Thursday, June 11, 2020

“Addio” kinema


Nga Leonard Veizi

Regjisori italian Giuseppe Tornatore inskenoi djegien e njërës prej kinemave të famshme siciliane të viteve ’50 me emrin “Paradiso”. Por po aq, duke qenë dhe skenarist njëkohësisht, e rindërtoi atë tempull në po të njëjtin vend dhe po në të njëjtin film të titulluar “Cinema Paradiso”.
Paralelizmi mund të mos jetë më i gjeturi, por një domethënie e ka. Mbi një objekt të rrënuar për shkaqe madhore, ringrihet i njëjti institucion, për më tepër kur ai është kthyer vërtet në një tempull popullor. 
Në Shqipëri kinemaja është në udhëkryq... Kur flasim për kinemanë nuk e kemi fjalën për filmin si produkt fizik, por për vendin ku shfaqet ky film.
Megjithëse i njohur rëndom si vend i vogël dhe i varfër, Shqipëria ka pasur një rrjet kinemash për t’u pasur zili.
Kemi pasur shumë kinema, gjatë monarkisë së Zogut e gjatë regjimit të Hoxhës. Fillimisht ato ishin investime private të kompanive që kishin mjaftueshëm kapitale, e më pas u sekuestruan nga shteti i punëtorëve që kërkoi të bënte një eksperiment të ri social. Por, gjithsesi, kinemaja nuk e humbi as funksionin, as audiencën e madhe. Madje, në kinemanë e para viteve ’90 e kishe mundësinë të shikoje një film me ngjyra, sepse në televizorin e shtëpisë ndonjë “Adriatiku”, “Iliria” ose “Lura” pa grup, montuar në URT-në e Durrësit, nuk e kishe një shans të tillë.
Sot janë fare pak salla kinemaje, edhe pse popullsia e kryeqytetit është rritur disa herë. Për pjesën tjetër të Shqipërisë as që flitet për salla kinemaje, me përjashtim të ndonjë rasti sporadik.
Institucioni i kinemasë është ende larg zhdukjes së tij, megjithëse për momentin po përjeton ditët më të vështira të ekzistencës.
Për efekt të asaj që tanimë cilësohet si “pandemia COVID-19”, sallat e teatrove dhe të kinemave do të jenë të fundit që do të hapen për publikun. Por fundi ende nuk dihet. Dhe fati i kinemave nuk dihet gjithashtu. E meqë flitet për kujdes të tepruar dhe mundësinë e një vale të dytë pandemike, gjasa që një film të shfaqet në një sallë të mbushur plot, duket shumë e largët. Për më tepër kur bëhet fjalë për fare pak salla, aq sa nuk mbushin as gishtat e njërës dorë.
Në Shqipëri kinemaja po i humbet spektatorët e saj. Nëse ajo do të mbetet pjesë e karantinimit, dhe njerëzit do të kenë në vazhdimësi frikën për të qenë bashkë në të njëjtën sallë, mundësia që ata të rikthehen për të parë një film me ekran të gjerë e disa pista efektesh zëri, është në minimumin e mundshëm.
Kinematografia ishte një shpikje e jashtëzakonshme e njerëzimit. Ajo u bë një nga format më popullore të argëtimit që u ngrit lart në mesin e shekullit XX. Jo vetëm dokumentarët, por filmat artistikë kanë qenë joshja më e madhe gjatë gjithë kohës që kinemaja ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë si institucion.
Televizori është munduar ta eklipsojë kinemanë, por deri në një farë pike, pasi diferenca mes të dyjave është e madhe dhe e kuptueshme. Me ekranin e një kompjuteri ky dallim thellohet. Por që nga çasti kur platforma interneti ofrojnë shfaqje filmash, herë pa pagesë e herë me një kosto shumë të vogël, gjithçka ka ndryshuar.
Në mënyrë të shpejtë dhe pa shpenzime, madje pa humbur kohë për të zënë radhë për bileta, për të blerë kokoshka, e pije të gazuara, në ekranin e telefonit të dorës mund të shohësh një film, qoftë dhe kur mbyllesh brenda mureve të banjës. Jashtë kësaj, të shkuarit në kinema është një eveniment, sepse duhet të kujdesesh edhe për veshjen, duhet të respektosh edhe të tjerët që ndajnë të njëjtën sallë.
Po të kthehemi pas në kohë, arkivat na kanë dhënë mundësinë që të gjejmë se kur ka hyrë së pari filmi në Shqipërinë tonë. Dhe studiuesit nuk gabojnë, pasi njëzëri kanë rënë dakord që filmi hyri në Shqipërinë e prapambetur të viteve 1911-1912, ende pa u shpallur Pavarësia. Pra, jemi vetëm 16 vite larg nga shpikja së kinematografisë që u realizua nga vëllezërit Lymier, me origjinë franceze.
Në Tiranën e para viteve ’90, me 250 mijë banorë, veç kinemave të mbuluara, ka pasur edhe kinema verore. Kinema “17 Nëntori” dhe “Republika” të jepnin mundësi që gjatë netëve të nxehta të verës ta shihje filmin nën qiell të hapur. Para vitit 1945, po në Tiranë, por këtë herë me 45 mijë banorë, kanë qenë verore kinematë “Ideal”, “Imperiale” dhe “Impero”...
Tirana ka pasur një seri kinemash të cilat në vitet e diktaturës komuniste u riemërtuan. Kështu ishin kinematë  Orient “REX”. “Ideal”, “Popullore”, “Diana”, “Imperiale”, “Rozafat”, “Haverik”, “Dopo lavoro”, “Savoia”, “Kosova”, “Skënderbej”, “Tomori”. Më pas të njëjtat kinema u pagëzuan me emrat e rinj, si “Brigada”, “Agimi”, “Dajti”, “Ali Demi”, “Ylli i Kuq”, “Republika”, “17 Nëntori”, “Partizani”.
Pra njerëzit kishin mundësi të mëdha për të shkuar në kinema, për të ndjekur një film e për t’u argëtuar, ashtu si pjesa tjetër e botës.
Për më tej, Amerika por dhe shumë vende evropiane kishin investuar në salla gjigante kinemaje, ku filmin mund ta ndiqje nga makina. Por kjo nuk ka sens dhe nuk është fort joshëse në një vend të vogël si Shqipëria.
Aktualisht Tirana ka vetëm Kinema “Millenium 2”, rrjetin “Cineplex”, si dhe disa salla alternative me kapacitet të vogël, pjesë e hotelerisë. Në këtë mënyrë mund të themi se kinematë e dikurshme, që pushuan së funksionuari dhe u kthyen në depo e bingo, nuk u zëvendësuan më, edhe pse numri i banorëve të kryeqytetit shqiptar rritet çdo ditë.
Kjo ishte sa për informacion, sa për të thënë se koha e artë e kinemave ka kaluar edhe në Shqipëri me të njëjtat vlera. Nuk ka asnjë gjurmë tradite të kinemasë publike. Por nëse në Evropë e Amerikë kinemaja vazhdon të jetë një institucion i palëkundur kulturor, transmetues filmash dhe arkëtues të ardhurash pa fund, në Shqipëri kinemave u është bërë gati dryni.
Në fillim të këtij shkrimi, jo rastësisht mora si shembull filmin fort të ndjekur italian “Cinema Paradiso” me regji e skenar të Giuseppe Tornatore-s. Filmi është realizuar në Palazzo Adriano, një ngulim arbëresh në Sicili, banorët e të cilit ruajnë vetëdijen e të qenit arbëresh dhe ritin, por jo gjuhën. Një shoqërim idesh është kësaj radhe i pashmangshëm, shqiptarët sot e kanë ende në kujtesën e tyre kinemanë, edhe pse thuajse e kanë humbur atë fizikisht.


Tuesday, June 9, 2020

Përmbahuni burra, mos e zbërtheni zinxhirin





Nga Leonard Veizi

“Më përdhuno”. Askush nuk e pranon dhunën, as atë fizike, por as atë mendore që në rastin më të lehtë interpretohet si bulizëm. Mirëpo një vajzë adoleshente, me pantallona të shkurtra e këmbët jashtë i kishte shkruar këto fjalë mbi lëkurën e shalës deri te kërciri, duke ftuar këdo që ishte keq me planin të hidhej mbi të në mënyrë të papërmbajtshme. Dhe për çdo rast justifikimi mbetet në xhep: Tek e fundit vetë e kërkoi. Një tjetër po te shala e saj nga ana e prapme, deri poshtë pulpës kishte preferuar të ngrinte në art një pikëpyetje duke të futur në dilemë “A po ta ngref?”. Kjo është goxha e rëndë për një mashkull. Sepse vë në dyshim gjithçka burrërore të tij, gjë që vlerësohet edhe më shumë se gishti që tërheq këmbëzën e kobures. Pra, ka të bëjë me sedrën e tij. Shumë prej tyre do të kishin vënë dorën te “dyqani”, por vetëm namuzi i ka mbajtur të mos e tregonin burrërinë duke zbërthyer zinxhirin deri te hallka e fundit.
Të dyja adoleshentet së bashku, njëra që i tregonte aparatit pjesën e pasme nga vithet e poshtë dhe tjetra që tregonte pjesën e përparme në të njëjtat kuota, ishin pjesë e së njëjtës fotografi të shkrepur apo thjesht të bërë publike nga Genci Sejko, që njihet si aktivist i shoqërisë civile. U tha se fotografia në fjalë bëri xhiron e rrjetit. Mirëpo rrjeti është i gjerë dhe varet çfarë xhiroje ka bërë kjo foto pa ngjyra. Mund të ketë marrë unazën e madhe që kalon nga Astiri del te Selita e përfundon në Sauk, por mund të ketë bërë edhe atë unazën e vogël rreth 15-katëshit e 9-katësheve. Këtë s’e dimë. Por dimë që fotoja bardh e zi u komentua vrullshëm nga gjithfarë njerëzish, nga ata që kanë mësuar nëpër shkolla dhe e kanë marrë nga një diplomë, por edhe nga ata që nuk ua kanë thekur mësimeve e, për këtë shkak, nuk dinë të shkruajnë as shqip. Por asnjërit nuk mund t’i ndalojmë të thotë me zë të lartë atë që mendon, ashtu siç nuk kemi çfarë t’u themi dhe vajzave për mesazhin që kërkonin të jepnin, gjatë një tubimi e marshimi me përqendrim të theksuar femëror, si një formë proteste kundër dhunës ndaj grave në përgjithësi dhe një rasti përdhunimi konkret, të nxënëses së një shkolle nga roja i derës së po të njëjtës shkollë, që për nga mosha po kalon ditët në segmentin e tretë të jetës, praktikisht një gjysh i saj.
“Më përdhuno”. “A po ta ngref?”
Duhet të bëjmë moral rreth mendimeve që duhen mbajtur nën kontroll, rreth veshjes që duhet mbajtur sipas një modeli të caktuar, apo mënyrës së jetesës që duhet bërë sipas ca rregullave anonime?
Keq të bësh moral, se të cilësojnë anadollak si në kohën e dovletit, keq të mos bësh, se do të thonë: nuk mbajte qëndrim për kauzën.
Mirëpo kjo punë nuk ka fund. Brezat lëvizin. Jeta vazhdon të modernizohet. Seksi mbetet po ai. Instinkti bazë. Të përbrendshmet gjithfarë modelesh, ekspozuar prej manekineve në shitoret e modës të joshin nga vitrina, dhe ti si mashkull gjen një mënyrë të errët për të kënaqur pasionin e fshehur.
Si rregullohet kjo? Me ligj, natyrisht. Kodi Penal. Por që të mos shkojë puna deri te dënimi mbi një fakt të kryer, duhet të funksionojnë dhe hallkat e tjera.
“Edukata qytetare” është një lëndë brenda kurikulave të miratuara për shkollat e mesme. Megjithatë, duket si një mësim i tejkaluar tashmë. Sepse në jetën e përditshme gjithkush mendon e flet çfarë i do qejfi, vishet si e sheh të arsyeshme dhe e jeton jetën e tij si t’i vijë. Por përderisa nuk cenohet jeta e dikujt tjetër, gjithkush është i lirë që brenda kuadratit të madh të lirisë së tij të bëjë çfarë të dojë. Por “Edukata qytetare”, si lëndë që mësohet, ka të bëjë edhe me këtë fakt. Pra, mbi njohjen e ca normave e parimeve që duhet t’i dimë e t’i zbatojmë edhe kur nuk kemi pikë dëshire. Sepse, po të udhëhiqesh nga sentenca “kam qejfin tim, e s’pyes njeri” do të kthehet pas i njëjti togfjalësh, se njerëz prej mishi e gjaku qenkemi të gjithë.
Dhe këtu fillon lufta e brezave.
Të dalësh me pantallona të shkurtra, me fund të shkurtër, me bluzë pa mëngë apo me jakë të hapur nuk përbën krim. Nuk është as thirrje për seks të hapur, por as thirrje për përdhunim, sigurisht. Madje, ky “provokim” femëror është një nga lezetet e jetës. Sepse më e errët do të ishte dita, nëse gratë do të visheshin si burrat, nuk do t’i lyenin flokët dhe nuk do t’i jepnin një grim fytyrës. Problemet e vërteta fillojnë te ngacmimet pa dëshirë. Ndërsa përdhunimi është i pafalshëm.
Si në të gjitha rastet, edhe në Tiranën e vitit 2020, kur një rojë shkolle abuzon me një nxënëse, blloqet midis konservatorëve dhe liberalëve u ndanë nga hendeku i zakonshëm i mendësive. Dhe si në të gjitha rastet, fajtori herë vishte qyrkun e rojës hajvan, dhe herë të nxënëses viktimë. Se dhe ajo nuk ishte pa faj: “Donte ajo, pa iu hodh ai.”
Hajde logjikë, hajde.
Por le të ndalemi te seksi, se që aty fillon sherri.
Në fillimvitet ‘60 Amerika e më pas Evropa u pushtuan nga lëvizjet hippi. Seksi u zhvlerësua deri në atë pikë sa nuk mbaje mend asnjërin nga ata që të hipte mbi shpinë. Ç’është e vërteta, edhe kafshët e kanë një përzgjedhje para se të ndërzehen. Por njeriu tregoi përmasa edhe më perverse. Gjatë këtij revolucioni seksual, ku edhe homoseksualiteti mori një dimension më të gjerë, një vajzë e re shtatzënë e gati për të lindur, vinte vërdallë nëpër turmën e hippive duke mbajtur mbi qafë një tabelë kartoni ku kishte shkruar “Fëmijë qejfi”. Kjo është parë nga kronikat e kohës. Tabela në fjalë nënkuptonte jo fshehtësinë e atësisë së fëmijës, por thjesht se ai as që dihej. Mirëpo fëmija i qejfit nuk hidhet në plehra, se pasi të lindë i duhet një përkujdesje e madhe, po duhen pelena, ushqim, pastaj veshje sipas moshës, e më pas dhe aksesorë të tjerë, për të cilët të zë koka vetëm t’i mendosh. Pra, na u dashkan para. Dhe po të dihej babai, të paktën gjyqi do ta vinte me shpatulla për muri, sa të paguante gjysmën e shpenzimeve. Mirëpo kur pallohesh pa kuptim, e lëshon pa duar dhe ia jep kujt ta kërkon, një ditë mbetesh në mes të rrugëve duke rritur fëmijën e qejfit, e duke të rënë bretku në punë, që t’i sigurosh të ardhmen, të cilën, në fakt, duhet t’ia siguronte edhe babai.
Pra, na u dashka një familje.
Që të mos keqkuptohemi, normat e një familjeje të shëndoshë nuk është se kanë të bëjnë me normat e moralit komunist. Se ne kemi dhe një reminishencë të keqe nga e kaluara, ndaj shpesh i ngatërrojmë gjërat. Dhe, sipas kësaj logjike, “për inat të sime vjehrre, po shkoj të fle me mullixhiun”. Pa dyshim, sekush e di vetë ku i pikon çatia. Por që një protestë me përqendrim të lartë femëror të bjerë në sytë e meshkujve nuk ka nevojë për thirrje erotike që nënkuptojnë të kundërtën, pa dyshim. Se ndonjëherë logjika njerëzore nuk shkon dot deri atje.
Fotoja me shalët e vajzave ku shkruhej dukshëm “Më përdhuno” dhe “A po na ngref?”, gjithsesi e bëri efektin e saj. Nuk është mënyra më e mirë për te reaguar, padyshim. Sepse kemi të bëjmë me një revansh provokues, që e lëviz boshtin e peshores, e ku viktima merr rolin e agresorit. Gjithsesi, me pantallona të shkurtra, apo pak më të gjata se aq, në të gjitha rastet kjo nuk do të thotë se ato ftojnë për seks pa kufi këdo që i bie rruga të kalojë nga ajo anë. Se ç’duhet më mendojmë për plazhin pastaj, ku hiqen dhe pantallonat e shkurtra e femrat dalin me rroba banje, ku do të përballesh dhe me ca gjëra më shumë. Apo: “u bë deti kos, dhe o burra lugën nga brezi...”.
Përmbahuni burra, dhe zinxhirin e pantallonave mos e zbërtheni që në çastin e parë.



Tuesday, June 2, 2020

Enkelejd Lamaj: Shkrimtaria, vështirësia që të përball çdo ditë të jetës

Enkelejd Lamaj

Nga Leonard Veizi

Letërsia e tij mund të ishte lëndë e parë për Hiçkokun. Por regjisori i famshëm britanik me origjinë polake, që ka mbetur në kujtesën e shumëkujt për filmat triller e horror, prej vitesh nuk jeton më. Ndërsa në Shqipëri, Akademia e Arteve apo Kinostudioja nuk projektonin dot regjisorë të të tjera dimensioneve, përveç atyre që u përmbaheshin shtyllave të realizmit socialist. Ndaj sot, letërsia shqiptare e horrorit është e destinuar të mbetet vetëm në etazherët e librarive, pa mundur të marrë dhe një formë tjetër lëvizjeje, atë që ia jep një film, qoftë dhe me metrazh të shkurtër.
Enkelejd Lamaj është ndër të paktët që lëvron letërsinë triller në Shqipëri, dhe si shkrimtar horrori, me gjasa, është i vetmi në këto treva. Lexon më së shumti Stephen King dhe jo vetëm, por, pa dyshim, letërsia e këtij shkrimtari të madh amerikan të trillerit ka hyrë në rezonancat e tij. Prej kohësh eksploron në një fushë të panjohur për letrat shqipe dhe veç hapësirës së madhe ku mund të gjejë mundësira të mëdha, ndeshet vazhdimisht dhe me një vijë risku, sepse jo gjithkush është i gatshëm që, pasi ka hapur faqen e parë të librit të tij, të shkojë deri tek e fundit. Megjithatë, ai shkruan, në ditët e zakonshme kur izolohet me dëshirë nga ambienti i jashtëm me bori makinash e muzikë klubesh nate, për t’u futur në botën e tij “të frikshme”, dhe në ditët e një karantine të detyruar, kur patrullat e policisë nuk të lejojnë të kapërcesh pragun e portës, sepse infektohesh nga të tjetër apo i infekton ata me një virus agresiv të koduar me një emër plot finesë si: “Sars Cov-2”. Dhe nga e gjithë kjo situatë terrori ai ka përfituar jo pak, ka mbyllur një roman dhe ka nisur një tjetër. Për më tej, Enkelejd Lamaj, gjatë një interviste për gazetën “Fjala”, thotë:

Ditët e karantinës, sa frymëzuese ka qenë për ju një situatë e tillë?
Të jem i sinqertë, nuk kam ndier ndonjë ndryshim thelbësor në procesin e krijimtarisë gjatë kësaj periudhe. Sigurisht, ishte (dhe deri diku vijon të jetë) një periudhë e çuditshme, aspak e zakonshme, e cila na ktheu përmbys pothuajse gjithë rutinën e përditshme dhe mbaj mend që ditët e para të mbylljes ishin deri diku të lodhshme, por, me përjashtim të ritmit të të shkruarit, që pësoi një ulje të lehtë, ato ditë të para, nuk pata ndonjë ndikim shumë të madh. Po ndoshta kur shkruan tërë kohës për thriller e horror e për situata të tilla që përfshijnë njerëz të zakonshëm në rrethana të jashtëzakonshme, dhe papritur gjendesh vetë brenda njërës prej tyre, nuk të bën dhe aq shumë përshtypje.

Në ditët e izolimit, cila ka qenë më produktive, krijimtaria apo të lexuarit?
Mund të them që kam lexuar më pak nga ç’lexoj zakonisht, por nuk kam shkruar më shumë nga sa shkruaj zakonisht. Personalisht kam vite që kam krijuar një rutinë të caktuar, për sa i përket krijimtarisë – unë shkruaj natën, kur të gjitha impenjimet e ditës janë strukur në cep të mendjes ose kanë rënë për të fjetur dhe, nisur nga kjo, karantina nuk më solli ndonjë ndryshim të rëndësishëm, përkundrazi. Ditët e para të saj më zunë duke përfunduar kapitujt e fundit të një romani, ndërkohë që në kokë kishin filluar të endeshin personazhet e reja të një historie (romani) tjetër – diçka që më ndodh rregullisht, kur jam duke përfunduar një roman. Dhe, si gjithmonë, kur nis një roman të ri, kam vijuar të shkruaj shumë, aq sa tani që flasim, jam në përfundim të draftit të parë.

I prirë nga letërsia thriller dhe horror, a keni konkurrencë ndër autorët shqiptarë?
Për thriller-in, e kam një konkurrent... Për horrorin...???  Përpos shakave, sinqerisht kjo është diçka që nuk e mendoj asnjëherë. Madje më shumë mendoj se i vetmi konkurrent që duhet të ketë një shkrimtar, është lexuesi. Po arrite t’ia kalosh atij, je në rregull.



Si e shihni letërsinë shqipe të viteve të fundit, kur ajo përballet në të njëjtin treg me letërsinë botërore?
Për fat të keq, e shoh pak në dizavantazh, por jo për shkak të cilësisë. Ne kemi plot shembuj të mirë të autorëve shqiptarë që janë vlerësuar në vende të ndryshme, një pjesë e mirë e të cilëve edhe jetojnë jashtë. Për të mos përmendur emra, ngaqë nuk i mbaj mend të gjithë e, për rrjedhojë, nuk dua të lë ndokënd jashtë listës, do të doja të vija theksin vetëm te fakti që, fatkeqësisht, atyre u kushtohet shumë pak hapësirë në media, qofshin këto online ose jo. Gjithsesi, mendoj se letërsia shqipe është duke u ngritur dalëngadalë në një stad apo nivel të ri, që fare mirë mund të konkurrojë me letërsinë botërore.

Tregu i librit shqip, me çfarë vështirësish përballet një autor shqiptar brenda tregut të gjuhës me të cilën ai shkruan?
Kjo është një temë për të cilën është folur, flitet dhe vazhdimisht do të flitet, pa ezauruar plotësisht të gjitha përgjigjet e mundshme. Mund të flasim pa fund për paragjykimin që i bëhet një libri shqip, për mungesën e vëmendjes apo të politikave mbështetëse të institucioneve, për çmimin absurd të librit në përgjithësi, për sjelljen e disa botuesve, që nuk shpërndajnë veprat, apo atë të disa librarëve, që nuk pranojnë të tërheqin letërsi shqipe në libraritë e tyre, por në fund, nuk do të kishim asgjë të re nga fronti. Personalisht, kam filluar të mendoj se vetëm të qenët një autor (shkrimtar) mjafton si një vështirësi me të cilën duhet të përballesh çdo ditë të jetës tënde, në radhë të parë për të qëndruar si i tillë. Gjithë vështirësitë e tjera janë pak a shumë të njëjta me ato të çdo njeriu tjetër që dëshiron ta jetojë jetën dhe jo thjesht të kalojë kohën e saj. Të shkruash do të thotë të kesh një detyrë shtëpie, e cila nuk përfundon kurrë së realizuari dhe kjo është vështirësia e vërtetë e një shkrimtari.Vendi në treg pastaj, vjen vetë, gradualisht.

Si e shihni rolin e rolin e kritikës, sa funksionon ky institucion?
Unë mendoj se kritika, si institucion, në vendin tonë, është pothuajse e papërfillshme. Më vjen keq kur e them këtë, sepse mendoj se kritika është një institucion i rëndësishëm që i duhet letërsisë së një vendi, duke shërbyer si ndërmjetësuese midis veprës letrare dhe lexuesit, por kështu e mendoj. Pavarësisht përpjekjeve të disa zërave, vazhdoj ta shoh si një mungesë për letrat shqipe dhe jo vetëm si pikë reference për lexuesin, por edhe për shkrimtarët, madje edhe për vetë botuesit.


Monday, June 1, 2020

Kryengritjet antiosmane/ Elena Kocaqi: Klasa politike vendoste pushtetin personal para interesit kombëtar



Roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas here nga Italia dhe Gjermania, kurse Anglia shpesh mori rolin e arbitrit për t’i ulur Fuqitë në tryezë.

Nga Leonard Veizi

Në panelet me historianë e analistë ajo njihet si një polemiste e pamposhtur, gjithmonë me të njëjtin qëllim, mbrojtjen e çështjes shqiptare, por vetëm nëpërmjet fakteve dhe dokumenteve. Tanimë vjen me një tjetër botim. Janë 40 vite shumë të rëndësishme për shqiptarët, prandaj dhe vëllimin e sapodalë në treg, “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha 1878-1918” e cilëson si botimin e saj më të rëndësishëm. Shumë ngjarje të detajuara të kësaj periudhe, gjenden në këtë studim të bazuar në dokumentet arkivore dhe diplomatike të Fuqive të Mëdha që, siç thotë vetë autorja, jepen të pacensuruara dhe janë mjaft interesante. Është një studim që përmban 540 faqe, 1380 citime nga këta arkiva dhe dokumente diplomatike. Për lexuesit e gazetës “Fjala”, historiania Elena Kocaqi shpjegon:

Librin tuaj më të ri “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha” e keni filluar me vitin 1878. Pse daton pikërisht ky vit?
Më 1878 zhvillohet Kongresi i Berlinit dhe është pikërisht në këtë kohë që daton copëtimi i dytë i trojeve shqiptare nga Fuqitë e Mëdha dhe ato ballkanike, pasi copëtimi i parë kishte ndodhur me krijimin e shteteve ballkanike, në fillim të shek XIX. Duke filluar nga ky vit çështja shqiptare del në rendin e ditës për disa nga Fuqitë e Mëdha që kishin interesa në Ballkan. Vitet 1878 -1918 kanë qenë vitet kur Fuqitë e Mëdha janë marrë direkt me problemin shqiptar.

Cilat ishin ato fuqi që vepruan në dëm të interesave tanë kombëtarë?
Fuqitë e Mëdha luanin në radhë të parë sipas interesave te tyre. Megjithatë, në mënyrë sistematike, me qëllim për të mbrojtur interesat e tyre dhe të aleatëve të tyre, ato dëmtuan interesat e shqiptarëve. Kështu, politika e Rusisë e shpesh edhe Franca e asaj kohe i kanë dëmtuar shumë interesat e kombit shqiptar në mënyrë të padrejtë. Në disa raste Franca ia ka kaluar edhe vetë Rusisë, kur është diskutuar çështja shqiptare. Ndërsa roli i Austrisë ka qenë më pozitivi, madje pa atë nuk do të mund të kishim krijuar dot një shtet shqiptar në vitin 1912. Ajo u mbështet herë pas here nga Italia dhe Gjermania, kurse Anglia shpesh mori rolin e arbitrit për t’i ulur Fuqitë në tryezë.

Çfarë roli luajti klasa politike shqiptare gjatë viteve të fundit të sundimit të Perandorisë Osmane në këtë pjesë të Ballkanit?
Klasa politike shqiptare ka qenë pjesë e politikës osmane dhe ka marrë pjesë në zhvillimet e brendshme të Perandorisë. Ajo ka qenë e ndarë sipas grupimeve politike të asaj kohe, të cilat kanë luftuar edhe për pushtet brenda vendit me njërin apo tjetrin grupim. Ishte një revolucion shqiptar që rrëzoi Abdyl Hamitin dhe solli Turqit e Rinj, por rezultoi se politika e Turqve të Rinj nuk ndryshonte nga ajo më përpara, madje në disa aspekte ishte edhe më e disfavorshme. Një pjesë e liderëve politikë, nga ana tjetër, bashkëpunonte edhe me fqinjët, me qëllim që të kishte mbështetjen e tyre, nëse Perandoria binte dhe bashkëpunoi me ta për ta rrëzuar atë, por kjo ishte një ndihmë e madhe për fqinjët në copëtimin përfundimtar të vendit. Kështu, kryengritjet e 1911-1912, sidomos ajo e  fundit, u mbështetën nga fqinjët, me qëllim përdorimin e shqiptarëve, për të rrëzuar Perandorinë dhe pastaj përvetësimin e  tokave të tyre. Edhe gjatë luftës një pjesë e shqiptarëve luftoi me të dy palët.

Ju thoni se Rusia investoi të krijonte kombe artificiale, të bazuara në fenë ortodokse. Çfarë presupozoni me to?
Po. Rusia ishte ajo që krijoi shtetet dhe pastaj kombet mbi baza fetare në Ballkan. Në fund të shekullit XVIII ajo mori të drejtën e protektoratit të kultit mbi ortodoksët e Perandorisë Osmane, kështu dhe mbi ata shqiptarë. Kjo i dha dorë të lirë Patriarkanës që të ndërmarrë fushata për hapjen e shkollave në trojet shqiptare me gjuhën e Kishës së Bizantit apo koinenë greke. Filloi ndërrimi masiv i emrave dhe mbiemrave të shqiptarëve ortodoksë që morën emra fetarë të Kishës Greke. Kështu, shqiptarët arsimoheshin në çdo gjuhë, veç shqipes. Arsimi ishte mbi baza fetare dhe ortodoksët shqiptarë shkolloheshin greqisht në Jug dhe sllavisht në Veri, katolikët latinisht apo italisht dhe myslimanët në arabishte dhe turqishte. Gjuha shqipe ishte e ndaluar me ligj. Perandoria e kishte ndarë popullin dhe si rrjedhim shqiptarët në tri milete fetare, ku çdo milet fetar propagandohej që të konsideronte të afërt atë të fesë së tij dhe jo atë të gjakut të tij. Për një ortodoks shqiptar, sipas kësaj filozofie, vëllai ishte sllavi, për një mysliman shqiptar ishte arabi e për një katolik latini. Fuqitë e Mëdha shpesh vendimet i merrnin sipas fesë dhe automatikisht shqiptari ortodoks konsiderohej grek e sllav dhe ai mysliman turk, madje dhe në regjistrimet e popullsisë populli regjistrohej si kristian e mysliman dhe jo sipas etnisë. Kjo gjë e dëmtoi rëndë kombin shqiptar të ndarë në tri fe. Duhet thënë shumica e popullit para se të vinin osmanët dhe gjatë osmanëve ishte ortodokse, sepse në 1054 pjesa më e madhe  territorit shqiptar kur u ndanë kishat mbeti me Lindjen. Ndërsa më parë ishin të gjithë katolikë, ndarja e kishave ndau edhe një pjesë të shqiptarëve. Kështu, kjo pjesë e madhe e ortodoksëve shqiptarë u përvetësua nga Rusia në emrin e fesë dhe ata u bënë grekë, serbë, malazezë, bullgarë. Parimi i kombësisë interpretohej nga këto Fuqi sipas fesë së popullit, jo sipas gjuhës dhe kulturës. Më pak se gjysma tjetër ishte myslimane dhe katolike. Katolikët kanë pasur një vetëdije kombëtare shumë të mirë dhe rol të madh për këtë ka Austria që ishte protektore e tyre e që donte një Shqipëri të pavarur dhe një komb të fortë shqiptar. Ndërsa myslimanët kishin protektor turkun apo vetë shtetin, por ishin të shtypur nga pikëpamja kombëtare. Megjithatë, ndërgjegjja kombëtare te shqiptarët myslimanë ishte shumë e lartë, pavarësisht propagandës osmane, pasi ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer të shqiptareve të tri feve me njëri-tjetrin, kur ka qenë në lojë interesi kombëtar.

Gjatë kësaj periudhe a pati shpërngulje të shqiptarëve, asimilim, apo futje kolonësh për të denatyruar përqindjen e popullsisë bazë? Çfarë roli luante feja në një popullsi që ndante të paktën 3 prej tyre?
Siç e thashë, feja e përdorur politikisht nga fuqitë ballkanike dhe ato të Mëdhatë ka luajtur rol të madh në copëtimin e trojeve shqiptare dhe ndarjen tyre në disa shtete dhe në ndarjen e popullit shqiptar në disa kombe false sipas fesë. Shtetet ortodokse ballkanike i dëbuan shqiptarët myslimanë në drejtim të Turqisë dhe kjo quhej pastrim etnik, por që në fakt ishte pastrim fetar që ishte i hapur dhe i legalizuar, sepse askush nuk e dënoi dhe as e pengoi, madje ato (fuqitë) bënin marrëveshje për shkëmbimin e shqiptarëve midis tyre sipas fesë. Ka disa marrëveshje midis Turqisë dhe Serbisë e Greqisë për të shpërngulur shqiptaret myslimanë në Turqi, pasi atyre u ka interesuar dëbimi i shqiptarëve të fesë së kundërt, sepse nuk i asimilonin dot dhe Turqisë i interesonte t’i merrte shqiptarët në Turqi. Ndërsa një pjesë e katolikeve, ku me dhunë dhe ku me mjete të tjera, i kanë përfshirë në kishën ortodokse dhe i kanë konvertuar. Kështu me miliona shqiptarë sot janë grekë, sllavë e turq sipas fesë. Kështu, mospërdorimi i shqipes dhe përdorimi vetëm i këtyre gjuhëve të fesë që u bënë edhe të shteteve, e bëri edhe me të lehtë asimilimin shqiptareve, pasi shqipja mbeti gjuhë shtëpie. Gjuha shqipe duhet thënë që është përndjekur dhe janë persekutuar shqiptarët që e kanë folur në këto shtete. Madje, automatikisht një shqiptar që i përkiste një shteti ballkanik merrte prapashtesën në mbiemër apo detyrohej të ndërronte fare mbiemër, siç ndodhi në Turqi, dhe kjo ka shkaktuar një dëm shumë të madh. Ka ndodhur një holokaust  i vërtetë mbi kombin shqiptar dhe për këtë ka luajtur rol shumë të madh edhe përdorimi politik i fesë nga Fuqitë ballanike dhe ato të Mëdha.

Sa territor humbën shqiptarët nga ajo që konsiderohej si “Shqipëri Natyrale?
Shqiptarët i ruajtën trojet e tyre deri në fillim të shek. XIX nga Mesdheu, në Egje, Jon Adriatik dhe deri në Dalmaci në Veri. Nëse do të marrim këtë bazë ku ishte Shqipëria para dy qind viteve, kuptohet se sa territor kanë humbur shqiptarët. Shpesh llogaritet Shqipëria e 1912-s, apo 1878-s, por, në fakt, është më i gjerë se sa kaq koncepti i Shqipërisë mbi baza etnike.


Studimi/ Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha
Eleni Kocaqi shkruan: Ky studim përfshin një periudhë 40-vjeçare të historisë së shqiptarëve, kur Fuqitë e Mëdha filluan të luanin një nga aktet më të rëndësishme të dramës ballkanike, atë të problemit shqiptar. Ky studim i shërben sot politikës, por edhe çdokujt që kërkon të njohë edhe sot lojën e Fuqive te Mëdha në këtë rajon, si dhe mënyrën se si u copëtuan trojet shqiptare. Një studim i tillë i këtyre përmasave, u ka munguar studimeve historike. Historia e shqiptarëve të kësaj periudhe është një dramë intrigash, interesash, tradhtish, diplomacie të fshehtë dhe të hapur, që do ta gjeni të shkruar në këtë studim, pa asnjë censurë. Pa dyshim që tre janë faktorët e tragjedisë shqiptare.
1- Fuqitë e Mëdha që nuk morën parasysh asnjë parim kombësie, kur ndanë territoret shqiptare, veç Austrisë, Italisë dhe deri diku Anglisë, por morën parasysh vetëm përkatësinë fetare dhe interesat e tyre.
2- Krijimi dhe zgjerimi i shteteve agresive ballkanike nga Fuqitë e Mëdha, për interesat e tyre, dhe zgjerimi i tyre që u krye mbi territorin shqiptar.
3- Interesat personalë të klasës politike shqiptare, e cila bënte kryengritje në atë kohë më tepër për sistemin elektoral dhe për zgjedhjet në Parlamentin Osman, sesa për interesat kombëtarë, njëlloj si sot.


Kryengritjet
Shqiptarët në trazirat e Perandorisë Osmane
Më 1908 shqiptarët u përfshinë në trazirat e Perandorisë dhe nuk mbajtën një qëndrim kombëtar të unifikuar, duke rrëzuar nga pushteti Abdyl Hamitin dhe duke prurë Turqit Rinj që ishin më keq sesa sulltani. Në këtë kohë nuk lejohej arsimi në shqipe dhe në vend kishte me qindra dhe gati me mijëra shkolla në gjuhë nga më të ndryshmet, veçse jo në shqipe, ku kishte qenë vetëm ajo e Korçës. Osmanët u dhanë koncesione fqinjëve me anën e Rusisë që, duke përfituar nga protektorati rus t’i shkollonin ortodoksët shqiptarë që ishin edhe brenda Perandorisë në gjuhën greke dhe sllave. Një luftë e madhe për këtë u zhvillua në zonën shqiptaro-ortodokse të Maqedonisë, zonë që lakmohej nga grekët, bullgarët dhe serbët. Në Manastir, me investimin austriak, u mblodhën delegatët për alfabetin shqip dhe kjo ishte një fitore për ta shkruar shqipen me një alfabet të unifikuar.

1911 Kryengritja e Malësisë
Kryengritja e Malësisë, e vitit 1911, kërkonte në thelb lirinë nga Turqia, por u shfrytëzua nga Mali i Zi. Megjithatë, ajo pati rëndësi, sepse u kërkua njohja e kombësisë shqiptare nga Perandoria dhe hapja e shkollave shqipe, sepse shqiptarët identifikoheshin vetëm sipas miletit fetar. Nuk pati përkrahjen austriake, sepse Austria nuk mendonte se ishte koha e përshtatshme, pasi kishte frikë se Shqipëria do të copëtohej. Pati një reagim pozitiv të Anglisë, por u mbyll me amnisti për kryengritësit me ndihmësen e Austrisë.

1912 Marrëveshja për të likuiduar Shqipërinë
Në vitin 1912 pati një kryengritje të madhe, që në korrik kishte në fokus ndryshimin e sistemit elektoral në Perandori, zgjedhjet e reja dhe probleme politike të brendshme, por me ndërhyrjen e austriakëve në gusht, osmanët premtuan se do t’u jepnin shqiptarëve autonominë. Kjo i mobilizoi fuqitë ballkanike që kishin kohë që bënin marrëveshje me njëra-tjetrën dhe Rusinë që t’i jepnin fund Perandorisë dhe të ndanin tokat shqiptare. Plani ishte që nuk do të kishte fare një shtet shqiptar, madje as edhe shqiptarë.

Lufta Ballkanike
Me fillimin e Luftës Ballkanike filloi edhe një diplomaci intensive e Fuqive të Mëdha. Austria bllokoi daljen e Serbisë në det, me mobilizimin ushtarak të 1 milion ushtarëve. Mobilizimi i forcave ushtarake, i kushtoi 1 miliard franga Austro-Hungarisë në dy Luftërat Ballkanike, ndërsa i gjithë buxheti i shtetit arriti në 6 miliardë, që sot përbën me dhjetëra miliarda dollarë që i ka kushtuar Austrisë së asaj kohe, krijimi i shtetit shqiptar. Për të shmangur Luftën e Parë Botërore, Fuqitë pranuan që Serbia nuk do të dilte në det dhe njohën një shtet shqiptar, por u ndeshën shumë ashpër për territorin. Ndeshja vendimtare ishte ajo e Austrisë me fuqitë ballkanike, sidomos me Serbinë dhe Malin e Zi që u larguan nga Shqipëria londineze me ultimatum, ndërsa Greqia e sfidoi. Fuqitë e Mëdha kryesisht Italia së bashku me ato ballkanike, dështuan misionin e Vidit në vend dhe minuan edhe qeverisjen e I. Qemalit. Në Konferencën e Ambasadoreve ka edhe një marrëveshje midis Fuqive për shqiptarët që iu dhanë Malit të Zi dhe Serbisë, me kusht që atyre t’u ruhej prona dhe të drejtat. Kjo u arrit me insistimin e Austrisë.

Lufta e Parë Botërore
Në momentin që shpërtheu Lufta e Parë Botërore, Fuqitë që kishin garantuar vendin, hynë në luftë dhe të gjitha fuqitë ballkanike dhe ato të Mëdha, filluan planet për ta ndarë Shqipërinë londineze që u arrit me Traktatin e Fshehtë të Londrës. Shqipëria u pushtua serish nga fuqitë ballkanike dhe me pas nga 3 Fuqi të Mëdha Austro-Hungaria, Italia dhe Franca. Pushtimet kanë qenë të tilla që për interesat e tyre ato lejuan edhe vetëqeverisjen dhe simbolet kombëtare.

Botuar te gazeta FJALA



Intervista/ Historiania Elena Kocaqi: 4000 vite histori shqiptare nuk e shkruajnë dot 7 historianë

Nga Leonard Veizi

Faktet e reja përmbysin të vjetrat. Dhe kështu qenka e thënë, që historia të shkruhet vazhdimisht. Por duket se me historinë e Shqipërisë është edhe më keq se kaq. Të paktën në bibliotekën time kam disa “Histori Shqipërie”, shkruar nga personalitete, por dhe një përmbledhje prej 4 vëllimesh botuar pak vite më parë dhe që mban vulën e Akademisë së Shkencave. Por vendimi i fundit i qeverisë, për të ngritur një grup pune prej 7 historianësh, me qëllim që të rishkruajnë historinë, më kanë vënë në dilemë: cila është historia jonë? Kur do të kemi një histori të saktë të cilës nuk do t’i kthehemi më për ta përmbysur nga themelet? Dhe në fakt gjëja e vetme që mund të bëj në këtë rast është të zë radhën për të blerë librin e ri me titullin tejet të konsumuar tashmë: “Historia e Shqipërisë”. Por gjithsesi, kjo ka të bëjë me hamendësimet personale. Ndërkohë që grupi i punës, në mos ka filluar nga gërmimi i arkivave, të paktën ka filluar nga deklaratat në shtyp. E në këto kushte iu drejtova historianes Elena Kocaqi, e cila di të polemizojë dhe të flasë pa doreza kur vjen puna për të mbrojtur një çështje që ka të bëjë me profesionin e saj.

Qeveria ka ngritur një komision me 7 anëtarë për të rishkruar historinë. Në fakt si është shkruar deri tani historia?
Në fakt, Komisioni për shkrimin e historisë nuk duhet të caktohet nga qeveria por nga strukturat akademike, mbi bazën e  kritereve të përcaktuara qartë dhe procesi të ishte  transparent për publikun. Në momentin kur qeveria vendos historianët, që këtu nuk ka transparencë.  Ajo që duhet të bëjë qeveria, është ta mbështesë financiarisht grupin e historianëve. Në momentin që qeveria ngre një komision, tingëllon sikur qeveria do e shkruajë historinë dhe jo komisioni. Dihet që historia është shkruar në mënyrë ideologjike dhe kjo nga ndërhyrjet e politikës që vazhdojnë fuqishëm edhe sot. Historia duhet të bazohet te faktet dhe jo tek orientimet  e politikës. Politikanët shpesh ngrenë figura politike, duke i vlerësuar ato ose duke mos i vlerësuar sipas interesave të tyre politike. Kjo është e gabuar pasi nuk i takon politikanëve vlerësimi i figurave politike, por i takon historianëve. Në Shqipëri, historia është përdorur për glorifikimin e politikanëve, pasi ky ka qenë një orientim nacional-komunist. Kjo ka mbetur si traditë edhe sot. Historiani thjesht duhet bazohet në fakte, dhe janë faktet ato që nxjerrin përmasat e një figure politike, apo një ngjarje historike. Duhet t’i jepet fund karakterit nacional-komunist në vlerësimin e figurave historike dhe kjo, më besoni që është për disa jo e vështirë, por e pamundur.

Cila është periudha më e errët që shqiptarët nuk njohin për veten e tyre?
Në fakt, historia ka nevojë të shkruhet dhe rishkruhet. Historia shkruhet vazhdimisht pasi dalin fakte të reja dhe përmbysin të vjetrat. Një historian që nuk ndryshon mendim përballë fakteve nuk mund të jetë historian. Mendoj se periudha e antikitetit ilir nuk është shkruar fare. Ajo ka nevojë të shkruhet nga një grup profesionistësh historianë, arkeologë, etnologë dhe studiues të fushave të tjera. Kjo kërkon shumë kohë. Periudhat e tjera janë shkruar, por jo të plota, siç është mesjeta. Periudha e pushtimit osman dhe rilindja së bashku me shekullin e XX ka nevojë të rishkruhet, pasi deri tani është shkruar në mënyrë ideologjike. Ka studime të reja që janë profesionale, por ende ka nevojë për shumë punë.

Cila është periudha më e censuruar apo e keqpërdorur politikisht?
Mendoj se një nga periudhat më të keqpërdorura politikisht është ajo e Rilindjes deri tek shkëputja nga Perandoria Osmane, ajo e mbretërisë së Zogut, e Luftës Antifashiste dhe ajo e regjimit komunist.

Cilat janë arkivat më të besueshme nga e cila historia e Shqipërisë i afrohet më shumë realitetit?
Arkivat e huaja janë një burim i rëndësishëm për të njohur historinë e shqiptarëve. Sigurisht duhen parë dhe arkivat shqiptare që për periudha si të monarkisë, Luftës së Dytë Botërore dhe komunizmit kanë të dhëna të rëndësishme. Historiani shikon çdo të dhënë që i shërben atij për zbulimin e të vërtetës dhe këto janë edhe burimet sekondare si dhe ato terciale.

A mundet një ekip prej 7 historianësh të rishkruajë historinë apo duhet një rreth më i gjerë studiuesish të fushës?
Nuk mundet që një ekip prej shtatë vetash të shkruajë historinë e shqiptarëve prej mbi 4000 vitesh. Këtu ka ngjarje, koncepte që nuk janë trajtuar fare ose nuk janë trajtuar si duhet. Trajtimi duhet bërë në bazë të fakteve dhe të kërkosh faktet, të paktën do të duhet një ekip prej dhjetëra e qindra studiuesish duke aktivizuar të gjithë historianët profesionistë. Çdo etapë e historisë duhet të shkruhet duke aktivizuar të gjithë botën akademike, nga ku të merret mendimi shkencor i çdo institucioni dhe profesionisti të periudhës.

Instituti i Historisë ka potencialin e nevojshëm për të rishkruar historinë?
Shqipëria ka historianë të mirë, por është politika pikërisht ajo që s’i le ata të bëjnë punën e tyre. Këta shtatë historianë janë të shkëlqyer por për të bërë një punë serioze atyre nuk do t’ju mjaftonte jeta e tyre, pasi çdo periudhë ka një mori materialesh të njohura dhe të panjohura që duan vite të tëra pune që të shterohen. Nëse këta duan të shkruajnë një histori thjesht për nivel informimi minimal për fëmijë e adoleshentë edhe mund të bëjnë diçka, por shkrim të historisë, sigurisht në standardin perëndimor, as që nuk kanë për të bërë kurrë.

Sa mendoni se është ndikimi i politikës në shkrimin e historisë?
Nuk është aspak serioze që vjen e djathta në pushtet dhe shkruan historinë sipas qejfit të saj duke ngritur politikanët veriorë, dhe vjen e majta në pushtet për të ngritur politikanët e jugut. Mua më duket tepër e dëmshme një gjë e tillë. Historia duhet të shkruhet në funksion të së vërtetës dhe cilido politikan, qoftë nga veriu apo nga jugu i Shqipërisë ka përgjegjësi politike dhe historike. Këto duhen evidentuar dhe jo fshehur apo glorifikuar sipas interesave politike të çastit. Larg politika nga historia qe është duke e përdorur si propagandë partiake.

Cilat janë kriteret për shkrimin e historisë?
Për shkrimin e historisë, historiani duhet të mbështet në një numër parimesh dhe kriteresh që shpesh filozofët e historisë dhe studiues kanë përcaktuar. Kriter kryesor është e vërteta dhe jo mbrojtja e figurave politike, se kjo e bën qesharake dhe të pabesueshëm historianin, si dhe cenon integritetin e tij profesional. Ka disa parime, si parimi i asnjanësisë, ku pavarësisht se çdo historian ka bindjet e tij, ai nuk duhet t’i përcjellë ato tek shkrimi i historisë, pasi duhet të bazohet strikt në fakte dhe në argumentimin logjik të këtyre fakteve dhe jo në hamendësime dhe supozime që e bëjnë atë totalisht të paqartë dhe të pabesueshëm. Historia ka rënë viktimë e propagandës politike dhe kjo jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë dhe sot në perëndim janë bërë përpjekje serioze për shkëputjen nga kjo varësi dhe këtë gjë duhet ta bëjë edhe historiografia shqiptare.

Botuar tek ResPublica - Postuar në 23 Shtator, 2014



Austriakët mbështetën Ismail Beun të ngrinte flamurin

Nga Leonard Veizi

Pavarësia nuk u arrit as me shumicë të thjeshtë votash. Historia Shqiptare e censuruar Pavarësia e Shqipërisë mund të mos jetë ajo që kemi mësuar rëndom, në shkollë apo nga literatura akademike. Madje mund të ketë dhe një fasadë tjetër, e cila më së shumti është mbajtur mbuluar me një tis të errët, në pamundësi për ta zhdukur krejt. Të paktën e këtij mendimi është historiania Elena Kocaqi, e cila duke iu referuar dokumenteve të arkivave austriake, por dhe atyre italiane, franceze e angleze, ka nxjerrë një përfundim fare pak të cekur më parë, por shumë të censuruar gjithsesi. Dhe ja çfarë thotë Kocaqi për gazetën “Shekulli”:

Cilat ishte situata politike, në Europë në fillim të shekullit XX, kur Perandoria Osmane po lëshonte territor?
Situata politike në Evropën e fillimit të shekulli të XX ishte e tillë që ishin formuar dy blloqe politike ushtarake, njëri ishte Antanta e përbërë prej Anglisë, Francës dhe Rusisë dhe tjetri ishte Blloku Qendror i përbërë prej Gjermanisë, Austro- Hungarisë dhe Italisë. Antanta përkrahte sllavët në Ballkan ndërsa Blloku qendror me insistimin e Austro-Hungarisë përkrahte shqiptarët. Nga të gjashta Fuqitë e Mëdha vetëm Austro-Hungaria ishte e interesuar sinqerisht për krijimin e një shteti shqiptar për arsye gjeo-strategjike, historike dhe kulturore.

Çfarë do ndikonte më shumë në shtetformimin shqiptar, rezistenca e vetë shqiptarëve, apo ndikimi i politikave të huaja?
Mundësit që shqiptaret të krijonin një shtet pa miratimin e fuqive të mëdha ishin zero, pasi ishin vetëm gjashtë Fuqitë e Mëdha që vendosnin për ndryshimin e statusit territorial të një vendi. Kështu edhe sikur shqiptarët të kishin unitet dhe ushtri nuk do të mund t’u impononin dot atyre një shtet shqiptar kaq lehtë nëse nuk do të kishin ndonjë nga fuqitë e mëdha që t’i mbështeste ato. Nga ana tjetër më duket absurde të mendohet se ngritja e flamurit në Vlorë krijonte shtetin shqiptar të pavarur, pasi shteti ka disa elementë siç janë popullsia, territori, pushteti dhe sovraniteti dhe kjo qeveri e Vlorës nuk kishte asnjë prej tyre. Interpretimi se një njeri ngre një flamur e në mes të luftës shpall Pavarësinë dhe nuk njihet nga asnjë shtet, merret seriozisht nga historiografia jonë. Kuvendi i Vlorës nga ana juridike ka probleme se nga 84 deputetë kanë firmosur 40, që do të thotë se ky kuvend nuk ka shpallur fare pavarësinë pasi ajo nuk ka marrë as shumicën e thjeshtë të votave. Për akte kushtetuese duhen edhe 2/3, kështu që juridikisht vendimi i Vlorës është “nul”. 

Ku qëndrojnë problemet e historiografisë shqiptare për këtë çështje?
Deri me sot nga historiografia jonë është thënë se rezistenca e kryengritjeve shqiptare ishte për autonominë apo pavarësinë e vendit por që kjo nuk rezulton të jetë tërësisht e vërtetë. Kryengritjet shqiptare të 1911-1912 financoheshin nga Mali i Zi, Serbia dhe Greqia që kishin si synim të përdornin shqiptarët me qëllim që të rrëzonin perandorinë Osmane dhe më pas të përvetësonin trojet e tyre dhe ato ua kishin shprehur hapur një gjë të tillë krerëve shqiptar. Kishte nga ata krerë shqiptar që donin edhe një bashkim me këto shtete që edhe i financonin por kishte edhe nga ata krerë që ishin për mëvetësi. Shqiptarët u përdorën edhe në luftën Ballkanike pasi katoliket shqiptar i hapën rrugën ushtrisë malazeze të pushtonte Shkodrën. Pra shohim se këto kryengritje ishin fillimi i fundit të integritetit dhe tërësisë territoriale të racës shqiptare. Historiografia jonë me gjysmë zëri e pranon se ka pasur ndikim dhe financim nga vendet fqinje por ajo mbron idenë që ata luftonin për autonomin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Atëherë lind pyetja këto fqinje që ëndërronin natë e ditë trojet shqiptare do të ndihmonin krerët shqiptarë për të arritur pavarësinë kur ato e donin territorin për vete? Sigurisht që jo dhe këtu ka një shpjegim që bie në kundërshtim me logjiken historike. Pavarësia shqiptare ishte vepër e politikës Austro-Hungareze të kohës e cila arriti të përdor të gjitha, mjetet si diplomatike ushtarake për t’u imponuar fuqive të tjera krijimin e një shteti shqiptar dhe kjo tregohet nga të gjitha dokumentet diplomatike të arkivave Evropiane.

Përse Austro-Hungaria pati ndikim kaq të madh, apo rol kryesor në dhënien e Pavarësisë së Shqipërisë?
Kjo sepse ajo kishte interesa në Ballkan dhe ajo shikonte në copëtimin e Shqipërisë një kërcënim të sigurisë së saj në Ballkan pasi trojet e saj shtriheshin deri në Bosnje. Problem i madh ishte edhe çështja e Adriatikut ku Austro- Hungaria dilte në det në Trieste dhe rajonet kroate, sllovene dhe ajo nuk mund të lejonte që në bregun shqiptar të Adriatikut të vendosej një Serbi armike dhe një Itali rivale potenciale për armike, e cila mund t’i bllokonte asaj kanalin e Otrantos nëse merrte Vlorë. Kështu Austria mori fjalën e Rusisë dhe Italisë rreth 30-40 vjet më para se të shpallej pavarësia. Ishte shpërthimi i konfliktit ballkanik që e detyroj atë të bëhej agresive derisa dhe të mobilizonte ushtrinë për të imponuar një Shqipëri të Pavarur. Ishte pikërisht ajo që ju kërkoi shqiptarëve shpalljen e Pavarësisë dhe jo autonomisë, që në tetor të vitit 1912.

Cilat ishin raportet e Austro-Hungarisë me Ismail Qemalin?
Austro-Hungaria ashtu si dhe të gjitha fuqitë e tjera në Evropë dhe Ballkan nuk i zinin besë Ismail Qemalit dhe nuk kishin raporte të mira me të por në çastin e krizës asaj i duhej një faktor shqiptar brenda Shqipërisë apo ashtu siç shkruan Berchtold ministri jashtëm austriak një qeveri sa për t’u dukur se është përfaqësuese e shtetit shqiptar, me qëllim që t’u tregonte edhe fuqive të tjera se shqiptarët duan shtetin e tyre. Në këtë kohë Vjena akuzohej se ishte me shqiptare se vet shqiptarët dhe për këtë arsye ajo mbështeti në fillim Syrja Vlorën dhe me pas Ismail Qemalin. Ajo i dha atij mbështetje dhe një anije që të vinte në Vlorë dhe jo në Durrës siç thuhet për të kryer një akt formal dhe një qeveri formale dhe e ka mbështetur edhe financiarisht.

Cilat janë të rejat që paraqisnin ju në punimin tuaj të fundit?
Janë faktet historike arkivore të panjohura më parë ose ndoshta të njohura nga ndonjë grup i ngushtë historianësh por që ndoshta kanë qenë të censuruar dhe nuk i kanë bërë publike ato, madje segmente të caktuara janë përpjekur të më censurojnë edhe mua që të mos i botoj ato pasi kjo gjë i ulte vlerat faktorit shqiptar në krijimin e shtetit por që për mua censura si historiane dhe si qenie njerëzore është e paimagjinueshme. Kështu që unë paraqes pa censurë faktet arkivore të arkivit të Austrisë, dokumentet diplomatike Italiane, Franceze, Angleze të cilat japin qartë faktin se merita për krijimin e shteti shqiptar i takon shtetit Austro-Hungarez dhe se shqiptaret kanë shumë pak ose aspak peshë në këtë çështje. Nga ana tjetër unë i përkas brezit te ri të historianëve dhe jam e pa ndikuar nga ideologjia e materializmit dialektik në interpretimin e historisë. Kështu lexuesi në fund të librit do të njihet me të vërtetën historike dhe nuk besoj se do të këtë ndonjë lexues qe të jetë i mendimit qe ne krijuam vet shtetin tonë. Nëse sot ka jo vetëm Shqipëri por edhe racë shqiptare në hartën demografike të Evropës, kjo është merita e madhe e shtetit austriak që Shqipëria duhet t’i jetë mirënjohëse. Shqiptaret gjendeshin para zhdukjes kombëtare. Të mos jemi mosmirënjohës dhe të na errësojë logjikën egoizmi kombëtar dhe nacionalizmi dhe te marrim merita që në fakt nuk na takojnë por të nxjerrim mësim nga të vërtetat historike për te mos i përsëritur me gabimet tona të së shkuarës në të ardhmen

Austriakët i kërkojnë Toptanit të bashkohet me Ismail Qemalin
Austro-Hungarezët ishin të vetmit që mbështetën këtë qeveri. Në 3 dhjetor 1912 Berchtold i shkroi Vlorës dhe i tregoi mbështetjen e Austrisë. Austria donte bashkimin e Shqipërisë me qeverinë e Vlorës dhe ajo i dha shuma të mëdha të hollash Esat Toptan dhe Prenk Bib Dodës që ata të bashkoheshin me këtë qeveri. Por kjo gjë kundërshtohej në radhë të parë nga vet Ismail Qemali, që në këtë rast është bërë pengesë për bashkimin kombëtar. Kështu ai e bëri me vonesë emërimin e Dodës në qeveri. Nga ana tjetër Toptani ishte një njeri që shitej tek armiqtë e Shqipërisë dhe ka luajtur rol tepër negativ në këtë kohe dhe më pas në bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Këta bejlerë në pjesën më të madhe të tyre ishin me origjinë osmane dhe vini nga rajonet e Iranit, Irakut, Turqisë dhe ishin sjellë si sundues në Shqipëri, ashtu si shqiptarët shkonin në Egjipt dhe Lindjen e Mesme pasi nuk lejohej që feudalët të ishin vendas dhe kështu që ata nuk identifikoheshin aspak me shqiptarët. Nga ana tjetër, vetëm historiografia shqiptare meritën e krijimi të shteti në të gjithë historinë botërore, ja dedikon feudalëve. Feudalizmi dhe bashkimi kombëtar janë armiq të njëri-tjetrit, pasi feudalet shikojnë te një bashkim i tillë shkatërrimin politik dhe ekonomik te tyre”.


Projekti serbo-grek për ndarjen e Shqipërisë
Por çfarë thonë dokumentet Austro-Hungareze për qëndrimin e Serbisë e Greqisë ndaj Aktit shqiptar të Shpalljes së Pavarësisë? Eleni Kocaqi thotë: “Sebia e Greqia as që donin të njihnin një shtet shqiptar pasi ato kishin marrëveshje ta ndanin Shqipërinë midis tyre. Serbia donte pothuajse pjesën me të madhe të Shqipërisë me një dalje të gjerë në bregdet dhe Greqia donte Epirin deri në gjirin e Vlorës. Serbia pati një konflikt të madh me Austro-Hungarinë në nëntor 1912 kur ushtria serbe zuri Durrësin. Ajo u detyrua të mobilizoi një milion ushtarë e t’i vendosë ata në kufijtë e Serbisë dhe Rusisë me qëllim që të mos lëshonte në çështjen e bregdetit shqiptar qoftë edhe në koston e një lufte botërore. Ndërsa sipas arkivit austriak në 30 dhjetor 1912, qeveria greke ka njohur qeverinë e Vlorës por jo pavarësinë e Shqipërisë pasi ajo bazohej në marrëveshje që kishte me Ismail Qemalin që të njihet qeverinë tij me koncesion territorial në favor të Greqisë. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar 5 vjet më parë dhe Epiri i kalonte i gjithi Greqisë. Në 1912 ajo vazhdoj të funksionojë pasi sipas dokumenteve, Ismail Qemali ishte dakord që Greqisë t’i kalonte Janina e Çamëria. Si shkëmbim ajo njihte qeverinë e Vlorës”.

Botuar tek gazeta SHEKULLI

Sunday, May 31, 2020

Rita Petro: Libri, miku më i mirë i njeriut në këto kohë pandemie



Nga Leonard Veizi

Ajo e tronditi opinionin kur në tregun e madh të librit, mbushur me romane shumëfaqëshe e bestseller-ë botërorë, hodhi një vëllim të brishtë poetik, por me një titull domethënës e tepër provokues. Ndërsa në libraritë e ngjeshura me vëllime stok të poetëve anonimë, për të cilat thuhej se nuk ia varte kush e s’kish nge të merrej njeri me to, vargjet e saj rrëshqitën ngjalshëm për të dalë mbi sipërfaqe, çuditërisht. Nuk ishte fjala vetëm për titullin e saj të çuditshëm dhe fare të paturpshëm “Vrima”, por dhe për lëndën që shoqëronte vargjet të cilat ishin shumë më keq sesa vetë titulli. Në ekstremin pervers, lexuesit e thjeshtë me kokë të rruar zero dhe ata me mustaqe e namuz, nisën të shfrynin pakënaqësinë e të thoshin me patos agresiv se ishte ende shpejt për thyerje tabush e skemash të socrealizmit. Tabutë ishin thyer me kohë në perëndimin e Evropës dhe ca më larg saj, por në Shqipërinë gjysmotomane, e ca të ngurosur prej moralit proletar, opinioni ndihej i shpenguar të lexonte gjithfarë vargjesh të shkruara nga ndonjë poete daneze, ndonjë argjentinase apo ndonjë tjetër e importuar prej Lindjes së Largme, por nuk mund të gëlltiste vargje plot epsh e kërleshje trupash të lëngshëm nga një poete shqiptare, ku himnizoheshin e ngriheshin në kult blasfemi heretikësh.
Sot askush nuk ndihet më për këto vargje, dhe ndoshta njerëzit janë mësuar të bashkëjetojnë me to, duke e cilësuar në heshtje si të tejkaluar tashmë tabunë e thyer. Ndërsa ajo vazhdon të shkruajë në vazhdimësinë e saj poetike me po të njëjtin ritëm dhe pa u ndikuar nga statuset në facebook dhe komentet cenuese poshtë tyre. Larg thashethemeve për kolonën e saj nudiste, Rita Petro apo Rita Filipi, siç njihet gjithashtu, është po aq dhe një botuese shumë e njohur, e cila duhet ta ndajë mirë kohën e saj mes halucinacioneve ekstreme kozmike dhe një pragmatizmi tokësor e ku nëpunësit me të cilët ndan punët e zyrës kërkojnë të hedhin firmën në bordero. Duke folur për vështirësitë e kohëve të fundit, jetës në karantinë dhe lirinë pas saj, për lexuesit e gazetës “Fjala” poetesha e njohur thotë:

Edhe pse është në përfundim e sipër, gjithsesi ishin dy muaj karantinë. Si i kaluat këto ditë?
Përveç ditëve të para që vërtet ishin shokuese, mendoj se kjo situatë, ashtu sikurse të gjithë, më ka vënë në sprovën se si mund ta përballoj izolimin fizik. I kam kushtuar më tepër kohë vetes, pasi e kam pasur me shumicë, ndryshe nga koha kur 90% të ditës ma merrte puna si botuese. Kështu, kam dëgjuar me shumë qetësi muzikë të mirë, kam lexuar për qejf dhe jo për detyrim pune, kam bërë shumë ushtrime fizike për trupin, meqë tani na vjen dhe vera ha-ha-ha... Kam gatuar receta të reja, kam bërë më shumë punë shtëpie.
Ndërkohë iu futa një projekti që ka lidhje me profesionin tim, si specialiste didakte për lëndën e letërsisë në shkollë. Dhe, normalisht, kemi vazhduar punën me ekipin e redaksisë në lidhjet online.
Po kështu, duke qenë pjesë e jurisë për "Librin e karantinës" ngritur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit, pranë Ministrisë së Kulturës, kam lexuar mjaft dorëshkrime.

A ka qenë frymëzuese një situatë e tillë?
Provokuese për të gjithë artistët mendoj se ka qenë e gjithë situata e kufizimit fizik dhe se si mund të përballohej, duke i kundërvënë lirinë mendore dhe atë shpirtërore.
Unë kisha nisur një roman dhe po vazhdoj të shkruaj, dhe... më pëlqen ajo që po bëj. Se kur do të mbarojë, nuk e di. Rëndësi ka që po vazhdoj.

A mund të përbëjë ky precedent (pra ditët në karantinë) një motiv në të ardhmen për të pasur prozë dhe vargje rreth saj?
Edhe mundet. Ndodh gjithmonë. Për vete mendoj se gjërat e bëra aty për aty mbeten sipërfaqësore, pasi ndikohen fuqishëm nga faktorë të jashtëm. Mendoj se letërsia e mirë është një përpunim i thellë i dukurive të brendshme me ato të jashtme. Por në art s'ka asnjëherë gjëra të prera me thikë. Nga gjithë ajo mori shkrimesh në botë, por edhe te ne, jam e bindur se brezave të ardhshëm do t'u mbeten libra të mirë dhe 2-3 ose 1 kryevepër.

Cili kanë qenë primar në ditët e izolimit, leximi apo krijimtaria?
Aty-aty... edhe leximi përmes videove ose online më ka dhënë shumë kënaqësi.
Unë i jam bashkuar nismës së Qendrës së Librit për Fëmijë me drejtuese zj. Anisa Ymerin, e cila është mjaft aktive dhe e pasionuar për t’i nxitur fëmijët që të lexojnë. I jam bashkuar me qejf kësaj nisme, duke qenë se ne kemi botime aq të shumta dhe aq gjithëpërfshirëse për fëmijët. Po kështu, i jam bashkuar edhe nismës për lexim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit me drejtuese zj. Alda Bardhylin, e cila po bën një punë të madhe në promovime vlerash kombëtare dhe botërore të njerëzve të letrave. Leximi i librave është mirëpritur si nga fëmijët, ashtu edhe të rriturit. Po ajo çka është më interesante, lidhet me poezinë. Poetët përherë kanë dashur t’i lexojnë vetë poezitë e tyre. Histori e njohur kjo. Për mua ka qenë një kënaqësi e madhe reagimi pozitiv i miqve apo i lexuesve të poezisë sime. Kur lexon, transmeton një energji tjetër të ngrohtë, intime, përmes zërit, syve, mimikës te lexuesi. Është bukur. Dhe më është shtuar kënaqësia për ta vazhduar edhe pas pandemisë. Deri sa jemi gjallë ne shkrimtarët, nuk kemi pse të mos komunikojmë drejtpërdrejt me lexuesit apo ndjekësit tanë.

Si botuese, a mendon se kjo situatë izolimi do të sjellë vështirësi në lidhje me industrinë e librit?
Sigurisht që po. Mendoj se të gjithë botuesit janë në situatë të vështirë, sikurse dhe shumica e bizneseve të tjera. Rënia e ekonomisë na vë të gjithëve në vështirësi; shumë aktivitete librash u anuluan… ja së fundi Panairi Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë në Bolonjë, ku do të bënim disa marrëveshje për blerjet e të drejtave të disa librave, Panairi i Librit në Prishtinë etj. Ndihet një rënie e madhe e shitjeve, duke bërë krahasimet me situatën para pandemisë. Por më e rëndësishme për ne si kompani botimi është të ruajmë të paprekur të gjithë stafin që e kemi shumë të kualifikuar. Dhe kur shoh se sa mik i mirë për njerëzit ka qenë libri në këtë situatë të vështirë, jam e bindur se do të durojmë dhe do të vazhdojmë të sjellim tituj të mirë dhe cilësorë edhe këtë vit, që si zakonisht do t’i i prezantojmë në Panairin e Librit të Tiranës, në nëntor.