Thursday, June 23, 2016

Humori që buron nga markata e statuseve mbarëpopullore

nga Leonard Veizi

Jemi popull me humor. Në ditë të mira e në ditë zie. Buron humori këtu te ne e s’ke ç’thua. Dhe me siguri, duhet ta kemi nga dielli me tepricë. Madje humorin më të madh e kemi kur fillojmë të reagojmë, ca me naivitet agresiv e ca me një hipokrizi që e kapërcen vetë hipokrizinë. E për çdo rast e kemi një emblemë ku kapemi me thonj e dhëmbë, Zoti. Të vdesësh gazit nga humori. As në Estradën e dikurshme të Shtetit nuk e gjeje këtë frymë, as në Parlamentin e sotëm. E gjen në një reagim mbarë popullor, gjë që si zor se ka bërë vaki më parë. Tanimë duket sikur rrimë në përgjim, të na ndodhi një gjë e keqe që të kemi mundësi të shfryjmë mllefin që na ka pushtuar. Por për djall kur nuk je mësuar të reagosh, dukesh aq qesharak sa është pak të të zënë me shqelma e të të përçmojnë.
Parantezë, në vazhdim të këtij argumenti:
Nuk ka gjë më qesharake të thuash se, njeriu e beson Zotin, e adhuron atë dhe i bindet. Asnjë nga këto të tria nuk vlen. Nuk ka vlejtur asnjëherë në fakt. Për më tepër që, një gjë e tillë ka të bëjë me ndërgjegjen. Pra me diçka krejt të padukshme e të paprekshme. Duket se njeriu te Zoti ka parë gjithmonë atë qenien e mbinatyrshme, shpirtmadh, që ia duron të gjitha marrëzitë deri në ekstrem, por që e fal në çastin e fundit vetëm se ai tregon një sekondë pendes. E meqenëse na qenka gjetur një rrugë shpëtimi - të përfitojmë nga rasti, të rrëmbejmë ç’të mundemi. Ka kohë për pendesë. Të gjithë do shkojmë në Parajsë, e sigurt. Nisur nga të gjitha këto ka një përfundim jo shumë të cekët, por të thjeshtësuar gjithsesi: Njeriu jo vetëm që nuk e beson Zotin, por përçudnon në emër të tij. Mashtron, vret e pret, dhe pastaj bën të pabërën, shkon në një objekt kulti llum i papastër dhe mendon se prej andej do të dalë siç e ka bërë nëna. Të gjitha do harrohen. Në fakt nuk është kështu. Asgjë nuk harrohet. Gjithçka mbetet në kujtesë. Por me sa duket, jemi mësuar ta përdorim një objekt kulti si të ishte një lavatriçe ku futemi të pisët e dalim të hekurosur. Ndërkohë, duhet të ndodhë e kundërta: duhet të futemi të pastër e të dalim qelibar.
Argumenti nis sërish nga fillimi:
Ndodh rëndom që sa herë në portalet online qarkullon ndonjë video - ku një burrë rreh gruan sa i ha dora, ku një grua shkarkon mbi trupin e burrit një karikator me fishekë e i duket pak, apo një idiote dhunon një fëmijë se aq i thotë truri, - nis fill dhe një fushatë e nxehtë statusesh. O “Zot...” njëri e “o Zot...” tjetri. Të gjithë Zotit i drejtohen. Jo se u vjen kaq keq, por se më së shumti e shohin veten po aq protagonist sa ai që rreh e vret. Pra, si të thuash, me këtë rast bëjnë dhe një si punë katarsisi. Por gjithsesi, çfarë nuk gjen në markatën e reagimeve online. Ka statuse njerëzish që dinë të thurin ca fjalë dhe të tjerë që kërkojnë ndihmë se s’kanë mësuar ende shqip. Shumë rendin të publikojnë statuse me katër fjali e tre mallkime. Ca të tjerë për përmirësimin e situatës se vanë 25 vite demokraci e kemi mbetur në vend numëro. Domethënë, vazhdojmë të jemi si në vitet ’90. E për t’u dukur si më elokuent e të lexuar, ca huazojnë shprehje nga Bibla e të tjerë nga Kur’ani. Ca përmendin engjëjt e ca të tjerë satanain. Ca mundohen ta rrisin piacën kur kërkojnë të zhgërryhen në labirintin e reformave, të dekriminalizimit apo të borxhit të jashtëm dhe prodhimit të përgjithshëm bruto. Ca të tjerë e kanë pazarin më të ulët, e anashkalojnë analizën globale që shkon deri te kandidimi i Trampit dhe kalkulojnë formacionin e De Biazit me kombëtaren. Por në shfrim e sipër vijnë dhe nja tetë a nëntë pikëpyetje me radhë: “Ku është shteti? Ku është Presidenti? Po Kryeministri? Po Policia, Ministria e Punës Çështjeve Sociale Shanseve të Barabarta, e Rinisë, Sporteve… ajo e Bujqësisë edhe e Ushqimit mor amani se desh harruam. O po ku janë fshehur këta se nuk po e marrim vesh?”
Vazhdon lumi i statuseve. Ca me fotografitë e tyre e të tjerë më profile false. Por tek e fundit, duhet ta themi fjalën tonë, ndryshe nuk quhet. Se ja, kanë folur këta “peco-grosot”. Le po janë hedhur në sulm edhe “plebejtë”. Si të mos e lëshojmë dhe ne ndonjë status. Katër fjali janë të shkretat. I futim një të sharë për qejf tonë, përmendim dhe Zotin që të jemi në rregull dhe shohim sa like do marrim.
Në vend të epilogut:
Nuk e kam me reagimin, se shyqyr që kemi mësuar të reagojmë së fundi. Por nuk di pse duken kaq false e mjerane shumica e tyre, se duan të thonë diçka e s’thonë asgjë. Por dhe në këtë rast e kanë një të mirë: i japin material sa të duash, Estradës së Shtetit apo show-t të kabareve.

Postuar në 23 qershor 2016

Wednesday, June 22, 2016

Transoqeanikët e flotës shqiptare, shkëlqimi dhe shkatërrimi i tyre - Dossier

Tirana
Shkodra
Leonard Veizi

Durrësi
Të dilje jashtë shtetit me një anije tregtare, për një shqiptar në breg të detit ishte ëndërr, padyshim. Por kjo nuk vlente vetëm për njerëzit e izoluar brenda klonit që kërkonin të dinin më shumë për pjesën tjetër të botës. Udhëtime të shpeshta, ankorime në porte të ndryshme
Vlora
dhe të prekurit e vendeve ekzotike, nuk është se të jepet rasti kaq lehtë t’i shijosh, veç në ke një llogari të mirë në bankë me të cilat duhet të prenotosh kabinë komode në një kroçiera moderne. E për më shumë se kaq duhet të blesh një jaht që të jetë në gjendje të përballojë dallgët e Paqësorit. Ndërkohë, këtë mundësi kanë pasur marinarët e Flotës Tregtare, që lundronin për llogari të shtetit shqiptar, nga Kuba në Kinë, nga Aleksandria
Arbëria
në Roterdam, apo nga portet e Anglisë në ato të Libisë...

...Në fakt, veç shkëlqimit 30 vjeçar, fort i trishtuar ka qenë epilogu i Flotës Tregëtare të Shqipërisë, i asaj që u ndërtua me kontributin e shtetit të para viteve ‘90. Transoqeanikët dolën jashtë përdorimit e u shitën për skrap. Sot, të pasurit e një anije transporti ka të bëjë me fuqinë blerëse të individëve apo kompanive private. Gjithsesi, Flota Tregëtare Shqiptare nuk e ka humbur traditën dhe vazhdon të ketë një grup anijesh në përbërjen e saj.

100 mijë ton ngarkesë
Në kohën e saj më të mirë, diku në vitet ‘80, Flota Tregtare Shqiptare kishte të paktën 20 anije cilësore me të cilat mund të transportonte në shumicën e porteve të botës një ngarkesë prej rreth 100 mijë tonësh. Sipas librit “Historia dhe Dinamika e Transportit në Shqipëri” shkruar nga ish-zv/sministri i Transporti, Sadedin Çelikut, flota tregtare numëronte rreth 40 anije respektivisht rreth 20 për transportin e jashtëm dhe 20 të tjera për transportin e brendshëm detar. Duhet pasur parasysh se rreth viteve 1980, kantieri detar në Durrës prodhoi disa anije transporti duke shtuar inventarin e flotës tregtare. Ndër anijet e inventarit janë dhe “Rinia”, “Boshtova”, “6 Shkurti”, “Shkumbini”, etj., të cilave tanimë thuajse nuk i gjendet asnjë gjurmë, madje as pas kërkimit në agjensinë “Shipspotting” e cila evidenton
Mati
të gjitha anijet që qarkullojnë në botë.

Kapiteni i transoqeanikëve
Ndëkohë Fore Kureta, i cili të fshehtat e lundrimit detar i studioi në Bullgari, dhe punoi si kapiten anijesh tregtare për më shumë se 20 vite me radhë, gjatë një interviste të realizuar disa vite më pàrë u shpreh se flota shqiptare, oficerët drejtues e marinarët e thjeshtë, ishin tepër korrektë dhe për këtë kishin fituar besimin në të
Partizani
gjitha bankinat ku ankoroheshin anijet me flamurin kuqezi. Por kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Sipas dëshmisë së Kuretës deri në vitin 1960, anijet e transportit shqiptar drejtoheshin nga kapitenë të huaj. Kryesisht, ata ishin bullgarë dhe rusë. Në vitin 1961, pas shkëputjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me kampin socialist, ata u larguan, kështu që oficerët e rinj shqiptarë të porsa diplomuar në shkollat e Lindjes u detyruan të merrnim me urgjencë drejtimin e Flotës Tregtare. Karriera e Kuretës do të niste si Oficer i Parë në anijen 5-mijë tonëshe “Durrësi”, më pas si
Teuta
Kapiten i anijes 3.500 tonëshe “Skënderbeu” dhe së fundi merr drejtimin e anijes 12.000 tonëshe “Tirana”. Por ai ka drejtuar në disa lundrime edhe transoqeanikun 16.000 tonësh “Arbëria”.

Flota me anije hekuri
Në historia detarisë shqiptare shkruhet se lundrimi nisi që në kohët e lashta, por fill pas Luftës së Dytë Botërore u mendua për ngritjen e flotës tregtare. Deri në atë kohë, Shqipëria kishte vetëm anije të vogla prej druri. Në kuadër të rreshtimit ndër shtetet që pësuan dëme nga lufta, Shqipëria përfitoi mes të tjerave edhe tri anije tregtare. Dy prej tyre, “Sazani” dhe “Butrinti” 500 tonëshe erdhën krejt të reja në vitit 1961 nga Gjermania, ndërsa “Teuta” në po të njëjtën periudhë erdhi nga Italia. Por flota tregtare u furnizua dhe me avulloret, që viheshin në punë me anë të avullit të prodhuar nga djegia e mazutit. Të tilla ishin anijet “Durrësi”, “Partizani” dhe “Liria”, të cilat erdhën të reja në vitin 1961 nga Polonia.

Ngarkesat e madha
Sipas dëshmisë së Fore Kuretës, Shqipëria bënte tregti me shumë vende dhe anijet e shtetit hynin në më shumë se 100 porte të botës. Në rrëfimin e tij Fore Kureta kujton se rrugë shumë interesante kishte bërë në Vietnam dhe Kore ku në anijen 5000 tonëshe “Durrësi” u ngarkuan pjesë ndërrimi për avionë luftarak. Ndërkohë nga Anglia me po të njëjtën anije u transportuan 10 makina tip “Centaur” 40 tonëshe, që përdoreshin në ndërtimin e hidrocentraleve. Një nga problemet më të mëdha që Kureta ka hasur ka qenë transporti i dy kullave të mëdha, nga 52 ton, 54 metra të gjata dhe me diametër 4.70 metra, të cilat u montuan në Azotikun e Fierit.

“Tirana”, një anije moderne
Po çfarë të dhënash kishte një anije moderne që duhet të përballonte dallgët e detit Mesdhe por dhe ato të oqeanit Indian? Ja shpjegimi i ish-kapitenit Fore Kureta për transoqeanikut “Tirana”:  “Një nga kulmet e progresit teknik të asaj kohe në fushën e lundrimit detar ishte anija “Tirana”. Ndërtimi i saj mbaroi në fund të vitit 1970 dhe erdhi për herë të parë në portin e Durrësit më 26 mars 1971. Ishte një anije me një helikë dhe me një motor, e destinuar për transportin e të gjitha llojeve të mallrave të thata. Anija ishte e gjatë 153 metra, e gjerë 19,4 metra, lartësia e bordit 11,65 metra dhe zhytjen e ngarkesës së plotë e ka 9,07 metra. Në kuvertë ishin të vendosura mekanizmat e akostimit, vinçat dhe spiranca. Lokali i makinerisë ishte në mes të anijes. Kishte tre hambarë në bash dhe dy hambarët në kiç, me një kubaturë prej 17.865 metër/kub. Mbulesat e hambarëve ishin të mekanizuar, hapeshin dhe mbylleshin në bazë të sistemit hidraulik. Anija kishte 20 vinça elektrikë dhe biga 5-10 tonëshe. Më e madhja ishte biga e rëndë 60 tonësh. Anija kishte dy sanalle shpëtimi, secila për 72 veta, njëra prej të cilave me motor. Anija kishte depozita me ujë të pijshëm e karburant që siguronin autonomi lundrimi për 15 mijë milje detare. Ura e komandimit ishte e gjerë, e përshtatshme për punë dhe e pajisur me të gjitha instrumentet më modernë të drejtimit të anijes. Kishte dy radarë njërin tip “Deka” dhe dispazon 0.7 deri në 48 milje dhe tjetrin tip “Kelvin” me diapazon 0.7-64 milje detare. Anija veç hambarëve dhe kuvertës kishte dhe një hambar frigoriferik që shërben për transportimin e mallrave ushqimorë. Por ajo kishte dhe një aparaturë për kthimin e ujit të detit në ujë të pijshëm dhe prodhonte 12 ton në 24 orë”.

  
Anijet kryesore të Flotës

Flota shqiptare kishte rreth 20 anije hekuri që përdoreshin për transporte jashtë vendit. Kjo flotë fillonte me anijet më të vogla “Sazani” e “Butrinti” me nga 500 tonë ngarkesë për të vijuar me më të madhen e modernen “Arbëria” me 16 mijë ton ngarkesë.

“Arbëria”
Transoqeaniku “Arbëria” ishte anija më e madhe dhe më moderne e Flotës Tregtare. U ble në vitin 1975 nga shteti shqiptar në Suedi për rreth 5 milionë dollarë dhe kishte kapacitet mbajtës 16 mijë ton. Ishte një kryevepër e teknologjisë më të avancuar të kohës, krejtësisht e automatizuar e me ajër të kondicionuar. Anija bënte kryesisht linjën e Kinës dhe Kubës. Ajo punonte me qira dhe për palët e treta.

“Tirana”
Kjo ishte një anije bashkëkohëse e “Arbërisë”, vetëm se e prodhuar në Poloni. Më saktë, anija u porosit nga qeveria shqiptare aty rreth vitit 1972 dhe ishte krejt e re kur mbërriti në Durrës. Kapacitetin mbajtës e kishte 12 mijë ton dhe konsiderohej nga më të mirat e flotës tregtare shqiptare. Anija përdorej për udhëtime të gjata dhe punonte edhe për llogari të të tretëve.

“Vlora”
Anija “Vlora”, 12.600 ton kishte vetëm një vit që ishte prodhuar, kur u ble në Xhenova të Italisë në vitin 1961, rreth 4 milionë USD. Anija punonte edhe me solar. Në vitin 1961, stafi i saj u kompletua me oficerë të marinës luftarake. Anija kujtohet nga njohësit e saj si shumë e fortë, pasi nuk kishte ndodhur të bënte asnjë defekt rrugës.

“Shkodra”
Kishte të gjitha parametrat e “Vlorës” dhe ishte prodhuar po në Xhenova të Italisë. U përdor me sukses nëpër linja të gjata. “Shkodra” ishte inkuadruar së bashku me anijen “Vlora” në një shoqëri të përbashkët shqiptaro-kineze të quajtur “CHAL Ship Company”, e cila kishte tre anije, por që pas shpërbërjes “Shkodra” dhe “Vlora” i mbetën shtetit shqiptar. 

“Durrësi”
Anija avullore me emrin “Durrësi” përfundoi për skrap në vitin  1997. I blerë i ri, i sapondërtuar në vitin 1961 në kantierin detar “Stocznia Gdanska im. Lenina Gdansk”, në Poloni, “Durrësi” ishte një nga mjetet lundruese kryesore të flotës tregtare shqiptare në vitet 1960-1970. Në foto-arkivat ndërkombëtare anija është fiksuar disa herë, madje dhe me emrin “Dyrrahu”

“Gjirokastra”
Në evidencën e anijeve të çrregjistruara ekziston dhe “Gjirokastra” e cila pas privatizimit në vitin 1996 mori emrin e dytë: “Baxha”. Por anija pati dhe një shitje tjetër, kompanisë greke GT Shipping Inc, që i vuri emrin e tretë – “GT1” me flamur panamez. “Gjirokastra” u shit për skrap dhe u shpërbë më mars 2010 në kantierin e demolimit në Aliaga, Turqi.


 Anijet e Flotës Tregëtare Shqiptare

Tani këto quhen ish-anijet e Flotës Tregëtare Shqiptare. Janë të dhënat e 16 anijeve të shoqëruara me fotot e 11 prej tyre

Arbëria                       16.350 ton,  prodhuar në Suedi më 1975 - bllokuar në Turqi
Tirana                         12.038 ton,  prodhuar në Poloni më 1972 - bllokuar në Greqi
Vlora                           12.341  ton,  prodhuar në Itali më 1961 - jashtë përdorimit
Shkodra                     12.501 ton,  prodhuar në Itali 1961, - jashtë përdorimit
Durrësi                        5.037 ton,   prodhuar në Poloni 1961 - jashtë përdorimit
Dajti                              4.581 ton,   prodhuar në Gjermani 1960 - jashtë përdorimit
Skënderbeu               3.600 ton,  prodhuar në Bullgari 1960 - peng në Itali pas eksodit
Mati                              3.500 ton,  prodhuar në Poloni 1960 - mbytur në Kostanca, Rumani
Partizani                    3.556  ton,   prodhuar në Poloni 1961- jashtë përdorimit
Gjirokastra               2.700 ton,   prodhuar në Durrës 1983- shitur më  2006
Liria                             2.500 ton,   prodhuar në  Poloni 1961- jashtë përdorimit
Teuta                            1.711  ton,     prodhurar në Itali 1960 - jashtë përdorimit
Korabi                        1.500  ton,   prodhuar në  Itali 1965 - bllokuar më 2002 në Itali
Saranda                      1.100 ton,   prodhuar në Durrës 1984 - shitur më 2006
Sazani                            500   ton,  prodhuar në Gjermani 1960 - jashtë përdorimit
Butrinti                          500  ton,  prodhuar në Gjermani 1960 - jashtë përdorimit



Postuar në 25 Tetor, 2015

  

Të jesh ngushtë në shtëpinë tënde. Plaç kur ikën, e plaç kur kthehesh - Shënim

Leonard Veizi

Jetojmë në një shtet ku absurdi është kthyer në normë. Shqiptarët ikin nga vendi i tyre ashtu si 25 vite më parë kur muri që i mbante të ndarë me pjesën tjetër të botës u shemb e u thërmua fare. Përkufizimi për botën e lirë asokohe kishte një tjetër kuptim, sot termi vërtet nuk ka ndryshuar, ndërsa botëkuptimi ynë po. Se liria është vetëm një nga hallkat, fill pas kësaj zinxhiri ka pika të dobëta e mund të këputet në një tjetër vend.
Sot shqiptarët nuk janë më aq të mirëpritur në Perëndimin e begatë. Ata të Brukselit thonë se vendin e origjinës, domethënë shteti shqiptar, nuk ka probleme me liritë e njeriut dhe arsyeja për të kërkuar ndonjë status fillon e bëhet e dyshimtë. Por nëse e ke marrë rrugën në këmbë, që të mbërrish deri në zemër të Europës, i pa gjumë e i uritur si një ujk, të paktën “ata andej” të paketojnë ushqimin ditor në qese plastike e të presin një biletë avioni që të mund të kthehesh në vendin e origjinës si zotni i vërtetë. Në terminalin e Rinasit, aty ku VIP-at ndahen me popullin e thjeshtë nga një korridor i ngushtë, “shteti” të pret me buzëqeshje, jo për të të thënë se ka siguruar një vend pune për ty, por për të të drejtuar te sporteli ku duhet të paguash ndonjë detyrim të vogël që ke lënë pas dore ngaqë mendja të ishte ngritur për t’ia mbathur nga sytë këmbët. Nëse tenton të shkasësh sërish, i njëjti “shtet” të pret rrugën për të treguar seriozisht këtë herë, se në qelinë e 313-tës ka një krevat portativ për ty ku mund të shtrihesh drejt e në sustë e të qëndrosh derisa të të mbushet mendja që të mos kesh asnjë qindarkë punë me të.
Gjermania po i kthen emigrantët, ca të kontinentit tonë e ca të kontinentit tjetër. Edhe atje shumë zhurmë ka, gjithfarë organizmash nuk janë fare dakord me masat e qeverisë ndaj azilkërkuesve.
Shqiptarët e ikur me shumicë kohët e fundit, ca për një jetë më të mirë, e ca që mendojnë se është më mirë të punosh për një pronar në Gjermani se sa të jesh pronar në Shqipëri, tani po kthehen kokëulur. Ndërsa axhanset trumpetojnë me të madhe se shteti ynë, ai i origjinës domethënë, ka marrë të gjitha masat... për pritjen e emigrantëve sirianë. E vërtetë, çfarë sjell sahati nuk sjell moti. S’duhet të na kapin gafil. Se kanë rënë këmbanat e alarmit që Shqipëria mund të kthehet sërish në një trampolinë, njëlloj si atëhere kur prisnim e përcillnim kurdë e kinezë. Po kësaj radhe shteti nuk rri duarkryq, merr në dorë situatën, dhe nuk lë skafistët ta bëjnë Otranton si Liqenin Artificial. Në këtë aspekt me sa duket vazhdon të funksionojë motoja e hershme: me tanët le të ngushtohemi ca se s’na gjen gjë, puna është që mikun ta presim me dinjitet. Dhe shqiptarët vazhdojnë të jenë ngushtë në shtëpinë e tyre.


Postuar në ResPublica më 28 Tetor, 2015 

Nuk dua të votoj

Leonard Veizi

Nuk dua të mendoj për zgjedhjet. As për fletën dhe as për kutinë e votimit. Madje as për kandidatin jo e jo. Shkurt... nuk më plas fare për zgjedhjet. Fiton “filani” apo “fisteku” nuk është në interesin tim. Të fitojë ai që do të marrë votën e duhur dhe kaq. Dhe sa për dijeni, ajo çka po them hyn te të drejtat e njeriut, të mos mendojë kush për të kundërtën.
E gjitha kjo ka të bëjë as më pak dhe as më shumë, por me një garë militantësh frenetike. Voto... voto... voto. Slogane sa të nakatoset. Mesazhe në celular. Propagandë idiote. Ore po nuk dua të votoj... “Voto për të ardhmen tënde, gjej 5 minuta kohë”!
E tmerrshme!
Kohë kam sa të duash. Thjesht nuk dua të votoj. Nuk dua të më dhunojë njeri. “Është e drejtë qytetare të votosh”. Po cila nuk na qenka e drejtë qytetare? E drejta qytetare është edhe të mos votosh, të qëndrosh mënjanës, apo të jesh përbuzës ndaj gjithçkaje. Tek e fundit “kush je ti që unë duhet të të votoj”: trim me fletë, i dëshiruari apo i... dërguari i Zotit? Cili është borxhi im ndaj teje? Ku qëndroj joqytetaria ime përballë qytetarisë së gjithkujt tjetër që fshihet nën petkun se hodhi një votë e pas kësaj ka të drejtë edhe të kërkojë llogari?! Gjithkush në këtë botë ka të drejtë të hedhë një votë në mënyrë krejt të pakuptimtë e më pas të shëllehet në bregun e lumit me kallam në dorë me qëllim që të kapi ndonjë peshk. Unë thjesht dhe shkurt nuk dua të bëhem palë e asnjërës anë. Nuk jam indiferent... Jam me veten time. Dhe kjo është më shumë se sa të jem me “Ty”.
Nuk dua të di kush je ti.
Mllefi im i motivuar apo nëse nuk duket i tillë, vjen edhe prej faktit se disa nga televizionet u futën në garë që në pikë të mëngjesit. Votoi njëri... votoi tjetri... kryeministri, shefi i opozitës, shefi i...
Votimi është një proces normal, përse duhet përcjellë me aq bujë, dhe në kohë reale madje. Mjafton edicioni i lajmeve. Vetëm 5 minuta dhe jo më shumë. Se ka dhe aspekte të tjera jeta për të cilat duhet të informohesh.
Tani... për të thënë të vërtetën, nuk është se unë s’kam besim te kandidatët. Padyshim që mendoj se në 4-vjeçarin e ardhshëm, njëri prej tyre, ai që do të ketë fatin të qeverisë, do ta bëjë Tiranën lule, gati njëlloj me Parisin, ose të paktën me Budapestin. Por meqenëse jam gazetar e më lind e drejta të dyshoj ca më shumë, them se më e sakta do të jetë fakti se kryeqytetasit para se të mendojnë për qytetarët do të mbushin mirë xhepat e tyre dhe të atyre që i sollën në pushtet. Të tjerët do të jenë veç njerëz "të lirë", që do të vazhdojnë të qëndrojnë njëri pas tjetrit për të marrë certifikatën e radhës.

Postuar në ResPublica më 21 Qershor, 2015


Wednesday, June 15, 2016

Intervistë me kolonel Pëllumb Zaimin: Ushtria shqiptare ‘90 me 100 miliard dollarë asete

Leonard Veizi

I pabesueshëm, në sasi dhe vlerë monetare, arsenali i lëvizshëm i ushtrisë shqiptare deri në vitin 1990. Nëse  shtohen dhe objektet e palëvizshëm e territoret, shifra rritet në mënyrë katastrofike...

...Në sektorin shkencor të Akademisë Ushtarake, ku ai bënte pjesë bashkë me 5 kolegë të tjerë si ekspert i analizave ushtarake, vinin informacione më shumë se kudo tjetër, për shkak të rëndësisë që kishte vetë detyra. Falë punës së gjatë në sektorin prej nga dilnin tezat, ku duhej të mbështetej ushtria në paqe e në rast lufte, ai ka njohuri të gjithanshme. E veç kësaj, pas përvojës në terren si komandant i një batalioni art-mitraljer, vite më vonë do të emërohej edhe në krye të kabinetit të komandës së forcave ajrore. Duke pasur këto detyra, ai është i gatshëm të japi përgjigje edhe atje ku duket se nuk e ka informacionin e duhur. Gjithsesi, koloneli në rezervë Pëllumb Zaimi, thotë se ushtria Shqiptare “notonte” mbi para, përderisa asetet e saj të shitëshme, kapnin një vlerë prej miliarda dollarësh. Të gjitha këto ai i sqaron gjatë një interviste për gazetën “Shekulli”:

Një nga vendimet e qeverisë në ikje është shkurtimi i pagës për ushqimin e ushtarakëve në detyrë dhe kjo bëhet për shkak të krizës financiare. Si e konsideroni këtë vendim?
Si të gjitha vendimet e tjera kundër ushtarakëve edhe ky është një turp i qeverisë. Ushtarakët shqiptarë duhet të trajtohen më denjësisht, ata që janë në detyrë, ata që kanë dalë në rezerve dhe ata që janë në pension. Para ka mjaftueshëm për të gjithë ushtarakë e ish-ushtarakë, sa për të mos e ndjerë krizën.

Në një krizë globale ku mund të gjenden këto para?
Ato duhet të ishin bërë vit pas viti, që nga çasti që u mor vendimi politik se Shqipëria nuk kishte nevojë për një ushtri aq të madhe sa ishte ajo e viteve ’90. Pra këto para gjendeshin në asetet e ushtrisë. Aty ka pasur shifra kolosale parash, por dhe ka ende. Them ka pasur pasi një pjesë e mirë e tyre tanimë janë zhdukur. Por në qoftë se asetet e ushtrisë do të administroheshin në rregull e sipas ligjit, vetëm 10% e shifrës totale që kapin këto asete do ta rregullonin bilancin e pagave të ushtrisë dhe administratës shtetërore për shumë vite me radhë. Dhe kriza nuk kishte pse të ndihej as sa t’u heqësh ushtarakëve dhe ushqimin.

Të flasim më konkretisht?
Ushtria shqiptare e viteve ‘90 ka pasur një arsenal të jashtëzakonshëm, armësh, municioni, karburanti, ushqime e veshmbathje. Nëse këto do të shiteshin sipas rregullave, buxheti i shtetit do të furnizohej çdo vit me disa qindra milionë dollarë.

Çfarë shifre kapin këto asete?
Ju them pa frikë, duke u bazuar në atë që kanë nxjerre dhe specialistët e fushës, se ushtria shqiptare ka pasur asete që vlenin deri në 100 miliard dollarë, pa përmendur këtu objektet dhe territoret.

A nuk ju duket kjo një shifër shumë e lartë, madje e ekzagjeruar?
Mund të jetë shumë e lartë por është e vërtetë dhe e bazuar mbi fakte konkrete.

Që do të thotë...?
Që do të thotë se vetëm municioni i ushtrisë shqiptare, ai i importuar dhe ai i prodhuar në vend, i sistemuar në disa qindra depo e tunele, kap shifrën e 65 miliard dollarëve. Të mos harrojmë se uzina e Poliçanit prodhonte 48-58 ton municion në 24 orë, fishekë pushke, automatiku, mitralozi të lehtë e të rëndë. Gramshi prodhonte 400-500 automatikë e pushkë automatike në ditë ose 120 mijë në vit me një kosto prej 6000 dollarë për copë. Kostoja ishte e lartë pavarësisht se ato në tregun e zi të viteve të fundit patën një vlerë shitje prej 300 dollarësh. Mjekësi prodhonte më shumë se 6000 ton eksploziv në vit.

Ndërkohë çfarë tjetër mund të shitej nga arsenali i ushtrisë?
Ushtria shqiptare ka pasur 196 avionë MIG dhe helikopterë MI-4, po të shtojmë këtu 12 avionë AN-2, skuadriljet me PO-2 dhe JAK-18, si dhe 4-avionë qeveritarë IL-14 shkojnë 240. Flota ajrore numëron 125 avionë MIG të tipave të ndryshme që varionin nga 15-25 milion dollarë për ekzemplarë. Mesatarja kap vlerën e 4 (katër) miliard dollarëve.

Sa ka qenë forca e ushtrisë tek mjetet e blinduara?
Në ushtri numëroheshin 1200 tanke e transportues të blinduar. Një tank kapte shifrën e 600-800 mijë dollarëve sipas tipave. Mesatarisht kap vlerën 1 (një) miliard dollarë.

Po artileria kundërajrore?
Në artilerinë kundërajrore numëroheshin të paktën 4000 gryka zjarri që përbëheshin nga mortajat 60 mm, tek topat obuz 122 e 150 mm. Ndërkohë në këtë artileri futeshin edhe kanjushat ML-130, 12 dhe 19 grykëshe. Marr parasysh se topat obuz më të thjeshtë, ata 122 kanë pasur në një vlerë prej 70 mijë USD. Në artilerinë kundërajrore futen edhe grupet e raketave SAM-2 tokë-ajër. Ushtria shqiptare dispononte rreth 200 të tilla.

Të vijmë tek Forcat Detare?
Forcat Detare numëronin të paktën 100 copë anije të tipave të ndryshme, nga të cilat 4 nëndetëse, 4 gjuajtës të mëdhenj, 6 gjuajtës të vegjël, 2 dragamina të mëdha, 6 dragamina të vogla, rreth 60 katra silurues, anije ndihmuese etj. Por ka pasur dhe një armatim prej 400-500 copë silura me vlerë rreth 1500 dollarë copa, (700 mijë dollarë) dhe mbi 2000 mina detare me vlerë mbi 1000 dollarë copa (2 milion dollarë). Vlera e një nëndetëseje është shumë e lartë për shkak të teknologjisë që kanë.

Çfarë vlere kishin uzinat ushtarake?
Kishim uzina ushtarake me vlera kolosale si: Uzina e Tankeve dhe e Artilerisë në Tiranë, e baterive në Berat, e armatimit në Gramsh, e municionit në Poliçan, e lëndëve plasëse në Mjekës, (që ishte 100 % me teknologji suedeze), ishin gjithashtu uzina e riparimit të avionëve në Kuçovë, uzina e lokacionit, KRAF-i i Pasha Limanit, për remontin e anijeve mbiujëse dhe nëndetëseve. Këtu nuk po përmend një seri mini-uzinash në të gjithë territorin e republikës ku bëhej remont i pjesshëm i mjeteve luftarake. Këto uzina kishin teknologji moderne, përgjithësisht kineze por dhe franceze e suedeze që ishin fjala e fundit për kohën. Vlera monetarë është vështirë të nxirret pa dokumentet përkatës.

Në çfarë sasie kishte municion?
Mund të bëjmë një llogari duke u bazuar në sasinë e municioneve që kishin të depozituar njësitë e ushtrisë. Por unë nuk kam informacion mbi sasinë që ndodhej në depot e armatës. Megjithatë një batalion kishte rezervë 2-3 mijë ton municione të të gjitha kalibrave, brigada kishte nga 10-15 mijë ton municione rezervë, ndërsa divizione 20-25 mijë ton municione rezervë. Duhet të kemi parasysh se ushtria shqiptare kishte 22 divizione. Çdo divizion kishte 5-7 brigada, pra ishin rreth 130 brigada, këmbësorie, artilerie, sulmuese dhe rezerva të Shtabit të Përgjithshëm. Çdo brigadë kishte 5-7 batalione. Ishin më shumë se 30 regjimente të artilerisë kundërajrore. Çdo regjiment kishte 3 batalione. Përafërsisht ishin 800 batalione me një sasi totale prej 2 milion ton municion të të gjitha kalibrave. Brigadat dhe regjimentet kishin depot e tyre të rezervave me një sasi prej 1.5 milion ton municion dhe gjithashtu 22 divizionet kishin depot e tyre me rreth 500 mijë ton municion. Vetëm me kaq kemi të paktën 4 milion ton municione. Por nuk njohim sasinë e municionit që ishte depozituar në depot e armatës në Qafë Mollë, në Elbasan, në Rrëshen, në Berat. Këtu duhet të kemi parasysh se batalionet art-mitraljer të zonave malore kishin nga 12 mijë mina kundër tank dhe nga 16 mijë mina kundër këmbësorisë. Ato të kufirit bregdetar kishin edhe më shumë.

Sa ka qenë ndihma në vlerë monetare që na ka dhënë Bashkimi Sovjetik dhe Kina?
Natyrisht unë nuk mund të flas dot për gjëra që nuk i di, por mund të jap vetëm një shifër të parë në një dokument sekret. Në atë dokument flitej për një ndihmë prej 17 miliard dollarësh të dhënë nga Kina në vitet 1974-1976, e gjitha në pajisje ushtarake.

Çfarë arsenali ushtarak sillte Kina në Shqipëri për të pasur shifra të tilla marramendëse?
Mund të them se në ndihmat e Kinës për ushtrinë shqiptare fillonin nga thikat speciale që përdoreshin në të gjithë ushtrinë, por sidomos tek repartet e zbulimit, tek dylbitë B-12 që e afronin një objekt deri në 12 herë, e për të shkuar tek tanket, avionët e mjetet e riparimit për nëndetëset e anijet mbiujëse luftarake. Të mos harrojmë se ushtria kishte rreth 15 mijë automjete transporti. Por gjithashtu brigadat e xhenios kishin në inventar disa dhjetëra ura të montueshme të tipit “Ponton” dhe “Beli” ku kalonin jo vetëm trupa këmbësorie e makina, por dhe tanket. Por nga Kina edhen edhe disa spitale fushor me të gjitha pajisjet dhe çadra për fushim ku mund të strehoheshin 300 mijë njerëz. Ndërkohë ushtria u pajis radio-lokator, por dhe radio-pelingator për 7-8 pikat e radio-zbulimit të ushtrisë.

A ka një inventar të plot të këtyre mjeteve?
Para vitit 1992 këto inventarë kanë qenë të plota, por pas vitit 1997 gjithçka është asgjësuar. Kjo kërkon një revizionim të saktë. Nëse ngrihet një grup pune me revizorë e teknicienë dalin përfundimet. Nuk dihet çfarë është bërë e po bëhet me pronat e ushtrisë, që siç e përmenda, ato kapin një shifër prej 100 miliard dollarësh.

Po rezervat e luftës?
Ushtria ka pasur rezerva të mëdha të paprekshme që kodoheshin “101 K”. Në këto rezerva futeshin edhe vlerat monetare në rast lufte që ishin tepër-tepër sekret. Por kishte ushqim, veshmbathje, municion e karburante të projektuara për 5 vite lufte. Në vitin 1997 u shpërdoruar të paktën 50 mijë ton karburant, dhe në atë kohë karburanti kishte një vlerë prej 600 lek për litër. Por me këtë rast u asgjësuan dhe dokumentacionet dhe kështu askush nuk u fajësua për këto vjedhje gjigante që ishin pasuri e ushtrisë dhe e vetë popullit shqiptar. Pronat e ushtrisë janë abuzimi më i madh i qeverive që kanë ardhur në Shqipëri pas vitit 1992.

Ndërtimi i fortifikimeve sa ka kushtuar?
Në Shqipëri u ndërtuan 175 mijë qendra zjarri, ku çdo njëra prej tyre kishte një vlerë prej 7500 lekë të reja, me përjashtim të atyre të mëdha. Por u ndërtuan dhe shumë kilometra tunele nëntokësore bazat e strehimit të avionëve dhe dy kryeveprat arkitektonike që ishin Baza Ajrore e Gjadrit dhe Baza Detare e Porto-Palermos. Gjithashtu janë ndërtuar dhe komandat e batalioneve, brigadave e më tej. Këto objekte janë ndërtuar me punën e oficerëve dhe ushtarëve. Më kujtohet që kur isha oficer i ri, komandanti i batalionit Destan Shira ngriti me ushtarët e oficerët, por duke qenë vet në krye të punëve, komandën e batalionit dhe ndërtesat e kompanive me një hapësirë prej 800 metra katrorë. Gjithçka me forcat e repartit e duke thyer gurë në mal.

Ndërkohë problem i madh ishte strehimi...?
Po u tregoj një detaj. Në fund të vitit ‘92 na vjen një urdhër i ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali, i cili kërkonte të dinte sa sipërfaqe banimi kishte Divizioni i Parë i Tiranës (më i madhi në vend), me qëllim që të strehoheshin ushtarakët të cilët ishin pa shtëpi. Punuam mbi harta dhe në fund dolëm në konkluzionin se Divizioni i Parë kishte hapësira banimi të adoptueshme prej dhomë e kuzhinë, (1+1) sipas standartit të kohës, të paktën 8000 hyrje. Vendi kishte  22 divizione. Po të marrim një mesatare që njësitë e tjera të konvertonin 5-6 mijë hyrje të tilla, pra 1+1, mund të strehoheshin të paktën 120 mijë familje. Por ku janë këto prona tani, po trojet përreth tyre?”.




 ORGANIKA

Ushtria shqiptarë kishte këtë organizim

22 Divizione;
5 Baza furnizimi,
185 brigada të ndryshme;
23 regjimente AKA;
3 brigada xheniere;
1 regjiment ndërlidhje.
1 regj. zbulimit strategjik;
36 batalione zbulimi; etj.

-Efektivi përbëhej nga:
-rreth 16.500 oficerë
-rreth 9.000 nën/oficerë
-rreth 60.000 ushtarë
-rreth 8.000 civilë
-rreth 450.000 rezervistë
-rreth 230.000 Forca Vullnetare

Në arsenalin e ushtrisë kishte:
pistoleta 480.853 copë;
mitraloza të lehtë e të rëndë - 36.052 copë;
GHKT -1370 copë;
mortaja 60 m/m - 7100 copë;
mor.82 m/m - 3712 copë;
mor.120 m/m - 1710 copë ;
mort.160 m/m - 76 copë;
mit. Ka 12. m/m - 1485 copë;
mit. 14.5 m/m 2-4 grykësh - 896 copë;
Topa 75 m/m KT - 6345 copë;
Topa 107 m/m KT - 296 copë;
Topa 85 m/m KT. 970 copë;
Top Obuza 122 m/m 1892 copë;
Topa 100 m/m - 120 copë;
Topa 57 m/m - 120 copë;
Topa 130 m/m - 24 copë;
Artileri Reaktive 72 shtretër lëshimi;
Topa KA. 37 m/m dy grykësh – 1820 copë;
Raketa Tokë-Ajër - 16 shtretër lëshimi;
Topa KA 57-150 m/m - 24 grykësh - 1310 copë;
Topa KA 25 m/m - 2 grykesh në anije - 12 copë
Topa KA 37 m/m në anije 27 copë;
Topa 85 m/m në anije 4 copë;
Topa 23 m/m në avionë - 67 copë;
Topa 30 m/m në avionë - 217 copë; topa 37 m/m në avionë - 26 copë;
Avionë luftarake të tipave të ndryshëm 175 copë;
Helikopter 36 copë;
Makina të ndryshme: vetura, operative, transporti dhe luftarake 14.120 copë;
Diagaçë të ndryshëm -  630 copë;
tanke luftarakë 1060 copë me kulla çeliku special, po kaq dhe topa 85-100 m/m;
transportues të blinduar - 638 copë;
anije luftarake të ndryshme mbi ujëse K/S etj 85 copë; 4 nëndetëse etj;


Botuar në gazetën SHEKULLI në 11 gusht 2013       

Thursday, June 9, 2016

Gratë me celular në timon


nga Leonard Veizi

Thuhet se rrugët e Tiranës janë kthyer në një ferr të vërtetë, për këmbësorë, biçiklistë e drejtues automjetesh. Problematika duket aq e madhe sa çështja është shtruar për zgjidhje në tavolina emisionesh televizive e në tavolina kafenesh gjithashtu. Por vetëm një vëzhgim në orët e pikut, të jep dimensionin e vërtetë se ku rreh debati, e me këtë rast të të mbushet dhe mendja se fjalët nuk dalin kot.
Por e dini me çfarë ndeshesh rëndom në këto rrugë me trafik të rënduar?
Në qoftë se më së shumti prej jush mendon se janë shoferët që u bien borive vend e pa vend, duke krijuar ndotjen akustike tej normave të lejuara, unë ju them se jo. Në rrugët plot makina të kryeqytetit, në kryqëzime me semaforë tri ngjyrëshe, e vijëzime të dala boje, do ndeshësh më së shumti gra me celular në timon. Padyshim që është emancipim spektakolar të shkosh në punë me makinën tënde; ta mbushësh serbatorin dëng me benzinë se e ke portofolin plot, e të kapësh 80 kilometra në orë për 5 sekonda nga starti. Se nuk kanë ndodhur këto para viteve ´90. Dy gra shofere kishte gjithë Tirana, njëra i jepte një ZIS-i me rimorkio, diku andej nga Ndërmarrja Bujqësore “Gjergj Dimitrov” e një tjetër kishte kapur timonin e taksisë tip “Varshava” prodhim polak i vitit 1953. Diktatura i dënoi rëndë ca shtresa për 45 vite e mos më tepër. Grave ua mori shpirtin nëpër aksione e punë vullnetare. Nuk kishin kohë as për të shkuar te parukerja e as të bënin thonjtë me xhel. Po shyqyr mbërriti demokracia dhe liria e dëshiruar erdhi me një tufë aksesorësh nga pas. Kaluan 25 vite, u ftilluan. Si hoqën nga përdorimi sapunin e Rrogozhinës, e filluan jetën e re me një prerje flokësh “alla franceze”, pastaj blenë nga një celular me taç, dhe në fund nga një makinë. Sipas mundësive: ca “Smart” si kuti shkrepëseje e ca fuoristrada, me 8 pistona që shpenzojnë 20 litra karburant për 100 kilometra. Kjo është jeta. Këtu u bëmë një me Europën. Se ca aspirata i kemi plotësuar ne shqiptarët, kot të qahemi.
Por nuk mbaron me kaq. Për më saktë, këtu fillon dhe problemi.
Me një dorë në timonin e makinës e një tjetër te celulari, që e mban në vesh kushdo thyen ligjin, në Shqipëri, Europë e Amerikë po deshe. Se dhe mua më ka rënë rasti të bëj ndonjë budallallëk në rrugë: edhe me të kuqe kam kaluar e s’ma ka bërë syri “tërrt”, po kur vjen puna për të folur në celular nuk ma mban fare. Por nga dritaret e makinës, apo kur e marr rrugën më këmbë, gjatë gjithë kohës shoh gra që flasin në celular kur janë në timon. Vajza të reja e gra në moshë sa të mbetesh me gojë hapur e të të bjerë damllaja. Nuk e heqin celularin nga veshi dhe kur janë gati të bëjnë “xing”. Këtu e them me bindje se ato janë trimëresha të vërteta, si Shota, si Tringa, si... Se mos keqkuptohemi; nuk është puna se kanë marrë mauserët në dorë, u mjafton timoni. Apo mbase më duken kaq të forta ngaqë mua vetë më shkojnë shtatë kur më bie zilja e celularit gjatë rrugës, dhe bëj sikur nuk e dëgjoj. Ndërsa ato o të keqen instinktet top, yxhym me celularin në kokë e timonin në dorë dhe i bëjnë zbor makinës e xhirojnë gomat si të jenë në “fushën e Starovës”, e futen në kthesë pa e vënë këmbën në frena. Nuk i pengojnë as thonjtë e vënë e as sandalet me taka 10-12 centimetra të larta.
Ta lëmë mënjanë ironinë.
Në Kodin Rrugor, nene të veçanta përcaktojnë qartë për: rripat e sigurisë, shpejtësinë brenda normave të lejuara, drejtimin e automjetit nën ndikimin e alkoolit, përdorimin e telefonit celular, e ca të tjera. Pra, përdorimi i telefonit celular gjatë udhëtimit kur je drejtues automjeti përbën kundravajtje dhe dënohet.
Dhe le të kthehemi sërish aty ku e lamë...
Por a kanë faj femrat që rrinë gjithë kohës me celular në vesh?
Jo, them unë. Dhe i kam ca argumente, kur u dal në mbrojtje. Pra, nuk është tërësisht faji i tyre. Është “hi tech”-u që i ngacmon. Mesazhe pa fund në “viber” e “what'sapp”. Operatorët celularë po e kanë liruar dorën sa s’bën: minuta falas e internet pa kufi. Të keqen e “Samsungut  S 6” se brenda 10 minutave informohesh. Mirëpo ndërkohë, duhet t’i japësh dhe makinës. Se dhe gjatë pritjes në semafor për 6-7 sekonda sa të hapet jeshilja, aty në mes të kryqëzimit, e shfrytëzon kohën. E bën një status bashkë me selfien. “Jam te Bërryli, po shkoj për në punë. Dita është e papame. Jeta plot shkëlqim. Puc”. Alamet optimizmi. Hapet jeshilja dhe makina fluturon. Rrugës e poston. Te semafori tjetër dërgon një sms: “A është shefi në zyrë se jam me vonesë?” Përgjigjen e lexon rrugës: “Mos e rruaj fare, ka shkuar në kafe”.
Po ka dhe këmbësorë që presin gjithë tension te vizat e bardha, duke parë sa majtas-djathtas para se të hedhin këmbën nga trotuari. Mirëpo duhen marrë vesh të rejat e fundit: ca nga bota e ca nga vendi. Duhet ditur çfarë kanë bërë një natë më parë rivalet. Si kanë qenë të veshura? Nga cili “pub” i kanë postuar fotot? Po ja që të futet një kalimtar i pakujdesshëm m’u te hunda e makinës: “Idiot, ku e ke mendjen”. Tjetri mbledh supet: “Mirë unë, po ti?”. “Ik or debil”. Debati mbyllet, makina ecën me tërsëllimë. S’ia vlen të humbasë kohë me kalimtarët që hipin në autobusët e linjës me abone. Është vonë për në punë.
Kjo është panorama e sotme në rrugët e Tiranës. Lehtësisht e verifikueshme. Mjafton të pish një kafe te një lokal buzë rruge, e të përqendrohesh. Dhe nuk do relaksohesh, por do të të iki truri nga ajo që do shohësh.




Monday, June 6, 2016

Beteja e një panairi libri

nga Leonard Veizi

Ndonjëherë nuk ka rëndësi shumë sa të bukura janë stendat ku vendosen librat, sa e madhe është hapësira ku ekspozohen, e sa ndriçim apo dritëhije ka ambienti ku zhvillohet një aktivitet në qendër të të cilit është veç libri. Më së shumti ka vlerë se sa mirëpritet libri pikërisht aty ku shkon, si produkt fizik me vlera specifike. Kjo e fundit ka marrë vlerë në Panairin e Prishtinës, që në qershorin e këtij viti mbahej për të 17-tën herë.
Në mbyllje të Panairit, meqenëse Shoqata e Botuesve, pra organizatorët e tij më vendosën në një panel ku më duhej të flisja diçka, thashë shkurt se: “Panairi i Prishtinës më hoqi shijen e keqe të Panairit të Librit në Tiranë, pjesë e kompeticionit “Tirana Open” i cili u zhvillua rreth një muaj më parë dhe që për të thënë të vërtetën ishte as më shumë e as më pak por: i “vakët”. E ripërsërita këtë shprehje si për të kuptuar edhe një herë, që me sa duket dy kryeqytetet e shqiptarëve rezervojnë të drejtën të kenë nga një panair libri të mirëorganizuar, por duket se çdo tentativë tjetër e futur si pykë në mes, veçse prish balancat e marrëveshjes së lexuesve me një produkt kaq delikat sa ç’është libri fizik. Frikës së botuesve, (që nuk ishin pak por 110 prej tyre), se e njëjta vaktësi që shoqëroi panairin e majit në Tiranë (e theksoj të majit, jo atë tradicional të nëntorit) lexuesi i Prishtinës, dhe jo vetëm, iu përgjigj me shumë ngrohtësi. Rreth 40 mijë vizitorë në një panair 5 ditor nuk janë pak, por ajo që do të shtoja unë ishte se, këta vizitorë ishin njëkohësisht dhe blerës, pasi në një përqindje shumë të lartë ata kanë dalë nga ambientet e Panairit me libra në duar. Pra, përkundër vizitorëve të Tiranës, që janë më të shumtë në numër, por që një pjesë e madhe e tyre e konsiderojnë panairin e Pallatit të Kongreseve si një “trend” për të kaluar nja dy orë larg të zakonshmes, Panairit që u zhvillua në një segment të “Boro e Ramiz” në Prishtinë dukej se i tejkaloi pritshmëritë e të gjithëve.
Si përfundim, Panairi dha edhe çmimet e tij. Dhe për të qenë korrekt deri në fund me këtë aktivitet të rëndësishëm, më duhet që në mënyrë zyrtare të prezantoj në këtë shkrim të shkurtër edhe ata që u nderuan me çmime. Në këtë ceremoni shkrimtari Roland Gjoza u shpall shkrimtari i vitit, kurse çmimi i shkrimtarit të vitit në letërsi të huaj i takoi nobelistit Patrick Modiano. Në këtë edicion u dhanë gjithashtu edhe çmime të tjera. Ai për prozë i takoi Rexhep Murtez Shalës, - çmimi për poezi, Xhevdet Bajrajt, - për kritikë, studime letrare, - eseistikë dhe publicistikë - Blendi Fevziut, kurse çmimin për përkthim letrar e ndanë Jorgji Doksani dhe Anila Xhekaliu. Çmimi për projektin kapital u dha për veprën De Rada, që është mbështetur nga të dyja ministritë e Kulturës, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë. Çmimi për fëmijë iu dha Arif Demollit dhe çmimi për stendën më të vizituar i takoi shtëpisë botuese “Pegi”. Për herë të parë sivjet u dha edhe çmimi për shkrimtarin debutues, që i takoi shkrimtares Geverina Muzhaqi. Juria që i dha këto çmime ishte e përbërë prej Adem Gashit, Elvi Sidherit dhe me kryetare Ilire Zajmin.
Ndërkaq, te librat me të kërkuar ndër autorët shqiptarë rezultuan të ishin: “Ambasadori i Melkizedekut” i Veton Surroit, “Mashtrimi i Madh” i Bardhyl Mahmutit, “Zonja Z” e Albatros Rexhajt, por dhe librat e Blendi Feziut e padyshim të Ismail Kadaresë.
Në panairin e 17-të të Librit në Prishtinë, u shënuan edhe përvjetorë të shumtë në respektim të traditës letrare shqiptare e botërore, si 150 vjetori i lindjes së Zef Skiroit, 100 vjetori i lindjes së Roland Bartit, 100 vjetori i lindjes së Artur Milerit, 100 vjetori i vdekjes së Josif Bagerit, 95 vjetori i lindjes së Mark Krasniqit dhe 20 vjetori i vdekjes së Anton Pashkut.
Ndërkohë një përvjetor shumë i rëndësishëm e sinjifikativ ishte dhe 100 vjetori i lindjes së Dhimitër Shuteriqit. Në aktivitetin e organizuar me këtë rast në qendër të vëmendjes u vu bashkëshortja e tij Myneveri, e cila edhe pse me një moshë të thyer 91-vjeçare, kishte udhëtuar drejt Prishtinës nën shoqërinë dhe të njërës prej vajzave të saj, Zanës. Ajo mbajti një fjalë të shkëlqyer duke dhënë si rezultante se Dhimitër Shuteriqi e filloi krijimtarinë e tij letrare duke botuar një poezi për Kosovën, dhe e mbylli gjithashtu me romanin “Sytë e Simonedës”, ku pjesa më e madhe e veprës flet gjithashtu për Kosovën.
Si përfundim, me duhet sërish të them, se ata që u morën me panairin e 17-të të librit në Prishtinë rezervuan të drejtën të shpreheshin se, në panairin e ardhshëm, do të na befasojnë më një organizim të ri e spektakolar, ku libri do të marri më shumë vlera, ose përndryshe: atë që meriton.

Postuar në ResPublica, 08 Qershor 2015