Friday, July 17, 2020

Depresioni i Madh i 2020-ës




Nga Leonard Veizi

Në statistikat e ardhshme viti 2020 me siguri do të mbahet mend si koha e sëmundjeve mendore apo si “depresioni i madh”. Ashtu si Amerika e viteve ’30 të shekullit të kaluar, me krizën ekonomike e cila u shfaq edhe në shumë vende të tjera për një periudhë gati 10-vjeçare. Në epokën moderne dhe vitet e shpejta të zhvillimit teknologjik, depresionet kanë qenë të herëpashershme, por shpesh të ndara nga njëri shtet në tjetrin. Ndërsa depresionet e mëdha mbahen mend për globalizimin e tyre.
Prej rënies së Murit të Berlinit, në këto tridhjetë vite të gjata të tranzicionit, Shqipëria futet për herë të dytë në një periudhë depresive. Hera e parë ishte ajo e vitit 1997.
Një mjek psikiatër me përvojë, me të cilin mora kontakt ditët e fundit, duke më shpjeguar shkaqet e traumave të mëdha shoqërore, më tha se aktualisht baza e njerëzve që paraqiteshin me simptoma ankthi e paniku, për të marrë ndihmë mjekësore, ishin nga kontingjenti i njerëzve me postrtraumat prej tërmeteve të vjeshtës 2019. Tetëdhjetë për qind e tyre ishin nga rrethi i Durrësit, pikërisht aty ku tërmeti u ndie më i fuqishëm, ku pati viktima e shumë dëme të mëdha materiale. Trauma thellohet edhe më fort kur shpresa për apartamentet e premtuara që do ndërtoheshin shpejt, është zbehur dhe ende asgjë s’po duket në horizont.
Sa për traumat si pasojë e karantinimit tremujor, të cilat erdhën në mundësi të shmangies së infektimit nga virusi “Sars Cov-2”, duket se kanë edhe pak kohë deri në shfaqjen e plotë të simptomave që kanë të bëjnë me ankthin dhe panikun.
Pacientët pritet të zënë radhën për të marrë konsulta ambulatore apo terapi të thelluara spitalore, pas pak kohësh. Ndoshta në fillim të vjeshtës. Pikërisht atëherë kur trumbetohet se Sars Cov-2 do të bëjë revolucionin e dytë shkatërrues brenda vitit. Kjo pa dyshim që do të sjellë pasoja zinxhir.
Pra, kemi të bëjmë me një “depresion kombëtar”.
Në vitin 1997 shqiptarët kaluan gjithashtu një traumë të tillë gjithëpërfshirëse, ku të sëmurët mbushën pavijonet e psikiatrikut, si fillimisht kishin tejmbushur ato të kirurgjisë e reanimacionit me të plagosurit e shumtë nga armët e zjarrit. Humbja e kursimeve në të ashtuquajturat “firma piramidale”, shoqëruar me zbrazje automatikësh e hedhje granatash në një luftë artificiale, ishte po aq traumatike sa një tërmet shkatërrues shoqëruar nga një luftë bakteriologjike e heshtur, e keqja e së cilës nuk dihet asnjëherë se nga të vjen.
Këtë herë nuk do të jetë problem vetëm Infektivi me numrin e kufizuar të shtretërve. Po aq në krizë së shpejti do të jetë dhe “5”-sa e Tiranës, “17 “ e Elbasanit apo psikiatrikët e Vlorës e të Shkodrës. Numri do të rritet ndjeshëm, sepse jo të gjithë janë të gatshëm t’i përballojnë sprovat e jetës me mospërfillje e duke i futur një mendje të lehtë.
Aktualisht, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë po na bombardojnë me statistika të përditësuara mbi të infektuarit me COVID-19. Situata bëhet më e rëndë kur përmendet numri në rritje i të vdekurve. Akoma më e rëndë, kur me kalkulime përqindjesh e veprime matematikore të vështirësisë së lartë na thuhet se për të infektuar, intubuar e viktima po arrijmë Italinë e Spanjën, e po vazhdoi kështu, do t’ia kalojmë dhe Amerikës. Kjo paradë shifrash, si një spektakël triller me skenar e regji të komanduar, e thellon situatën e depresionit e cila në një të ardhme të afërt do të jetë e pandalshme.
Tanimë virusi “Sars Cov-2” që në infektim e sipër ndërron kodin e kthehet në COVID-19, është i pari në Top Liste. Por ne nuk kemi informacion mbi të sëmurët nga kanceri, nga ata që ndërrojnë jetë për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare, për diabetikët, hemofilikët... Ne kemi të dhëna të përditshme vetëm për Covid-in. Dhe këto shifra duken vërtet të frikshme, nëse ballafaqohen krahasimisht me asgjënë. Ka 5 muaj rresht që Ministria e Shëndetësisë delegon një zyrtare, të hipë mbi një foltore e të na japë një informacion të panevojshëm. Sepse Covid-i nuk është më i keq, më i vështirë apo dhe vdekjeprurës nga gjithfarë sëmundjesh të tjera. Tanimë ai thjesht është kthyer në një gogol me të cilin tremben të rriturit.
Një gjë e tillë shkakton traumë. Dhe njerëzit që janë të prirë të dëgjojnë për ditë zyrtaren e radhës që ngjitet te foltorja e Covid-it, nëse kanë shpëtuar nga infektimi prej virusit, do të bëjnë pjesë në kontingjentin e atyre që së shpejti do të kërkojë një shtrat te Spitali Psikiatrik.
Sot, me këdo që mund të pish një kafe, shok, mik a i njohur i largët, do të të hapet e tregojë pa doreza se sa i stresuar është nga gjithçka ndodh përreth. Dhe nuk duhet shumë për të kuptuar që kjo është një traumë kolektive. Mjafton që kafenë ta pish te një lokal pranë një kryqëzimi me semafor. Dhe doza paranojake do të të shtohet dyfish. Aty do të shohësh se si shqiptarët që nuk i hipin më autobusit, por bredhin me makina prodhuar në vitin 2020, nuk durojnë dot as sekondën, por u bien borive në kor si të çmendur, sherrosen e shajnë brenda kabinave me ajër të kondicionuar, duke shtrënguar çdo sekondë me njërën dorë timonin dhe tjetrën celularin që i apdejton në mënyrë pabesueshmërisht të shpejtë.
A nuk është ky një tregues kolektiv i paqëndrueshmërisë psikike?
Çfarë duhet tjetër për të kuptuar se shoqëria po përjeton traumën dhe depresionin. Nuk është e nevojshme të dëgjosh lajmet për shtimin e numrit të vetëvrasjeve, apo të këshillave që japin psikologët për të mbajtur të presuara simptomat e sapofilluara. Mjaft të përqendrohesh te njerëzit në rrugë, në markata, në vendet e punës, në kafene e aty rreth vendbanimeve. Do të ndeshesh me gjithfarë çudirash të papara, nervozitet të pajustifikuar, me veprime absurde, me fjalor të tmerrshëm banal e konflikte të paqena. Dhe kjo nuk ka të bëjë me temperaturat e larta të stinës. Madje, e gjitha kjo situatë nuk ka të bëjë as me nivelin e kulturës apo edukatës së çdonjërit prej nesh. Thjesht, ka të bëjë me nivelin e mbajtjes nën kontroll të presionit e të stresit. Dhe kur nuk arrin ta menaxhosh dot më, pa dyshim do të japësh një spektakël negativ publik.
Në një studim të lexuar së fundmi, mbi situatën e sëmundjeve mendore në Shqipëri, thuhej se ato ishin në nivele të larta ku 1 në 4 persona të moshuar kishin shenja klinike të depresionit. Fakt tjetër, sipas këtij studimi, është që depresioni te gratë është më i shpeshtë se te burrat, ku pothuajse 1/3 e tyre kanë gjithashtu shenjat e depresionit. Pa dyshim, studimi nuk arrinte të kapte periudhën e tërmeteve apo të Covid-it, sepse një studim i tillë, nëse ka filluar tani, do kohën e vet deri në daljen e përfundimeve.
Dhe së fundi, dua të theksoj se ne flasim e i japim shumë rëndësi vetëm sëmundjeve mendore për të rriturit, por ndërkohë harrojmë se janë dhe fëmijët shtresa më e prekshme në situatat e depresionit gjithëpërfshirës. Duket sikur ata nuk janë aq të vëmendshëm ndaj zhvillimeve problematike, ndërkohë që janë po ata të cilët kanë përthithur të gjithë informacionin e pafiltruar, që përpunohet vazhdimisht në trurin e tyre, deri në shfaqjen e parë të atakut. Periudha të tilla depresive, pa dyshim do të shpërthejnë si simptoma të forta e plot ngarkesa vite më vonë, kur fëmijët e sotëm të jenë rritur mjaftueshëm, të kenë hyrë në jetë dhe të kenë marrë ‘stafetën’.


Tuesday, July 14, 2020

Laura Brahimi: Piktura ime s'ka logjikë, por ndjenjë dhe emocion


“E kam të vështirë të përshkruaj ndjenjën përballë telajos, mirëpo mund të them që para saj ndiej momentin e duhur dhe nevojën e duhur”

Nga Leonard Veizi

Kur merr telajon e bardhë dhe e vendos rrëmbimthi mbi këmbalec, bojërat e shkartisura aty-këtu, gjithfarë ngjyrash aspak të njëtrajtshme dhe një penel ende të pashkriftuar, ajo është e gatshme të kryejë “sakrificën” e radhës. Aty përballë saj diçka e re do të marrë jetë, dhe mund të vdesë po aty, nëse peneli dhe bojërat e patrajtshme nuk do të mund të kenë kiminë e dëshiruar. Një ndjesi marramendëse e mundon teksa vazhdimisht çliron diçka nga e gjithë ngarkesa që nuk arrin ta mbajë më brenda vetes. Pikërisht në ato çaste munduese e me një gëzim që fshihet herë pas here në skutat më të errëta të ndërgjegjes, ajo nuk arrin të mendojë matematikisht apo me një probabilitet të shtirë, se çfarë do të mund të dalë nga e gjithë kjo; një hyjni përtej imagjinatës a një djall i pakonceptueshëm, sidoqoftë. Sepse në të dyja rastet dhe në një të tretë gjithashtu, ajo nuk ka për ta përmbajtur dot veten, që një figurë të padekriptuar e plot mister ta shkodojë e ta kthejë në një realitet të trishtë mediokrish. Sepse e, mbi të gjitha, ajo nuk është një arkitekte e kalkuluar dhe as dizenjatore reklamash mediatike a sloganesh patetike, por një piktore e lirë, e frymëzuar pikërisht nga liria e saj e pakufizuar...

...Laura Brahimi është lindur në Ferizaj. Ka marrë pjesë në gjithfarë ekspozitash vetjake dhe kolektive, nja 25 të tilla, së paku. Në biografinë artistike të saj shkruhet se ka mbaruar Fakultetin e Arteve, “Pikturë Bachelor” dhe “Pikturë Master”, ku është diplomuar me temën “Psikanaliza dhe arti”. Gjithsesi, ajo ka dhe një diplomë tjetër për “Biznes Ndërkombëtar”. Por kjo për momentin nuk na intereson fare. Sepse po flasim për art e ndjenja të holla, dhe jo për blerje aksionesh ndërkombëtare në bursën e Nju-Jorkut. E pyetur në këtë këndvështrim, Laura Brahimi tregohet e gatshme, që me lexuesin e gazetës “Fjala” të ndajë mediatikisht raportin e saj me atë gjë shumë të rëndësishme që bën prej vitesh, pikturën.

Ju dhe piktura, si ndiheni para telajos?
Shumica e njerëzve me pikturën nënkuptojnë, ngjyrën, brushën dhe kohën e lirë. Arti komercial duhet të dallohet nga arti i vërtetë. E kam të vështirë të përshkruaj ndjenjën përballë telajos, mirëpo mund të them që para saj ndiej momentin e duhur dhe nevojën e duhur.


Në çfarë rryme përfaqësoheni?
E kisha të vështirë të kuptoja se çfarë bëja dhe çfarë do të doja të bëja. Mirëpo, duke u nisur nga përvojat e mia emocionale, nga përjetimet e mia, kam kuptuar që arti është hiç më pak se një metaforë, se një sublimim i instinkteve tona dhe është plotësisht i pavetëdijshëm... Një kërkim për një botë tjetër.
Me një ndjenjë melankolie, një dëshpërim në një pamje të bukur, pra pikturat e mia janë psikologjia ime, një rrymë moderne...

Cila është preferenca juaj, të realizoni objekte konkrete apo të punoni me imagjinatë?
Arti është një përpjekje për t’u integruar drejt njerëzve në përgjithësi, një revoltë në kërkim të dijes dhe të panjohurës, mirëpo duke ofruar një pamje sipas imagjinatës sime.
Gjërat konkrete mbeten te shikuesit që ngacmohen përballë artit tim.

Shqiptarët këtej dhe andej kufirit kanë shkolla të ndryshme pikture. Mund të bëni një vlerësim të tyre?
Për ne shqiptarët, në përgjithësi, njoh artistë të mirëfilltë dhe pa dashje, edhe art jo të mirëfilltë, d.m.th. “art kich”... Po ndalem te vlera e mirëfilltë.
Mendoj që në art nuk duhet akademi për të qenë vërtet artist, sot jemi në një kohë pa kohë, sepse nuk dallohet vlera nga antivlera, ndoshta kjo më brengos tek artistët me akademi profesionalisht të shkolluar. E kuptoj personalitetin e veçantë që s’kanë kohë të merren me antivlerë, por duhet një seleksionim që publiku të shijojë artin e mirëfilltë.

A ka pasur ekspozita të përbashkëta mes piktorëve të Tiranës dhe Prishtinës?
Ekspozita kolektive mes piktorëve të Shqipërisë dhe Kosovës ka mjaft, por uroj të bëhen më shumë projekte për t’u realizuar një lëvizje e tillë. Shkaku që ka shumë pakënaqësi të tjera,  mund të jetë pengesë për bashkëpunimin mes tyre.

Ju keni hapur një seri ekspozitash vetjake, në fakt, a jetohet vetëm me pikturë apo mbetet një profesion i dytë?
Mendoj që arti për mua s’mund të jetë profesion, mbase mendoj që është më shumë nevojë sesa një profesion që mund të jetoj prej tij.
Arti për mua s’ka logjikë, ka ndjenjë dhe emocion që anën intelektuale e ndihmon për t’u dhënë zgjidhje kërkimeve drejt një jete më ndryshe.


Thursday, July 9, 2020

Dënimi i dytë për Camajn e Koliqin



Nga Leonard Veizi

Rëndom ndodh, që për të shuar një argument që ka marrë flakë, sipër hidhet për diskutim një tjetër që mund ta ketë flakën edhe më të madhe, por që tërheq turmën gjithashtu, ose për të shuar zjarrin, ose për të bërë sehir. Por mbase ky nuk është rasti tipik i asaj për të cilën do të flasim më poshtë. Dhe që ta bëjmë më të lehtë peshën po e nisim me një film ‘alla socrealist’, i cili në të gjithë performancën prej 76 minutash që çon ujë në mullirin e propagandës, e lan veten me një batutë të jashtëzakonshme.
Zoti Tosti ishte një agjent i regjur i SIM-it. Ai mbante veshur kostumin elegant të një inxhinieri ndërtimi, por që më mirë se aq dinte të rekrutonte njerëzit e dobët e t’i vinte në shërbim të agjenturës italiane. “Njeriu zihet ngushtë, gëlltit diku një lugë çorbë të prishur e pastaj vjell tërë jetën”. Kjo ishte shprehja e tij proverbiale që do të justifikonte dobësinë njerëzore.
Ernest Koliqi ka qenë ca kohë ministër i Arsimit, kur Shqipëria ndodhej nën pushtimin fashist të Musolinit.
Martin Camaj në të ritë e tij ka hedhur një firmë për llogari të Sigurimit të Shtetit. Sipas parimit të inxhinier Tostit, të dy duhej të villnin gjatë jetës, për shkak të çorbës së prishur që kishin ngrënë. Mund të mos e kenë bërë në vazhdim. Por, në fakt,u duhet të vjellin në pasvdekjen e tyre.
Auron Tare, për të cilin thonë se është studiues historie, na servir një shkrim me plot faksimile, ku mund të gjesh gjithfarë faktesh e të bësh hamendësime se dy njerëz të letrave shqipe, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj pas tij, të cilët ishin cilësuar si “armiq” gjatë regjimit të Hoxhës, kanë qenë agjentë të shumëfishtë.Kjo në shqipen korrekte do të thotë poliagjent. Në fakt, deri pak kohë më parë, si poliagjent ne kemi njohur vetëm Mehmet Shehun. Se populli thotë, “dy kunguj nën një sqetull nuk mbahen”. Imagjino të mbash tre e më shumë. Dhe të rrallë janë ata burra që arrijnë ta bëjnë rolin e poliagjentit deri në fund të jetës, pa u hyrë gjemb në këmbë. Shokut Mehmet, fjala vjen, “iu dogjën kartat në duar”.
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, duket se ka deklasifikuar disa prej dosjeve. Dhe Agjencia Qendrore e Inteligjencës, e njohur si CIA, ka deklasifikuar një pjesë të arkivit të saj. Dhe në këto kushte letrat rreth Ernest Koliqit dhe Martin Camajt përbëjnë objekt studimi. Parimisht, në botën e gazetarisë, nga personazhet publike, ashtu siç duhet të dalin cilësitë e mira, duhet të evidentohen edhe negativet. Madje, kjo ka vlerë më shumë. Kështu, nisi rrëmimi. Kadareja u anatemua me një dosje ku flitej për jetën private të vajzës së tij, pikërisht kur ai ishte më pranë se kurrë çmimit “Nobel”. Ismaili i madh u zvogëlua në sytë e publikut, sepse tek e fundit,pavarësisht madhështisë së tij prej shkrimtari, kishte luajtur e rrezikuar jetën e një njeriu.
Por le të vijmë te Camaj.
Çfarë jete njerëzore ka rrezikuar ai? Kujt “ia futi” dhe e rrasi në burg? Kujt i shtoi vitet e dënimit pas denoncimit?Kë çoi në syrgjyn, pasi i tha në vesh operativit se “filani nuk duartrokiti kur kaloi me makinë anëtari i Byrosë Politike”. Për këto nuk kemi asnjë fakt. Vetë dosja e tij është bosh. E vetmja gjë që kemi në dorë është një firmë mbi një letër të zverdhur.
Për shans Martin Camaj nuk konkurron gjëkundi tashmë.Nuk ka nevojë as për lavde e as për çmime. E, megjithatë,ai sërish anatemohet. Sepse u gjet një letër, ku pasi ka pranuar të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit,nën emrin e koduar “Bregu i Kuq”, thjesht ka firmosur. Dhe Tare ka të gjithë të drejtën e Zotit ta publikojë këtë fakt. Pastaj zullumi shtohet kur flitet se pasi u arratis e përfundoi në Jugosllavi, Martini i Camajve u bë agjent i UDB-së dhe kjo e fundit e çoi me mision në Itali, ku i zuri pritë SIM-i që, në fakt, ishte Shërbimi Inteligjent i Ushtrisë, pra nuk kishte të bënte me jetën civile. Dhe, pikërisht aty në Romë në lojë futet edhe Ernest Koliqi, që nuk na surprizon në fakt, pasi i kishte të hapura bindjet e tij filoitaliane. Dhe, padyshim, CIA amerikane ishte vërdallë në këto anë, dhe nuk mund të punoje e të përmbushje detyrën pa izën e saj. Pra, Martini u bënjë superspiun. Punonte për katër agjencinjëherazi. Sekrete pa fund. Këtë do ta kishte zili edhe Kim Filbi, në fakt.
Por çfarë raportonte Camaj; u shiste jugosllavëve vendbazimet e ushtrisë shqiptare, apo sillte nga Beogradi planet e shtatmadhorisë serbe për ndërhyrje ushtarake në Shqipëri? Po italianëve çfarë materialesh u transmetonte? Po amerikanëve? Sepse të gjithë paskëshin varur shpresat te Martini. Vetëm KGB-ja dhe STAS-i kishin mbetur jashtë loje.
Përtej ironisë e shakave pa sens. A ishte Martin Camaj një agjent aktiv? Nëse po, dosja e tij do të përmbante qindra faqe me të dhëna. A mundet që ai nën presion, apo nën dhunë tëketë pranuar të firmosë për Sigurimin e Shtetit dhe në këtë mënyrë të ketë blerë lirinë e tij? Me siguri, sipas propabilitetit. Sepse fill pas kësaj ai u arratis. Dhe nëse do të ishte hedhur nga Sigurimi i Shtetit, padyshim do të kishte raportuar herë pas here dhe deri në vitin 1992, kohë kur u nda nga jeta, me siguri do të kishte jo një dosje por nja tri të tilla.
Ernest Koliqi dhe Martin Camaj nuk kanë qenë në panteonin e letrave shqipe të pas vitit 1944, sepse ata ishin të anatemuar gati 50 vite me radhë dhe krijimtaria e tyre nuk njihej në rrethet e gjera, përveçse nga njerëz të veçantë. Por, pas viteve ‘90 rehabilitimi i figurave të tyre, botimi i veprave, padyshim i çoi në piedestalin e merituar. Sot askush nuk mund ta marrë dot guximin e të thotë të kundërtën mbi këtë krijimtari. E, megjithatë, kjo duket si një tentativë e dytë për t’i dënuar përsëri, 30 vjet pas rehabilitimit. Ajo që po vihet në diskutim ka të bëjë me një dobësi të jetës njerëzore në rrethana të caktuara. Aspak kjo për të përligjur firmën, nëse ajo ekziston vërtet.
Në studimin e Auron Tares, Ernest Koliqi është një personazh dytësor dhe duket qartë se nuk është ai në qendër të goditjes, edhe pse njësoj si Camaj, ishte agjent i shumëfishtë, dhe po aq ndikues në letrat shqipe. Si ta marrim këtë?
Camaj mbetet peng i një firme. Cila është pasoja e një firme? Nëse nuk ka produkt agjenturor, thjesht kemi të bëjmë me një marrëveshje nga e keqja. Çfarë të keqe i solli atdheut Martin Camaj, edhe po ta marrim të mirëqenë që ai ka qenë dhe në shërbim të agjencive të tjera të shërbimit sekret. Se këtu nuk flitet që ai dekonspiroi vendndodhjen e qendrave të zjarrit, numrin e tankeve, avionëve apo aseteve të tjera të ushtrisë. Nuk është hedhur me parashutë si diversant dhe as është orvatur të hedhë në erë ndonjë uzinë ushtarake të rëndësisë së veçantë. Pra, mund të kemi të bëjmë me një agjent të heshtur.
Por çfarë shërbimesh i bëri atdheut?
Veprimtaria e tij letrare dhe albanologjike është shumë e gjerë. Sipas biografisë zyrtare, ai e nisi kontributin e tij duke themeluar në Prekal shkollën ku veproi si mësues i vetëm deri më 1948. Ka mbrojtur me vlerësime maksimale pranë Universitetit të Romës, tezën e doktoraturës mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut. Kërkimet akademike të Camajt u përqendruan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti në gjuhën e arbëreshëve të Italisë Jugore.Veprimtaria e tij letrare në harkun 45-vjeçar ka nisur me poezinë, së cilës i mbeti besnik gjithë jetën, edhe pse vitet e fundit u përqendrua shumë te proza.Është përfshirë thuajse në të gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Po kaq, dhe ca më shumë, mund të thuhet edhe për Ernest Koliqin.
Pra,gjithçka shqiptare, nga dy shqiptarë që më shumë sesa flirtimin me agjencitë e inteligjencës, marrjen dhe shitjen e informacionit, si qëllim kryesor kanë pasur emancipimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe, duke qenë kalorës të mëdhenj të saj.

Saturday, July 4, 2020

In Memoriam/ Për tim atë, Aliun



In Memoriam
Për tim atë, Aliun


Nga Leonard Veizi


Tani tretet ngadalë në nëntokën e brishtë, në një kuotë thellësie të papërfillshme, ndoshta vetëm 150 centimetra, vendosur gati në një majë kodre, aty ku fillon një rrëpirë e parrëshqitshme, pas çimentimit barbar, plot me beton e mermer që i kanë bërë të gjallët. Është një proces i pamëshirshëm, i pakthyeshëm, me një vazhdimësi agresive, të paqtë dhe krejt organike. Qyteti i të pajetëve duket i qetë, i bardhë, dhe shtrihet poshtë luginës, nën kabllot e tensionit të lartë që zhurmojnë midis shtyllave me konstruksion metalik dhe një qielli blu, i cili të jep përfytyrimin e lirisë së munguar. Mbi sipërfaqen marramendëse lartohen statuja të çuditshme, herë fytyra konkrete njerëzish e herë engjëj anonimë me flatra, ngrehina me kapitele si mbetjet antike të kulturës greko-romake, e gjithfarë epitafesh të shkruara me germa floriri, shenjë e një egoizmi të pandreqshëm të garës së shfrenuar urbane. Gjithçka rrezëllitëse është shumë më pak simbolike se jeta e varfër e atyre që kanë pushuar së ekzistuari, dhe teoria e barazisë nuk lexohet dot nga sytë e përlotur dhe as nga vështrimet djallëzore që skanojnë rivalët e heshtur mbi eshtrat e të cilëve nuk rëndon dheu i lehtë, por mermeri i importuar nga ishujt e largët të Mesdheut. Aty mes tyre, shtëpia e tij e fundit është e thjeshtë, sfondi gri, një foto e kohëve të fundit ku shquhet kapela emblematike, dhe një mbishkrim me shkronja dore: “Nga bashkëshortja dhe fëmijët”...

Ali Veizi
...Ai iku butë, pa na lodhur, madje pa na shqetësuar aq sa të vinim kujën e të mos dinim nga të përplasnim kokën. Nuk u ankua, nuk u mallëngjye, nuk u bë tekanjoz, sa të mendoje se po ndodhte kataklizma, por nuk pati mundësi as të përlotej teksa ikte, duke e ditur se nuk do të na shihte më. Thjesht iku. Sepse kishte ardhur koha. Sepse engjëlli i vdekjes, që i kishte vënë duart në fyt dhe i mbante mbyllur gojën e hundën, duke e shtrënguar nga pak dhe duke i ndërprerë frymëmarrjen, ishte aty, fare pranë nesh, por ishim ne ata që s’mund ta shihnim dot. Lufta për jetën ishte tendencioze, nëpër galeri pulmonesh me trupa sulmuesish agresivë që shkatërronin gjithë ç’gjenin përpara dhe mbrojtësit e pafuqishëm që largoheshin kokulur e dëshpërues nga toka e djegur.
Viteve të fundit ia kishte “hedhur” disa herë vdekjes, ishte përballur me të në sallën e operacionit, e kishte mundur, por nuk është se besonte që do ta shmangte në vazhdimësi si një hero legjendash që nuk di të mposhtet, as pasi ka marrë nëntë plagë në trup. Ai nuk ishte hero, s’mund ta pretendonte kurrë një gjë të tillë absurde, por tek e fundit thjesht një luftëtar i paepur në betejat e ashpra të jetës, ishte. Qe munduar të merrte ca të mira prej saj, por dhe kur ishte goditur fort, kishte mundur të ringrihej. E, megjithatë, ishte nga ata që e pranonte dhe vdekjen.
“Duhet të lajmërosh njerëzit”, më pati thënë një pasdite vonë, teksa pas një gjumi halucinant më foli për njerëzit e afërm që nuk ishin më kësaj bote, por që ai i kishte takuar në botën tjetër ku kishte shkuar e ardhur brenda një kohe të shkurtër. Në vend të keqardhjes ndjeva një lloj gëzimi. Ndihesha i lehtësuar, sepse tek e fundit ai ishte takuar me ata që i kishin munguar për një kohë të gjatë, qoftë dhe në një dimension tjetër, aspak real.
Real? Çudi e madhe. E kush na e vërteton se ne që jetojmë mbi tokë përbëjmë realitetin e patundshëm? Nuk ka aq të zotë sa ta vërtetojnë katërcipërisht dhe me fakte të pakundërshtueshme një gjë të tillë. Ndërsa ai kishte fatin e madh ta kalonte kufirin midis botëve krejt thjesht, pa sforcime, dhe pa bërë pakt me djallin. Sepse tërësia e tij po përgatitej të bëhej pjesë e botës andej.
Në fund iku. Dhe ndoshta vetëm ai e ndiente se po ikte vërtet. Sepse unë dhe nëna ime, që po i qëndronim te koka, kishim një shpresë të pakuptimtë, madje krejt naive, se ai nuk do të na braktiste. Xhelati si engjëll i zi i qëndronte mbi kokë dhe vetëm ai mund ta ndiente praninë e tij ankthndjellëse dhe ligësinë e tij prej ekzekutori gjakftohtë. Vendimi ishte dhënë dhe çekiçi i gjykatësit kishte rënë. Ai qëndronte i shtrirë në shtrat me një temperaturë afebrile që nuk e mposhtnin dot as antibiotikët e sofistikuar.
Ishte darka e fundit. Mund të kishte porositur një meny të pasur me proteina dhe karbohidrate, ndopak verë apo një pikë rakie kumbullash të egra, por u mjaftua me pak qetësues në vena dhe ca oksigjen në hundë, për të lehtësuar frymëmarrjen. Ndoshta në ndonjë çast kthjellimi, kur e ka kuptuar se ishte i mbërthyer, në një instinkt jetësor të pabindur, ka dashur të shpëtonte dhe një herë, madje ta rijetonte sërish të gjithë jetën e tij. Por duket se nuk funksionoi. Ndaj iku qetësisht, në një kllapi 12-orëshe të pakthyeshme. Një mal me ilaçe i qëndronte mbi komodinë, dhe tubat e serumeve bashkë me ato të oksigjenit i ngatërroheshin aty-këtu mbi trup.
Ato ishin ditë të vështira. Brenda 140 orëve të qëndrimit në spital, që prej çastit të shtrimit në urgjencë, dhoma e tij u ndërrua 5 herë. Dy ditë qëndroi në reanimacion. Në ditën e dytë gjendja e tij dukej e përmirësuar, por mjeku që e mbante nën kontroll më bëri të ditur se parametrat ishin mjaft të dëmtuar.
-Bëhu i fortë, - i thashë duke shtrënguar grushtet dhe muskujt e krahut, me një entuziazëm të ligjshëm, - do t’ia hedhësh. Kisha një besim të tepruar se do ta shtynte edhe disa muaj të tjerë që, për të thënë të vërtetën, do të ishin mjaft të vështirë.
Ai më pa qetësisht, sepse ndoshta dhe vetë besonte plotësisht se situata ishte marrë nën kontroll pas disa ditëve plot përpjekje, për t’i dhënë një mundësi afatshkurtër. Dhe si për të më dhënë të kuptoja se e kishte marrë mesazhin tim, më tha vetëm: “Mirë”. Këto ishin fjalët e fundit që shkëmbyem. Një ndihmësmjeke nisi të lajmërojë se të afërmit e pacientëve duhet ta linin sallën e reanimacionit për t’i lënë të qetë dhe të sëmurët, edhe mjekët. Orari i kufizuar i vizitave prej 15 apo 20 minutash kishte përfunduar. Krejt i qetë u largova nga salla e reanimacionit me një bindje ekstreme se të nesërmen ai do të ishte edhe më mirë, edhe pse 36 orë përpara se të largohej përgjithmonë, parametrat jetësorë nuk të jepnin optimizëm.


***
Im atë quhej Ali. Sipas kodeve të vjetra, unë sot do të quhesha Leonard Ali. Sepse sipas gojëdhënave edhe mbiemri Veizi, ka qenë veç një emër që është kthyer në mbiemër. Por statusi i ri i gjendjeve civile më pengonte të merrja për mbiemër emrin e babait. Dhe nëse këmbëngulja, duhet të bëja një gjyq formal. Por kjo më dukej një gjë e kotë.
Tanimë ai nuk është në botën e të gjallëve, dhe nuk e dija se do të më mungonte aq shumë. Qoftë dhe për një kafe që na qëllonte rrallë ta pinim, por më shumë për atë birrën që e konsumonim më shpesh, në ndonjë bar apo zgarë demode, sepse më kthente tek i pari lokal që shihte, teksa na qëllonte të takoheshim rastësisht në rrugë. Por nuk më linte të ikja pa ndarë ndonjë bisedë bashkë e ku temë e ditës nuk bëhej asnjëherë zhvillimi i fundit nga politika, as problematika me komunitetin për plehrat dhe ujin, madje as shqetësimi për rritjen e pensionit, por thjesht dhe vetëm flisnim për Selenicën e Pishës, fshatin e tij të lindjes, në Kolonjë. E rrëmbente pasioni për vendin dhe nuk përtonte të shkonte më shumë se dy herë në vit e të kalonte ca ditë te njerëzit tanë të mbetur, në një fshat që kishte një pyll të madh me pisha, por që nuk kishte më njerëz. Më kishte marrë “për veshi” që të vogël dhe kishim kaluar katër qafa, të Kërrabës, të Thanës, të Plloçës e të Qarrit për t’u njohur me fshatin 1380 metra mbi nivelin e detit, ndërtuar rrëzë një mali me mbiemrin i “Zi”
Natyrë e butë, miqësor, por dhe liberal. Nuk e ndiqte muzikën “hard rock”, por nuk më ndalonte ta dëgjoja. Ai vetë vishej me uniformë ushtarake, qaforen e bardhë e i mbërthyer deri në grykë, por nuk më detyronte të mos i vishja pantallonat kauboj, të cilat i zgjeroja poshtë nga një centimetër, sa herë qepja një palë të reja. Ai vetë ishte i fokusuar më së shumti të ndiqte Revistën Televizive, por nuk më ndalonte që unë të informohesha nga RAI, se televizionet sllave nuk i honepsja dot. Kur e teproja, më mbante ndonjë fjalë të gjatë moralizuese, për të më sjellë me këmbë në tokë, por nuk jam ndier aspak i dhunuar psikologjikisht prej tij. Nuk më kufizoi kurrë me orare, edhe pse shumë prej shokëve të mi asokohe mbrëmjeve u numëroheshin këpucët në korridor. Unë e shijoja lirinë më shumë se kushdo, dhe ky ishte një fat i madh për jetën e para viteve ’90.
Im atë ishte natyrë studioze, i diplomuar dy herë, por me një kërkesë të mbetur pezull për të vazhduar dhe një degë të tretë. Dhe po aq i vullnetshëm ishte për të vazhduar me punët e shumta të zyrës edhe gjatë orëve të vona të natës, në shtëpi. Nëse më shpjegonte matematikë, arrija të merrja një 7, por dhe 8 në zgjidhjen e problemeve. Por kjo ndodhte rrallë, sepse unë i shmangesha gjithmonë aritmetikës, algjebrës apo trigonometrisë. Nëse më shpjegonte histori, e kisha të sigurt një 10 dhe habinë që pasonte mësuesen e cila më pyeste vazhdimisht: “Ku i ke lexuar, se asnjë nga këto që the nuk është në tekst?” E që të jem plotësisht i sinqertë, unë as që e dija nga e kisha hedhur librin, - dhe kjo nuk ishte ndonjë trimëri e madhe, - por mbaja mend me hollësi gjithçka më kishte shpjeguar im atë një natë më parë. Meqenëse ishte mëngjarash nga natyra, për shkak të disiplinës për të vënë në përdorim të djathtën, shkruante me të dyja duart pa problem. Kjo veç kënaqësisë më sillte gjithmonë një ndjenjë humori, kur i kërkoja të ma bënte këtë “numër shpejtësie”. Dhe po aq sens humori më ndillte teksa ai me mend e unë me një kalkulator elektronik bënim ushtrime të një vështirësie, disi lartë, por që nxirrnim të njëjtat përfundime. I pasionuar pas shifrave, mund të kishte përfunduar dhe ndonjë degë inxhinierie, por e mbylli si ekonomist në ushtri, dhe ata që e njohin nga ana profesionale thoshin se edhe si revizor “ishte i zoti në laps”. Në fund të karrierës së tij si ushtarak, mbajti gradën e kolonelit, dhe unë isha shumë krenar për të. Ndërsa në jetën civile siguroi një licencë si “kontabël i miratuar”.
Kishte dëshirë që unë të merresha me shkenca ekzakte, sepse siç thoshte ai, ajo të bënte “të zotin në jetë”, por, me sa duket, këtë segment të ADN-së së tij e kishte përcjellë tek e bija, pasi unë fluturoja në halucinacione jokonkrete. Unë shkoja i papërgatitur në orën e matematikës, kimisë, por edhe fizikës, gjë që nuk kompensohej me notat e mira në lëndët shoqërore, për më tepër që shkollën e mesme që frekuentoja, kishte profil profesional, pasi m’u desh që për shkak të tij, të merrja dëftesën e maturës pranë Politeknikumit “7 Nëntori”.
Gjatë 8-vjeçares, katër vite nga të cilat i bëra te “10 Korriku”, nja dy prej tyre i shpenzova te një kurs pikture në Pallatin e Pionierëve, e ku ca e ca, që shihnin punimet e mia në akuarel, më thoshin se do të kisha të ardhme si piktor. Por në fund hoqa dorë prej saj, sepse për shans nuk m’u duk vetja si Mikelanxhelo dhe as si Vangjush Mio, sigurisht. Shkruaja vazhdimisht poezi, por kjo ishte ende shumë personale, dhe e papublikuar, edhe pse ato që shkruaja më dukeshin më të bukura se të Poradecit e Agollit marrë së bashku, apo të Kiplingut e Bërnsit, kur doja ta rrisja shkallën e budallallëkut në eufori e sipër.
Pasi bëra dhe nja dy vite shërbimin e detyrueshëm ushtarak, - në bazën e famshme detare të Orikumit të mbiquajtur “Pashaliman” ku më veçuan për “sy pushke”, pasi në qitje nuk nxora asnjë fishek jashtë tabele, - iu ktheva studimeve, veç jo për inxhinieri mekanike, por për inxhinieri agrare. Dhe ky ishte një tjetër budallallëk imi, në kushtet e humbjes së orientimit dhe panikut që më kishte përfshirë, pasi kisha mbetur në udhëkryq. Në vitin e dytë i braktisa studimet me argumentimin e thjeshtë: Pse duhet të merrja leksione në një fakultet me të cilin nuk kisha asnjë lloj lidhjeje? Tek e fundit, babai im nga fshati u rregullua me punë në kryeqytet. Unë si “çun Tirone”, po bëja një shkollë që ishte më afër fshatit. Dhe me shumë gjasa ky vendim i ri do ta zhbënte disi budallallëkun tim, dhe do të ndihesha më i qetë sesa fakti që sot kam diplomën e cila vërteton në mënyrë zyrtare arsimin tim të lartë. Ç’është e vërteta, unë as me Politeknikumin nuk është se kisha ndonjë lidhje, sepse edhe sot e kësaj dite mezi i lidh dy tela dhe, sipas këtij arsyetimi, i binte të mbetesha me 8-vjeçare. Im atë u dëshpërua nga deliri im i pakuptimtë duke u shprehur se kisha thellësisht një mungesë të theksuar të vullnetit, që nëpër të donte të thoshte: një mungesë përgjegjshmërie, e që t’i biem në kokë: papërgjegjshmëri.
Por pak më vonë do t’i provoja të kundërtën. 
Nuk e kam fjalën për pesëdhjetegjashtë provimet që do të më jepnin titullin “inxhinier agrar”, një diplomë që nuk më ka hyrë në punë deri tani, e s’e besoj se do të më hyjë në vazhdim. E kam fjalën për 10 librat e mi, disa mijëra artikuj, intervista, por dhe kronika televizive, si dhe dorëshkrimet e shumta që tashmë janë pluhurosur nëpër dosje. 
Unë u rrita në një familje që kishte një bibliotekë të madhe me libra, ku midis tyre kishte plot tituj politikë, ekonomikë, por në dy rafte të veçanta kishte dhe letërsi artistike. Ishte pikërisht prania e kësaj biblioteke që më bëri të dashurohem pas Balzakut e ca më vonë pas Shekspirit. Ishte e çuditshme, sepse, në fakt, dhe kur më shkrepi në kokë të pikturoja e të hidhja ngjyra mbi një fletë formati, i pakënaqur nga kutia me 12 lapsa kërkova diçka tjetër. Dhe nuk e di se në çfarë rrethanash kishte mbërritur aty, në shtëpinë tonë, por kërkesës sime të ethshme për bojëra dhjami, prindërit e mi, për habinë time, iu përgjigjën në mënyrë të behtë, duke nxjerrë nga “fundi i dheut” një kuti me bojëra uji e cila kishte dhe një penel brenda. Besoj se këto dy elemente, librat dhe bojërat, bënë që unë të isha më i vëmendshëm ndaj artit dhe ta ndaja kohën e lirë mes leximit dhe shkarravitjeve me laps plumbi. Dhe nëse nuk do të ishin ato, me siguri do të isha përqendruar te lëndët ekzakte dhe do t’i kisha përfunduar studimet për inxhinieri mekanike, ose elektrike në rastin më fatlum.
Kur nisa punë në një redaksi gazete, im atë u habit me përkushtimin tim. Kthesa ishte 180-gradëshe. Më parë ai kishte ndërhyrë me njohjet e tij dhe unë kisha zënë “vend pëllumbash” dy herë, tek organika civile e dy reparteve ushtarake, ku për të thënë të vërtetën, veç shqetësimeve me miqtë e tij, drejtues regjimentesh, për thyerje të disiplinës së punës, nuk i kisha sjellë asnjë lloj kënaqësie. Por si gazetar tregova të kundërtën, sepse i dhashë entuziazmin e munguar të cilin ai nisi të ma stimulonte, jo me fjalë, por thjesht duke më lexuar gjithçka që shkruaja. Kjo ndodhi që nga çasti kur lexoi një shkrimin tim në gazetë dhe duke më rënë shpatullave nuk më tha “Të lumtë!”, por përdori shprehjen aq shumë të vjetruar në fjalorin e shqipes urbane: “Bravo!”
Që prej atij çasti, ai u bë një adhurues fanatik i asaj çfarë shkruaja unë. Madje, lexonte në dorëshkrim, të gjithë letërsinë time. Dhe e shijonte atë. Nuk mbaj mend të më këtë bërë ndonjë vërejtje, as atëherë kur nëna ime, grindej, duke më thënë se e kisha tepruar me sekuencat erotike. Për të njëjtën sekuencë letrare, kur kërkova mendimin e tij ai më tha qetësisht dhe me bindje: “Ishte shumë mirë!”. Në çastin kur po mendoja se e tha vetëm për kompromis a për të mos më prishur qefin, ai vazhdoi argumentimin e tij: “...ishte brenda kontekstit.”
U habita me gjykimin e tij. Më kishte thënë atë që dëshiroja. Dhe kishte suportuar thjeshtësisht atë që bashkëshortja e tij nuk e kalonte dot.
Romanin e fundit, ia dhashë të parit ta mbante në duar. Ishte rënduar me shëndetin, dhe nuk është se i mbante mend ato që lexonte, por çuditërisht e shihja ta shfletonte vazhdimisht e të humbiste nëpër rreshta, edhe pse nuk ishte në gjendje të më thoshte diçka konkrete mbi atë që lexonte.


***
Pas një nate të zhurmshme dasme, atë mesditë të diele kisha dalë për një kafe që mendoja se do të më nxirrte gjumin e do të më qetësonte timpanet e veshit, të cilat vazhdonin të më zhurmonin nga disa orë më parë, ngaqë bokset prej nga dilte muzika i kisha pasur fare pranë. Telefonata e nënës me një zë të shqetësuar se “babai nuk ishte mirë!”, më tensionoi, por gjithsesi e mendoja si një situatë të kalueshme përderisa një gjë e tillë kishte ndodhur dhe herë të tjera. E gjeta të shtrirë në krevat, por asgjë në pamje të parë nuk të jepte ndonjë përshtypje emergjence. Pyetjes sime të parë “Si je?” ai iu përgjigj qetësisht “Mirë”. Nuk dinte të ankohej. Nuk mbaj mend ta kishte bërë kurrë një gjë të tillë. Asnjë herë nuk na kishte shqetësuar, edhe kur kishim përfunduar në spital. Edhe kur e pyesnin mjekët, ai gjithashtu thoshte se ishte mirë. Unë i hodha një vështrim dyshues nënës sime si për t’i thënë se kishte dhënë një alarm të kotë, por ajo me nervozizëm më tha: “Nuk është mirë. Jam unë ajo që e njeh gjendjen e tij më mirë se kushdo!” Dhe kishte të drejtë. Autoambulanca kishte mbërritur sakaq. Pas një ekzaminimi të shkurtër mjeku tha se duhej vazhduar me analiza të thelluara në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Mushkëritë po dilnin nga funksioni. Sinjalet automatike të trurit shkonin në drejtim të gabuar. Kjo donte të thoshte se shumë shpejt do të futej në kolaps. Autoambulanca u nis përpara me dritat e sinjalet që zhurmonin, ndërsa unë e bashkëshortja ime i ndoqëm nga pas të heshtur, por me shpresë se gjithsesi do të ktheheshim shpejt. Por nuk ndodhi kështu. Qëndroi vetëm 6 ditë: Ishte e diel, pasdite e 30 qershorit 2019, kur u shtrua në katin e tretë të spitalit, rreth orës 02.00 të mesnatës së 6 korrikut ndërroi jetë. Në orën 14.00 të po asaj dite kortezhi i përmortshëm ndaloi në parcelën e porsahapur të varrezave të Sharrës. Ishte banesa e fundit. Dy ditë më vonë, në 8 korrik 2019, Ali Veizi do të mbushte 77 vjeç.



Friday, July 3, 2020

Nasi Lera: Shkrimtari i mirë e gris vetveten


Nasi Lera dhe Leonard Veizi

Nga Leonard Veizi

Në skrivaninë dhe koshin e mbeturinave pranë këmbëve të tij gjen gjithfarë letrash të shpërndara e të grisura subjektivisht, pa arsye. Puna e një nate më parë mund të mos këtë qenë aq fort efikase, edhe pse për të mbushur faqet e bardha i është dashur shumë mund dhe energji e shpërdoruar. E të shprishësh punën tënde stërmunduese të duhet guxim i marrë dhe fort objektiv, gjithashtu. Në rastin më oportun mund t’i stivosh letrat e nxjerra nga qarkullimi në një dosje arkivash, sepse një ditë ndoshta pendohesh dhe i kthehesh sërish mendimit të vjetër e të kalcifikuar tashmë. Por ai nuk ngurron që diçka të shkruar në një entuziazëm aktiv e të tepruar ta shprishë e të shpëtojë nga ndikimi i saj, për të sjellë në jetë diçka krejt të re dhe krejt të pangjashme me të një nate më parë. Kokën nuk e kthen pas, madje dhe nëse ka një grimë pendimi. Dhe as nuk rrëmon te koshi i mbeturinave për të gjetur e ngjitur copat e vjetra të një pazëlli demode e për ta kthyer në postmodern, sepse pa pritur, mes mendjes së tij organike, letrës së ftohtë dhe një stilolapsi teknik, ka lindur diçka e re. Dhe kjo i zhbën të gjitha...

...Nasi Lera është një nga shkrimtarët më lirikë në letrat shqipe. Në librat e tij gjen gjithfarë karakteresh, të zbërthyera e të çmontuara deri në detalin e fundit, dhe shumë jetë humane të brishta e romantike. Gjurmë e tij si “punëtor letrash” gjenden kudo, në prozë me tregime e romane, si skenarist filmash, redaktor librash dhe përkthyes nobelistësh. Mund ta kishte mbyllur procesin e punës me letrat dhe të shijonte ditët e një pushimi pasiv, por kjo do të ishte një vetëvrasje e pakuptimtë. Prandaj skrivania e tij qëndron gjithmonë plot, me letra të shkruara dhe libra që duhen lexuar. Ndërsa në këtë intervistë për lexuesin e gazetës “Fjala” ai vjen duke rrëfyer plot detaje nga jeta dhe puna e tij e gjatë, shtrirë në kohë dhe hapësirë.

Si e kalon ditën një shkrimtar i lirë?
Në qoftë se do të përdorësh termin “shkrimtar i lirë”, do të thosha, duke qenë në pension, jam bërë njeri i lirë, nuk varem nga askush. Por dita ime është e mbushur me punë më shumë sesa më parë. Gati shkruaj çdo ditë. Nuk po them se çfarë cilësie ka çdo ditë, sepse mund të më ndodhë që shkruaj një javë rresht me një farë entuziazmi, unë i trembem entuziazmit në të shkruar, dhe kur e lexoj në fund të javës e prish të gjithën, sepse nuk më pëlqen. Por kjo më kënaq, se gjëja më e bukur që mund të ketë një shkrimtar është të ketë durimin dhe guximin të prishë vetveten, kur ai ka qenë entuziast më shumë se kurrë për vetveten. Është gjëja më e mirë, për mendimin tim, dhe është shenjë jo vetëm e pjekurisë si krijues, por është edhe shenjë e seriozitetit që ka shkrimtari ndaj vetes së vet dhe seriozitetit ndaj lexuesit. Mundet t’i servirësh lexuesit gjithçka, edhe në servirjen që ti mendon se po i shërben, bën të kundërtën e saj.

A ka të bëjë kjo me autocensurën?
Jo, absolutisht nuk ka të bëjë me autocensurën. Kjo ka të bëjë me kërkesën maksimale për një nivel sa më të lartë artistik dhe komunikativ me lexuesin. Kjo është ‘autocensura’ më e mirë që mund t’i bëj një autor vetvetes, për të dhënë vepra sa më të goditura për nga niveli artistik. Në qoftë se nuk e ka këtë ‘autocensurë’, që fare mirë mund të zëvendësohet kjo fjalë me “kërkesa rigoroze ndaj vetvetes”, është kërkesa që e ndihmon shkrimtarin për të mos u kënaqur asnjëherë me atë që ka arritur dhe që gjithmonë të kërkojë për të kapur nivele të reja. Në qoftë se kjo kërkesë për të kapur lartësi të reja vjen duke pasur kërkesa të mëdha ndaj vetvetes, një nga kushtet e domosdoshme, sipas mendimit tim, është kontakti i vazhdueshëm me letërsinë botërore dhe me autorët shqiptarë, kuptohet. Për veten time, nuk mund të nis të shkruaj një vepër, një roman po e quaj, në qoftë se nuk kam në tavolinën time të punës pesë deri në dhjetë romane që presin t’i lexoj dhe pasi shkruaj, filloj dhe i lexoj ata. Dhe ndiej që leximi që u bëj këtyre shkrimtarëve është një ndihmë që ata më japin mua për veprën që shkruaj. Jo se do t’i imitoj, se kjo është gjë e keqe, dhe vetë autorët e huaj nuk e pranojnë të imitojnë nga të tjerët, por të ngacmojnë për të parë se sa horizont të gjerë dhe të pafund ka letërsia, se sa mundësi të jashtëzakonshme ka ajo për të pasqyruar një shoqëri, jetën e njeriut; se sa pafundësi ka për t’u zhytur në shpirtin njerëzor dhe për ta zbërthyer atë. Gati shpirti njerëzor është krejt-krejt një humnerë e pafundme, dhe fundit të kësaj humnere mund t’i afrohesh sa më shumë nëpërmjet kërkesave që ke ndaj vetvetes, por edhe nëpërmjet kulturës që ti ke ndaj autorëve të huaj.

Shpesh ju cilësojnë si shkrimtar lirik. Ju pëlqen ky term?
Jo vetëm më pëlqen, por kam nostalgji për këtë term. Në të vërtetë, tregimet e para të miat kanë një lirizëm që me të vërtetë është lirizmi i krijimeve të para, i cili buron nga nostalgjia që unë kam për fëmijërinë. Por, sidomos, dhimbja që kisha për humbjen e babait, dhe shpesh herë duket sikur lirizmi është një shprehje e ndjenjave të holla, të brishta, shprehje e dashurisë, sidomos mes të rinjve, është shprehje e marrëdhënies së njeriut me natyrën. Për mua lirizmi është shprehje e dhimbjes njerëzore. Në qoftë se kemi një mjet me të cilin mund të shprehim dhimbjen njerëzore, mjeti më efikas për mua është lirizmi. Po të shikosh në përgjithësi, edhe tragjeditë e mëdha, kulmet e mëdha i kanë në tragjizmin e lirizmit të personazheve, të marrëdhënieve të personazheve, se si ndjenjat e tyre të brishta, ndjenjat e tyre lirike etj., shkatërrohen nga shoqëria apo nga një rrethanë e caktuar historike. Prandaj lirizmi nuk është diçka që duket se shpeshherë të lë në sipërfaqe të jetës. Lirizmi është thellësia që kërkon shkrimtari në shpirtin njerëzor. Dhe për fat të keq apo të mirë, lirizmi shpirtëror është tepër i ngatërruar. Aty nuk ka vetëm paqe e qetësi. Aty ka ngjarje, ka tragjedi. Lirizmi të ndihmon për t’u futur në shpirtin njerëzor.

Shkrimtar, por edhe përkthyes. Ju keni sjellë në shqipe vepra të autorëve vërtet të rëndësishëm, si Saramagon, Le Clezio... E keni pasion, apo e keni parë si mënyrë jetese?
Janë të dyja, për të qenë i sinqertë. Si përkthyes ka qenë interesi im për shkrimtarët, por edhe interesi im ekonomik, sepse unë në kushtet kur ndodhën ndryshimet, doja të bëja një jetë krejt normale. Dhe, u përpoqa që, në qoftë se unë po e përkthej këtë, që të marr edhe një shpërblim, duhet që këtë shpërblim t’ia kthej lexuesit duke i dhënë autorë që ai nuk i njeh, por autorë të mëdhenj, që ai ia vlen t’i njohë. Dhe, kështu, i vura si synim vetes të përktheja disa shkrimtarë nobelistë që nuk ishin përkthyer në Shqipëri. Ju përmendët Saramagon, dhe unë iu futa atij në mënyrën më pasionante. E di që është shkrimtar shumë i vështirë, sidomos romani “Manuali i Kuvendit” ishte mjaft i lodhshëm, por është romani që kur u botua portugezët thanë “më në fund e kemi dhe ne Markezin tonë”. Vërtet ai është i njëjti kalibër siç është dhe Markezi, autorë të mëdhenj të shekullit të kaluar. Por ka dhe një rastësi, sepse bashkëshorti i vajzës sime është nga Portugalia dhe kur vendosa ta përkthej Saramagon, i kërkova vajzës të shkoja me të në Portugali. Sidomos për të parë Lisbonën, duke pasur parasysh një nga romanet më të bukura të tij, “Viti i vdekjes i Rikardo Reis” ngjarjet e të cilit zhvillohen në Lisbonë. Dhe duke e pasur si guidë turistike, pashë disa nga vendet ku zhvillohet romani. Kjo më ndihmoi jashtëzakonisht shumë për të kuptuar shpirtin e natyrës portugeze, por edhe shpirtin e natyrës së tyre njerëzore. Pasi m’u dukën njerëz mjaft komunikues dhe të çiltër. Po kështu, edhe ndonjë shkrimtar tjetër që përktheja, kur më jepej mundësia, përpiqesha të njihja të paktën në mos vende ku zhvillonte ngjarje, të paktën në qoftë se kishte pasur një shtëpi në Paris, të shkoja të shikoja shtëpinë e tij apo rrugën ku kishte banuar, apo ku kishte shëtitur, apo Senën ku kishte dashuruar. Përkthimi më ndihmoi të futesha thellësisht në veprën e një autori, se si e kam bërë, nuk e di. Në qoftë se do të më pyeste autori se si e ke përkthyer, unë do të thosha: kam dhënë maksimumin, por ky maksimum mund të jetë i pakënaqshëm për ju. Por unë s’kam pasur asnjë rezervë.
Nasi Lera

Ju keni edhe disa përvoja në kinema, si skenarist. Ju mungon kinemaja?
Sigurisht, kinemaja më mungon dhe kënaqësia që të jepte realizimi i një skenari, kënaqësia që të jepte premiera e filmit, kënaqësia që të jepte spektatori. Për shembull, në qoftë se në një roman ka njëqind lexues, unë nuk i kam pranë ata. Ndërsa në film i kisha drejtpërdrejt. Diku më përgëzonin, pavarësisht se në premierë zakonisht gjithmonë ka përgëzime, por e ndieja që filmi diçka kishte dhënë, diçka kishte prekur, diçka kishte emocionuar, nuk kishte kaluar pa një gjurmë te shikuesi. Dhe kënaqësinë që të jep teatri, filmi nuk ta jep dot romani, është shumë konkrete. Sigurisht, që vjen një kohë që shikuesi ka filmat e tjerë për të parë, ndërsa libri, që mund të takosh lexuesin, që e ka lexuar veprën tënde që para 20 apo 30 vjetësh, e kujton atë vepër menjëherë. Kjo është kënaqësia që nuk ta jep askush tjetër.

Një roman i juaji, i ekranizuar, a është zhgënjyes kur përballeni me çka u servir regjisori?
Dikur ka pasur diskutime se cila është kryesorja, skenari apo regjia. Për të qenë sa më objektiv, filmi është i regjisorit, nuk është i skenaristit. Po them vetëm kaq që, shumë shkrimtarë që thirren për të bërë dialogun, se zbërthimin tekniko-regjisorial e ka bërë regjisori, por regjisori thotë që nuk jam unë shkrimtar, ndaj duhet që për këto skena dialogu t’i bëjë shkrimtari, se ai është mjeshtri i dialogut. Të them të drejtën, e kam respektuar gjithmonë regjisorin dhe e kam dëgjuar atë, ashtu siç kam dëgjuar dhe ata regjisorë me të cilët bashkëbisedoja në kohën e procesit kur shkruhej skenari, apo kur xhirohej apo lindte ndonjë problem që e nxirrte sheshi i xhirimit. Gjatë leximit të skenarit nuk kishte lindur problemi, por ai zgjidhej nëpërmjet të dyve. Por nuk kam pasur absolutisht ndonjë xhelozi. Kam respektuar gjithmonë punën krijuese të regjisorit.

Shkrimtar para viteve ’90 dhe pas viteve ’90, si e përballuat lëvizjen ose lirinë?
Të them të drejtën, rri e mendoj për veten time, por edhe për jetën e shokëve apo moshatarëve të mi. Ndryshimet sociale që ndodhin, siç ndodhën pas viteve ’90, çfarë ndryshimesh do të shkaktonin tek unë si shkrimtar, si njeri? Dhe, unë jam i mendimit që çfarëdo ndryshimesh të ndodhin, shkrimtari duhet të mbetet një njeri i ndershëm, siç ka qenë në fillimet e veta. Duke ruajtur ndershmërinë e tij, ai ruan dhe veprën, krijimtarinë e tij dhe vijueshmërinë  e krijimtarisë së tij. Sigurisht që ndryshimet sjellin dhe tema të reja, që nuk i ka trajtuar dhe nuk mund t’i trajtonte apo t’i mendonte. Trajtimi i këtyre temave që lindën pas ’90 e këtej, nuk do të thotë se unë kam ndryshuar dhe kam mohuar krijimtarinë që kam bërë para ’90. Absolutisht. Unë e shikoj krijimtarinë e pas viteve ’90 si vazhdim të tërë krijimtarisë sime.

Si i keni shpëtuar censurës së socrealizmit?
Po ju them vetëm një gjë. Një njeri shumë i ndershëm, shumë dashamirës, Dalan Shapllo, që ishte kryeredaktor te revista “Nëntori”, shkoj ta takoj te Lidhja e Shkrimtarëve për të pyetur se kisha çuar një novelë për botim, se çfarë mendimi kishte, do ta botonte apo jo? Dhe më thotë: “Sikur novela juaj të mos kishte atë frymë humaniste, ajo do të ishte e pabotueshme. Pikërisht këtë frymë humaniste ruaje”. Më ka thënë në Klubin e Gazetarëve një shkrimtar shumë i nderuar, i ndershëm, Petro Marko, i cili e ndiqte krijimtarinë e të rinjve, jo timen vetëm. Kisha botuar një tregim te “Drita” dhe hyra ditën e hënë te Klubi i Gazetarëve. Ma bëri me shenjë që të ulesha pranë tij. Të them të drejtën, i kam respektuar jashtëzakonisht dhe e respektoj kujtimin e tyre, shkrimtarë që ishin më të moshuar se unë, dhe druhesha. Më thirri, u ula në tavolinë dhe më thotë: “Nasi, mos hiq dorë nga lirizmi yt! Asnjëherë mos hiq dorë, se mund të ndodhesh në presione, mund të kesh ndonjë akuzë që Nasi merret me trajtime të temave të vogla. Por ti mos hiq dorë nga lirizmi yt”. Dhe të them të drejtën, të dyja këto këshilla të dy njerëzve që m’i dhanë me shumë dashuri, i kam pasur parasysh. I kam pasur parasysh jo për t’ia hedhur censurës, por për të qenë i natyrshëm në krijimtarinë time, për të mos qenë i sforcuar, apo më mirë për të mos qenë hipokrit me vetveten në krijimtarinë time. Për të qenë sa më i natyrshëm.

Vitet e fundit kemi shumë poetë e prozatorë, në fakt, ku është letërsia shqiptare sot?
Unë u kërkoj ndjesë shkrimtarëve të rinj që nuk ua kam lexuar veprën. Në moshën time shkrimtari ka nevojë për t’u orientuar nga një kritikë që, ka dalë libri i X-it, ka këto e këto vlera, dhe atëherë të më intrigojë për ta lexuar. Se, të them të drejtën, nuk kam aq kohë sa të lexoj çdo gjë. Kur isha i ri, çdo libër që dilte në librari e blija dhe e lexoja me një frymë, tani nuk e kam më këtë mundësi. Tani e kam me të vërtetë kohën flori. Por, duke qenë se kam punuar për një kohë si redaktor te Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” pas viteve ’90, vija re se shumë të rinj binin menjëherë viktimë e një kulture të cekët, binin viktimë e emrit të një shkrimtari të huaj, pa e njohur veprën e tij. Kishin dëgjuar, Kafka apo Markezi, pa e lexuar veprën e tyre, pa kuptuar rreth tyre, dhe pretendonin se po bënin letërsi të realizmit magjik. Kjo nga ndonjë gjë që lexoja, më trishtonte. Shkrimtarët e mëdhenj janë të paimitueshëm. Kush i imiton ata, kthehet në karikaturë të vetvetes. Por ai mendonte se duke imituar Kafkën, mund të bëhej i madh si Kafka apo dikush tjetër. Megjithatë, kam lexuar edhe ndonjë shkrimtare të re, e më duket sikur lexoj, - druhem se nuk dua të fyej njeri, - sikur lexoj një telenovelë melodramatike, ku rëndësi ka reklama që do të bëjë telenovela për mobilimin e shtëpisë, për veshjen, për krehjen etj., sesa zbërthimi i personazheve dhe problemeve. Më duket sikur kam përpara një dramë që nuk është sociale, por një dramë artificiale e personazheve. Personazhe që duket se po përjetojnë një dramë të madhe, kur në të vërtetë është e vogël fare, një dramë pa asnjë vlerë.

Ndërkohë keni humbur edhe kritikën?
Nuk ka fare kritikë. Ndaj ju thashë, ju kërkoj ndjesë për shumë autorë që mund të kenë botuar një vepër shumë të mirë, që duhet ta kisha lexuar me shumë kënaqësi, por që ka humbur kritika. Dhe kjo është vrasëse për autorët e rinj, kur vepra e tyre me vlerat e tyre humbet në morinë e titujve që nuk kanë ndonjë vlerë.

Me çfarë do t’ju shohim së afërmi?
Shpresoj të mbaroj një roman që kam nisur. Shpeshherë më kap një frikë, pasi jam 76 vjeç, dhe shpesh në këtë moshë vepra që shkruan mund të jetë edhe e fundit. Dëshiroj që, të paktën, të mos jetë një vepër e pambaruar.



Kush e bën ligjin...?


Nga Leonard Veizi

Kush po na e bëka ligjin ne shqiptarëve? Se Reforma në Drejtësi ende s’ka përfunduar dhe shkarkimet e gjyqtarëve që nuk justifikojnë pasuritë po vazhdon. Po edhe ingranazhet e institucioneve të tjera të drejtësisë nuk janë vënë plotësisht në punë. Pra, jemi një shtet gjysmak në këtë drejtim.
Ndërkohë dikush vendos se si bëhet ligji në Shqipëri
Në vitet ‘70 filmi italian “La polizia ringrazia”, por i ardhur në shqipe me titullin “Kush bën ligjin”, bëri të shqyheshin dyert e kinemave në të gjithë vendin. Aq shumë u pëlqye ky film, prodhim i vitit 1972, sa pati zëra që thoshin se ia vlente të jetoje në Italinë e kriminalizuar,  ku mund të qëlloje këdo nga maja e motorit. Gangot e Tiranës në ato kohë mbanin vetëm ndonjë dorezë hekuri me vete, dhe pushkën e zinin me dorë kur u binte radha e qitjes me distancë 100 metra, në fund të zborit. Por u qante zemra të dukeshin si truprojat e mafiozëve italianë që bënin ekzekutime në mes të rrugës apo poshtë urave, pa iu dridhur dora aspak.
Në ato vite, te ne ligjin e bënte Partia, dhe po të të gjenin nëpër xhepa ndonjë biçak, e shihje veten te 7 dritaret. Dhe veç nenit që të dënonte për vagabondazh, mundësia ishte që të të fusnin dhe në hullitë e politikës, ku neni për agjitacion e propagandë, të rraste nja 8 vjet brenda.
Mësuar me këtë psikozë na bënte fort habi fakti kur shihnim se si në Italinë fqinje ligjin e bënte o më i forti, o më i pasuri, ose vetë ca nga ata të policisë që nuk dihej me kë ishin, me shtetin apo me mafiozët. Kjo të ngazëllente pa masë, sidomos kur nuk e kishe mbi kurriz.
Sot është Shqipëria vendi që nuk dihet kush e bën ligjin.
“Plasi përsëri pushka këtej nga ne”, - më raporton gruaja sa hyj në derën e shtëpisë.
E pyes në e kishte njohur gjë krismën e armës, në ishte ndonjë mauzer nga ata të gjermanëve që u prodhuan për Luftën e Parë Botërore, ndonjë pushkë model “56” që na e bënë peshqesh sovjetikët apo ndonjë kallashnikov, por model kinez. “Tallu ti, tallu, po këtu nuk po merret vesh më se kush vritet” - ma ktheu ajo.
Mirë e ka. Pse bëhet shaka me të tilla lajme. Sidomos kur plumbat mund të të thyejnë xhamat e shtëpisë, dhe pastaj do të thonë se ishte “plumb qorr” ai që të prishi pikturën që e kishe varur në murin e dhomës së gjumit.
Mirëpo lajmi është më i shpejtë se era, i kisha marrë vesh të gjitha ç’kishin ndodhur, pa raportin manual të gruas. Madje, kisha parë dhe videot që qarkullonin në rrjetet sociale. Se G4 punonte për mrekulli. Mbase këto kohë na vjen dhe G5 që të mbledhim mendjen. Shpejtësi skëterre.
Herë-herë Tirana duket si Palermoja e viteve ‘70.
Një statistikë thoshte se pas karantine, për 60 ditë janë bërë 15 vrasje. Bukuri. Se statistikat kanë vlerë të madhe. Në bazë të tyre merren dhe masat. Por kështu të hyn dhe frika. Kë të kesh frikë më shumë kur del në rrugë, Covid-in apo Banditin.
Një gazetar fort i njohur kronike në një emision fort të ndjekur televiziv thoshte se bandat po riformësohen. Demek po ikin nga qarkullimi kapot e vjetër dhe po vijnë të rinjtë, me energji të reja. Por si po vijnë? Me “grusht shteti” natyrisht, duke vrarë nëpër rrugë kapot dhe mbështetësit e së vjetrës. Që territoret janë ndarë, kjo nuk diskutohet dhe që të kalosh përmes tyre të duhet vizë me tri vija të kuqe. Por që për mbrojtjen e territoreve të influencës bien më shumë dëshmorë se për mbrojtjen e kufijve të atdheut, kjo është një gjë e pathënë më parë.
Në këto raste të vjen keq dhe për shtetin që ka rënë në këtë farë derexheje.
Një gazetare tjetër, edhe kjo e rubrikës së kronikës së zezë, në po të njëjtin emision, thoshte se kapobandat kur futen në burg shkojnë si ujqër, por kur dalin pas disa vitesh, dalin si lepuj. Kjo nënkuptonte se shteti, sado i lodhur të jetë, është aq i zoti sa të t’i fusë këmbët në një këpucë e të të duket prifti gomar.
Ja që shteti ekzistoka. Ky qenka një lajm i mirë. D.m.th. edhe kapot dinë si ta ulin hundën kur rrinë vetëm në një qeli 2 x 2 dhe fillojnë e thellohen në mendime. Sidomos kur koha e qëndrimit për meditim budist i kalon të 20 vitet.
Mirëpo edhe kjo punë na paska ca kleçka. Se punë pa yçkla nuk ka. U gjendet dermani të gjithave. Dhe gazetarja vazhdoi me ekspozenë e saj, duke folur mbi rastet kur gjykatat në mënyrë krejt abuzive lirojnë të dënuarit me rrezikshmëri të lartë.
Po si na ndodhka kjo mor jahu se s’po kuptojmë gjë? Dhe pas kësaj vjen pyetja tjetër naive: Po pse nuk i bëjnë të plota vitet aq sa ka vendosur gjykata?
Ama pyetje...
Për sjellje të mirë, thotë. Por mirë mor djem, për sjellje të mirë të japin një fletë lavdërimi, ja dhe ndonjë teneqe si punë dekorate. Por, po qe se ke bërë ca burra të hanë dhe, e të dalësh nga burgu pa të hyrë një gjemb në këmbë, duket ca si e përpjetë kjo punë.
Ore, çfarë po ndodh kështu, në këtë shtet?
Që burgu është për burra, kjo dihet, por që burgu qenka bërë si shkolla e lartë, këtë e kisha me pikëpyetje.
Dhe gazetarja na jep ca shpjegime të tjera: se ç’qenka një gjyqtare andej nga Kruja që i priska shpata dhe na paska gjetur ca metoda të cilat na i zbusin dënimet. Brenda kuadrit ligjor, kuptohet. Se ligji është si Maliqi, varet kë godet dhe si e godet. Dhe të gjitha dosjet me peshë të rëndë ia plaskan asaj mbi tavolinë. Dhe s’thotë gjë ajo. Merr e u jep zgjidhje të gjithave tak-fak. Fjala vjen dënimin e përjetshëm na e ktheka në 25 vite. Për sjellje të mirë gjatë jetës sociale në burg, kur një kriminel i dikurshëm shtrohet në punë të lajë pjatat e kuzhinës, dyshemenë e katit të parë e të pastrojë haletë me detergjentë të holluar, por dhe të ndihmojë shokët kur kanë nevojë, e meriton dhe një bonus që ia shkurton ndjeshëm vitet e qelisë.
Ky është marifet juridik, jo të gjithë e kuptojnë.  
Pra, një herë ta shkurtojnë dënimin me një të tretën, po qe se e pranon fajin dhe kur të kapin me presh në duar. Një herë tjetër shkurtimi i viteve vjen për sjellje të mirë dhe meditim kronik mbi veprat e filozofisë antike. E kaq duhet dhe e sheh veten te 15-katëshi duke marrë taksi për të shkuar në shtëpi.
Por qershia mbi tortë e gjithë kësaj qenka një vendim, ndër më humanët ndodhur në histori, që pas shkarkimit të tonelatave me bukë në Etiopinë, atje ku njerëzit vdisnin nga uria. Kjo ndodh kur i dënuari ka prindërit sëmurë e s’ka kush u bën hyzmet. Atëherë lirohet tjetri nga burgu, i gjendet një punë modeste, me qëllim që me pagën e marrë nga puna e ndershme të sigurojë ilaçet e mamasë te farmacia e lagjes, sepse kjo e fundit nuk jep më veresie. Domosdo, se shteti e ka më të lehtë të të lirojë nga burgu djalin kriminel, se sa të të japë ilaçet falas, dhe djali për krimet që ka bërë duhet të bëjë ditët një më një, sipas vendimit të prerë. Mirëpo na dalin gjykata mbi gjykatat.
Kush po na e bën ligjin atëherë...?
Shtet jo shaka. As SPAK-u, as Vetingu, as Reforma për Drejtësi, as OFL-ja, as... more po as auditi financiar nuk kaloka andej nga Kruja. Autonomi brenda suzerenitetit shtetëror. Ja kështu i rregullojmë punët ne shqiptarët.
Këtë s’ma rrok mendja fare, në fakt.
Dhe punët vazhdojnë të shkasin si mbi dhjamë.
Kapot vrasin njëri-tjetrin dhe kur ndonjë i pafajshëm u futet pa dashur në rrezen e zjarrit, nuk është më faji i tyre. Policia rrethon vendin e krimit me shirita të verdhë dhe ambulancat mbledhin  kufomat për në morg.
Kush po na e bëka ligjin kështu?
Media flet për arrestime të bujshme që do të ndodhin. Mirëpo nuk po ndodhin. Edhe një ish-kryeprokuror që nuk dihet nga është fshehur tashmë, kështu thoshte kur ishte në krye të detyrës. “Do ta shihni ju në shtator, do ta zë peshkun e madh e do ta nxjerr në breg”.
Mirëpo peshku i madh lundron në ujëra të thella. Zor se e kapin varkat me rrjeta gjysmë të çara
Dhe kjo gjyqtarja e Krujës shin në lëmenjtë e shtetit. Ndërsa “shteti” rri si gallof dhe e vështron.
Po këtë, ka burrë që e ha?
Mirëpo ende s’po e marrim vesh, kush po na e bën ligjin? Dini gjë?