Thursday, January 28, 2016

Në kërkim të së panjohurës së Leonard Veizit - nga Miranda Haxhia

Duke i marrë si dëshmitarë të kësaj surprize, ata në fakt  i kanë dënuar dy miqtë e tyre në formën më makabre. I lënë gjallë me peshën e të vdekurve në supe, duke i ngjasuar aq shumë shën Palit, të qytetit Tars,  së Azisë së Vogël, atij njeriu që vriste dikë, kufomën e të vrarit ia lidhnin në shpinë, derisa të kalbej e të ronitej krejt mbi të gjallin.

Miranda Haxhia

Duhet të shkosh me mendim deri në faqen e fundit të librit të Leonard Veizit për të kuptuar se cila është surpriza që  dy bashkëshortët u kanë ruajtur miqëve të tyre, por jo më shumë miqve, sesa vetvetes.
Ndërsa mendimi i autorit ka të bëjë me një filozofi që diskutohet gjithmonë në kohë të ndryshme, konceptin e jetës dhe të vdekjes, këtë e ka sjellë në sfondin e jetës së dy çifteve të reja, të cilët sapo kanë nisur të ndërtojnë një jetë së bashku. Një jetë gati në inkubator, pa faktorë të dukshëm të jashtëm, pa ngacmues apo letër lakmuesi që vjen prej përballjes shoqërore. Dialogu mes tyre është acarues, është i përshkallëzuar. Ai ka të bëjë me vet ngritjen e situatës në atë pikë vlimi sa të ngërthejë në një pamjaftueshmëri për të kundërshtuar Robertin, personazhin që mbart idenë e fshehtë të një dhurate, e cila luhet rëndshëm. Linda dhe Eduarti, Roberti dhe Sara luajnë “kukamshefti” me debitin e tyre, duke krijuar situata, të cilat në raste të veçanta për të rrëshqitur ikin nga njëra dhomë në tjetrën.  Por gjithsesi, kjo nuk i shpëton ata nga rruga deri në fund. Romani mbahet në këtë shtyllë të brishtë. Autori nuk ndërhyn shumë për të thelluar idenë për jetën, vdekjen, postvdekjen. Ai i lë të rrokullisen vet personazhet në greminat e bisedës së tyre. Në raste të veçanta, kur kjo bisedë fillon e bëhet interesante me një ide për vdekjen dhe jetën pas saj, ajo kthehet në sekondë në një bisedë për gjëra të rëndomta të jetës. Dy miqtë duke përfillur një mesazh që kapërcen kufirin e jetës, harrojnë se shpërbëjnë miqësinë e tyre. Ajo herë - herë kujtohet që është e fortë, herë të tjera degjeneron në zënka dhe kujtime të cilat i dinë të dy për njëri - tjetrin. Gjatë thlbit të bisedave, përpiqen të shmangin gratë e tyre. Duke e quajtur bisedë serioze burrash. Më e vështirë për të realizuar personazhet femra ka qenë për autorin. Ai i lë ato në hije, në kerkesat dhe mundësitë e tyre, duke u paracaktuar fatin të ndjekin udhën ku shkel mendimi i bashkëshortëve. Por, janë të bindur se filli i jetës fillon tek ato dhe aty duhet këputur, nëse është i destinuar për një akt të tillë. Embrioni i një fëmije në barkun e Sarës dhe enigma e një dhome fëmijësh janë emocionuese. Këto emocione vijnë me shkëputje si të jenë copëza muzike e panjohur. Mes tyre muzikë funebre. Vdekja të cilën, Roberti  e përball si një shilarës që është ana tjetër e lëkundjes së jetës. Linda ka kërkesa më praktike për jetën. Mbërthehet fort në dy fëmijët e saj. Po kështu edhe Eduarti. Ndërsa Roberti e Sara me frikën e një jete të vështirë, me idenë se kjo do jetë  e papërballueshme për fëmijën e tyre në embrion, vendosin t’i japin fund asaj në formën më demonstrative dhe groteske. Para miqve të tyre, vetvriten. Dhe miqtë mbeten në grackën e fatit të parashkruar për të vuajtur vdekjen e tyre. Romani mbahet fort në ankthin dhe të papriturën që i mban lexuesin të detyruar t’i shkojë deri në fund librit për të kuptuar qëllimin e autorit. Kjo e bën interesante. Ndërsa dialogu dhe kthesat e vështira të bisedës, janë jo të thella. Askund nuk filozofohet thellë dhe ndryshe për postvdekjen më shumë nga sa dimë të gjithë. Nuk ka një udhëtim psotvdekje, nuk ka qenë ky qëllimi i autorit, por nuk ka asnjë udhëtim filozofik në këtë udhë paravdekje. Nuk ka një drejtpeshim të mendimeve. Ato lëkunden si një varkë me vela e hallakatur. Prekja sociale është e skajshme. Ndërsa, sipas meje, ky është shkaku i madh që i bën dy personazhet t’i japin fund jetës.  Është pasiguria  për të nesërmen, është frika për një fëmijë të palindur, është ambienti i ndotur, është loja e ndyrë për të fituar para dhe krijuar familje. Është brezi i rritur në boshllëk dhe kotësi. Kjo armë jepet po aq kalimthi, sa vjen thika që përgatitet për të vrarë. Historia sa është e besueshme, është edhe e pabesueshme. Ajo besohet  për aq kohë sa nuk përfshin në bashkëfajësi dy miqtë e ftuar. Është e pabesueshme në formën me të cilën kryhet vetëflijimi. Sikur të jenë pjesë e një sekti. Ndërsa vet personazhi Robert e kundërshton këtë. Ata i nisen një rruge pa kthim individualisht, por në formë revolte. E cila sjell një lloj ferri për ata që mbeten gjallë në skenën ku ndodh vrasja. Duke i marrë si dëshmitarë të kësaj surprize, ata në fakt  i kanë dënuar dy miqtë e tyre në formën më makabre. I lënë gjallë me peshën e të vdekurve në supe, duke i ngjasuar aq shumë shën Palit, të qytetit Tars,  së Azisë së Vogël, atij njeriu që vriste dikë, kufomën e të vrarit ia lidhnin në shpinë, derisa të kalbej e të ronitej krejt mbi të gjallin. Qe do të thotë kufomën e atij akti vetëflijimi të miqve do ta mbajnë sa të jenë gjallë, duke shtuar një vuajtje më shumë për jetën. Të mendojmë që të mos jetë e mjaftë kjo vuajtje, sa t’i çojë po në atë errësim gjykimi, sa edhe dy të vrarët që mbeten në faqen e fundit të librit.

***
Çfarë ndodh me prozën e Veizit? Leonard Veizi vjen në këtë roman pas një përvoje në prozë të shkurtër. Këto tregime që zgjaten deri në kufijtë e novelave janë përpjekje dhe dëshmi të një gërmuesi subjektesh dhe personazhesh të cilat e kanë qejf fundin e skajshëm, që shkojnë mundimshëm, por të sigurt në destinin e tyre. Janë fate njerëzore të cilat përpiqen të mbijetojnë nën petkun e një depresioni social, e një pikëpamjeje kaotike për jetën. Arma më e fortë e tij është dialogu. Ai ngrihet dhe ulet me mjeshtëri, nuk të lë në baltë. Rrëfimin dhe vijueshmërinë e fabulës e lë në duart e dialogut. Kjo ngjyrë dramaticiteti është pothuaj e munguar në prozën e viteve të fundit. Autorët rreken të ndërmarrin ekzibicione të cilat u ngjajnë spiritizmit të femrave rreth vetvetes me ndihmën e një shtylle kabareje. Kjo nuk ndodh në prozën e Leonard Veizit. Proza e tij është racionale, është me këmbë në tokë, është e lexueshme, e ftohtë, ndonjëherë deri në cinizëm. Situatat ndodhin në ambientet ku ne gëlojmë çdo ditë, por ato skicohen shumë  lehtë, u ngjasojnë grafikave. Konturet e qarta të ndodhisë krijojnë dimensione hijesh që përplasin mendimin tonë për më shumë se kaq.

No comments:

Post a Comment