Tuesday, December 6, 2016

Relacion për vdekjen e Sofia L. - fragment nga romani "I çmenduri i pavionit 3"


nga Leonard Veizi


Profesori e hapi menjëherë dosjen, nxori letrat dhe i hodhi një sy të shpejtë faqes së parë. Pastaj hapi një tjetër.
- Po kjo? - më pyeti.
- Relacioni, - thashë menjëherë, se e prisja pyetjen. - Ose, më saktë, një shtesë që ia bashkëngjita relacionit. Është më shumë një refleksion për ngjarjen, s’di si ta përcaktoj. Gjithçka që munda të mblidhja si informacion. Por ndoshta nuk është e nevojshme…
Zgjata dorën për ta marrë, por shefi i pavionit më pengoi.
- Jo, - më tha. - Po e lexoj…


Relacion për vdekjen e Sofia L.

Duhet të ketë qenë ora tetë e gjysmë e atij mëngjesi gjysmëvjeshte, kur ajo, me sy disi të përgjumur, por me mendje krejt të kthjellët, përshëndeti prindërit në dhomën e ndenjjes dhe u tha se do të shkonte në tualet, të lante sytë me ujë të ftohtë, dhëmbët me furçën krejt të re të sapohequr nga ambalazhi dhe të bëhej gati për të ngrënë mëngjesin, që e ëma po ia përgatiste gjithë merak. Por në fakt nuk u nis për në vend-mbërritjen e paralajmëruar; ajo përshkoi ata pak metra korridor për t’u rikthyer sërish në dhomën e saj të gjumit, nga kishte dalë pak çaste më parë e ku shtrati ishte ende i parregulluar. Ngriti qetësisht grilën që kishte zënë ndryshk, dhe u përball me rrezet e diellit të mëngjesit, të cilat vërshuan në dhomë, në të gjithë cepat e saj, deri në skutën më të errët. Por, duket se as kjo mrekulli e natyrës nuk e bëri  të tërhiqej nga vendimi që kishte bluar në mendjen e saj për të paktën dymbëdhjetë orët e fundit. Hapi të dyja kanatet e dritares, vuri duart mbi parvazin e ftohtë, pastaj u ngjit më këmbë dhe… i dha trupit përpara, për ta çuar deri në fund aktin e saj të paramenduar.
Kështu duhet të ketë ndodhur pak a shumë me Sofinë, edhe pse askush nuk e di më mirë të vërtetën sesa vetë ajo. Veçse tani nuk mund të na thotë asgjë. Ka mbyllur sytë, gojën, ka bllokuar të gjitha labirintet e trurit, dhe gjithçka tjetër që e kishte munduar për vite me radhë në luftën e egër për ekzistencë.


       Epilogu

Boria e pandërprerë e një makine që çonte drejt urgjencës së spitalit trupin e saj thuajse pa jetë, i alarmoi të gjithë, ndihmësmjekët, laborantët, madje edhe vetë njerëzit e sistemit të sigurisë, të cilët me shpejtësi gati marramendëse e çuan pacienten drejt e në platformë, atje ku mjekët ishin gati të ndërhynin. Ia matën pulsin, pastaj… ia matën sërish. Dhe nuk u desh të kalonte shumë kohë për të ngritur supet në shenjë pafajësie dhe për të vazhduar me shprehjen e radhës gati monotone të ironisë së fatit: “Është tepër vonë, duhet ta kishit sjellë më parë”. E pra, nuk duhej të kishin kaluar më shumë se gjashtë a shtatë minuta nga çasti kur ajo, me një fluturim të lirë, krejt e pasforcuar në mendje e në trup, ka përshkuar rënien prej gati tetëmbëdhjetë metrash nga dritarja e dhomës së saj të gjumit, e cila ndodhej në katin e gjashtë të një pallati tetëkatësh, deri në bordurën që ndante rrëzën e themeleve me anën e këmbësores. Përplasja e mishit dhe e kockave me betonin e ngurtë me një forcë gati të përbindshme, ishte fatale. I menjë-hershëm ishte edhe shpërthimi i gjakrrjedhjes së brendshme për të mbuluar me gjakun e mpiksur gjithçka që dhuronte jetë.


Nata e fundit

Sofia L., një vajzë e re, e cila atë ditë do të mbushte njëzet e pesë vjeç, bëri një gjumë të shqetësuar. Mëngjesin e një dite më parë ajo ishte takuar me djalin e ëndrrave të saj, i cili i kishte premtuar se ditën e përvjetorit të lindjes do t’i shkonte për vizitë në shtëpi, ku jo vetëm do t’i uronte ditëlindjen, por dhe do të takohej me prindërit e saj. Me sa dukej, që atë ditë ata do të quheshin të fejuar zyrtarisht. Kjo ishte ndoshta paraditja më e bukur që prej shumë vjetësh për Sofinë. Por duket se nata nuk ishte aleate e saj. Ndoshta nuk fjeti fare. Ose ndoshta fjeti aq rëndë, sa gjithçka që ndodhi më pas, duhet të ketë qenë në të njëjtën linjë imagjinare me atë që ndodhi në nënvetëdijen e saj në formën e ëndrrës së parealizuar. Edhe pse mund të mendohet se ajo e donte jetën, sërish logjika e ftohtë të çon në përfundimin e pashmangshëm se jeta e saj në ato çaste nuk kishte më asnjë kuptim. Motivet papritur ishin rrëzuar njëri pas tjetrit, si nën dridhjet e një tërmeti të beftë, edhe kur ajo u mundua të kapej pas tyre për të mos i braktisur, deri në çastin e fundit. Por në fund mbeti vetëm ajo, krejt e zbrazët përballë mureve të ftohta të dhomës së gjumit, që nuk i krijonin më as imazhin e ngrohtë të jetës në familje.


Depresioni

Nëna e saj rrëfen se Sofia ishte shumë e ndjeshme, çka, me sa duket, ia lëndonte vetë jetën. E sforcuar për të përfunduar me rezultate të larta fakultetin e parapëlqyer, Fizikë bërthamore, një ditë Sofia kaloi në gjendje depresive, për të cilën mjeku i familjes bëri diagnozën e shpejtë “sklerozë multiples”. Dhjetë ditë më pas, aparatura e ndërlikuar elektronike “Rezonanca magnetike”, e kryer në një nga laboratorët më të mirë të vendit, përforcoi diagnozën e mjekut të klinikës së vogël. Megjithatë asgjë për t’u shqetësuar deri në fund. Mjekime të forta, pak kujdes dhe, më kryesorja, zënie e kohës me punë profesionale. Dhe jeta do të vazhdonte për Sofinë.

Përpara se të kalonte në faqen tjetër, shefi i pavionit i hoqi syzet dhe më vështroi drejt e në sy.
- Je takuar me familjarët e saj? - më pyeti.
Unë pohova me kokë.
- Me prindërit e saj dhe me mjekët e urgjencës. Doja të isha sa më i saktë në atë që do të shkruaja. Këto ishin faktet që munda të mblidhja. Kisha parasysh se në fund të fundit diagnoza dihej dhe ishte përcaktuar nga ky staf.
Shefi i pavionit i hodhi sërish një vështrim faqes që sapo kishte mbaruar së lexuari, dhe tha:
- Interesante…
Pastaj vuri sërish syzet dhe filloi të lexonte faqen tjetër.


Dëshpërimi

Për vite me radhë Sofia, ndonëse vazhdimisht ishte nën kujdesin e plotë të të dy prindërve, nuk ka mundur të sistemohet në asnjë punë për të qenë. Edhe pse profesoresha e saj kujdestare kishte shumë besim tek ajo, sërish Sofia iu nënshtrua pjesës më të keqe të fatit të saj. Kjo ka qenë një tjetër dramë, të cilën nuk e përballoi dot. Një gjë e tillë do të ishte shumë e rëndë për të dhe do ta çonte pashmangshmërisht drejt fundit fatal që e zgjodhi vetë. Dhe, që nga ajo kohë, në mendje i ishin regjistruar vetëm konsulta mjekësh dhe buzëqeshjet që e përcillnin duke mos i mundësuar një vend pune, qoftë edhe si asistente. E ëma kujton se Sofia, edhe pse nuk tregonte, kishte nisur të mbante në mënyrë të fshehtë ditarin e jetës. Vizatonte me laps në muret e dhomës së saj. Në fletore të tjera shkruante poezi pa fund. Këto ia lehtësonin shpirtin e lënduar. Por edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme. Dhe janë pikërisht ata rreshta që zbardhën të vërtetat tronditëse të jetës së saj, pasi u ekzaminua si një e sëmurë kronike. Dhe, natyrisht, çastet e fundit ishin edhe më të rënda për nënën, kur kujton se si po ia përgatiste mëngjesin vajzës. Dhe nuk kishte as ndjesinë më të vogël se ky mëngjes i papërfunduar do të ishte i fundit për të. Dëgjoi një zhurmë të shurdhët dhe, pasi vështroi bashkëshortin në sy,  pëshpëriti me gjak të ngrirë: “Çfarë ndodhi?”. Doli menjëherë në dritare dhe u përball me pamjen më tronditëse që mund ta çonte ndonjëherë në mendje në çaste vegimi një nënë: Sofia, vajza  e saj, të cilën ajo e priste që të ulej në tryezë, dergjej e shtrirë mbi këmbësoren  e boshatisur. Klithi me zë të çjerrë, u çlirua me gjithë fuqinë e shpirtit të saj dhe, ashtu e zbathur, zbriti shkallët rrëmbyeshëm për t’u gjendur vetëm në pak sekonda pranë së bijës që bulëzonte frymën e fundit të jetës. Ia shtrëngoi kokën në gjoks, dhe… s’mban mend gjë tjetër.


Fundi

Sofia mbylli sytë vetëm dy ditë më parë. Një ditë më pas trupi i saj me të gjitha stolitë që kishte përdorur, u mbyll në arkivolin prej druri. Shtypi i ditës do të shkruante se ajo ishte një viktimë e brishtë, ashtu si edhe shumë të rinj të tjerë. Një     e papunë e depresuar që duket se kërkonte të hiqte dorë nga të qenët barrë për prindërit e saj. Dhe zgjodhi rrugën më të vështirë të mundshme: u largua me dëshirën e saj, paksa si të sforcuar, nga kjo jetë. Atë ditë do të mbushte njëzet e pesë vjeç. Ose ndoshta i mbushi… por pa tortë me njëzet e pesë qirinj të ndezur, që duhet t’u frynte, duke menduar për realizimin e shpejtë të një ëndrre të vjetër, dhe pa shampanjën që shpërthen plot zhurmë pas heqjes së tapës. Atë ditë, të afërmit e saj e qanë me ngashë-rime, duke u shtrënguar kokë më kokë me njëri-tjetrin, dhe kujtuan si padashur kohët e shkuara, atëherë kur Sofia ushqente ambicie të mëdha për jetën. E pra, ishte vetëm njëzet e pesë vjeç dhe iku e trishtuar nga kjo botë…

Profesori ngriti sytë nga faqja e fundit, pasi u përqendruar në fund të saj, ku ishte emri dhe firma ime. Mbështeti dy parakrahët mbi dosjen e hapur dhe duke më vështruar në sy më pyeti:
- Ke shkruar herë tjetër ndonjë relacion vdekjeje?
- Jo, - iu përgjigja me zë të thatë, duke e kuptuar se në  atë që kisha shkruar, kishte diçka që nuk përputhej shumë me një relacion të zakonshëm mjekësor. - Kjo është hera e parë.
- Interesante…, - tha ai. Pastaj uli kokën, hoqi syzet dhe e mbylli kapakun e dosjes pa thënë asnjë fjalë më shumë.



No comments:

Post a Comment