Thursday, January 28, 2016

Realiteti i një mozaiku karakteresh - nga Virgjil Muçi-revista KLAN

Virgjil Muçi

Me gjithë karrierën e gjatë në shtypin e shkruar, ma do mendja që, Leonard Veizi skish për të krijuar dot një kuadër me aq ngjyra kaq të gjalla e kaq ekspresiv të realitetit sa ç’arrin të rikrijojë me prozën e vet fiksionale dhe t’ia përcjellë lexuesit me katër tregimet e përmbledhura në vëllimin “Treni i fundit i metrosë”. Dhe pas këtij konstatimi nuk ka kurrfarë truku sugjestionues, siç jemi mësuar të akuzohen shpesh e më shpesh shkrimtarët, përkundrazi, kemi të bëjmë me një aftësi sipërore të shpalosjes së realitetit në dy rrafshe (çka e kryen përditë e përciptazi në media) dhe, atë shpirtërore, të brendshëm, të cilin mund ta perceptoje rrokë syri i regjur i shkrimtarit, që përpos të tjerash ka dhe veglat e duhura për t’ia përçuar siç lypset lexuesit. Në të katër mozaikët e krijuar prej Veizit para syve tanë vijnë e shpalosen më së miri fragmente nga realiteti i Shqipërisë së sotme në të dy dimensionet e sipërpërmendura.
Duke perifrazuar shprehjen e një kritiku letrar do të thoshim se, pikërisht në çastin kur duket sikur nuk na ka mbetur gjë pa u thënë e stërthënë rreth Dashurisë, vjen e na shfaqet ky libër i shkruar  me thjeshtësi e qartësi shembullore, i cili na shpalos para syve një botë të larmishme ndjenjash e pasionesh, shpesh të ndrydhura prej moralesh dhe kulturash zanafillëse, në dukje anakronike, për të mos thënë primitive, të shfytyruara nga fantazmat e historisë që rëndojnë edhe sot e gjithë ditën mbi shpirtrat e njerëzve me tërë peshën dhe tragjicitetin e së kaluarës. Çka thamë ka të bëjë edhe me faktin se tregimet e këtij vëllimi (e kam fjalën për dy tregimet e para të këtij libri) ngjizen e lazmohen prej kësaj ndjenje parake mes qenieve njerëzore. Dashuria nuk këqyret thjesht si një marrëdhënie vetjake mes një çifti njerëzish, por si një raport në tërë kompleksitetin e vet e vet, që shpalos e pasqyron veset e virtytet e mbarë një shoqërie, evoluimin dhe evoluimin, mundësitë dhe moralin e saj. Ç’është e vërteta, suaza e ndërtuar prej autorit shpesh është më e gjerë dhe e koklavitur se kaq, sidomos në ato raste, kur mbrapa personazheve na shfaqen me gjithë dritë-hijet e veta, botë të ndryshme, paradigma të të cilave ata shndërrohen ngandonjëherë krejt në mënyrë të pavetëdijshmes. Parë nga ky këndvështrim, një domethënie të veçantë shkon e merr tregimi “Treni i fundit i metrosë”, ndoshta i vetmi në të gjithë vëllimin që rrok e ngërthen në vetvete substancën lëndore e shpirtërore të një romani, por  kjo nuk ka dhe qa rëndësi sesa fakti që te ky tregim shohim në mënyrë të plotë e domethënëse gjedhen e asaj çka shprehëm pak më lart. Të dashurosh do të thotë të eksplorosh pra shpirtërisht e fizikisht botën e partnerit tënd, por kur të dashuruarit vijnë nga botë që në thelb u përkasin kulturave të ndryshme, atëherë eksplorimi përfiton dimensione të tjera dhe shtjellohet jo më në një e dy por në disa rrafshe. Kjo gjë shkon e ndodh mes Inës dhe protagonistit anonim në tregimin “Pas shfaqjes”. Edhe pse dashuria e tyre në dukje nuk njeh kufi, madje i shpërfill përbuzshëm, pak nga pak, ata të dy bëhen të vetëdijshëm që, mjafton një truk letrar si ai i emocioneve që ngjall një shfaqe teatrore, “Romeo e Zhuljeta” që marrëdhënia e tyre e mrekullueshme të leskërohet për t’u shpërbërë e shndërruar në hiç. Edhe pse tregimi ka një fund “tragjik” dhe një dozë të trishtime fataliteti, gjithsesi te jep të kuptosh se vetëm Dashuria, ajo e mirëfillta, e pakushtëzuar prej asgjëje veç prej ndjenjës në trajtën e vet të kulluar mund të mposhtë vetveten e të ekzistojë.
Kaq sa për të cytur kureshtjen e lexuesit, për më tej lypset ta ngrini vetë perden e një bote, në skenën e së cilës, siç na kumton Veizi me prozat e veta, jemi aktorë dhe autorë njëkohësisht.

No comments:

Post a Comment