Thursday, January 28, 2016

Romani “Lora” i Leonard Veizit, të vë në mendime për të vërtetën, të bukurën dhe të shëmtuarën - nga Mexhit Prençi

Mexhit Prençi
Optikë kritike - nga Mexhit Prençi

E kam ndjekur me vëmendje krijimtarinë tregimtare dhe romanore të Leonard Veizit. Që në tregimet e para vlerësoj talentin dhe prirjen psikologjike për të zhbiruar botën komplekse të personazhit çka është veçori e personales artistike të tij. Këtë qasje e ka aplikuar me sukses edhe në romanin “Lora” që u promovua si libër me vlera nga krijues, gazetarë, miq e shokë të autorit, dy muaj më parë. Romani është shkruar në mënyrë të tillë që lexuesi hyn natyrshëm në marrëdhënie me tekstin, pa ndonjë imponim apo trysni të autorit, siç ndodh në prozën e angazhuar, përkundrazi sipas shijeve, dijeve dhe nivelit të leximit e kulturës së tij, gjykon me liri të plotë dhe merr atë që ai shikon, percepton dhe përjeton.

2
Theksoj kryeherës se romani “Lora” është reflektim i realitetit historik dhe aktual real, më i përsosur se ai i jetës, siç do ta analizoj në vazhdim të kësaj optike kritike. Është roman shumëdimensional si në rrafshin e formës ashtu edhe të përmbajtjes, madje edhe shumëkuptimorë e shumëmesazhorë. Ndryshe nga krijuesit që nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur strukturimit të veprës, Veizi e ka vlerësuar maksimalisht si komponent substancial i romanit.

3
Shestimi dhe vizioni i shkrimtarit nis rrëfimin artistik të romanit, me kulmin e një tragjedie. Në hotel Apolon një grua është masakruar me trembëdhjetë thika ngulur në atë pjesë të trupit që shkodrani me humor e quan “vendlindje”; - aty fillon rrugëtimi i formësimit të njeriut nga një çast kënaqësie, të cilën Petro Mako në një kontekst tjetër e shpreh me togfjalëshin: “çast lumturie ku na zë nëna me babin”. Kjo qasje moderne pasurohet me elemente të tjerë të modernes, realistes, artistikes dhe estetikes gjatë procesit të formësimit të strukturës së romanit me përmbajtje historike dhe aktuale reale, mishëruar artistikisht.

4
Masakra e tmerrshme dhe e llahtarshme duhej hetuar, zbuluar dhe gjykuar. Pikërisht këtu zë fill “arkitektura” e ngrehinës së romanit. Fantazia është e jashtëzakonshme dhe e arsyeshme. Përmbajta e realitetit jetësor të cilën autori e ka marrë nëpërmjet hulumtimit, vëzhgimit, perceptimit dhe përjetimit të ngjarjeve e personazheve realë të realitetit dhe nga informimi i gjerë prej medias elektronike dhe asaj të shkruar (falë të qenit gazetar profesionist) e ka orientuar autorin që romanin ta formësojë në shumë plane, kohë e vende të ndryshme dhe në shumë dimensione, pa rregulla strikte.

5
Në dukje të parë ngjarja tragjike preston për një roman policesk. Disa, të tillë e konsiderojnë. Unë mendoj ndryshe. Mënyra si e ka shestuar autori, duke vendosur si linjë kryesore zbulimin e vrasësit, të jep përshtypjen e parë si roman policesk, mirëpo përtej të
dukshmes shquaj se elementi policesk është mjet, mundësi dhe hapësirë për autorin për të shprehur shqetësimin dhe qëndrimin e qytetarit dhe shkrimtarit për realitetin e shoqërisë sonë zhytur në kriza të gjithanshme, në rrafshe të ndryshme: politike, juridike, administrative, sociale, morale, etj., ku pleksen dukuri të korrupsionit, prostitucionit, mafies, amoralitetit etj. Menaxhere, paraja dhe pushteti.

6
E konsideroj gjetje të mrekullueshme qasjen ku shpaloset me përparësi pikërisht kjo esencë kuptimore problematike, nëpërmjet përshkrimit a r t i s t i k dhe rrëfimit p s i k o l o g j i k të ngjarjeve, situatave, rrethanave dhe të veprimeve psikofizike të personazheve në mjedise të ndryshme e të larmishme, ku elementët psikologjikë përshkojnë edhe ato policeskë në integrim të admirueshëm ku zbutet linja policeske dhe forcohet tonaliteti i linjës psikologjike drama e personazheve dhe trazimi i botës së brendshme të tyre, veçanërisht te protagonistëve.

7
Nëpërmjet linjës kryesore të thyer, me spirale dhe zigzage të Grabovës si protagonist i romanit, i cili pas masakrës së Lora Emerson, largohet nga Shqipëria dhe lëviz në disa qytete e shtete të Europës; gërshetuar me linjën e hetimit për zbulimin e kriminelit, - jepet një tablo e gjerë dhe e thellë e realitetit historik dhe aktual. Në fokus: prostitucioni, korrupsioni, krimi, raportet e individit me veten dhe shoqërinë; të policisë me prokurorinë, Interpolin dhe shërbimet informativë të huaja; si dhe dramatika dhe tragjikja e dy personazheve protagonistë dhe marrëdhëniet e dukshme e të padukshme të shumë personazheve në ngjarje e situata të ndryshme e të larmishme.

*** 
Një kompozim i tillë paraqet vështirësi gati të pamundshme, ku risku dhe guximi janë në garë sfidimi. Veizi ia doli me sukses.

8
Romani është shumështresorë dhe shumëplanësh; përmban një pasuri të madhe ngjarjesh, situatash, karakteresh të ndryshëm dhe vende veprimi në ajër e në tokë, në qytete dhe shtete, në hotele, aeroplanë, shtëpi, rrugë, në mjedise të pafundme: në Tiranë, Rinas, hotel Apolon; në rrugën Fortuzi, Tirana e Re, në prokurori; në Torino, Romë, Vjenë, aeroportin e Vjenës; në Gjermani, Mynih, në selinë e Shërbimeve Federale të Inteligjencës Gjermane: në linja të ndryshme avionësh, Interpol Roma, policia britanike, etj., etj. Gjithashtu romani përmban personazhe të shumtë e të veçantë, si në bëmat e tyre, në veprimet psikofizike, ashtu edhe si figura komplekse dhe të individualizuara ku më të realizuarat janë Rron Grabova, Lora Emerson, Drin Kelmedi etj.

9
Ngjarjet, personazhet, situatat e rrethanat, tërë përmbajtja e romanit “Lora”, siç e cika më sipër, janë reflektime të botës reale, por nuk janë identikë me realitetin historik dhe aktual real, përkundrazi janë fikshën. Identifikimi i artit me jetën, në prozën me temë historike dhe aktuale, nga disa që lozin rolin e kritikut pa qenë profesionistë, është gjykim empirik, amatoresk që shfaqet herë pas here në festat e librave që promovohen dhe në media. Shprehjet: X-s roman është pasqyrë e realiteti, Y-lon ngjarje është tëpkë si në jetë dhe ky apo ai personazh janë realë, - bien ndesh me thelbin e krijimtarisë letraro-artistike e cila është fikshën, nuk është jetë, realitet. Romani i Veizit nuk është i tillë, është fikshën, realitet artistik.

***
Termi “pasqyrë e realitetit” përdorej në kritikën tradicionale të letërsisë realiste dhe natyraliste, por edhe nga kritika e angazhuar marksiste-leniniste enveriste. Te “Lora” autori me një fantazi jo të zakonshme krijon realitetin artistik duke aplikuar forma të realistes e modernes në ndërtimin e linjave të shumta dhe të kujtimeve e retrospektivave, ashtu edhe në gërshetimin e tyre në procesin e zhvillimit të veprimeve, ngjarjeve dhe personazheve nga një vend në tjetrin, nga koha e shkuar në të tashmen dhe nga e tashmja ne të shkuarën.

10
Është një punë strukturore me vështirësi të lartë realizuar me inteligjencie dhe mjeshtëri. Në strukturim aplikohen elemente të një realizmi në zhvillim dhe jo forma lineare e letërsisë tradicionale strikte. Përkundrazi autori aplikon formën fugale me kronologji të lirë, e cila nuk e konsideron letërsinë jetë, por realitet fikshën, - reflektim i tij. Sipas formës fugale aranzhohen sekuencat kohore, që do të thotë, gjëja e parë dhe ajo e fundit nuk vijnë sipas radhës, por sipas pranëvënies, kontrastit dhe kontrapunktit. Aplikimi i një strukturimi të tillë nga Veizi arrin vlera tematike, përmbajtësore, artistike, estetike dhe mesazhore.

11
Ndër vlera cilësore konsideroj edhe stilin e autorit, i cili shfaqet në nivele të ndryshme, në të gjithë komponentet e veprës: herë i qetë e herë i vrullshëm, herë i shtruar e herë me ritëm të lartë, lirik e dramatik sipas situatës e ngjarjeve dhe bëmave e dramave të personazheve, sa arrin edhe nivele të epërme në disa përshkrime e rrëfime artistike, sidomos në monologët e protagonistit, Rroni Grabova në dyluftim me veten. Stili në këtë roman shfaqet edhe me elemente të publicistikës në rrafshin e informacionit, integruar në stilin artistik, ku proza rrjedh natyrshëm dhe këndshëm. Dinamika e romanit ku jepet gjithçka në lëvizje, është pikërisht stili i autorit si element inkadeshent që përshkon çdo qelizë të tij.

***
Një stil i tillë është i pranishëm edhe në përsëritjet e disa situatave apo ngjarjeve që kanë të njëjtin thelb dhe strukturohen në forma të ndryshme në linjën Rroni-Lora dhe në atë të hetimit. Sipas meje, redaktimi i disa syresh do të ishte një vlerë e shtuar artistike e romanit.

12
Ndër vlerat me peshë specifike më të lartë, spikat portretizimi psikologjik dhe fizik i dy personazheve protagonistë Rron Grabova dhe Lora Emerson, të cilët janë formësuar si personazhe kompleks, të dyzuar, të veçantë, me bëma të këqija të detyruara nga realitetit i egër ekzistencial dhe nga qasjet e gabuara të tyre në luftë për të mbijetuar. Janë personazhe dramatikë e psikologjikë edhe realist edhe absurd. E mira dhe e keqja, e bukura dhe e shëmtuara jetojnë brenda tyre dhe shfaqen në situata të ndryshme dramatike, tragjike e lirike; në momente e situata të veçanta tek ata shfaqet edhe njerëzorja.

***
Në formësimin e tyre elementi psikologjik dhe elementi artistik enigma “ç’do të ndodhë më tej” të shkrira në njëra-tjetrën bartin peshën specifike të vlerës së spikatur të romanit. Të dyja këto përshkojnë tejembanë edhe komponentët e romanit, veprimet psikofizike dhe bëmat e personazheve dhe ngjarjet e situatat, - realizuar me vërtetësi artistike, - një çelës ky, që tërheq lexuesin ta këndojë romanin gjer në fund.

13
Mjetet artistike autori i përdor me sens, duke mënjanuar estetizmin, që vihet re në prozën e sotme moderne. Proza e Veizit nuk vuan nga kjo dobësi, ajo ka nevojë për zhvillimin e mëtejshëm të saj, të pasurohet edhe me elemente të surrealizmit, realizmit magjik dhe të letërsisë së absurdit, duke ruajtur përparësinë e elementit realist që e merr nga bota reale mbi të cilën ngihet fantazia e jashtëzakonshme. Bashkë me këtë mendoj se edhe mendimin filozofik i mishëruar artistikisht duhet të futet dhe integrohet në prozën e Veizit. Kësisoj proza e shkrimtarit do të fitonte dimensione të reja ku teksti artistik do të arrinte nivele të reja semantike me shtresa e nënshtresa edhe tropologjike për ta çuar më tej këtë mënyrë të shprehuri shumë të fuqishme. Këtë ia mundëson fantazia e tij pjellore dhe e arsyeshme me të cilën autori, aplikon sensin e masës dhe realizon ekuilibrat, pa kaluar në estetizëm, as pa rënë tradicionalizëm, thjeshtëzim apo natyralizëm.

14
Si konkluzë: Romani “Lora” sipas meje është ndër veprat më me vlerat të prozës së shkrimtarit Leonard Veizi, si në rrafshin e shestimit, strukturimit artistik pa rregulla strikte që mishëron artistikisht një përmbajtje të gjerë e të thellë si reflektim i realitetit historik dhe aktual real, ku rrëfimi dhe përshkrimi artistik përshkon subjektin, ngjarjet, linjat, personazhet dhe veprimet e bëmat e tyre psikofizike me origjinalitet. Autori nuk shpjegon as ngjarjet as bëmat dhe veprimet psikofizike të personazheve, as shkaqet dhe pasojat e tyre, por i paraqet ato në lëvizje, ndeshje, konflikte dhe dramat që ato shpalosin, çka lexuesin e vë ne mendime, e bën të dialogojë e monologojë me veten dhe merr ato që ai sheh, zbulon dhe percepton sipas nivelit të leximit nga më i thjeshti e gjer te ai më i larti.

***
Autori shumë pse-ve nuk u jep përgjigje si p.sh. kush e vrau Lorën?!. Dikush mund të mendojë për Rron Grabovën, një tjetër për Shërbimet e Fshehta, një i tretë dyshon për tutorët e saj.... etj.
Mendoj se është pikërisht kjo mënyrë të shkruari që intrigon lexuesin ta këndojë librin me një frymë gjer në fund dhe ta vërë në mendime, për të vërtetën, të bukurën dhe të shemtuaren

No comments:

Post a Comment