarur përsa i përket këtij lloj armatimi.
Serbia ble gjithfarë armatimi nga Rusia e Kina, dhe përfiton para nga Bashkimi Evropian. Dhe ata hapin fondet, se mendojnë që Serbët do të qëndrojnë urtë para thasëve me para e nuk do hapin ndonjë front në prapavijë, gjë që do të çorientojë gjithë mekanizmin.
Kaq kaqola janë ata të BE-së? Doemos... nëse mendojnë se bashkë me zhvillimin e Inteligjencës Artificiale do ndryshojnë forcën e zakonit dhe thirrjen e ADN-së.
Bota po armatoset.
Lufta si term konvencional, - me armë konvencionale, - në mos është tek pragu, vërtitet aty rrotull. Çështje kohe, do thotë ndokush. Ëndrra janë, mbase dhe dalin.
Kjo do të thotë se ekspertë të sigurisë kombëtare nuk shohin dritë në fund të tunelit. Edhe nëse shohin, ajo me siguri është shpërthimi i ndonjë rakete.
Bota po armatoset.
Shqipëria e shkatërroi me zell municionin e saj... dhe mirë bëri. Tani po kërkon që mjetet e vjetra t’i vënë në përdorim sepse duhen municione. Ukraina kërkon ndihmë. Shqipëria ofrohet për të dhënë ndihmë. Kemi nisur të rrëmojmë në uzinat e Poliçanit dhe të Gramshit, me qëllim që të gjejmë ndonjë torno që të na bëjë punë. Ca mjete të tjera mund të na vijnë më të reja në kohë. Ja kështu do të gjallërojmë industrinë ushtarake. Atë industri që na e kishin montuar kinezët në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Por ne na u dukën të tepërta. Nuk kishim fuqi t’u vinin as ndonjë ushtar te dera e t’i mbanim të konservuara, por i lamë të shiteshin për skrap nga kontrabandistët e metalit.
Ejani o vëllezër, ka hekurishte sa të duash këtej nga ne! Uzina për t'u çmontuar, topa e tanke sa të duash. Barotin po dihet, e përpiu Gërdeci.
Bota po armatoset. Ne u çarmatosëm.
Sot Shqipëria ringriti aerodromin e saj të Qytetit Stalin. Se Kuçova është e shquar si vendburim nafte. Ndërsa si pozicion ushtarak, kemi Qytetin e Stalinit. Domethënë “Stalingradin” shqiptar.
Në këto ditë të turbullta, Shqipëria kërkon të kapë kohën e humbur, ndaj e sheh domosdoshmëri të vendosë në dispozicion të NATO-s dhe një bazë detare.
-Pushka top na u bëftë!
Po a rritet rreziku?
Ismail Kadare shkruan tek romani i tij “Dimri i Vetmisë së Madhe” pikërisht kur debatohen ngushtësisht mes dy delegacioneve, Sovjetik dhe atij Shqiptar, ndërmjet seancave të mbledhjes së 81 Partive Komuniste në Moskë.
-Në qoftë se baza sjell grindje, ta heqim! – tha Hrushovi.
-Si të doni! - tha Enver Hoxha. – Ekzistenca e bazës së Vlorës do të thotë që në rast lufte të digjet më parë Vlora se Sevastopoli.
E bëra këtë perifrazim për të thënë se kohët ndryshojnë por logjika mbetet e njëjtë. Pyetja mund të ketë sens. Por përgjigja... është më ekuivoke: Bashkë me të thatin do shkojë dhe i njomi.
Në kushtet e sotme, dhe në ato të së nesërmes, nuk është çudi që Sazani të kthehet përsëri në një vend të fortifikuar. Nuk është çudi që Porto Palermo të marrë sërish vlera për shkak se në tunelin e saj mund të strehohen shumë anije dhe duhet vetëm ca vaj për të vënë në punë mekanizmin e ndryshkur të portave.
Bota po armatoset.
Gara e armatimit që u mendua se u ndërpre të paktën 30 vite më parë ka rinisur ethshëm, dhe natyrisht, ajo nuk është ndërprerë asnjë ditë.
Bota është me konflikte rajonale, por po përgatitet për më shumë se kaq. Askush nuk e di se si do të shkojë puna nga orekset e superfuqive por dhe të fuqive të tjera që po rriten ethshëm. Duket qartazi se Evropa si kontinent është po aq e rrezikuar sa në Luftën e Madhe, po aq sa dhe në Luftën e Dytë Botërore. Vazhdon të mbetet një shesh lufte. Rritet rreziku. Skepticizmit për nisjen e një Lufte të re Botërore, pak vite pasi kishte mbaruar e para, i ka ardhur fundi. Megjithatë dhe sot jemi në një gjysmë përgjumje.
-Njerëzve u janë errur sytë nga të mirat që u ka sjellë fashizmi, - është një batutë nga filmi shqiptar “Balonat”.
Ne na janë errur sytë nga të mirat e demokracisë dhe zhvillimit të skajshëm teknologjik. Dhe nuk e kuptojmë se një shkëndijë duhet, po ashtu si në Gërdec vite më parë.
A jemi në prag lufte në fakt???
Ç'rëndësi ka kjo pyetje tanimë. Ajo duhet riformuluar: A ka Shqipëria këllqe në rast të një konflikti t'i bëjë ballë armikut? Të thërrasë nënshtetasit nën armë. Rekrutët të dinë të paraqiten në pikat e hapjes. Të marrin pajimet personale. Të jenë të aftë të përdorin armatimin bazë, që është ose një pistoletë, ose një pushkë, ose një automatik. Se nuk po flasim për përdorimin e tankut këtu, dhe as për pilotimin e avionëve supersonik. Apo do thoni ju që lufta moderne sot nuk pyet më për armatimin konvencinal se është kthyer në luftë kibernetike, por të paktën tanimë a kemi tunele mjaftueshëm për të futur kokën në rast bombardimi masiv me raketa,... apo më keq akoma?

No comments:

Post a Comment